Normal view

Rita Ora ndez skenën në Poloni, fansat e presin me entuziazëm

15 August 2026 at 22:49

Rita Ora ka dhuruar një performancë të fuqishme në BitterSweet Festival në Poznań të Polonisë, ku është pritur nga mijëra fansa.

Këngëtarja shqiptaro-britanike u ngjit në skenë më 14 gusht, në kuadër të festivalit që po mbahet në Parkun Cytadela.

Pamjet e publikuara pas koncertit tregojnë një atmosferë elektrizuese, me publikun që këndonte dhe vallëzonte nën ritmet e këngëve të saj më të njohura.

Një nga momentet më të veçanta erdhi në fund të performancës, kur Rita zbriti nga skena dhe iu afrua barrierës për të përshëndetur nga afër fansat.

Koncertin ajo e përmbylli me hitin “Anywhere”, duke marrë reagime të shumta nga publiku i pranishëm.

Performanca në Poloni vjen pas një vere të ngarkuar për Ritën, e cila gjatë këtij sezoni ka performuar edhe në Austri, Finlandë dhe Maqedoni të Veriut.

Me paraqitjen në Poznań, Rita Ora ka vazhduar serinë e performancave të saj në festivalet evropiane gjatë këtij sezoni veror.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rita Ora ndez skenën në Poloni, fansat e presin me entuziazëm appeared first on Sinjali.

Nxirren nga rrënojat mbetjet e 21 palestinezëve në Gaza, kërkohen edhe 40 të tjerë

15 August 2026 at 22:45

Ekipet e mbrojtjes civile në Gaza kanë nxjerrë të shtunën mbetjet e 21 palestinezëve nga rrënojat e dy shtëpive të shkatërruara gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

Sipas raportimeve, trupat e 12 palestinezëve u gjetën pranë zonës Asqula, në pjesën lindore të qytetit të Gazës.

Ndërkohë, mbetjet e nëntë personave të tjerë u nxorën nga rrënojat e shtëpisë së familjes Gharbiyah, në zonën Katiba, në pjesën perëndimore të qytetit.

Pas këtyre operacioneve, ekipet e mbrojtjes civile u zhvendosën në lagjen Zeitoun, ku besohet se nën rrënojat e shtëpisë së familjes al-Maghribi ndodhen mbetjet e rreth 40 palestinezëve të tjerë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjes së trupave po vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nxirren nga rrënojat mbetjet e 21 palestinezëve në Gaza, kërkohen edhe 40 të tjerë appeared first on Sinjali.

Sekuestrohen 325 kg marihuanë, Policia jep detaje për arrestimin e një kosovari

15 August 2026 at 22:38

Rreth 325 kilogramë marihuanë janë sekuestruar gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve, ndërsa droga dyshohet se kishte destinacion Turqinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë operacionit është arrestuar edhe një shtetas i Kosovës.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve ka kontribuar në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve operative mes institucioneve të përfshira.

Në kuadër të hetimeve janë ndërmarrë veprime edhe në territorin e Kosovës, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.

Autoritetet kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e rrjeteve të trafikimit ndërkufitar të narkotikëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sekuestrohen 325 kg marihuanë, Policia jep detaje për arrestimin e një kosovari appeared first on Sinjali.

Aksident afër Veternikut, vetura përfundon në mur

15 August 2026 at 22:33

Një aksident trafiku ka ndodhur sonte në hyrje të Prishtinës, në afërsi të Veternikut.

Sipas informacioneve të para, një veturë është përplasur në murin e një moteli që ndodhet pranë rrugës.

Ende nuk dihet nëse si pasojë e aksidentit ka persona të lënduar, ndërsa gjithashtu nuk dihen rrethanat që çuan deri te përplasja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident afër Veternikut, vetura përfundon në mur appeared first on Sinjali.

Vetëm 10 minuta ecje pas darkës mund të ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak

15 August 2026 at 22:29

Një shëtitje e shkurtër pas darkës mund të ndihmojë në kontrollimin e nivelit të sheqerit në gjak, sidomos pas vakteve të pasura me karbohidrate.

Pas ngrënies, niveli i glukozës në gjak rritet natyrshëm. Sa e madhe dhe sa e gjatë është kjo rritje varet nga ushqimet e konsumuara, tretja dhe mënyra se si organizmi reagon përmes insulinës.

Sipas hulumtimeve, ecja pas vaktit i ndihmon muskujt të përdorin më shumë glukozë për energji. Kontraktimi i muskujve gjatë aktivitetit fizik ndihmon qelizat të marrin glukozën nga gjaku, duke ndikuar në uljen e nivelit të saj.

Një rishikim sistematik i publikuar në vitin 2023 ka treguar se aktiviteti fizik pas ngrënies ul nivelet e sheqerit në gjak krahasuar me qëndrimin pa aktivitet.

Efekti mund të jetë veçanërisht i dobishëm pas darkës, pasi njerëzit shpesh konsumojnë më shumë karbohidrate gjatë këtij vakti dhe janë më pak aktivë në orët e mbrëmjes.

Studimet sugjerojnë gjithashtu se ecja menjëherë pas ngrënies mund të jetë më efektive sesa pritja për një periudhë më të gjatë.

Nuk është e nevojshme as një shëtitje e gjatë. Edhe rreth 10 minuta ecje pas darkës mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rritjes së sheqerit në gjak.

Përveç ecjes, aktivitete të tjera si çiklizmi, vallëzimi, kopshtaria apo edhe punët e shtëpisë mund të kenë efekt të ngjashëm.

Personat me diabet apo probleme të tjera shëndetësore këshillohen që para ndryshimit të rutinës së aktivitetit fizik të konsultohen me profesionistë shëndetësorë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vetëm 10 minuta ecje pas darkës mund të ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak appeared first on Sinjali.

Kryeshefi i Trainkos-it kërkon falje pas komentit ndaj Ganimete Musliut: Ishte ironi, nuk kisha ndonjë qëllim e as tendencë

15 August 2026 at 22:05

Kryeshefi ekzekutiv i Trainkos-it, Agron Statovci, është përballur me reagime të shumta pas një komenti të bërë në një video të deputetes Ganimete Musliu, i cili nga shumë përdorues është cilësuar si seksist.

Në komentin e tij, Statovci kishte shkruar: “Tu e pa sojin e kësaj femre, jam ka e lëshoj edhe gruan…”.

Rasti është bërë publik nga zyrtari i Trainkos-it, Asdren Ademi, i cili ka shpërndarë një fotografi ku shihet komenti i Statovcit në videon e Musliut.

Pas publikimit të tij, në rrjete sociale kanë pasuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga persona brenda Trainkos-it, të cilët kanë pretenduar se për sjellje të ngjashme punëtorë të ndërmarrjes janë përballur me procedura disiplinore.

Pas reagimeve, Statovci e ka fshirë komentin dhe ka kërkuar falje publike, duke thënë se bëhej fjalë për një koment të momentit, të bërë në formë ironie dhe pa qëllim për të fyer deputeten.

“I gjendur përballë një fushate të orkestruar, nxitur nga një koment momental i imi që ishte një ironi, i cili kishte dashur vetëm të përshkruaj situatën e atij momenti […] unë tërhiqem nga komentet në fjalë, duke kërkuar ndjesë asaj dhe gjithë atyre që janë prekur nga komentet në fjalë”, ka shkruar Statovci në Facebook.

Ai ka shtuar se komenti nuk përfaqëson vlerat dhe nivelin e tij, ndërsa pretendoi se lidhja e tij me emrin e deputetes Musliu po përdoret me tendencë të qëllimshme kundër tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kryeshefi i Trainkos-it kërkon falje pas komentit ndaj Ganimete Musliut: Ishte ironi, nuk kisha ndonjë qëllim e as tendencë appeared first on Sinjali.

Tragjedi në Suharekë, 29-vjeçarja humb jetën në një aksident

15 August 2026 at 21:53

Një aksident i rëndë me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Bukosh–Savrovë, ku si pasojë ka humbur jetën një grua e re.

Sipas njoftimit mortor të publikuar nga Shoqata Vraniqi, viktima është Arijeta Rexhep Luzha, e lindur më 9 janar 1997 në fshatin Vraniq të Suharekës.

Shoqata ka shprehur ngushëllime për familjen Luzha, farefisin, miqtë, shokët, bashkëvendasit dhe të gjithë ata që ndajnë dhimbjen me familjen.

Ceremonia e varrimit do të mbahet të dielën, më 16 gusht 2026, në ora 15:00, në fshatin Vraniq.

Rrethanat e plota të aksidentit nuk janë bërë të ditura.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjedi në Suharekë, 29-vjeçarja humb jetën në një aksident appeared first on Sinjali.

Mbi 100 orë nën rrënoja, 3-vjeçarja shpëtohet gjallë pas tërmetit

15 August 2026 at 21:32

Një vajzë 3-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat më shumë se 100 orë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Kolumbinë perëndimore më 10 gusht.

Fëmija u gjet në lagjen Tequendama, duke sfiduar të ashtuquajturën “dritare” kritike prej 72 orësh, brenda së cilës zakonisht konsiderohen më të larta gjasat për të gjetur të mbijetuar.

Momentet e shpëtimit të saj janë pritur me duartrokitje dhe brohoritje nga ekipet dhe qytetarët e pranishëm në zonë.

Sipas mediave kolumbiane, vajza është dërguar menjëherë në spital për trajtim dhe kontrolle mjekësore.

Tërmeti me magnitudë 7.4, më i forti që ka goditur Kolumbinë këtë shekull, ka lënë deri tani të paktën 294 persona të vdekur dhe afro 4 mijë të plagosur.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në zonat e prekura, ndërsa familjet ende presin lajme për personat e zhdukur.

🚨🇨🇴A 3-year-old girl was rescued alive after more than 100 hours under the rubble from the earthquake in Colombia. pic.twitter.com/7vIlKFjzcl

— Semper Raw ™ (@SemperRaw) August 15, 2026

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mbi 100 orë nën rrënoja, 3-vjeçarja shpëtohet gjallë pas tërmetit appeared first on Sinjali.

Prishja e jet-ski-t kthehet në makth – familja mbetet 16 orë në det para se të shpëtohet

15 August 2026 at 21:28

Një familje franceze ka përjetuar momente dramatike në brigjet e Tajlandës, pasi mbeti e bllokuar në det për më shumë se 16 orë gjatë natës, pas përmbysjes së një motori uji.

Një burrë 50-vjeçar dhe dy djemtë e tij të vegjël u gjetën në gjendje të rënduar, të zbehtë dhe të rraskapitur, pasi kishin gëlltitur sasi të konsiderueshme uji deti, bëri të ditur zyrtari lokal Amorn Chomchoey.

Të tre u dërguan në spital për kontrolle mjekësore, por fatmirësisht u liruan menjëherë.

Babai kishte marrë me qira një jet ski për një udhëtim 45-minutësh në Koh Samui, një nga destinacionet turistike më të njohura të Tajlandës.

Alarmi u ngrit pasi familja nuk u kthye në kohën e paraparë, duke bërë që ekipet e shpëtimit të nisnin menjëherë kërkimet.

Në operacion u përdorën motoskafe dhe mjete të tjera ujore, ndërsa kërkimet u shtrinë nga Koh Samui drejt ishullit të afërt Koh Phangan.

Për shkak të kushteve të natës, operacioni u pezullua përkohësisht, ndërsa familja u gjet të nesërmen ende duke lundruar në det.

Sipas mediave tajlandeze, shpëtimi përfundoi me sukses pas më shumë se 16 orësh ankthi.

https://rumble.com/shorts/v7e7mn8

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Prishja e jet-ski-t kthehet në makth – familja mbetet 16 orë në det para se të shpëtohet appeared first on Sinjali.

Mbi 100 persona tentojnë të kalojnë drejt Ceutës, Policia marokene ndërhyn – rritet frika për një valë të re masive

15 August 2026 at 21:21

Policia marokene ka arrestuar 111 persona teksa tentonin të hynin në territorin spanjoll të Ceutës në Afrikën e Veriut, ndërsa autoritetet kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë pas thirrjeve në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv të kufirit.

Sipas një burimi nga Ministria e Brendshme e Marokut, mes të arrestuarve janë 109 migrantë nga Afrika Sub-Sahariane dhe dy shtetas marokenë. Arrestimet janë kryer në qytetin Fnideq dhe zonat përreth, pranë kufirit me Ceutën.

Tentativa vjen vetëm dy javë pas një vale të madhe migrantësh drejt territorit spanjoll, ku më shumë se 72 mijë persona tentuan të kalonin kufirin. Në atë ngjarje, të paktën 96 persona humbën jetën.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, policia marokene ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe migrantësh të mbledhur në kodrat rreth tre kilometra larg kufirit.

Në zonë janë parë qindra policë, përfshirë njësi me pajisje kundër trazirave, ndërsa siguria është shtuar edhe në anën spanjolle.

Në Ceuta, ushtarë spanjollë janë angazhuar në ruajtjen e objekteve të ndryshme, përfshirë supermarketet, ndërsa policia ka intensifikuar patrullimet në rrugët kryesore.

Madridi ka vendosur gjithashtu një barrierë detare dhe ka dërguar mbi 500 policë shtesë nga Spanja kontinentale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të forcave policore në Ceuta në mbi 1,600.

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, ka deklaruar se përforcimet do të qëndrojnë në zonë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Ne do të vazhdojmë të angazhojmë çdo personel të nevojshëm për të rikthyer normalitetin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të 30 korrikut”, ka deklaruar ai.

Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 5 mijë migrantë vazhdojnë të qëndrojnë në Ceuta, ndërsa një pjesë e tyre janë strehuar në struktura të improvizuara pranë plazhit urban El Trampolin.

Autoritetet marokene kishin paralajmëruar më herët se po monitoronin postime dhe mesazhe në rrjetet sociale që bënin thirrje për një kalim masiv të kufirit më 15 gusht.

Masa të shtuara sigurie janë raportuar edhe pranë Melillës, një tjetër territor spanjoll në Afrikën e Veriut, ndërsa kontrolle të forta janë vendosur edhe në rrugët që çojnë drejt veriut të Marokut.

Autoritetet kanë penguar disa grupe të hipnin në trena dhe autobusë drejt zonave kufitare, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar personat që dyshohet se kanë organizuar thirrjet për kalim masiv.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mbi 100 persona tentojnë të kalojnë drejt Ceutës, Policia marokene ndërhyn – rritet frika për një valë të re masive appeared first on Sinjali.

Një fabrikë përfshihet nga zjarri në Gjakovë

15 August 2026 at 20:57

Një zjarr është raportuar pasditen e sotme në një fabrikë të dekorimit në Gjakovë, ku ekipet e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit kanë intervenuar për ta vënë situatën nën kontroll.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur rreth orës 16:00, kur në kazanët e fabrikës janë përfshirë nga zjarri mbetje të bykut.

Zjarrfikësit kanë reaguar me shpejtësi dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të objektit.

Falë intervenimit në kohë, situata është vënë nën kontroll dhe nuk raportohet për përhapje të zjarrit në hapësirat tjera të fabrikës.

Rrethanat që çuan deri te shpërthimi i zjarrit nuk janë bërë të ditura.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Një fabrikë përfshihet nga zjarri në Gjakovë appeared first on Sinjali.

Tërmeti shkatërrues në Kolumbi, 294 të vdekur dhe rreth 400 të zhdukur

15 August 2026 at 20:44

Kolumbia po vazhdon kërkimet për të mbijetuar pothuajse pesë ditë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4, i cili goditi pjesën perëndimore të vendit dhe shkaktoi pasoja të rënda.

Të paktën 294 persona kanë humbur jetën, afro 4 mijë janë plagosur, ndërsa rreth 400 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, pavarësisht se është kaluar afati kritik prej 72 orësh, kur mundësitë për të gjetur të mbijetuar zakonisht zvogëlohen ndjeshëm.

Tërmeti goditi rëndë rajonin e njohur për kultivimin e kafesë, duke prekur zona si Cali dhe Pereira.

Sipas të dhënave të autoriteteve, afro 13 mijë shtëpi janë shkatërruar, ndërsa mijëra ndërtesa të tjera kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.

Familje të shumta vazhdojnë të presin lajme për të afërmit e tyre të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen pa ndërprerje.

Fatkeqësia ka krijuar gjithashtu një sfidë të madhe për rindërtimin e zonave të prekura.

Autoritetet kolumbiane kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme ekonomike dhe kanë paralajmëruar masa për mbështetjen e familjeve të zhvendosura dhe rindërtimin e shtëpive, shkollave dhe spitaleve të dëmtuara.

Ndihma ndërkombëtare ndërkohë ka nisur të mbërrijë në vend.

Banka Botërore ka premtuar 200 milionë dollarë për përballimin e pasojave të katastrofës, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe 11 milionë dollarë shtesë për operacionet e shpëtimit dhe ndihmës humanitare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tërmeti shkatërrues në Kolumbi, 294 të vdekur dhe rreth 400 të zhdukur appeared first on Sinjali.

Kosovari arrestohet në Greqi, i gjenden 324 kilogramë kanabis

15 August 2026 at 20:42

Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Greqi në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve, ku janë sekuestruar 324 kilogramë kanabis.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi është rezultat i një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Operacioni është zhvilluar në Selanik, ku autoritetet greke kanë arrestuar dy persona të dyshuar për trafikim me narkotikë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasi i Kosovës me inicialet A.G.

Gjatë operacionit, Policia greke ka gjetur dhe sekuestruar rreth 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.

Sipas Prokurorisë Speciale, PSRK-ja dhe Policia e Kosovës kanë kontribuar në operacion përmes veprimeve hetimore dhe shkëmbimit të informacioneve me autoritetet partnere.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

The post Kosovari arrestohet në Greqi, i gjenden 324 kilogramë kanabis appeared first on Sinjali.

“Pa marrëveshje mund të ketë përplasje fizike” – deklarata e Deharit ndez opozitën

15 August 2026 at 20:20

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë thirrje që partitë politike të arrijnë një marrëveshje para vazhdimit të punimeve të Kuvendit, duke paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një dakordim paraprak mund të rrisë tensionet.

Dehari ka mirëpritur ftesat për takime të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duke kërkuar nga subjektet politike që të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka deklaruar Dehari.

Sipas tij, vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të shtojë rrezikun për përplasje në Kuvend.

Deklaratat e Deharit kanë nxitur reagime të ashpra nga opozita.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e ka cilësuar “skandaloz” arsyetimin se seanca nuk po thirret për shkak të mundësisë së një konflikti fizik.

Ajo ka kërkuar që Dehari ta thërrasë seancën dhe ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, duke theksuar se Kuvendi është vendi ku zhvillohen debatet dhe votimet edhe kur partitë politike kanë qëndrime të kundërta.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të Deharit, duke pyetur se “për çfarë skenari” po paralajmëron ai.

Ramadani i ka cilësuar deklaratat si “paralajmërime ogurzeza” dhe ka thënë se Dehari duhet të japë përgjegjësi para Prokurorisë për pretendimet lidhur me mundësinë e konflikteve fizike.

Kriza institucionale vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për hapat e mëtejmë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Pa marrëveshje mund të ketë përplasje fizike” – deklarata e Deharit ndez opozitën appeared first on Sinjali.

Pajisja e re në gisht mund të ndryshojë trajtimin e Parkinsonit, mat ilaçin përmes djersës

15 August 2026 at 20:13

Një pajisje e vogël që vendoset në majën e gishtit mund të ndihmojë mjekët të përcaktojnë shumë më saktë dozën e ilaçit për pacientët me sëmundjen e Parkinsonit, duke përmirësuar kontrollin e simptomave dhe cilësinë e jetës.

Sipas Reuters, teknologjia e re është prezantuar në një studim të publikuar në revistën shkencore PNAS.

Pajisja monitoron vazhdimisht nivelet e levodopës, ilaçi kryesor që përdoret për trajtimin e Parkinsonit, duke analizuar substancat kimike që gjenden në djersën e pacientit.

Përcaktimi i dozës së duhur të levodopës mbetet një sfidë e madhe. Një dozë shumë e ulët mund të mos i kontrollojë mjaftueshëm simptomat, ndërsa një dozë e lartë mund të shkaktojë lëvizje të pavullnetshme dhe të pakontrollueshme.

Aktualisht, mjekët mbështeten shpesh në ditarët e pacientëve, ku regjistrohen simptomat dhe reagimet ndaj ilaçit, por kjo metodë jo gjithmonë jep të dhëna të sakta.

Pajisja e re synon ta zëvendësojë këtë metodë me matje të vazhdueshme dhe objektive.

Ajo përmban një xhel thithës që mbledh djersën nga poret e lëkurës. Kur levodopa në djersë bie në kontakt me enzimat e integruara në pajisje, krijohet një reaksion kimik që prodhon një tension të vogël elektrik.

Ky sinjal përdoret për të përcaktuar nivelin e ilaçit në organizëm: tensioni më i ulët tregon nivele më të ulëta të levodopës, ndërsa tensioni më i lartë nënkupton nivele më të larta.

Në provat klinike me vullnetarë të shëndetshëm dhe pacientë me Parkinson, pajisja ka matur nivelet e levodopës me saktësi të krahasueshme me analizat laboratorike të gjakut.

Sipas studiuesve, teknologjia mund të jetë hapi i parë drejt një sistemi automatik, ku pajisja monitoruese do të lidhej me një pompë që do të administronte dozën e nevojshme të levodopës në kohën e duhur.

Një sistem i tillë do të mund të reduktonte nevojën për ndërhyrje të vazhdueshme nga pacienti apo mjeku dhe të mundësonte një trajtim më të personalizuar të Parkinsonit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pajisja e re në gisht mund të ndryshojë trajtimin e Parkinsonit, mat ilaçin përmes djersës appeared first on Sinjali.

Rusia paralajmëron SHBA-në dhe Turqinë: Transferimi i armëve në Ukrainë do të shkaktojë dëme

15 August 2026 at 20:08

Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë lidhur me raportimet për një transferim të mundshëm të armëve dhe municioneve amerikane nga territori turk drejt Ukrainës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka bërë të ditur se Moska ka kërkuar shpjegime nga Uashingtoni dhe Ankaraja për informacionet që flasin për dërgimin në Kiev të një arsenali të konsiderueshëm amerikan të vendosur në Turqi.

Sipas saj, një veprim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në raportet e Rusisë me të dyja vendet.

“Një veprim i tillë do të shkaktonte dëme serioze në marrëdhëniet tona dypalëshe me Uashingtonin dhe Ankaranë”, ka deklaruar Zakharova.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme ruse ka hedhur poshtë idenë e një armëpushimi në Detin e Zi, duke argumentuar se Moska nuk sheh arsye për t’u dhënë forcave ukrainase një periudhë pushimi.

Zakharova ka akuzuar gjithashtu Ukrainën për, siç i ka quajtur ajo, “akte të paturpshme terroriste” kundër transportit detar.

Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Moskës, Kievit dhe vendeve që mbështesin Ukrainën mbeten të larta, ndërsa furnizimet me armë vazhdojnë të jenë një nga çështjet më të ndjeshme të konfliktit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rusia paralajmëron SHBA-në dhe Turqinë: Transferimi i armëve në Ukrainë do të shkaktojë dëme appeared first on Sinjali.

Ferran Torres largohet nga Barcelona për PSG-në, zbulon arsyen kryesore të transferimit

15 August 2026 at 19:59

Ferran Torres është zyrtarisht futbollist i ri i Paris Saint-Germainit, pasi Barcelona ka finalizuar transferimin e sulmuesit spanjoll për rreth 50 milionë euro.

26-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin parisien deri në vitin 2031 dhe menjëherë pas prezantimit ka folur edhe për arsyet që e bindën të largohej nga Barcelona.

Një prej faktorëve kryesorë ka qenë dëshira e tij për të fituar Ligën e Kampionëve, trofe që ende mungon në karrierën e spanjollit.

“Paris Saint-Germaini është klubi ideal për ta fituar Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Torres në fjalët e para si futbollist i PSG-së.

Sulmuesi ka vlerësuar gjithashtu projektin sportiv dhe moshën e re të skuadrës parisiene, duke shprehur bindjen se PSG-ja mund të vazhdojë të luftojë për trofetë më të mëdhenj.

Një tjetër faktor i rëndësishëm në vendimin e Torresit ka qenë trajneri Luis Enrique.

Dyshja kishte punuar së bashku më herët te Kombëtarja e Spanjës, ndërsa Torres ka theksuar se besimi që trajneri spanjoll kishte treguar ndaj tij kishte luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e karrierës së tij ndërkombëtare.

Transferimi në Paris i jep fund aventurës katërvjeçare e gjysmë të Torresit te Barcelona.

Ai iu bashkua katalunasve në janar të vitit 2022 nga Manchester City për rreth 55 milionë euro, plus bonuse.

Në sezonin 2025/26, Torres regjistroi 21 gola dhe tri asistime në 49 paraqitje në të gjitha garat, përpara se të vendoste të hapte një kapitull të ri në karrierë me PSG-në.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ferran Torres largohet nga Barcelona për PSG-në, zbulon arsyen kryesore të transferimit appeared first on Sinjali.

Trump kërkon ta bëjë Hormuzin territor amerikan, Irani: Ngushtica hapet vetëm me urdhrin tonë

15 August 2026 at 19:55

Deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, se dëshiron ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara kanë nxitur reagim të ashpër nga Irani, i cili ka insistuar se kontrolli mbi këtë rrugë strategjike ujore do të mbetet në duart e tij.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të mbyllet dhe të hapet vetëm me vendim të Teheranit.

“Kjo Ngushticë do të mbyllet dhe do të hapet vetëm nën komandën e Iranit, dhe për sa kohë që ju nuk e pranoni realitetin e disfatës dhe nuk i jepni fund iluzioneve tuaja imagjinare, Irani do të vazhdojë ta zbatojë bllokadën”, ka deklaruar Gharibabadi.

Trump kishte thënë se synon ta bëjë Ngushticën e Hormuzit territor amerikan, pavarësisht se juridiksioni mbi këtë rrugë ujore ndahet mes Iranit dhe Omanit.

Edhe autoritetet iraniane përgjegjëse për zonën e Gjirit Persik kanë reaguar, duke thënë se Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar dhe se nuk do të rihapet derisa të pranohen kushtet e Iranit.

Tensionet rreth Hormuzit janë rritur ndjeshëm, pasi kjo rrugë ujore konsiderohet një prej pikave më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe përmes saj kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës me anije.

Sipas kushteve të marrëveshjes së përkohshme, Iranit i kërkohej të rihapte Ngushticën dhe të riafirmonte se nuk do të siguronte apo zhvillonte armë bërthamore.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar se do të hiqnin bllokadën detare ndaj Iranit dhe do të lehtësonin sanksionet ndaj Teheranit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump kërkon ta bëjë Hormuzin territor amerikan, Irani: Ngushtica hapet vetëm me urdhrin tonë appeared first on Sinjali.

Përditësohen të dhënat, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare për hyrje/daljet nga Kosova

15 August 2026 at 19:41

Pritje të shtuara janë regjistruar mbrëmjen e sotme në disa pika kufitare të Kosovës, ndërsa ngarkesa më e madhe paraqitet te Dheu i Bardhë.

Sipas të dhënave të fundit për fluksin në pikat kufitare, te Dheu i Bardhë pritjet për automjete arrijnë deri në 40 minuta në hyrje dhe 60 minuta në dalje. Kolona është rreth 200 metra në hyrje dhe 250 metra në dalje.

Në Muçibabë, qytetarët po presin rreth 20 minuta për hyrje dhe 30 minuta për dalje, ndërsa kolonat arrijnë në 100, respektivisht 130 metra.

Në Hanin e Elezit, pritjet në dalje janë rreth 20 minuta dhe është krijuar kolonë prej rreth 150 metrash.

Në Jarinjë, pritjet në hyrje variojnë nga 5 deri në 10 minuta, ndërsa në dalje arrijnë rreth 20 minuta.

Ndërkohë, në Merdare situata paraqitet më e qetë, me pritje prej rreth 10 deri në 15 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje dhe pa kolona të raportuara.

Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Kullën, Vërmicën, Qafën e Morinës dhe Qafën e Prushit, pritjet janë kryesisht prej disa minutash.

Të dhënat janë përditësuar më 15 gusht, rreth orës 19:26.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përditësohen të dhënat, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare për hyrje/daljet nga Kosova appeared first on Sinjali.

Flakët përfshijnë 1,600 hektarë në Francë, qindra persona largohen nga zona

15 August 2026 at 19:39

Një zjarr i madh po përhapet me shpejtësi pranë Luglon, në rajonin Landes të Francës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra banorë si masë parandaluese.

Zjarri, i cili shpërtheu të enjten, ka përfshirë deri më tani rreth 1,600 hektarë pyje dhe shkurre, sipas autoriteteve lokale.

Rreth 650 persona janë evakuuar, ndërsa deri më tani nuk raportohet për shtëpi të përfshira nga flakët.

Luglon ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Bordeaux dhe shtrihet në një zonë të gjerë pyjore me pisha, çka ka vështirësuar përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit.

Në terren janë angazhuar rreth 550 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga avionë për shuarjen e zjarrit dhe helikopterë.

Sipas BFMTV, në operacion është përfshirë edhe një helikopter i rëndë Chinook CH-47D, i huazuar nga Australia, i cili mund të transportojë deri në 11,300 litra ujë.

Franca është përballur gjatë javëve të fundit me disa zjarre të mëdha, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira.

Në fund të korrikut, rreth 3,700 hektarë pyje u dogjën pranë Biscarrosse, ndërsa rreth 42 mijë hektarë të tjerë u përfshinë nga flakët pranë Saumos në rajonin fqinj Gironde.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Flakët përfshijnë 1,600 hektarë në Francë, qindra persona largohen nga zona appeared first on Sinjali.

❌