Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe Menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve të këtij takimi ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës në regjionin e komunës së Prizrenit.
Kryeprokurori i Prizrenit, informoi se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e komunës së Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme. /Telegrafi/
Sot në Davos është themeluar Bordi i Paqes, i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërkaq edhe Kosova është bërë pjesë e kësaj nisme.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ishte e pranishme në Davos ku së bashku me liderë tjerë mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e këtij Bordi.
E lidhur me këtë, ka reaguar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili në një postim në Facebook shkruan se LDK e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor.
Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj.
Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta.
Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos, për shkak se kishte zgjedhur të mikpriste në Shqipëri vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.
“Ishte përpara një zgjedhjeje, t’i përgjigjesha ftesës së babait, apo të mikprisja vajzën. Dhe unë zgjodha vajzën”, u tha Trump deputetëve të opozitës, raporton A2cnn.
Ndryshe, sot në Davos presidenti amerikan Donald Trump dhe liderë tjerë nënshkruan themelimin e Bordit të Paqes.
Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari nga forcat serbe, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Lexoni të plotë postimin:
Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari
Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari.
Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.
Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit.
Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së.
Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, – ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin Ferzidin Boza, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.
Në njoftim tutje thuhet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare”, thuhet në njoftim.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore.
Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 22.01.2026, ka lëshuar urdhër për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.
Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake. /Telegrafi/.
Presidenti amerikan, Donald Trump në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, ku është ftuar edhe Kosova ka mbajtur një fjalim rasti.
Trump para të pranishmëve, ku është edhe presidentja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se bota tani është më e sigurt dhe më në paqe se që ishte para një viti.
“Si president, unë i kam ndaluar tetë luftëra në nëntë muaj, përfshirë Kamboxhia dhe Tajlandë, ku disa nga liderët janë këtu, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, Pakistanit e Indisë, Izraelit dhe Iranit, etj...”, tha ai.
Më poshtë mund ta shihni ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ndodhet në Davos me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.
Osmani në një postim në Facebook ka publikuar pamje nga Davos.
“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, shkruan Osmani.
Ndryshe, një ditë më parë e para e shtetit ka publikuar edhe letrën e presidentit Donald Trump, përmes së cilës është ftuar Kosova që të jetë pjesë e Bordit të Paqes, si anëtare themeluese.
Por, çka është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.
Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.
Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën “17 Shkurti”, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme.
Në njoftim thuhet se Sllamniku në lokalin “Consulence” ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence”, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen.
Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, thuhet në njoftim.
Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave” nga neni 257 paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në fshatin Llozno të Leposaviqit ka gjetur armëmbajtje pa leje, si fishekë, çanta ushtarake, uniformë me simbole të Serbisë.
Policia njofton se rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 18:00.
“Fsh. Llozno, Leposaviq / 21.01.2026-18:00. Policia gjatë patrullimit në rrugë ka hasur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë. Gjatë kontrollit në tri shtëpi-pa banorë, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 80 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një rrethatore, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë, një maskë ushtarake, dy baza me barot për mbushje, një qese me sfera metalike, dy gota barot për mbushje të fishekëve, 140 kapsula për fishekë, tri vegla pune dhe disa gëzhoja të fishekëve”, thuhet në raport.
Policia bën të ditur se rasti nën hetime. /Telegrafi/
Vendi ditët e fundit është përballur me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa lidhur me këtë sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media.
Ditë më parë lidhur me reduktimet e rrymës në Përballje Podcast ka falur Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ymeri theksoi se reduktimet e fundit, të cilat kanë prekur edhe Prishtinën, tregojnë se situata është shumë më e rëndë sesa po paraqitet zyrtarisht.
“Kur reduktimet e energjisë e prekin edhe Prishtinën, që zakonisht është zonë e privilegjuar për shkak të institucioneve dhe QKUK-së, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me pjesët tjera të vendit”, tha ajo.
Ajo po ashtu ka ngritur dyshime të drejtpërdrejta për përfitime tregtare nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur kompani konkrete dhe shifra financiare.
Ymeri tha se importuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë është kompania NOA.
“Kush po përfiton? NOA sepse është importuesi më i madh i energjisë elektrike.... ", deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.
Duke folur për reduktimet e rrymës, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.
“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.
Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike. /Telegrafi/
Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).
SHMU njofton se përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët, ndërkaq këto reshje në periudha tepër afatshkurtra në formën e shtrëngatave.
Po ashtu do të ketë mjegull të dendur/mjegullinë në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut.
Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovës do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu, ndërkaq në viset e larta parashihen fjolla bore.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1°C, ndërkaq ato maksimale nga temperaturat maksimale 3 deri 5°C
Dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan, Donald Trump ndodhen këtë të mërkurë në Vlorë.
Euronews Albania ka siguruar pamje ku duket Ivanka Trump në Vlorë.
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur të shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Ata kanë zhvilluar për rreth 1 orë një takim me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit.
Po ashtu, Euronews Albania ka publikuar pamje gjatë momentit të mbërritjes së saj në Zvërnec.
Vizita e Ivanka Tramp dhe Jared Kushner bashkëshortit të saj zhvillohet në kuadër të zhvillimit të projektit.
Mësohet se dy investitorët kanë pasur takimet me studiot arkitekturore. /euronews.al/
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me siç thonë veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
IKD thekson se më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti.
Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetëzimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet në reagim.
IKD thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.
“Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK.
Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: ‘1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm’, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur.
Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: ‘1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj’”, thuhet në reagim.
IKD më tej thekson se sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë anëtarësh për mbajtjen e takimit.
Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre.
“Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar.
IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, thuhet në reagim.
IKD i bën thirrje Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, duke e konstatuar pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç u votua në takimin e djeshëm.
Instituti i Kosovës për Drejtësi më tej thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror takoi Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka thënë se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.
“Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje. /Telegrafi/
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit dhe themeluesit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj.
AGK thekson se një koment kërcënues në Facebook ndaj tij, mes tjerash, thotë ‘ okfira me ti shpraz nlul tballit frik e kie’.
“AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të ndërmarrin masa urgjente për identifikimin dhe lokalizimin e personit në fjalë dhe ta mbajë përgjegjës për veprën penale të kanosjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni tutje thekson se ky kërcënim kaq serioz vë në rrezik sigurinë fizike të Mehmetajt dhe redaksisë që ai udhëheq, prandaj AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për ftesën që mori nga presidenti amerikan, Donald Trump që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Rama në një postim në platformën X shkruan se ftesa e presidentit Trump është tejet domethënës dhe forcon raportet me SHBA-të.
Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.
Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht. /Telegrafi/
Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e… — Edi Rama (@ediramaal) January 21, 2026
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur.
Rasti ka ndodhur në fshatin Gaçkë të Ferizajt, të martën në ora 22:55.
“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur. Dy nga të dyshuarit kanë marr lëndime trupore nga mjeti i mprehtë (thikë) dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të mitur janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Nën masa të rrepta sigurie, dhëndri i Donald Trump sapo ka mbërritur në Vlorë. Jared Kushner ka mbërritur i shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Mësohet se Kushner është i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.
Aty do të zhvilloj një takim për të diskutuar më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit. Sipas informacioneve do të zhvillohet një takim nëpërmjet Jared Kushner me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit, raporton euronews.al.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/