Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në një barnatore në Pejë.
Dy persona të maskuar dhe të armatosur me thika kanë arritur të marrin para të gatshme.
Rastin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
"Të dyshuarit janë futur në barnatore dhe, nën kërcënimin e thikave, kanë grabitur të hollat, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes", u shpreh Gashi.
Sipas Policisë, nga ky rast nuk raportohet për persona të lënduar.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie në autoambulancën e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Ratkoc, në komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:40, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar informacion për një incident zjarri. Njësitë policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të QMF-së, duke shkaktuar gjithashtu dëme materiale edhe në objektin e kësaj qendre shëndetësore.
Zjarri është lokalizuar në kohë dhe nuk është raportuar për të lënduar. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”.
Pas veprimeve të menjëhershme hetimore dhe sigurimit të provave në vendin e ngjarjes, policia ka identifikuar një person të dyshuar, i cili dyshohet se për motive ende të panjohura i ka vënë flakën autoambulancës.
Më vonë, rreth orës 18:50, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore.
Gjatë arrestimit, ai ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike./Telegrafi.
Në Suharekë është mbajtur sot tubimi qendror i Partisë Demokratike të Kosovës, ku ishte prezent kandidati për kryeministër Bedri Hamza.
Me një masë të madhe të përkrahësve suharekas, Bedri Hamza shpalosi premtimet e tij dhe vizionin e PDK-së.
Përpos kësaj, pati një përkrahje të madhe për kandidatin për deputet Arben Gega, i cili është në garë për herë të parë dhe si njeri i komunitetit u vërejt në përkrahjen që pati kur emri i tij u thirr në sallë.
Arben Gega mban numrin 68 në listën e PDK-së, duke qenë kandidati i dytë nga kjo komunë përkrah Enver Hoxhajt që më shumë është figurë qëndrore.
Kryeninistri në detyrë, Albin Kurti, njëherit kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ishte dje në Elezaj të Kaçanikut, e pastaj në njërën nga kafiteritë e qytetit.
Banorët e mërgimtarët nga Kaçaniku, të cilët e priten ngrohtë Kryeministrin, i rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre të fuqishme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Kryeministri më pas vizitoi kryetarin e parë të komunës së Kaçanikut pas çlirimit të vendit, Tahir Çakën.
Kurti kujtoi se familja Çaka ka dhënë dy dëshmorë, vëllezërit e Tahirit, si dhe prindërit martirë të vrarë nga forcat armike serbe.
Ai e cilësoi si shtyllë të qëndresës, përkushtimit e rezistencës, e Kaçanikun simbol të kujtesës dhe sakrificës kombëtare.
Kandidati për deputet nga PDK-ja, Xhavit Haliti, ka ndarë një foto ku shihet me ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, veprimtarin e shquar Nait Hasanin dhe kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
"Me Dajën, Ramizin dhe Naitin, emra që mishërojnë UÇK-në, lirinë dhe atdhedashurinë.
Bashkë, për vlerat e luftës, për nderin e dëshmorëve dhe për të ardhmen e brezave tanë", ka shkruar Haliti në llogarinë e vet në Facebook.
Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar publikimin e një serie të veçantë videosh, përmes së cilës adreson tema të rëndësishme politike dhe ekonomike.
Përmes këtyre videove, PDK jo vetëm që shpalos arsyet pse Bedri Hamza duhet të votohet për Kryeministër të Republikës së Kosovës, por edhe kritikon Albin Kurti dhe qeverinë e tij për dështimet gjatë mandatit.
Veçantia e kësaj serie qëndron në vazhdimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në komunikimin e fushatës, një qasje që PDK e ka shfrytëzuar edhe më herët, përfshirë edhe në krijimin e këngës së fushatës Ëe Rise Together.
Videot janë shumë të shkurtra, me kohëzgjatje prej rreth 10 sekondash, me pothuajse vetëm një pamje dhe të shoqëruara me dy fjali të qarta, duke përcjellë mesazhe direkte dhe lehtësisht të kuptueshme për qytetarët.
Videoja e katërt, e publikuar sot nga PDK, i referohet kritikës ndaj rritjes së çmimeve si pasojë e keqqeverisjes nga Qeveria Kurti.
Në video shfaqet një burrë teksa kthen një produkt si pasojë e shtrenjtimit të cmimeve, ndërsa mesazhi shoqërues thotë: “Tingulli i rritjes së çmimeve. Keq, Albin!”.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar një mesazh të qartë lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes demokratike dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë në rajon.
Musliu ka theksuar se vlerësimet e institucioneve amerikane tregojnë se demokracia në Serbi është në gjendje shqetësuese, se zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të padrejta dhe se niveli i dezinformimit është alarmant.
Sipas tij, sanksionet e mundshme nuk duhet të kufizohen vetëm në çështjet demokratike, por duhet të lidhen edhe me përgjegjësinë e Serbisë për terrorizëm dhe sabotazh.
Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku, sipas Musliut, Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht rolin e tij, ndërsa Serbia vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare për drejtësi.
Po ashtu, Musliu ka përmendur edhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë me akuza të rënda për terrorizëm dhe spiunazh, si dhe dyshime serioze për lidhje me struktura kriminale nga Serbia.
“Serbia nuk i dorëzon të dyshuarit, nuk bashkëpunon me organet e drejtësisë, dezinformon kundër Kosovës dhe NATO-s”, ka theksuar Musliu, duke shtuar se këto veprime e bëjnë të pashmangshëm hapin e radhës – vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
Sipas tij, sanksionet duhet të lidhen drejtpërdrejt me përfshirjen e konfirmuar të Serbisë në sulmet terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, si dhe me mosdorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq./Telegrafi/
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin e saj të radhës ne Ferizaj.
Kryeministri Albin Kurti tha se Ferizaji ka dëshmuar vendosmëri dhe angazhim të vazhdueshëm, duke theksuar se as qeveria nuk ka lëshuar pe në mbështetjen ndaj këtij qyteti.
Për QKMF, stadiumin e qytetit, spitalin, teatrin, Qendrën Multifunksionale, çerdhe dhe shkolla, si dhe energji efikase në objekte publike, qeverisja e Kurtit është përkujdesur që të investojë financiarisht për Ferizajn.
Kurti tha se në mandatin e ardhshëm synohet rritja e mëtejme e investimeve për Ferizajn, me qëllim shndërrimin e qytetit në një qendër të rëndësishme biznesore.
Sipas tij, projektet strategjike përfshijnë fillimin e ndërtimit të hekurudhës Prizren–Ferizaj deri drejt Bujanocit, ndarjen e 1 miliard eurove për prodhim dhe industri, si dhe investimin e 500 milionë eurove për Brezovicën, investime këto që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në punësim dhe zhvillim ekonomik edhe për Ferizajn.
Deklaratat dhe raportimet e fundit nga analistë serbë dhe media pro-regjim në Serbi e kanë kthyer në temë kryesore publike blerjen e sistemeve amerikane dhe investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim, duke i paraqitur këto zhvillime përmes një narrative alarmuese dhe paniku.
Shkaku kryesor i këtyre reagimeve lidhet me marrëveshjen e nënshkruar në muajin dhjetor ndërmjet Kosovës dhe kompanisë amerikane AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.
Marrëveshja u bë publike më 17 dhjetor nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në mediat dhe diskursin publik serb.
Edhe vetë analistë serbë të sigurisë kanë pranuar rëndësinë e kësaj blerjeje.
Eksperti serb i sigurisë Goran Janiqeviq, duke folur në Televizionin Publik të Serbisë (RTS), theksoi se bëhet fjalë për një blerje me peshë të veçantë, duke deklaruar se “kjo është hera e parë që dikush, si subjekt juridik, blen këtë lloj sistemi”.
Megjithatë, Janiqeviq e paraqiti modernizimin e pajisjeve ushtarake të Kosovës si kërcënim për Serbinë.
“Prishtina po blen nga Amerika helikopterë Black Hawk dhe automjete të blinduara Humvee. Sipas paralajmërimeve, nga viti i ardhshëm do të ketë në dispozicion edhe të parat nga 246 raketa amerikane kundërtanke Javelin. Deri në fund të vitit 2026 planifikohet të përfundojë edhe fabrika e municionit në Gjakovë, si dhe objekti prodhues për dronë në Gjilan, dronët e parë të të cilit Albin Kurti i prezantoi muajin e kaluar”.
“…Në katër vitet e fundit, autoritetet e Prishtinës kanë investuar 430 milionë euro në forcimin e njësive të tyre të armatosura. Qëllimi i tyre, siç ka deklaruar Kurti, është që në katër vitet e ardhshme të shpenzojnë dyfish më shumë –1 miliard euro,” tha Janiqeviq.
Narrativa e panikut u amplifikua më tej nga portale dhe media serbe me orientim pro-qeveritar dhe pro-presidentit Aleksandar Vuçiq.
Portali BLIC shkroi se “Prishtina po armatoset: blen sisteme amerikane të artilerisë që kombinojnë obuzin 105 mm me një automjet të lehtë ushtarak”, duke e paraqitur marrëveshjen si zhvillim kërcënues për sigurinë rajonale.
Në të njëjtën linjë raportuan edhe mediat B92 dhe Telegraf RS, të njohura për afërsinë e tyre me pushtetin në Beograd, të cilat përdorën tone alarmiste në titujt e tyre: “Prishtina po armatoset! Po blen obuzë amerikanë Hawkeye: Çfarë janë ato dhe pse konsiderohen të rrezikshme?”
Aktorët politikë dhe mediatikë në Serbi e kanë paraqitur si arsye për shqetësim edhe faktin se Qeveria e Kosovës, në vitet e fundit, ka rritur ndjeshëm buxhetin për sektorin e mbrojtjes.
Për vitin aktual, buxheti i ndarë për këtë sektor arrin në 207.8 milionë euro, një shifër që në diskursin publik serb interpretohet si tregues i “militarizimit” të Kosovës.
Këto raportime dhe deklarata janë një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një narrativë frike rreth forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, pavarësisht faktit se investimet në fjalë janë bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe në përputhje me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne dhe profesionale, të orientuar drejt standardeve euroatlantike.
Nënkryetari i PDK-së dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka mbajtur një takim me fermerë, ku ka shpalosur programin garues të Partisë Demokratike të Kosovës, me theks te ulja e kostos së jetesës.
Ismaili theksoi se qytetarët dhe fermerët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, ndërsa presionet ekonomike pritet të rriten edhe më shumë në vitet e ardhshme, përfshirë inflacionin, faturat e energjisë elektrike dhe tatimin në pronë.
Ai tha se kjo gjendje kërkon ndryshim të menjëhershëm dhe masa konkrete, duke theksuar se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza është ndërtuar pikërisht për t’i trajtuar këto problem në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Në programin tonë parashihen masa të qarta për uljen e kostos së jetesës. Do ta heqim TVSH-në nga energjia elektrike dhe nga produktet esenciale, në mënyrë që qytetarët dhe fermerët të kenë lehtësim real ekonomik,” ka theksuar Ismaili.
Ai shtoi se Bedri Hamza është një kandidat për kryeministër që përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim dhe se bëhet fjalë për një ekonomist të dëshmuar, i cili synon ta bashkojë shoqërinë dhe të punojë për mirëqenie të qëndrueshme.
“Me 28 dhjetor, qytetarët kanë një mundësi reale për ndryshim. Programi ynë nuk është premtim bosh, por plan konkret për ta ulur koston e jetës dhe për ta përmirësuar mirëqenien e çdo familjeje,” ka shkruar Ismaili.
Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.
Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.
Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.
“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.
Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.
“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.
Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.
Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.
“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.
“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.
Kosova dhe NATO: loja mbyllet
Një element kyç i propozimit është se Kosovës do t’i ofrohej rruga drejt NATO-s, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.
“Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie. Loja praktikisht mbaron,” theksoi Joseph.
Ai shtoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, duke e krahasuar situatën me përvojën e Ukrainës.
Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila la qëllimisht të hapur çështjen e statusit të Kosovës.
“Modeli i Kosovës e heq sovranitetin nga tryeza e menjëhershme dhe krijon hapësirë për negociata reale,” shpjegoi ai.
Sipas tij, kjo do t’i lejonte Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos “dorëzojë territor”, por ta vendosë Donbasin nën administrim ndërkombëtar, me trupa paqeruajtëse dhe referendum final.
“Ironia është se vetë Putini këmbëngul se Kosova dhe Ukraina janë absolutisht të njëjta. Pikërisht këtë argument mund ta përdorë Perëndimi kundër tij,” tha Joseph.
Joseph paralajmëroi se nëse Ballkani nuk stabilizohet, Evropa do të mbetet e cenueshme ndaj ndërhyrjeve autoritare.
“Nëse e hiqni partneritetin strategjik Rusi–Serbi, arkitektura e luftës hibride ruse shembet,” theksoi ai.
Ai bëri thirrje për masa të menjëhershme, përfshirë sanksione ndaj RT dhe Sputnik, mbylljen e qendrave ruse të inteligjencës dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik të rajonit./TheGeoPost.
Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë.
Për shkak të mungesës së konsensusit politik për të krijuar institucione pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.
Duket që KQZ-ja duhet të tregojë efikasitet si asnjëherë më parë, që të mund të arrihen afatet e nevojshme për formimin e një qeverie të re, e që shteti të mos hyjë në një territor të pashkelur më parë.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ-së i duhen diku një muaj e gjysmë kohë për t’i kryer të gjitha procedurat.
“Besoj që fundi i muajit janar është periudha më ideale kur mund të kemi certifikim të rezultateve zgjedhore, ndonëse rreziku është që një të tillë të mos e kemi deri në mesin e muajit shkurt”.
Pas certifikimit, ligji parasheh një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, këtë herë, Kuvendi duket se afat të fundit për konstituim e ka, në fakt, fundin e shkurtit.
Arsyeja? Pozita e presidentit të shtetit.
“Data 5 mars është afati i fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, dhe dështimi eventual mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, edhe pa arritur fare te zgjedhja e qeverisë, apo te formimi i institucioneve të reja”, thotë Cakolli.
Pra, partitë politike, përveçse se të dakordohen për institucionet e reja, duhet të dialogojnë edhe për çështjen e kreut të shtetit, pozitë të cilën aktualisht e mban Vjosa Osmani.
Ky post është përmendur shpesh si pjesë e kalkulimeve të subjekteve politike në arritjen e koalicioneve eventuale për bashkëqeverisje.
Rreziqet përpara
Një tjetër problem i madh do të ishte mbetja e shtetit pa buxhet. Në pamundësi të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Kosova do të funksionojë me 1/12 e buxhetit të vitit aktual gjatë dy muajve të parë të 2026-tës.
Në një situatë të atillë, pa një emër të ri të presidentit dhe pa një qeveri të re e buxhet, as KQZ-ja nuk do të mund t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme të radhës, në mungesë fondesh, që s’do të kishte kush t’ia ndante.
Megjithatë, Cakolli beson se, nëse partitë do ta ndanin mendjen për bashkëpunim, ky skenar do të shmangej – në rast të kundërt, rreziqet do të ishin të jashtëzakonshme.
“Nëse do të ketë vullnet politik për të gjetur zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme, atëherë mund të arrijmë në momentin kur Kuvendi miraton një buxhet, apo formohet qeveri kujdestare në atë periudhë. Por, nëse do të ketë mungesë të vullnetit politik, vendimmarrje politike në funksion të vazhdimit të bllokadës, atëherë vendi do të shkojë drejt krizës, unë besoj më të rëndën institucionale ose socio-politike që kemi parë ndonjëherë”.
Në këtë drejtim, Cakolli vlerëson se fjalori i partive politike në nisje të fushatës duket më i moderuar, duke përmendur në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje.
Kush i monitoron zgjedhjet?
Kur zgjedhjet u caktuan për 28 dhjetor, disa parti e organizata në Kosovë alarmuan se zgjedhjet nuk do të mund të monitorohen nga faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e mirë e botës është në periudhë festash ato ditë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për REL-in se në grupin e parë të vëzhguesve të akredituar më 16 dhjetor ka përfaqësues të mediave vendëse e ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave britanike e japoneze, dhe të organizatave joqeveritare vendëse.
Cakolli pohon të ketë mësuar se misioni i Bashkimit Evropian do të jetë shumë më i kufizuar në numër këtë herë, ndërsa rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim pritet të jetë më i madhi – me rreth 600 vëzhgues dhe vullnetarë të angazhuar – për monitorimin e procesit.
“Normalisht, vëzhgimi ndërkombëtar është vlerë e shtuar e procesit, por nuk besoj se është përcaktues në integritetin e vetë procesit zgjedhor”, shprehet ai.
Procesi zgjedhor
Në këto zgjedhje, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Sikur edhe më 9 shkurt, diasporës i është ofruar mundësia që të votojë me postë – në periudhën 12-27 dhjetor – apo në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete të ndryshme, më 27 dhjetor.
Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë nga një subjekt politik.
Rastet kur fletëvotimi shpallet i pavlefshëm është kur votuesi voton më shumë se një subjekt politik apo kur voton vetëm për kandidatët për deputetë, dhe jo edhe për subjektin politik.
Deri në atë ditë, premtimet e kandidatëve për t’u ngjitur në pushtet do të jenë të pranishme në çdo platformë të mundshme.
Orët e vona të 28 dhjetorit do të japin më shumë qartësi nëse Kosova do ta shmangë një paralizë të mundshme...
Seanca e së enjtes plenare në vend u shoqërua me dhunë dhe tensione të ashpra, të shkaktuara nga opozita, e cila pati përplasje fizike me Gardën.
Flakadanët dhe tymueset u rikthyen sërish në Kuvend, teksa opozita akuzoi maxhorancën pas kërkesës së SPAK-ut për të marrë lejen për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Opozita kërkoi transparencë për akuzat, ndërsa incidentet e dhunshme shpërthyen kur opozitarët tentuan të ndërprenë seancën dhe të pengonin anëtarët e qeverisë të uleshin në vendet e tyre.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë situatës së krijuar, në mbyllje të sesionit të fundit të këtij viti.
Reuters, Fox News, The Telegraph dhe disa media të tjera kanë përshkruar kaosin që u krijua në Kuvend, përfshirë hedhjet e shisheve të ujit në drejtim të kryeparlamentarit Niko Peleshi, i cili u detyrua të mbyllte seancën.
Reuters: Ligjvënësit e opozitës u përleshën me Gardën brenda Parlamentit të Shqipërisë, pas disa javësh tensionesh për shkak të akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Opozitarët ndezën fishekzjarrë, hodhën ujë ndaj kryetarit të Parlamentit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë në një përpjekje për të prishur seancën, përpara se të ndërhynte Garda.
Fox News: Deputetët e opozitës u përleshën me Gardën brenda Parlamentit të Shqipërisë, pas javësh të tëra përshkallëzimi të tensioneve lidhur me akuzat për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Ligjvënësit nga Partia Demokratike e opozitës ndezën fishekzjarrë të zinj, hodhën ujë drejt kryetarit të Kuvendit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë në një përpjekje për të ndërprerë seancën, ndërsa Avokati i Popullit i ri i vendit po përgatitej të bënte betimin. Garda ndërhyri, duke i shtyrë ligjvënësit larg foltores dhe duke lejuar që betimi të vazhdonte.
The Telegraph: Parlamenti i Shqipërisë shpërtheu në kaos të enjten kur deputetët e opozitës ndezën fishekzjarrë dhe hodhën ujë në një përplasje mbi dyshimet për korrupsion qeveritar. Deputetët u përleshën me Gardën, hodhën shishe drejt kryetarit të parlamentit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë, ndërsa ndërprenë seancën parlamentare në kryeqytetin e Tiranës. Ata kërkuan të shihnin akuzat që janë ngritur kundër Belinda Ballukut, zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë së Shqipërisë.
La Republica: Një seancë e dominuar nga tensioni dhe kaosi në Parlamentin e Shqipërisë. Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Sali Berisha, u përpoq të pengonte anëtarët e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama të zinin vendet e tyre, pasi Prokuroria Speciale Antikorrupsion kërkoi heqjen e imunitetit të zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Pressing në T7, ka deklaruar se PDK është e përkushtuar që votën e qytetarëve ta kthejë në politika që bashkojnë shoqërinë dhe jo në përçarje.
Ismaili tha se gjatë gjithë kohës sa Bedri Hamza ka qenë objekt i sulmeve nga eksponentë të partive kundërshtare, ai ka arritur të ruajë kulturën politike, duke theksuar se pikërisht kjo kulturë është ajo që u mungon sot qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, mendësia që PDK po përfaqëson në këtë fushatë është e reflektuar drejtpërdrejt në veprimet dhe qasjen e kandidatit për kryeministër.
“Jemi të dedikuar që votën që e marrim prej qytetarit ta kthejmë në politika që bashkojnë shoqërinë dhe e shtyjnë vendin përpara – në mirëqenie, zhvillim ekonomik, sigurime shëndetësore dhe arsim. Pra, në politika që gjenerojnë të mira konkrete për qytetarët”, tha Ismaili.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës është në një fazë të rritjes së pandalshme dhe se kjo rritje do të konfirmohet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ismaili theksoi se prioritet i PDK-së mbetet bashkimi i shoqërisë dhe dhënia fund e përçarjes që, sipas tij, është shkaktuar nga qeverisja aktuale, duke nënvizuar se Bedri Hamza ka ndërtuar një listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga profesione dhe rajone të ndryshme, me qëllim adresimin e problemeve reale të qytetarëve.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar për intervistim disa persona pas një aksioni policor të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, të publikuar të enjten në mbrëmje, operacioni është realizuar në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Speciale, duke përfshirë disa lokacione të ndryshme në vend.
Rasti është duke u trajtuar nga Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se informacione shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve policore.
Ndërkaq, ndryshe nga njoftimi i Policisë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Sveçla ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar bazuar në të dhënat e siguruara nga AKI dhe pas hetimeve disamujore të kryera nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.
Sipas deklaratës së Sveçlës, të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ai ka shtuar se grupi dyshohet se ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të kryera gjatë viteve 2011–2015.
“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar ka përfunduar”, ka shkruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare./Telegrafi/
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e ekonomisë dhe përkeqësim të kushteve jetësore në vend.
Në një reagim publik, Rukiqi tha se Kosova ka nevojë urgjente për investime, ndërsa, sipas tij, qeveria po krenohet me uljen e borxhit publik, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve dhe varësisë së shtuar nga importet.
Ai theksoi se çmimet mesatare në vend janë rritur rreth 30 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve mbi 50 për qind.
Sipas Rukiqit, deficiti tregtar është rritur nga rreth 2 miliardë euro në mbi 5 miliardë euro, çka, siç u shpreh ai, nënkupton dalje të rreth 5 miliardë eurove nga Kosova çdo vit.
Rukiqi kritikoi edhe sektorin e energjisë, duke deklaruar se faturat e rrymës janë katërfishuar dhe se vendi është kthyer në peng të importeve të energjisë. Ai shtoi se, sipas tij, nuk është ndërtuar asnjë megavat i ri energjetik gjatë kësaj qeverisjeje.
Tutje, ai tha se ndërkohë që qeveria flet për qëndrime të forta politike, sistemi shëndetësor përballet me mungesa elementare, përfshirë edhe materiale bazike për operacione.
“Pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, kryeministri flet për ekonomi dhe zhvillim, ndonëse nuk e njeh as bazën e ekonomisë”, ka deklaruar Rukiqi.
Xhavit Haliti, kandidat për deputet me numër 14, në listën e PDK-së ka qëndruar sot në Suharekë.
"Si dikur gjatë ilegales, edhe sonte u mirëprita nga njerëz të mirë, punëtorë dhe aktivistë të dalluar të Suharekës. Bashkëbiseduam për projektin zgjedhor të PDK-së, të prirë nga Bedri Hamza", ka shkruar Haliti në rrjetet sociale.
Haliti ka apeluar për mobilizim të PDK-së.
"U bëra thirrje që, ashtu siç u mblodhëm dikur rreth UÇK-së për liri, sot të mblidhemi rreth PDK-së për fitore, për shpresë dhe për Kosovën", ka shkruar Haliti.
E përditësuar: Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucione të tjera relevante.
Sipas Sveçlës, bazuar në të dhënat e siguruara nga AKI dhe pas një hetimi disamujore, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë institucionalë, të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime dhe korrupsion që lidhen me procesin e shpronësimit të pronave private.
Në mesin e të dyshuarve janë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, personat e përfshirë kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Dyshohet se përmes korrupsionit kanë inicuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.
“Sot po i japim fund kohës kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, një sukses tjetër në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ai theksoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e qytetarëve po sjellin rezultate konkrete drejt ndërtimit të një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të mbrojtur nga çdo formë e krimit.
Nëse dëshiron, mund ta shkurtoj për “breaking news”, ta rregulloj për portal online, ose të nxjerr tituj alternativë.
Prokuroria Speciale bashkë me AKI e Policinë aksion të madh anti-korrupsion, ka të arrestuar
Një operacion masiv i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është duke u zhvilluar që nga pasditja e sotme.
Sipas burimeve të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar disa zyrtarë, ndërsa pritet të ketë edhe të tjerë.
Sipas informacioneve, aksioni ka nisur pasditen e së enjtes, rreth orës 16:00 dhe është duke vazhduar ende./Telegrafi/
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një tubim në mesin e mbështetësve të PDK-së në Vushtrri ka thënë se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti, shprese e zhvillimi.
Duke thënë se tani është koha për bashkim, Hamza i ka ftuar qytetarët e Vushtrrisë ta votojnë PDK-në dhe numrin 130 më 28 dhjetor.
“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, ma të zhvilluar, ma dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.
Programi i Hamzës bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi, si dhe mbrojtje dhe politikë e jashtme.
Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve deri në 50%, sistem tatimor më të drejtë, lehtësira dhe subvencione për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, qendra kujdesi për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.
“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.
Erioni, një luan trevjeçar, dhe Flora, një ari dyvjeçar, të cilët po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake në një pronë private në veri të Shqipërisë, u dërguan në fillim të dhjetorit në strehimore për kafshë në Gjermani, ku do të fillojnë një jetë të re në kushte të përshtatshme për speciet e tyre.
Operacioni i shpëtimit u realizua nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve FOUR PAWS, pas ndërhyrjes së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë. Sipas organizatës, kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore: Erionit i kishin rënë disa pjesë të krifës, ndërsa Flora ishte e kequshqyer dhe kishte probleme dentare.
Të dyja kafshët udhëtuan për 70 orë nëpër disa vende evropiane. Erioni u vendos në një rezervat për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një strehë për arinj në veri të vendit. Veterinerët i vunë kafshët në anestezi përpara transportit dhe tashmë kanë nisur planet për rikuperimin e tyre.
Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projektesh në FOUR PAWS, u shpreh: “Jemi të lumtur që autoritetet konfiskuan kafshët dhe tani kanë mundësinë të fillojnë një jetë të re në kushte të përshtatshme. Ky shpëtim ia vlejti plotësisht.”
Tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet problematikë në Shqipëri dhe rajon, ku arinjtë dhe kafshë ekzotike mbahen shpesh pa kujdes profesional në kafaze private ose në lokale. Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë, por FOUR PAWS dyshon se luani është viktimë e tregtisë së paligjshme, ndërsa ariu ka shumë gjasa të ketë qenë objekt i gjuetisë ilegale.
Ligji shqiptar lejon mbajtjen e kafshëve të egra vetëm nëse ato kanë lindur në robëri, ose janë të dokumentuara si të siguruara nga qendra të specializuara të mbarështimit dhe tregtisë. Megjithatë, legjislacioni i dobët dhe zbatimi i mangët i tij kanë kontribuar në përhapjen e mbajtjes private të kafshëve të egra. Sipas FOUR PAWS, më shumë se 60 mace të mëdha ende mbahen në kushte të papërshtatshme në vend.
Sajmir Shehu, menaxher projekti në FOUR PAWS, theksoi nevojën për një kornizë ligjore më të rreptë që të parandalojë mbajtjen e paligjshme të kafshëve të egra dhe të sigurojë standardet e kujdesit për to./Associated Press.