Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 January 2026Main stream

Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes

22 January 2026 at 22:48

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani u shpreh mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të Bordit të Paqes në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën se SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjë kontribut financiar Kosovës ai anëtare.

Osmani tha në një intervistë në Top Channel se dita e sotme i jep mundësi vendit të saj të forcohet në arenën ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar, dhe në momentin që e morëm ftesën për anëtarësim si anëtare themeluese për Bordin e Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Pas ftesës nga Trump për të qenë në mesin e nënshkruesve që udhëhiqet nga SHBA, udhëtuam për në Davos, por do të kthehemi pas mesnate. Është një ditë me peshë historike, për ne si shtet anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi, për ne si shtet kjo i jep një peshë më të madhe historike fuqizimit të peshës sonë ndërkombëtare. Kjo na jep një mundësi që të jemi të barabartë mes kombeve të lira, mos të bllokohet potenciali i Kosovës”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi se edhe në Kartën e Bordit të Paqes, por edhe në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë, nuk është kërkuar kontribut financiar.
“Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne më shumë kemi diskutuar për të dhënë kontributin tonë. Kosova është një shembull i shkëlqyer i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Për shkak se kemi qenë shtet i dalë nga lufta dhe institucionet i kemi ndërtuar nga 0, ne mund të japim një kontribut të madh, do të jetë kontribut i rëndësishëm”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi gjithashtu se është shumë e lumtur që Kosova do të jetë së bashku me Shqipërinë krah SHBA-së, një moment i cili ka një rëndësi edhe për faktorizimin e kombit shqiptar brenda një organizate të tillë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar, që do të qëndrojmë bashkë krah SHBA-së, ne mund të bashkëpunojmë dhe ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptar brenda një organizate të tillë”, tha Osmani.

E pyetur në intervistë, Osmani tha se kryeministri Rama ishte një ndër të parët të ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, por nuk e di arsyen e saktë se pse Rama nuk ishte i pranishëm në ceremoninë në Davos.

“Unë e di që kryeministri Rama ka qenë i ftuar sepse ka qenë një ndër të ftuarit e parë si shtet themelues. Dua ta falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kësaj periudhe”, tha Presidentja e Kosovës.

The post Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 20:54

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë njëherësh janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviqin.

Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, në të cilin marrëveshja u formalizua.

Ky komisioni i përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2023.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Për çështjen e themelimit të komisionit për personat e zhdukur, palët kishin diskutuar edhe gjatë një rundi bisedimesh më 11 shtator të vitit 2025. Megjithatë, ai rund bisedimesh kishte përfunduar pa asnjë rezultat.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar.

Takimi i 22 janarit ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.

Ai tha se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të. Beogradi nuk ka pranuar t’ia dorëzojë Kosovës atë, dhe thuhet se ai endet i lirë në Serbi.

Edhe Serbia ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviq pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd.

Kryenegociatori serb tha se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë. /rel/

The post Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona

22 January 2026 at 17:21

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Policia e Kosovës tha se ka konfirmuar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kur u arrestuan edhe tre të dyshuar.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore”, u tha në njoftim.

Sipas njoftimit, në orën 23:00 të së mërkurës, afër pikëkalimit kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion.

Gjatë kontrollit të mjetet, autoritetet thanë s gjetën 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 76 kilogramë e 800 gramësh.

Autoritetet thanë se hetimet për këtë rast, të koduar “Bregdeti”, kanë nisur disa muaj më parë, duke shtuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e H.S. janë gjetur edhe armë zjarri, fishekë, e para të gatshme.

Ndërkaq, sot ka vazhduar ky operacion, ku janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë në Godishnjak të Podujevës, ku u gjetën edhe katër paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë prej 4 kilogramësh e 454 gramësh.

Policia tha se në bastisjes e së enjtes u gjet edhe një armë zjarri me gaz.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione kundër kultivimit apo shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, duke sekuestruar sasi droge e duke arrestuar të dyshuar.

Shtatorin e vitit të kaluar u arrestuan shtatë persona që dyshoheshin për disa vepra penale, sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave.

Për këtë operacion, autoritetet kishin bashkëpunuar me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in. /rel/

The post Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës

22 January 2026 at 16:34

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Ushtarët nga Batalioni RC-E Maneuver, që veprojnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, zhvilluan një ecje të komandës së incidentit, e cila shërbeu për provimin e procedurave dhe metodave të koordinuara për të siguruar gatishmëri të lartë operacionale dhe reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë.

Sipas KFOR-IT, ky aktivitet stërvitor synon të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke rritur kapacitetin për të menaxhuar incidente dhe situata emergjente.

Stërvitjet e tilla mbështesin misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas në çdo rast që lidhet me sigurinë publike. /Kosovapress/

The post Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes

22 January 2026 at 10:49

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kuvendi miratoi sot me 80 vota pro dhe 22 vota kundër kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Peleshi theksoi se, përpara se të nisë shqyrtimi dhe votimi i projektligjit, është e domosdoshme mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e tij.

Ai bëri të ditur se Komisioni do të ketë në dispozicion 1 orë e 20 minuta për shqyrtimin e projektligjit dhe se në orën 12:00 seanca plenare do të rifillojë për diskutimin dhe miratimin e tij.

Gjatë punimeve në Kuvend, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partë Socialiste, Taulant Balla, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj nisme.

Balla deklaroi në fjalën e tij në Kuvend se sot Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen,” u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare”, tha Balla ndër të tjera.

Nga krahu opozitës fjalën e mori Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se, “ne jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë autorizim Presidentit të Republikës, në përputhje me nenin 84 të Kushtetutës, që të japë miratimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji. Kështu zgjidhim ngërçin kushtetues, respektojmë Kushtetutën dhe arrijmë qëllimin të paktën pesë herë më shpejt nga sa propozoni ju”, tha Bardhi.

Kuvendi një ditë më parë sqaroi se, duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim, marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare,
me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit,
rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes
së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes
do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe
përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha
shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Seanca Plenare për Bordin e Paqes
1 nga 3
Seanca plenare për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes - Foto: Florian Abazaj
Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS - Foto: Andrin Hoxha

/r.e/a.f/

The post Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ratifikimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes, Kuvendi mblidhet nesër në seancë plenare

21 January 2026 at 21:57

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kuvendi mblidhet nesër paradite në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thirri seancën plenare për marrëveshjen e cila kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, me shprehjen e komisionit përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare,
me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit,
rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes
së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes
do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe
përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha
shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Kuvendi publikoi dhe përmbajtjen e marrëveshjes për ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes ku thuhet se Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të nxisë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, dhe të garantojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Neni 2 cakton se anëtarësia në Bordin e Paqes është i kufizuar vetëm për Shtetet e ftuara nga Kryetari për të marrë pjesë, dhe fillon me njoftimin se Shteti ka pranuar të jetë i lidhur ligjërisht nga kjo Kartë, në përputhje me Kapitullin XI.

Secili Shtet Anëtar do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Kryetari i Shtetit ose Qeveria me një mandat jo më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj
Karte, në bazë të rinovimit nga Kryetari.

Mandati trevjeçar i anëtarësisë nuk do të aplikohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 USD në fonde me para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Kartës.

202601212027088015FINAL CERT-KARTA E BORDIT TË PAQËS.pdf

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Nga ana tjetër Partia Demokratike u shpreh se deri pasdite nuk kishte marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.

Duke cituar rregulloren e Kuvendit se mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar  grupi parlamentar i PD-së u shpreh se transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit  që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja. /j.p/

The post Ratifikimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes, Kuvendi mblidhet nesër në seancë plenare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bislimi: Rezoluta amerikane për Luginën e Preshevës, fitore për shqiptarët

21 January 2026 at 20:29

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi njoftoi se sot nga Capitol Hill në Washington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës. Ai tha se kjo jo si thirrje e vetmuar, por si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua (marked up) rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Me përkrahjen dypartiake të kryetarit Brian Mast dhe kënkryetarit Gregory Meeks, kjo rezolutë tashmë ka bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi”, shkruan Bislimi.

Sipas tij, kjo është histori;  Histori e shkruar me durim, këmbëngulje dhe besim – që nga viti 2001 nën lidershipin e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi (Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane), e deri te puna e pandalshme e bashkëkombësve tanë në Texas, nën udhëheqjen e Albanians For America. Një betejë e gjatë, e drejtë, dhe sot fitimtare.

“Tani, SHBA do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginë. Sot është ditë e bardhë për shqiptarët dhe një sinjal i qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund”, shkruan ai.

Ai më tej ka thënë se në përvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka nderim më të madh se sa ta shndërrojmë vizionin e tij në veprim konkret.

“Rugova nuk ishte fjalë. Ishte rrugë. Ishte orientim. Ishte besim në aleancën me Amerikën dhe në forcën morale të kauzës sonë. Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra”, shkruan ai.

Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ogur i mirë për gjithë kombin shqiptar. Tani, është koha që kjo liri të shtrihet edhe te vëllezërit e motrat tona në Luginën e Preshevës.

Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. /KosovaPress/

 

The post Bislimi: Rezoluta amerikane për Luginën e Preshevës, fitore për shqiptarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kongresisti Self ngre çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë

21 January 2026 at 20:00

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Gjatë procedurave zyrtare në Kongresin Amerikan, anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve trajtojnë shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Serbinë jugore – çështje që shumë shpesh kanë mbetur jashtë shqyrtimit ndërkombëtar”, thuhet krahas pamjeve nga Kongresi.

Për këtë ka reaguar, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin amerikan Keith Self.

Ai tha se si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 

“Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i ??SHBA”, shkruan ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Faleminderit të gjithë atyre që nuk u ndalën kurrë. Zëri ynë u dëgjua. Puna jonë dhe ndihma e Qeverisë së RKS për Luginë po shihet”, shkruan ai. /Kosovapress/

The post Kongresisti Self ngre çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës

21 January 2026 at 18:22

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përkujtoi sot 20-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Duke vlerësuar në një shkrim në rrjetet sociale rolin e Rugovës në shtetndërtimin, demokratizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Kurti u shpreh se ish-Presidenti ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Në reagimin e tij përkujtimor, Kurti shkruan se periudha e pluralizmit politik dhe e rezistencës paqësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rugovës, i cili udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006. Sipas Kurtit, kontributi i Rugovës ishte i ndërtuar bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh dhe veprimtarësh që në vitet ’90 mbajtën gjallë institucionet dhe shpresën për liri.

Kurti rikujtoi se Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 1992, në rrethana të rënda të regjimit represiv serb, duke arritur që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të takohet me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton.

“Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton”, shkruan Kurti.

Kurti nuk mori pjesë sot në homazhe dhe akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovë, pasi që ai aktualisht gjendet në Forumin Botëror Ekonomik, në Davos. /Kosovapress/

The post Kurti: Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në formë shtrëngate, dëborë në lartësitë mbi 300 metër

21 January 2026 at 07:30

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se vendi ynë ditën e mërkurë pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Parashikohet reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit. Lokalisht në jug të vendit në intervale të shkurtra kohore, reshjet e  shiut do të jenë në formën e shtrëngatave.

Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten të pranishme herë pas here në pjesën më të madhe të vendit me intensitet kryesisht të ulët, lokalisht në qendër dhe në jug të vendit hera-herës oarashikohen reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Në zonën e Alpeve, relievet malore në verilindje-lindje në lartësitë mbi 300-400 metër si dhe në juglindje-jug në lartësitë mbi 600-800 metër, parashikohet reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht reshje bore me intensitet deri mesatar kryesisht në juglindje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – lindje me shpejtësi mesatare 8m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 18m/s shoqëruar me valëzim në dete i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

 

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

2/7 Re shi

Kukës

-3/0 Re shi/borë

Lezhë

3/9 Re shi

Dibër

-3/2 Re shi/borë

Durrës

4/11 Re shi

Tiranë

5/11 Re shi

Elbasan

2/8 Re shi

Berat

2/11 Re shi

Vlorë

5/11 Re shi

Korçë

-2/0 Re shi/borë

Gjirokastër

-1/8 Re shi/borë

Sarandë

5/11 Re shi

 

The post Reshje shiu në formë shtrëngate, dëborë në lartësitë mbi 300 metër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova dhe Bahamas nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave

20 January 2026 at 21:50

PRISHTINË, 20 janar/ATSH/ Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave për qytetarët e tyre, njoftoi Presidenca e Kosovëse të martën.

“Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, njoftoi Presidenca në rrjetet sociale.

Heqja e vizave për qytetarët e tyre vjen një muaj pasi Bahamet e njohën pavarësinë e Kosovës.

Presidenca tha se heqja e vizave ishte hapi i radhës për të cilin ishin pajtuar në dhjetor presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Bahameve, Philip Davis, kur e nënshkruan marrëveshjen për lidhjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bahamet – vendi ishullor i Oqeanit Atlantik – u bënë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.

Ky vend në Karaibe deri tani ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë para se të udhëtojnë për ta vizituar.

Tani, Bahamet janë vendi i 53-të në botë ku kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm.

Në vitet e fundit vendime të ngjashme për t’ia hequr regjimin e vizave kosovarëve kishin marrë edhe Tajvani e Malajzia. /rel/

The post Kosova dhe Bahamas nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Liria ka emër”, më 17 shkurt protestë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK

20 January 2026 at 21:39

PRISHTINE, 20 janar/ATSH/ Në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestohet më 17 shkurt – përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Siç mëson KosovaPress kjo protestë, e cila pritet të mbahet në Prishtinë, kësaj radhe organizohet nga platforma “Liria ka emër”.

Deri më tani është raportuar, se protesta do të organizohet nga kategoritë e dala nga lufta.

Megjithatë, KosovaPress mëson se OVL-UÇK nuk do të jetë pjesë e bashkë organizimit për shkak se “nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ngjyrimeve partiake”.

Ditën e nesërme është njoftuar se “Liria ka emër” do të mbajë konferencë për media në orën 13:30, ku do të “trajtohen çështje që lidhen me aktivitetet dhe qëndrimet e platformës”.

Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet “Drejtësi per Çlirimtarët”.

Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup. /Kosovapress/

The post “Liria ka emër”, më 17 shkurt protestë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

20 January 2026 at 16:47

PRISHTINË, 20 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurrë më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen. Ai, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, akuzoi edhe partitë opozitare se për shkak të mungesës së bashkëpunimit të tyre, vendi shkoi dy herë në zgjedhje vitin e kaluar. Derisa ka theksuar se populli i Kosovës, sipas tij, refuzon të kthehet “në epokën e korrupsionit”.

Ai tha se kontribuuesi i destabilitetit në rajon përmes Serbisë është Federata Ruse.

“Nga katër fqinj që kemi si Republika e Kosovës, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurrë që jemi shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu, kontribuuesi i saj është Perandoria Ruse, apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por është e pamundur që të mos kesh fqinj”, tha ai.

Krahas kësaj, ai akuzoi opozitën sa i përket zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre i solli zgjedhjet e reja dhe rezultatin e mirë për të, ku mori mbi 51 për qind të votave.

“Së pari, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne fituam në shkurt 42.3 për qind, por nuk ishte e mjaftueshme. Provuam gjithçka. Provuam të takoheshim me një apo dy parti politike opozitare. Njëra nga to nuk donte të takoheshim, njëra nga to e dëshironte pozitën e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë. Pastaj, nuk e pranuan emrin tonë të propozuar për kryeparlamentar, megjithëse e zëvendësuam atë emër dhjetëra herë; opozita sërish iu tha ‘jo’ të gjithëve. Pastaj, unë e zëvendësova emrin tim me zëvendësin tim në parti, Glauk Konjufca, i cili ishte kryeparlamentar dhe do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i radhës. Prapë thanë jo. Kështu që, përgjatë vitit 2025, ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim një qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne. Kështu që, mendoj se nëse do të doja zgjedhje të reja, njerëzit do të më ndëshkonin mua. Unë nuk doja zgjedhje të reja, por nëse zgjedhjet e reja ishin aty, më mirë të isha gati. Kështu që kishte pasoja nga mosbashkëpunimi i opozitës, jo nga një entuziazëm i imi për zgjedhje të reja”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik, andaj sipas tij, populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të ardhmen në atë gjendje.

Ai theksoi se askush brenda kabinetit qeveritar të tij s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit.

“Ne e kemi trashëguar një situatë kur korrupsioni ka qenë endemik. Ka rezistencë dhe qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit; që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin. Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit, prandaj duhet të udhëheqim me shembuj”, përfundoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar 51.11 për qind të votave. /KosovaPress/

The post Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E martë 20 janar, kthjellime e vranësira kalimtare

20 January 2026 at 07:30

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë pritet të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e vranësira kalimtare ndërsa prej orëve të mesditës shtim vranësirash mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të vendit. Në orët e vona të mbrëmjes reshjet e shiut parashikohet të nisin fillimisht në jug të vendit e gradualisht edhe në pjesën qendrore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë fryrë me drejtim verilindje- juglindje  me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të arrijë shpejtësi deri në 20 m/s, shoqëruar me valëzimin në det 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen: 

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

-1/9 Diell re shi

Kukës

-6/3 Diell re shi/borë

Lezhë

-1/9 Diell re shi

Dibër

-9/2 Diell re shi/borë

Durrës

1/10 Diell re shi

Tiranë

-1/10 Diell re shi

Elbasan

-1/8 Diell re shi

Berat

-2/7 Diell re shi

Vlorë

                3/9 Diell re shi

Korçë

-5/0 Diell re shi/borë

Gjirokastër

-6/5 Diell re shi

Sarandë

2/8 Diell re shi

 

The post E martë 20 janar, kthjellime e vranësira kalimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LDK-ja thërret Kuvendin, Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim

19 January 2026 at 20:51

PRISHTINË, 19 janar/ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta kërkojë votëbesimin e delegatëve, njoftoi të hënën zyrtari i parisë, Besian Mustafa.

Mustafa tha për gazetarë se vendimi për mbajtjen e Kuvendit u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë në Prishtinë.

LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.

Disa anëtarë të partisë, përfshirë nënkryetaren, Hykmete Bajrami, kërkuan largimin e Abdixhiku, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.

Mustafa tha se anëtarët e LDK-së zhvilluan “një diskutim gati 4 orësh, të hapur e demokratik, duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme dhe duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit”.

Abdixhiku tha ditë më parë se e ka ofruar dorëheqjen dhe se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.

Prandaj, Mustafa theksoi të hënën se Abdixhiku – i cili e mori drejtimin e partisë më 2021 – do ta kërkojë votëbesimin në Kuvendin e 31 janarit.

“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra, Kuvendi i cili ka 355 delegatë do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra, është kërkesë për votëbesim”, tha Mustafa.

I pyetur nëse do të ketë garë për kryetar të ri të partisë, nëse shkarkohet Abdixhiku, Mustafa tha se është herët të flitet për këtë.

“Duhet të ketë një proces tjetër për të ardhur deri të kandidaturat e tjera për të pasur një proces zgjedhor në LDK. Tani jemi të pjesa e votëbesimit. Do ta shohim rezultatin e votëbesimit së pari”, tha Mustafa. /rel/

The post LDK-ja thërret Kuvendin, Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kryengritje paqësore e qëndrueshme për krijimin e qeverisë teknike

17 January 2026 at 17:56

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një bashkëbisedim me qytetarët për zhvillimet politike, se mazhoranca ka vendosur të heqë edhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë.

Duke iu referuar mbledhjes sv djeshme të grupit parlamentar të PS-së, Berisha tha “de facto po pushtohet parlamenti dhe po përdoret në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë”.

Tashmë, sipas tij, fjala është vetëm e qytetarëve.

“Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.

“Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Berisha.

I pyetur nga qytetarët për veprimet e ardhshme të opozitës, Berisha tha se PD beson se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i qeverisë nga pushteti.

“Një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë. Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje”, tha Berisha.

Kreu i PD foli edhe për bashkëpunimin me partitë e reja të opozitës duke thënë se mbështet protestën e Lapajt.

The post Berisha: Kryengritje paqësore e qëndrueshme për krijimin e qeverisë teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt

16 January 2026 at 15:54

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.

Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.

Zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve do të prekë komunitetin serb që jeton në Kosovë, i cili deri më tani ka drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi, me autorizim, ose persona që nuk kanë dokumente kosovare.

“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.

Të punësuarit në këto institucione, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin në Mitrovicën e Veriut, mund të përballen me probleme sapo të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, pasi ai parashikon posedimin e një leje pune ose licence për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet pranë Agjencisë së Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb do të duhet të pajisen me licenca nga institucionet e Kosovës.

Për qëllime studimi, bashkimi familjar, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, është e nevojshme të posedojë një leje të përkohshme qëndrimi dhe të plotësohen kushtet e tjera të përcaktuara me ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.

Deri më tani, rregullimi i sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2013. Ky Asociacion, ndër të tjera, ishte paraparë të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, si dhe pagat dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia, edhe në vitin 2023, e kanë pranuar në parim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se deklaratat për integrimin e sistemit të arsmit dhe shëndetësisë shihen si “kërcënuese” dhe mund të vënë në rrezik dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova publikon rregullat dhe ndëshkimet për shtetasit e huaj dhe për rregullat në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar dokumente udhëzuese për Ligjin për të huajt dhe të për automjete, pas hyrjes në fuqi të këtyre dy ligjeve.

Sipas dokumentit udhëzues lidhur me Ligjin për të huajt, shtetasit e huaj fillimisht duhet të kenë dokumente udhëtimi të vlefshme, ose vizë kur kërkohet, dhe të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh në stacionin më të afërt policor.

Nëse një i huaj synon të qëndrojë në Kosovë në periudhë afatshkurtër, ai mund ta bëjë këtë deri në 90 ditë dhe gjatë kësaj periudhe nuk i lejohet të punojë pa pasur leje pune. Nëse kalohet kjo periudhë, i huaji duhet të aplikojë për leje qëndrim.

Nëse një i huaj qëndron në Kosovë me qëllim të punës, atëherë ai duhet të ketë leje të përkohshme për punë, po ashtu kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë. Rregullat parashohin ndalim të punës, nëse një shtetas i huaj nuk ka leje për të.

Ndërkaq në rast të qëndrimit për arsye të tjera, sikurse studimi, kërkohet pajisja me leje qëndrim.

Në rast se nuk respektohen këto rregulla, atëherë autoritetet mund të aplikojnë masa që mund të përfshijnë anulimin e lejes së qëndrimit, shqiptimin e gjobave, largimin nga vendi dhe ndalimin në territorin e Kosovës.

“Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, tha MPB-ja.

Ndërkaq, në dokumentin udhëzues sa i përket Ligjit për automjetet, thuhet se një makinë e regjistruar në vend të huaj dhe që është në pronësi të një shtetasi të huaj, mund të qarkullojë në Kosovë deri në tre muaj.

Sipas rregullave, një automjet i regjistruar jashtë Kosovës nuk mund të drejtohet nga një shtetas i Kosovës pa praninë e pronarit e as të autorizohet që të qarkullojë më Kosovë.

Rregullat parashohin se një shtetas i huaj që ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë apo një shtetas i Kosovës që kthehet nga shtetet e huaja, mund ta drejtojë një automjet me patentë shoferë të huaj të vlefshëm deri në 1 vit nga dita e hyrjes në Kosovë.

Në rast se nuk respektohen rregullat,, MPB tha se do të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi. /rel/

The post Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë dalin para gjykatës

16 January 2026 at 10:43

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Nën masa të larta të sigurisë u sollën sot në gjykatë të pandehurit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.

Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

 

Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë.  /Kosovapress/

The post Të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë dalin para gjykatës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte 16 janar, vranësira dhe intervale kthjellimesh

16 January 2026 at 07:30

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet në orët e para të mëngjesit deri në orët e para të ditës me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale kthjellimesh. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra dhe të dobëta në formë pikash në zonën e veriperëndimit dhe lokalisht në zonën e qendrës. Pas orëve të mesditës moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit e vranësira të pakta kalimtare kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje.

Era do të fryjë verilindje-juglindje me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era me shpejtësi deri në 7 m/s, shoqëruar me valëzimin në det 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 5/15 Diell re shi
Kukës 4/15 Diell re
Lezhë 5/15 Diell re shi
Dibër 3/11 Diell re
Durrës 5/18 Diell re shi
Tiranë 7/18 Diell re shi
Elbasan 7/17 Diell re
Berat 4/17 Diell re
Vlorë 6/17 Diell re
Korçë 0/12 Diell re
Gjirokastër 1/18 Diell re
Sarandë 8/18 Diell re

/r.e/

The post E premte 16 janar, vranësira dhe intervale kthjellimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali rrëzon spekulimet për vizat amerikane: SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve

15 January 2026 at 09:58

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali deklaroi sot se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve.

Në reagimin e saj, ministrja Spiropali theksoi se ka ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme atë që e cilësoi “rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA”.

Ministrja deklaroi se ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.

“Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!”, tha ajo.

Në fakt, sipas Spiropalit, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike.

“E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën”, deklaroi kryediplomatja shqiptare.

“Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit”, sqaroi ministrja Spiropali.

Pra, vijoi ajo, nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.

“Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit”, sqaroi më tej ministrja Spiropali.

“Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, theksoi ajo.

“Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”, përfundoi reagimin Spiropali.

Reagimi i ministres vjen ndërsa ajo ndodhet në një udhëtim drejt Kievit, për vizitë zyrtare e ku do të rikonfirmojë mbështetjen e Shqipërisë në krah të Ukrainës, në kushtet e sulmeve masive që targetojnë infrastrukturën kritike dhe popullatën civile në mes të një dimri të egër.

 

The post Spiropali rrëzon spekulimet për vizat amerikane: SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌