BDI mban mbledhje, tregon emrat e kryetarëve të ri të degëve të partisë
Bashkimi Demokratik për Integrim informon publik se sot ka mbajtur mbledhjen e parë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm.
Siç njoftojnë nga BDI, në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u miratua Rregullorja e punës së Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, si akt bazë për funksionimin, koordinimin dhe vendimmarrjen e këtij organi.
"Po ashtu, u zhvilluan diskutime dhe u morën vendime të rëndësishme lidhur me organizimin e sekretariateve, si dhe me strukturimin e mëtejmë të Bashkimit Demokratik për Integrim".
"Në kuadër të këtyre vendimeve u vendos për emërimet në funksione kyçe organizative, si vijon: Shef i Kabinetit: Faton Ahmeti; Zëdhënëse e BDI-së: Arta Bilalli-Zenedeli; Këshilltar i Kryetarit të BDI-së për Marrëdhëniet me SHBA-në Shemshedin (Sam) Beqiri".
"Gjithashtu, Kryetari Ali Ahmeti informoi Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm për emërimin e kryetarëve të degëve si vijon: Tetovë Bajram Rexhepi; Kumanovë: Ridvan Asani; Strugë: Faton Pollozhani; Gostivar: Valdet Xhaferi Çair: Bujar Osmani".
"Gjithashtu, Kryetari dha orientime për të gjithë të ngarkuarit si kryetarë degësh të kryejnë detyrimet programore dhe statutare për organizimin dhe konsolidimin e nëndegëve dhe degës përkatëse", thonë nga BDI.
