“Karrierën” e tij kriminale Altin Ndoci, i arratisuri i ditës së sotme nga Spitali Rajonal i Durrësit, e ka nisur shumë i ri.
I lindur shtatorin e vitit 1987 në Trashan të Lezhës, sot 38-vjeç, përpara së të futej në organizatat më të mëdha kriminale të vendit,
Ndoci ka qenë i përfshirë në trafik droge ndërsa në vitet 2014-2015 ishte bërë tmerri i Tiranës, për të paktën 10 grabitje me dhunë.
Si pjesë e krimit të organizuar akuzohet se ka marrë pjesë në disa vrasje të bujshme, ka qenë pjesë e planeve për disa të tjera, përfshirë luftën mes grupeve më të forta kriminale të Elbasanit, Endrit Alibejt dhe vëllezërve Çopja.
LEXO EDHE: SPAK dërgon për gjykim grupin “Çopja”: Akuza për vrasje, korrupsion dhe pastrim parash
Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për vrasje Altin Ndocin.
LEXO EDHE: PAMJET/ Dyshohet se u prit nga një “Audi”! Momenti kur Ndoci ia fut vrapit, polici me armë në dorë…
Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në 2 vrasje të ndryshme me 4 viktima, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj dhjetorin e vitit 2019 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës në vitin 2020, po në qytetin bregdetar.
Por në prill të 2024-ës GJKKO pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm.
Vetë Klevis Alla që e kishte përfshirë në këto vrasje u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit
Megjithëse mori pafajësi, Altin Ndoci nuk mund të lirohej nga burgu. Ndaj tij SPAK ngriti akuza të tjera të rënda për vrasje, pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, dy të penduar të tjerë të drejtësisë.
Nga Dumani Altin Ndoci akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në 2019-ën në Peqin.
Ndërsa nga Alibej, 38-vjeçari Ndoci akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës. Në këtë ngjarje mbeti i ekzekutuar edhe vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Endrit Alibej.
Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit.
Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, ishte planifikuar të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq.
I riu nga Trashani i Lezhës, ose nuk shkoi në varrim nga frika e një atentati ndaj tij, ose ekzekutorët nuk arritën ta identifikonin dot.
Vetë Ndoci, sipas transkriptimeve në bisedat në Skyecc ka bërë disa herë plane për ekzekutimin e Erion Alibejt, që do ta realizonte vetë me snajper, por edhe këto plane dështuan.
Altin Ndoci është dërguar për gjykim nga SPAK një herë në vitin 2023 për vrasjen e dhjetorit 2019 ndaj Andi Zylyfit dhe më pas në tetor 2025 me organizatën kriminale të Çopjave.
SPAK thotë se Altin Ndoci ishte pjesë e grupit të Talo Çelës, i cili drejtonte krahun e armatosur të organizatës së kryesuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Ai ishte rekrutuar nga Talo Çela si vrasës me pagesë.
Pas arratisjes së shumëkërkuarit Talo Çela, Ndoci e ndihmoi atë që t’i fshihej prangosjes, duke i garantuar strehim dhe ushqim.
I arratisuri cilësohet nga autoritet një personazh me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, dhe dallohet si vrasës gjakftohtë mes elitës së krimit të organizuar në vend.
Edhe pse kanë kaluar disa orë nga arratisja e tij dhe pavarësisht kontrolleve të policisë, Altin Ndoci nuk është lokalizuar ende.