Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Gazeta Fjala

10:00 Arbër Hoxha “trazon” Stambollin, dy gjigandët turk synojnë sulmuesin kuqezi

By: Klara
14 January 2026 at 10:00

Dinamo Zagreb ka qenë dhe mbetet një vitrinë prestigjioze për çdo talent që synon të bëjë një hap më të madh në karrierë. Ylli i ri që po shndërrim në Zagreb është sulmuesi kuqezi, Arbër Hoxha. Futbollisti shqiptar mbylli një fund viti 2025 me shifra dhe paraqitje fantastike duke tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e klubeve të mëdha Evropiane. Nga Kroacia, por dhe Turqia, mediat bëjnë me dije se për sulmuesin kuqezi kanë shfaqur interesim dy gjigandët e futbollit turk, Gallatarasi dhe Fenerbahçe.

Dy ekipet nga Stambolli shohin te Hoxha përforcimin ideal për fazën sulmuese, një lojtar i aftë të bëjë diferencën në lojën një kundër një. Sigurisht, nuk është e lehtë që t’i rrëmbesh Dinamo Zagreb lojtarin më të rëndësishëm në këtë pikë të sezonit, në një kohë kur ekipi është në garë me kohë të plotë për titullin kampion.

Hoxha

Kartoni i Arbër Hoxhës, sipas “Transfermarkt”, vlerësohet me 2,5 milionë euro, një shifër që dy ekipet nga Stambolli do ta paguanin me kënaqësi. Siç ka ndodhur gjithnjë në të kaluarën, Dinamo Zagreb ka vërtetuar se çdo lojtar e ka një çmim, për këtë arsye mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë ekipi kroat deri në fund të merkatos dimërore, por dhe lojtari, pasi fjalën e fundit pritet ta ketë Arbër Hoxha./K.M

10:00 Njeriu i tranzitit, Mehran Nasseri apo Viktor Navorski dhe miti modern i Terminalit

By: Leonard
14 January 2026 at 10:00

Nga Leonard Veizi

Aeroportet janë limane të amnezisë, hapësira sterile ku kujtesa refuzon të lëshojë rrënjë. Ato nuk janë as qytete me histori e as kufij me identitet, por thjesht korridore të pafundme kalimi, damarë të ftohtë ku njerëzimi rrjedh pa u ndalur kurrë. Në këtë mbretëri qelqi dhe çeliku, koha nuk ngulmon; ajo nuk ndërton të djeshme e as të nesërme, por thjesht avullon mbi pllakat e lëmuara. Pikërisht këtu, në zemrën e këtij tranziti të përhershëm ku njeriu supozohet të jetë vetëm një hije kalimtare, Mehran Karimi Nasseri skaliti tetëmbëdhjetë vite të jetës së tij. Terminali 1 i aeroportit ‘Charles de Gaulle’ u shndërrua në shtëpinë e tij të pamundur, një ishull vetmie në mes të një oqeani njerëzish, sepse bota përtej atyre mureve të padukshme kishte vendosur ta fshinte nga harta e saj…

…Në epokën moderne, ekzistenca nuk vërtetohet nga prania fizike, por nga dokumenti. Pa pasaportë, pa vulë, pa një emër të njohur nga sistemi, njeriu është i përjashtuar nga realiteti ligjor. Nasseri nuk ishte i burgosur; ai ishte i pezulluar. Një trup i pranishëm, por juridikisht i padukshëm. Një gabim i vogël administrativ, i zgjatur në një jetë të tërë.

Fillimisht, historia e tij u pa si skandal. Më pas si kuriozitet. Në fund, si normalitet. Shoqëria ka aftësinë e frikshme për t’u mësuar me absurditetin, për sa kohë që ai nuk e prek drejtpërdrejt. Nasseri u bë pjesë e peizazhit të terminalit, një figurë e heshtur mes tabelave elektronike dhe zërave metalikë të nisjeve.

Këtu, realiteti i tij preku mitin.

“The Terminal”

Në vitin 2004, Steven Spielberg realizoi filmin “The Terminal”, frymëzuar lirshëm nga historia e Nasseri-t. Protagonisti, Viktor Navorski, i luajtur nga Tom Hanks, mbetet i bllokuar në një aeroport amerikan pasi vendi i tij shpallet i paqëndrueshëm politikisht. Ai nuk mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara, por as të kthehet. Një situatë absurde, por e treguar me butësi, humor dhe humanizëm.

Filmi e shndërron tragjedinë në përrallë moderne. Aty ku Nasseri përjetoi izolim, varfëri dhe ngurtësim psikologjik, Navorski ndërton miqësi, dashurohet dhe fiton simpatinë e sistemit që e ka bllokuar. Hollywood-i nuk duron dot boshllëkun ekzistencial; ai duhet ta mbushë me kuptim, me shpresë, me fund të hapur.

Por pikërisht këtu qëndron kontrasti filozofik.

Filmi tregon se njeriu mbijeton falë karakterit. Realiteti tregon se njeriu mbijeton duke u përshtatur me absurdin. Nasseri nuk fitoi sistemin; ai u shkrinë brenda tij. Ai nuk e sfidoi burokracinë; ai u formësua prej saj. Aeroporti u bë universi i tij i mbyllur, një rend minimal që i ofronte siguri nga kaosi i botës reale.

Kur autoritetet, vite më vonë, i ofruan dokumente për të dalë, ai refuzoi. Identiteti juridik që i propozohej nuk përputhej me identitetin që kishte ndërtuar gjatë viteve të tranzitit. Këtu, njeriu i bllokuar kthehet në njeri që zgjedh bllokimin. Liria, pas kaq shumë kohësh, nuk është më shpëtim, por kërcënim.

Në këtë pikë, Nasseri nuk është më thjesht personazh real; ai është figurë filozofike. Një dëshmi se njeriu, përballë mungesës së kuptimit, krijon struktura minimale për të mbijetuar. Edhe nëse këto struktura janë banka plastike, tualete publike dhe orare fluturimesh.

Filmi The Terminal na qetëson duke na thënë se absurdi mund të zbutet. Historia e Nasseri-t na paralajmëron se absurdi, nëse zgjat mjaftueshëm, bëhet normalitet. Dhe normaliteti është forma më e rrezikshme e humbjes.

Epilog

Mehran Nasseri vdiq në vitin 2022, në aeroportin ku kishte jetuar. Një fund i përsosur për një jetë të pezulluar. Ai nuk pati atdhe, por pati një terminal. Nuk pati adresë, por pati një koordinatë. Dhe ndoshta, në mënyrën më të errët të mundshme, ai e gjeti rendin e tij.

Në fund, Nasseri dhe Navorski janë dy anë të së njëjtës metaforë: njeriu modern, i bllokuar mes kufijve që vetë ka ndërtuar. Njëri u kthye në film. Tjetri mbeti real. Dhe realiteti, si gjithmonë, ishte më i ashpër se çdo skenar.

09:50 Çështja “Gërdeci”/ Mediu paraqitet në GJKKO

By: Klara
14 January 2026 at 09:50

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur këtë të mërkurë në GJKKO për seancën e radhës, lidhur me masakrën e Gërdecit.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar në GJKKO provat për gjyqin në ngarkim të Mediut.

Në këto prova pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit Bumçi në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila ka shënim emrin e Shkëlzen Berishës ‘Për Shkëlzenin’, djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi. Agolli në dëshminë e deklaratat e dhëna më përpara ka dëshmuar për dokumentin që lejon hapjen e fabrikës ku e mbishkruar është emri i Shkëlzen Berishës.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën./K.M

09:49 “Basha e ka ‘shitur’ Berishën për 21 janarin”, Mahmutaj: PD është katandisur si parti e dorës së tretë

By: Kesjana
14 January 2026 at 09:49

etimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Një ditë më parë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.

Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se këtë përplasje e shikon si një “karma” brenda kupolës së Partisë Demokratike.

“Këtë e shikoj si një ‘karma’ brenda PD apo brenda kupolës së PD. Ishin këta njerëz që përpara katër vitesh u rrahën me hunj, detyruan palën tjetër të blindonin dyert. Gaz Bardhi shikonte rrugën e padisë në SPAK, duke menduar për karrierën. Unë jam i mendimit se ai është bërë pishman për kallëzimet e tij”, tha ai.

Ai komentoi edhe takimin e Berishës në Lezhë, për të cilin tha se pasuesi i tij në krye të PD do të jetë një figurë tjetër, që do të zgjidhet nga demokratët dhe ky emër do të jetë jashtë familjes së tij.

Gazetari Mahmutaj pohoi se PD, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një tkurrje të madhe, duke përfunduar si parti e dorës së tretë.

“Berisha e ka kuptuar edhe vetë se familja e tij janë super të konsumuar për drejtimin e PD. I ka ardhur momenti që të zgjidhet lideri vetë, jo trashëgimi e familjes së Berishës. Deri tani, Berisha ia kishte bërë hyzmetin e duhur që në krye të PD të linte vajzën ose djalin e tij. Nga mbajtja peng e PD nga Berisha, kjo parti vetëm është rrudhur. Ka humbur dhe ka shkuar në çdo palë zgjedhje poshtë e më poshtë dhe është katandisur si parti e dorës së dytë apo të tretë, nga parti e dorës së parë që ishte në të kaluarën. Kësaj partie i duhet me patjetër që të zgjedhë një personazh të hajrit, të jetë i ri dhe i pakonsumuar”, tha ai.

Më tej, gazetari u shpreh se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në krim. Ai përmendi disa prej ngjarjeve për të cilat, sipas tij, ka gisht vetë ish-kryeministri i vendit.

“Berisha është kokë e këmbë i zhytur në krim. Berisha ka urdhëruar vrasje dhe dekrete vetë. Kemi rastin e Haklajve. Ai bënte thirrje që ‘gjallë a vdekur, të ma sillni Fatmir Haklajn në Tiranë’. Ka urdhëruar vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Futi në kurth Azem Hajdarin. Krimet e tij i projekton tek të tjerët”, theksoi Mahmutaj.

Ai theksoi se Lulzim Basha e ka “shitur” Sali Berishën për vrasjen shtetërore të 21 janarit, ku katër protestues të pafajshëm u ekzekutuan poshtë zyrave të Kryeministrisë.

“Basha ka përcjellë urdhrat e Sali Berishës. Lulzim Basha e ka shitur Sali Berishën për 21 janarin”, tha ai./kb

09:40 Ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi: Policia duhet të jetë vetëm në shërbim të ligjit dhe qytetarëve

By: Klara
14 January 2026 at 09:40

Me rastin e 113-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi, ka reaguar publikisht me një mesazh reflektues dhe realist mbi rrugëtimin e këtij institucioni ndër vite.

Në reagimin e tij, Veizi e cilëson Policinë e Shtetit si një institucion me një histori të gjatë, të ndërtuar përmes periudhash të ndryshme historike, ku mijëra punonjës kanë shërbyer me përkushtim, duke përballuar sfida, arritje, por edhe rënie e ngritje në performancë, në varësi të kërkesave dhe presioneve të kohës.

Ai thekson se sot të gjithë qytetarët do të donin një polici moderne, të konsoliduar dhe të pavarur nga ndikimet politike, një polici që varet vetëm nga ligji, është në shërbim të qytetarëve dhe zhvillon një luftë reale, efektive dhe pa kompromis kundër krimit.

“Një organizatë brilante me njerëz të ndershëm, dinjitozë, me integritet dhe të përkushtuar”, shprehet Veizi, duke ngritur një pyetje thelbësore: a është arritur realisht ky standard?

 

Sipas tij, pavarësisht sakrificave të shumta dhe dëshmorëve që Policia e Shtetit ka dhënë ndër vite, ende nuk mund të thuhet se ky objektiv është realizuar plotësisht.

Megjithatë, ai nënvizon se sakrifica e efektivëve nuk duhet harruar kurrë dhe se vepra e tyre meriton respekt dhe mirënjohje të përhershme.

Mesazhi i Helidon Veizit merr një vlerë të veçantë, pasi ai është një nga ish-oficerët e lartë të Policisë së Shtetit që u largua nga radhët e saj jo me dëshirë, por për shkak të mospranimit të figurave të ndershme dhe profesioniste brenda strukturës, një fenomen që sipas shumë zërave ka dëmtuar rëndë institucionin ndër vite.

Në përfundim, ai uron të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në polici me ndershmëri dhe përkushtim, duke ritheksuar nevojën për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis kundër krimit.

Gëzuar 113-vjetorin e Policisë së Shtetit. Nderim për uniformën dhe për ata që i shërbyen me dinjitet./K.M

09:39 Groenlanda në prag të një vendimi historik/ Samiti në Uashington që mund të ndryshojë Arktikun dhe rendin global

By: Kesjana
14 January 2026 at 09:39

Groenlandezët po përballen me një nga momentet më vendimtare në historinë e tyre moderne, teksa në Uashington zhvillohet një takim i nivelit të lartë që mund të përcaktojë të ardhmen e ishullit më të madh në botë dhe jo vetëm të tij. Në Shtëpinë e Bardhë, në një samit të thirrur nga Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, marrin pjesë ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në qendër të bisedimeve është statusi dhe e ardhmja strategjike e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, por me rëndësi kyçe gjeopolitike dhe ushtarake për SHBA-në dhe NATO-n.

Në kryeqytetin Nuuk, atmosfera është e tensionuar. Një tabelë elektronike gjigante mbi një qendër tregtare të mbuluar nga bora shfaq vazhdimisht fjalët “Trump”, “Groenland” dhe “sovranitet”, duke reflektuar frikën dhe pasigurinë e banorëve vendas. Deklaratat e fundit të Donald Trumpit, se SHBA-ja dëshiron ta marrë Groenlandën “me mënyrën e lehtë ose të vështirë”, kanë rritur ndjeshëm ankthin publik, sidomos pas veprimeve të tij të diskutueshme ushtarake në skenën ndërkombëtare.

“Ne nuk jemi në shitje. Vendi ynë nuk është në shitje”, thotë Amelie Zeeb, një banore e Nuuk-ut, duke shprehur një ndjenjë të përbashkët mes groenlandezëve. Shkrimtarja dhe muzikantja inuit, Sivnissoq Rask, thekson se shpresa e saj është për një Groenlandë e pavarur dhe të menaxhuar mirë, jo të blerë nga një fuqi e huaj. Ndërkohë, qytetarë të tjerë shprehin shqetësim për ndikimin që kjo vëmendje globale mund të ketë mbi jetën e përditshme dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Por çështja e Groenlandës shkon shumë përtej dëshirave të popullsisë vendase. Ajo ka potencialin të shkaktojë një përplasje serioze mes aleatëve të NATO-s, konkretisht mes SHBA-së dhe Danimarkës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se çdo përpjekje e SHBA-së për të marrë Groenlandën me forcë do të shënonte fundin e aleancës transatlantike, mbi të cilën Evropa ka mbështetur sigurinë e saj për dekada.

Në këtë kontekst, vendet evropiane po përpiqen të gjejnë zgjidhje kompromisi. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë marrë rolin udhëheqës në diskutimet për forcimin e pranisë ushtarake të NATO-s në Arktik. Propozimet përfshijnë stacionimin e trupave, anijeve luftarake, avionëve, nëndetëseve dhe sistemeve kundër dronëve, si dhe krijimin e një misioni detar “Arctic Sentry”, të ngjashëm me atë në Detin Baltik.

SHBA-ja argumenton se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane, veçanërisht për mbrojtjen raketore dhe monitorimin e aktivitetit rus dhe kinez në Arktik. Ishulli ndodhet në rrugën më të shkurtër mes Amerikës së Veriut dhe Rusisë, dhe përfshin pika strategjike si baza Pituffik Space Base dhe korridori detar i njohur si “GIUK gap” (mes Groenlandës, Islandës dhe Britanisë).

Megjithatë, shumë analistë vënë në dyshim nëse shqetësimi i Trumpit është thjesht ushtarak. Groenlanda është e pasur me minerale të rralla dhe burime natyrore jetike për teknologjitë e avancuara dhe industrinë e mbrojtjes. Po ashtu, shkrirja e akullnajave po hap rrugë të reja detare, me potencial të madh ekonomik. Kjo ka shtyrë disa ekspertë të besojnë se bëhet fjalë më shumë për siguri ekonomike dhe zgjerim territorial sesa për mbrojtje klasike.

Sondazhet tregojnë se shumica e groenlandezëve dëshirojnë pavarësi nga Danimarka, por rreth 85% e tyre kundërshtojnë idenë e të qenit pjesë e SHBA-ve. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se vendi po përballet me një krizë gjeopolitike dhe se, nëse duhet zgjedhur mes SHBA-së dhe Danimarkës, zgjedhja e Groenlandës është Danimarka.

E ardhmja mbetet e pasigurt. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Donald Trumpit, i përshkruar shpesh si i paparashikueshëm. Siç paralajmërojnë ekspertët, një veprim i detyruar ndaj Groenlandës do të kishte pasoja dramatike: dobësimin ose shpërbërjen e NATO-s, përkeqësimin e marrëdhënieve SHBA–Evropë dhe një sinjal të rrezikshëm për Rusinë dhe Kinën.

Samiti i së mërkurës në Uashington pritet të jetë një pikë kthese, jo vetëm për Groenlandën, por për të gjithë Arktikun dhe rendin demokratik ndërkombëtar./kb

09:30 I dërguari i posaçëm i BE për dialogun do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë këtë javë

By: Klara
14 January 2026 at 09:30

Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin të mërkurën dhe enjten, ka konfirmuar Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Sipas paralajmërimeve nga Brukseli, emisari evropian pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja shteteve, ndërsa në Kosovë është planifikuar edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.

Sorensen do ta nisë vizitën më 14 janar në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë, më 15 janar, do të qëndrojë në Beograd.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt, përcjell A2.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Vizita e tij po ndodh në një kohë kur Kosova pritet ta ketë një qeveri të re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet dhe mbase të mbahet edhe një takim në nivelin më të lartë politik.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është arsyetuar me rrethanat e rënduara politike në të dyja vendet, përfshirë ngërçin politik në Kosovë që karakterizoi vitin 2025 dhe situatën në Serbi si pasojë e protestave të studentëve që po zhvillohen që nga vjeshta e vitit 2024.

Megjithatë, pas rezultatit zgjedhor në Kosovë dhe fitores së qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkimi Evropian vlerëson se janë pjekur kushtet për të synuar organizimin e një rundi të dialogut në nivel liderësh, sapo vendi t’i themelojë institucionet e reja.

Bashkimi Evropian ka apeluar vazhdimisht, përfshirë edhe përmes dokumenteve zyrtare, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, që të kenë një qasje konstruktive ndaj procesit të dialogut.

Në konkluzionet e dhjetorit 2025, Këshilli i Ministrave të BE-së ka përshëndetur gatishmërinë e Kallasit për të thirrur një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e favorshme.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar./K.M

09:30 Grenlanda është prova e besueshmërisë së Europës – ajo duhet t’i tregojë Trumpit se agresioni ka kosto

By: Leonard
14 January 2026 at 09:30

Fabian Zuleeg*

Ndërhyrja e Donald Trumpit në Venezuelë nuk është një tronditje e rastësishme. Ajo mishëron qasjen e tij të izolacionizmit ndërhyrës, të bazuar në një agjendë revisioniste, neo-nacionaliste, ku pushteti ushtrohet pa doreza, rregullat ndërkombëtare janë opsionale dhe aleancat janë thjesht transaksionale. Në këtë rend të ri botëror “qeni ha qenin”, hezitimi dhe paqartësia nuk e stabilizojnë sistemin; përkundrazi, ato shndërrohen në dobësi që shfrytëzohen nga një Uashington i paqëndrueshëm dhe grabitqar.

Kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, e kombinuar me hamendësimet e reja të Trumpit për marrjen nën kontroll të Grenlandës – potencialisht edhe me përdorimin e ushtrisë amerikane – duhet të shuajë çdo iluzion të mbetur se bëhet fjalë thjesht për sjellje të çrregullta. Ajo pasqyron një botëkuptim ku sovraniteti është i kushtëzuar, sferat e ndikimit janë të ligjshme dhe shtrëngimi normalizohet kur sjell rezultate në interes të Trumpit dhe administratës së tij. Pyetja thelbësore tani nuk është nëse europianët e miratojnë apo jo këtë sjellje, por se si do të reagojnë forcat liberale-demokratike proeuropiane. Tre domosdoshmëri dalin në pah.

E para është kundërshtimi i veprimeve që minojnë rendin ndërkombëtar. Politika e Trumpit ndaj Venezuelës nuk ka të bëjë vetëm me Amerikën Latine. Ajo godet themelet e rendit ndërkombëtar duke sinjalizuar se shtetet e fuqishme mund të shkelin sovranitetin kur kjo u leverdis. Reagimi i Europës ka qenë i kujdesshëm, madje i zbehtë. Kjo përmbajtje shpesh justifikohet me frikën se përballja me Uashingtonin mund të dobësojë mbështetjen amerikane për Ukrainën në një moment vendimtar.

Por ky arsyetim është i gabuar. Veprimet e Trumpit tashmë minojnë vetë argumentin për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës. Duke normalizuar ndryshimin e regjimeve me forcë dhe duke përcaktuar sfera ndikimi globale, Uashingtoni i bën jehonë pikërisht argumenteve që Rusia përdor për të legjitimuar agresionin e saj. Nëse fuqitë e mëdha kanë të drejtë të riorganizojnë fqinjësitë e tyre, pse Moska duhet të ndalet në Ukrainë dhe pse fuqitë e tjera globale duhet të respektojnë të drejtat sovrane të aktorëve më të brishtë? Heshtja europiane nuk e mbron Kievin; ajo e dobëson çështjen e tij, e inkurajon Vladimir Putinin të vazhdojë dhe përshpejton çrregullimin global.

Zbutja nuk e frenon Trumpin. As nënshtrimi nuk ruan stabilitetin. Ai thjesht konfirmon se shtrëngimi funksionon – dhe se Europa do të vazhdojë të përshtatet në vend që të rezistojë. Prandaj është e rëndësishme që udhëheqësit europianë të flasin hapur; deklaratat e figurave si Emmanuel Macron dhe Frank-Walter Steinmeier janë një hap në drejtimin e duhur.

Domosdoshmëria e dytë është që Europa duhet t’i përkushtojë sërish kapacitetet ekzistuese reziliencës dhe sigurisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me investime në aftësi të ardhshme, por me riorientimin e asaj që tashmë ekziston drejt qëndrueshmërisë, parandalimit dhe sigurisë afatgjatë. Europianët zotërojnë asete të konsiderueshme ushtarake, ekonomike dhe industriale, por ato mbeten të fragmentuara, të pashfrytëzuara ose të kufizuara politikisht.

Rezilienca sot nënkupton aftësinë për të përballuar goditjet pa iu nënshtruar presionit. Kjo përfshin sistemet energjetike, zinxhirët e furnizimit, kapacitetet industriale dhe struktura të besueshme mbrojtjeje – por edhe mbështetje të plotë për Ukrainën. Ukraina nuk është një çështje dytësore; ajo është testi i vijës së parë për të parë nëse sovraniteti ende ka rëndësi në fqinjësinë e Europës dhe përtej saj.

Rreziqet e mosveprimit nuk janë teorike. E njëjta logjikë që lidh Venezuelën me Grenlandën mund të zbatohet gjetkë. Rusia mund të testojë argumente të ngjashme në zona si arkipelagu norvegjez i Svalbardit, duke thirrur privilegjet e fuqive të mëdha në Arktik për të vënë në provë vendosmërinë europiane. Po ashtu, përpjekjet amerikane për të përthithur Grenlandën mund të jenë pjesë e një agjende më të gjerë që synon dobësimin e Bashkimit Europian, përçarjen e mëtejshme të europianëve dhe forcimin e forcave politike të lidhura ideologjikisht me trumpizmin brenda shteteve anëtare të BE-së. Dobësia fton eksperimentimin.

Domosdoshmëria e tretë lidhet me unitetin. Uniteti europian është thelbësor, por ai nuk mund të shndërrohet në justifikim për paralizë. Nëse uniteti nuk mund të arrihet, atëherë qeveritë që nuk janë të gatshme të veprojnë – si Hungaria, por edhe të tjera rast pas rasti – duhet të përjashtohen, dhe përjashtimi duhet të ketë pasoja. Shtetet që bllokojnë veprimin kolektiv në nivel europian nuk mund të vazhdojnë të përfitojnë plotësisht nga mbrojtja e përbashkët, bashkëpunimi në siguri apo investimet industriale. Solidariteti është një rrugë me dy drejtime dhe nuk është i pakushtëzuar.

Njëkohësisht, Europa duhet të zgjerojë rrethin e bashkëpunimit. Kjo përfshin koordinim të ngushtë me partnerë me mendësi të ngjashme si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia. Do të thotë gjithashtu të punohet me vende ideologjikisht të ndryshme aty ku interesat përputhen, për të ruajtur të paktën një minimum rregullash mbrojtëse globale. Në një botë të copëzuar, bashkëpunimi pragmatik ka po aq rëndësi sa vlerat e përbashkëta.

Kjo nuk ka të bëjë me krijimin e një blloku të ri. Ka të bëjë me parandalimin e rrëshqitjes drejt një sistemi global ku forca e bën ligjin dhe shtrëngimi bëhet rutinë.

Europa nuk mund ta ndalë Trumpin të marrë vendime shkatërruese. Por ajo mund të ndikojë te stimujt. Nëse Uashingtoni lëviz mbi Grenlandën – ose ndjek akte të ngjashme shtrëngimi – duhet të ketë kosto. Jo gjeste simbolike, por masa që rezonojnë brenda SHBA-së dhe që dëmtojnë Trumpin dhe zgjedhjet e tij politike aty ku i dhemb më shumë: te baza e tij politike. Grenlanda është testi i besueshmërisë së Europës.

Tregtia, qasja në treg, bashkëpunimi rregullator dhe partneritetet industriale ofrojnë të gjitha leva ndikimi. Parandalimi kërkon sinjalizim të qartë se agresioni ka pasoja – jo sepse Europa kërkon përballje, por sepse mungesa e pasojave fton përshkallëzimin.

Basti i Trumpit në Venezuelë është simptomë e një çrregullimi më të thellë. Epoka në të cilën europianët mund të mbështeteshin te të tjerët për të ruajtur rregullat ndërsa vetë përfitonin nga përmbajtja ka përfunduar. Zgjedhja tani nuk është mes besnikërisë dhe pavarësisë, por mes pasivitetit dhe përgjegjësisë.

Europa nuk mund të përballojë të lundrojë pa drejtim, duke shpresuar se paqëndrueshmëria do të kalojë. As nuk mund të blejë siguri përmes heshtjes. Bota po bëhet më e ashpër, më transaksionale dhe më pak tolerante ndaj dobësisë. Përgjigjja e Europës duhet të jetë pjekuria: me fjalë të tjera, të kuptojë se blerja e kohës dhe nënshtrimi vetëm sa rrisin cenueshmërinë e saj.

*Fabian Zuleeg është drejtor ekzekutiv dhe kryeekonomist i Qendrës për Politikat Europiane

Përgatiti për botim: L.Veizi

09:28 U arratis nga spitali i Durrësit/ Flet babai i Altin Ndocit: Dumani ka deklaruar se e do të vdekur

By: Kesjana
14 January 2026 at 09:28

Babai i Altin Ndocit ka bërë një reagim ditën e sotme për eminisionin “Kafe shqeto” me gazetarin Flavio Qarri, në lidhje me atë që ndodhi ditën e djeshme në burgun e Durrësit.

Altin Ndoci i cili ndodhej në burgun e Durrësit, u arratis ditën e djeshme nga spitali i Durrësit teksa ishte duke marrë mjekim.

Në prononcimin e tij në Syri TV, babi i Altin Ndocit tha se djali i tij ka marrë pafajësi në dy shkallët e Gjykatës së Posaçme. Më tej, ai deklaroi se Altin Ndoci po akuzohet nga gazetarët për llogari të tyre.

Sa u përket akuzave për 4 vrasje ndaj Altin Ndocit, babai i tij deklaroi se është akuzuar nga Nuredin Dumani. Babai i Altin Ndocit tha se Dumani ka deklaruar që e do të vdekur djalin e tij.

 

 

Kjo është një histori dështim i plotë i SPAK. U akuzua për 4 vrasje, mori pafajësi në Shkallën e Parë dhe në Apelin e GJKKO-së. Një provë të vetme të më sjellin dhe jam i gatshëm ta dorëzoj në SPAK. Nuk mund ta akuzojnë për vrasje gazetarët për interesin e tyre. Në asnjë mënyrë nuk ka qenë kriminel dhe s’ka për t’u bërë. Ka pasur precedent penal, për hashash.

I vetmi person që e akuzon për Bradasheshin e akuzoi dhe për 4 vrasjet në Durrës, Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë. Pretendohet gjoja një rrahje e vëllait të tij. Dumani e ka deklaruar vetë se e do të vdekur.

Djalin tim e ruajtë Zoti nga gazetarët, të gjitha studiot dalin dhe e quajnë kriminel.

Nuredin Dumani e ka kërcënuar me jetë drejtpërdrejt në seacnë avokaten tonë”, tha babai i Altin Ndocit./Kb

09:20 “Nuk ishte i sëmurë, vraponte si sprinter”, gazetari analizon profilin e të burgosurit të arratisur

By: Klara
14 January 2026 at 09:20

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka ngritur dyshime mbi arsyet e transferimit të paraburgosurit Altin Ndoci drejt një spitali civil në Durrës dhe mbi shkeljet e rënda të protokolleve të sigurisë. Ai tha se pamjet e publikuara pas ngjarjes tregojnë qartë se i arratisuri nuk ishte i sëmurë, por përkundrazi ndodhej në gjendje shumë të mirë fizike, duke vrapuar “si sprinter” në momentin e arratisjes. Sipas tij kjo shton dyshimet mbi vendimin për ta nxjerrë nga ambientet e burgut.

“Ajo që pamë ne në pamje dëshmonte që ai jo vetëm nuk dukej njeri i sëmurë, që kishte nevojë për trajtim po ai ishte një sprintier tjetër dukej si Luiza Gega, dukej sikur kishte hyrë 3000 metërsh dhe aty nuk e kapte dot më njeri. Hapin që ai kishte fillimisht në atë foton e parë që pamë dhe pastaj në video dëshmon që ky person jo vetëm që s’ishte i sëmurë po ky ishte në parametra të shkëlqyer fizik  për t’u arratisur dhe për t’u ikur punonjësve të policisë së burgut të Durrësit”, u shpreh gazetari Hoxha.

Sipas tij një person i tillë me rrezikshmëri të lartë, i hetuar nga SPAK për ngjarje të rënda kriminale, në asnjë rrethanë nuk duhej të mbahej në një burg me nivel të ulët sigurie si ai i Durrësit.

“Së pari ajo që shoh unë aty shumë problematike është se pse duhet një personazh i këtij niveli, me këtë CV të ndodhej në një burg siç është burgu i Durrësit, i cili ka namin në të gjithë Republikën e Shqipërisë, që cilësohet si burgu me lehtësira më të mëdha për të paraburgosurit. Pra është një burg që gati-gati cilësohet si një kamping, krahasuar me sigurinë që kanë burgjet e tjera të vendit dhe po të shikoni pjesa dërmuese e njerëzve që mbahen aty janë kryesisht personazhe që vijnë nga bota e politikës, ish-funksionarë të lartë shtetërorë, funksionarë të zgjedhur vendorë, pra janë personazhe të këtij niveli. Pamjet dëshmuan se si është kryer dinamika e arratisjes, atëherë kjo e bënte situatën të duket gati qesharake që të dukej një situatë një situatë dramatike siç duhet të jetë. Të gjithë elementët e tjerë dëshmojnë që ne kemi të bëjmë me një sistem shumë problematik, një sistem i kalbur i cili ka krijuar të gjitha lehtësirat një personazhi si Altin Ndoci, që mbas gati pesë viteve në arrest me burg t’i jepet një mundësi e dytë për jetën dhe nga një i paraburgosur që rrezikonte të dënohej me burgim të përjetshëm, për të paktën përfshirjen e humbjes së katër jetëve njerëzore dhe plagosjen e rëndë të një personi të pestë, atij i është dhe mundësia që të largohet me lehtësinë më të madhe nga sistemi i paraburgimit që ka Shqipëria dhe tashmë të jetë një qytetar i lirë. E gjitha kjo e bën situatën problematike, sepse në rastin kur ti ke të bësh me personazhe që vijnë nga bota e krimit të këtij niveli, i cili edhe pse tashmë nuk është i dënuar ende, pra nuk ka një dënim të formës së prerë në ngarkim të tij, por ishte nën hetim nga SPAK dhe ndodhi në masën e sigurisë nga një vendim i Gjykatës së Posaçme. A mund të rrinte një personazh i tillë në një burg të këtij niveli? Kush është ky person? Çfarë profili ka, për çfarë akuzohet, çfarë lidhjesh ka? Të gjitha këto elementë të bëjnë të dyshosh që ky person, gjëja e parë s’duhet të jetë aty”, tha Hoxha.

Hoxha ngriti pikëpyetje serioze edhe për vendosjen e Altin Ndocit në një ambient spitali civil, ku masat e sigurisë janë minimale, si dhe për mënyrën e shoqërimit, e cila, sipas tij, nuk i është përmbajtur asnjë standardi për persona të këtij profili.

“Kush e ka vendosur këtë ambient i cili të paktën informacionin që unë kam mundur të mbledh gjatë ditës së djeshme, më tepër sesa një ambient izolimi cilësohej mes të burgosurve si një lloj suite ku kishte lehtësira më të mëdha se ç’kishte në vetë ambientet e burgut. E përdorin të paraburgosurit e këtij burgu më tepër për t’u relaksuar sesa për të marrë trajtim mjekësor ë pjesa tjetër pra kush e ka vendosur kush është ai që e ka miratuar që në një spital civil ku dihet që masat e sigurisë janë fare minimale të vendoset një ambient i tillë. Kush e ka vendosur? Kush është ai që e ka miratuar që në një spital civil ku dihet që masat e sigurisë janë fare minimale të vendoset një ambient i tillë. Dhe kjo është shumë e rëndë dhe këtë s’e kanë bërë gardianët, apo policët e burgjeve që kanë pasur detyrën dhe shërbimin për të shoqëruar personin në fjalë pra për të shoqëruar Altin Ndocin”, tha gazetari.

Sipas gazetarit Hoxha, përgjegjësitë për këtë arratisje nuk mund t’u faturohen vetëm punonjësve të policisë së burgjeve, por duhet të shtrihen te zinxhiri i vendimmarrjes, nga miratimi i transferimit deri te caktimi i masave të sigurisë.

“Problemi i tretë në gjithë në gjithë këtë histori është fakti. Kush e ka miratuar lëvizjen e këtij personi nga burgu i Durrësit drejt drejt spitalit të Durrësit? E katërta është shkelja e protokollit të sigurisë gjatë shoqërimit të këtij personi. Pra, mënyra se si ai është shoqëruar nga burgu i Durrësit në drejtim të spitalit të Durrësit duket sikur ata e kanë çuar për shëtitje, kanë dalë për kamping. Sepse ka një standard edhe ka një protokoll standard se si bëhet shoqërimi. Ne kemi parë personazhe të tilla kur vijnë në gjykatë, kur vijnë në spitalin e burgut, kur lëvizin ndonjë burg në burgun tjetër, kur vijnë në prokurori për të dhënë deklarime në lidhje me hetimet ndaj tyre. Shoqërohen minimalisht nga një grup. Një grup i policisë së burgjeve që mund të jetë dhe një grup nga njësia speciale po e burgjeve përbëhet nga 8 deri në 12 persona dhe shoqërohet minimalisht nga dy automjete”, tha Hoxha.

07:50 Rusia dënon kërcënimet e SHBA ndaj Iranit

By: Klara
14 January 2026 at 07:50

Rusia dënoi qëndrimin e SHBA-së ndaj Iranit si “ndërhyrje” në politikën e saj të brendshme.

Po ashtu shton se kërcënimet e saj për sulme të reja ushtarake ishin “kategorikisht të papranueshme”.

“Ata që planifikojnë të përdorin trazirat e frymëzuara nga jashtë si pretekst për të përsëritur agresionin kundër Iranit të kryer në qershor 2025 duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat katastrofike të veprimeve të tilla për situatën në Lindjen e Mesme dhe sigurinë globale ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

07:45 “Nuk po protestojmë si në Teheran”/ Shehi: Berisha nuk arrin më të frymëzojë shqiptarët

By: Kesjana
14 January 2026 at 07:45

Politikani Dashamir Shehi komentoi sot protestat që po zhvillohen në vend nga opozita.

I ftuar në A2 CNN, Shehi u shpreh se momentalisht po zhvillohen tubime nga miliatantët, teksa e cilësoi kryedemokratin Sali Berisha si një lider që nuk arrin më të frymëzojë shumicën e shqiptarëve.

Sipas Shehut, opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë e që mund të ndryshojnë politikën e vendit.

“S’po protestojmë si në Teheran. Këto nuk janë protesta qytetare masive, por tubime militantesh që po lodhen javë pas jave. Pjesëmarrja e kufizuar tregon mungesën e një mesazhi të fortë politik dhe të figurave frymëzuese. Sali Berisha nuk arrin më të inspirojë shumicën e shqiptarëve për të dalë në rrugë.

Opozita duhet të ndalë retorikën e përsëritur dhe të ndërtojë një projekt politik të qartë, 360 gradë, me objektiva konkrete. Nuk mjafton të kërkosh largimin e Edi Ramës apo qeveri teknike, kur këto nuk janë realisht të arritshme.

Opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë: reformën zgjedhore, reformën administrative, rishikimin e Kushtetutës”, u deklaroi Shehi./Kb

07:40 Zjarri përfshin një banesë në Tetovë, dyshohet për një viktimë

By: Klara
14 January 2026 at 07:40

Last Updated on 14/01/2026 by Klara

Një zjarr raportohet se ka përfshirë një banesë në Tetovë.

Sipas informacioneve të para dyshohet një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka marrë plagë si pasojë e zjarrit.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet përkatëse po punojnë për zbardhjen e rastit./K.M

07:30 Irani akuzon SHBA-në dhe Izraelin në OKB: Janë përgjegjës për vdekjet e civilëve

By: Klara
14 January 2026 at 07:30

Last Updated on 14/01/2026 by Klara

Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres duke sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin .

“Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme ligjore për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, veçanërisht të rinjve”, shkroi ai në letër.

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga Irani dhe “të marrin në konsideratë largimin tokësor, nëse është e mundur, për në Armeni ose Turqi”.

Departamenti rekomandoi që amerikanët “të kërkojnë mjete alternative komunikimi” për shkak të “ndërprerjeve të vazhdueshme të internetit” dhe “të kenë një plan largimi që nuk varet nga ndihma e qeverisë amerikane”./K.M

07:25 Mediat e huaja: I dërguari i Trump zhvilloi takim sekret me ish-princin e Iranit, Reza Pahlavi

By: Kesjana
14 January 2026 at 07:25

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, zhvilloi një takim sekret me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, për të diskutuar protestat që po zhvillohen në Iran, siç kanë raportuar sonte mediat e huaja.

Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë midis opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave 15 ditë më parë. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet për të marrë rolin e një udhëheqësi “kalimtar” nëse bie regjimi.

Pahlavi, djali i shahut që u rrëzua nga froni gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, udhëheq një fraksion opozitar nga mërgimi në SHBA. Gjatë dy javëve të fundit, Pahlavi është shfaqur në rrjetet televizive amerikane duke i bërë thirrje administratës Trump të ndërhyjë në mbështetje të protestave.

Protestat në Iran vazhduan edhe këtë të martë në qytete anembanë vendit. Vlerësimet e numrit të të vdekurve janë rritur në mënyrë dramatike. Izraeli ndau një vlerësim me SHBA-në se të paktën 5,000 protestues ishin vrarë gjatë protestave./Kb

07:20 Prokurorët kërkojnë dënim me vdekje për ish-presidentin e Koresë së Jugut

By: Klara
14 January 2026 at 07:20

Last Updated on 14/01/2026 by Klara

Prokurorët kanë kërkuar që ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, të dënohet me vdekje nëse shpallet fajtor për përpjekjen e tij të dështuar për të vendosur gjendjen ushtarake.

Një gjykatë në Seul dëgjoi argumentet përmbyllëse në gjyqin e Yoon, në të cilin ai u akuzua si “udhëheqës i një kryengritjeje”. Akuza erdhi nga përpjekja e Yoon në dhjetor 2024 për të vendosur sundim ushtarak në Korenë e Jugut – një akt që zgjati vetëm disa orë, por e zhyti vendin në trazira politike.

Yoon i ka mohuar akuzat kundër tij, duke argumentuar se ligji ushtarak ishte një gjest simbolik për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj keqbërjeve të partisë opozitare. Për udhëheqjen e një kryengritjeje – akuza më e rëndë kundër Yoon – mund të dënohesh me vdekje ose burgim të përjetshëm. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, prokurorët duhej t’i kërkonin gjyqtarit ose njërën dënim ose tjetrën.

Koreja e Jugut nuk ka ekzekutuar askënd për gati 30 vjet. Në vitin 1996, ish-diktatori ushtarak Chun Doo-hwan u dënua me vdekje për marrjen e pushtetit në një grusht shteti ushtarak në vitin 1979, megjithëse dënimi i tij u ndryshua më vonë në burgim të përjetshëm.

Prokurorët në rastin e Yoon argumentojnë se, megjithëse askush nuk u vra në përpjekjen e tij për të vendosur ligjin ushtarak, qëllimi i Yoon nuk ishte më pak i dhunshëm. Duke mbyllur argumentet e tyre në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit të martën, prokurorët thanë se ish-presidenti ishte motivuar nga një “dëshirë për pushtet që synonte diktaturë dhe sundim afatgjatë”.

Prokurorët kishin thirrur në bankën e të akuzuarve komandantin ushtarak i cili dëshmoi se Yoon kishte urdhëruar arrestimin e ligjvënësve gjatë grushtit të shtetit të tij të dështuar. Gjyqi i Yoon për kryengritje është bashkuar me atë të dy figurave të tjera të larta në administratën e tij, ish-ministrit të mbrojtjes Kim Yong-hyun dhe ish-shefit të policisë Cho Ji-ho. Prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm për Kim dhe 20 vjet burg për Cho për zbatimin e urdhrave të paligjshëm të Yoon. Gjykata pritet të japë vendimin e saj në shkurt. Dënimet e kërkuara nga prokurorët nuk mbështeten gjithmonë në gjykatat në Korenë e Jugut. /K.M

07:10 SHBA-të rrisin praninë ushtarake në Katar mes tensioneve me Iranin

By: Klara
14 January 2026 at 07:10

Shtetet e Bashkuara dhe Katari njoftuan të martën hapjen e një zyre të re koordinimi në Bazën Ajrore Al-Udeid për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore në Lindjen e Mesme.

Kështu, zyra e operacioneve të kombinuara të mbrojtjes ajrore (MEAD-CDOC) ndodhet brenda qendrës së operacioneve të kombinuara ajrore (CAOC). Me seli në Katar më shumë se 20 vjet më parë, CAOC tani përfshin përfaqësues nga 17 vende, të cilët koordinojnë përdorimin e aseteve ushtarake të mbrojtjes ajrore në rajonin e Lindjes së Mesme.

Duke komentuar hapjen e qendrës, Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, Brad Cooper, vuri në dukje se ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një funksionimi më të planifikuar të sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajon.

Hapja e qendrës vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësitë për masa shtesë, përfshirë përdorimin e forcës, kundër Iranit, ku vazhdojnë protestat masive antiqeveritare.

Publikimi vuri në dukje se përshkallëzimi i situatës në rajon mund të ndikojë edhe në Katar. Në qershor 2025, Irani sulmoi bazën ajrore Al-Udeid me raketa në përgjigje të sulmeve amerikane./K.M

07:07 “Bulgari më ofroi varëse 2 milionë dollarë”/ Bleona Qereti, në kopertinën e Vogue: Ëndërr e bërë realitet

By: Kesjana
14 January 2026 at 07:07

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bleona Qereti, u bë imazhi i kopertinës së revistës së njohur “Vogue Belleza”, në edicionin kushtuar bukurisë.

E ftuar në A Krasta Show, këngëtarja Bleona Qereti u shpreh se është shumë krenare dhe e quajti një ëndërr të bërë realitet.

Këngëtarja tha se, Bulgari i ofroi varëse që kushtojnë 2 milioën dollar për t’ia reklamuar.

“Jam shumë krenare, mbaj mend në ‘96 kur shkoja në të gjitha turet e këngëtarëve në Europë dhe bleja vogue. Brenda vetes thoja një ditë do më shohin se ekzistoj dhe unë. Është një ëndërr e bërë realitet. Është një tjetër stad

Bulgari me ka ofruar varëse që kushtojnë 2 milionë dollarë, nuk është e imja, ata dhe luxury brand mendojnë se je e denjë për tu bërë reklamë produkteve të tilla”, tha Qereti./Kb

07:05 Histori/ 1822 – Akrokorinthi bie: fitorja që ndryshoi rrjedhën e Revolucionit Grek

By: Leonard
14 January 2026 at 07:05

Përgatiti: Leonard Veizi

Në vitin 1822, në kulmin e Luftës Greke të Pavarësisë, një nga fortesat më strategjike të Peloponezit, Akrokorinthi – Korinthi i Epërm – ra në duart e kryengritësve grekë, nën udhëheqjen e Theodor Kolokotronit. Marrja e kësaj kështjelle, e cila kontrollonte rrugët tokësore mes Greqisë qendrore dhe Moresë, nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por një moment kyç që forcoi moralin e revolucionit dhe dobësoi ndjeshëm praninë osmane në jug të Ballkanit.

Kolokotroni ishte figura qendrore e kësaj fitoreje. I njohur si “Gero i Moresë”, ai vinte nga një familje arvanitase dhe fliste arvanishten, një dialekt arbëror i afërt me shqipen e sotme. Ky fakt, shpesh i lënë në hije nga historiografia nacionaliste, dëshmon për përbërjen shumëetnike të shoqërisë që ngriti Revolucionin Grek dhe për rolin vendimtar të komuniteteve arvanitase në themelimin e shtetit modern grek.

Rruga e Kolokotronit drejt udhëheqjes revolucionare nisi herët. Që në moshën 14-vjeçare ai iu bashkua çetave kryengritëse të Moresë, ndërsa vetëm një vit më vonë u shpall “kapetanios”, komandant i një njësie të armatosur. Aktiviteti i tij gueril e vuri shpejt në shënjestër të autoriteteve osmane, duke e detyruar të largohej dhe të strehohej në ishujt e Jonit. Aty, fati i tij u ndërthur me zhvillimet e mëdha evropiane të kohës.

Në vitin 1809, Kolokotroni iu bashkua këmbësorisë greke në shërbim të ushtrisë britanike, e cila luftonte kundër forcave të Napoleon Bonapartit në Mesdhe. Ky përvojë ushtarake, e rrallë për një kryengritës ballkanik të kohës, e pajisi atë me njohuri moderne mbi organizimin, disiplinën dhe strategjinë ushtarake. Po aq e rëndësishme ishte edhe ndikimi ideologjik: Revolucioni Francez dhe figura e Napoleonit lanë gjurmë të thella në mendësinë e tij. Në autobiografinë e vet, Kolokotroni shkruan se Revolucioni Francez “i hapi sytë botës”, duke rrëzuar idenë se mbretërit ishin perëndi mbi tokë dhe se pushteti i tyre ishte i pakontestueshëm.

Fitorja në Akrokorinth nuk mund të kuptohet pa kontekstin më të gjerë të rolit arvanitas në Greqi. Arvanitasit ishin pasardhës të arbërve që u zhvendosën drejt territoreve greke në disa valë migrimi, nga shekulli XIII deri në shekullin XVI. Këto lëvizje u nxitën nga arsye të ndryshme: kërkesa e sundimtarëve bizantinë dhe latinë për ushtarë dhe kolonë në zona të shkreta nga luftërat dhe epidemitë, si edhe përpjekja për t’iu shmangur presionit të islamizimit pas pushtimit osman. Fillimisht të vendosur në Thesali, më pas në Atikë dhe në fund në Peloponez, arvanitasit u integruan gradualisht në shoqërinë greke, duke ruajtur për shekuj gjuhën dhe zakonet e tyre.

Ndikimi i tyre në jetën politike të Greqisë moderne ka qenë i konsiderueshëm. Vendit i kanë dhënë nëntë kryeministra, një president dhe madje edhe një diktator, gjeneralin Theodor Pangalo (1878–1952), gjithashtu me prejardhje arvanitase. Por mbi të gjitha, arvanitasit lanë gjurmë të pashlyeshme në Luftën e Pavarësisë.

Kjo u reflektua edhe në kulturën politike të kohës. Poema revolucionare “Thourios” e Rigas Feraios, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Greke, ishte një thirrje e drejtpërdrejtë për të gjithë popujt e nënshtruar të rajonit – përfshirë arvanitasit – që të ngriheshin kundër Perandorisë Osmane. Dhe ata iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Gjatë luftës, shumë prej komandantëve dhe heronjve që sot konsiderohen simbole të kombit grek kishin origjinë arvanitase: Kundurioti, Xhavella, Boçarët, Bubulina, Miauli dhe vetë Kolokotroni.

Marrja e Akrokorinthit në vitin 1822 ishte, në këtë kuptim, më shumë se një sukses ushtarak. Ajo ishte shprehje e një aleance historike mes kulturave, gjuhëve dhe përvojave të ndryshme ballkanike, të bashkuara nga ideja e lirisë. Një kujtesë se shtetet moderne nuk lindin nga një burim i vetëm etnik, por nga ndërthurja e historive, sakrificave dhe identiteteve që historia shpesh përpiqet t’i thjeshtojë.

07:00 Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau, me kohën më të mirë në lëshimin e dytë

By: Klara
14 January 2026 at 07:00

Skiatorja shqiptare Lara Colturi u rendit në vendin e 8-të në garën e radhës të Kupës së Botës në disiplinën e slalomit, e zhvilluar në Flachau të Austrisë.

Gara u karakterizua nga një intensitet i lartë dhe emocione të forta, pasi u zhvillua gjatë natës nën projektorët e dritave, duke krijuar një atmosferë spektakolare për sportistet dhe publikun e pranishëm.

Një moment i veçantë i garës ishte performanca e Larës në lëshimin e dytë, ku ajo regjistroi kohën më të shpejtë, duke treguar formë të shkëlqyer, guxim dhe nivel të lartë teknik.

Në këtë garë, vendin e parë e zuri Mikaela Shiffrin, e ndjekur nga Paola Moltzan në vendin e dytë dhe Katharina Truppe në vendin e tretë.

Paraqitja e Larës konfirmon edhe një herë nivelin e saj të lartë konkurrues dhe stabilitetin në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në këtë sezon të Kupës së Botës./K.M

❌
❌