Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen, duke folur pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, tha se një marrje e Grenlandës nga SHBA-të nuk ishte absolutisht e nevojshme.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ka ndikim në planet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë kontrollin e ishullit Arktik nga Danimarka.
“Nuk mendoj se trupat në Evropë ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së presidentit, as nuk ndikojnë fare në qëllimin e tij për blerjen e Grenlandës”, tha Sekretarja e Shtypit Karoline Leavitt kur u pyet për vendosjen e tyre.
Komentet e saj vijnë në të njëjtën ditë që personeli ushtarak evropian filloi të mbërrinte në Grenlandë , disa orë pasi një takim midis zyrtarëve amerikanë, danezë dhe të Groenlandës në Uashington dështoi të zgjidhte atë që ministri i jashtëm danez e quajti “mosmarrëveshje themelore” mbi ishullin e pasur me minerale Arktik.
Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia njoftuan të mërkurën se do të vendosnin personel ushtarak si pjesë e një misioni zbulimi në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk./mxh
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të enjten se do të përdorë Aktin e Kryengritjes për të vendosur forca ushtarake në Minesota, pas ditësh protestash të zemëruara për shkak të rritjes së numrit të agjentëve të imigracionit në rrugët e Minneapolis.
Përballjet midis banorëve dhe oficerëve federalë janë bërë gjithnjë e më të tensionuara pasi një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat qëlloi për vdekje një shtetase amerikane, Renee Good, në një makinë tetë ditë më parë në Minneapolis, dhe protestat janë përhapur në qytete të tjera.
Kërcënimi i fundit i Trump erdhi disa orë pasi një oficer imigracioni qëlloi një burrë venezuelian, i cili sipas qeverisë po largohej pasi agjentët u përpoqën të ndalonin automjetin e tij në Minneapolis. Burri u plagos në këmbë./Mxh
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, i ka kthyer një përgjigje kryeministrit Rama, i cili e shënjestroi disa ditë më parë, për shkak të një statusi të saj në rrjetet sociale për përmbytjet, ku evidentonte faktin që inceneratori i Tiranës nuk ekziston.
Lala tha se kryeministri po përpiqet të tërheqë vëmendjen duke personalizuar debatin me fyerje, por shtoi se e fton atë në debat për inceneratorin.
“Në fakt, as e kisha idenë që kryeministri kishte reaguar për një status në rrjetim tim social në facebook, që është personal dhe ndaj mendimet e mia personale aty apo fotografi të familjes.
Megjithatë, përtej personales, unë i kam bërë një pyetje kryeministrit, a mundet zoti Rama të më dërgojë një foto të inceneratorit të Tiranës që funksionon? Ose ti provojë qytetarëve që inceneratori funksionon?
Inceneratori nuk ekziston fare, ndërkohë janë zhvatur miliona euro nga taksat. Nëse kryeministri do të provonte të kundërtën, do të kisha kurajon profesionale ti kërkoja falje.
Arsyen pse e bën nuk marr përsipër ta analizoj, por rruga e një kryeministri për t’u përballur me gazetarët dhe për të krijuar konflikte boshe, nuk e ndihmon të dalë nga situata problematike dhe e vështirë për qeverinë. Ka një zëvendës kryeministre për të cilën kërkohet arrestimi, ish zv kryeministër në arrati e me rradhë. Besoj se kjo retorikë me gazetarët, më ngjan se është një përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen. E ftoj në debat kryeministrin, ka apo jo incinerator. Kaq kam”, deklaroi Lala./mxh
Ish-prokurori Eugen Beçi deklaroi sot se arratisja e Altin Ndocit nuk mund të konsiderohet si një ngjarje e rastësishme.
I ftuar në emisionin “Now”, Beçi u shpreh se fakti që kjo tentativë arratisjeje u realizua tregon qartë se ka problem me zbatimin e protokolleve dhe me organizimin brenda institucioneve.
“Fakti që nuk po e kapin dot, po e filloj nga kjo, nuk është një ngjarje e rastësishme. Nuk do të thotë që protokollet zbatohen gjithmonë, por fakti që ka tentativa që nuk realizohen, siç ka edhe tentativa që realizohen, si në rastin me sprintin e këtij personi, tregon shumë.
Përveç moszbatimit të protokolleve dhe organizimit brenda institucioneve, kam përshtypjen se ka lidhje edhe me organizimin e një arratisjeje të tillë. Do të thotë se kemi një dashje për kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin. Nëse do të ishte shumë e rastësishme, do të ishte kapur pas gjysmë ore.
Mund të kemi një bashkëpunim që shkon deri në bashkëpunim të një vepre penale të personave që kanë pasur për detyrë ta shoqërojnë me persona nga jashtë për të arritur procesin e arratisjes së këtij personi”,- tha Beçi./Mxh
Lëvizjet e personelit amerikan nga Baza Ajrore Al Udeid në Katar nënvizojnë frikën në rritje të një përballjeje të drejtpërdrejtë SHBA-Iran, sipas ekspertit të Lindjes së Mesme, Profesor Mehran Kamrava, i cili thotë se Teherani ka paralajmëruar në mënyrë të qartë Dohën dhe Riadin se do të hakmerret kundër objektivave amerikane.
Konfirmimi i Katarit se disa personel ushtarak amerikan janë zhvendosur nga Baza Ajrore Al Udeid si masë paraprake pasqyron shqetësimin në rritje në të gjithë Gjirin se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit mund të shndërrohen në konflikt të hapur, sipas një eksperti kryesor rajonal.
Profesor Mehran Kamrava i Universitetit Georgetoën në Katar tha se paralajmërimi i lëshuar këtë javë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, se përshkallëzimi do të ishte “katastrofik”, është një vlerësim i saktë i rreziqeve me të cilat përballet tani rajoni.
“Mendoj se ky është një vlerësim i saktë”, tha Kamrava. “Duke pasur parasysh natyrën në ndryshim të dinamikës gjeostrategjike në rajon, po shohim një sërë situatash shumë të vështira.”
Katari ka theksuar se lëvizjet në Al Udeid, baza ajrore më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, janë paraprake dhe nuk tregojnë një kërcënim të menjëhershëm. Por shkencëtari politik tha se roli qendror i bazës e bën Katarin veçanërisht të ekspozuar nëse kriza thellohet./mxh
Avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, ka komentuar vendimin e SHBA për pezullimin e vizave për 75 vende përfshirë dhe Shqipërinë.
Ekspertja tha se vendimi prek vetëm, aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA.
“Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin”, tha ajo.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu a ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë ajo u përgjigj:
“Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është”./mxh
Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove në mbështetje financiare për vendin.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojmë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.
Ajo tha se ky vendim është marrë pas ndryshimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale.
Hipper tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.
“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne po heqim masat për Kosovën. Prandaj, kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro.
Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026).
Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së për KosovaPress.
Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.
Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.
Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin./mxh
Analisti Fatos Lubonja ndau një këndvështrin sa i takon lidershipit të Partisë Demokratike në një kohë që synon të rrëzojë qeverinë socialiste.
Në një studio televizive, Lubonja u shpreh se zgjidhjet duhet të vijnë nga gjithë strukturat, teksa cilësoi si problem kryesor personalizimin e partisë.
Sipas analistit, sfidat e demokratëve nuk lidhen vetëm me situatën e brendshme të partisë, por edhe me paqartësinë ndaj qëndrimit të vet politik.
“Zgjidhja duhet të vijë nga të gjithë. Është formulimi i disa shqetësimeve. Mbi të gjitha, që është sa demokratike janë partitë. Sa marrin vendime mbi dialogun, sa vendos një figurë e vetme që e ka personalizuar partinë. Kemi parti të personalizuara. Ajo që ndjej unë është që Salianji ndoshta me një grup, ajo që kërkojnë është pak a shumë të çajnë një lloj grupimi i lidershipi i partisë për ta bërë partinë më të hapur për këta.
Si bëhet kjo? Dhe në funksion të çfarë strategjie bëhet kjo? Nëse është përmbysja e regjimit. E para është përgjegjësia e regjimit dhe sa është përgjegjësia e regjimit që nuk shkojnë njerëzit te opozita. Opozita e re Lapajn nuk shkon njeri. Sa ka regjim me kontrollet, paratë, oligarkët. Sa është ky problemi dhe sa është problemi opozita apo PD? PD është e paqartë. Edhe nuk shkohet në zgjedhje me Ramën, edhe shkohet.
Duhet zgjidhur me votim, demokraci të brendshme. Në këtë aspekt e shoh që nuk është situata e tillë që të ketë zgjidhje. Partia është e bllokuar. Po si zhbllokohet? Ndoshta mbi tema mbi qëndrime të ndryshme. Këta edhe Salianji kur u bënë me Amerikën kundër Berishës. Nuk bën demokraci. Doli Lul Basha vendos unë. E ndoqën disa nga këta. Kur ishte puna për ta hedhur në diskutim në parti, asnjë nuk e hodhi. Që aty duhet të ishin ndarë gjërat. Është zgjidhur në këtë formë. Duhet gjetur mënyra. Duhet rënia e regjimit. Nuk bëhet me Berishën, por nuk bëhet as pa Berishën. Është një forcë, por edhe ai nuk mjafton. Duhet edhe me Berishën edhe pa Berishën”,-u shpreh Lubonja./mxh
Një 24-vjeçar shqiptar, Mario Nikprelaj, banues në Shelby Township, Michigan, është dënuar me 18 muaj burg federal dhe me dy vite lirim të mbikëqyrur pas një episodi të rrezikshëm në fluturim, njoftoi Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Verior të Ajovës.
Incidenti ndodhi më 17 korrik 2025 në bord të fluturimit Delta Connection Flight 3612 të operuar nga SkyWest Airlines, nga Omaha, Nebraska, drejt Detroit, Michigan. Para se avioni të niste, Nikprelaj u bë i padisiplinuar, duke refuzuar të mbante rripin e sigurisë dhe duke bërë komente të pahijshme ndaj ekuipazhit, siç shkruan New York Post.
Situata u agravua kur disa pasagjerë panikuan, duke menduar se ai po përpiqej të hapte derën e emergjencës. Piloti detyroi fluturimin të bëjë një ulje emergjente në Cedar Rapids, Ioëa, për sigurinë e të gjithë njerëzve në bord.
Pas uljes, Nikprelaj u arrestua nga policia lokale, dhe gjatë kontrollit u gjetën 41 pilula Xanax që nuk ishin në emrin e tij.
I riu ka pranuar fajësinë për ndërhyrje në punën e ekuipazhit dhe sjellje të rrezikshme dhe ka një histori të mëparshme të problemeve me ligjin, përfshirë akuza për sulm, dhunë në familje dhe shkelje të tjera./mxh
Pas dy vitesh heshtjeje dhe akuzash mediatike, Chiara Ferragni rikthehet për të folur. Influencerja dhe biznesmenia italiane u shpall e pafajshme për akuzën e mashtrimit në rastin e njohur si “Pandoro Gate”, ku i ishte akuzuar se kishte mashtruar konsumatorët duke bërë të besonin se donacioni për bamirësi varej nga numri i pandorëve dhe vezëve të Pashkës të shitur. Në të vërtetë, donacioni ishte një shumë fikse e caktuar më parë.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Ferragni ka përshkruar vështirësitë e dy viteve të fundit:
“Janë qenë dy vite ku gjithçka që mund të shkonte keq shkoi keq. Por gjithmonë kam menduar se do të kishte një fund të bukur sepse nuk kishte asnjë element për të folur për një mashtrim.”
Chiara tregoi se zgjedhja për të qëndruar e heshtur ishte nga frika, sepse çdo fjalë e gabuar mund të kthehej kundër saj. Ajo theksoi gjithashtu zhgënjimin ndaj disa personave të afërt, përfshirë ish-bashkëshortin Fedez, nga i cili u nda gjatë këtij periudhe:
“Kishte një ndarje publike në momentin tim të vetëm të nevojës, u ndjeva krejtësisht e braktisur. Vuajta shumë.”
Ajo përshkroi edhe reagimin e saj të parë në sallën e gjyqit:
“Sapo dëgjova ‘artikulli 531’ e përqafoj avokatin tim dhe fillova të qaj, mezi munda të merrja frymë. Ishte si një skenë filmi.”
Duke reflektuar mbi gabimet e bëra, Ferragni pranoi:
“Po, kam qenë naive. Megjithatë, e mora plotësisht përgjegjësinë. Si biznesmene dhe influencer, gjithmonë do të bëj gabime vlerësimi. Njerëzit më shihnin si perfekte, por unë jam njeri, ndjej emocione, por nuk kam menduar kurrë se do të isha pjesë e një procedimi penal. Kjo më bëri më shumë dëm.”
Pavarësisht vështirësive, Chiara duket gati të kthejë faqen:
“Tani gradualisht do të filloj të flas dhe do të tregoj pa zemërim çfarë kanë qenë këto dy vite. Shpresoj të rilind. Personi perfekt që njerëzit imagjinonin nuk ekziston më. Tani jam më e vetëdijshme, më e kujdesshme dhe dua të jem më e sinqertë. Dëshiroj që të tjerët të më perceptojnë ashtu siç jam vërtet.”
E pyetur se çfarë do të bëjë së pari pas vendimit, ajo u përgjigj:
“Do të festoj me miqtë e mi në shtëpi. Do të jemi bashkë, të qetë. Tani do të filloj të jetoj përsëri.”/mxh
Çfarë po ndryshon, kush po e shtyn ndryshimin dhe pse viti 2026 pritet të jetë një nga më sfiduesit për industrinë e marketingut?
Industria globale e marketingut po hyn në vitin 2026 në një fazë të re polarizimi, e shtyrë fuqishëm nga inteligjenca artificiale, konsolidimi i tregut dhe ndryshimet e thella në sjelljen e konsumatorëve. Kështu vlerëson një analizë e publikuar nga Marketing Dive, e cila identifikon disa nga pikat kryesore që do të formësojnë vitin në vijim.
Sipas analizës, fushata e balancuar mes dy formulave, asaj tradicionale dhe digjitale po bëhet gjithnjë e më e padukshëm. Nga njëra anë, brendet dhe agjencitë po lëvizin drejt modeleve white-glove (shërbime premium, të personalizuara), ndërsa nga ana tjetër po rriten zgjidhjet plug-and-play, të ndërtuara mbi AI. Hapësira tradicionale në mes po tkurret, si në modele biznesi, ashtu edhe në përmbajtje kreative.
Pse po ndodh kjo?
Rritja e shpejtë e AI gjenerative ka ulur barrierat e prodhimit të përmbajtjes, por njëkohësisht ka krijuar uniformitet. Ekspertët paralajmërojnë se algoritmet po prodhojnë volum, jo domosdoshmërisht vlerë. Si reagim, disa marka po zgjedhin komunikim më provokues dhe më autentik për të thyer monotoninë.
Pra, Në vitin 2026, AI pritet të përdoret masivisht në prodhimin e përmbajtjes, planifikimin e fushatave dhe analizën e audiencave. Megjithatë, ky zhvillim rrezikon të prodhojë përmbajtje të njëtrajtshme dhe pa identitet të qartë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin e markave në hapësirën digjitale.
Në të njëjtën kohë, raporti vë në dukje se kompanitë po rishikojnë mënyrën se si e përdorin të dhënat. Fokusi po zhvendoset nga grumbullimi masiv i informacionit drejt lidhjes dhe kuptimit më të mirë të tij, në një mjedis ku matja e performancës po ndërlikohet nga zero-click search, bots dhe ndërhyrjet e AI në ekosistemin digjital.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me ndryshimet demografike. Brezi Gen Alpha, edhe pse ende shumë i ri në moshë, tashmë po konsiderohet seriozisht në strategjitë e marketingut, për shkak të ndikimit të tij në vendimet e blerjeve dhe konsumit.
Paralelisht, investimet në krijues marketing (influencers) pritet të rriten, me theks të veçantë te krijuesit e vegjël, në vend të ndjekjes së shifrave të mëdha të audiencës.
Në planin ekonomik, pasiguria e shkaktuar nga tarifat tregtare, inflacioni dhe paqëndrueshmëria globale pritet të ndikojë drejtpërdrejt në strategjitë e marketingut. Brendet do të orientohen drejt fushatave më të shkurtra, fleksibile dhe me fokus te vlera, duke iu përshtatur konsumatorëve që po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në shpenzime.
Viti 2026 pritet të jetë një vit vendimtar për marketingun, ku teknologjia, ekonomia dhe ndryshimet shoqërore po e shtyjnë industrinë drejt zgjedhjeve më të qarta. Mbijetesa dhe suksesi do të varen nga aftësia e kompanive për të ofruar zgjidhje, për të qenë autentike dhe për të përdorur AI-në si mjet strategjik, e jo si zëvendësim të mendimit kreativ./et
Gerard Pique ka shfrytëzuar pa mëshirë rastin për ta tallur Real Madridin pas eliminimit tronditës nga Kupa e Mbretit, ku madrilenët u mposhtën nga skuadra e kategorisë së dytë, Albacete, të mërkurën mbrëma.
Real Madridi u nda nga ish-trajneri Xabi Alonso më herët gjatë javës dhe ia besoi drejtimin e skuadrës Alvaro Arbeloas, duke e lidhur ish-trajnerin e Castillas me një kontratë që zgjatet përtej fundit të sezonit, si shenjë e besimit ndaj ish-mbrojtësit të djathtë.
Megjithatë, ardhja e Arbeloas në stolin e skuadrës nuk solli ndryshim pozitiv. Mandati i tij nisi me një humbje 3-2 dhe me një eliminim të papritur nga Kupa e Mbretit në fazën e 1/8 së finales.
“Debutim i shkëlqyer për Madridin e ri”, u tall Pique gjatë një transmetimi në Twitch pas humbjes së rëndë të Real Madridit.
Statusi i Piques si legjendë e Barcelonës e shpjegon gatishmërinë e tij për të provokuar rivalët, por deklarata e tij nuk ndihmon aspak në zbutjen e tensioneve që kishin nisur qysh gjatë karrierave të tyre si lojtarë, në anët e kundërta të rivalitetit të “El Clasicos”.
Edhe pse rivaliteti mes Arbeloas dhe Piques, duke pasur parasysh trashëgiminë e tyre te Real Madridi dhe Barcelona, nuk është aspak befasues, përfaqësuesja e Spanjës për vite me radhë ka vuajtur një tension të pakëndshëm sa herë që lojtarët e dy klubeve rivale janë detyruar të bashkëpunojnë në arenën ndërkombëtare.
Në fakt, Arbeloa dhe Pique kanë luajtur së bashku 38 ndeshje me Spanjën, por kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie të mira. Në vitin 2015, ish-mbrojtësi i Barcelonës u kritikua pasi deklaroi se Arbeloa “nuk është mik, thjesht një person që e njoh”.
Pas katër muajsh reflektimi, Arbeloa reagoi për La Galerna:
“Mund t’ia shpjegoja botës pse nuk jam mik me Piquen, por ndoshta nuk do t’i bënte mirë nëse do ta bëja këtë”.
“Është e vërtetë gjithashtu se unë e njoh familjen e tij dhe respekti që kam për ta, ai nuk e ka për timen. Familjet janë të rëndësishme. Dëgjojmë shumë budallallëqe dhe në një farë mënyre nuk të bëjnë përshtypje, por njerëzit e afërt vuajnë”./et
Mercedes njoftoi për rimodelimin masiv të S-Class në fillim të kësaj jave, por ka shumë më tepër për vitin 2026.
Premiera e sedanit luksoz më 29 janar do të pasohet nga Maybach S-Class luksoz, me një bazë rrotash edhe më të gjatë dhe një motor V12.
Duke parë përtej modelit kryesor, shumë vetura të reja janë planifikuar të dalin në shitje gjatë 12 muajve të ardhshëm.
“Programi më i madh i lançimit të produkteve dhe teknologjisë në historinë e kompanisë” do të përfshijë C-Class-in e parë pa motor me djegie.
Ndryshe, as rivalët e Mercedesit nuk po qëndrojnë, pasi po përgatisin produktet e tyre të reja.
BMW do të lansojë sedanin i3 në muajt e ardhshëm për t’u përballur me C-Class elektrike, ndërsa Seria 3 dhe X5 e gjeneratës së ardhshme pritet të dalin gjithashtu në vitin 2026.
Tek Audi, janë konfirmuar Q7 i rifreskuar dhe Q9, së bashku me një automjet elektrik të ri fillestar. /et
Një ketër albino është parë të mërkurën, më 14 janar, në National Mall në Washington DC të SHBA-së.
Pamjet treguan ketrin me lesh tërësisht të bardhë duke lëvizur mbi bar, ndërsa ketra të tjerë mblidheshin pranë tij.
Anëtarë të Gardës Kombëtare gjithashtu u panë duke ushqyer ketrat në zonë.
Albinizmi është një gjendje gjenetike e rrallë që shkakton humbje të pjesshme ose të plotë të pigmentimit dhe ndodh te ketrat rreth një në 100 mijë lindje.
Shkencëtarët vlerësojnë se vetëm rreth 20 ketra albino ekzistojnë mes gati dy milionë ketrave në SHBA. /ET
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, la sot në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Ornela Rrumbullaku.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë, Sokol Çomo, Ina Rama e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Rrumbullakut kundë vendimarrjes së Komisionit.
‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2024, datë 11.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 792, datë 04.09.2024.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 792, datë 04.09.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në vendim. /et
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë ku ka nisur takimin me presidentin Donald Trump.
Machado kishte veshur një kostum të bardhë dhe eci drejt një hyrjeje private në Shtëpinë e Bardhë.
Vlerësimi i Presidentit Donald Trump për udhëheqësen e opozitës venezueliane, María Corina Machado, nuk ka ndryshuar, tha të enjten sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ndërsa takimi i tij me të po fillonte.
“E di që presidenti mezi priste këtë takim dhe priste që të ishte një diskutim i mirë dhe pozitiv me znj. Machado, e cila është vërtet një zë i jashtëzakonshëm dhe i guximshëm për shumë njerëz të Venezuelës”, tha Leavitt gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
I pyetur nëse Trump qëndron pas pohimit të tij se Machado nuk ka mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr Venezuelën, Leavitt tha se po. “Ishte një vlerësim realist bazuar në atë që presidenti po lexonte dhe dëgjonte nga këshilltarët e tij dhe ekipi i sigurisë kombëtare, dhe në këtë moment, mendimi i tij për këtë çështje nuk ka ndryshuar.”
Ajo më vonë shtoi se Trump nuk shkoi në takim me pritshmëri të caktuara nga Machado.
“Nuk mendoj se ai ka nevojë të dëgjojë ndonjë gjë nga znj. Machado. Mendoj se në përgjithësi, ky është një takim që presidenti ishte i gatshëm ta pranonte dhe të takohej me znj. Machado personalisht dhe thjesht të zhvillonte një diskutim të sinqertë dhe pozitiv rreth asaj që po ndodh në Venezuelë”, tha Leavitt.
Ajo tha se presidenti është “i përkushtuar që shpresojmë të shohim zgjedhje në Venezuelë një ditë”, por nuk dha një afat kohor./mxh
Një kapelë mjafton për ta prishur frizurën, por zgjidhja është më afër se sa mendoni. Ja çfarë funksionon realisht kundër flokëve të elektrizuar
Dimri dhe veshjet me shumë shtresa që e karakterizojnë këtë stinë shpesh janë të pamëshirshme ndaj flokëve tanë. Me uljen e temperaturave, është koha të nxjerrim nga gardëroba kapelat prej leshi, beretat dhe shallet gjithnjë e më të preferuara. Megjithatë, këta aksesorë trendi sjellin me vete edhe një problem irritues.
Fërkimi që krijohet mes leshit ose materialeve sintetike dhe fibrave të flokëve, i kombinuar me ajrin e ftohtë dhe të thatë të dimrit, çon në dehidratim të menjëhershëm. Rezultati është i njohur për të gjithë: flokët elektrizohen, bëhen të pabindur dhe “fluturojnë” në të gjitha drejtimet.
Për fat të mirë, ekziston një truk jashtëzakonisht i thjeshtë që ju lejon t’i përballoni temperaturat e ulëta pa sakrifikuar stilin.
Nuk keni nevojë për produkte të shtrenjta, as për një rutinë të ndërlikuar me shumë hapa. Zgjidhja ka shumë gjasa të ndodhet tashmë në çantën tuaj.
Kur hyni në një ambient të mbyllur, hiqni kapelën dhe vini re se flokët janë bërë të pabindur, mjafton të merrni një sasi shumë të vogël kremi për duar, sa një kokërr bizele. Sekreti qëndron te aplikimi: fërkojeni kremin mes pëllëmbëve për ta ngrohur dhe shpërndarë njëtrajtshëm, pastaj kaloni lehtë duart mbi gjatësinë e flokëve dhe majat, pa i rënduar ato.
Pse funksionon ky truk?
Kremi vepron në dy drejtime: siguron hidratimin e nevojshëm që zbut kutikulën e flokut dhe njëkohësisht redukton elektricitetin statik. Edhe pse kremi për duar është një zgjidhje e shkëlqyer SOS, ky truk funksionon po aq mirë, në mos edhe më mirë, me një pikë vaj për flokë, serum ose kujdes pa shpëlarje.
Thelbi është krijimi i një shtrese shumë të hollë mbrojtëse që “mbyll” lagështinë, zvogëlon fërkimin dhe parandalon që flokët të elektrizohen sërish. Në këtë mënyrë, modeli i flokëve mbetet i rregullt, i butë dhe i kuruar, pavarësisht kapelave, shallit apo kushteve të motit. /et
Ata nuk ecin gjithmonë në tapetin e kuq, por gjithmonë ecin në të njëjtin drejtim
Po bëhet gjithnjë e më e qartë: Kylie Jenner nuk është më thjesht një influencuese në tapetin e kuq. Ajo është shndërruar në një figurë të pashmangshme të çdo ceremonie të madhe çmimesh, madje edhe atëherë kur… fizikisht nuk shfaqet në tapet. Sepse Kylie nuk ka nevojë të kalojë para fotografëve për të qenë tema kryesore e mbrëmjes.
Në ndarjen e Golden Globe më 11 janar, ku Timothée Chalamet ishte i nominuar për aktorin më të mirë në mjuzikal ose komedi për filmin Marty Supreme, Kylie dëshmoi edhe një herë se e kupton perfekt fuqinë e momentit, estetikën dhe dominimin e heshtur. Ajo nuk eci në tapetin e kuq, por në Instagram tregoi një paraqitje për të cilën u fol më shumë sesa për shumë dalje zyrtare.
Ajo kishte veshur një fustan i punuar enkas për të nga Ashi Studio, të mbuluar me temina, të ngushtë pas trupit, me dekolte të thellë në formë “sweetheart” dhe me rripa që zbrisnin lehtë mbi supe dhe gjok, sensuale, por njëkohësisht e rafinuar. Një lloj glamuri që nuk bërtet, por mbetet në kujtesë.
Pamjen e kompletoi me një çantë vintage Gucci, taka Christian Louboutin dhe, sigurisht, me diamante Lorraine Schwartz – plot 75 karatë në unaza dhe vathë. Sinqerisht? Ky nuk është më thjesht bizhuteri, por manifest i pushtetit dhe statusit.
Flokët i mbante në një bisht të gjatë, ndërsa grimi ishte romantik, me kombinim highlighter-blush dhe buzë nude. Gjithçka dukej sikur përcillte një mesazh të qartë: e di kush jam dhe nuk kam nevojë të provoj asgjë.
Nga ana tjetër, Timothée Chalamet mbeti besnik stilit të tij minimalist: kostum krejtësisht i zi, jelek, xhaketë, pantallona të futura në çizme dhe një varëse argjendi. Pamja e tij ishte e përmbajtur, por e saktë, një reflektim i drejtpërdrejtë i mënyrës së tij të aktrimit.
Ajo që e bën këtë çift veçanërisht interesant është fakti se kurrë nuk duken sikur përpiqen të jenë “çifti më i përfolur i momentit”. E megjithatë, çdo herë bëhen të tillë. Pa teatralitet, pa poza të tepruara, pa nevojë për të provuar vlerën e tyre. Dinamika mes tyre është e qetë, por e qëndrueshme dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye duket e sinqertë.
Në Critics Choice Awards, disa ditë më parë, Timothée madje e përmendi butë Kylie-n në fjalimin e tij të fitores, një gjest i vogël, por mjaftueshëm domethënës për të treguar se ajo është pjesë e historisë së tij, jo vetëm e imazhit publik.
Gjatë viteve të fundit, Kylie ka befasuar shpesh me zgjedhjet e saj të modës: nga fustani Versace i vitit 1999 me shpinë dramatikisht të hapur, te krijimi transparent prej dantelle i Hanae Mori. Por tani duket sikur nuk synon më të shokojë, por të konfirmojë statusin e saj.
Marrëdhënia e tyre zhvillohet larg skandaleve, por afër emocioneve. Nga puthjet nën yje, te paraqitjet e përbashkëta publike, e deri te momentet e qeta familjare, si shtëpiza e Krishtlindjeve prej xhenxhefili, ku Kylie kishte shkruar edhe emrin e Timothée-s. Ky detaj, ndoshta, është më i bukuri nga të gjithë.
Sepse glamuri mund të blihet. Diamantet mund të vishen. Fustanet mund të huazohen. Por vendi në familjen e dikujt – ai fitohet.
Ndoshta Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet nuk ecin gjithmonë bashkë në tapetin e kuq. Por ecin në të njëjtin drejtim. Dhe në një botë ku gjithçka matet me tituj, ky është, në fakt – luksi më i madh. /ET
Cristiano Ronaldo është sportisti më i paguar në botë për vitin që lamë pas, njoftoi faqja e specializuar për biznesin sportiv Sportico.
Sportico publikoi një listë të 100 atletëve më të paguar në vitin 2025, ku përfshihen përfaqësues të tetë sporteve nga 28 vende që fituan gjithsej 5.2 miliardë euro, dhe ky është viti i tretë radhazi që Ronaldo kryeson këtë listë.
Cristiano fitoi gjithsej 224 milionë euro në vitin 2025, që është dyfishi i asaj të nënkampionëve të tij të parë, Canelo Alvarez dhe Lionel Messi.
Ronaldo fitoi 172 milionë euro nga Al-Nassr dhe 52 milionë të tjera nga reklamat.
Në vendin e dytë është boksieri Canelo Alvarez me fitime prej 117 milionë eurosh dhe në vendin e tretë është rivali i madh i Ronaldos, Lionel Messi me 112 milionë euro.
Sporti më i përfaqësuar është basketbolli, me 40 lojtarë të NBA-së në listë.
I udhëhequr nga LeBron James, i cili ka qenë basketbollisti më i paguar në 12 nga 13 sezonet e fundit, duke fituar 110 milionë euro vitin e kaluar./et