Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta
Mbyllja e faqes satirike “Lol Albania,” njohur rëndom si “Lolita” në rrjetet sociale ka kthyer në diskutim mekanizmat që platformat përdorin për të moderuar përmbajtjen dhe rrezikun që ato të keqpërdoren si censurë në hapësirën digjitale.
Administratorët e faqes pretendojnë se janë raportuar në mënyrë të qëllimshme nga një fushatë e orkestruar për t’iu kufizuar përmbajtjen kritike. Ata e argumentojnë këtë me faktin se raportimet në Meta janë bërë për shkelje të së drejtës së autorit.
Ekspertë të sigurisë digjitale ndanë me Cizitens.al shqetësimet e tyre për mënyrën sesi funksionon ky mekanizëm dhe rreziqet për abuzime.
Sipas administratorëve të “Lolita”-s, gjithçka nisi me publikimin e një fotografie ku shfaqej Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe imami Ahmed Kalaja në një iftar gjatë muajit të Ramazanit. Ata thanë për Citizens.al se fotografia qarkullonte gjerësisht edhe në faqe dhe portale të tjera.
“Na e hoqën [postimin] me pretekstin e copyright-it,” tha për Citizens.al një prej administratorëve të faqes, e cila mban qasje anonime dhe i prezantohet publikut vetëm me nofkën popullore “Lolita”.
“Kur filluam të themi se po na censuronte Ahmed Kalaja, [prirja] vazhdoi me raportime të tjera, po për copyright”, shpjegoi më tej një prej administratorëve duke shtuar se në të tillë mënyrë ishin fshirë edhe postime të tjera.
“Ndër to edhe një postim i kryeministrit, i cili ishte i njëjtë me atë të Ahmed Kalasë dhe thamë me ironi: ‘Pse po kopjon hoxhën e Surrelit’.”
Administratorët thonë se kanë marrë njoftime zyrtare nga platforma Meta për çdo përmbajtje të hequr, ku, sipas tyre, rezulton se raportimet janë bërë nga i njëjti person. Ata shtojnë se edhe përmbajtje sarkastike dhe pa kritikë direkte janë fshirë, ndërsa dyshojnë për raportime të organizuara nga ndjekës.
“Po mundohemi përmes një kompanie [të rikuperojnë faqen]; jemi ende në pritje të përgjigjes”, thanë ata.
Nisur nga ky rast, pati një reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili theksoi se liria e shprehjes është një nga shtyllat themelore dhe nuk kufizohet vetëm te informacioni “i pranueshëm”, por përfshin edhe forma si ironia dhe satira.
“Në këtë kontekst, përdorimi i mekanizmave të raportimit masiv për të mbyllur faqe apo për të heshtur zëra kritikë përbën një formë të rrezikshme presioni ndaj lirisë së shprehjes dhe krijon një precedent shqetësues për censurë indirekte në hapësirën digjitale”, deklaroi AGSH.
Imami Kalaja, i kontaktuar nga Citizens.al nuk iu përgjigj kërkesës për një koment deri në publikimin e këtij artikulli.
Si funksionon raportimi për copyright?
Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, sistemi i raportimit për të drejtën e autorit në platforma si Facebook dhe Instagram është formal dhe i bazuar kryesisht në vetëdeklarim.
“Raportimi mund të bëhet vetëm nga pronari i së drejtës ose një përfaqësues i autorizuar ligjërisht. Procesi realizohet përmes një formulari online, ku kërkohet identifikimi i veprës origjinale, linku i përmbajtjes që pretendohet si shkelje dhe një deklaratë mirëbesimi nga ankuesi që pretendimi është i saktë”, shpjegoi Reçi.
Në praktikë, sipas saj, verifikimi nga platforma është i kufizuar dhe shpesh i automatizuar.
“Ai nuk përbën një hetim të thelluar mbi pronësinë reale të përmbajtjes. Për këtë arsye, platforma është kritikuar vazhdimisht për heqje përmbajtjesh apo mbyllje llogarish të automatizuara dhe të paverifikuara”, argumenton Reçi.
Sipas saj, në rastin e Lolitës transparenca është e kufizuar.
“Përdoruesit zakonisht marrin vetëm një njoftim standard për shkelje të copyright-it dhe disa të dhëna bazë mbi palën ankuese. Nuk ka një arsyetim të detajuar mbi vendimin”, theksoi Reçi.
Kjo bëhet problematike sidomos për përmbajtje me interes publik, si satira apo materialet gazetareske, të cilat mund të fshihen në mënyrë të përsëritur pa një vlerësim transparent dhe kontekstual.
“Në Shqipëri, ky shqetësim është manifestuar shpesh në praktikë, duke rezultuar në abuzim me mekanizmat e raportimit për të targetuar gazetarë, aktivistë apo grupe të ndryshme. Platformat kanë dështuar në disa raste të identifikojnë raportimet abuzive dhe, si pasojë, kanë censuruar përmbajtje legjitime”, shtoi ajo.
Mungesa e kuadrit ligjor
Një tjetër problem lidhet me mungesën e një kuadri të qartë ligjor për përgjegjësinë e platformave online në Shqipëri.
Meta nuk ka përfaqësi ligjore në vendin tonë dhe operon përmes politikave të saj globale, përfshirë mundësinë e kontaktimit të një agjenti të angazhuar për çështje të së drejtave të autorit, i cili zakonisht operon në nivel ndërkombëtar.
Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, vendimmarrja e platformave të Metës mbështetet në sisteme algoritmike që mund të jenë, jo vetëm të gabueshme, por dhe të manipulueshme.
“Platforma nuk ka detyrim të drejtpërdrejtë ligjor për të dhënë llogari mbi vendimet e saj në Shqipëri, as për të garantuar moderim nga staf që njeh gjuhën dhe kontekstin lokal”, shpjegoi Reçi.
Nëse një përmbajtje nuk rikthehet pas ankimit brenda platformës, opsionet për mjete të tjera ligjore mbeten të kufizuara, një situatë që, sipas saj, ngre shqetësime serioze për transparencën dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes në mjedisin digjital.
“Veçanërisht në vende si Shqipëria, ku mungon rregullimi ligjor për platformat online”, përfundoi Reçi.
Lexo gjithashtu:
- “Sulmohet MediaLook”, mbyllet profili i gazetarit Elvin Luku
- Instalimi i DPI-ve pa kuadër ligjor: Rrezik për censurë dhe shkelje privatësie
The post Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta appeared first on Citizens.al.
