Normal view

Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria

5 June 2026 at 21:47

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mblodhi sërish sot mijëra qytetarë në ditën e gjashtë të protestës kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” dhe Zvërnec.

Ata vijuan të përsërisin kërkesat e tyre për anulim të projektit, dorëheqje të qeverisë dhe anulim të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Mirëpo ajo që nisi si reagim ndaj një projekti të diskutueshëm në një zonë të mbrojtur, duket se është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër mënyrës se si merren vendimet publike, menaxhohen pasuritë natyrore dhe se si trajtohen shqetësimet e qytetarëve.

Mes protestuese ishin edhe përfaqësues të komuniteteve që prej vitesh kanë protestuar për çështje të pronës, mjedisit, hapësirës publike, interesit publik dhe arsimit.

Në Zall Gjoçaj, ku banorët kanë kundërshtuar prej vitesh ndërtimin e hidrocentraleve dhe ndërhyrjet në zonat natyrore, Dhimitër Koleci thotë se arsyeja pse ndodhet në protestë lidhet me të ardhmen e brezave të rinj.

“Në shesh jam për fëmijët e mi! Atë që po i bëhet Shqipërisë, ne kemi vetëm dy rrugë; ose fëmijët tanë të bëhen skllavërit e këtyre, ose të marrin gomonet për Angli. Ne kemi zgjedhur të tretën, të rezistojmë që fëmijët tanë t’i mbajmë këtu,” u shpreh Dhimitër Koleci.

Në shesh kanë udhëhequr protestën edhe banorët e Rrjollit, të cilët prej muajsh janë në protesta duke mbrojtur projektet turistike që po rrezikojnë zonën bregdetare të veriut të vendit.

Gëzim Pjeshka nga Rrjolli e lidhi betejën e Rrjollit drejtpërdrejt me atë të Zvërnecit, duke theksuar se lufta për të mbrojtur komunitetet lokale dhe tokat e banorëve është e përbashkët.

“Në Rrjoll janë duke punuar me ritme të vogla tani. Por ne na ka ardhur këtu! Nuk ka më, ka mbaruar! Dorëheqje kryeministri!” deklaroi ai.

Për Luciana Kokajn, një nga udhëheqëset e protestës, bashkë me të tjerë aktivistë përpjekjet e Kryeministrit Rama për ti konsideruar protestuesit si të orkestruar nga jashtë janë të pabaza.

“T’ju gjejnë dhe t’ju lidhin njëri me grekun, njëri me Iranin, njëri me rusin, por harrojnë se ju jeni vetëm shqiptarë,” tha banorja e Rrjollit, Luciana Kokaj.

Në këtë protestë, të quajtur së fundmi edhe si “Revolucioni i Flamingove”, si simbol i biodiversitetit të pasur të zonës së mbrojtur janë bërë pjesë edhe shqiptarë të diasporës. Sipas tyre, çështja nuk lidhet vetëm me një projekt ndërtimi, por me të drejtën për të jetuar në vendin e tyre.

“Edhe kam qenë pa letra, si të gjithë emigrantët, kemi ikur me kamionë, me gomone, për një jetë më të mirë. Kemi rrezikuar jetën tonë. Unë nuk dua të iki nga vendi im. Pse unë të iki në Angli, kur unë mund të jetoj në Shqipëri, në vendin tim, vendin më të bukur në botë,” tha Arian Koci për Citizens.al.

Kjo protestë ka pasur si veçanti edhe pjesëmarrjen e shumtë të të rinjve dhe studentëve. Sipas tyre, protesta është një mënyrë për të kërkuar shpresë në këtë vend.

“Fakti që unë duhet të studioj dhe shteti im nuk më jep mundësi, që unë të rri këtu dhe të punoj në shtetin tim, besoj se është gjë e madhe për të ngritur këtë protestë dhe për të thënë që të paktën mendoni edhe për ne,” tha studentja Shereme Hasani.

Në mesin e turmës ishin edhe pensionistë, të cilët e shohin protestën si një hapësirë ku mund të artikulojnë problemet e tyre ekonomike.

“Protestojmë që të na ngrihet pak pensioni se kemi punuar kaq vite dhe pse jo edhe ne të gjejmë të drejtën tonë,” tha një pensioniste pjesëmarrëse në protestë.

Ndërkohë, të rinjtë aktivistë vazhdojnë të kërkojnë informacion dhe transparencë për projektin.

“Nuk e dimë se çfarë po bëhet, pse po bëhet, nga kush po bëhet. Derisa të kemi këto përgjigje, padyshim që ne do të jemi të paqartë. Duke qenë të paqartë, ne duam të dimë çfarë po bëhet dhe jemi këtu,” tha aktivisti Ilir Brasha.

Nga Rrjolli te Zvërneci, nga studentët te pensionistët, nga diaspora te aktivistët, protesta po shndërrohet në një hapësirë ku bashkohen pakënaqësi të ndryshme të akumuluara ndër vite. Zvërneci mbetet shkaku që i mblodhi, por mesazhi që po del nga sheshi është shumë më i gjerë se sa fati i një projekti të vetëm.

Protesta do të vijojë edhe në fundjavë, të shtunën paradite në formë marshimi në orën 11:00 në plazhin e Dalanit në Zvërnec , për tu bashkuar sërish në orë 18:00 para Kryeministrisë.


Rama: Kjo është një luftë hibride nga Irani

Për mediat e huaja, ndërsa mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tivar, kryeministri Rama tha se ajo çfarë po ndodh në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me ambientalistët, por me një luftë hibride.

“Armiq të vendit të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë, i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet”, u shpreh Rama.

Ndërsa shtoi se: “Në qoftë se nuk sheh që numri i llogarive apo i shqiptarëve në mjedisin digjital është rritur që në ditët e parë të këtyre sulmeve. Është një sulm hibrid”.

Sipas Ramës nuk ka kërkesa për të diskutuar kur ende nuk ka një projekt të miratuar.

“Së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin e pastaj ta diskutojmë projektin. Por, nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston”, vijoi Rama më tej.

Pamja e ditës së gjashtë tregoi se protesta për Zvërnecin po tejkalon kufijtë e një kauze të vetme mjedisore. Në shesh janë mbledhur histori të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: ndjesinë se zëri i qytetarëve është dëgjuar pak ose aspak në vendimmarrje.

Lexo gjithashtu:

The post Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria appeared first on Citizens.al.

“Ndalni punimet në Pishë Poro-Nartë!”; Protestë para Ministrisë së Mjedisit

26 May 2026 at 17:56

Qytetarë dhe aktivistë mjedisore protestuan këtë të martë para Ministrisë së Mjedisit duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, një zonë me rëndësi të lartë ekologjike në jug të vendit.

Protesta u zhvillua mes akuzave nga aktivistët se në territorin e mbrojtur po kryhen ndërhyrje të paligjshme për ndërtimin e infrastrukturës turistike, ndërsa institucionet po heshtin dhe po shmangin përgjegjësitë.

Joni Vorpsi nga organizatat mjedisore PPNEA tha se ka më shumë se një muaj që makineritë po operojnë në zonë, pa asnjë tabelë informuese dhe pa monitorim institucional.

“Makineri kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, duke hequr zona pyjore, duke shkatërruar dunat, madje duke bllokuar edhe lidhjen e detit me lagunën. Dhe të gjitha këto po bëhen pa asnjë monitorim nga institucionet, nga ekspertë,” tha Vorpsi gjatë protestës.

Sipas tij, ndërhyrjet po cenojnë drejtpërdrejt ekosistemin e zonës, e njohur për biodiversitetin dhe habitatet e shpendëve migratorë.

Edhe drejtori ekzekutiv i PPNEA-së, Aleksandër Trajçe, akuzoi institucionet për mohimin e realitetit në terren, duke iu referuar deklaratave të Ministrisë së Mjedisit se në zonë po kryhen vetëm “studime gjeologjike”.

“Nuk ka më ligj që po funksionon në atë territor. Mbi gjashtë-shtatë kilometra bregdet i janë hequr aksesit të publikut,” tha Trajçe, i cili shtoi se ndërsa vazhdon teoria e studimeve gjeologjike, aty po shtrohen rrugë dhe po punojnë ekskavatorë.

Debati mbi ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë është intensifikuar gjatë javëve të fundit, pas publikimit të pamjeve nga terreni dhe raportimeve të organizatave mjedisore që pretendojnë se në zonën e mbrojtur po hapen rrugë dhe po kryhen punime të lidhura me projekte turistike.

Në protestë morën pjesë edhe banorët e Rrjollit të cilët janë duke protestuar për tokat e tyre në bregdetin e Velipojës, që janë marrë për të ndërtuar resorte turistike. Resorti “Blue Borgo”, që së fundmi ka ndryshuar emrin në “Baks Bay”, një investim prej rreth 280 milionë eurosh nga kompania Gener 2, do të ngrejë mbi 30 vila dhe 3 hotele deri në 10 kate me shtrirje deri në 146 hektarë.

“Narta, Rrjolli e gjithë Shqipëria nuk është e oligarkëve, nuk është e kësaj qeverie, por është e jona, është e fëmijëve tanë,” u shpreh Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Bashkë, Mirela Ruko, kritikoi modelin ekonomik të zhvillimit turistik në vend, duke argumentuar se përfitimet po përqendrohen tek një grup i vogël investitorësh.

“Fitimi kryesor i këtij modeli që po ndërtohet sot në Shqipëri nuk është turizmi, është prona,” tha ajo, duke shtuar se plazhet po privatizohen dhe komunitetet lokale po përjashtohen nga përdorimi i hapësirave bregdetare.

Alben Kola, aktivist dhe pjesë e sektorit të turizmit në vend si guidë e cilësoi situatën në Nartë si një sulm ndaj trashëgimisë natyrore të vendit.

“Ky nuk është turizëm, ky është terrorizëm që po i bëhet tokës shqiptare,” deklaroi ai.

“Nuk më intereson rritja e turizmit, kur bashkë qytetarët e mi nuk munden të shkojnë në plazhin që ne kemi trashëguar prej mijëra vjetësh”, shtoi Kola më tej në fjalën e tij.

Ndërkohë, aktivisti Andi Tepelena i kërkoi publikisht ministrit të Mjedisit të mbajë përgjegjësi për situatën.

“Nëse nuk je në gjendje të mbrosh interesin e shqiptarëve, duhet të japësh dorëheqjen menjëherë,” tha ai gjatë protestës.

Organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim nëse punimet në zonën e mbrojtur nuk ndalen dhe nëse institucionet nuk bëjnë publike dokumentacionin për ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë.

Çfarë dimë për ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë?

Dy javë pas denoncimeve të ambientalistëve për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Pishë Poro –Nartë, institucionet vazhdojnë të japin informacion të kufizuar për projektin. IKMT bëri publik emrin e kompanisë që po kryen punimet, pas presionit mediatik.

“Zvërnec South Adriatic Development”, është firma, e cila sipas institucionit po zhvillon punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, dokumenti i plotë i vendimit nuk është publikuar për qytetarët, ndërsa vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.

Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi dhe hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania që ka marrë lejen kontrollohet përmes një strukture të ndërlikuar kompanish të regjistruara në Holandë, me dy shtetas të huaj si përfitues fundorë.

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj i quajti ndërhyrjet në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë brenda parametrave ligjorë.

“Nuk është duke u zhvilluar asnjë degradim i zonës së mbrojtur Pishë-Poro-nartë. Zona është peizazh i mbrojtur kategoria V sipas legjislacionit të zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Japupaj.

Ambientalistët dhe qytetarët shprehin shqetësim për mungesën e transparencës, ndërsa punimet në terren kanë nisur pa u bërë publike dokumentet kryesore të projektit.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Zona Pishë-Poro-Nartë ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës, pranë deltës së Vjosës. Ajo ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm ndërhyrje të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta ligjore dhe konsultim publik.

Zona është një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me rreth 200–300 specie të regjistruara, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare. Megjithatë, ajo ka qenë prej vitesh nën presion zhvillimi, përfshirë projektin e debatueshëm të Aeroportit të Vlorës dhe plane të tjera turistike në zonat përreth.

Lexo gjithashtu:

The post “Ndalni punimet në Pishë Poro-Nartë!”; Protestë para Ministrisë së Mjedisit appeared first on Citizens.al.

Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba

25 May 2026 at 17:35

Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.

Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.

“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.

Banorët: Nuk dimë kush po ndërton

Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.

Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.

“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.

Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.

“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.

Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.

“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.

Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.

“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.

Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.

Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.

Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve

Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.

Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.

“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.

Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.

Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.

“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba appeared first on Citizens.al.

Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur

18 May 2026 at 14:56

Të shtunën, më 16 maj, dhjetëra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë – Nartë. Ndërhyrjet e fundit në zonë nisën në mungesë transparence se nga kush dhe për llogari të kujt po kryhen duke nxitur zemërim jo vetëm te ambientalistët, por edhe te qytetarët që e duan natyrën e Shqipërisë.

Sapo mbërritën në zonë, 6–8 km larg nga Vlora, protestuesit u ndeshën me disa persona të paidentifikuar, pa asnjë logo kompanie, që qëndronin në hyrje të një porte të improvizuar të kantierit të ndërtimit.

“Hape portën që të dalin njerëzit në det!” – u shpreh i revoltuar njëri nga banorët e zonës.

Pasi hynë me forcë, protestuesit dëshmuan atë që kishte ndodhr gjatë këtyrë ditëvë në zonën e mbrotjur: prerje e pyjeve, makineri të rënda, shkatërrim i dunave të rërës dhe zëvendësim i tyre me beton.

“Administrata e Zonave të Mbrojtura nuk është këtu të monitorojë se çfarë po bëhet në zonë të mbrojtur. Të gjitha institucionet e kanë braktisur, nuk janë askund ata që kanë në dorë pasuritë tona natyrore”, tha Zydjon Vorpsi, nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Zona e Pishë–Poro–Nartës është një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme në jugperëndim të Vlorës, e njohur për biodiversitetin e pasur, lagunën, pyjet me pisha dhe habitatet e shpendëve migratorë, përfshirë flamengot. Aktualisht, Pishë–Poro–Nartë gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022.

“Me të marrë natyrën, si me të marrë pasaportën”

Protesta bëri bashkë akvitistë në mbrojtje të mjedisit me banorët e zonës, të cilët kundërshtuan me forcë marrjen e tokës së tyre.

“Kjo është toka jonë, toka e babait tim. Babai im është peshkatar, i ka duart e çara nga puna. Nuk ia merr dot njeri detin”, tha e revoltuar e reja Brunela Mërtiri.

Mërtiri shtoi se kjo është vijimësi e asaj që po ndodh në Shqipëri: “Siç vodhën Dhërmiun, Palasën tani duan të marrin edhe atë që ka mbetur në Nartë.”

Aktivisti dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Ylli Tafaruci, e paralelizoi atë që po ndodhte në Vlorë me atë çfarë ka ndodhur në Durrës para 10–20 viteve.

“A e dini sa pyje apo plazhe të mbrojtura ka sot në Durrës? Asnjë! A e dini sa resorte dhe ndërtime po bëhen sot në Durrës? Po aq sa po bëhen në Vlorë dhe po aq pak akses sa keni ju në ato plazhe, aq pak kemi dhe ne”, theksoi Tafaruci.

Aktivisti Ervin Goci u shpreh se marrja e natyrës është po aq e rëndë sa vjedhja e pasaportës.

“Është të të marrin pasaportën e të qenurit shqiptar. Kur të merr natyrën, kur të merr tokën, territorin, kur të merr peizazhin, kur të merr atë emër me të cilën, ti me çdo njeri që takon të huaj i thua çfarë natyre ka Shqipëria…”, nënvizoi ai.

Ambientalistët e lidhën ngjarjen në Pishë – Poro – Nartë me reformën e zonave të mbrojtura që nisi që në vitin 2018, që i hapi rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

“Ne nuk e kishim menduar kurrë që do bëhej një ligj i ri për zonat e mbrojtura, që është ligji më absurd që mund të ekzistojë, që lejon ndërtimin në ligatinat bregdetare të Shqipërisë”, analizoi Mirjan Topi nga PPNEA.

Çfarë dihet deri më tani?

Dy javë pas denoncimeve të ambientalistëve për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Pishë – Poro – Nartë, institucionet vazhdojnë të japin informacion të kufizuar për projektin. IKMT bëri publik emrin e kompanisë që po kryen punimet, pas presionit mediatik.. “Zvërnec South Adriatic Development”, është firma, e cila sipas institucionit po zhvillon punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, dokumenti i plotë i vendimit nuk është publikuar për qytetarët, ndërsa vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”. Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi dhe hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania që ka marrë lejen kontrollohet përmes një strukture të ndërlikuar kompanish të regjistruara në Holandë, me dy shtetas të huaj si përfitues fundorë. Ambientalistët dhe qytetarët shprehin shqetësim për mungesën e transparencës, ndërsa punimet në terren kanë nisur pa u bërë publike dokumentet kryesore të projektit.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.

Vlora mes gazit dhe energjisë së gjelbër: Debati për të ardhmen e TEC-it

5 May 2026 at 17:32

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar së fundmi planin e qendrës energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm të Shqipërisë, në kuadër të një marrëveshje të nënshkruar me Greqinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria do të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare dhe, përmes TEC-it të Vlorës, do të prodhojë energji elektrike”, u shpreh ai në podcastin personal të përjavshëm.

Sipas qeverisë, kalimi i funksionimit të termocentralit (TEC) të Vlorës nga nafta në përdorim me gaz shihet si zhvillim pozitiv.

“Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, si për shfrytëzimin ashtu edhe për eksportin e gazit përmes Trans Adriatic Pipeline (TAP), pasi pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin, ku ndodhet gazsjellësi trans-adriatik”, përmbylli kryeministri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i konsorciumit të organizatave Lëvizja për Energjinë dhe Klimën (LEK), të cilat dolën me një deklaratë publike duke u shprehur se “populli i Vlorës duhet ta refuzojë masivisht injektimin e këtij burimi fosil në Shqipëri”.

TEC-i i Vlorës, me kapacitet rreth 97 MW, u ndërtua me mjaft kontestime për ndotjen e mundshme të mjedisit. Ideja ishte që një vepër e tillë do të rriste sigurinë energjetike të vendit, por thuajse nuk ka funksionuar që nga përfundimi i tij në vitin 2011 për shkak të problemeve teknike.

Projekti, që kushtoi rreth 130 milionë euro dhe u financua nga institucione ndërkombëtare, është konsideruar shpesh një investim i dështuar. Vendosja në punë përmes kalimit nga nafta në gaz është një ide që ka nxitur debat mbi kostot dhe ndikimin mjedisor.

Kundërshtimet mbi qendrën energjetike të Vlorës

I pyetur nga Citizens.al, aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni kujtoi se kryeministri ka deklaruar shpesh, si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, se vendi synon të jetë eksportues neto i energjisë nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030.

“Atëherë pse duhet kjo energji fosile, për aq kohë sa synojmë të jemi eksportues neto nga burime të rinovueshme, të cilat janë më miqësore ndaj mjedisit dhe më ekonomike?” shtroi ai.

Ndërkohë, Mihallaq Qirjo, drejtues i “Qendra Burimore e Mjedisit” (REC Albania), theksoi se vetëm zhvillimet energjetike që bazohen në burime të rinovueshme dhe të pastra mund të konsiderohen pozitive.

“Komisioni Evropian thekson vazhdimisht se diversifikimi duhet të mbështetet në burimet vendase, pasi vetëm në këtë mënyrë rritet pavarësia nga burimet e huaja”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, qoftë si vend tranzit apo përdorues i gazit, Shqipërisë i mungon infrastruktura e shpërndarjes deri te përdoruesi fundor, çka do të thotë se individët dhe bizneset nuk do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky burim energjie fosile.

Në të njëjtën linjë, Valbona Mazreku nga organizata “Mileukontakt Albania” vlerësoi se nënshkrimi i memorandumit për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshja për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm përbën rrezik për mjedisin dhe një devijim nga rruga drejt energjive të pastra.

Ajo shton se investimet në gaz mund të krijojnë varësi afatgjatë nga karburantet fosile, ndërsa “zhvillimi i industrisë së gazit mund të cenojë potencialin turistik dhe ekologjik të Vlorës”.

Debati mbi të ardhmen energjetike të Vlorës mbetet i hapur, duke reflektuar përplasjen mes nevojës për siguri energjetike dhe angazhimeve për një zhvillim më të qëndrueshëm mjedisor.

The post Vlora mes gazit dhe energjisë së gjelbër: Debati për të ardhmen e TEC-it appeared first on Citizens.al.

Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje

1 May 2026 at 16:39

Punime të dyshuara brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë kanë ngritur alarmin për një tjetër përplasje mes zhvillimit, ligjit dhe përpjekjeve për të ruajtur ato pak zona me rëndësi mjedisore në Shqipëri.

Pamje të publikuara të enjten nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) tregojnë për mjete të rënda dhe ndërhyrje në terren në një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në vendin tonë.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga institucionet dhe nuk ka një konfirmim publik për leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor për këto punime. Në terren, aktiviteti duket i organizuar dhe i vazhdueshëm, ndërsa dyshimet lidhen me projekte të mëdha turistike të përfolura prej kohësh në zonë.

“Po hapin një kantier në zonë të mbrojtur!”

Në një lidhje telefonike për Citizens.al, drejtuesi i AOS, Taulant Bino, tha se kishte qenë vetë në zonë në momentin kur u evidentua aktiviteti.

Sipas tij, dhjetëra kamionë hynin dhe dilnin përmes një rruge të sapo rehabilituar, ndërsa në terren ishin të pranishëm ekskavatorë dhe shumë punonjës.

“Komunikova me një nga punonjësit aty duke i thënë se isha për vëzhgim shpendësh dhe ata më thanë se kishin nisur hapjen e një kantieri,” u shpreh Bino.

Ai shtoi se punonjësit nuk mbanin shenja identifikuese, ndërsa mjetet kishin shënime në italisht, pa elementë që i lidhnin drejtpërdrejt me një kompani të caktuar.

Sipas AOS, ndërhyrjet mund të lidhen me projektet e përfolura zhvillimore në zonën e Zvërnecit, të cilat prej vitit 2024 kanë përmendur si investitor të interesuar dhëndrin e Presidentit Amerikan, Jared Kushner.

Në këtë kontekst është përmendur edhe Kastrati Group si një nga kompanitë që mund të ketë rol ose si nënkontraktor ose si partner zhvillues, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Citizens.al kontaktoi përfaqësuesit për komunikimin me median të kësaj kompanie, të cilët deklaruan se nuk mund të jepnin një përgjigje konkrete pasi “momentalisht shumica e stafit janë ditë pushimi,” duke lënë si mundësi për një reagim për të hënën.

Mbi ngjarjen reagoi edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila i bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndalojnë “këtë dhunim të pakthyeshëm të zonës së mbrojtur”.

“I kërkojmë qeverisë të ndalojë planet e papublikuara dhe të bëjë transparencë mbi atë që po ndodh në deltën e lumit Vjosa!” citohet në qëndrimin e organizatës.

Në përmbyllje, PPNEA theksoi se, edhe pse qeveria ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura për të lejuar ndërtimin e resorteve me 5 yje, edhe ky ligj po shkelet pasi rastet tregojnë se nuk po ndiqet asnjë procedurë.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Zona e denoncuar ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës që kufizohet më tej nga delta e Vjosës.

Ajo gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm aktivitete të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta për çdo ndërhyrje, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimin publik.

Pishë-Poro-Nartë konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, ku janë regjistruar rreth 200-300 specie, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare.

Por kjo zonë ka qenë prej vitesh nën presion të vazhdueshëm zhvillimi.

Një nga projektet më të debatueshme ka qenë dhe mbetet Aeroporti i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka nisur pikërisht pa leje të zbardhur ndërtimi në vitin 2021, duke u kundërshtuar nga organizata mjedisore për shkak të ndikimit në habitatet e shpendëve.

Së fundmi, SPAK ka marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për këtë projekt, nën dyshimin për paracaktim të fituesit të koncesionit.

Paralelisht, investime të tjera të përfolura, si resorti turistik në ishullin e Sazanit i lidhur me Kushner, apo dhe ideja për zhvillimin e zonës ligatinore të Zvërnecit me të njëjtin propozim, kanë ngritur shqetësime të reja mbi ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura.

Citizens.al ka raportuar vazhdimisht për këtë çështje duke vënë në pah edhe ndryshimin që pati ligji për portet turistike, i cili tashmë u jep të drejtë “investitorëve strategjikë” të privatizojnë edhe të detin.

Reagimi deri më sot ka qenë i vakët, përgjithësisht nga organizatat mjedisore dhe aktivistë individual. “SOS: Po grabitemi!” ishte një instalacion në rërë që u realizua me këtë qëllim nga artistë si formë ndërgjegjësimi ndaj këtyre “planeve strategjike,”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka informacion zyrtar nëse aktivitetet e evidentuara në terren janë të pajisura me leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ndërhyrjet lidhen me ndonjë nga projektet e njohura apo përfaqësojnë një zhvillim të ri në fazë paraprake.

Në mungesë transparence dhe reagimi institucional, rasti ngre pikëpyetje mbi respektimin e statusit të zonës së mbrojtur dhe procedurave ligjore për zhvillimet në territore me rëndësi të lartë ekologjike.

Lexoni gjithashtu:

The post Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje appeared first on Citizens.al.

Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban

7 January 2026 at 13:44

Reshjet e javës së parë të vitit 2026 sollën përmbytje masive në disa qytete të vendit duke zbuluar krizën e thellë të emergjencave dhe planifikimit urban në Shqipëri. Durrësi, Lezha dhe Gjirokastra shfaqën situatat më problematike.

Përmbytjet dhe vërshimet e përrenjve ekspozuan mosfunksionimin e sistemeve të kanalizimeve, kaosin e ndërtimeve dhe mungesën e planifikimit afatgjatë përballë prirjeve më të çrregullta të një dukuri natyrore si shiu.

Dështimi” i kanalizimeve

Zona si Spitalla, Nishtulla dhe ish-këneta ishin më problematiket në bashkinë e Durrësit, ndërsa rrugët kryesore u bënë të pakalueshme me qindra shtëpi nën ujë.

Bashkia pezulloi mësimin në shumicën e shkollave, ndërsa pati bllokim të qarkullimit nga Mauzoleu i Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.

“Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3-4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës”, tha bashkia Durrës në një komunikim zyrtar në rrjetet sociale.

Uji përfshiu edhe rrugën e burgut, zonën e Shkozetit dhe superstradën Durrës-Tiranë ku pati dhe shkëputje të energjisë elektrike. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes u shpreh se kishte dislokuar në terren 23 forca dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile.

Por, përveç Durrësit, situata emergjente u vu edhe në Gjirokastër. Qyteti i gurtë u kaplua nga vërshimi i ujërave të përroit të Fiços.

Rrugët u pushtuan nga uji dhe inertet. Pamjet e shpërndara nga qytetarët në rrjetet sociale treguan për një situatë të papërjetuar më parë, mungesë energjie elektrike, makina që merreshin tutje nga uji me rrugët e pakalueshme dhe shumë dyqane e shtëpi të përmbytura.

Në Lezhë situata ishte e njëjtë: rrugë të përmbytura dhe rreth 1,000 ha tokë nën pushtetin e ujit. Autoritetet raportuan rritje të nivelit të lumit Drin dhe Mat.

Në Kukës u raportua për probleme me sistemin rrugor ku pati situata përmbytjesh dhe rrëshqitjesh me inerte në disa segmente si Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Qafë Mali dhe aksi Tropojë-Ferzë-Qafë Mali.

Rritja e prurjeve të lumit Drin ka sjellë shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Reshje të dendura ka pasur edhe në Vlorë, ndërsa në fshatin Vajzë rrëshqitjet e dherave kanë dëmtuar rrugën kryesore dhe dy banesa.

Situata ka qenë problematike edhe në Shqipërinë Juglindore. Në Pogradec pati rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin e Starovës dhe lumin e Vërdovës. Ndërsa në zonat rurale të Pogradecit përrenjtë kanë dalë nga shtrati.

Në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, në hyrje të tunelit, një masiv dheu rrëshqiti duke goditur një makinë që po kalonte në atë moment. Nuk pati të lënduar.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) reshjet intensive priten edhe përgjatë së mërkurës kryesisht në veri dhe në jug të vendit.

“Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave,” tha Instituti.

“Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, vijoi më tej njoftimi i IGJEO, i cili theksonte se në zonat mbi 1,000 m lartësi, do të kishte reshje bore.

Faji i reshjeve, përgjegjësia “jetime”

Situata e paralizuar në të gjithë vendin solli edhe njëherë në vëmendje krizën e planifikimit dhe zhvillimit urban të qyteteve kryesore.

Lëvizja Bashkë, ndau një analizë të inxhinierit hidroteknik Llambion Dhimitri, i cili tregonte arsyet sipas së përmbytjet në Durrës nuk janë fenomen natyror. Kjo forcë politike ia faturoi ngjarjet “neglizhencës së qeverisë” dhe “investimet në fasada e sheshe dekorative për propagandë”.

“[…] ndërsa ka braktisur infrastrukturën bazë urbane që mban qytetet funksionale”, theksoi Dhimitri në qëndrimin e tij.

Sipas inxhinierit Durrësi është një qytet “i projektuar për shiun e viteve ’70”, ndërsa urbanizimi ka rritur ndjeshëm koeficientin e rrjedhës sipërfaqësore, duke mos ndryshuar kolektorët.

“Kanalet dytësore janë mbushur, ose zhdukur nga ndërtimet. Pusetat funksionojnë si dekor, jo si element hidraulik. Nuk ekziston asnjë sistem rezervimi apo devijimi të prurjeve të pikut”, tha më tej Dhimitri.

Për situatën e krijuar reagoi edhe kryeministri Rama në platformën X, duke relativizuar situatën me reshjet e hasura edhe në rajon.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë […] për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë,” shkroi Rama duke ironizuar qasjen e opozitës si “aleancë me shiun”.

Çështja e përmbytjeve është trajtuar në Citizens.al me një material të gjatë dhe analitik. Situata është e atillë ku autoritetet përballen me motin ekstrem “në errësirë”, pa mjetet dhe logjistikën e duhur paralajmëruese dhe menaxhuese.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara në Evropë nga fatkeqësitë natyrore. 95% e bashkive janë të prekshme dhe kanë pasur situata përmbytje, zjarre, tërmete apo rrëshqitje dheu në dy dekadat e fundit.

Sistemi kombëtar i vëzhgimit meteorologjik dhe hidrologjik vuan për investime. IGJEO ka treguar për Citizens.al se numri i vendmatjeve meteorologjike ka rënë nga 116 në vitin 2014 në 95 në vitin 2025.

Pa një sistem paralajmërimi dhe monitorimi real në kohë, përmbytjet nuk do të jenë thjesht “episode moti”, por simptoma të një qasjeje që vetëm e ndjek krizën dhe nuk e parandalon dot atë.

Vendimi për të injoruar boshllëqet në rrjetet e matjeve, koordinimit institucional dhe kapacitetet e paralajmërimit e lë shoqërinë në mëshirë të fatit përballë fenomeneve ekstreme. Ngjashëm edhe sa i përket investimit dhe zgjerimit të sistemit të emergjencave.

Lexoni gjithashtu:

The post Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban appeared first on Citizens.al.

Fundviti gjen Vlorën pa ujë, bashkia shmang përgjegjësinë

29 December 2025 at 14:02

Prej së dielës banorët e Vlorës janë në protestë për mungesën e ujit të pijshëm. Qyteti hyri të hënën në ditën e katërt pa furnizim, për shkak të një problemi teknik.

Të hënën dhjetëra qytetarë u grumbulluan para bashkisë, ku hodhën vezë dhe letra higjienike, teksa një mbrëmje më parë ata mësynë teatrin “Petro Marko” duke prishur eventin e fundvitit që organizohej nga bashkia.

Revolta erdhi si përgjigje ndaj mungesës së përgjegjësisë dhe rrugëzgjidhjes. Nën zhurmën e bidonëve, ata kërkuan zgjidhje urgjente dhe paralajmëruan rrezik shëndetësor nga mungesa e higjienës.

Uji u ndërpre në qytetin e Vlorës pas një defekti në linjën kryesore të furnizimit. Defekti ndodhi në tubacionin e gjerë, 1 metër, që furnizon depot. Linja ishte investuar në vitet 2009-2010.

Ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve punuan në terren për rregullimin e avarisë, por si duket problemi ishte më serioz se sa u pandeh në fillim duke kërkuar më shumë kohë.

Gjatë punës për rregullimin e avarisë Burimi: Ujësjellës Kanalizime Vlorë

Edhe kryebashkiakja Brunilda Mersini ishte në vendin ku po kryheshin punimet. Ajo e quajti situatën “fatkeqësi natyrore” dhe shmangu debatin për përgjegjësitë, megjithëse përmendi faktin se ujësjellësi prej dy vitesh administrohet nga qeveria dhe jo bashkia.

Sipas Mersinit, testet e fundit dhanë rezultat pozitiv. Zona e Lungomares pritet të furnizohet me presion minimal. Ndërkohë zgjidhja për furnizimin në qytet është dhënë me 15 autobote ujë, ku përparësi u është dhënë institucioneve.

Ndarja e përgjegjësive administrative për shërbimet kryesore të qytetit, mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, kanë qenë problem i vazhdueshëm në Vlorë.

Në vitin 2024, kriza e mbetjeve, zjarri në fushën e depozitimit dhe përmbytjet rritën pakënaqësinë publike dhe paraprinë dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha.

Ndërkohë, furnizimi me ujë mbetet premtim i përsëritur politik prej vitit 2013.

Kryeministri Edi Rama premtoi asokohe furnizim 24 orë si “shenjë qytetërimi”. Në 2021, ai garantoi 100% furnizim në mandatin e tretë.

Në vitin 2025, gjatë një diskutimi online, Rama relativizoi problemin duke kujtuar se as komunizmi nuk kishte pasur ujë 24 orë. Kështu, premtimet ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë për qytetarët.

Sipas raportit vjetor 2024 të Entit Rregullator të Ujit, furnizimi mbulon 77.2% të popullsisë. Rritja është vetëm 1.9% krahasuar me vitin 2023.

Raporti thekson ndikimin e kompanive më të mëdha të ujësjellësit, mes tyre Tirana, Durrësi dhe Vlora. Megjithatë, statistikat mbeten larg premtimit për furnizim të qëndrueshëm 24 orë.

Kriza në Vlorë ekspozoi kështu brishtësinë e menaxhimit të sistemit të ujësjellësave dhe mungesën e përgjegjësive të qarta. Ndërsa qytetarët kërkojnë jo vetëm zgjidhje emergjente, por transparencë dhe plan afatgjatë për një shërbim bazë.

The post Fundviti gjen Vlorën pa ujë, bashkia shmang përgjegjësinë appeared first on Citizens.al.

Për kë po ndërtohet? Gjysma e banesave në Durrës dhe Vlorë janë bosh

31 October 2025 at 11:11

Autor: Xhevahir Zhabina | Citizens.al

Durrësi dhe Vlora janë dy nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe janë shëmbëlltyra se si është zhvilluar Shqipëria gjatë tranzicionit. Për forcat politike që e kanë qeverisur vendin ato konsiderohen histori suksesi.

Por, pavarësisht dëshirës së pushtetit për të na ofruar këtë pamje, të dhënat e censit të vitit 2023, tregojnë një realitet tjetër, ku gati gjysma banesave të këtyre dy qarqeve janë bosh.

Ky fakt ngre pikëpyetje të mëdha mbi modelin e zhvillimit ekonomik të këtyre dy qendrave të rëndësishme në të cilat është investuar ndjeshëm në ndërtim. Por të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e objekteve të reja janë pa rezidentë.

Vetëm 7% e banorëve të qarkut Durrës dhe 2% e banorëve të Vlorës jetojnë në banesa të ndërtuara mes viteve 2016-2023.

Durrës, një në dy banesa bosh.

Qarku i Durrësit, i dyti më i rëndësishëm në vend, përfshin bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë dhe numëron 226,863 banorë, me një rënie prej 36,848 banorësh (14%), krahasuar me censin e viti 2011.

Në letër, është një zonë dinamike me portin më të madh të vendit, afërsi me Tiranën dhe një vijë bregdetare që tërheq investime e turizëm.

Por tabloja nuk është kaq optimiste. Sipas censit të vitit 2023 në qarkun e Durrësit ka 117,303 banesa, nga të cilat 51,127 (43,6%) janë bosh, ndërsa 66,176 janë të banuara.

Situata bëhet më dramatike kur ndarja e banesave bosh bëhet në nivel bashkish.

Bashkia Durrës, përfshin pjesën dërrmuese të njësive bosh. Gjithsej ajo ka 91,378 njësi banimi, nga të cilat 46,7938 (51.2%) janë të banuara ndërsa 44,595 (48.8%) jo. Kjo tregon se thuajse gjysma e banesave është bosh.

Në Shijak dhe Krujë, ku presioni nga turizmi dhe ndërtimi janë ndjerë më pak, shifrat janë më të ulëta, me përqindje boshatisjeje respektivisht 32.5% dhe 21.3%.

Ndërsa popullsia e Shqipërisë ulet, si rezultat i emigrimit masiv dhe faktit që Tirana është ajo që tërheq edhe ato pak banorë nga lëvizjet e brendshme demografike, Durrësi është kthyer në “depo betoni” për apartamente që presin pushuesit e verës, emigrantët me kursime, apo investitorë dhe spekulantë të fokusuar në tregun e pronave të paluajtshme.

Por jo për njerëzit që jetojnë dhe duan të jetojnë aty përditë.

Në qarkun e Durrësit nga viti 2013 deri në vitin 2024 janë shtuar 779,000 m2 ndërtim i destinuar vetëm për banim.

Vlora më keq së Durrësi

Vlora është qarku ku fenomeni i banesave bosh është më i theksuar. Në letër Vlora është histori suksesi, me investime strategjike, turizëm në rritje dhe zhvillim të shpejtë të bregdetit.

Sipas censit te vitit 2023, popullsia e qarkut Vlorë ka rënë me 28,959 (17%) nga viti 2011.

Në total qarku ka 109,375 banesa me destinacion banimin, nga këto, 52,296 janë të banuara (47.8%), ndërsa 57,079 (52.2%) jo. Më shumë se gjysma e shtëpive në qarkun e Vlorës janë bosh.

Në bashkinë Vlorë, e cila përfshin vetë qytetin dhe zonat përreth, nga 63,428 banesa në total, 33,561 janë bosh (53%), ndërsa 29,867(47%) janë të banuara.

Në Sarandë, një tjetër model i zhvillimit të turizmit shqiptar, fenomeni është edhe më i theksuar, nga 20,790 banesa, 12,919 janë bosh, dhe vetëm 7,871 kanë njerëz brenda.

Në përqindje, kjo do të thotë 62% banesa bosh dhe vetëm 38% të banuara.

Himara, një tjetër destinacion turistik i ngjashëm, ka 7,292 banesa, nga të cilat 4,173 janë bosh (57%) dhe 3,119 (43%) të banuara.

Në Delvinë, Konispol dhe Finiq, zona që nuk kanë ndjerë të njëjtin presion për ndërtime dhe turizëm, vetëm afërsisht 1 në 3 apartamente është bosh.

Selenica bën përjashtim në qarkun Vlorë me nivelin e lartë të banesave bosh ndonëse jo një zonë turistike.

Për urbanisten Doriana Musai ndërtimi është shndërruar në model ekonomik për të mbajtur gjallë “statistikat e zhvillimit”.

Qeveria shpall sukseset me fjalë si ‘turizëm’, ‘investime strategjike’ dhe ‘modernizim’, por në realitet po krijon qytete fantazmë, ku gjysma e dritareve nuk ndizen kurrë, thotë Musai.

93-98% e banorëve të Vlorës dhe Durrësit banojnë në ndërtesa të para vitit 2016

Censi i dy viteve më parë, përveç numrit të banesave bosh dhe të banuara, tregon edhe vjetërsinë e ndërtesave ku jetojnë banorët e dy qarqeve.

Por këtë të dhënë Instituti i Statistikave e ka publikuar vetëm në rang qarku, në këtë fazë mungojnë të dhënat në nivel bashkie dhe njësie administrative.

Ne i kërkuam INSTAT të na i vinte në dispozicion këto të dhëna, por pas disa komunikimeve me përfaqësues të këtij institucioni dhe të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, na u tha se këto të dhëna ishin duke u përpunuar dhe në momentin që ky proces do të ketë përfunduar do të na vihen në dispozicion.

Megjithatë mbi aq sa është publike kemi mundur të ndërtojmë një ide se ku jetojnë banorët e qarkut të Durrës.

Nga totali prej 66,176 njësi të banuara në Durrës në nivel prefekture grafiku i mëposhtëm na tregon ku banojnë qytetarët e qarkut të grupuar sipas vitit të ndërtimit të banesës.

Më shumë se gjysma e njësive të banuara në Durrës (57%) janë ndërtuar para viteve 2000.

Banesat e ndërtuara në vitet 2001-2010 zënë 30% të totalit të banesave të banuara, ato të ndërtuara pas vitit 2010 zënë 14% të totalit të banesave të banuara.

Më shumë se gjysma e banorëve rezident të qarkut jetojnë në banesa të ndërtuara gjatë komunizmit apo vitet e para të demokracisë dhe jo ato të valës ndërtimore post 2000.

Ndërsa, në Vlorë totali prej 52,296 njësive të banuara është i ndarë sipas grafikut të mposhtëm.

Në këtë qark fakti që shumica e banorëve rezident jetojnë në banesa të vjetra bëhet dhe me evident, duke nxjerrë në pah që janë banesat e post 2000 kanë tendencë të jenë bosh.

Dy në tre njësi të banuara, janë ndërtuar para viteve 2000.

Banesat e ndërtuara në vitet 2001-2010 zënë 23% të totalit të banesave te jetuara. Ndërsa banesat e ndërtuara pas vitit 2010 zënë vetëm 8% të totalit të Banesave të banuara.

Dy të tretat e banorëve rezident të qarkut jetojnë në banesa të ndërtuara gjatë komunizmit apo vitet e para të demokracisë dhe jo ato të valës ndërtimore post 2000.

Në qarkun Vlorë nga 2013 deri në 2024 janë miratuar 722,000 m2 ndërtim me destinacion banimin. Vlen të përmendet që vetëm në 2014 janë dhënë 266,000 m2 ndërtim për banim. 

Njësitë e reja të banimit pas 2016 zënë një përqindje shumë të vogël në totalin e shtëpive të banuara, në Durrës 7% dhe në Vlorë 2% . Pra, ndërtesat e reja nuk po zëvendësojnë të vjetrat, por shtohen mbi to.

Kërkuam nga INSTAT edhe të dhëna mbi njësitë e banimit që janë bosh në këto dy qarqe, ku të përcaktonte se në cilat njësi administrative dhe cilës periudhë të ndërtimit i përkasin njësitë e banimit bosh, edhe këtë informacion nuk arritëm ta marrim me argumentin e njëjtë se të dhënat janë duke u përpunuar.

Industria e ndërtimit për urbanisten Doriana Musai është shumë e ekspozuar ndaj dy fenomeneve spekulimi dhe pastrim parash dhe investimet në pasuri të paluajtshme janë kthyer në strehim për kapitalin e pasigurt, përfshirë korrupsionin dhe krimin financiar.

“Në mungesë të tregjeve të tjera të sigurta, betoni është bërë ‘banka’ më e sigurt për kursimet, shpesh me burim të dyshimtë. SPAK na konfirmon ne shumë raste këtë skemë të ngritur,” thotë Musai.

Krahasimi i Durrësit dhe Vlorës me Selaniku

Në këto dy qarqe po ndodh një fenomen i çuditshëm, popullsia nga censi në cens është ulur, banesat bosh janë rritur, por gjithashtu metrat e ndërtimit me destinacion banimin janë shtuar.

Sipas një studimi të kryer nga tre pedagogë (Azmi Stringa, Manjola Naco dhe Alban Korbi), thuhet se pjesa e njësive të pabanuara u rrit dhe së bashku me to u rrit edhe çmimi i pasurive të paluajtshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve u rritën me afërsisht 44% në vitin 2024.

Faktorë të shumtë po kontribuojnë në këtë rritje janë zgjerimi i turizmit dhe kërkesa për qira ditore (afatshkurtra si Airbnb), blerja spekulative e shtëpive dhe një pjesë në rritje e blerjeve nga blerësit e huaj, e vlerësuar në 20% të transaksioneve në vitin 2024.

“Ky bashkim i mungesës së alternativave të tjera të investimit, profilit të rrezikut të vendit (pasiguria në të bërit biznes nxit investimet në pasuri të paluajtshme), investimeve spekulative, kërkesës së jashtme nga turizmi, korrupsioni dhe krimi financiar po prodhon një rezultat paradoksal, ndërsa popullsia e Shqipërisë është në rënie, numri i shtëpive të zbrazëta vazhdon të rritet dhe çmimet përshkallëzohen përtej mundësive të qytetarëve mesatarë” thuhet në studim

Studimi bën një krahasim me një qendër të rëndësishme të turizmit në Greqi, siç është Selaniku dhe kjo zonë është dukshëm më mirë se Durrësi dhe Vlora. Sipas mediave greke, një në tre shtëpi në rajonin e Maqedonisë Qendrore është bosh, pra rreth 33%.

Ndërsa Durrësi dhe Vlorë janë rreth 50% me trend rritjen e kësaj shifre për shkak se projekti “Durrës Yacht Marina”, dhe “Vlora Marina” do të sjellin në treg mijëra apartamente të tjera.

Doriana Musai thotë se po ndërtohet një ekonomi e iluzioneve, ku “zhvillimi” nuk matet me rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve, por me numrin e lejeve të ndërtimit dhe m² të betonit të shitur.

“Në këtë kuptim, Durrësi dhe Vlora po bëhen viktima të suksesit të rremë, duke u shndërruar në qytete turistike për disa, por të pabanuara për shumicën”, përmbyll Musai.

Lexoni gjithashtu:

The post Për kë po ndërtohet? Gjysma e banesave në Durrës dhe Vlorë janë bosh appeared first on Citizens.al.

Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese

6 August 2025 at 11:29

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.

Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.

“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.

“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.

“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al.

Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.

Historia e TEC-eve lundruese

Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.

Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.

Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.

“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.

Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.

Ilustrim grafik nga protesta kundër TEC-eve lundruese, Vlorë/Citizens.al

Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve

Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.

Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.

Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.

Nuk e japim Vlorën! apo TEC fosil, largohu! kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.

Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.

Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.

Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.

Lexoni gjithashtu:

The post Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese appeared first on Citizens.al.

“Vlora në flakë”: Zjarret nga mbetjet dhe dështimi i premtimeve publike

17 June 2025 at 16:03

Autore: Anila Hoxha | Citizens.al | Vlorë

Buzë një fushe mbetjesh në lagjen “24 Maji” të Vlorës, 38-vjeçari Zamir Qama përpiqet të mbrojë disa rrënjë ulliri që ka në oborrin e shtëpisë. Me një karrocë dore, ai u hedh pleh dhe ujë, ndërkohë që përballë tij zjarret në vendgrumbullimin e hapur të mbetjeve ndizen pa pushim. 

“E bëj sepse dua të ndaloj këtë batërdi,” thotë ai, duke treguar me dorë drejt malit të mbeturinave. Edhe pse në prill 2025 kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, njoftoi se vendgrumbullimi i Sherishtës kishte nisur nga puna, situata në terren dëshmon të kundërtën.

Kamionët vijojnë të shkarkojnë mbetje urbane në vend-depozitimin e vjetër, jo vetëm nga Vlora por edhe nga Orikumi. Ndërkohë zjarri i nisur javën e parë të qershorit trazoi jo pak pushues që kishin bërë planet për plazh.

Për Zamirin, i kthyer nga Irlanda për të jetuar me të ëmën, kjo është një betejë personale. Shtëpia e tij ndodhet pak metra larg fushës së ndotur, ku në mungesë të një rrethimi funksional, bagëtitë kullosin mbi mbeturina dhe zjarret përhapen shpesh. 

“Është bërë e padurueshme, plehrat sa vijnë e zgjerohen, dhe sa herë zgjohem me plehrat në flakë e di që dëmtohem sepse jam i qartë që janë kancerogjene” shprehet 38-vjeçari për Citizens. 

Zamir Qama duke treguar malin e mbetjeve në Vlorë/A.Hoxha.

“Një emergjencë mjedisore”

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vënë në dukje se vendgrumbullimi i mbeturinave në Vlorë nuk ka struktura të tjera teknike, të cilat mund të minimizojnë efektet negative, përveç zonës së rrethuar të ndarjes.

“Për shkak se pjesa tjetër e vendgrumbullimit nuk është e rrethuar, njerëzit dhe kafshët mund të hyjnë lirisht”, thuhet në një audtim të KLSH-së.

Por ky është vetëm një nga problemet që renditen për vendgrumbullimin e hapur. Audituesit kujdesen të dëshmojnë në dokumente zjarret, mungesën e kontrolleve, apo dhe mostrajtimin e ujërave që ndotin tokën dhe detin.

Ekspert i mjedisit,  Mihallaq Qirjo, veç këtyre shqetësimeve shton njësoj si të rrezikshme ndotjen e ajrit.

“Mbetjet shpesh  digjen në mënyrë të qëllimshme për të nxjerrë skrapin, ose ndodh dhe paqëllim se mund të vetëndizen kur prodhohet gaz metan”, sqaron Qirjo, i cili shpjegon se zona të tilla rreth mbetjeve nuk duhen siguruar vetëm me rrethime, por duhen trajtuar me ndarje dhe menaxhim.

Megjithatë, bashkë me njoftimin se kishte nisur depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës, edhe pse me dy vjet vonesë, kryebashkiaku Dredha nuk dha datë fikse se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i Vlorës, i cili vazhdon të jetë problem.

Ullishtja e Zamir Qamës pranë vendgrumbullimit të mbetjve në Vlorë/A.Hoxha.

“Po bëjmë një operacion pilot atje [kapsulim mbetjesh], me qëllim që të bëjmë sa të mundemi. Kjo më shumë për të shmangur zjarret gjatë sezonit turistik”, deklaroi zyrtari i bashkisë, por kapsulimi nuk ka nisur ende, çka do të thotë se edhe rreziku nga flakët dhe ndotja mbetet i njëjtë.

“Zjarret, premtime dhe hetime”

Zjarri më i fundit masiv shpërtheu më 7 qershor 2025, duke mbuluar sërish qytetin bregdetar me re të zeza tymi. Ndryshe nga herët e tjera, policia referoi në prokurori pesë zyrtarë lokalë të Ndërmarrjes së Pastrimit, mes tyre manovratorë të bordit të kullimit, me dyshimet se neglizhuan detyrën për shuarjen e flakëve duke sjellë ndotjen e mjedisit.

Zyrtarisht u njoftua se zjarri kishte rënë si pasojë e temperaturave të larta, por prokuroria e Vlorës pranon për Citizens.al se mbi zjarret në vendgrumbullimin e Vlorës ka nën hetim tre dosje: Korrik 2023, Maj 2025, Qershor 2025.

Ajo thotë se këto zjarre kanë shkaktuar pasoja për jetën e shëndetin e njerëzve, një krim i dënueshëm deri në 10 vjet, ndërsa paralelisht po hetohen edhe dyshimet për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve apo dhe zyrtarëve publik.

Emrat e të dyshuarve u mbajtën sekret dhe nuk iu vunë në dispozicion redaksisë së Citizens.al.

Eksperti Mihallaq Qirjo këmbëngul se edhe pushteti lokal ka përgjegjësi, pasi institucionet kanë reaguar ngadalë për administrimin e mbetjeve. Ai thekson se menaxhimi i mbetjeve mbetet përgjegjësi e bashkisë, të cilat në kushtet kur nuk kanë kapacitete, hapësira, mjaftohen vetëm me transportin e tyre.

Përballë raportimeve nga banorët në sallën operative, policia lokale, nga ana tjetër, tha për Citizens se ka referuar disa raste në prokuroi në periudhën 2023-2025, të lidhur “me zjarret e konstatuara në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane”.

Edhe bashkia thotë se ka bashkëpunuar për hetimin e zjarreve me policinë dhe prokurorinë, ndërsa shprehet zyrtarisht për Citizens se “gjetja e fajtorëve dhe dërgimi i tyre para drejtësisë nuk është bërë e mundur.”

Kamionë duke shkarkuar në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë/A.Hoxha.

Ndërkohë që drejtësia ende nuk ka dalë me një bilanc për përgjegjësit e ndotjes dhe dëmtimit të shëndetit të qytetarëve në Vlorë, dokumentet zyrtare tregojnë se prej vitit 2020 ka pasur korrespondencë për funksionalizimin e vendgrumbullimit të Sherishtës.

Por paralelisht me këto përpjekje dhe projekte, fusha ekzistuese e mbetjeve në qytet, ajo e lagjes “24 Maji”, është përballur çdo vit me zjarre, të cilat kanë djegur në mënyrën më të rrezikshme tonelata të tëra mbetjesh, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin publik.

KLSH ka ngritur alarmin për këtë situatë në një auditim të kryer Bashkisë Vlorë, e cila jo vetëm që nuk i depozitoi mbetjet në vendgrumbullimin e ri, por nuk pagoi as tarifa për depozitimin e tyre.

Raporti i KLSH-së vëren se bashkia e Vlorës rriti të ardhurat nga 2.79 miliardë lekë (2020) në 3 miliardë (2022). Paralelisht rriti edhe shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve nga 268.6 milionë lekë (2020) në rreth 340.3 milionë (2022).

Në këtë dinamikë, depozitimi i mbetjeve në lagjen “24 Maji” ka vijuar pa asnjë kriter, duke shkaktuar dëme në mjedis dhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Audituesit raportojnë gjithashtu edhe zhvlerësim të pronave që ndodhen pranë fushës së hapur të mbetjeve.

“Ti mund ta shikosh shtëpinë është thuajse e boshatisur, ne do ta rregullojmë, por këtu çdo gjë ndotet nga tymi dhe era e keqe, nuk di nga t’ia nis,” tregon Zamiri.

Premtimet për “Vlorën pa mbetje” dhe realiteti

Në vitin 2023, u prezantua nisma “Vlora zero mbetje”, pjesë e një plani 5-vjeçar për menaxhimin e mbetjeve në mënyrë të integruar. Gjatë konsultimeve lokale, u bë publik fakti se Ministria e Financave kishte nënshkruar një marrëveshje për financimin e projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës.

Projekti përfshin një kredi prej 12 milionë eurosh dhe tre grante me vlerë totale 14.3 milionë euro. Investimi kryesor është ndërtimi i Qendrës së Menaxhimit të Mbetjeve në Sherishtë.

Bagëti duke kullotur në malin me mbetje në Vlorë/A.Hoxha.

Kjo qendër do të përpunojë rreth 1.2 milionë tonë mbetje dhe do të përfshinte: ndërtimin e vendgrumbullimit sanitar, sistemin për mbledhjen e gazrave, impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura, impiantin për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme (me kapacitet 55 mijë tonë/vit), si dhe një hapësirë për kompostimin e mbetjeve organike (deri në 4,200 tonë/vit).

Gjithashtu, ishte parashikuar mbyllja e venddepozitimeve ekzistuese në Vlorë dhe Selenicë, si dhe blerja e mjeteve për pastrimin e rrugëve dhe transportin e mbetjeve.

Megjithatë, punimet në vendgrumbullimin e Sherishtës, të cilat nisën në qershor 2020 dhe duhej të përfundonin në fund të vitit 2021, u ndalën për shkak të hetimeve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ndaj kompanisë “Integrated Technology Services” (ITS), që po e ndërtonte.

Në mars 2022, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të kompanisë, dhe administrimi i punimeve iu kalua Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Por ky institucion nuk arriti të vijonte punimet dhe projekti ngeci.

Për shkak të detyrimeve të papaguara të kompanisë ITS ndaj palëve të treta dhe bllokimit të llogarive bankare, në tetor 2023 bashkia e Vlorës ndërpreu kontratën me ITS-në.

Ndërkohë, inspektorët e mjedisit, në një kontroll të datës 11 tetor 2024, konstatuan se në Sherishtë ishin ndërtuar vetëm godinat për përzgjedhjen dhe magazinimin e mbetjeve të riciklueshme, por mbetjet ende nuk depozitoheshin.

Fusha e vjetër e mbetjeve, në lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës, që nuk ka leje mjedisore, mbetet aktive.

Llogaritet se aty janë depozituar rreth 400,000 m3 mbetje. Në një përgjigje për Citizens.al inspektorët e mjedisit thonë se nuk mund të kontrollojnë fusha pa leje pasi nuk e kanë si kompetencë ligjore. Ndërkohë, bashkia Vlore deklaron se vetëm për vitin 2024 janë prodhuar 53,406 tonë mbetje.

Një pjesë e landfillit të Vlorës në zjarr qershor 2025/A.Hoxha

Në fund të vitit 2024, një dokument zyrtar tregon se inspektorët kishin vizituar sërish vendgrumbullimin e Sherishtës dhe kishin konstatuar se objekti nuk ishte ende funksional. Punimet ndodheshin në fazën e fundit, por pranimi i mbetjeve nuk kishte filluar.

Në një përgjigje për Citizens, bashkia Vlorë konfirmoi se përveç mbetjeve të qytetit, në fushën ekzistuese të “24 Majit” grumbullohen edhe ato të Orikumit dhe disa njësive administrative përreth.

Për vendgrumbullimin ekzistues nuk ka raport monitorimi, megjithëse zjarret ndodhin shpesh. Bashkia thotë se ndërhyrjet e saj në raste zjarresh janë të kufizuara dhe përfshijnë vetëm metoda mekanike si spostim, nivelim dhe mbulim me dhe apo materiale inerte.

E pyetur nga Citizens në prill 2025, se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i hapur, Bashkia u përgjigj: “Aktualisht nuk ka ndryshime, derisa të nisë puna në landfillin e Sherishtës”.

Por në një dalje publike më 14 qershor, kryebashkiaku Dredha pranoi se edhe pas hapjes së Sherishtës, Vlora do të përballet me problemin e mbetjeve të paktën deri në vitin 2027.

Ai shtoi se aktualisht po ndërmerren ndërhyrje të përkohshme me mjetet që ka në dispozicion bashkia. “Në atë fushë ndodhen mbetje të kompostuara për më shumë se 40 vite. Vetëm me magji mund të pretendosh që nuk do ketë zjarre atje,” tha ai.

The post “Vlora në flakë”: Zjarret nga mbetjet dhe dështimi i premtimeve publike appeared first on Citizens.al.

❌