KOMENT – Pse Trump ia ka vënë syrin Groenlandës?
UASHINGTON, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dyfishuar qëllimin e tij për të marrë Groenlandën, duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit te forcës nëse është e nevojshme. Çfarë fshihet pas këtij veprimi, i cili mund të përfundojë duke i larguar aleatët më të ngushtë të Uashingtonit?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshkallëzuar retorikën e tyre mbi Groenlandën ditët e fundit, duke shkaktuar shqetësim të madh tek aleatët e tyre evropianë, me bisedime që tani do të zhvillohen midis sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve danezë javën e ardhshme.
Groenlanda, e cila i përket Mbretërisë së Danimarkës, por ka një status kryesisht autonom, ka qenë në shënjestrën e Trump që nga mandati i tij i parë në detyrë.
Megjithatë, marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Groenlandës daton shumë më herët.
Vendndodhja e Groenlandës është shumë strategjike, duke u shtrirë në rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së. Prandaj, është një pjesë thelbësore e mburojës anti-raketore të SHBA-së.
Në vitin 1941, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja negocioi një marrëveshje për të ndërtuar dhe operuar baza ushtarake në Groenlandë, koloninë e atëhershme të Danimarkës në Arktik, për aq kohë sa do të zgjaste konflikti, në një përpjekje për të mbrojtur kontinentin amerikan.
Ambasadori i Danimarkës në Uashington, negocioi në mënyrë të pavarur marrëveshjen me SHBA-në për të mbrojtur Groenlandën, e cila është gjeografikisht pjesë e Amerikës së Veriut dhe shtrihet në Hemisferën Perëndimore.
Në fund të luftës, SHBA-ja kishte 15 baza ushtarake në Groenlandë. Sot mbetet vetëm një, baza ajrore “Pituffik” në bregdetin veriperëndimor.
Që nga viti 1951, një marrëveshje daneze me SHBA-në – e rishikuar në vitin 2004 – i jep ushtrisë amerikane praktikisht liri veprimi në territorin e Groenlandës, për sa kohë që informon Danimarkën dhe Groenlandën paraprakisht për planet e saj.
Trump ka argumentuar se Danimarka ka dështuar në garantimin e sigurisë se Groenlandës, e cila mbulon një sipërfaqe prej 2,2 milionë kilometra katrorë ose rreth një të pestën e madhësisë së të gjithë kontinentit evropian.
Kjo është e krahasueshme me Alaskën, shtetin më të madh të SHBA-së, megjithëse popullsia e Groenlandës vlerësohet në vetëm 57,000 banorë.
Integrimi i Groenlandës do ta bënte SHBA-në vendin e tretë më të madh në botë për nga masa tokësore pas Rusisë dhe Kanadasë, duke tejkaluar Kinën.
Një raport i kohëve të fundit nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Danimarkës tha se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konkurronin të gjitha për të luajtur “një rol më të madh” në Arktik.
Gjatë vitit të kaluar, Danimarka ka rritur investimet e saj në Groenlandë.
“Në vitin 2025, Danimarka ofroi 1,2 miliardë euro për sigurinë në rajon”, tha të hënën kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.
Groenlanda ka depozita të pashfrytëzuara të metaleve të rralla dhe mund të jetë një vend i rëndësishëm pasi shkrirja e akullit polar – një rezultat i ndryshimeve klimatike – hap rrugë të reja transporti detar.
“Megjithatë, një vit më parë, 85% e banorëve të Groenlandës kanë kundërshtuar bashkimin me SHBA-në”, sipas një sondazhi. //a.i/
The post KOMENT – Pse Trump ia ka vënë syrin Groenlandës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.