KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive
TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit sportiv, Ismet Bellova duke vlerësuar figurën e tij si një prej zërave më emblematikë, themelues i gazetarisë sportive në Shqipëri dhe njeri i mirë.
“Me zërin e tij karakteristik dhe fjalorin e kulluar shqip, Ismet Bellova për 70 vjet ka komentuar ngjarjet më të rëndësishme sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit”, thuhet në njoftimin e KOKSH.
Po ashtu, vlerësohet se kontributi i tij në sportin shqiptar, jo vetëm si gazetar, por edhe si drejtues i Olimpikut Special, kanë lënë gjurmë të rëndësishme
“Në emër të Presidentit të KOKSH, Fidel Ylli dhe Komitetit Olimpik KOmbëtar, i shprehim ngushëllime familjes dhe të afërme. Pusho në paqe Mjeshtët i Madh”, përfundon reagimi i KOKSH.
Ismet Bellova, një prej figurave më të njohura dhe emblematike të gazetarisë sportive shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.
Ai ishte një nga zërat më të veçantë dhe historikë të mikrofonit shqiptar, komentator i dhjetëra sfidave sportive që kanë shënuar historinë e sportit në Shqipëri.
Ismet Bellova mbetet një nga figurat më të spikatura të komentimit sportiv në Shqipëri, ndërsa ndarja e tij nga jeta ka ngjallur reagime të shumta vlerësimi dhe respekti në botën e sportit.
/gj.m/j.p/
The post KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.