Mbi 18 mijë persona janë paraqitur gjatë një jave në dyert e mjekëve të familjes dhe urgjencave spitalore në të gjithë vendin, si pasojë e gripit dhe virozave stinore.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) konfirmojnë se gripi ka arritur tashmë pikun e tij.
Shumica e pacientëve po trajtohen në banesë, ndërsa një pjesë kanë pasur nevojë për shtrim në spital.
Laboratori i Virologjisë në ISHP ka identifikuar deri më tani disa viruse gripale qarkulluese.
Sipas parashikimeve, kurba e infektimeve me grip pritet të vijojë në rritje edhe në javët në vijim.
Ekspertët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.
Ata rekomandojnë vaksinimin si një nga mënyrat më efektive për të parandaluar format e rënda të gripit dhe rastet fatale./Euronews Albania
Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë bizneseve që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po përpiqen të vënë në vijë në Mesdhe, duke u shfaqur gjithnjë e më shumë si figura kyçe të biznesit global, duke ndjekur nga afër filozofinë e famshme të Donald Trump për “artin e marrëveshjes”. Ndërsa presidenti amerikan u tërhoq nga përpjekja për të aneksuar Groenlandën, vajza e tij po bënte një lëvizje të madhe në Mesdhe: sigurimin e një marrëveshjeje për zhvillimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri.
Ivanka Trump, 44 vjeç, dhe Jared Kushner, përmes kompanisë së tyre investuese Atlantic Incubation Partners LLC, kanë arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ta kthyer Sazanin, një ishull i pabanuar dhe ish-bazë ushtarake shkruan “The Telegraph”, në një resort luksoz turistik. Vlera e investimit përllogaritet rreth 1 miliard paund (1.4 miliardë dollarë), duke e shndërruar projektin në një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri.
Atlantic Incubation Partners lidhet me Affinity Partners, fond privat investimesh i themeluar nga Kushner pas largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2020, fond i cili ka tërhequr miliarda dollarë, përfshirë edhe fonde nga Arabia Saudite. Sipas Forbes, pasuria e përbashkët e çiftit Trump-Kushner vlerësohet rreth 1.1 miliardë dollarë, duke i renditur ata si anëtarët e dytë më të pasur të familjes Trump, pas vetë presidentit.
Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë për disa ditë, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka përqafuar hapur vizionin e investimit luksoz. Rama e ka cilësuar këtë projekt si një mundësi strategjike për zhvillimin e turizmit elitar, duke deklaruar se “Shqipëria ka nevojë për super-luksozin ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë”.
Komiteti Shqiptar i Investimeve Strategjike i dha dritën jeshile projektit më 30 dhjetor 2024, pak javë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Plani parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz, vilave private dhe infrastrukturës së nevojshme në një ishull që aktualisht nuk ka burime uji të pijshëm. Projekti pritet të hapë rreth 1000 vende pune.
Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur polemika, shkruan “The Telegraph”, përcjell A2. Deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe tenderim të hapur, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ashpër, duke theksuar se Sazani dhe zona e Zvërnecit kanë status të mbrojtur për shkak të vlerave të tyre ekologjike. Dhjetëra grupe i kanë kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e projektit.
Në të njëjtën kohë, aktivitetet e Kushnerit shtrihen edhe në Serbi dhe Lindjen e Mesme, duke ngritur pyetje në Uashington për konflikte të mundshme interesi, për shkak të rolit të tij jozyrtar si këshilltar i Donald Trump.
Pavarësisht kritikave, Ivanka Trump u shpreh entuziaste për vizitën e saj, duke e quajtur Shqipërinë “magjike”. Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndikimin e tyre në rritje, duket se Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e politikës, biznesit dhe diplomacisë globale. (A2 CNN)
Pas më shumë se dy dekadash pritjeje dhe pasigurie, familja Koci ka marrë lajmin e shumëpritur, trupi i Rasim Mehmet Kocit, i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 gjatë luftës në Kosovë, është identifikuar.
Sadik Koci, vëllai i Rasim Mehmet Kocit, ka ndarë emocionet e tij në televizionin Dukagjini, duke treguar se gjetja e trupit për familjen është një lehtësim i madh.
“Është një lehtësim i mirë për neve, se e dimë ku e ka varrin. Edhe shumë jemi më të çliruar se tash e dimë ku. Se janë shkuar shumë vite e shpresat kanë qenë të vogla. E dashtë Zoti shyqyr që është bërë kjo…”, ka thene Koci.
Rasim Mehmet Koci ishte vrarë gjatë luftës dhe, sipas familjarëve, ndërsa trupi i tij u zhduk. Familja Koci ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës, duke dhënë gjithsej tre martirë, përfshirë Afrim Idriz Kocin dhe Besim Idriz Kocin, të vrarë në mars të vitit 1999.
Homazhet për Rasim Mehmet Kocin do të mbahen më 31 janar, nga ora 12:00 deri në 13:00 në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të zhvillohet në ora 13:30 në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat./TV Dukagjini
Sot, më 29 janar 2026, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve për të cilat ekzistonin dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Në kuadër të këtij aksioni janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë evidentuar parregullsi në posedimin e medikamenteve, konkretisht mungesë e dokumentacionit përkatës dhe e banderolave fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, vlera e përafërt e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe përbën një tjetër angazhim konkret në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Institucioni ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është sektori me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit.
Sipas Kurtit, eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur për 386% gjatë katër viteve të fundit, duke u rritur pothuajse pesëfish, çka dëshmon potencialin e këtij sektori për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtejshme ekonomike.
Ai theksoi se sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, kontribuon me rreth 6% në Bruto Produktin Vendor (BPV) të Kosovës.
Po ashtu, Kurti nënvizoi se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
"Andaj, mbështetja ndaj këtij sektori mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë edhe në mandatin e ardhshëm, veçanërisht përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), ka deklaruar Kurti.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë vizitës së tij në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), ku u prezantua edhe Pasqyra e Ekonomisë Digjitale, e përgatitur nga platforma Data4X./Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend.
Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet një vendim i drejtë dhe strategjik.
Ajo nënvizoi se Kosova beson në lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe shprehu gatishmërinë e vendit për të dhënë kontribut konkret dhe të përgjegjshëm në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje lidhur me çështje të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral, si dhe diskutuan për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim.
Takimi riafirmoi partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët./Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.
Sipas njoftimit, hetimet janë zgjeruar pas pranimit të informatave publike dhe kanë përfshirë një grup të dytë të të dyshuarve.
Me autorizim të Prokurorisë, në kuadër të këtij zgjerimi janë intervistuar gjithsej 28 të dyshuar dhe 6 dëshmitarë.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë persona janë ndaluar për 48 orë. Katër prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, një person tjetër, në cilësinë e Koordinatorit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Komunën e Prizrenit, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë./Telegrafi/
Më 29 janar 2026, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës ka lëshuar vendimin e parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) lidhur me një apel kundër urdhrit për zhdëmtim.
Paneli i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen la në fuqi urdhrin për zhdëmtim të Trupit Gjykues ndaj z. Shala, pas shpalljes së tij fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Në këtë proces morën pjesë gjithsej tetë viktima, të cilat kërkuan zhdëmtim. Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues kishte urdhëruar Pjetër Shalën që të paguajë 208 mijë euro si kompensim për dëmet fizike, mendore dhe materiale të pësuara nga viktimat pjesëmarrëse.
Apeli i Shalës përmbante pesë pika, përmes të cilave ai pretendonte se Trupi Gjykues kishte gabuar në interpretimin e ligjit të shkakësisë, në vlerësimin e provave për dëmin material, si dhe në përcaktimin e përgjegjësisë së tij për zhdëmtim, duke e cilësuar shumën si joproporcionale dhe të tepruar në raport me rolin e tij dhe gjendjen financiare.
Po ashtu, Shala kishte kërkuar që shqyrtimi i apelit për zhdëmtim të pezullohej deri në përfundimin e apelit kundër verdiktit të fajësisë dhe dënimit.
Megjithatë, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të pesë pikat e apelit, duke mos konstatuar gabime as në interpretimin e ligjit dhe as në vlerësimin e provave nga Trupi Gjykues. Paneli vlerësoi se kërkesa për pezullim ishte e tejkaluar, pasi aktgjykimi i apelit lidhur me fajësinë ishte lëshuar më 14 korrik 2025.
Gjykata theksoi se procesi i zhdëmtimit nuk ka cenuar të drejtat e Pjetër Shalës për një procedim të drejtë dhe të shpejtë, duke konstatuar se ai kishte pasur mundësi të plotë për të ushtruar të drejtën e apelit.
Një grua e cili e humbi burrin e saj në luftë, pas gati dy vitesh ka fituar rastin për pensione të dyfishta.
Bëhet fjalë për një 78-vjeçare nga Drenasi e cila e kishte paditur Ministrinë e Financave në vitin 2024, tetë vjet pasi mbeti pa pension të pleqërisë. Ajo gjatë këtij muaji ka fituar rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Administrativ.
Aktgjykimi e obligon ministrinë që të ekzekutojë pensionet e dyfishta dhe t’i ekzekutohen të gjitha pensionet që i janë ndaluar nga viti 2016.
Mbrojtësi i paditëses s, Nazmi Sallahu thotë për KosovaPress se kjo grua ka gëzuar të dy pensionet vetëm katër vjet, dhe më pas njëri i është ndërprerë.
“Pensionistja, e cila ka gëzuar pensionin bazë të moshës, ka filluar ta gëzojë këtë pensionin që nga viti 2012. Kurse njëkohësisht ka qenë edhe pensioniste e pensionit të familjeve të viktimave civile të luftës, për shkak se e ka bashkëshortin e vrarë në luftë. Dhe pensionistja i ka gëzuar të dy pensionet paralele deri në datën 15.09.2016. Pastaj Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka ndërprerë me një vendim pensionin bazë të moshës, me arsyetimin se pensionistja e gëzon pensionin e viktimave civile të luftës, duke iu referuar një ligji kontradiktor me ligjin e mëparshëm, i cili, ligji i mëparshëm e ka rregulluar në mënyrë të veçantë këto kategori”, deklaron ai.
Si pasojë, gruas nga Drenasi i ishte dashur të zgjidhte mes dy pensioneve.
“Në momentin kur i është ndalë pensioni bazë i moshës, paditësja, për shkak se zyrtarët e pensioneve gjithherë i kanë rekomanduar që mos të kërkojë të drejtën e dytë që i është mohuar, të drejtën e pensionit bazë, sepse do të ndalet pensioni për familjet e viktimave civile të luftës. Për shkak se ky pension i fundit, i viktimave civile të luftës, është pension më i favorshëm, sepse paditësja ka marrë të holla, dhe e ka zgjedhur si pension më të favorshëm. Dhe zyrtarët e pensioneve gjithmonë i kanë thënë që mos të aplikojë sepse e humb këtë të drejtë të pensionit më të favorshëm”, shton Sallahu për KosovaPress.
Kjo grua e ka filluar betejën e saj përmes rrugës ligjore në prill të vitit 2024, dhe rastin e fitoi gati dy vjetë më vonë.
“Gjykata, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Supreme, referuar ligjit për kategoritë e dala nga lufta, siç është ligji ex specialis, ashtu siç edhe e ka determinuar dhe Gjykata Supreme me një aktgjykim, i ka njohur të drejtën palës për pensionin bazë dhe të drejtën në mënyrë retroaktive që nga dita e ndërprerjes së këtij pensioni bazë. Domethënë që nga data 16.09.2016...Ministria e Financave detyrohet që paditëses t'i kompensojë pensionin bazë të moshës që nga data e ndërprerjes së këtij pensioni, 15.09.2016, në mënyrë retroaktive, të gjitha këto, sipas ngritjes së pensioneve, apo sipas vendimeve të qeverisë që është bërë ngritja e pensioneve ndër vite, e deri në realizimin e të gjitha pagesave të pensionit bazë, dhe në vazhdimësi paditëses t'i njihet e drejta e pensionit bazë derisa të ekzistojnë kushtet ligjore”, përfundon ai.
Ky nuk është rasti i vetëm që përmes institucioneve të drejtësisë kërkohen të drejta. Janë disa raste të veteranëve e viktimave të dhunës seksuale që kanë deponuar padi për njohjen e pensioneve të dyfishta.
Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.
64 kërkesa nga të burgosurit për t’iu falur dënimi i mbetur kanë shkuar në adresë të presidentes së Kosovës. Por, Vjosa Osmani nuk e ka falur asnjë prej tyre, e brenda 5 viteve vetëm një gruas që ishte e dënuar për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, ia fali dënimin e mbetur.
Për 5 vite sa është në krye të shtetit, Vjosa Osmani nënshkroi vetëm një dekret, me të cilin fali një të burgosur që ishte në vuajtje të dënimit.
Por, ndër vite në adresë të zyrës së saj shkuan qindra kërkesa të tilla, që janë në kompetencë të saj sipas ligjit, por asnjë tjetër nuk u aprovua.
Brenda vitit 2025, janë proceduar 64 kërkesa nga të burgosurit që kërkojnë faljen e dënimit të mbetur.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, kanë thënë se 5 kërkesa të tjera janë në proces të kompletimit të raporteve.
“Gjatë vitit 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka proceduar 64 kërkesa për falje të dënimit, ndërsa 5 kërkesa janë ende në proces të kompletimit të raporteve. Gjatë pesë viteve të fundit kemi pranuar vetëm një Dekret për Falje, me nr. 04/2025, i datës 29.01.2025, me të cilin të dënuarës A. C. i është falur pjesa e mbetur e dënimit. E njëjta ka qenë e dënuar për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, kanë deklaruar nga SHKK.
Në lidhje me arsyet se pse presidentja e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për kërkesat që janë proceduar, nuk janë përgjigjur nga Zyra e saj.
Ish-Avokati i Popullit Hilmi Jashari, thotë se brenda burgjeve të Kosovës, ka persona që plotësojnë kriteret e nevojshme për të përfituar faljen e dënimit të mbetur.
“Edhe vetë qëllimi i dënimit ka parasysh risocializimin e atyre që përfundojnë dënimin ose falen për të qenë anëtarë të dobishëm për shoqërinë në anën tjetër ka kritere e rregullore që e konkretizojnë ligjin për falje dhe përcakton se cilët persona mund të përfitojnë një falje që e bënë autoriteti i presidentes”, ka thënë Hilmi Jashari – ish Avokat i Popullit.
Jashari mendon se vendimet e tilla kanë efekt edhe tek të burgosurit e tjerë.
“Përveç ndikimit në sjelljet e tyre brenda por edhe pas daljes së tyre nga burgu kish me ndiku patjetër edhe për vetë faktin që kriteret janë të përcaktuara qysh herët kur është miratuar ky ligj, kanë përcaktu se cilat raste mund të trajtohen nga komisioni që ndihmon presidenten për të selektuar njërëz që meritojnë”, ka thënë – Ish Avokat i Popullit.
Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i Osmanit, Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij./Tv Dukagjini/
Ai tha se statuti i LDK-së është shumë i qartë, kështu ai tha se do të kërkojë besimin e delegatëve.
“Natën e zgjedhjeve Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje, në diskutimet e brendshme ka thënë do t’iu ofrojë dorëheqjet në Kuvendin e LDK-së. Deklarimi i një zyrtari publik është obligim për t’iu përmbajtur, mbi bazën e atij deklarimi që ai do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit të LDK-së, prezenca ime këtu është statutare, e kam njoftu opinionin që unë do të dërgojë besimin e delegatëve për të drejtuar LDK-në”, ka thënë ai.
Blerta Deliu-Kodra, në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës ka arritur ta ruajë votën në zgjedhjet e fundit.
Ajo ka theksuar se qëllimi i partisë së saj nuk ka qenë vetëm ruajtja e votës, por rritja e saj.
“Procesi i zgjedhjeve të fundit dhe rezultatet që i kemi para vetes tregojnë se ne kemi arritur ta ruajmë votën. Natyrisht, pritshmëritë e PDK-së, mobilizimi i strukturave dhe gjithçka që kemi parë gjatë fushatës, kanë qenë që si parti të dalim më mirë”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra ka shtuar se fushata në terren, e ndërtuar mbi vizionin e Bedri Hamza, ka gjetur mbështetje te qytetarët.
“Gjatë fushatës sonë në terren, nga vizioni i z.Hamza, kemi parë një përqafim të këtij vizioni, të cilin qytetarët e kanë pritur bazuar në pikat konkrete të programit”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit politike, rëndësia e përmbylljes së procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve sa më shpejt, si dhe çështje me interes bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kurti shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe dhe për bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e rëndësishme për vendin.
Ciklin e promovimit të 26 lektyrave shkollore për nxënësit filloristë nga klasa 1-5, Shtëpia Botuese "Dukagjini" e vazhdoi në qytetin e Klinës. Promovimi u përcoll me interes të jashtëzakonshëm e diskutim nga nxënësit të cilët ndanë njohuritë e shprehën dëshirën që t’i kenë në duar librat e preferuara me personazhet e dashura për ta.
Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t’i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara.
”Unë mendoj se pinokio është përrallë dhe e kam kuptu që është lektyrë e mirë– pinoko kur ka gënjyer dicka i është rritur hunda dhe më ka bërë të qeshi…”
“Më ka emocionu pjesa kur ju ka rrit hunda“
“Aventurat e Pinokut”, është vetëm njëri ndër 26 titujt, nga autorë vendorë e të huaj, të cilët Shtëpia Botuese “Dukagjini” i ka sjellë një hap më afër lexuesve, përmes promovimit që kësaj radhe u mirëprit nga mësimdhënës e dhjetëra nxënës të shkollave fillore të ciklit të ulët në Klinë.
Përmes figurave karakteristike, udhëtimi imagjinar në vende e kohë të ndryshme, nxiti interes të jashtëzakonshëm tek nxënësit.
“Kjo seri përbëhet nga 26 tituj fantastik të autorëve të huaj dhe shqiptarë, libra që gjithë fëmijët e botës i kanë lexuar dhe kësaj radhe ne po i sjellim edhe për fëmijët tanë, që t’i kenë më afër edhe të kenë libra cilësor jo vetëm si përmbajtje por edhe me ilustrime edhe në çdo aspekt të formimit të librit. Këto aktivitete nuk janë vetëm promovim i lektyrave shkollore është një interaktivitet bashkë me fëmijën ne po bashkëbisedojmë bashkë ata po na zbulojnë shumë prej leximeve të tyre”, k a thënë – Jeta Zymberi – Shtëpia Botuese “Dukagjini”.
Edhe mësimdhënësit u ndanë me përshtypje të mira, me shumë shpresë se promovimi ka nxitur edhe më shumë dëshirën për lexim.
“Është një eveniment i veçantë për shkak se do të mbetet në mbamendjen dhe kujtesën e nxënësve për shkak se janë mësuar që të kemi diskutime, që të njihen me personazhet, dhe me librat/lektyrat shkollore, sikur që e kanë pasur rastin sot, ndaj ky bashkëbisedime ka qenë një emocion i veçantë dhe një motiv shtesë që nxënësit të lexojnë më shumë”, ka thënë – Mehmet Bashota – Mësimdhënës.
Nga promovimi i 26 titujve për nivelet nga klasa e 1-5, nxënësit nuk u kthyen duarthatë, Shtëpia Botuese “Dukagjini”, për secilin nxënë shpërndau edhe nga një dhuratë simbolike.
355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhen të shtunën e 31 janarit për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi.
Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.
Ambicie të tilla po konsiderohen legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut, raporton KosovaPress.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, duke shprehur mbështetjen ndaj Abdixhikut, thotë për KosovaPress se asnjë parti s’e ka komoditetin t’i ndryshojë kryetarët pas çdo cikli zgjedhor.
Sipas tij, nëse Kuvendi vendos ndryshe, atëherë hapet gara dhe mund të paraqiten edhe kandidatura të tjera, krahas Hotit për kryetar të LDK-së.
“Nuk jam në pozicion të komentimit të kandidaturave të tjera. Do t’i jap mendimet e mia në Kuvend sa i përket të ardhmes së LDK-së. Normalisht, në demokraci çdo kandidaturë dhe ambicie është legjitime. Në këtë rast mund të kemi kandidatura të ndryshme ose shfaqje të ambicieve të ndryshme gjatë procesit, por ne duhet ta shohim fillimisht aspektin procedural se për çka po thirret Kuvendi dhe normalisht rezultati i këtij Kuvendi e prodhon diskutimin për të ardhmen e LDK-së. Normalisht se do të votoj për stabilitet të lidershipit. Asnjë parti s’e ka komoditetin që t’i ndryshojë kryetarët çdo katër-pesë vite apo pas çdo cikli zgjedhor. Kjo pastaj prodhon jostabilitet”, thotë ai.
Ndryshe nga Rukiqi, ish-zyrtari i LDK-së, Sadri Ferati, adreson pakënaqësi me mungesën e një analize të thellë para mbajtjes së Kuvendit, duke paralajmëruar se Konventa mund të prodhojë tensione të reja.
“Kam pritur më shumë nga takimi i Kryesisë edhe sa i përket një analize paraprake të krejt situatës, gjendjes dhe strategjisë së aktorëve, në mënyrë që në Konventë të shkohet me një qartësi. Konventa ndonjëherë di të japë rezultat, por ndonjëherë di edhe të krijojë tensione e pakënaqësi. Nuk është pastaj çudi që të dilet të ndarë”, thotë ai.
Në anën tjetër, analisti politik Adrian Zeqiri thotë për KosovaPress se kriza në LDK nuk lidhet vetëm me emrat e kryetarëve të mundshëm, por me drejtimin ideologjik dhe filozofinë politike të partisë.
Ai paralajmëron se një ndarje e re brenda LDK-së do ta vinte në pikëpyetje ekzistencën e saj si subjekt politik.
“Mua më duken variacione të të njëjtit motiv. Edhe zoti Hoti, zonja Bajrami dhe zoti Abdixhiku më duken variacione në kuadër të së njëjtës logjikë që është këtu ku jemi. Do të thotë, nëse ambicia e pretendentëve për liderë të LDK-së është që ta shtojnë partinë për dhjetë-njëzet mijë vota më shumë, kjo mund të bëhet, por kjo nuk i sjell ndryshim të madh LDK-së. LDK-ja në kohët e fundit është duke rënë pre e trashëgimisë së vet politike. Rugovizmi dhe institucionalizmi janë këto shtylla që janë pjesë e trashëgimisë së LDK-së, mirëpo këto e mbajnë në një kornizë elektorale të njëjtë, plus-minus 20 mijë vota gjatë cikleve zgjedhore. Për të kaluar prej një trashëgimie të viteve ’90 të LDK-së duhet të bëhet një rithemelim komplet i kësaj partie. Është e rëndësishme ndryshimi i filozofisë së punës së LDK-së sesa a vjen zoti Hoti, zonja Bajrami apo zoti Abdixhiku në krye të partisë. Duhet të kalohet prej një filozofie politike që e ka trashëguar LDK-ja me njerëz përtej këtij grupi të njerëzve që në një mënyrë ose tjetër kanë udhëhequr LDK-në në këto dhjetë vitet e fundit. Nëse LDK-ja e pëson edhe një thyerje, një ndarje të madhe, atëherë jemi duke folur për një situatë ku vihet në pikëpyetje ekzistenca e saj si parti politike”, thotë ai.
Të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa bëri të ditur ftesën që ua ka bërë delegatëve për Kuvendin, tha se kjo parti nuk frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota e as nga gara.
Sipas tij, vendimet i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë dhe në fund, me shumicë. Këtë, sipas Abdixhikut, e kanë bërë edhe në kohë shumë më të vështira se kjo.
Kjo situatë në LDK po rrjedh si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku kjo parti ka shënuar rezultatin e dytë më të dobët në histori, me vetëm 13,24 për qind të votave.
Një bager i kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Mitrovicës së Jugut për rrënimin e objekteve pa leje është djegur në orët e hershme të mëngjesit, vetëm pak kohë pasi komuna kishte nisur zbatimin e vendimeve për largimin e ndërtimeve të paligjshme.
Sipas informatave zyrtare, dëmet materiale të shkaktuara nga djegia e makinerisë kapin vlerën e rreth 70 mijë eurove. Rasti ka ndodhur gjatë natës, derisa makineria ishte në shërbim të aksionit për rrënimin e objekteve pa leje në territorin e Mitrovicës së Jugut.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e ka cilësuar këtë akt si kriminal dhe qyqar, duke theksuar se lufta kundër paligjshmërisë nuk do të ndalet.
“Në orët e hershme të mëngjesit, kompanisë së kontraktuar nga komuna për rrënimin e objekteve pa leje i është shkaktuar një dëm i madh material. Ky është një veprim kriminal me mesazhe të qarta për të gjithë ata që duan që Mitrovica të jetë një qytet normal, ku prona publike dhe komunale shërben interesit të përgjithshëm”, ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se ka individë dhe grupe që, sipas tij, janë mësuar ta shohin qytetin si “plaçkë lufte”, por ka theksuar se komuna do të vazhdojë zbatimin e ligjit pa kompromis.
Tutje, Peci ka bërë të ditur se po vazhdon analiza e secilit ndërtim pa leje dhe se objektet e ndërtuara në prona publike do të rrënohen.
“Çdo ndërtim pa leje, sidomos ato në prona publike, dihet se cili do të jetë fati i tyre. Ka uzurpime që shfrytëzohen prej 7–8 vitesh pa asnjë pagesë për komunën”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, njohës të sigurisë kanë dënuar aktin e djegies së makinerisë, duke theksuar se rasti duhet të trajtohet nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Sipas njohësit të sigurisë, Arben Dashevci, Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse kanë kapacitete të plota për ta hetuar rastin dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.
“Kjo është çështje e organeve të policisë dhe drejtësisë, të cilat do të evidentojnë se kush, pse dhe si ka ndodhur kjo ngjarje, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zbatim të ligjit”, ka deklaruar Dashevci.
Ditë më parë, Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte rrënuar edhe një objekt pa leje, i cili ishte ndërtuar në afërsi të Stacionit të Autobusëve. /RTK
Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë”, për periudhën 2022–2024.
Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Shëndetësisë, si dhe komunat e Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut si dhe komuna e Ferizajt. Në fokus të auditimit do të jenë planifikimi, kontraktimi, shpërndarja dhe menaxhimi i barnave, me synim rritjen e efikasitetit në sektorin shëndetësor.
Auditimi ka njoftuar se do të vlerësojë nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së barnave për kujdesin shëndetësor parësor dhe për sëmundjet e rralla.
"Sipas raportimeve mediatike, ndonëse Qeveria ka ndarë buxhet të konsiderueshëm për këto barna, në praktikë vazhdon të ketë mungesa. Aktualisht MSh-ja përmbush vetëm 35–40% të nevojave reale për disa barna, duke detyruar komunat dhe qytetarët që t’i sigurojnë ato vetë", thuhet në njoftimin e ZKA.
Pa ushqim e pa ujë thonë se mbetën për disa orë, të ndaluarit e dyshuar për dallavere me vota në komunën e Prizrenit. Madje në korridorin e Gjykatës në Prizren, zyrtarët policor i shkaktuan plagë njërës prej të ndaluarave, që ishte duke hyrë në seancën dëgjimore për masën e sigurisë. Disa nga familjarët iu drejtuan edhe KMDLNJ-së
Numri i lartë i të arrestuarve i gjeti pa pranga të mjaftueshme policinë në Prizren.
Në vend të tyre, u vendosën pranga plastike.
Kur 23 prej tyre të arrestuar për dallavere me vota u dërguan të shtunën në Gjykatë për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë, njërit prej tyre zyrtarët policorë i shkaktuan plagë në duar me pranga plastike, për çka u desh edhe ndërhyrjen e ekipeve emergjente.
Këtë e kanë konfirmuar për Dukagjinin burime brenda gjykatës, por lidhur me rastin nuk ka pasur përgjigje nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren.
“Për shkak të numrit të madh të të ndaluarve gjatë së premtes në komunën e Prizrenit për manipulim me vota disa prej të ndaluarve u sollën këtu në qendrën korrektuese në Lipjan, avokatët e disa prej tyre janë ankuar se janë mbajtur në kushte jo të mira, përfshirë se ka qenë shumë ftoft dhe objekti ka qenë jo funksional tash e 7 vite.”
Por, pretendimet e avokatëve i ka hedhur poshtë Shërbimi Korrektues i Kosovës, sipas të cilëve atyre iu ofrua trajtim në përputhje me ligjin dhe standardet humane.
“Në rastin konkret, bazuar në kërkesën e Policisë së Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vënë në dispozicion hapësira në menaxhim të përkohshëm për mbajtjen e personave të ndaluar për 48 orë. Të ndaluarit janë mbajtur në dy lokacione, në Qendrën Korrektuese në Lipjan dhe në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Personat e gjinisë femërore janë akomoduar në hapësira të veçanta, në Qendrën Korrektuese në Lipjan, në përputhje me standardet ligjore dhe procedurat në fuqi. Objekti në Lipjan nuk ka qenë jashtë funksionit. Hapësirat e përdorura janë funksionale dhe shfrytëzohen sipas nevojës, varësisht nga numri i personave të burgosur. Ato aktivizohen edhe në raste kur kërkohet menaxhim i përkohshëm i kapaciteteve, si në këtë rast. Gjatë gjithë periudhës së ndalimit 48 orësh, këta persona kanë qenë të ndarë nga të burgosurit dhe janë menaxhuar nga Policia e Kosovës, në përputhje me kompetencat ligjore të saj, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ofruar vetëm hapësirat dhe mbështetjen logjistike të nevojshme. Gjatë gjithë kohës së ndalimit, Shërbimi Korrektues i Kosovës u ka siguruar të ndaluarve shujta ushqimore, kushte higjienike dhe trajtim në përputhje me ligjin dhe standardet humane.”– Shërbimi Korrektues i Kosovës
Ndërkohë avokati Valdet Hoxha, që është avokat në këtë rast ka një shqetësim tjetër.
“Krahas një hetimi gjithëpërfshirës, transparent dhe të bazuar në ligj do duhej pasur edhe shumë kujdes edhe tek ekspozimi i të arrestuarve siç pamë të gjithë sepse duhet që në respekt të parimit të shenjtë të prezumimit të pafajësisë të llogaritet secili i pafajshëm derisa nuk ka vendim të formës së prerë, në raste të tilla duhet kujdes më i shtuar që të gjithë ata që janë të dyshuar për vepër penale mund të ketë hetim ndaj secilit por duhet respektuar etika..”, ka thënë Valdet Hoxha – Avokat në rast.
E pikërisht për këtë dhe për çështje të tjera, disa prej familjarëve u ankuan në Këshillin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Ne i kemi disa ankesa prej familjarëve shkak ka qenë vendi i ngushtë, mungesa e ushqimit dhe mungesa e ujit këto janë më tepër të natyrës teknike, fakti që numri kaq i madh i të arrestuarve brenda një kohë kaq të shkurt, është problem të sistemohen… Ne kemi vërejtje ngha familjarët që është shumë më e rëndë dhe e drejtë, është publikimi i emrave dhe fotografive të personave të ndaluar ende pa filluar hetimet dhe procedurat ndaj tyre, dhe kjo është e ndaluar edhe me ligj dhe është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe privatësisë”, ka thënë Behxhet Shala – Kryetar i KMDLNJ-së.
Për të parë trajtimin e tyre, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, gjatë së shtunës ishte edhe Avokati i Popullit./TV Dukagjini
Presidentja e Kosovës, Vhosa Osmani, tha se avancimi i Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës dërgon mesazhin se, sipas saj, “diskriminimi kundër komunitetit shqiptar në Serbi më nuk është i padukshëm apo tolerohet”.
“Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje autoritare të të drejtave të minoriteteve, përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjes së gjuhës shqipe, mospërfshirjen në institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, tha Osmani përmes njëpostimi në X.
Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar më 21 janar për të dërguar përpara këtë projektligj, që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatis një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihen edhe si Lugina e Preshevës.
Osmani falënderoi anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, që ka sponsorizuar projektligjin, kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast dhe anëtarët e tjerë të këtij trupi që votuan për “avancimin e projektligjit me mbështetje dypartiake”.
Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve. Më pas ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet në ligj nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Ky projektligj kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Çështja e diplomave është rregulluar me disa marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Kosova i ka respektuar këto marrëveshje.
Ndërkaq, sa i përket pasivizimit, shqiptarët në Luginë shpesh janë ankuar dhe kanë protestuar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
The advancement of the Presheva Valley Discrimination Assessment Act in the U.S. House Foreign Affairs Committee sends a clear message: systematic discrimination against the Albanian community in Serbia is no longer invisible or tolerated.
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes dy veturave, i cili ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar Enis Pllana, zëdhënës i Policisë për rajonin e kryeqytetit, i cili bëri të ditur se pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë dy vetura. Si pasojë, lëndime kanë pësuar dy persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Me rastin po merret Njësia e Trafikut të Kryeqytetit”, ka deklaruar Pllana.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende objekt hetimi nga autoritetet kompetente.