Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Vërshime dhe evakuime në disa komuna në Kosovë, AME publikon raportin e fundit nga reshjet dhe intervenimet

11 January 2026 at 15:55


Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka publikuar raportin e përditësuar për situatën nga reshjet atmosferike gjatë orëve 22:00 – 08:00 të datës 11.01.2026, duke bërë të ditur gjendjen e rrugëve, lumenjve dhe ndërhyrjet emergjente në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas raportit, Prishtina ka pasur vërshime në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalimet për Obiliq, kryesisht si pasojë e kanalizimeve të bllokuara.

Në Fushë Kosovë, u raportuan vërshime në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë e Madhe. Ndërkohë, rajoni i Mitrovicës kishte situatë kritike në lagjen “2 Korriku”, ku rreziku i daljes së lumit Sitnica nga shtrati ishte i mesëm.

Operacioni parandalues për këtë zonë përfundoi me sukses, duke vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli, me pjesëmarrjen e AME, NJPZSH Mitrovicë Jugore dhe Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës.

Në rajonin e Ferizajt, u raportuan pesë raste vërshimesh në fshatrat Prelez, Mohoc, Tërrnë dhe Balaj, ku dy të moshuar u evakuuan nga zona e rrezikut.

Pompat janë aktive për të parandaluar përhapjen e ujit. Në rajonet e tjera, si Lipjan, Podujevë, Shtime, Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash, situata mbetet stabile dhe rrugët janë të kalueshme.

Raporti nënvizon gjithashtu se reshjet e borës që kanë filluar në shumicën e komunave kanë zbutur rrezikun nga vërshimet, ndërsa kujdesi për të evakuarit vazhdon.

Autoritetet theksuan se Qendra Operative e AME-së mbetet në gatishmëri të plotë për ndërhyrje emergjente, duke përfshirë aktivizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetje parandaluese.

AME apelon tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, sidomos në zonat e përmbytura dhe pranë lumenjve. /Telegrafi/


Ishte bllokuar për shkak të ujit, lirohet për qarkullim rruga Ferizaj-Gjilan

11 January 2026 at 15:50


Rruga rajonale Ferizaj-Gjilan, tek fshati Sojevë e cila më parë ishte e bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, është liruar për qarkullim nga ora 15:30.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka shtuar se sipas informatave nga njësitë në terren, të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt, përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë aktualisht të kalueshme dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.

Autoritetet rrugore dhe njësitë në terren apelojnë tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të udhëtojnë me kujdes, duke pasur parasysh kushtet e ndryshueshme atmosferike dhe mundësinë e grumbullimit të ujit në disa zona. /Telegrafi/

Vazhdojnë pa ndërprerje kërkimet për të riun e zhdukur në lumin Mat

11 January 2026 at 15:11


Kërkimet për gjetjen e të riut që dyshohet se është marrë nga rrjedha e lumit Mat, pas një aksidenti me makinë në zonën e Klosit, po vazhdojnë pa ndërprerje.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se operacioni i kërkimit po zhvillohet me përkushtim maksimal, duke përfshirë polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale si dhe 22 efektivë të Forcave të Armatosura.

Sipas njoftimit, në operacion po përdoren edhe dronë dhe pajisje të specializuara, ndërsa çdo metër i terrenit po kontrollohet në detaje, nga ura e Darsës në Klos e deri në territorin e bashkisë së Matit.

Autoritetet shprehen se po bëjnë përpjekje maksimale për gjetjen e të riut, ndërsa shpresojnë në një përfundim sa më të shpejtë të operacionit. /Telegrafi/

Atentati në Rinas, Prokuroria merr në pyetje Shullazin për ekzekutimin e mikut të tij

11 January 2026 at 15:04


Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiliano Shullazin, për llogari të hetimit të atentatit pranë aeroportit të Rinasit në nëntor 2025, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. Në ngjarje u plagos rëndë edhe Muçi Shaljani, i cili ndërroi jetë më vonë në spital.

Shullazi, aktualisht në burg si i dënuar për "gjobëvëbie" dhe "grup kriminal", por edhe si i dyshuar në një tjetër hetim të SPAK do të pyetet nëse ka dyshime për personat që kanë organizuar atentatit ndaj mikut të tij të ngushtë, Dani, shkruan A2 CNN.

Gjatë ditëve të fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që janë gjendur në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka patur informatorë në aeroport, që i kanë përditësuar çast pas çasti për lëvizjet e viktimave.

Gildmando Dani ishte lidhje e afërt e Shullazit. Si pjesë grupit kriminal të drejtuar prej tij Dani vuajti një dënim me burg për "gjobëvënie", nga ku u lirua në tetor 2024.

Dani u qëllua me breshëri automatike nga disa persona në një pritë në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit, teksa udhëtonte në një mjet të drejtuar nga Shaljani, pak minuta pasi ishin kthyer të dy nga Spanja.

​Rruga Prishtinë-Ferizaj edhe sot e mbyllur, askush nuk intervenoi

11 January 2026 at 15:00


Rruga nacionale Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas që nga dje por edhe sot po vazhdon të jetë e mbyllur si pasojë e ujit në rrugë.

KosovaPress dje dhe sot ka qëndruar në këtë pjesë për të parë nga afër situatë.

Aty veturat po detyrohen të kthehen. Ndërkohë, deri tash nuk janë parë ndonjë ekipë të ketë intervenuar për ta larguar këtë pengesë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të infrastrukturës, Hysen Durmishi ka shkruar dje se në rrugën Prishtinë - Ferizaj, ende kemi bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike. /KP/

Gjendja e të plagosurit në Pejë është stabile, po trajtohet në QKUK

11 January 2026 at 14:54


Personi i cili u plagos e armë zjarri sot në Pejë, aktualisht ndodhet në Qendrën Emergjente në reanimacion ku po vazhdon trajtimi mjekësor dhe po kryhen ekzaminime shtesë.

Doktoresha Vlora Podvorica ka bërë të ditur për Telegrafin se pacienti është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga stafi mjekësor dhe se po zhvillohen konsulta të nevojshme mjekësore për vlerësimin e mëtejmë të gjendjes shëndetësore.

“Pacienti ndodhet në Qendrën Emergjente, në Reanimacion, duke bërë ekzaminimet shtesë dhe konsultat e nevojshme. Gjendja e përgjithshme për momentin është stabile”, ka deklaruar doktoresha Podvorica.

Ajo ka shtuar se ekipi mjekësor po vepron sipas protokolleve dhe se pacienti po monitorohet nga afër për çdo ndryshim eventual të gjendjes shëndetësore.

Lidhur me rastin policia ka njoftuar se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të përfshirë në këtë incident. /Telegrafi/

Malisheva shtyn sërish nisjen e mësimit për shkak të reshjeve

11 January 2026 at 14:43


Si pasojë e reshjeve gjatë ditëve të vikendit, Komuna e Malishevës ka marrë vendim që sërish të shtyjë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë.

Në vendimin e marrë nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë theksohet se si pasojë e reshjeve situata në terren është rënduar.

Procesi i mësimit pritet të nis më 14 janar.

“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit, të cilat kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet me datën 14 janar 2026”, thuhet në vendim.

Njëherësh, shtyrja e mësimit është bërë edhe në SHFMU-në “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë. /Telegrafi/


Pas reshjeve, i ftohti përfshin Kosovën - temperaturat do të bien deri në -12°C gjatë javës

11 January 2026 at 14:28


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për javën e ardhshme, nga 12 deri më 16 janar 2026, duke paralajmëruar depërtim të masave të ftohta ajrore dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë territorin e vendit.

Sipas IHMK-së, pas reshjeve rekorde që kanë përfshirë pothuajse gjithë Kosovën ditët e fundit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve, por java do të karakterizohet me mot të ftohtë.

Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ditore gjatë mesditës do të arrijnë deri në 7 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare.

Mëngjeset do të jenë të ftohta dhe me ngrica, ndërsa vende-vende pritet të ketë edhe mjegull, çka mund të vështirësojë qarkullimin rrugor.

Nga IHMK këshillohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në trafik, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, veçanërisht gjatë orëve të hershme të mëngjesit. /Telegrafi/

Ndërroi mbiemrin për t’iu shmangur drejtësisë, arrestohet në Skenderaj i dyshuari që ishte në kërkim

11 January 2026 at 14:02


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me disa urdhëresa aktive të gjykatave, gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar më 10 janar 2026, rreth orës 18:00, në Skenderaj.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet me targa të Bosnjë e Hercegovinës, ku gjatë verifikimit është konstatuar se personi i ndaluar kishte ndërruar mbiemrin.

Megjithatë, pas verifikimeve të hollësishme, është vërtetuar se i njëjti ishte person i kërkuar me tri urdhëresa aktive nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, si dhe dy letërreshtime nga Gjykata Themelore në Gjilan.

I dyshuari ishte në kërkim për disa vepra penale, përfshirë dëmtim apo asgjësim të pasurisë, trafikim me njerëz dhe falsifikim të dokumentit.

Në bazë të urdhëresave të gjykatës, personi ishte i dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, ai është dërguar në vuajtje të dënimit. /Telegrafi/

Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit - rritje në shifra, ulje në jetën reale

11 January 2026 at 13:40


Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit: rritje, ulje, stagnim dhe kriza.

Edhe pse të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës tregojnë se ka rritje të disa indikatorëve ekonomikë, në terren vazhdojnë ankesat e qytetarëve për përkeqësim të standardit të jetesës.

Viti 2025 është mbyllur me rritje ekonomike prej 3.9 për qind dhe parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë që, këtë vit, kjo shifër të arrijë në 4.1 për qind.

Rritja sipas BQK-së do të mbështetet te konsumi privat, rimëkëmbja graduale e eksportit dhe zbutja e inflacionit.

Por, në vitet e fundit – sidomos pas pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe nisjes të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022 – shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve esenciale ishin ndër temat më të përfolur në Kosovë.

Qytetarët shpesh janë ankuar se inflacioni ka ulur fuqinë e tyre blerëse, duke i detyruar shumë prej tyre të heqin dorë nga produkte dhe shërbime, pasi që pagat nuk mjaftojnë për të përballuar të gjitha shpenzimet e nevojshme.

Ndërkohë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës kanë theksuar se inflacioni vjen për shkak të varësisë së vazhdueshme të shtetit nga importi i produkteve të huaja.

Me qëllim zbutjen e inflacionit, Qeveria e Kosovës ka rritur pagat në sektorin publik. Ndërkaq, sektorin privat ka tentuar ta ndihmojë me platformën “Superpuna”, e cila ka nisur në vitin 2023.

Përmes kësaj platforme, Qeveria subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muajt e parë, në vlerë të pagës minimale prej 350 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Por, kjo rritje e pagave, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk është përkthyer në përmirësimin e standardit të jetesës se qytetarëve për shkak të inflacionit të lartë.

Në vitin 2025 numri i të punësuarve ka kaluar mbi 400 mijë, duke vazhduar kështu trendin e rritjes së numrit të punësuar me kontratë formale.

Ndërkaq, në mesin e personave të papunë ka më së shumti gra, të cilat mbajnë barrën më të madhe për kujdesin ndaj familjes dhe fëmijëve.

Numri i vogël i çerdheve, sidomos në zonat rurale, vlerësohet si një ndër faktorët që ka pamundësuar që gratë të futen në tregun e punës.

Një çështje nga e cila vuan ekonomia e Kosovës, sipas ekspertëve të fushës, është sasia e lartë e produkteve të importuara nga tregjet e huaja.

Me gjithë mbështetjen e prodhuesve kosovarë, ende nuk është arritur të ndryshohet deficiti tregtar për shkak të kapaciteteve të kufizuara prodhuese.

Vlera e importit tashmë ka arritur në gjashtë miliardë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që kanë dalë në tregjet e jashtme është më pak se një miliard euro.

Investimet e huaja në Kosovë konsiderohen shtytës i zhvillimit ekonomik. Megjithëse, viteve të fundit ka rritje të investimeve të huaja direkte sipas shifrave zyrtare, por kjo gjithmonë ka nxitur diskutime se shumica vijnë nga diaspora që investon në patundshmëri.

Si pengesë për investitorët e huaj në Kosovë janë përmendur më parë procedurat e shumta burokratike, ndërkohë që në vitet e fundit është rritur vlera e investimeve nga Kosova jashtë vendit.

Paratë e diasporës dërguar familjarëve të tyre në Kosovë mbeten një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë në vend.

Remitencat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, duke zvogëluar varfërinë dhe rritur konsumimin.

Por, jo gjithmonë është lavdëruar mënyra e shfrytëzimit të këtyre mjeteve, pasi që është kërkuar ndërrimi i fokusit. Sipas ekspertëve, investimi në projekte kapitale do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Sfida kryesore mbetet përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie reale, përmes rritjes së prodhimit vendor, pagave të qëndrueshme, uljes së varësisë nga importi dhe krijimit të një klime më të favorshme për investime afatgjata. /REL/

Ushtronin prostitucion në dy apartamente, arrestohen 3 shtetase nga Kolumbia në Elbasan

11 January 2026 at 13:36


Policia e Elbasanit arrestoi në flagrancë 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytetin e Elbasanit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Transit” u vunë në pranga shtetaset D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, të tria shtetase kolumbiane, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. J., 34 vjeçe, pronare e apartamentit ku kryhej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Nga hetimet u provua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme. /euronews/

Osmani kujton Enver Malokun: Besoi në fuqinë e fjalës dhe në vizionin rugovian të lirisë

11 January 2026 at 13:22


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot veprën dhe figurën e Enver Malokut, intelektualit, atdhetarit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Osmani e ka cilësuar Malokun si “zërin e urtësisë dhe të dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën”, duke theksuar rolin e tij si arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën e Kosovës përtej kufijve.

“Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

Ajo ka shtuar se Maloku i shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në procesin e shtetformimit të Kosovës.

Osmani ka rikujtuar gjithashtu se vrasja e Enver Malokut mbetet ende një krim i pazbardhur, duke theksuar se vendosja e autorëve para drejtësisë është obligim i institucioneve dhe borxh ndaj së vërtetës.

“Është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë”, ka theksuar Osmani.

Në fund, ajo ka nderuar jetën dhe veprën e tij me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!” /Telegrafi/

Rrugët me borë, vështirësi në qarkullim drejt Aeroportit “ Adem Jashari”

11 January 2026 at 12:38


Qarkullimi në aksin rrugor Prishtinë – Pejë e respektivisht për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është zhvilluar me vështirësi sot në orët e mëngjesit, si pasojë e reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.

Siç shihet edhe në foto, në këtë segment janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa rruga paraqitet e mbuluar me borë dhe e rrëshqitshme.

Drejtuesit e automjeteve janë detyruar të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, për shkak të kushteve të rënda atmosferike.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe respektim të rregullave të trafikut, sidomos në drejtim të aeroportit, ku fluksi i automjeteve mbetet i lartë gjatë orëve të para të ditës.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës./RTK/

"Dera është e hapur" - Veliu mesazh Abdixhikut: Dorëheqja nuk është dobësi, por akt force

11 January 2026 at 12:31


Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka reaguar sërish rreth situatës së krijuar brenda LDK-së pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.

Veliu thekson se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.

“Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike”, ka shkruar Veliu në një reagim në Facebook.

Ai shprehet se humbjet e LDK-së nuk mund të relativizohen e as të kalohen me heshtje.

“Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike. Prandaj: dera është e hapur!”, ka shkruar Veliu, duke i dërguar kështu mesazh direkt kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhiku.

Veliu bën thirrje për një proces të hapur dhe demokratik brenda LDK-së, duke përfshirë: Analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe demokraci funksionale dhe proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.

Ai thekson rëndësinë e ekipit dhe jo e individëve të përhershëm.

“LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm! Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së”, ka theksuar Veliu.

Duhet theksuar se ditëve të fundit ka pasur shumë zëra kritik brenda dhe jashtë LDK-së, rreth rënies që kjo parti ka pasur në rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke fajësuar lidershipin e këtij subjekti për mungesë vizioni. /Telegrafi/

​Rrëfimi që theu heshtjen 26-vjeçare, viti kur të mbijetuarit folën

11 January 2026 at 12:21


Viti 2025 shënoi një kthesë të rëndësishme për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë.

Një burrë rreth të pesëdhjetave nga Drenasi rrëfeu për herë të parë publikisht për dhunimin seksual.

Ramadan Nishori, i cili mbajti të heshtur për më shumë se 26 vjet gjithë tmerrin e përjetuar, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, më 14 prill, rrëfeu të gjithë ngjarjen para shoqërisë kosovare.

Pas daljes publike, ai thotë për KosovaPress, se ndjehet më i lirë shpirtërisht dhe se nuk e kishte pritur asnjëherë këtë përkrahje të qytetarëve.

Rrëfimi i tij ka nxitur edhe burra të tjerë, por edhe gra, që të paraqiten në organizata për të kërkuar ndihmë psikologjike, juridike dhe për të aplikuar për njohjen e statusit.

“Nuk është e thënë që çdo i mbijetuar, se për me dalë publikisht janë disa shkallë pak më, duhet me kaluar nëpër të. Edhe kështu që nuk është puna veç me dalë me fol publikisht. Jo. Le të vijnë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë më së pari. Ajo është shpëtimi. Siç e kam cekur disa herë unë shumë herë para se me ardh në organizatë kam menduar me i bë keq vetvetes. E tash e di, unë qysh çfarë heqin ata njerëz. Se unë kam kaluar nëpër atë”, rrëfen Nishori.

Jeta e tij pas 14 prillit të vitit të kaluar ka ndryshuar shumë.

Burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual thotë se po ta dinte se do ta merrte këtë përkrahje, do të fliste shumë më herët.

“Po, prej 14 prillit është, të drejtën me thënë, unë jam më i lirë kështu shpirtërisht. Kur shoh çfarë përkrahje po më dhënë të gjithë, si në rrugë tash sot, me ndal një njeri në rrugë me thotë a ka mundësi me pi një kafe me ty, është një respekt shumë i madh. Me pas ditë, me të vërtetë, me pas ditë që e kam këtë përkrahje kështu, më herët kisha dalë. Se ndihem një njeri shumë më i çliruar”, shton ai për KosovaPress.

Dani, siç e thërrasin rrethi e familja, thotë se përkrahja nga të tjerët është vendimtare që të mbijetuarit të thyejnë heshtjen.

“Pasi kam folur publikisht, kam thënë që në qoftë se edhe një person i mbijetuar vjen të kërkoj ndihmë, unë e kam kryer misionin tim. Po kanë ardhur më shumë. Kështu që jam shumë i lumtur me këtë. Edhe çdoherë iu bëjë thirrje, në çdo intervistë, nuk është me rëndësi në cilën organizatë shkoni, ku ta ndjeni veten më të lirë. Se unë e di, unë për vete kur kam kaluar nëpër atë, me ardhë në një organizatë ku e ke më afër, thua mos po qëllon me ndonjë të njohur apo më sheh dikush, kështu të hyjnë edhe janë ato paragjykime që të vijnë vetvetiu.. Edhe kështu që iu bëj thirrje, le të vijnë nëpër organizata. Janë katër organizata. Ku ta ndjejnë veten më të lirë, le të vijnë, le të kërkojnë ndihmë. Që kjo është shpëtimi për ta. Tani të aplikojnë për njohjen e statusit, edhe kjo është shpëtim për ta”, përfundon ai.

Rrëfimi publik i Ramadan Nishorit, ka thyer edhe një tabu tjetër thotë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti. Ajo thotë se pas rrëfimit të tij, ka pasur shumë burra që për herë të parë janë paraqitur në organizatë.

“Historia e Danit e ka thyer edhe një tabu tjetër. Ka treguar që edhe burrat mund të afektohen nga dhuna seksuale gjatë luftës. Guximi i tij, që ai përmes stories së tij ka arritur të dëshmojë edhe të çojë mesazhe pozitive edhe për t’i ftuar burrat edhe gratë e tjera të aplikojnë, ka nxitur më pastaj në, jo vetëm në organizatën tonë, por edhe në organizata të tjera, që me ardhë edhe gra, edhe burra, edhe të kërkojnë edhe shërbime, por edhe të drejtat e tyre, kështu që ne mendojmë që historia dhe guximi i Danit e ka sfiduar edhe njëherë e mirë i ka dhënë fund tabusë në relacion me burrat e afektuar nga dhuna seksuale e luftës”, thotë Rushiti.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, gjatë vitit të kaluar kanë aplikuar mbi 2300 burra dhe gra.

“Këtë vit Komisioni ka shqyrtuar 270 raste duke përfshirë rastet e reja, rishqyrtimet dhe kërkesat tjera. Në proces janë 39 aplikacione. Ndërsa që nga fillimi i procesit me 05.02.2018 e deri më sot kemi pranuar gjithsej 2396 aplikacione, nga to i’u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës1884 aplikuesve (1776 femrave dhe 108 meshkujve)”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

Vitin e kaluar e konsideron të drejtësisë, drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti. Ajo tregon se kanë punuar me numër të madh të grave që të përgatiten për të dhënë dëshmitë e tyre për tmerret që kanë përjetuar.

“Me dënimet e mëhershme, kemi arritur 58 vjet dënime për persona që kanë qenë të përfshirë në krime të dhunës seksuale të luftës, por për më shumë janë edhe 12 aktakuza të ngritura, të cilat janë në proces e sipër, dhe për secilin rast, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me një ekip profesional, që ka një qasje të integruar në aspektin psiko-social dhe juridik, ka punuar edhe po punon që rastet me arrit, të dëshmojnë të vërtetën e tyre, pavarësisht se jemi 26 vjet pas luftës. Mos harrojmë se këto gra kanë edhe pasoja, edhe aspekti neurobiologjik i traumës i bën që atë mozaikun komplet të traumës me pas vështirë ta dëshmojnë, kështu që po punojmë që këto të dëshmojnë suksesshëm edhe me arrit me marrë drejtësi”, shprehet ajo.

Rastet të cilat janë paraqitur për herë të parë gjatë vitit të kaluar, Rushiti shton se për shkak të heshtjes kanë pasoja të rënda shëndetësore.

“Dua të them që këtë vit, vitin që shkoi kemi pasur raste të cilat kanë ardhur, po dallojnë dukshëm prej rasteve të cilat janë trajtuar më herët. Këto gra dhe këta burra, për shkak se e kanë internalizuar dhimbjen, heshtjen e tyre për vite me radhë. Ajo pastaj ka bërë probleme tjera organike. Kanë ardhur me çrregullime gastrointestinale, kanë ardhur me çrregullime të tensionit, hormonale, dhimbje koke, domethënë, ai somatizim që ndër vite nuk është trajtuar, nuk kanë arritur ata kërkund me shkarkuar dhimbjen e tyre në formë profesionale, pastaj ka lënë pasoja shëndetësore, çka na vjen keq po rastet që po vijnë, domethënë, janë raste më të komplikuara karshi atyre që kanë marrë trajtime më afatgjata dhe që kanë ardhur në fazat e hershme të traumës së tyre”, përfundon ajo.

Gruaja e parë që ndau rrëfimin e saj për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka qenë Vasfije Krasniqi Goodman. Më pas, Shyrete Tahiri Sulimani ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë. Ndërkaq, aplikimi për njohjen e statusit ka filluar në vitin 2018./KP/

Mungesa e ngrohjes, shkolla “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë shtyn fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

11 January 2026 at 12:16


Nxënësit e shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, nuk do të fillojnë nesër procesin e mësimit.

Klasat 6 deri 9, do të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më vonë, për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore dhe temperaturave të ulëta.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, mësimi do të shtyhet deri më 19 janar 2026.

“Vendimi është marrë për të garantuar kushte më të sigurta dhe më të rehatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit”, është bërë e ditur në njoftimin e shkollës.

Shkolla ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe stafin për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.

Kujtojmë se fillimi i procesit mësimor ishte planifikuar të niste më 8 janar, por për shkak të vërshimeve pas reshjeve MASHTI mori vendim për shtyrje deri më 12 janar. /Telegrafi/


Përmbytjet, Rama: Gati plani për dëmshpërblim - presim rezultatin nga verifikimi

11 January 2026 at 11:51


Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka gati planin për shpërblimin e dëmeve nga përmbytjet që prekën vendin ditët e fundit.

Duke folur në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se niveli i dëmeve gjatë përmbytjeve të fundit është shumëfish më i vogël se ai i përmbytjeve që ndodhnin 10 vjet më parë, dhe kjo në sajë të investimeve shumë të mëdha në infrastrukturë.

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’ është motoja ime dhe e jona sa herë që përballemi me fatkeqësi. Të goditurit e kësaj fatkeqësie dua t’u them se qëndrojmë krah tyre për banesat dhe gjënë e gjallë, për rregullimin e çdo dëmi me të cilin përballemi. Është tashmë gati plani me skenarët për dëmshpërblimet dhe pritet nisja e shpërndarjes së tyre pas rezultateve nga verifikimi në terren”, tha Rama./euronews/

Jaka: Kosova është investitori kryesor i huaj në Shqipëri në vitin 2025

11 January 2026 at 11:46


Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, në një bisedë për Radio Kosovën, ka thënë se një trend i veçantë i periudhës së fundit është se Kosova është bërë investitori më i madh në Shqipëri, duke çuar në rritje të ndjeshme të investimeve direkte dhe duke shfrytëzuar potencialin e tregut shqiptar në sektorë si pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, energjia dhe turizmi.

Z. Jaka, si e vlerësoni nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Nikolin Jaka: Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka njohur përmirësime të dukshme gjatë viteve të fundit, duke reflektuar vullnetin politik dhe interesin në rritje të komunitetit të biznesit në të dy vendet. Shkëmbimet tregtare kanë arritur në nivele historike. Për pjesën e parë të vitit 2025, eksportet shqiptare në Kosovë vlerësohen rreth 420 milionë euro (rreth 41 miliardë lekë), pothuajse dyfish më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Importet nga Kosova drejt Shqipërisë janë gjithashtu në rritje, por në përgjithësi mbeten në nivele më të ulëta krahasuar me eksportet e Shqipërisë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre rezultateve, niveli aktual i bashkëpunimit mbetet ende nën kapacitetin real që dy ekonomitë mund të arrijnë, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet historike dhe kulturore, si dhe strukturën komplementare të tregjeve. Tregtia është e përqendruar kryesisht në sektorë tradicionalë si materialet e ndërtimit, karburantet, pijet, metalet dhe mineralet, ndërsa sektorë të tjerë me vlerë të shtuar mbeten të pashfrytëzuar.

Nga perspektiva e biznesit, pengesat administrative, procedurat doganore, si dhe zbatimi jo gjithmonë efektiv i marrëveshjeve ekzistuese, vazhdojnë të konsiderohen si barriera në thellimin real të bashkëpunimit ekonomik. Për këtë arsye, është e nevojshme një qasje më praktike dhe e koordinuar, e fokusuar në lehtësimin e procedurave, harmonizimin e rregulloreve dhe krijimin e kushteve konkrete që bizneset të operojnë më lirshëm dhe më konkurrueshëm në të dy tregjet.

Cilët janë sektorët kryesorë ku bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve ka shënuar rritje vitet e fundit?

Nikolin Jaka: Vitet e fundit, bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar rritje në disa sektorë kyçë, ku interesimi i bizneseve dhe mbështetja institucionale kanë dhënë rezultate konkrete.

Një nga fushat kryesore mbetet tregtia e mallrave industriale, veçanërisht materialet e ndërtimit, mineralet, energjia dhe produkte të tjera industriale, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Sektori i energjisë përfaqëson një drejtim të rëndësishëm dhe relativisht të ri bashkëpunimi, veçanërisht përmes funksionimit të bursës shqiptare të energjisë ALPEX dhe projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë elektrike, të cilat po krijojnë mundësi për optimizimin e burimeve dhe stabilizimin e tregut energjetik në nivel rajonal.

Gjithashtu, transporti dhe infrastruktura logjistike janë fusha ku bashkëpunimi është intensifikuar, veçanërisht në drejtim të përdorimit të porteve shqiptare nga bizneset e Kosovës dhe realizimit të projekteve infrastrukturore që synojnë lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve.

Në sektorin e bujqësisë dhe produkteve ushqimore, ka pasur rritje të shkëmbimeve tregtare dhe nisma bashkëpunimi në nivel qeveritar, megjithëse ekziston ende potencial i pashfrytëzuar për rritjen e vlerës së shtuar dhe standardizimin e produkteve.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, investimet direkte ndërmjet dy vendeve mbeten ende relativisht modeste. Sektori privat vazhdon të kërkojë një mjedis më të favorshëm biznesi, infrastrukturë më të zhvilluar dhe mekanizma mbështetës që do të nxisnin bashkëpunime më të thelluara dhe afatgjata.

Çfarë ndikimi kanë pasur marrëveshjet ndërqeveritare në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve?

Nikolin Jaka: Marrëveshjet ndërqeveritare kanë pasur një rol të rëndësishëm në krijimin e bazës institucionale dhe ligjore për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nga këndvështrimi i biznesit, këto marrëveshje janë thelbësore pasi krijojnë siguri juridike për investitorët. Veçanërisht marrëveshjet për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve dypalëshe që synojnë të rrisin kapitalin ndërkufitar dhe të inkurajojnë angazhimin më aktiv të sektorit privat në të dy tregjet.

Gjithashtu, marrëveshjet e reja në fusha si bujqësia, sigurimet shoqërore, hekurudhat, energjia dhe bashkëpunimi kufitar kanë zgjeruar ndjeshëm kornizën e bashkëpunimit ekonomik, duke krijuar premisa për integrim më të thelluar të tregjeve dhe përmirësim të kushteve operacionale për bizneset.

Lehtësirat doganore, njohja reciproke e dokumenteve dhe standardeve industriale, si dhe masat për thjeshtimin e procedurave, kanë ndihmuar në reduktimin e barrierave për tregti dhe në rritjen e mobilitetit të mallrave dhe shërbimeve ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, duhet theksuar se, pavarësisht progresit në nivel formal dhe institucional, ndikimi real i këtyre marrëveshjeve në terren shpesh mbetet më i kufizuar për shkak të sfidave në zbatimin praktik. Për komunitetin e biznesit, fokusi kryesor duhet të jetë tani te monitorimi i zbatimit, koordinimi institucional dhe shndërrimi i këtyre marrëveshjeve nga dokumente formale në instrumente funksionale që prodhojnë rezultate konkrete ekonomike.

Sa i interesuar është sektori privat për investime të ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Nikolin Jaka: Mungesa e barrierave gjuhësore dhe kulturore, afërsia gjeografike dhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës e bëjnë procesin e integrimit të bizneseve shumë më të lehtë dhe më të shpejtë.

Megjithatë, një trend i dukshëm i viteve të fundit është se bizneset nga Kosova tregojnë një interes shumë më të lartë për të investuar në Shqipëri sesa bizneset shqiptare në Kosovë. Në fakt, Kosova është bërë investitori kryesor i huaj në Shqipëri për vitin 2025, duke shënuar një vit rekord për flukset e kapitalit dhe blerjet strategjike në tregun shqiptar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm për tremujorin e tretë të 2025, investimet nga Kosova arritën 90 milionë euro, katër herë më shumë se një vit më parë. Për të gjithë 9-mujorin e vitit, investimet direkte nga Kosova kapën 153 milionë euro, duke regjistruar një rritje dramatike prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Referuar këtyre shifrave, mund të themi se janë disa arsye pse Shqipëria paraqet interes për shumë biznese nga Kosova. Së pari, Shqipëria ofron një treg në rritje, veçanërisht falë zhvillimit të turizmit dhe rritjes së konsumit, si dhe mundësive për zgjerim në sektorë të ndryshëm, që e bëjnë vendin një destinacion shumë të favorshëm për investime.

Në Shqipëri, ndërkohë, ka kërkesë të lartë për banesa dhe prona, veçanërisht nga të huajt dhe diaspora shqiptare. Për pasojë, duke qenë se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme, kompanitë e ndërtimit në Kosovë kanë shfaqur interes të lartë. Kompani ndërtimi nga Kosova kanë blerë pjesë në kompani shqiptare për të pasur lehtësi ligjore, për të marrë leje ndërtimi më shpejt dhe për të ndërtuar me partnerë lokalë, duke parë mundësi të shumta për projekte të reja. Në ndryshim nga Kosova, ku tregu është i tejngopur, Shqipëria ofron një hapësirë më të madhe.

Nga ana tjetër, Shqipëria ofron një gamë të gjerë incentiva për bizneset nga Kosova, si në formë zyrtare, ashtu edhe përmes lehtësirave praktike.

Nga perspektiva jonë institucionale, ky trend duhet parë jo si një largim i kapitalit, por si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mbarëkombëtar dhe për të krijuar një hapësirë më të integruar biznesi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nikolin Jaka: Ky është momenti që të punojmë shumë që institucionet të krijojnë mekanizma mbështetës për bizneset, duke e bërë këtë proces më të strukturuar, më të sigurt dhe me përfitime afatgjata për të dyja palët./rtk/

Plagosja në Pejë, prokurori i Krimeve të Rënda në vendngjarje

11 January 2026 at 11:28


Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Pejë, ku një person është plagosur me armë zjarri.

Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55, dhe se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Me të pranuar informatën, prokurori i Krimeve të Rënda së bashku me njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkëndor Nikçi, ka deklaruar për Telegrafin se në vendin e ngjarjes po kryhen të gjitha veprimet hetimore nga njësitë e krimteknikës.

Ai shtoi se po punohet intensivisht për identifikimin e personave të dyshuar dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.

“Prokurori i Krimeve të Rënda së bashku me njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë edhe krimteknika duke u kryer të gjitha veprimet hetimore, dhe njëkohësisht duke punuar për identifikimin e peronave të dyshuar”, ka thënë Nikçi.

Sipas raportimeve në media, i plagosur është afaristi i njohur J.B., i cili është dërguar menjëherë në trajtim mjekësor në spitalin e Pejës e më pas është transferuar për në QKUK. /Telegrafi/

Rruga Ferizaj-Gjilan vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të ujit

11 January 2026 at 11:10


Rrugët në rajonin e Ferizajt, duke përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë kryesisht të kalueshme për qarkullim, njofton Policia Rajonale e Ferizajt.

Përjashtim bën aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojev, i cili për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë mbetet i mbyllur për qarkullim.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli shtoi se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

Ai apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër fshatra, ku kushtet atmosferike dhe sasia e borës mund të ndikojnë në qarkullim.

Veslei gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës.

Policia njofton se patrullat janë në terren dhe do të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e rrugëve për sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/

❌
❌