Një incident ka ndodhur të shtunën në Shkabaj, Obiliq, ku një punëtor ka pësuar lëndime pasi vinçi që po përdorte një tjetër person i doli jashtë kontrollit.
Sipas raportit të policisë, i dyshuari shtetasi i Shqipërisë gjatë punës pranë një objekti në ndërtim duke vozitur një kamion ka manipuluar vinçin në mënyrë të pa kontrolluar.
Si pasojë, vinçi është këputur dhe ka rënë duke lënduar viktimën, gjithashtu shtetas i Shqipërisë.
Viktima u dërgua menjëherë për tretman mjekësor. Ndërkohë, i dyshuari u arrestua, por pas intervistimit dhe vendimit të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka nisur hetimet për asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës, si dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar paraburgim për 23 të pandehur, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosje, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.
Pas katër seancave dëgjimore, gjyqtarët e procedurës paraprake vendosën që 21 të pandehurve: O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J, t’u caktohet paraburgimi për një muaj, i cili mund të zgjasë deri më 23 shkurt 2026.
Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Po ashtu, ndaj një të pandehure, A.V., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 23 shkurt 2026, nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale: falsifikim i rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Ndërkohë, edhe ndaj një të pandehuri, G.P., në cilësinë e vëzhguesit, është caktuar masa e paraburgimit njëmujor deri më 23 shkurt 20206, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti
Nga Gjykata është bërë e ditur se vërtetësia e këtyre dyshimeve dhe argumentimi i fakteve do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale. /Telegrafi/
Për ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë fillimisht me vranësira të dendura, pas orëve të mëngjesit deri në orët e pasdites mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira, në mbrëmje mot i vranët.
Reshjet e shiut priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Gjatë ditës reshjet e shiut me intensitet të ulët lokalizohen vetëm në ekstremin verior dhe atë jugor të vendit. Në orët e vona të mbrëmjes reshje shiu në të gjithë vendin me intensitet të ulët ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore reshje shiu me intensitet deri mesatar.
Në zonën e Alpeve, dhe në relievet malore në verilindje e juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim jug – juglindje, me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 22 m/s.
Po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë që garuan në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pas evidentimit të manipulimeve të mëdha gjatë procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri tani janë rinumëruar 1,591 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo 62.22 për qind e totalit. Të dhënat e fundit janë publikuar më 25 janar 2026, në ora 08:11.
Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar 2026, në ora 18:00, ndërsa deri më tani është përmbyllur rinumërimi në 22 komuna.
Rinumërimi po vazhdon sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se institucioni “është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”.
Ai ka shtuar se KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të përfundojë gjatë javës në vazhdim.
Ndërkohë, për shkak të manipulimeve të dyshuara, Prokuroria në Prizren ka arrestuar 109 komisionerë.
Për 21 prej tyre është kërkuar paraburgim për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, ndërsa një komisionere dyshohet për dy vepra penale, falsifikim të rezultatit të votimit dhe marrje ryshfeti.
Po ashtu, një vëzhgues dyshohet për veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurrë më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen.
Ai, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, akuzoi edhe partitë opozitare se për shkak të mungesës së bashkëpunimit të tyre, vendi shkoi dy herë në zgjedhje vitin e kaluar. Derisa ka theksuar se populli i Kosovës, sipas tij, refuzon të kthehet “në epokën e korrupsionit”.
Ai tha se kontribuuesi i destabilitetit në rajon përmes Serbisë është Federata Ruse.
“Nga katër fqinj që kemi si Republika e Kosovës, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurrë që jemi shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu, kontribuuesi i saj është Perandoria Ruse, apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por është e pamundur që të mos kesh fqinj”, tha ai.
Krahas kësaj, ai akuzoi opozitën sa i përket zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre i solli zgjedhjet e reja dhe rezultatin e mirë për të, ku mori mbi 51 për qind të votave.
“Së pari, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne fituam në shkurt 42.3 për qind, por nuk ishte e mjaftueshme. Provuam gjithçka. Provuam të takoheshim me një apo dy parti politike opozitare. Njëra nga to nuk donte të takoheshim, njëra nga to e dëshironte pozitën e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë. Pastaj, nuk e pranuan emrin tonë të propozuar për kryeparlamentar, megjithëse e zëvendësuam atë emër dhjetëra herë; opozita sërish iu tha ‘jo’ të gjithëve.
Pastaj, unë e zëvendësova emrin tim me zëvendësin tim në parti, Glauk Konjufca, i cili ishte kryeparlamentar dhe do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i radhës. Prapë thanë jo. Kështu që, përgjatë vitit 2025, ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim një qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne. Kështu që, mendoj se nëse do të doja zgjedhje të reja, njerëzit do të më ndëshkonin mua. Unë nuk doja zgjedhje të reja, por nëse zgjedhjet e reja ishin aty, më mirë të isha gati. Kështu që kishte pasoja nga mosbashkëpunimi i opozitës, jo nga një entuziazëm i imi për zgjedhje të reja”, shtoi Kurti.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik, andaj sipas tij, populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të ardhmen në atë gjendje.
Ai theksoi se askush brenda kabinetit qeveritar të tij s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit.
“Ne e kemi trashëguar një situatë kur korrupsioni ka qenë endemik. Ka rezistencë dhe qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit; që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin. Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit, prandaj duhet të udhëheqim me shembuj”, përfundoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar 51.11 për qind të votave. /KP/
Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit Policorë në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë bërë publike fotografinë e një personi të dyshuar lidhur me një rast të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas njoftimit zyrtar, pavarësisht thirrjes policore dhe kërkimeve të zhvilluara në disa lokacione, i dyshuari nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë dhe aktualisht gjendet në arrati.
Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka vendosur të publikojë fotografinë e tij dhe të kërkojë ndihmën e qytetarëve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informata që mund të ndihmojnë në identifikimin ose vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografitë e bashkangjitura, t’i ndajnë ato me autoritetet policore.
Për çdo informatë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin e telefonit 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës zyrtare të e-mailit: info@kosovopolice.com.
Policia garanton se të gjitha informacionet e ofruara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/
Bordi i Drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.A. ka emëruar zyrtarisht Trim Tërnavën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes.
Sipas njoftimit të KOSTT-së, vendimi është marrë njëzëri në mbledhjen e Bordit të mbajtur më 19 janar 2026, pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
“Pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, Bordi i Drejtorëve i KOSTT Sh.A., njëzëri ka emëruar z. Trim Tërnavën Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT Sh.A.”, thuhet në njoftim.
Sipas KOSTT-së, Tërnava do ta nisë detyrën më 16 shkurt 2026.
Në njoftim theksohet se Tërnava ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Rice University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet themelore në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës.
“Z. Trim Tërnava ka përgatitje të avancuar akademike dhe profesionale në sektorin e energjisë, me fokus në ekonominë e energjisë, zhvillimin e tregut të energjisë, tranzicionin energjetik dhe proceset e integrimit rajonal dhe evropian”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, KOSTT bën të ditur se Tërnava ka mbi një dekadë përvojë profesionale dhe udhëheqëse në sektorin e energjisë dhe synon forcimin e rolit të KOSTT-së në arritjen e objektivave strategjike.
“Ai synon forcimin e rolit të KOSTT në arritjen dhe avancimin e objektivave strategjike të shoqërisë, duke theksuar operimin e sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po planifikon që shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të bëhet në fillim të muajit shkurt të këtij viti, raporton KosovaPress.
Por, sipas KQZ-së, shpallja e këtyre rezultateve mund të vijë pas përfundimit të procesit të rinumërimit të më shumë se 1 mijë e 800 vendvotimeve të mbetura, i cili po planifikohet të përmbyllet deri në fund të muajit janar.
Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar për dinamikën e punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Aktualisht, numri i ekipeve të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të muajit janar”, ka thënë Elezi.
Elezi ka thënë se KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar pas përfundimit të rinumërimit, që sipas tij, mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, pasi rinumërimi mund të heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve.
“Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me këtë rezultat në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.
Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë edhe nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen e këtyre ankesave dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar Elezi.
Sipas të dhënave, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi./kp/
Trim Tërnava do të jetë kryeshef i ri i KOSTT. Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Ai është zgjedhur pas përfundimit të të gjitha procedurave të konkursit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar vetë Tërnava. "Po jam emëruar" ka thënë shkurt Tërnava.
Bordi i ndërmarrjes është njoftuar për vendimin dhe zyrtarizimi i Tërnavës pritet të ndodhë shumë shpejt.
Tërnava njihet si ekspert i energjisë dhe sipërmarrës në këtë fushë.
Kush është Trim Tërnava?
Trim Tërnava është një konsulent dhe sipërmarrës me përvojë në energjinë e ripërtëritshme me ekspertizë të gjerë në zhvillimin e projekteve, studimet e fizibilitetit dhe këshillimin rregullator.
Ai ka përfunduar masterin në Ekonominë e Energjisë në Universitetin Rice në Hjuston, SHBA, ku është specializuar në tregjet e energjisë, politikat dhe strategjitë e investimeve.
Si Drejtor Ekzekutiv dhe Partner Menaxhues i Energy Service LLC, Trimi ka udhëhequr projekte të shumta të energjisë diellore dhe BESS në shkallë të gjerë, duke mbështetur klientët në proceset teknike, financiare dhe lehtësuese, ndërsa ka nxitur tranzicionin e rajonit drejt energjisë së pastër./Telegrafi/
Ai është ndaluar për 48 orë. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.
Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i KPRK-së dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.
Pas raportimeve për mashtrim, mekanizmat shtetëror janë vënë në lëvizje.
Sllamniku, i cili nuk është mjek pretendon se disponon një ilaç për “shërimin” e autizmit tek fëmijët.
Ndryshe nga Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës bënë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.
“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do t'ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, njoftuan nga Prokuroria. /Telegrafi/
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e pasqyrave vjetore për vitin 2025 për të gjithë kontribuuesit.
Sipas njoftimit, pasqyrat po dërgohen fillimisht përmes emailit për ata kontribuues që FKPK ka adresa elektronike, ndërsa në ditët në vijim do të nisë edhe shpërndarja me postë.
“Për këtë vit, numri i pasqyrave që po shpërndahen me email është 455,692, ndërsa me postë do të dërgohen 167,177 pasqyra vjetore,” thuhet në njoftimin e FKPK-së.
Fondi rikujton se mënyra më e mirë për të monitoruar kursimet pensionale në baza ditore është regjistrimi në portalin eTrusti, i cili mund të aksesohen në: online.trusti.org.
Gjithashtu, pasqyra e llogarisë mund të shkarkohet edhe përmes platformës eKosova, në seksionin “Kontributet dhe pensioni”.
Ky proces synon të sigurojë që çdo kontribues të ketë informacion të qartë dhe të përditësuar mbi kursimet e tij pensionale për vitin 2025. /Telegrafi/
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për aktgjykimin P.A.nr.16/2025, duke sqaruar rolin dhe kompetencat e saj në lidhje me shfuqizimin e disa dispozitave të udhëzimit administrativ nr. 05/2015 (MPMS), që lidhen me pensionistët.
“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve", thuhet në njoftimin e Supremes.
Gjykata thekson se aktgjykimi është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt të plotë juridik.
“Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera", theksohet në njoftim.
Sipas Supremes, vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.
Gjykata Supreme ka rrëzuar pjesë të një udhëzimi administrativ që u kërkonte pensionistëve të paraqiteshin periodikisht për të dëshmuar se janë gjallë, duke liruar disa kategori nga ky obligim.
“Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi”, kishte njoftuar Supremja.
Por, pavarësisht këtij vendimi të Supremes në opinionin publik janë shkaktuar paqartësi se kush obligohet të paraqitet e kush jo.
E lidhur me këtë huti të krijuar, Ministria e Financave të hënën më 19 janar doli me një sqarim ku tregoi se pensionistët e kategorive kontributeve, parciale kontributeve dhe familjare nuk kanë nevojë të paraqiten në zyrat e pensioneve.
Ndërkaq pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.
Ndryshe sipas vendimit të Supremes dy kategoritë që duhet të paraqiten siç e parasheh neni 24 i ligjit janë pensionistët që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme.
“Shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyrat e caktuara nga Ministria një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit”, thuhet në nenin 24 të ligjit.
Sipas statistikave të mirëqenies sociale, për tetorin e 2025-s, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në nivel vendi pension bazik marrin 164 mijë qytetarë. Ndërsa kategoritë që lirohen, sipas këtyre të dhënave, përfshijnë rreth 70 mijë.
Pensioni bazik në Kosovë është 150 euro. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos.
Gjatë diskutimit, Kurti ka theksuar rolin e besimit si element kyç në ndërtimin e shërbimit dhe unitetit në shoqëri dhe në funksionimin e shtetit.
“Besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit në etapa të ndryshme shoqërore dhe shtetërore”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se optimizmi për të ardhmen buron nga angazhimi dhe aktivizmi i vazhdueshëm.
Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme për përmirësim dhe bashkëpunim janë faktorë kyç që ushqejnë shpresën dhe besimin për të ardhmen.
Paneli ku mori pjesë Kurti është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror, “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektim mbi mënyrën se si udhëheqësit nga vende të ndryshme të botës mund të ndërtojnë partneritete inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë.
Kjo iniciativë, sipas organizatorëve, synon gjithashtu të shqyrtojë mënyrat se si liderët globalë mund të përshpejtojnë bashkëpunimin dhe reagimin ndaj sfidave aktuale shoqërore. /Telegrafi/
Një incident zjarri ka ndodhur sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sylejman Vokshi” në Deçan, ku është dashur ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, i cili ka bërë të ditur se zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i tij ende nuk dihet.
“Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore ‘Sylejman Vokshi’ për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur,” ka deklaruar Hulaj.
Sipas tij, për rastin janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat po merren me hetimin.
“Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore,” ka shtuar ai.
Hulaj ka theksuar se pavarësisht incidentit, procesi mësimor në këtë shkollë nuk do të ndërpritet, pasi objekti shkollor ka alternativa për ngrohje.
“Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore ‘Sylejman Vokshi’ do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje,” ka bërë të ditur drejtori i Arsimit.
Në fund, Hulaj ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara për reagimin e shpejtë.
“Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës,” ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik për një aksion të zhvilluar sot në kuadër të një hetimi penal, me urdhër të Gjykatës kompetente dhe bazuar në kërkesën me shkrim të Prokurorit të Shtetit.
Deri më tani, janë arrestuar katër persona: dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i Kodit Penal të Kosovës), të cilët dyshohet se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh pa iu nënshtruar procedurave ligjore, dhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” (neni 309 i KPRK-së).
Prokuroria njofton se gjatë urdhër-kontrollit janë sekuestruar dokumente të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kryerjes së veprave penale dhe në sundimin e ligjit,” thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit do të parashtrojë brenda afatit ligjor kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, ndërkohë që hetimet për këtë çështje vazhdojnë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur sot në një lokal në rrugën "Agim Ramadani" në kryeqytet.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Telegrafin se informatën e kanë pranuar sot rreth orës 10:00.
“Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën për një rast vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Zyrtarët nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme-Prishtinë, në koordinim të plotë me prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana.
Ai ka shtuar se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë./Telegrafi/
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot në kryeqytet.
Kontrollet u kryen në katër lokacione të ndryshme, përfshirë dy shtëpi private, një lokal afarist dhe një zyrë, në koordinim me Prokurorinë Themelore Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë.
“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, policia njofton se në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe një grua.
“Dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”, ka njoftuar policia.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestruar 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, vendim që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.
“Paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, zbatimi i këtij vendimi do të realizohet në dy faza, me qëllim lehtësimin e përshtatjes së punëdhënësve.
“Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.”
Faza e dytë e rritjes është paraparë për mesin e vitit.
“Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Ministria vlerëson se kjo rritje është e rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës. Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/