Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Telegrafi shënon 19 vjet - rritje, inovacion dhe transformim digjital në median shqiptare

25 December 2025 at 16:00


Ashtu si çdo 19-vjeçar që ka kaluar fazën e ëndrrave dhe tashmë vepron me vizion, përgjegjësi dhe ambicie të qarta për të ardhmen, edhe Telegrafi hyn në vitin e ri më i pjekur, më inovativ dhe më i vendosur se kurrë për të udhëhequr transformimin e medias digjitale në Kosovë dhe më gjerë.

Nga një ide ambicioze e nisur 19 vite më parë, Telegrafi është shndërruar në një ekosistem të plotë digjital, ku përmbajtja, teknologjia dhe audienca ndërthuren në mënyrë organike. Sot, ky ekosistem përfshin lajme kombëtare dhe lokale, video, podcaste, aplikacione mobile dhe produkte të avancuara digjitale, të ndërtuara për të informuar, edukuar dhe angazhuar publikun në çdo platformë dhe në çdo moment.

Viti i zhvillimeve dhe transformimit digjital

Gjatë këtij viti, Telegrafi ka realizuar disa nga zhvillimet më të rëndësishme teknologjike dhe editoriale.

Faqja e re e Telegrafit ka sjellë një përvojë më të shpejtë, më të pastër vizualisht për përdoruesit, duke reflektuar standardet moderne të konsumimit të lajmit.

Një hap i rëndësishëm është shënuar edhe me aplikacionin e ri të Telegrafi Sport, i ndërtuar posaçërisht për audiencën sportive, me fokus te rezultatet live, njoftimet në kohë reale dhe përvoja mobile e personalizuar për tifozët.

Podcastet, zëri i Telegrafit në epokën digjitale

Një nga shtyllat kryesore të suksesit të Telegrafit gjatë viteve të fundit ka qenë zhvillimi i platformës së podcasteve, e cila është konsoliduar edhe më tej gjatë këtij viti.

Në qendër të saj qëndrojnë formatet tashmë të njohura dhe me ndikim të gjerë si “Përballje Podcast”, që trajton temat kryesore politike, ekonomike dhe shoqërore; “Arena e Yjeve”, e fokusuar te sporti dhe figurat që kanë lënë gjurmë; “Shëndeti në rend të parë”, që sjell diskutime profesionale dhe edukative në fushën e shëndetësisë; si dhe “PodGo”, format që sjell diskutime mbi jetën shoqërore në Maqedoninë e Veriut, përmes zyrës së Telegrafit atje.

Këto podcaste janë shndërruar në platforma të besueshme diskutimi dhe informimi, duke krijuar forma të reja dëgjuesish e shikuesish dhe duke rritur ndikimin e Telegrafit përtej formatit tradicional të lajmit.

Telegrafi po punon gjithashtu në formate të reja podcastesh, të cilat pritet të lansohen së shpejti, duke zgjeruar tematikat dhe duke iu drejtuar audiencave të reja me përmbajtje origjinale dhe bashkëkohore.

Video dhe përmbajtje për rrjetet sociale

Paralelisht me podcastet, Telegrafi ka vazhduar investimet në video-formate të shkurtra dhe dinamike, të dizajnuara posaçërisht për rrjetet sociale, duke iu përshtatur mënyrës se si audienca sot informohet – shpejt, qartë dhe në kohë reale.

Këto zhvillime e kanë pozicionuar Telegrafin si një nga platformat më aktive dhe më të ndjekura në hapësirën digjitale shqiptare.

Redaksia në epokën e Inteligjencës Artificiale

Në vitin e 19-të të ekzistencës së tij, Telegrafi ka vazhduar integrimin e Inteligjencës Artificiale në proceset editoriale dhe operative, me synimin për të rritur efikasitetin, për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe për të personalizuar përmbajtjen.

Teknologjia po shërben si mbështetje për gazetarinë profesionale, duke e fuqizuar atë dhe jo duke e zëvendësuar.

Përveç rolit të tij informues, Telegrafi është shndërruar ndër vite në një partner të besueshëm të marketingut digjital për brende, kompani dhe organizata, duke ofruar zgjidhje të avancuara për promovim si: Pr Artikuj, reklama digjitale banners/native ads /outstream, BiZz Video - Video story dhe shëtitje virtuale 360° me shpërndarje të integruar në web dhe aplikacione mobile.

Me fokus të veçantë në brand safety, transparencë dhe performancë të matshme, Telegrafi u mundëson partnerëve të komunikojnë në një mjedis editorial të sigurt dhe profesional, duke ndërtuar marrëdhënie afatgjata të bazuara në besim, teknologji dhe ndikim real te audienca

19 vite besim dhe vizion përpara

Pas 19 vitesh rrugëtim, Telegrafi mbetet i përkushtuar ndaj informimit të besueshëm, inovacionit dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

Sot, Telegrafi nuk është vetëm një portal lajmesh, por një platformë që formëson diskursin publik dhe ndërton të ardhmen e medias digjitale.

Ndërsa hyjmë në vitin e 20-të të historisë sonë, falënderojmë të gjithë lexuesit, shikuesit, dëgjuesit dhe partnerët për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Telegrafi nuk po feston vetëm vitet – po ndërton të ardhmen.

Urime 19-vjetori, AI shoku yt – Telegrafi.

​Turqia i dhuron Shqipërisë avion qeveritar

25 December 2025 at 15:58


Kompania ajrore turke, Turkish Airlines, do t’i transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një Airbus A319‑115J, një avion i konfiguruar nga qeveria me vlerë 11.9 milionë dollarë, sipas një marrëveshjeje dypalëshe granti, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Turkiye Today shkruan se sipas marrëveshjes së publikuar në Gazetën Zyrtare të enjten, avioni, i regjistruar si TC-GVC me numër serik 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operacione fluturimi, raporton TCH.

Marrëveshja dypalëshe thotë se donacioni synon të forcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” midis Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht sipas Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ku të dyja palët shprehin dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit të ndërsjellë teknik dhe mbrojtës.

Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar nga ana e marrësit dhe Turqia do të mbulojë kostot e transferimit./tch/

Ekspertja gjermane: Nuk mund të përjashtohet bllokim i ri në Kosovë

25 December 2025 at 15:09


Kosova voton për herë të dytë këtë vit. Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass kërkon dialog mes partive dhe kujton, se Kosova ka humbur shumë nga reputacioni i saj ndërkombëtar këtë vit.

DW: Për herë të dytë brenda një viti kemi zgjedhje të reja në Kosovë. Mendoni, se këto votime do të sjellin zhbllokimin e situatës në vend? Gjatë fushatës partitë e tjera sërish shprehen, se nuk do të hyjnë në koalicion me partinë "Vetëvendosje" të Albin Kurtit...

Fraue Seebass: Gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Vetëvendosje shpreson për një shumicë kaq të madhe sa të mund të qeverisë e vetme ose "vetëm" me mbështetjen e pakicave, të cilave Kushtetuta u garanton një numër të caktuar vendesh. Kjo taktikë dështoi pas zgjedhjeve në shkurt.

VV mund të përpiqet në rast të një rezultati zgjedhor të ngushtë, të bindë politikanë individualë nga partitë e tjera që të mbështesin koalicionin. Aleanca me PSHDK-në e vogël para zgjedhjeve (përveç Guxo dhe Alternativës), partnerë tradicionalë të LDK-së, është një tregues i kësaj. Por është gjithashtu e mundur që partitë opozitare të mund të mobilizojnë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri pa VV-në, megjithëse shanset për këtë janë të pakta. Nëse kemi një rezultat të ngjashëm si në shkurt, një bllokim i ri nuk është i pamundur.

DW: Pse ky qëndrim kaq refuzues ndaj Albin Kurtit?

Para së gjithash ky lidhet kryesisht me qëndrimin e tij pa kompromis, me të cilin ai i shpalli luftë "elitave të korruptuara" dhe, në fakt, të gjitha partive të tjera. Para zgjedhjeve të shkurtit, VV synonte të rifitonte një shumicë konstituuese, ndërsa partitë e tjera të mëdha e pozicionuan veten para së gjithash në opozitë me Albin Kurtin, kjo çoi në një atmosferë të helmuar mes tyre. Pas farsës që shoqëroi zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, të cilën Kurti e interpretoi si një pengesë të qëllimshme, nuk mbeti më ndonjë hapësirë për kompromis. Nëse Kurti nuk ia del të angazhohet në dialog me partitë e tjera, pritet një bllokim i mëtejshëm.

DW: Po, mungesa e vullnetit politik të partive në Kosovë solli këtë situatë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por Kosova nuk e kishte një traditë të një mungese të tillë kaq të madhe të kompromisit. Si e shpjegoni këtë polarizim politik të një shkalle të tillë në vend?

Zgjedhjet e Vetëvendosjes në vitin 2021 ishte një votë proteste, pas rënies së koalicionit me LDK-në me ndihmën e SHBA-së. Ndërsa VV ishte detyruar të bënte kompromis në atë koalicion, tani ishte në gjendje të qeveriste praktikisht e pakontestueshme për katër vjet. Fushata zgjedhore që çoi në zgjedhjet e shkurtit dhe muajt e bllokimit helmuan atmosferën në parlament dhe në të gjithë vendin. Mbetet të shpresohet që partitë t'i rikthehen e të kujtojnë përgjegjësinë që kanë ndaj qytetar:ëve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

DW: Albin Kurti është përballur gjithashtu me mjaft kritika edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës - nën një qeveri të mundshme Kurti si mund të sigurohet progres në dialogun me Serbinë, një kusht për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në BE?

Për BE-në, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 mbetet thelbësor, dhe Kosova duhet të tregojë përparim në krijimin e një Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo është në thelb e lidhur me të gjithë progresin e Kosovës në integrimin transatlantik, që nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës deri tek trajtimi i kërkesës për anëtarësim. Për shkak të situatës politike në Serbi, afrimi me BE aktualisht është shumë vështirë, veçanërisht nën Kurtin, por Kosova mund të bëjë përparim të konsiderueshëm si në nivel vendas ashtu edhe në politikën e jashtme me zbatimin e Asociacionit.

DW: Deri tani, Asociacioni duket i largët. A mund të quhet ai arsye kryesore pse Kosova aktualisht ka ngecur në integrimin drejt BE? Deri tani BE kishte edhe sanksione në fuqi. SHBA pezulloi dialogun strategjik.

Masat dhe bllokadat drejtohen kundër Kurtit dhe politikave të tij të njëanshme, veçanërisht mungesës së konsultimeve dhe përshkallëzimeve në komunat veriore. Në vend që të denoncojë trajtimin e pabarabartë krahasuar me Serbinë, qeveria duhet të kuptojë se është në pozicion defensiv dhe se nuk ka konsensus brenda BE-së. Masat janë ligjërisht në një zonë gri, kërkohet unanimitet për shfuqizimin e tyre, por shumë vende duan të shohin që Kosova të bëjë lëshime e para. Mund të supozohet se partnerët ndërkombëtarë do të ishin më të hapur ndaj një qeverie nën dikë tjetër përveç Kurtit.

DW: Por Kosova ka frikë se Asociacioni do të rrezikojë funksionalitetin e shtetit më të ri të Evropës. Sa real është ky rrezik, duke pasur parasysh se komunat serbe duan të arrijnë një lloj vetëqeverisjeje brenda Kosovës përmes Asociacionit?

Nuk e shoh më këtë rrezik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe propozimeve aktuale sipas Marrëveshjes së Ohrit. Përkundrazi, besoj se Asociacioni i Komunave është një parakusht për integrimin e serbëve të Kosovës dhe demokratizimin e mëtejshëm, veçanërisht nëse edhe komunat jugore janë pjesë e tij, dhe ky integrim më i thellë mund të parandalojë gjithashtu propozime të reja për ndryshime territoriale (shkëmbim territoresh). Asociacioni i Komunave - i mbrojtur nga kushtetuta dhe e drejta e vetëmenaxhimit e sanksionuar në të - do të administronte vetë fusha të tilla si arsimi dhe planifikimi urban, por nuk mund të bllokojë vendimet kombëtare, siç është rasti, për shembull, në Republikën Srpska. Ideja e Vetëvendosjes për të detyruar integrimin përmes reciprocitetit, nga ana tjetër, ka dështuar.

DW: Ndërkohë Serbia dhe Kosova akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit të arritura për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë mund të bëjë BE-ja për të siguruar që një marrëveshje, pasi të nënshkruhet edhe të zbatohet vërtet?

BE-ja në fakt ka shumë leva për të sjellë progres në zbatimin e marrëveshjeve, por mungojnë vullneti politik dhe, mbi të gjitha, uniteti. Prandaj, shoh më shumë potencial veprimi në një koalicion shtetesh që marrin drejtimin këtu dhe ofrojnë stimuj pozitivë dhe negativë. Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale në Serbi, kjo strategji do të vinte vite me vonesë, nuk shoh që Serbia do të zbatojë marrëveshjet në vitet e ardhshme.

DW: Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë, i vetmi shtet ballkanik pa statusin kandidat për anëtarësim në BE. A ka qenë BE shumë e ashpër me Kosovën, apo arsyet duhen kërkuar brenda politikave të qeverisë aktuale?

Kjo është komplekse, por thënë përmbledhtazi, ka një të vërtetë tek të dyja. Për mua, pika e kthesës ishte viti 2018, kur shtetet anëtare të BE-së refuzuan liberalizimin e vizave për arsye politike të brendshme. Perceptimi në Kosovë ishte se ishin bërë kaq shumë kompromise pa rezultate konkrete, dhe VV e shfrytëzoi këtë atmosferë të krijuar. Nga ana tjetër, veprimet e njëanshme të Kurtit dhe bllokimi i muajve të fundit kanë luajtur një rol të madh në atë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës ndihen të ofenduar, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar dëme të konsiderueshme.

Ekspertja për Ballkanin, Frauke Seebass aktualisht është studiuese e ftuar në Zyrën e Brukselit në Fondacionin e njohur gjerman "Shkenca dhe Politika", fokusi i punës së saj është Ballkani dhe zgjerimi i BE-së, studimet për paqen dhe konfliktet.

​Zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndalohet votimi familjar

25 December 2025 at 14:56


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se votimi familjar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit është i ndaluar, raporton KosovaPress.

Në një njoftim bëhet e ditur se votimi familjar ndalohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se Kodi Penal e cilëson votimin familjar si vepër penale.

Vota është personale dhe e fshehtë. Respekto ligjin, respekto demokracinë, njofton KQZ-ja përmes një postimi në Facebook. /Telegrafi/


​Guerot: Na duhet një qeveri me kompetenca të plota në Kosovë

25 December 2025 at 14:52


Na duhet një qeveri me kompetenca të plota, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai deklaron për KosovaPress se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë, për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës. Diplomati francez mirëpret largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa është më i rezervuar në pyetjet se a do të hiqen të njëjtat në tërësi në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, thekson ai.

Kosova nuk arriti të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara të 9 shkurtit.

Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, diplomati francez thotë se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

“Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, thekson ai.

Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guérot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit.

“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është ngadalësuar nga masat, për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza, i cili do të mbulonte Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Ky është një projekt i përbashkët me Gjermaninë, në fakt. Pra, po pres me padurim që të përshpejtojmë këtë projekt, për të cilin nuk jemi ndalur së punuari kurrë në nivelin teknik. Është vetëm një nga projektet që kemi. Kemi projekte të zhvillimit me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, sidomos për të ndihmuar Kosovën me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe gjithashtu për ta ndihmuar atë në tranzicionin drejt një energjie më të pastër. Në Prishtinë këtu po shohim mjegullën, që është bërë si shkak i një energjie të papastër dhe agjencia po punon”, shton ai.

Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez thotë për KosovaPress se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

“Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, thotë ai.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri. /KP/

​Aksident i rëndë në rrugën e Arbrit

25 December 2025 at 14:50


Një person ka pësuar lëndime serioze si pasojë e një aksidenti në rrugën e Arbrit në vendin e quajtur “Ura e Vocit”.

Në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, raporton Topchannel.

Aksidenti është pikasur nga drejtuesit e mjeteve të tjera të cilët udhëtojnë në këtë aks rrugor ku dhe kanë njoftuar policinë dhe ambulancën.

Policia dhe ambulanca kanë dalë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur dërgimin e të plagosurit në spital. /KP/

Si zhvillohet procesi zgjedhor më 28 dhjetor në Kosovë, nga votimi te certifikimi i rezultateve

25 December 2025 at 14:02


Kosova do të mbajë Zgjedhjet Parlamentare më 28 dhjetor, me një proces të rregulluar në disa faza të qarta ligjore, nga hapja e vendvotimeve deri te certifikimi final i rezultateve.

Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi i Kosovës u shpërbë si rrjedhojë e moskrijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Presidentja Vjosa Osmani vendosi datën pas dështimit të negociatave për qeveri, një lëvizje që pasoi muaj bllokadë politike në institucionet e vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me të dhëna zyrtare për procesin zgjedhor.

2,076,290 persona me të drejtë vote janë regjistruar për votim. Brenda vendit votimi do të organizohet në 948 qendra votimi me 2,614 vendvotime.

Jashtë Kosovës, votimi fizik është parashikuar në 16 ambasada dhe 13 konsullata. Mbi 76,000 aplikime janë miratuar tashmë për votim nga diaspora (përfshirë edhe votim me postë).


Për këto zgjedhje janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, duke përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Komisioni gjithashtu ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar procesin.

Institucionet përgjegjëse kanë paraparë mekanizma mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor.

Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit me hapjen e vendvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët me të drejtë vote identifikohen përmes dokumenteve zyrtare dhe votojnë në mënyrë të fshehtë.

Mënyrat për të plotësuar formularin për votim janë këto: Sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, në anën e majtë, shënjoni vetëm një subjekt politik, në anën e djathtë, shënjoni deri në dhjetë kandidatë të atij subjekti politik dhe paloseni fletëvotimin dhe vendoseni në kutinë e votimit.

Pas mbylljes së vendvotimeve, fillon numërimi i votave në vendvotim. Fillimisht numërohen votat për subjektet politike, pastaj ato për kandidatë për deputetë, ndërsa rezultatet regjistrohen në formularë zyrtarë dhe dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe nga përfaqësues të subjekteve politike.

Rezultatet e para të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konsiderohen preliminare.

Ato pasohen nga faza e ankesave dhe verifikimeve, përfshirë rinumërime eventuale dhe shqyrtimin e votave me kusht, votave nga diaspora dhe atyre me postë. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, KQZ shpall rezultatet përfundimtare.

Certifikimi final i rezultateve shënon përmbylljen e procesit zgjedhor dhe hap rrugën për formimin e institucioneve të reja.

Sipas afateve ligjore, ky hap realizohet vetëm pasi të jenë trajtuar të gjitha ankesat dhe të jenë verifikuar të dhënat zgjedhore.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit konsiderohen test për funksionimin institucional dhe besimin publik në procesin demokratik, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë deklaruar se janë të përgatitura për mbarëvajtje të rregullt dhe transparente të procesit. /Telegrafi/

Kurti takon veteranët e arsimit dhe veprimtarët e Gjakovës

25 December 2025 at 13:40


Pas tubimit mjaft mikpritës në Gjakovë, kandidati për kryeministër Albin Kurti, në një darkë të këndshme, bashkëbisedoi edhe me veteranët e arsimit si dhe veprimtarët gjakovarë.

Mentor Kaçi, Malush Tullumk, Blerim Zajmi, Ruzhdi Sefa dhe Feim Komoni ishin disa nga veteranët prezentë në këtë darkë.

Ndërsa Kurti ishte i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga komuna e Gjakovës. /Telegrafi/

Union sh.p.k. siguron konsumatorët për cilësinë dhe sigurinë e Aptamil AR1

25 December 2025 at 13:39


Distributori Union sh.p.k. ka lëshuar një komunikatë për shtyp duke e informuar opinionin publik lidhur me sigurinë dhe cilësinë e formulës për fëmijë Aptamil AR 1, i cili është në treg me datën e skadencës 17.05.2026 dhe lotin 111444865.

Në reagim ndaj shqetësimeve të mundshme për cilësinë e produktit, kompania ka siguruar se Aptamil AR 1 është një produkt i sigurt dhe i kontrolluar.

"Të gjitha formulat për fëmijë të markës Aptamil prodhohen duke respektuar standardet e larta të sigurisë dhe cilësisë, dhe se janë në përputhje me rregullat më të ashpra evropiane për sigurinë e ushqimit", thuhet në njoftim.

Pas shqetësimit të ngritur nga autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës dhe Kroaci lidhur me një seri të caktuar të produktit Aptamil AR 1, kompania ka realizuar analiza të thelluara dhe ka konfirmuar se produktet janë të sigurta për konsum.

Autoritetet e inspektoratit të ushqimit dhe agjencitë përkatëse kanë dhënë gjithashtu miratimin për vazhdimin e shpërndarjes së produktit në treg.

Union sh.p.k. i bën thirrje mediave dhe konsumatorëve të sigurohen që çdo informacion të vijë vetëm nga burime të verifikuara, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve.

Për më shumë informacion, konsumatorët mund të kontaktojnë Union sh.p.k. përmes kanaleve të tyre të komunikimit të verifikuara. /Telegrafi/


Reshjet e borës, Durmishi thotë se të gjithë operatorët janë aktivizuar për mirëmbajtjen e rrugëve

25 December 2025 at 13:21


Me fillimin e reshjeve të borës, operatorët e mirëmbajtjes rrugore janë aktivizuar për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Me fillimin e reshjeve të borës, janë aktivizuar operatorët e mirëmbajtjes për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve dhe janë vënë në gjendje gatishmërie,” ka deklaruar Durmishi.

Ai ka theksuar se institucionet janë të përgatitura për sezonin dimëror dhe se synimi është që qarkullimi të mos pengohet nga kushtet atmosferike.

“Siç kemi theksuar, jemi të përgatitur që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme gjatë sezonit dimëror,” ka shtuar ai.

Megjithatë, ushtruesi i detyrës së ministrit ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, për shkak të kushteve të vështira në rrugë.

“Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet i domosdoshëm,” ka përfunduar Durmishi./Telegrafi/

AUV: Aptamil AR1 i sigurt për konsum, lejohet sërish në treg

25 December 2025 at 13:11


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se produkti i qumështit për fëmijë Aptamil AR1 është vlerësuar i sigurt për konsum dhe sërish lejohet të shitet në treg.

Ky njoftim vjen pas një ndalimi të përkohshëm të produktit me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë.

Ndalimi ishte masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.

"Pas ritestimeve të kryera nga autoritetet kompetente të Holandës, analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, duke konfirmuar se Aptamil AR1 është i sigurt për konsum", thuhet në njoftim.

AUV thekson se do të vazhdojë të monitorojë situatën me kujdes dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin dhe prodhimin e produkteve ushqimore, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane. /Telegrafi/

Malisheva përballet me mungesë të energjisë, Kastrati kërkon veprime urgjente

25 December 2025 at 12:39


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në territorin e komunës.

Sipas tij, këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët dhe bizneset lokale.

Në një reagim zyrtar, Kastrati thekson se situata është veçanërisht e vështirë në këtë periudhë, kur temperaturat janë të ulëta, është afër festave të fundvitit dhe prezente është edhe diaspora.

Ai paralajmëron se ndërprerjet po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme, funksionimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve komunale, si dhe po krijojnë pasoja ekonomike për bizneset.

Kryetari i Komunës ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për trajtimin e situatës energjetike dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Malishevës. Ai ka kërkuar gjithashtu nga KEDS dhe KESCO sqarime për arsyet e ndërprerjeve dhe ndërhyrje urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë.

“Qytetarët e Malishevës meritojnë trajtim të barabartë, ashtu si çdo komunë tjetër e vendit. Furnizimi me energji elektrike është një shërbim bazik dhe e drejtë themelore që duhet të garantohet pa përjashtime,” ka deklaruar Kastrati.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të menjëhershme dhe afatgjata për këtë problem. /Telegrafi/

Babagjyshi “zbret” nga ajri, surprizon fëmijët në Himarë

25 December 2025 at 12:28


Himara zgjedh një mënyrë ndryshe për të surprizuar fëmijët.

Këtë vit, Babagjyshi ka mbërritur në qytet nga ajri, ndërsa u prit nga fëmijët buzë detit, të cilët morën dhuratat e festave.

Një zgjedhje ndryshe këtë vit teksa një vit më parë Babagjyshi mbërrinte nga deti/abc/

- YouTube www.youtube.com

Specialja nuk e lejoi ta vizitonte, vdes babai i Salih Mustafës

25 December 2025 at 12:04


Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafes, ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka konfirmuar Hysni Gucati, kryetari i OVL e UÇK-së, i cili shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të ndjerit.

Gucati në një postim në rrjetet sociale shkruan se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se djali i të ndjerit, Salih Mustafa, nuk ka mundur ta vizitojë babanë në momentet e fundit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.

"Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!", ka shkruar Gucati.

Ndërkaq në një reagim OVL UÇK ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.

"Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale", thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së shton se mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.

"Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja", thuhet në reagim.

I ndjeri ishte tash e një kohë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa djalit të tij, ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili gjendet në burg në Gjykatën Speciale, nuk iu lejua vizita ditë më parë. /Telegrafi/

Faturat e rrymës në Kosovë rriten mbi 70%, KMDLNj paralajmëron abuzim ekonomik

25 December 2025 at 11:56


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarë e Kosovës, të cilët raportojnë se faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak.

Në reagimin e KLMDLNj-se thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh faktin se temperaturat mes dy muajve nuk kanë shënuar dallime të ndjeshme, çka përjashton nevojën për rritje të konsumit të energjisë elektrike.

“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

Po ashtu sipas KMDLNj, ZRRE, që nga themelimi i saj, ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin.

“Këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor, i cili ka konstatuar se ZRRE ka diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, pa pasuar asnjëherë kompensim për dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve shqiptarë dhe joserbë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas KLMMbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRrE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për këtë situatë, duke u identifikuar si pjesëmarrëse në varfërimin e skajshëm të qytetarëve.

KMDLNj shpreh po ashtu shqetësim të thellë për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshimet e bazuara për korrupsion që përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren kujdestare Artane Rizvanolli.

“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë. Po ashtu, licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, përfshirë persona të afërt me Kryeministrin kujdestar, nxit dyshime serioze për një korrupsion institucional të mirëplanifikuar, i cili synon përfitime të kundërligjshme në dëm të qytetarit dhe të shtetit. Veçanërisht alarmante është dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë elektrike një personi me emrin Vuk Hamović, shtetas i Serbisë, i biri i ish-kreut të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, çka përbën rrezik serioz jo vetëm ekonomik, por edhe të sigurisë kombëtare të Kosovës”, thuhet në reagim.

Po ashtu KMDLNj i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës që të: hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj; Hetojë dhënien e licencës monopolizuese Vuk Hamoviçit; Hetojë dhënien e licencave për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike; Hetojë vendosjet politike në pozita kyçe dhe largimet nga puna për shkaqe politike si dhe të hetojë të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

Sipas KMDLNj, ZRRE ka paralajmëruar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të çmimit të rrymës që nënkupton përkeqësim edhe më të madh të gjendjes ekonomike për pjesën dërrmuese të familjeve kosovare. Sipas reagimit, rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve andaj qytetarët duhet ya kundërshtojnë pavarësisht se cila qeveri ka pushtetin. /Telegrafi/

Kurti uron besimtarët e krishterë: Krishtlindja është kremtim dhe besim

25 December 2025 at 11:03


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar urimet e tij për Krishtlindjet, duke theksuar rëndësinë e festës si një kohë reflektimi dhe mirënjohjeje.

Në një postim, Kurti ka shkruar se Krishtlindja është kremtim dhe reflektim.

"Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë", ka shkuar Kurti.

Kreu i Qeverisë në detyrë ka theksuar se në këtë ditë të shënuar besimtarët e krishterë paçin begati .

"Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti.

Ky mesazh nënvizon vlerat e solidaritetit, respektit dhe dashurisë në këtë periudhë festive. /Telegrafi/

“Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

25 December 2025 at 10:49


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.

"Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!", thuhet në urim.

Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

Rama shpërndan foton e Pjetër Bogdanit nga “Çeta e Profetëve”: Ju uroj gëzuar Krishtlindjen

25 December 2025 at 09:56


Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë mëngjes qytetarët shqiptarë me një urim të veçantë për Krishtlindje.

Në postimin e bërë në rrjetet sociale, ai shoqëroi urimin me një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, ‘Çeta e Profetëve’, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama, duke ndërthurur mesazhin festiv me vlerën e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ky urim vjen në kuadër të festave të fundvitit, ku Kryeministri ka shpeshherë traditë të ndajë mesazhe reflektuese dhe artistike me qytetarët./euronews/

Lista Serbe gjobitet me 30 mijë euro nga PZAP

25 December 2025 at 09:52


Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, kundër subjektit politik Lista Serbe, me seli në veri të Mitrovicës.

Kjo ankesë lidhej me shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në vendimin e datës 24 dhjetor 2025, PZAP pranoi ankesën e subjektit Kosovski Savez dhe konstatoi se subjekti Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe detyrimet e tyre ndaj kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.

Për këtë arsye, Lista Serbe është gjobitur me 30,000 euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.

Ky vendim vjen pas një ankese të dorëzuar më 23 dhjetor 2025, ku subjekti Kosovski Savez pretendonte se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, duke shkelur rregullat e fushatës zgjedhore.

Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa thekson rëndësinë e respektimit të Kodit të Mirësjelljes për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. /Telegrafi/

Arrestohet një person në Fushë Kosovë, i konfiskohen mbi 500 gram substanca narkotike

25 December 2025 at 09:25


Një person është arrestuar të martën pasdite në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në trup dhe në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar 534.6 gram substanca të dyshuara narkotike, të paketuara në qese plastike.

Po ashtu, nga i dyshuari është konfiskuar edhe një telefon celular.

I dyshuari është intervistuar në prani të organeve kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

❌
❌