Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

FSK pajiset me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, Kurti publikon pamje

24 December 2025 at 15:39


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim publik.

Ai ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës.

“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve të NATO-s.

Në fund, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/


Aksion antidrogë në Tiranë, shkatërrohet grupi kriminal me 33 anëtarë

24 December 2025 at 15:34


Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike.

Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre.

5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /TCH/

Në prag të zgjedhjeve, Serbia hap konkurs për 300 vende pune në institucionet paralele në Kosovë

24 December 2025 at 15:19


Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur sot konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore paralele serbe që veprojnë në Kosovë.

Në njoftimin e publikuar përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se konkursi ka të bëjë me “300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë”.

Po ashtu, Ministria ka bërë të ditur se është në proces edhe një konkurs tjetër për 50 vende pune, i cili është hapur më 22 dhjetor të këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të reja të punës në 350.

Sipas autoriteteve serbe, këto punësime synojnë forcimin e sistemit shëndetësor serb në Kosovë.

Në njoftim theksohet se “punësimet e reja do të përmirësojnë nivelin e kujdesit shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në gjysmën e dytë të muajit janar pritet të punësohen edhe 700 persona, personel mjekësor dhe jomjekësor, në bazë të një konkursi të zhvilluar më herët.

Në njoftim përmendet se gjatë tri viteve të fundit janë punësuar mbi 1.500 persona në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke u theksuar nevoja për punësim shtesë dhe modernizim të shërbimeve shëndetësore.

Autoritetet serbe kanë bërë deklarata të ngjashme edhe më herët, përfshirë edhe paralajmërimet e presidentit Aleksandar Vuçiq për punësime të reja në prag të zgjedhjeve lokale të muajit tetor. /Telegrafi/

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Bllokim i përkohshëm i qarkullimit rrugor në Serbi, MPJD: Shfrytëzoni rrugë alternative për të shmangur pritjet

23 December 2025 at 21:52


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se nesër, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor në segmentin rrugor në fshatin Kastrat të Kurshumlisë në Serbi, për shkak të aktiviteteve të paralajmëruara nga banorët lokalë.

Sipas njoftimit, bllokimi do të zgjasë nga ora 11:50 deri në ora 15:50. Po ashtu, MPJD bën të ditur se bllokime të qarkullimit janë paralajmëruar edhe në data të tjera.

“Më 27 dhjetor 2025, qarkullimi do të bllokohet nga ora 11:52 deri në ora 18:52, ndërsa më 3 janar 2026, bllokimi do të zgjasë nga ora 09:00 deri në ora 24:00”, thuhet në njoftim.

MPJD ka këshilluar qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë planifikuar udhëtime drejt vendlindjes apo janë në tranzit përmes këtij segmenti rrugor, që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative me qëllim të shmangies së pritjeve, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim.

Për informacione shtesë dhe ndihmë konsullore, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën për Menaxhim të Krizave Konsullore (QKMK) në numrat e telefonit: +383 45 198 000, +383 45 198 606 dhe 0800 500 95

MPJD njofton se do të vazhdojë të përcjellë situatën dhe të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri. /Telegrafi/


KPM reagon pas vendimit të Themelores për zgjedhjen e kryetarit: Do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit

23 December 2025 at 21:24


Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka reaguar përmes një sqarimi institucional lidhur me vendimet e fundit gjyqësore që kanë të bëjnë me Rregulloren e Punës dhe zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së, duke theksuar se respekton dhe zbaton vendimet e gjykatave, por shpreh shqetësime serioze për mënyrën e interpretimit të ligjit.

“KPM respekton dhe zbaton vendimet e gjykatave çdoherë pavarësisht nivelit profesional dhe qëllimit të tyre”, thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se dy vendimet e fundit “kanë neglizhuar në tërësi nenet relevante të specifikuara nga KPM”.

Sipas KPM-së, ligjet janë një e mirë publike dhe nuk duhet të përdoren për interesa të caktuara.

“Ligjet nuk janë për t’u përdorur si vegla të adaptueshme të cilat akordohen sipas prioriteteve të ndryshme”, thuhet më tej në reagim.

Komisioni vlerëson se gjatë trajtimit të kësaj çështjeje ka pasur arbitraritet dhe mungesë të respektit ndaj argumenteve institucionale.

“Jemi krejt të bindur se arbitrariteti, diskriminimi dhe mungesa e respektit minimal ndaj argumenteve të ofruara nga ana e KPM-së i ka karakterizuar të gjitha fazat e administrimit të kësaj lënde deri tani”, thekson njoftimi.

KPM gjithashtu shpreh shqetësim për ndikimet e jashtme në vendimmarrje, duke theksuar se “gjykata duhet të gjykojë në bazë të fakteve e argumenteve… e jo në bazë të retorikës dhe ndikimeve të jashtme që kanë synim ndërhyrjen dhe kontrollin në organizimin e brendshëm të KPM-së”.

Në njoftim thuhet se dobësimi i institucioneve të pavarura kushtetuese cenon sovranitetin e vendit.

“Dobësimi me ose pa vetëdije i institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton më pak sovranitet për vendin tonë”, vlerëson KPM.

Sa i përket hapave të mëtejmë ligjorë, KPM bën të ditur se “kushtetutshmëria e vendimit të Gjykatës Supreme është në trajtim nga Gjykata Kushtetuese”, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Themelore do të dërgohet në Gjykatën e Apelit.

Në fund, KPM thekson se do të vazhdojë të mbrojë mandatin e tij institucional.

“KPM do të vazhdojë të mbrojë mandatin dhe integritetin e tij në interes të publikut”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Suhareka krah AAK-së, Pal Lekaj flet për bashkim qytetar

23 December 2025 at 21:08


Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka bërë të ditur se AAK është pritur me energji të jashtëzakonshme dhe përkrahje të madhe nga qytetarët e Suharekës në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas Lekajt, Suhareka ku vetëm pak javë më parë u festua fitorja e radhës e kryetarit Bali Muharremaj edhe kësaj here dëshmoi unitet dhe mobilizim të madh qytetar në mbështetje të Aleancës.

Ai theksoi se bashkë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kandidat për Kryeministër të Kosovës, u prezantua platforma politike e ndërtuar për secilin qytetar të vendit, ndërsa sallat e mbushura plot janë dëshmi e qartë e bashkimit të madh rreth numrit 129.

Në fund, Pal Lekaj ka falënderuar qytetarët e Suharekës për mikpritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që i japin Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /Telegrafi/


Dy vetura përplasen në hyrje të autostradës “Arbën Xhaferi”, lëndohet një person

23 December 2025 at 21:00


Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 20:10 në hyrje të autostradës “Arbën Xhafetri” në Kaçanik, ku një person ka pësuar lëndime.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura prej të cilave njëra me targa të huaja.

“Si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e trafikut rrugor të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë hetuar rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/

Abdixhiku në Vushtrri: LDK ka kuadro, profesionistë dhe njerëz që dinë të qeverisin

23 December 2025 at 20:42


LDK ka program të detajuar dhe të përgjegjshëm, tha kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku nga tubimi në Vushtri.

Sipas tij, po ashtu LDK ka edhe kuadro, profesionistë e njerëz që dinë të qeverisin.

“LDK ka program. Një program të detajuar, të përgjegjshëm dhe të zbatueshëm. Një program që nuk flet në përgjithësi, por me numra. Që nuk premton gjithçka, por premton atë që mund të realizohet. Një program që e sheh Kosovën si shtet, jo si skenë propagande”, theksoi Abdixhiku. /Telegrafi/

Aksident në Korçë-Pogradec, lëndohet rëndë 65-vjeçari

23 December 2025 at 20:18


Një aksident është regjistruar në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në fshatin Sovjan, Maliq.

Automjeti tip “Volkswagen” ka përplasur një 65-vjeçar i cili lëvizte me biçikletë në rrugë. 65-vjeçari u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. /abc/

Këshilli Prokurorial i Kosovës anulon konkursin për rekrutimin e 21 prokurorëve

23 December 2025 at 19:13


Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të anulojë konkursin dhe procesin e rekrutimit për 21 prokurorë të shtetit në Prokuroritë Themelore të Republikës së Kosovës, i cili ishte shpallur më 30 prill 2025.

Sipas vendimit të Këshillit, konkursi do të rishqyrtohet dhe mund të rishpallet në një formë të përmirësuar, në përputhje me nevojat e sistemit prokurorial dhe legjislacionin në fuqi.

Në arsyetim thuhet se parregullsitë kanë ndikuar drejtpërdrejt në barazinë e kandidatëve, integritetin dhe kredibilitetin e procesit të rekrutimit, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procedurës në formën aktuale.

Sekretariati i Këshillit do ta publikojë këtë vendim në faqen zyrtare brenda 15 ditëve nga data e miratimit. /Telegrafi/



AGK mirëpret fitoren e Blerta Foniqi-Kabashi pas degradimit në RTK

23 December 2025 at 19:09


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përshëndetur vendimin e Inspektoratit të Punës që i jep të drejtë gazetares Blerta Foniqi Kabashi, e cila ishte degraduar nga pozita e redaktores së Edicionit Qendror në RTK.

Inspektorati ka vendosur se vendimi i marrë nga U.D. kryeredaktori Blerim Haxhiaj ishte i jashtëligjshëm, pasi mandati i tij kishte skaduar më 15 shtator 2025 dhe ai nuk kishte kompetencë për të shqiptuar masën disiplinore ndaj Foniqi-Kabashit. Gazetares i ishte dhënë “vërejtja” për shkak të punës së saj si redaktore në Edicionin Qendror.

Si pasojë, RTK është urdhëruar që ta rikthejë Foniqi-Kabashin në postin e përshkruar me kontratën e saj brenda tre ditëve.

AGK thekson se vendimi i Inspektoratit tregon presionin e ushtruar nga menaxhmenti ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Asociacioni konsideron të papranueshme ndërhyrjet e vazhdueshme politike të Qeverisë së Kosovës dhe partisë Vetëvendosje në pavarësinë editoriale të Transmetuesit Publik, RTK. /Telegrafi/


Inspektorati obligon RTK-në ta kthejë Blerta Foniqin në pozitën e redaktores

23 December 2025 at 17:59


Redaktorja e Radiotelevizionit të Kosovës, Blerta Foniqi Kabashi, ka fituar rastin lidhur me degradimin e saj në pozitë, pas një ankese të bërë në Inspektoratin e Punës.

Sipas njoftimit që Foniqi-Kabashi bëri publik, ndryshimi i pozitës së saj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Inspektorati ka konstatuar se Blerim Haxhiaj nuk ka pasur mandat për të ushtruar detyrën e U.D. Kryeredaktorit në kohën kur nisi procedurën disiplinore ndaj saj.

Vendimi i Inspektoratit thotë se: “… punëdhënësi, RTK, përkatësisht z. Blerim Haxhiaj me rastin e inicimit të procedurës disiplinore ndaj znj. Blerta Foniqi Kabashi, në pozitën e Redaktores së lajmeve qendrore, nuk ka pasur mandat të bëjë një veprim të tillë pasi mandati i tij ka përfunduar më datën 15.09.2025. Marrja e këtij veprimi është në kundërshtim me Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK.”

Si rrjedhojë, Foniqi-Kabashi duhet të kthehet në detyrën e saj si redaktore e lajmeve qendrore në RTK. /Telegrafi/

AUV asgjëson 2,064 kilogramë mish pule të importuara nga Polonia për shkak të Salmonellës

23 December 2025 at 17:48


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.

Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë 2064 kilogramë mish pule.

“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se AUV vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Ky veprim vjen si pjesë e masave të AUV-së për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. /Telegrafi/

Bakteria Bacillus cereus zbulohet në qumështin APTAMIL, AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të produktit

23 December 2025 at 17:30


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, pasi është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus.

Sipas njoftimit, thuhet e AUV përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu.

Agjencia ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës.

AUV gjithashtu thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Konsumatorët që posedojnë produktin APTAMIL me lot nr. 111444865 rekomandohen ta kthejnë në pikën e blerjes ose të mos e përdorin deri në një njoftim të mëtejshëm. /Telegrafi/

Kërkohet paraburgim për policin dhe një shtetas serb për marrje dhe dhënie të ryshfetit në Vërmicë

23 December 2025 at 17:22


Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit.

Sipas njoftimit zyrtar, paraburgimi është kërkuar ndaj A.K., zyrtar policor, për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj B.C., shtetas serb, për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

Dyshohet se A.K., duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C.-së hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte ndaluar hyrja për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Pas marrjes së parave, sipas hetimeve, A.K. e ka kaluar në mënyrë ilegale kufirin me veturën e tij bashkë me B.C., duke e dërguar më pas në qytetin e Prizrenit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin. /Telegrafi/

Numërimi i votave ndalet natën e Vitit të Ri, rifillon më 1 janar

23 December 2025 at 16:19


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në mbledhjen e radhës orarin e numërimit të votave gjatë natës së ndërrimit të moteve, duke vendosur që më 31 dhjetor procesi të zhvillohet deri në ora 12:00 dhe më pas të ndërpritet, ndërsa të rifillojë më 1 janar nga ora 16:00,.

Çështja ka nxitur diskutime mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me angazhimin e ekipeve gjatë festave të fundvitit dhe nevojën për vazhdimësi të procesit zgjedhor, në mënyrë që rezultatet të publikohen sa më shpejt dhe të ruhet integriteti i procesit.

Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, tha se vendimi është marrë në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por hapi dilemë lidhur me punën më 1 janar.

“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se procesi zgjedhor nuk duhet të ndalet për shkak të festave.

“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se për këtë orar tashmë janë njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore.

“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai. /EkonomiaOnline/

ASK: Deficiti tregtar i Kosovës 469,9 milionë euro në nëntor të këtij viti

23 December 2025 at 15:49


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, të cilat tregojnë se deficiti tregtar i Kosovës ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, deficiti tregtar në nëntor 2025 arriti në 469,9 milionë euro, që paraqet një ndryshim minimal prej 0,0% krahasuar me nëntorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 470,0 milionë euro.

Në këtë periudhë, eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro.


Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%.

Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%).

Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%.

Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 26,6 milionë euro, ose 30,3% të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 20,9%.

Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.

Importet nga BE-ja kapën vlerën 240,3 milionë euro, apo 43,1% të importeve të përgjithshme, me rënie prej 0,9%.

Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milionë euro, ose 48,8% të eksporteve totale, me rënie prej 6,1%.

Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, importet nga CEFTA shënuan rritje prej 6,2%, duke arritur në 76,5 milionë euro.

Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18,3 milionë euro, ose 20,9%, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende kapën vlerën 240,8 milionë euro, me Turqinë dhe Kinën si burimet kryesore të importit.

Për më shumë informacione rreth Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, ASK njofton se të dhënat e detajuara janë të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Lehtësim për qytetarët dhe mërgatën, Agjencia e Regjistrimit Civil zgjat orarin e punës

22 December 2025 at 14:54


Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të shërbimeve në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente, për periudhën nga 23 dhjetori 2025 deri më 15 janar 2026.

Sipas njoftimit, shërbimet do të ofrohen deri në ora 18:00, ndërsa edhe dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune me orar të zgjatur.

Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke pasur parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit dhe kthimit të bashkatdhetarëve në vendet e tyre.

Agjencia ka bërë të ditur se, në koordinim me njësitë përkatëse në nivel lokal, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve ligjore.

ARC ka ritheksuar përkushtimin e saj për ofrimin e shërbimeve sa më të qasshme dhe efikase për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/

Tentim vrasje në Pejë, plagoset një person - i dyshuari në arrati

22 December 2025 at 14:38


Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur para pak çastesh në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas tij, me autorizimin e prokurorit të shtetit, janë duke u grumbulluar të gjitha provat relevante dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Ndryshe, Spitali i Pejës ka njoftuar se i plagosuri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. /Telegrafi/


Vendimi për kryetarin e KPM-së i paligjshëm, IKD: Ligjshmëria nuk u respektua

22 December 2025 at 14:14


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore theksohet se nuk janë pranuar pretendimet e KPM-së për pavarësinë e saj kushtetuese dhe organizative. Sipas Gjykatës, pavarësia e institucioneve të pavarura nuk nënkupton përjashtim nga zbatimi i ligjit.

“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

IKD kishte kërkuar përmes padisë shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje ishte fituar më herët edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.

Sipas IKD-së, vendimi i sotëm i Gjykatës së shkallës së parë përbën një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të KPM-së, duke forcuar besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.

IKD ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se do të vazhdojë të avokojë si për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, ashtu edhe për respektimin e ligjshmërisë së brendshme, e cila, sipas tyre, nuk është respektuar në këtë rast. /Telegrafi/

❌
❌