Këtë të hënë ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Të pandehurit dhe mbrojtja do të kenë mundësinë t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë fazë të fundit të procesit.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregoi përmediat në Kosovë se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve në këtë procedurë shënojnë edhe përfundimin e procedurës. Natyrisht, në fjalën përfundimtare, si prokuroria si mbrojtja do t’i përmbledh faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të startojë prokuroria, pastaj mbrojtja. Ekziston një aktvendim i gjykatës ku në mënyrë të qartë përcaktohen edhe detajet. Në atë aktvendim thuhet se prokuroria do t’i ketë tetë orë, ndërsa secili ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë. Edhe të pandehurit do t’i kenë nga 20 minuta për t’i drejtuar gjykatës. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje. Trupi gjykues sipas vendimmarrjes i ka tre muaj që të marrë vendim, mirëpo nëse trupi gjykues e vlerëson se i duhet më shumë kohë, trupi gjykues mund të kërkojë nga kryetarja e gjykatës që afati për marrjen e vendimit të vazhdohet”,-u shpreh Çerkini.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020./Kb
Kafka e një të riu, gati dy metra të gjatë, i cili i mbijetoi një trepanimi të kafkës në shekullin IX, është zbuluar në një varr masiv dhe mund të përfaqësojë një trofe lufte.
Kafka e trepanuar
Vrima ovale prej 3 cm në kafkë dhe analiza me radiokarbon sugjerojnë se burri ka qenë gjallë midis viteve 772 dhe 891 të erës sonë. Foto: Arkeologjia e Universitetit të Kembrixhit / David Matzliach
Një ekip studentësh dhe arkeologësh nga Universiteti i Kembrixhit ka zbuluar një varr masiv që daton në shekullin IX pas Krishtit, i cili përmban eshtrat e të paktën dhjetë individëve, përfshirë edhe atë të një burri shumë të gjatë për kohën, që shfaq shenja të qarta të trepanimit të kafkës.
Varrimi u gjet jashtë fortesës së lashtë të fortifikuar të Wandlebury-t, në atë që sot është Parku i Qarkut Wandlebury, në jug të Kembrixhit. Vendndodhja, dikur një fortesë e rëndësishme e Epokës së Hekurit, shtrihet në një zonë që në shekullin IX ishte territor kufitar midis mbretërisë saksone të Mercia-s dhe mbretërisë së Anglisë Lindore, e pushtuar nga vikingët rreth vitit 870 pas Krishtit.
Misteri i gjigantit
Midis mbetjeve të zbuluara në Wandlebury bie në sy skeleti i një të riu 17–24 vjeç, me gjatësi rreth 1.95 m. Kjo përbën një gjatësi të jashtëzakonshme për kohën, duke pasur parasysh se mashkulli mesatar ishte rreth 1.65 m. Kafka e tij paraqet një vrimë prej 3 cm, shenjë e qartë e trepanimit – një procedurë e lashtë kirurgjikale për heqjen e një pjese të kockës së kafkës.
Shenjat e shërimit të kockave tregojnë se burri i mbijetoi operacionit. Arkeologët mendojnë se mjekët e kohës mund të kenë tentuar të lehtësonin presionin intrakranial të shkaktuar nga një dëmtim ose, ndoshta, nga një tumor në gjëndrën e hipofizës. Kjo gjendje do të shpjegonte edhe rritjen e pazakontë të trupit të tij. Megjithëse mbresëlënës, trepanimi nuk ishte një rast i izoluar: ai ishte një praktikë e njohur që nga grekët dhe romakët për trajtimin e migrenës, konvulsioneve dhe çrregullimeve të tjera neurologjike.
Ekzekutime dhe trofe: tmerri i varrit masiv
Gropa përmban eshtrat e të paktën dhjetë individëve, kryesisht burra të rinj. Përveç skeleteve të plota, në vend janë gjetur mbetje të copëtuara, përfshirë grumbuj këmbësh dhe kafka të ndara nga trupat. Disa skelete ndodheshin në pozicione që sugjerojnë se viktimat mund të kenë qenë të lidhura në momentin e vdekjes.
Sipas Dr. Oscar Aldred, i cili udhëhoqi gërmimet në bashkëpunim me Njësinë Arkeologjike të Kembrixhit dhe organizatën bamirëse Cambridge Past, Present and Future, këta burra mund të jenë ekzekutuar ose rrahur gjatë një ngjarjeje të dhunshme, më shumë sesa të vrarë në betejë. Një individ paraqiste shenja të qarta prerjeje të kokës, ndërsa mbetje të tjera tregonin trauma të përputhshme me luftimet ose ndëshkimin fizik. Hipoteza është se disa pjesë trupash mund të jenë ekspozuar si trofe para varrimit – një praktikë e dokumentuar në konflikte të tjera të hershme mesjetare.
Analizat e ardhshme
Studimet do të vazhdojnë me datimin me radiokarbon, analizat izotopike dhe ADN-në e lashtë, për të kuptuar më mirë shëndetin, prejardhjen dhe marrëdhëniet e mundshme midis individëve.
Këto kërkime mund të ndihmojnë gjithashtu në përcaktimin nëse eshtrat u përkasin vikingëve pushtues apo saksonëve vendas të përfshirë në konfliktet e kohës.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, i përshkroi bisedimet diplomatike me SHBA-në të shtunën (07.02.2026) si “pozitive”, megjithëse tha se fati i territorit autonom nën Danimarkën mbetet i pasigurt, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të përsërisë dëshirën e tij për ta pasur atë për SHBA-në, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.
Ende rrugë e gjatë përpara
“Nuk jemi ende aty ku duam të jemi”, tha Motzfeldt gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen dhe Ministren e Jashtme kanadeze Anita Anand, të cilët hapën një konsullatë të re kanadeze në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, të premten.(06.02.2026)
“Do të ketë një rrugë të gjatë, kështu që se ku do të arrijmë në fund, është shumë herët për ta thënë.”
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm danez e përshkroi situatën në terma të ngjashëm, duke thënë: “Nuk kemi dalë nga kriza dhe ende nuk kemi një zgjidhje”, duke vazhduar, “jemi në një pozicion shumë më të mirë tani, krahasuar me disa javë më parë”.
Përpjekjet e Trump filluan me mendimet rreth blerjes së ishullit arktik të Groenlandës nga Danimarka gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ai nuk është lodhur së shprehuri publikisht dëshirën e tij për t’ia rrëmbyer territorin aleatit të NATO-s, Danimarkës.
Edhe pse ushtria amerikane ka lirinë për të krijuar dhe operuar bazat lirisht në Groenlandë falë një traktati të vitit 1951, Trump ka këmbëngulur se mund ta mbrojë territorin vetëm nëse SHBA-ja e zotëron vërtet atë, duke e quajtur atë një hap “të rëndësishëm psikologjikisht”.
Tërheqja nga kërcënimet reciproke
Duke folur në skenën botërore në Forumin EKonomik Botëror të Davosit, Trump argumentoi që SHBA-së t’i jepej pronësia e territorit, megjithëse ai u tërhoq nga kërcënimet maksimaliste për veprime të mundshme ushtarake amerikane për t’u siguruar që ky vizion të bëhej realitet.
Kur aleatët e BE-së dhe NATO-s e kundërshtuan publikisht dhe në mënyrë agresive këtë ide, Trump kërcënoi të vendoste tarifa masive ndëshkuese. Që atëherë ai është tërhequr edhe nga ky kërcënim, megjithëse aleatët mbeten të kujdesshëm ndaj udhëheqësit të paqëndrueshëm.
Kjo çoi në krijimin e një grupi pune Danimarkë-Groenlandë-SHBA, i cili u formua për t’u kujdesur për shqetësimet e sigurisë së SHBA-së. Trump këmbëngul se Kina dhe Rusia janë gati të sulmojnë Groenlandën ndërsa shkrihen akullnajat e Arktikut dhe hapen korsi të reja transporti detar. Danimarka dhe aleatët e tjerë të saj në NATO thonë se nuk është kështu.
Lokke Rasmussen tha të shtunën se bisedimet fillestare kishin ndodhur tashmë dhe se do të pasojnë të tjera.
Motzfeldt shtoi se e mirëpriti mundësinë për t’u angazhuar në “dialog të drejtpërdrejtë” me SHBA-në.
Si Groenlanda ashtu edhe Danimarka kanë deklaruar prerazi, se sovraniteti dhe integriteti i tyre territorial janë “vija të kuqe” absolute dhe nuk janë në diskutim.
Duke vënë në dukje se kjo u ishte bërë jashtëzakonisht e qartë homologëve të tyre amerikanë, Lokke Rasmussen tha, se mendonte se ishte e mundur “të gjendej një zgjidhje duke respektuar në të njëjtën kohë këto vija të kuqe”.
I pyetur nëse SHBA-të po respektonin qëndrimin e Danimarkës dhe Groenlandës, Lokke Rasmussen tha: “Nuk dua të hyj në detaje”./DW//kb
Gjykata e Posaçme, gati 1 vit pas arrestimit të tij, pritet të vendosë sot fatin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nëse dosja do të kalojë për gjykim me themel apo jo.
Në seancën e 2 shkurtit, GJKKO mbylli shqyrtimin paraprak të dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, i arrestuar që prej 10 shkurtit 2025, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale./kb
Zakonisht e lidhim dimrin me të ftohtin, shiun, sëmundjet dhe detyrimin për të qëndruar më shumë brenda, por kjo stinë ka shumë aspekte pozitive për shëndetin fizik dhe atë mendor, nëse i njohim dhe i shfrytëzojmë mirë.
Kur moti është i ftohtë, trupi përpiqet më shumë për të mbajtur temperaturën e brendshme rreth 37°C dhe kjo djeg më shumë kalori sepse kërkon energji për të prodhuar nxehtësi. Ekspozimi i përsëritur në temperatura të ulëta mund të përmirësojë edhe ndjeshmërinë e insulinës, që është e dobishme edhe për personat jo-diabetikë.
Ushtrimi në ajër të ftohtë ul stresin mbi sistemin kardiovaskular dhe ndihmon në përmirësimin e performancës gjatë stërvitjes, duke shtuar edhe qelizat e sistemit imunitar që ndihmojnë trupin të luftojë infeksionet. Gjithashtu, temperaturat e ulëta ndihmojnë në furnizimin më efektiv të gjumit, duke përgatitur trupin për një pushim më të mirë gjatë natës.
Ajri i ftohtë mund të ngushtojë enët e gjakut në hundë dhe ta përmirësojë frymëmarrjen, duke reduktuar inflamacionin në rrugët e frymëmarrjes. Ndërkohë, në dimër ka më pak alergjene dhe ndotje në ajër, dhe shumë insekte që bartin sëmundje nuk mbijetojnë në temperatura të ulëta.
Kur stërvitemi jashtë në ftohtësi, ndihmojmë në rritjen e masës muskulare, pasi humbasim më pak ujë, ndërsa aktiviteti jashtë rrit qarkullimin e gjakut, përfshirë edhe në lëkurë, duke e bërë atë më të shëndetshme dhe më pak të fryrë.
Dimri ndihmon në përmirësimin e qartësisë mendore: kur temperatura është e ulët, truri punon më mirë sepse kërkon më pak energji për të ftohur trupin, çka mund të ndihmojë në përqendrim dhe vendimmarrje.
Ushtrimi jashtë gjatë dimrit çliron endorfina, hormonet “e lumturisë”, që përmirësojnë humorin dhe ndihmojnë në luftimin e asaj që njihet si “melankolia dimërore” e lidhur me mungesën e dritës natyrore.
Për shkak se moti i keq na mban më shumë brenda, shpesh kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të dashurit, duke krijuar lidhje më të forta sociale përmes bisedave dhe aktiviteteve të përbashkëta në shtëpi.
Gjithashtu, dimri krijon kushtet për aktivitetet krijuese, nga leximi e deri tek lojërat e tavolinës apo hobet, që mund të nxisin krijimtarinë dhe të reduktojnë stresin./Kb
Administrata tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e vlerës së kompensimit për arsimin e fëmijëve, për të gjithë ata individë që plotësuan DIVA dhe rezultuan me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit.
Për “Monitor” administrata tatimore sqaroi se ashtu siç është njoftuar edhe më parë aplikimi do të kryhet nëpërmjet sistemit e-Feling online. Pas dorëzimit të kërkesës, kompensimi nga individët përfitues do të transferohet në llogaritë e tyre bankare që ata do të deklarojnë nëpërmjet aplikimit.
Pra, pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave, DIVA 2025, të gjithë individët që kanë rezultuar me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët me vlerë 48 mijë lekë në vit apo 100,000 lekë nga të ardhurat e tyre vjetore, mund të nisin të plotësojnë formularin e aplikimit për përfitimin e kompensimit.
Procedura, si do bëhet aplikimi
Adminsitrata tatimore sqaroi pas hyrjes në sistemin e-Tax, për të krijuar çështje si kërkesë për rimbursim, do të klikohet mbi modulin eFiling Im, duke përzgjedhur Çështjet e mia mbi të cilin do të klikohet.
Më pas do të dalë moduli Lloji i Çështjes (ku të mundëson 4 opsione zgjedhjeje), por do të klikohet mbi opsion e dytë me emrin Pyetje të Përgjithshme, për të krijuar një çështje të re.
Pasi ke krijuar çështje të re të shfaqet numri i dokumentit identifikues për DIVA-n e plotësuar dhe një format i bardhë i paplotësuar, ku do të mbushet me tekstin e kërkesës për rimbursim e tatimit të mbipaguar (sipas vlerës së shfaqur në DIVA).
Kërkesë për Rimbursim
Kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare, shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë 6,240 lekë pas plotësimit nga DIVA 2025.
Gjithashtu aplikuesi te Pyetje e Përgjithshme, duhet të bashkëngjitë në formatin PDF edhe dokumentacionin përkatës:
Kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për pagesën e gjuhëve të huaja etj.
Tatimet pohuan për “Monitor” së pritet e gjithë proceduara për plotësimin e formularit të aplikimeve do të sqarohet nëpërmjet një video udhëzuese.
Sa kompensim do të përfitohet nga DIVA në llogaritë bankare
Bazuar në disa shembuj të publikuar më parë shuma e kompensimit ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe shuma e zbritur e shpenzimeve që ndryshon sipas numrit të fëmijëve në ngarkim, përfshirë edhe shpenzimet fikse për arsim me vlerë maksimale 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë nën 1.2 mln lekë në vit.
Për rastin me të ardhura bruto vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit me 1 fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin llogaritet 62 euro në vit.
Në rastin e individit më të ardhura mbi 2 mln lekë në vit me dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç, pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët me vlerë 96 mijë lekë, tatimi i mbipaguar apo kompensimi është në vlerën e rreth 12 mijë lekëve.
Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe i kap tatimi prej 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.
Shuma maksimale e kompensimit e përfituar sipas shembujve rezulton për individët me të ardhura nën 1,2 mln lekë që përfitojnë edhe shpenzimet për fëmijët në ngarkim dhe për arsimin me vlerë 100,000 lekë. Për këtë kategori kompensimi arrin 250 euro.
Sistemi për plotësimin e DIVA u hap më 22 janar. Afati për plotësimin është deri më 31 Mars.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi. Sistemi e-Tax, e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit, pasi bëhet deklarimi i të ardhurave, edhe për ata individë që nuk e kanë detyrimin ta bëjnë.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025-s apo tatimi i mbipaguar që rezulton nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjes së bazës së tatueshme të shpenzimeve 48 mijë lekë në vit, pavarësisht nivelit të ardhurave dhe 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë deri në 1,2 milionë lekë, do të jepet si kompensim për fëmijët, pas dorëzimit të kërkesës për aplikim.
Afati për aplikim për kompensimin është deri në 3 muaj pas plotësimit të DIVA./Monitor.al/kb
Ndërsa adaptimi i Emerald Fennell-it del në kinema, pritet një valë vizitorësh në vendet që frymëzuan romanin e Emily Brontë-s. Banorët që jetojnë aty pranë, megjithatë, e marrin me qetësi.
Sarah Rodrigues
Shtegu katërmiljesh nga fshati Haworth drejt Top Withens në West Yorkshire është i shkelur mirë; gjurmë të panumërta këmbësh janë ngulitur në tokën e baltosur nga ata që kërkojnë pamjen që thuhet se frymëzoi skenografinë e romanit të vitit 1847 të Emily Brontë-s, Wuthering Heights. Peizazhi valëzon në valë të shkreta fierash kafe. Një pemë e vetmuar e thekson skenën. Është bukuri e zymtë, përndjekëse.
Me daljen javën e ardhshme të filmit të ri të Fennell-it mbi këtë kryevepër gotike, me Margot Robbie dhe Jacob Elordi në rolet kryesore, Haworth dhe shumë prej vendeve të xhirimit në parkun kombëtar Yorkshire Dales – ku zhvillohet libri – po përgatiten për një fluks vizitorësh.
Megjithatë, banorët vendas duken krejtësisht të patrazuar nga kjo vëmendje.
“Jemi mësuar me turmat,” thotë me një ngritje supesh Craig Verity, pronari i pub-it Kings Arms, në majë të rrugës së pjerrët me kalldrëm të Haworth-it, vetëm pak hapa nga shtëpia famullitare ku u rritën motrat Brontë.
Toka e Brontë-ve e ka shfrytëzuar këtë lidhje prej dekadash. Në një mur të Kings Arms, një tabelë reklamon një përzgjedhje birrash fuçi Bridgehouse të quajtura Charlotte, Anne, Emily dhe Branwell – ky i fundit vëllai më pak i njohur i Brontë-ve.
Në rrugicat përreth gjenden Hoteli Brontë, Brontë Bar and Restaurant, si edhe – disi më e largët në lidhje – Brontë Balti.
Shtëpia famullitare Brontë, ku motrat jetuan, shkruan dhe – në rastin e Emily-t dhe Charlotte-s – vdiqën, është sot muze që ruan artefakte, sende personale dhe dorëshkrime, si dhe organizon aktivitete si punëtori, ligjërata dhe shfaqje të adaptimeve filmike. Ajo tërheq rreth 75 mijë vizitorë në vit, një shifër që pothuajse me siguri do të rritet këtë vit; një shfaqje e versionit të vitit 1992 të Wuthering Heights, planifikuar për 12 shkurt, tashmë është shitur plotësisht.
Skena nga ky version – me Ralph Fiennes dhe Juliette Binoche – u xhiruan në East Riddlesden Hall, rreth pesë milje nga Haworth. Pamja e jashtme e kësaj prone të shekullit XVII të National Trust-it u përdor gjithashtu në miniserinë e vitit 2009 si vetë Wuthering Heights, si dhe në versionin e humbur pa zë të viteve 1920.
Filmi i vitit 1939 me Laurence Olivier dhe Merle Oberon u xhirua në Kaliforni dhe në studio në Hollywood.
“Ne e dimë për përdorimin e pronës vetëm falë një artikulli të janarit 1921 në Shipley Times and Express,” tha Sophie Fawcett, zyrtare e lartë për marketing dhe komunikim në National Trust.
Në përkim me daljen e adaptimit të ri të Fennell-it, East Riddlesden Hall do të hapë ekspozitën Lights, Camera, Brontë, ku do të shfaqet, për shembull, “komodina e madhe prej lisi” që besohet se frymëzoi atë të përshkruar në faqet hapëse të librit. Ajo vjen fillimisht nga Ponden Hall – rreth një orë në këmbë nga Haworth dhe sot një bujtinë – që motrat e vizitonin shpesh.
Një nga dhomat këtu ka një shtrat-kuti dhe një dritare, që ka gjasa të ketë frymëzuar skenën ku fantazma e Cathy-t i shfaqet Lockwood-it të tmerruar.
Për filmin e ri, aktorët qëndruan në Simonstone Hall, një hotel luksoz në Yorkshire Dales. Nga aty duhen rreth 20 minuta me makinë për në Swaledale, ku u xhiruan shumë skena.
“Ishin njerëz të mrekullueshëm dhe jashtëzakonisht pak kërkues,” tha pronari Jake Dinsdale, duke vënë në dukje se Robbie ishte kthyer më pas për një qëndrim me bashkëshortin. “Edhe pse kishin rezervuar të gjitha 20 dhomat, restoranti ynë mbeti i hapur për publikun, dhe aktorët kënaqeshin pranë zjarrit duke pjekur s’mores, ose duke shijuar një drekë tradicionale të pjekur apo çaj pasditeje.”
Qëndrimi i tij mbetet po aq i qetë. “Nuk e di çfarë do të bëjë filmi,” tha ai. “Mund të jetë një jehonë e shkurtër dhe kjo është në rregull. Nëse mbetet, po ashtu është mirë. Ajo që di është se nuk do të riemërtoj asnjë dhomë si ‘Dhoma Jacob Elordi’ apo ‘Dhoma Heathcliff’.
“Nuk na përshtatet banaliteti komercial – do të jem i lumtur nëse mysafirët kuptojnë pse kaq shumë njerëz e duan Yorkshire Dales.”
Ndërkohë, Simonstone Hall ofron paketën romantike Wuthering Heights deri më 13 mars: dy net për 738 paund për çift, përfshirë shampanjë në mbërritje, darka me qirinj, raki para gjumit me çokollata, mëngjese të qeta dhe dalje të vonshme. Kopje të romanit gjenden edhe në dyqanin e dhuratave.
Tony Watson, drejtues i ekonomisë dhe turizmit në këshillin e North Yorkshire, tha: “Zona është shfaqur në kaq shumë filma dhe seriale; kemi përvojë në menaxhimin e kësaj. Pas Covid-it, po shihnim tashmë më shumë të rinj që dilnin në natyrë dhe eksploronin qarkun, dhe ky grup me siguri do të rritet ndërsa filmi shfaq bukurinë dhe autenticitetin e zonës.
“Do të duhet të presim daljen për të parë nëse ka ndonjë skenë ikonike që njerëzit duan ta riprodhojnë. Nëse po, shpresojmë të jetë diku si Aysgarth Falls, që ka infrastrukturën e nevojshme – përndryshe do të duhet të sugjerojmë alternativa që të mos shqetësojnë ekipet e shpëtimit malor.”
Kthyer te Kings Arms, banori vendas Jack Greatrex mbetet i qetë: “Motrat Brontë e formësuan këtë fshat për brezat e ardhshëm dhe për dashamirët e peizazhit e të letërsisë,” tha ai. “Ky film mund të bëjë që ato të vazhdojnë ta bëjnë këtë.”
Cilido qoftë efekti i filmit të ri, shtoi Watson, ata janë gati për të. “Jam drejtuesi më me fat i turizmit që mund të imagjinohet – filmi do ta bëjë punën time në vendin tim.”
Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë me financime konkrete në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe do të përfitojnë financime direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterave.
Shqipëria, e cila ka promovuar së fundmi veten si një nga vendet e pakta në botë që ka një ministre të inteligjencës artificiale, të pagëzuar me emrin Diella nuk ka marrë financime në këtë fazë të programeve, sipas hartës dhe listës së publikuar nga Komisoni Europian, ndonëse është pjesë e rrjetit të superkompjuterave të Europës nga qershori i vitit të kaluar.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut përfshihen në dy projektet e “Ai Factory Antennas” (porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të inteligjencës artificiale).
Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna), një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e inteligjencës artificiale.
Projekti synon të krijojë një hub kombëtar që do t’u japë akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në burime kompjuterike, mjete IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
SAIFA do të funksionojë si pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar testimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve IA në shkallë europiane. Projekti synon të mbështesë zhvillimin e inteligjencës artificiale në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe gjuha.
Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.
Qendra synon të lidhë universitetet, shtetin dhe industrinë me rrjetin europian të inteligjencës artificiale dhe do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi, duke u dhënë institucioneve publike, kompanive dhe start-up-eve akses në superkompjuterë dhe databaza europiane.
Sipas autoriteteve të vendit, projekti synon të integrojë Maqedoninë e Veriut në rrjetin europian të qendrave të IA dhe të krijojë mundësi të reja për kërkim shkencor, inovacion dhe zhvillim të industrisë teknologjike./kb
Ditën e hënë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës.
Reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, në relievet malore shtrëngata afatshkurtra, sipas SHMU.
Prej orëve të mesditës e pasdite reshjet shiu me intensitet kryesisht të ulët humbasim territor duke mbetur prezent në relievet malore dhe në ndërprerjen graduale. Në zonën e Alpeve, dhe relievet e larta malore mbi 1000-1100metër në verilindje -juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era do të fryjë verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore era fiton me shpejtësi deri 10 m/s.
Valëzimi i detit do të jetë i forcës 1-2 ballë./kb
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) ka nisur një proces verifikimi në terren të kontratave të energjisë elektrike, me fokus të veçantë bizneset, me synim vendosjen në regjim të rregullt tarifimi sipas kategorisë së konsumit.
Sipas FSHU grupet e kontrollit po veprojnë mbi bazën e një plani pune të miratuar paraprakisht, duke verifikuar kontratat sipas kabinës së furnizimit. “Po kontrollojmë kontratat familjare që faturohen me 8.5–9.5 lekë/kWh dhe ato të biznesit që duhet të faturohen me 14 lekë/kWh,” tha administratori i FSHU Algert Luzi në një intervistë për“Monitor”.
Kompania nënvizoi se verifikimi përqendrohet në ambientet e vendosura në katet e sipërme të ndërtesave shumëkatëshe por edhe në njësi private të vetme ku shtrohet aktivitet ekonomik, por që vijojnë të faturohen si familjare.
Grupet në terren verifikojnë një nga një katet, dhe njësitë private të banesave bazuar në tabelat identifikuese, të dhënat e afishuara dhe indicie konkrete. Kur konstatohet se një ambient ushtron aktivitet biznesi, por ka kontratë familjare, subjektit i lihet njoftim për të bërë përditësimin brenda 7 ditëve.
“Verifikimi që po kryejmë është verifikim në terren, për të konstatuar vetëm ato ambiente që kanë elementë të qartë biznesi dhe ushtrojnë aktivitet ekonomik. Përdorimi i të dhënave shtesë bëhet vetëm në raste shumë specifike, kur na nevojitet të plotësojmë informacionin e konstatuar.
Në çdo rast, theksojmë profesionistët e lirë ose ata që punojnë nga shtëpia nuk preken nga ky proces verifikimi. Nëse aktiviteti ushtrohet nga banesa, kontrata mbetet familjare. Nëse banesa është kthyer tërësisht në zyrë dhe nuk shërben më për banim, atëherë kontrata ndryshon dhe kalon në biznes” sqaroi administratori i FSHU.
Procesi ka nisur nga Tirana dhe do të shtrihet gradualisht në të gjithë vendin, pa një afat të përcaktuar për përfundimin. FSHU bën me dije se nëse pas afatit 7-ditor subjekti nuk kryen përditësimin, kontrata do të rikategorizohet automatikisht dhe do të faturohet sipas tarifës për bizneset./kb
Tri ngjyra flokësh që ndriçojnë fytyrën dhe funksionojnë si për nën-ton të ftohtë, ashtu edhe të ngrohtë
Me dimrin 2026 në kulmin e tij, rezultatet për ngjyrat më të preferuara të flokëve tashmë janë të qarta. Këtë sezon, tendencat po largohen nga nuancat shumë të buta, duke i lënë vendin toneve të pasura, kadifeje të kafesë, të zezës dhe bakrit. Edhe pse mund të mos tingëllojnë si risi, këtë herë ato vijnë me një shkëlqim të ri dhe duken më elegante se kurrë.
Më poshtë, zbuloni tri ngjyra flokësh që janë ideale për dimrin 2026.
Cashmere Brunette
Shutterstock Editorial
Cashmere Brunette është një nuancë e ngrohtë kakao, që reflekton lehtë tone bezhë dhe ofron një shkëlqim të jashtëzakonshëm pa e rënduar pamjen. Kjo nuancë e ngrohtë funksionon veçanërisht mirë te tonet e ftohta të lëkurës. Për lëkurat me nën-ton të ngrohtë, ekspertët rekomandojnë që rrënja të mbetet lehtësisht neutrale, në mënyrë që ngjyra të duket më e balancuar.
Espresso Black
Bestimage
E zeza e butë dhe mëndafshe për vitin 2026 është misterioze, sensuale dhe luksoze. Këtë vit, e zeza rikthehet, por në një version më të butë. Është perfekte për ata që priren drejt minimalizmit, por që dëshirojnë pak dramë me mirëmbajtje minimale. Tonet neutrale dhe të buta krijojnë një ngjyrë elegante që thekson fytyrën dhe i përshtatet si nën-toneve të ngrohta, ashtu edhe atyre të ftohta të lëkurës. Në sallon, kërkoni një të zezë më të butë me nën-tone espresso.
Alamy
Clementine Copper
Nuancat e bakrit vazhdojnë të evoluojnë drejt toneve të kuqe më të buta dhe më shkëlqyese. Ekspertët theksojnë se për vitin 2026, bakri anon më shumë nga roza. Është elegant dhe duket i freskët. Këshilla kryesore: më pak zjarr, më shumë shkëlqim. Kjo nuancë është shumë përkëdhelëse për një gamë të gjerë tonesh të lëkurës. Clementine Copper është një kafe e kuqërremtë e butë me ngrohtësi bakri – ideja është të duket natyrale, jo tepër e theksuar./et
Real Madridi ka përcaktuar tashmë dy lëvizjet e para për sezonin e ardhshëm, me dy fytyra të njohura që pritet të rikthehen në “Santiago Bernabeu”.
Los Blancos planifikojnë rikthimin e sulmuesit Endrick Felipe nga huazimi në Francë, si dhe aktivizimin e klauzolës së riblerjes për mesfushorin Nico Paz.
Menaxheri i përgjithshëm Jose Angel Sanchez, kryeskauti Juni Calafat dhe presidenti Florentino Perez janë në fazë intensive planifikimi për sezonin e ri. Edhe pse drejtuesit besojnë se skuadra aktuale ka cilësi për të konkurruar në të gjitha frontet, investimi prej 165 milionë eurosh verën e kaluar pritet të pasohet nga përforcime të tjera strategjike.
Endrick rikthehet nga Lyoni
Sipas Diario AS, rikthimi i Endrick do të jetë lëvizja e parë zyrtare e bordit. Braziliani 19-vjeçar pati pak hapësira nën drejtimin e Carlo Ancelottit dhe, pas një periudhe katërmujore jashtë fushave për shkak të lëndimeve në kofshë (nga maji deri në shtator), grumbulloi vetëm 110 minuta nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Kjo situatë çoi në huazimin e tij te Olympique Lyon, ku ai ka nisur në mënyrë mbresëlënëse, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë një asist në gjashtë paraqitjet e para.
Me Kylian Mbappe që aktualisht konsiderohet burimi kryesor i golave për skuadrën e drejtuar nga Alvaro Arbeloa, rikthimi i Endrick shihet si një përforcim i domosdoshëm në repartin ofensiv dhe si konfirmim i potencialit të tij të madh.
Nico Paz, blerja e parë për vitin 2026
Ndërkohë, nënshkrimi i parë për vitin 2026 pritet të jetë rikthimi i Nico Paz. Mesfushori ofensiv argjentinas u shpall Lojtari i Ri i Vitit në Serie A sezonin e kaluar dhe ka vijuar me paraqitje të mira edhe këtë edicion. Real Madridi e kishte shitur për 5 milionë euro, por ka një opsion riblerjeje prej 9 milionë eurosh, një marrëveshje që konsiderohet shumë e favorshme financiarisht.
Rikthimi i Paz do të rrisë konkurrencën në fazën ofensive, veçanërisht për lojtarë si Arda Guler dhe Brahim Diaz, duke shtuar alternativa kreative në të tretën e fundit të fushës.
Me këto dy rikthime, Real Madridi synon të kombinojë talentin e ri me strukturën ekzistuese, duke ndërtuar një skuadër më të balancuar dhe konkurruese për sezonet në vijim. /et
Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina u hapën zyrtarisht dje, ndërsa ceremonia madhështore e hapjes mahniti publikun në mbarë botën, veçanërisht përmes homazhit kushtuar ikonës së modës italiane, Giorgio Armani
Ceremonia u hap me një performancë spektakolare të Mariah Carey, e cila edhe një herë dëshmoi fuqinë e saj artistike – si përmes zërit karakteristik, ashtu edhe përmes një paraqitjeje skenike plot elegancë dhe shkëlqim. Muzika, dritat dhe koreografia krijuan një atmosferë solemne, por njëkohësisht emocionale, në përputhje të plotë me frymën olimpike.
Momenti që preku më shumë audiencën ishte segmenti i titulluar “Timeless Elegance” (Elegancë e përjetshme), i cili iu kushtua trashëgimisë së Giorgio Armanit dhe ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në kulturën italiane dhe modën botërore. Përmes një defileje simbolike, vajza të veshura me kostume në ngjyrat e flamurit italian – jeshile, e bardhë dhe e kuqe, krijuan vizualisht vetë flamurin e Italisë, duke ndërthurur identitetin kombëtar me estetikën e modës së lartë.
Kostumet e paraqitura në këtë defile janë dizajnuar personalisht nga Giorgio Armani, duke reflektuar filozofinë e tij të njohur: linja të pastra, prerje të përpikta dhe elegancë që i reziston kohës. Ky homazh nuk ishte vetëm një nderim për një stilist, por për një epokë të tërë të modës italiane që Armani e përfaqësoi për dekada.
Milano Cortina 2026 Opening Ceremony Highlights | #MilanoCortina2026
Në Milano dhe në Itali në përgjithësi, moda nuk është thjesht industri, por pjesë thelbësore e identitetit kulturor. Pikërisht për këtë arsye, një defile i tillë në një ngjarje sportive të përmasave globale si Olimpiada, dëshmon se moda dhe sporti mund të flasin të njëjtën gjuhë universale: gjuhën e estetikës, disiplinës dhe emocioneve që bashkojnë botën.
Ky moment i ceremonisë së hapjes konfirmoi edhe një herë se Italia di të nderojë trashëgiminë e saj kulturore me dinjitet, ndjeshmëri dhe stil të pakrahasueshëm.
Diplomacia kur është e vërtetë, nuk bën zhurmë. Lë gjurmë. Dhe vetëm më pas kuptohet se diçka ka lëvizur. Kështu duhet lexuar edhe intensiteti i fundit i angazhimeve të Elisa Spiropalit: jo si paradë takimesh, por si përpjekje për ta zhvendosur Shqipërinë nga skaji i tryezës drejt qendrës së bisedës. Nga vendi që dëgjon, te vendi që ndërhyn.
Prej vitesh, politika e jashtme shqiptare ka folur me një zë të ulët, pothuajse apologjik, sikur prania e saj në arenën ndërkombëtare të ishte gjithmonë provizore. Sot, toni po ndryshon. Jo me britmë, por me këmbëngulje. Jo me retorikë boshe, por me kërkesë për vëmendje. Diplomacia po ridizajnohet si instrument ndikimi, si shtrirje e pushtetit politik, si pretendim për rol ; jo më si përkthyes i vullnetit të të tjerëve.
Në këtë rrjedhë, Shqipëria nuk paraqitet më si hall për t’u menaxhuar, por si faktor për t’u llogaritur. Marrëdhëniet bilaterale nuk vishen më me sentimentalizëm historik; ato lexohen si marrëveshje interesi, ku stabiliteti, territori, besnikëria strategjike dhe parashikueshmëria kthehen në monedhë politike. Këtu nuk ka miqësi naive. Ka pazar të heshtur, ku çdo buzëqeshje mbështetet mbi një kalkulim force.
Edhe prania në rritje diplomatike në Tiranë flet më shumë sesa duket. Ambasadat (si ajo belge e daneze)nuk hapen për simpati; ato hapen për interes. Dhe interesi do të thotë vëmendje, ndërhyrje, presion. Shqipëria po hyn në një fazë ku nuk mjafton më të dukesh mirë në sy të të tjerëve,po duhet të prodhosh qëndrueshmëri, rezultate, disiplinë. Ky është momenti kur mirësjellja zëvendësohet nga llogaria.
Në sfond, qëndrimi i palëkundur përkrah boshtit transatlantik shfaqet si zgjedhje e vetëdijshme për të braktisur paqartësinë rajonale. Nuk ka më lojë të dyfishtë, as balancime ballkanike. Ka rreshtim. Dhe rreshtimi, në politikën globale, është akt që të jep besueshmëri, por të kërkon kosto. Është zgjedhje për të qenë i parashikueshëm, edhe kur kjo të ngushton hapësirat e manovrimit.
Në këtë panoramë, Elisa Spiropali nuk shfaqet si figurë protokollare që administron axhenda, por si zë që kërkon ta ngarkojë diplomacinë shqiptare me nerv, ambicie dhe vetëdije pushteti. Një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë nga objekt vëzhgimi në subjekt veprimi. Nga vend që pret sinjale, në vend që prodhon sinjale.
Sepse në fund, pyetja nuk është sa shpesh përmendet Shqipëria në tryeza ndërkombëtare, por sa e kushtueshme bëhet injorimi i saj. Diplomacia e re nuk matet me duartrokitje, por me ndikimin që krijohet kur flet. Dhe aty, pikërisht aty, po luhet pesha reale e kësaj faze politike.
Frank Serpico u qëllua më 3 shkurt 1971, pasi zbuloi korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut. Vitin tjetër, BBC raportoi për kalbjen “e përhapur” në forcën policore të Mollës së Madhe [Nju-Jorkut].
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: ‘The dishonest officer should fear the honest one’: The policeman who inspired Al Pacino’s Serpico)
Drama kriminale e vitit 1973, Serpiko [Serpico] u shkëput drejtpërdrejt nga titujt e gazetave. Bazuar në bestsellerin e Peter Maasit, filmi kishte Al Pacinon në rolin kryesor – taze nga suksesi në rolin e Majkël Korleonit te Kumbari [The Godfather] – si polici idealist Frank Serpico i cili guxoi të përballej me korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut [NYPD].
Ndershmëria e tij kokëfortë e vuri në konflikt me kolegët. Por, a kishte kjo lidhje me momentin e 3 shkurtit 1971, kur ai u qëllua gjatë një bastisjeje për narkotikë? BBC raportoi për hetimin pasues në vitin 1972.
Serpico, djali i emigrantëve italianë, iu bashkua NYPD-së në vitin 1959 për t’i shërbyer komunitetit. Në vitin 1965, u bë oficer me rroba civile – një hap drejt detektivit. Idealizmi i tij u përplas shpejt me pandershmërinë e disa prej kolegëve të tij. Zbuloi se korrupsioni ishte i përhapur. Një polic mund të merrte deri në 800 dollarë në muaj – ekuivalenti i rreth 8 000 dollarëve [6 766 euro] sot – nga operacionet e lojërave të fatit, me zyrtarët e lartë që merrnin një shumë më të madhe.
Në vitin 1967, Serpico u bë informator, duke sjellë prova të këtij korrupsioni tek eprorët e tij. Në këmbim, ai u ngacmua dhe u kërcënua. Më pas iu bashkua në këtë mision David Durkut, një tjetër oficer i guximshëm i NYPD-së që kishte kontakte në nivele të larta. Teksa Durku ishte jurist pedant dhe familjar, Serpico ishte një shpirt i lirë dhe vetmitar – një tjetër arsye pse nuk ishte i pëlqyer nga kolegët.
Në vitin 1970, i zhgënjyer dhe pa rrugëdalje, Serpico dhe Durku ia dorëzuan zbulimet e tyre gazetës New York Times. Zbulimet tronditëse në faqen e parë tronditën qytetin. Kryetari i Bashkisë, John Lindsay, caktoi një komision të pavarur të drejtuar nga avokati i Uoll-Stritit [Wall Street], Whitman Knapp. Por, Serpico ende ishte në detyrë aktive.
Al Pacino luajti Frank Serpicon në biopikun e vitit 1973 të Sidney Lumetit(Alamy)
Në shkurt të vitit 1971, tashmë pjesë e sektorit të narkotikëve, ai shkoi në një ndërtesë apartamentesh në Bruklin me tre oficerë të tjerë pas një sinjalizimi për një marrëveshje droge. Serpico trokiti në derën e të dyshuarit dhe u fut brenda kur ajo u hap, por u qëllua në fytyrë. Një zyrtar i lartë i policisë i tha revistës New York Magazine se kur erdhi lajmi, “u tmerruam nga mundësia që këtë ta kishte bërë një polic”.
Sipas New York Magazine-it, Serpico u “la për të vdekur nga kolegët e tij policë”, dhe ishte një banor i ndërtesës ai që thirri shërbimet e urgjencës. Ai u dërgua në spital me një makinë policie. Në një artikull të Politico-s të vitit 2014, ai shkroi: “Njëri nga policët që më çoi atë natë tha [më vonë], ‘po ta dija që ishte ai, do ta kisha lënë aty të rridhte gjak derisa të vdiste’”.
Një vit më vonë, David Taylor nga programi 24 Hours i BBC-së raportoi nga qyteti ku statistikat e krimit ishin “si të një lufte në zhvillim”. Ai zbuloi se Nju-Jorku jo vetëm që ishte qyteti më i pasur në botë, por edhe një nga më të ndyrët. “Vitit e kaluar ishin 1 600 vrasje në qytet. Më shumë amerikanë u vranë këtu sesa në Vietnam. Një krim i dhunshëm ndodh çdo 15 minuta, një grabitje çdo minutë dhe një vjedhje çdo 30 sekonda”.
“Por, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është dijenia e përgjithshme se policët marrin ryshfet”, tha Taylori. Hetimi publik zbuloi se korrupsioni ishte “i përhapur, megjithëse jo i njëjtë në shkallë”. Ai i quajti shumicën e policëve të korruptuar si “barngrënës”. Këta ishin policë që pranonin pagesa të vogla dhe dhurata nga “kontraktues, operatorë të merimangave, lojtarë kumari dhe të ngjashëm”. “Mishngrënësit”, një përqindje e vogël e NYPD-së, shfrytëzonin në mënyrë agresive situatat për pagesa të mëdha. Këto përfshinin “kumarin, narkotikët dhe krimet e tjera të rënda që mund të sillnin mijëra dollarë”.
Dëshmitari kryesor në seancat e transmetuara në televizion ishte William Phillips, një polic me rroba civile që kishte marrë ryshfet për 14 vjet. Një detektiv i vrasjeve që e pa atë duke dëshmuar në TV i tha prokurorëve se ai i ngjante një skice të një të dyshuari për një vrasje të pazgjidhur nga viti 1968. Phillipsi përfundoi i dënuar për vrasjen e dy personave dhe shkoi në burg për 32 vjet. Vdiq në vitin 2023, në moshën 92-vjeçare. Në nekrologjinë e tij, New York Times shtroi pyetjen: “A kreu vrasje, apo u kurdis si hakmarrje për thyerjen e murit të kaltër të heshtjes”?
Serpico, pjesërisht i shurdhuar në njërin vesh nga të shtënat, dëshmoi vetë në hetim, duke thënë: “Shpresoj që zyrtarët policorë të mos e përjetojnë në të ardhmen të njëjtin zhgënjim dhe ankth që më është shkaktuar mua në pesë vjetët e fundit, nga eprorët e mi, për shkak të përpjekjes për të raportuar korrupsionin. Më bënë të ndihesha sikur i kisha ngarkuar me një detyrë të padëshiruar”. Ai i bëri thirrje hierarkisë policore të krijojë “një atmosferë në të cilën polici i pandershëm ka frikë nga ai i ndershmi dhe jo e kundërta”.
Durku i tha komisionit: “Korrupsioni nuk ka të bëjë fare me paratë, sepse nuk ka sasi parash që mund t’i japësh një polici për të rrezikuar jetën 365 ditë në vit. Të jesh polic është një vokacion, ose nuk është asgjë fare – dhe kjo është ajo që u shkatërrua nga korrupsioni në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut; u shkatërrua për mua dhe për mijëra të tjerë si unë”.
Raporti i BBC-së i vitit 1972, mbi gjendjen e policisë së Nju-Jorkut, gjeti një forcë të demoralizuar. Kapiteni Edward Rogers, komandant i Njësisë së Nëntë, tha për 24 Hours: “Momentalisht, morali është në një pikë shumë të ulët në departament për shkak të Komisionit Knapp, kur 95 përqind e burrave të ndershëm tani po quhen të korruptuar, ndërkohë që Komisioni Knapp në rastin më të mirë zbuloi ndoshta se pesë përqindëshi i departamentit është i korruptuar. 95 përqind të tjerët po bartin barrën e etiketës së korrupsionit”. Ai shtoi: “Diçka e kësaj natyre na ka kthyer shumë vite prapa në marrëdhëniet me publikun, padrejtësisht”.
Durku i tha BBC-së se arritja më e madhe e komisionit ishte që “shkërmoqi teorinë e mollës së kalbur” që ishte përgjigja e mëparshme ndaj çdo akuze për korrupsion policor. “Administrata gjithmonë thoshte, ‘Çfarë? Tronditëse, e tmerrshme, na trego fajtorin dhe do ta varim’. Dhe, zakonisht bënin një shfaqje dramatike duke varur një ose dy vetë … zakonisht njerëz në nivele shumë të ulëta. Mendoj se ajo që bëri Komisioni Knapp ishte të tregonte shkallën dhe seriozitetin e asaj që në të vërtetë nënkupton korrupsioni”.
Kur erdhi puna për të bërë filmin mbi luftën kundër korrupsionit, roli i Durkut në ngjarje u paraqit nga Bob Blair, një personazh i trilluar i luajtur nga Tony Roberts. Pas seancave të komisionit, Durku u promovua në toger dhe qëndroi në polici për më shumë se një dekadë.
Serpico, i zhgënjyer, dha dorëheqje nga forca në vitin 1972 dhe për një kohë u zhvendos në Zvicër. Filmi biografik, i drejtuar nga Sidney Lumet, doli në ShBA një vit më vonë. Motoja në poster ishte kjo: “Shumë nga kolegët e tij e konsideronin njeriun më të rrezikshëm të gjallë – një polic i ndershëm”. Tridhjetë vjet më pas, në vitin 2003, Instituti Amerikan i Filmit e renditi Frank Serpicon në vendin e 40-të në listën e heronjve më të mëdhenj në historinë e kinemasë amerikane./et
Kjo dukej se shtrihej edhe tek shija për veturat e pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein.
Në email-et e panumërta të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë janë shfaqur biseda të shumta me Elon Musk, si dhe biseda për importimin e një numri të vogël automjetesh që nuk ofroheshin në SHBA.
Në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, Epstein ishte i interesuar të blinte një Toyota Century.
Epstein anashkaloi kanalet normale dhe i bëri bashkëpunëtorët të pyesnin njerëz në Toyota.
Megjithatë, ai u refuzua pasi zyrtarët i shpjeguan se për të ofruar një Century në SHBA, do të duhej të ishte në përputhje me rregulloret e SHBA-së.
Kjo do të kërkonte një sërë ndryshimesh dhe nuk do të ia vlente të ofronte vetëm një automjet.
Kjo është diçka e qartë, por bashkëpunëtori i Epsteinit sugjeroi të gjendej një tregtar që do të dërgonte një Century në Amerikë dhe më pas do ta modifikonte atë për të përmbushur standardet federale të sigurisë.
Përpara se të shihte Century, Epstein ishte i interesuar të blinte një limuzinë Hyundai Equus.
Ai pyeti një bashkëpunëtor nëse modeli ofrohej në New York apo nëse mund të importohej një i tillë.
Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij diskutuan gjithashtu një shumëllojshmëri automjetesh të tjera, duke përfshirë Chevrolet Express, Nissan NV dhe Ford Transit.
Ai gjithashtu dukej i interesuar për automjete nga Maybach dhe Rolls-Royce. /et
Prindërit e rinj gjithnjë e më shumë po zgjedhin emra shqiptarë për fëmijët e tyre, duke u rikthyer tek rrënjët, teksa për dekada me radhë ishin emrat e huaj ata që mbizotëronin. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Edua tek vajzat dhe Kren tek djemtë janë dy emrat shqiptarë më të përhapur.
Janë një sërë emrash të tjerë, kryesisht me kuptime të ndryshme në gjuhën shqipe, që po gjejnë përdorim të gjerë.
“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë. Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar. Bashkojnë emrin me një lidhëse”, thotë Dolores Rrapollari, Specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Sociologët e cilësojnë këtë fenomen të ri si rikthim tek identiteti, pas dëshirës për emra të huaj, shpesh pa ia ditur kuptimin, që ka mbizotëruar që pas viteve ’90.
“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur pak vetë nga këto emrat e huaj, po kërkon vetveten. Nëse prindërit e këtyre prindërve të rinj u kanë vendosur emra të huaj, kjo vinte pas një izolimi dhe mbylljeje, nga dëshira për integrim dhe përshtatje. Dëshira për modernitet ka qenë dëshira për Perëndimin. Një rol kanë luajtur edhe filmat në periudha të ndryshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Pavarësisht ndryshimit të preferencave, në zyrat e gjendjes civile ekziston ende një listë me emrat e ndaluar.
“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, thotë specialistja Rrapollari.
Me ndryshimin e legjislacionit në Shqipëri është i ndaluar ndërrimi i emrit./et
Jo mungesë vullneti, por biologji – ja çfarë ndodh në trup
Agjërimi i ndërprerë vitet e fundit është shndërruar në një nga modelet më të përhapura të të ushqyerit. Ai promovohet si një mënyrë e thjeshtë për humbje peshe, kontroll më të mirë të sheqerit në gjak, më shumë energji dhe madje edhe jetëgjatësi. Rrjetet sociale janë të mbushura me dëshmi personale të njerëzve që pretendojnë se ky regjim u ka “ndryshuar jetën”. Megjithatë, pas idesë tërheqëse të kufizimit të kohës së ngrënies fshihen shumë nuanca për të cilat flitet më rrallë.
Ndryshe nga dietat klasike, agjërimi i ndërprerë nuk përcakton se çfarë duhet të hamë, por kur. Modelet më të shpeshta janë ai 16:8, ku ushqimi konsumohet brenda një dritareje prej tetë orësh në ditë, si dhe agjërimi një ose dy ditë në javë. Pikërisht kjo thjeshtësi e ka bërë tërheqës, por edhe ka krijuar pritshmëri jo realiste.
Çfarë thotë realisht shkenca për agjërimin
Dr. Trisha Pasricha, mjeke në Beth Israel Deaconess Medical Center dhe ligjëruese në Harvard Medical School, shpjegon në një video të publikuar nga The Washington Post se agjërimi i ndërprerë mund të çojë në humbje peshe gjatë muajve të parë.
Arsyeja është e thjeshtë: kur kufizohet dritarja kohore e ushqimit, shumë njerëz përfundojnë duke konsumuar më pak kalori. Por problemi shfaqet më vonë.
“Agjërimi i ndërprerë është i vështirë për t’u mbajtur në afat të gjatë dhe te një numër i madh njerëzish, pesha trupore me kalimin e kohës kthehet”, thekson dr. Pasricha.
Sipas saj, studimet deri më tani nuk kanë treguar se agjërimi i ndërprerë ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit apo se zgjat jetëgjatësinë. Kjo nuk do të thotë se është i dëmshëm, por se reputacioni i tij shpesh i tejkalon provat shkencore, transmeton Telegrafi.
Pse kilogramët kthehen shpesh
Një nga arsyet kryesore pse njerëzit heqin dorë nga agjërimi i ndërprerë është mos përputhja me jetën reale. Orët strikte të vakteve shpesh bien ndesh me obligimet e punës, ritmin familjar, ngjarjet shoqërore dhe lodhjen kronike.
Kur rregullat thyhen vazhdimisht, shfaqet ndjenja e dështimit dhe më pas braktisja e plotë e regjimit. Në atë moment, shumë njerëz kthehen te zakonet e vjetra të të ushqyerit, shpesh të shoqëruara me mbingrënie, gjë që çon në rikthim të shpejtë të kilogramëve të humbur.
Ekziston edhe një aspekt psikologjik i rëndësishëm: te disa persona, modelet restriktive të të ushqyerit nxisin obsesionin me ushqimin, ndjenjën e fajit dhe cikle të vazhdueshme mes përmbajtjes dhe teprimit.
Kush duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm
Ekspertët paralajmërojnë se agjërimi i ndërprerë nuk është i përshtatshëm për të gjithë. Personat me çrregullime të të ushqyerit, disbalanca hormonale, stres kronik, si dhe gratë shtatzëna apo gjidhënëse, shpesh reagojnë keq ndaj periudhave të gjata pa ushqim.
Te disa individë, kapërcimi i vakteve mund të shkaktojë rënie të energjisë, nervozizëm, probleme me përqendrimin dhe çrregullime të gjumit, sinjale që tregojnë se trupi nuk po merr atë që i nevojitet.
Çfarë funksionon më mirë në afat të gjatë
Në vend të rregullave rigide, dr. Pasricha sugjeron zakone më të thjeshta dhe më të qëndrueshme, të cilat përshtaten më lehtë me jetën e përditshme.
Mëngjesi si vakt i rëndësishëm
Konsumimi i mëngjesit brenda një ore pas zgjimit, me mjaftueshëm proteina dhe fibra, ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak dhe ul nevojën për messhujta më vonë gjatë ditës. Kjo nënkupton shmangien e produkteve shumë të ëmbla dhe ushqimeve të përpunuara.
Darkë më e hershme
Përfundimi i vakteve dy deri në tre orë para gjumit ndikon pozitivisht në metabolizëm dhe në mënyrën se si trupi ruan energjinë. Darkat e vona lidhen me rrezik më të lartë për mbipeshë dhe çrregullime metabolike.
Çfarë është më e rëndësishme se ora e ushqimit
Në fund, mesazhi i dr. Pasrichës është i thjeshtë dhe çlirues:
“Më e rëndësishme është çfarë hamë, sesa kur hamë.”
Një ushqyerje e bazuar në perime, fruta, bishtajore, drithëra integrale, arra dhe fara, me konsum të reduktuar të ushqimeve ultra të përpunuara, ka mbështetjen më të fortë shkencore për ruajtjen e peshës trupore dhe shëndetit afatgjatë. Mund të mos ofrojë “mrekulli të shpejta”, por jep rezultate të qëndrueshme.
Në një kohë kur ushqyerja shpesh reduktohet në trende dhe rregulla ekstreme, agjërimi i ndërprerë mbetet një tjetër kujtesë se nuk ekziston zgjidhje universale. Mënyra më e mirë e të ushqyerit është ajo që mund të zbatohet për një kohë të gjatë, pa ndjenjë të vazhdueshme privimi dhe faji. /et
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe, foli për protestën e paralajmëruar më 10 shkurt të opozitës, duke theksuar se ajo nuk është një manovër politike, por një reagim qytetar ndaj asaj që opozita e konsideron si kapje të shtetit dhe korrupsion të përhapur.
Boçi u shpreh se protesta buron nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve, të cilët sipas tij ndihen të tradhtuar nga qeverisja aktuale. “Nuk ka skenarë të fshehtë. Është qytetari që gjen formën dhe mënyrën për të shprehur revoltën. Ne si deputetë kemi detyrimin të jemi në rreshtin e parë të kësaj revolte”, tha ai.
Sipas Boçit, protesta synon të mbrojë të vërtetën dhe interesin publik, duke i dhënë zë pakënaqësisë së qytetarëve ndaj korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë. “Ne dalim për qytetarët, për të vërtetën dhe për besimin tek alternativa. Kjo nuk është shfrytëzim politik i situatës, por një reagim i domosdoshëm ndaj padrejtësisë,” theksoi ai.
Ai shtoi se më 10 shkurt pritet një mobilizim i gjerë qytetar, ku protesta do të shërbejë si mesazh i fortë kundër qeverisë dhe në mbrojtje të demokracisë. /et
Megjithëse në relacionin shpjegues për amnistinë aprovuar nga qeveria përmendet se projektligji ka në vëmendje të veçantë gratë dhe të miturit, faktikisht rezulton se kjo kategori do të përfitojë më pak krahasuar me të burgosurit e tjerë.Do të lirohen vetëm 4 fëmijë dhe vetëm 9 gra nga 447 të dënuar që siç është pranuar zyrtarisht do të lirohen, pasi projektligji i amnistisë 2025 u miratua dhe kaloi për diskutim në komisionet parlamentare.
5 janë gra që përfitojnë ulje dënimi dhe 2 fëmijë nga 853 të burgosur të tjerë që do tu zbritet dënimi
Në institutin e të miturve në Kavajë mbahen 27 fëmijë, më i madhi 18 vjeç. ata janë për vepra të rënda duke nisur nga grabitjet me dhunë, vrasje dhe plagosje
Por numri më i madh i të miturve që pritet të fitojnë janë ata nën shërbim prove dhe që nuk janë në burg. Ndërkohë që pranohet në draft se kjo përparësi jepet për t’iu dhënë mundësi për riintegrim më të shpejtë. Nga studimi i draftit që TCH Channel kreu krahasuar me kodin penal rezulton se fitojnë qindra të tjerë që janë kallëzuar, janë nën hetim apo gjykim për krime që parashikohet dënimi deri në 3 vite burgim.
Konkretisht mjekët e dyshuar për mjekim të pakujdesshëm, gra që u akuzuan dhe janë nën hetim për prostitucion, hajdutët, ata që kryen korrupsion në sektorin privat, kontrabandistët, ata që fshehën të ardhurat, që nuk paguan energjinë elektrikë.
Po ashtu qytetarët që kanë shmangur taksat, falsifikatorët, ata që kryen krime mjedisore pa pasoja në jetë, shpifësit dhe ata që fyen, ata që kundërshtuan policinë, që ushtruan ndikim të paligjshëm dhe të gjithë ata që protestuan gjatë 2025 me çdo formë ose duke bllokuar rrugët ose duke manifestuar veprime ndaj uniformave blu./et