Pretendimet e Vuçiqit: SHBA-ja dhe Turqia po armatosin shqiptarët për të kërcënuar Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën se po krijojnë një “aleancë ushtarake” që synon rrezikimin e Serbisë.
Deklarata u bë gjatë një fjalimi para ambasadorëve të huaj, ku Vuçiq vuri në pikëpyetje të drejtën e këtyre vendeve për të bashkëpunuar në fushën ushtarake.
Ai tha se tri vendet kanë zgjeruar marrëveshjet e tyre ushtarake edhe me Slloveninë dhe përpiqen të përfshijnë Bullgarinë në këto procese, duke theksuar se qëllimi është rrezikimi i integritetit territorial të Serbisë dhe sulme ndaj popullsisë civile dhe strukturave ushtarako-policore.
“Amerikanët po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe Turqia. Qëllimi është sulm ndaj Serbisë dhe popullsisë serbe,” deklaroi Vuçiq.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia në vitin 2024 ka shpenzuar 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë, që përbëjnë 2.6% të produktit të brendshëm bruto, duke qenë shteti me investimin më të madh ushtarak në rajon.
Incidenti më i rëndë i armatosur kohëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndodhi në shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor. Tre sulmues mbetën të vrarë gjithashtu.
Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.
Vuçiq gjithashtu akuzoi Kosovën dhe fuqitë e mëdha se nuk po respektojnë asgjë nga ajo që është nënshkruar deri tani në kuadër të dialogut të Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Marrëveshja e fundit u arrit pikërisht nga Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shkurt të vitit 2023.
Zbatimi i asaj marrëveshjeje, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, nuk ka filluar kurrë.
Në kundërshtim me marrëveshjen e arritur atëherë, sipas së cilës Serbia do të ndërpriste fushatën për çnjohjen e Kosovës, Vuçiq paralajmëroi se Serbia “do të duhet të vazhdojë punën e vështirë dhe të lodhshme për anulimin e njohjeve”.
