Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të pandehurit R.H., sipas planifikimit dhe në bazë të urdhrit të kontrollit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale krim i organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe vjen si rezultat i një procesi hetimor të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i ndodhur në vitin 2021.
Bëhet e ditur se në këtë çështje penale, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim.
Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit janë siguruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdim të procedurës hetimore.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H.
Emigrimi nuk nis gjithmonë me valixhe, shpesh nis me një kontratë pune ose me një martesë.
Në vitet e fundit, shqiptarët nuk largohen më vetëm për të “provuar fatin”, por për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme jashtë kufijve.
“Është një miksim i arsyeve dhe me fokus mos barazinë dhe është shkaktari që ka sjellë këtë masivitet largimi”, shprehet eksperti i ekonomisë Igli Tola.
Emigrimi nuk është më vetëm ekonomik. Martesa është kthyer në një rrugë të rëndësishme largimi, veçanërisht për gratë. Bashkimi familjar dhe martesat me shtetas të huaj ose emigrantë shqiptarë të vendosur prej vitesh jashtë vendit, kanë krijuar një formë më të heshtur, por më të qëndrueshme emigrimi. Ky emigrim nuk është i përkohshëm, është emigrim për jetë.
INSTAT në raportin e diapsorës vë në dukje se pjesa më e madhe e lëvizjeve dhe marrjes së lejeve të qëndrimit lidhet me bashkimin familjar, në vend të dytë për punësim dhe më pak për studim. Teksa meshkujt largohen për të punuar dhe vajzat në një pjesë të rasteve nëpërmjet martesave.
“Largohen për shkak të mungesës së punës, kërkesës për një pagë më të lartë por dhe ritmi ciklit fizioliogjik marin dhe familjet e tyre siç ka qenë me gjeneratat e mëparshme”, thotë eksperti.
Harta e emigrimit shqiptar ka një gjeografi të qartë. Italia dhe Greqia mbeten destinacionet tradicionale, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve historike. Gjermania, Zvicra dhe Austria janë zgjedhje për punë afatgjata dhe stabilitet ekonomik. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA përfaqësojnë “ëndrrën e largët”, ku emigrimi shpesh lidhet me arsim, punë të specializuar dhe integrim brezash.
“Kemi largimin akoma më të madh të krahut të kualifikuar mjekët infermierët që krijojnë vakanca në sistemin shëndetësor”, u shpreh Tola.
Shqipëria, ndërkohë, mbetet vendi nga ku njerëzit nisen jo gjithmonë për t’u kthyer, por për të gjetur atë që u mungon: punë, siguri dhe një të ardhme më të parashikueshme./Top Channel
“Instrumentet janë: buxheti i shtetit, Agjencia e Mbështetjes së Zhvillimit Rural, agro-kredia dhe linja e re e financimit të Bankës Shqiptare për Zhvillim”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama në datë 15 dhjetor 2025.
Një buxhet më i lartë, që do të pasqyrohet në më shumë subvencione. Rikthimi i rimbursimit 10% për fermerët për faturat që dorëzojnë te grumbulluesit apo përpunuesit, si edhe Banka Shqiptare për Zhvillim, e cila pritet të nisë funksionimin këtë vit, sipas qeverisë pritet t’i ndryshojnë “ngjyrën” një sektori që vitet e fundit ka humbur ndikimin që ka pasur në ekonomi. Por a ndajnë të njëjtin mendim ekspertët e fushës?
“E gjithë mbështetja për bujqësinë për vitin që kaloi ka qenë rreth 50 milionë euro, një shifër shumë e vogël krahasuar me vendet e rajonit. Maqedonia e Veriut ka 120 milionë euro, Kosova 100 milionë euro, ndërsa Serbia gati 300 milionë euro mbështetje nga buxheti i shtetit. Pra, jemi ende në shifra të ulëta”, tha eksperti i bujqësisë Gjok Vuksani.
Rreth 10 mijë fermerë që janë të pajisur me NIPT pranë tatimeve do të mund të kryejnë dy herë në vit procesin e rimbursimit për çdo faturë që do të dorëzojnë te grumbulluesit.
“Si ide mund të jetë diçka pozitive për uljen e kostove të prodhimit bujqësor, por djalli qëndron te detajet. Në radhë të parë, janë përjashtuar 30–40% e fermerëve që shesin në treg të lirë”, shtoi Vuskani.
E fundit, por me një rëndësi të lartë, është Banka Shqiptare për Zhvillim, e cila sipas kryeministrit Rama pritet të hapet vitin e ardhshëm dhe do të ofrojë kredi me norma interesi shumë të ulëta për financimin e fermerëve, ku shteti do të jetë aksioner me 51%.
“Unë mendoj se duhen politika më specifike, siç i kanë vendet e rajonit, ku mund të përfshihet subvencionimi i normës së interesit apo garancia për kolateralin nga shteti. Kjo do të bënte që fermeri të mos ketë frikë për të marrë kredi”, tha eksperti.
Sipas të dhënave, rreth 35% e të punësuarve në Shqipëri merren me bujqësi, ose 1 në 3 persona siguron jetesën duke punuar në sektorin bujqësor./Vizion+
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se bashkatdhetari, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të një embleme të UÇK-së në veturën e tij, është liruar dhe tashmë është në rrugë e sipër për t’u kthyer në Kosovë.
Sipas Kocit, identiteti i të liruarit nuk është bërë publik, ndërsa ai ishte ndaluar nga autoritetet serbe gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi.
Avokati ka ritheksuar se arrestimi ishte i pajustifikueshëm dhe ka përsëritur apelin drejtuar bashkatdhetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, duke shmangur kalimin nëpër Serbi me emblema apo simbole të UÇK-së në veturat e tyre, pasi veprime të tilla mund të çojnë në ndalim apo arrestim nga autoritetet serbe.
Gjatë vitit 2025 janë shtuar rastet e arrestimeve dhe një rrëmbim i shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe, shumica e të cilëve dyshohen për “krime lufte” ose “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”.
Vëzhguesit e shohin valën e arrestimeve si pasojë të ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet sistemeve të drejtësisë.
Për autoritetet e Kosovës, ndalimet nën dyshime të tilla në Serbi janë arbitrare dhe të padrejta.
Sipas platformës “IQAir”, ku bëhen matjet e cilësisë së ajrit në të gjitha vendet e botës, Prishtina është renditur si qyteti i 13-të me ajrin më të ndotur, me indeks të cilësisë së ajrit 158, që konsiderohet “i pashëndetshëm”.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme, në vendet e ulëta, do të ketë mjegull të dendur. Prandaj, këshillohet që personat e ndjeshëm të shmangin daljet e panevojshme, ndërsa drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Prishtina ka zënë vendin e 13-të në botë si qyteti me ajrin më të ndotur. Sipas platformës “IQAir”, ku bëhen matjet e cilësisë së ajrit në të gjitha vendet e botës, Prishtina është renditur si qyteti i 13-të me ajrin më të ndotur, me indeks të cilësisë së ajrit 158, që konsiderohet “i pashëndetshëm”.
Specialistë të cilësisë së ajrit thonë se gjendja është shqetësuese dhe se përkeqësimit të kësaj situate po i kontribuojnë edhe kushtet meteorologjike.
“Në bazë të matjeve që kemi marrë nga Instituti Hidrometeorologjik në kohë reale, kemi tejkalim të grimcave të pluhurit PM2.5 dhe PM10, të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Ajo që po e përkeqëson këtë gjendje janë kushtet meteorologjike, si lagështia e madhe e ajrit, temperaturat e ulëta dhe mungesa e erës, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit”, tha për RTK-në Mentor Shala, specialist i cilësisë së ajrit.
Ai thotë se mbrojtja më e mirë në këtë situatë është reduktimi i daljeve jashtë, veçanërisht për disa kategori të ndjeshme.
“I rekomandojmë grupmoshat e ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, që t’i ulin frekuentimet jashtë dhe t’i reduktojnë sa më shumë daljet kur cilësia e ajrit nuk është e mirë. Nga monitorimi dhe mjegulla që vërejmë, konstatojmë gjendje jo të mirë kryesisht në mëngjes, në mbrëmje dhe gjatë natës”, shtoi ai.
Shala thotë se gjendja e cilësisë së ajrit pritet të përmirësohet nga dita e mërkurë, kur parashikohen reshje shiu dhe ndryshim i kushteve të motit.
Megjithatë, ai shpreh shqetësim për ditët festive të fundvitit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat, sipas tij, shkaktojnë ndotje të madhe përmes çlirimit të metaleve të rënda në ajër.
Ndryshe, qytetet me ajrin më të pastër janë renditur Berna në Zvicër, Roterdami në Holandë, San Francisko në SHBA, Melbourne në Australi, Vancouver në Kanada, Lisbona në Portugali, Helsinki në Finlandë, si dhe qytete të tjera.
Para Prishtinës, qytetet më të ndotura janë kryesisht nga Pakistani, India, Egjipti dhe Bangladeshi. Ndërsa nga rajoni, më të ndotura konsiderohen Beogradi dhe Sarajeva.
Një aktivitet i rëndësishëm mjedisor është zhvilluar në Parkun Natyror Munellë, ku janë mbjellur 1100 fidanë pyjorë nga ADZM Kukës, organizata PPNE dhe grupe vullnetare. Ky aksion synon rikuperimin e sipërfaqeve të dëmtuara pyjore.
“Jemi nisur për në qafën e Komit dhe synimi ynë është që të mbjellim një mijë fidane të pishës së zezë, në përpjekje për të restauruar pyllin e dikurshëm në atë zonë.”
“Kontributi ynë është shumë i vogël, por qëllimi ynë është që të frymëzojmë të tjerët për të ndjekur të njëjtat hapa.”
Drejtori i ADZM Kukës, Lefter Gjana, u shpreh se kjo nismë përfaqëson një kontribut konkret për mjedisin dhe një mesazh të qartë se mbrojtja e natyrës nis me veprime të vogla, por me ndikim të madh.
“Ky aktivitet ka për qëllim jo vetëm sensibilizimin e banorëve dhe të opinionit publik, por edhe rikuperimin e sipërfaqeve të degraduara. Herë pas here janë ndërmarrë aktivitete të ndryshme në disa zona me rëndësi për mjedisin”./RTSH
Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin Levan–Tepelenë, në fshatin Poçem, ku një kamion i ngarkuar me fruta agrume (portokalle dhe mandarina) është përfshirë në një ngjarje aksidentale.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti tip Volvo, me targa AA 859 SJ, ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i lënduar drejtuesi i mjetit, shtetasi O. Rr., i cili është transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pasagjeri O. Sh. ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, fatmirësisht, nuk ka pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, zjarrfikësja dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, si edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor./Vizion+
Nga janari i këtij viti e deri në muajin nëntor, 101 persona kanë vdekur nga aksidentet në komunikacion.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, është shënuar numër më i madh i viktimave në aksidente, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Njohës të komunikacionit u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin masa parandaluese, në mënyrë që të kemi ulje të numrit të aksidenteve në trafik.
Vetëm brenda periudhës janar–nëntor të këtij viti, 101 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Ky numër është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 92 viktima.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, duke u bazuar në këto shifra, u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa preventive për parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në trafik.
“Sivjet kemi një numër shumë të madh të aksidenteve në komunikacionin rrugor. Me rritjen e numrit të aksidenteve, është rritur edhe numri i personave të vdekur, si dhe i lëndimeve të rënda trupore”, tha ai për RTK-në.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 42 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa janë shqiptuar 1.454 tiketa trafiku.
Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje publike që qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët të shmangin kalimin tranzit nëpër Serbi me emblema apo ngjitëse me shkronjat UÇK në veturat e tyre, duke paralajmëruar rrezik për veprime arbitrare nga autoritetet serbe.
Sipas Kocit, një bashkatdhetar është arrestuar së fundmi nga autoritetet serbe vetëm për shkak se në veturë i ishte vërejtur një emblemë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe juridikisht të pajustifikueshëm.
“Mos kaloni nëpër Serbi me emblema apo ngjitëse me shkronjat UÇK në veturë. Sapo më erdhi informacioni se një bashkatdhetar ynë është arrestuar, pasi autoritetet serbe i kanë vërejtur emblemën e UÇK-së në veturë. Ky veprim është arbitrar dhe juridikisht i pajustifikueshëm”, ka deklaruar Koci.
Ai ka theksuar se shprehja e identitetit politik apo historik nuk përbën vepër penale sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, duke shtuar se raste të tilla po përdoren si mjete presioni politik.
“Raportet ndërmjet shteteve janë të tensionuara dhe çmimin po e paguajnë qytetarët e zakonshëm, të cilët mbesin të ekspozuar ndaj veprimeve arbitrare. Informimi i ndërsjellë dhe kujdesi mes nesh për momentin janë mburoja e vetme reale”, ka shkruar Koci./Telegrafi/
Ushtarë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) e KFOR, kanë zhvilluar ushtrime të luftimit në ambiente të mbyllura (Close Quarters Battle – CQB) në bazën e MSU-së në Prishtinë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, trajnimet e rregullta janë thelbësore për të garantuar gatishmëri të lartë operacionale të trupave dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.
Këto ushtrime, sipas KFOR-it, theksojnë bashkëpunimin e fortë dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet personelit shumëkombësh, duke mbështetur misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në gjithë Kosovën.
Në ushtrimin e detyrave të tij, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e vet si reagues i sigurisë.
Mbështetje për çiftet e reja, ka premtuar Lumir Abdixhiku nga tubimi në Ferizaj, të cilin po e mban me qytetarët e kësaj ane.
Sipas tij, kjo do të bëhet që jeta mos të nisë me ankth financiar.
“Mbështetja vazhdon edhe për çiftet e reja, me mbulim të interesit për banesën e parë, që jeta të mos nisë me ankth financiar. Këto politika e mbajnë fuqinë punëtore këtu, në Ferizaj, në Kosovë”, ka deklaruar Abdxhiku.
Tutje ai foli edhe për ciklin e jetës, siç e kanë quajtur në programin qeverisës të tyre, ku do të mbështesin financiarisht fëmijë që nga lindja, e deri në moshën 21 vjeçare, deri tek punësimi.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e përditësuara lidhur me gjendjen dhe pritjet në pikat e kalimit kufitar, sipas përditësimit të bërë më 21 dhjetor 2025, në ora 19:03.
Sipas këtyre të dhënave, në shumicën e pikave kufitare qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të theksuara, ndërsa fluks më i madh vërehet në disa kalime, kryesisht në hyrje të territorit të Kosovës.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet në hyrje për automjete arrijnë nga 30 deri në 40 minuta, me kolona deri në 150 metra, ndërsa në dalje nuk raportohet pritje.
Edhe në pikën Jarinje ka fluks më të theksuar, ku pritjet në hyrje janë 20–30 minuta, ndërsa në dalje 10–15 minuta, me kolona që shkojnë deri në 200 metra në hyrje dhe 50 metra në dalje.
Në pikën Merdarë, pritjet në hyrje janë 15–20 minuta, ndërsa në dalje nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të evidentuara. Situatë e ngjashme raportohet edhe në Mutivodë, ku pritjet në hyrje janë 15–20 minuta, ndërsa në dalje minimale.
Në pikat e tjera kufitare si Bërnjak, Kullë, Vërmicë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Muçibabë, Hani i Elezit, Glloboqicë dhe Stançiq, qarkullimi zhvillohet pothuajse normal, me pritje të shkurtra prej disa minutash dhe pa kolona të konsiderueshme./Telegrafi/
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka zhvilluar sot një takim me banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ku thotë se është pritur me mikpritje të ngrohtë nga qytetarët e kësaj zone.
Lekaj ka bërë të ditur se familje të respektuara të kësaj lagjeje janë rreshtuar fuqishëm në përkrahje të Aleancës dhe, siç tha ai, ndryshimit për Kosovën.
Sipas tij, mbështetja e shprehur nga qytetarët është dëshmi e qartë e besimit ndaj AAK-së dhe programit të saj, duke e cilësuar këtë përkrahje si konfirmim të fitores së partisë dhe të numrit 129 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura me banorët, ku u theksua rëndësia e angazhimit qytetar dhe bashkëpunimit për zhvillimin e Gjakovës dhe të vendit në përgjithësi.
Një incident me zjarr ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), përfshirë djegien e një autoambulance.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 02:40 është raportuar për zjarr në ambientet e QMF-së në Ratkoc.
Sipas tij, njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, ndërsa zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të kësaj qendre shëndetësore.
“Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është lokalizuar me kohë dhe fatmirësisht nuk ka pasur pasoja për njerëzit”, ka deklaruar Elezaj.
Ai bëri të ditur se, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “zjarrvënie”, ndërsa Policia është në kërkim të një personi të dyshuar.
Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti./Telegrafi/
Zhvillimi ekonomik është shtylla e vizionit të LDK-së, ka thënë Lumir Abdixhiku gjatë tubimit të tij në Pejë.
Gjatë fjalimit, kandidati për Kryeministër tha se në 4 vitet e ardhshme, parasheh 5 miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej 5%.
“Zhvillimi ekonomik është shtylla tjetër e vizionit tonë.
Në katër vite, parashohim pesë miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej pesë për qind.
Këto nuk janë shifra në letër; janë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, zona industriale dhe vende pune.
Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë dhe do ta lidhim Pejën siç e meriton”, ka deklaruar Abdixhiku. Tutje ai tha se në qeverisjen e LDK-së shteti do të jetë pranë qytetarit që nga lindja.
Kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjufca ishte në konakun e familjes Grajqevci, nga të cilët u prit ngrohtësisht.
Ai tha se vullneti dhe angazhimi për zhvillim e mirëqenie, do të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka sipas tij mbështetja qytetare është e qartë.
Ndërsa në Obiliq, bashkë me kryetarin Halil Thaqi, takoi vullnetarët e angazhuar atje.
Konjufca e cilësoi angazhimin e tyre vullnetar, si shtyllë të fitores së 28 dhjetorit.
Bashkë me ta ai bisedoi për politikat qeverisëse për rininë, si dhe për synimet e së ardhmes.
Konjufca ishte edhe në Bardhosh, ku tha se rruga e nisur tashmë, do të fuqizohet duke mos lëshuar pe e duke mbështetur numrin 116.
Një pamje e rrallë dhe emocionuese është regjistruar këtë të diel në plazhin e Vlorës, ku disa delfinë u shfaqën pranë bregut, duke dhuruar një spektakël natyror për qytetarët dhe pushuesit.
Të pranishmit ndaluan për të ndjekur lëvizjet elegante të delfinëve në det, duke kthyer shëtitjen buzë detit në një moment të veçantë, ndërsa shumë prej tyre nxituan të kapnin pamjet me video.
Pamja e delfinëve u kombinua me qetësinë e valëve të detit, duke krijuar një skenë të paqtë dhe të bukur për syrin e kujtdo që ndodhej pranë bregdetit të Vlorës.
Dhjetë muaj hetime i janë dashur Prokurorisë dhe Policisë së Shkodrës për të identifikuar dhe vënë në pranga autorët e vrasjes së Pavlin Prekës, në muajin shkurt, të këtij viti në kryeqendrën e Veriut.
Mëngjesin e së dielës policia tha se vuri në pranga Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku autorët e dyshuar të vrasjes së të riut në oborrin e shtëpisë.
Autoritetet policore thanë se, 20 dhe 43-vjeçari u kapën pas një pune hetimore disa mujore, ku u faktua se ata janë autorët që qëlluan për vdekje 20-vjeçarin.
Ngjarja e rëndë u shënua në banesën e të riut në Guci të Re, rreth mesditës, teksa ai u qëllua me armë zjarri ndërsa familja deklaroi ditën e ngjarjes se, nuk kishin hasmëri me askënd ndërsa viktima shkonte shpesh në Dukagjin.
Ishte xhaxhai i viktimës ai që zbuloi i pari vrasjen e nipit të tij, pasi po i binte telefonit dhe nipi nuk i është përgjigjur.
Më pas shkoi në banesën e nipit për të parë çfarë kishte ndodhur dhe e gjeti Pavlinin të vrarë në oborrin e shtëpisë.
Dy autorët akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Një 20-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri të karabinierëve italianë, pasi tentoi të largohej me makinë gjatë një kontrolli policor. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në provincën e Pizës.
Autoritetet njoftuan se ndërhyrja e forcave të rendit u bë pas një telefonate nga një qytetare, e cila kërkoi ndihmë duke deklaruar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas denoncimit, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për t’ia kthyer.
Kur patrulla mbërriti në vendngjarje, një nga të dyshuarit dyshohet se përplasi me makinë një karabinier dhe më pas u largua me shpejtësi të madhe. Gjatë ndjekjes, karabinierët qëlluan pesë herë me armë zjarri, duke plagosur 20-vjeçarin shqiptar me dy plumba.
Ai u transportua menjëherë në spital, ku sipas autoriteteve, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.