Qëndron i lënduar gjatë tërë kohës, por Barcelona i ka ofruar kontratë të re yllit të skuadrës
Mbrojtësi i Barcelonës, Andreas Christensen, për një kohë të gjatë është konsideruar si një largim i mundshëm nga klubi, por duket se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Kataloni.
Mbrojtësi danez ka kontratë deri në verë dhe Barcelona nuk i kishte ofruar ende një marrëveshje të re. Megjithatë, Christensen ka shprehur dëshirën për të qëndruar në klub dhe ka deklaruar se është i lumtur atje.
Si pasojë, ai nuk ka zhvilluar bisedime me klube të tjera për një transferim të mundshëm gjatë verës së ardhshme.
Barcelona nuk kishte marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij, ndonëse kishte ofruar kontrata të reja për disa lojtarë që u skadonin marrëveshjet këtë verë, me përjashtim të Robert Lewandowskit, e ardhmja e të cilit mbetet e paqartë.
Pas dëmtimit të rëndë në ligamentin e kryqëzuar, i cili e ka lënë jashtë fushave të paktën deri në muajin prill, ishte krijuar përshtypja se Christensen po hynte në fazat e fundit të karrierës së tij te Barcelona.
Megjithatë, tani duket se ai do të ketë mundësinë të qëndrojë në klub edhe për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të Marca, tashmë është marrë një vendim për Christensen dhe atij pritet t’i ofrohet një zgjatje kontrate njëvjeçare.
I njëjti medium thekson se një nga arsyet kryesore për këtë vendim është profesionalizmi i treguar nga danezi, i cili gjithmonë e ka pranuar rolin e tij pa ankesa dhe është sjellë në mënyrë shembullore brenda skuadrës.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe mungesa e mbrojtësve qendrorë cilësorë në tregun e ardhshëm të transferimeve.
Pasi klubi hasi vështirësi për të gjetur përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit, drejtuesit e Barcelonës kanë preferuar të sigurojnë një alternativë të besueshme në formën e Christensen, në rast se nuk arrijnë të transferojnë një tjetër mbrojtës në verë./Telegrafi/
