Normal view

19 talente të reja përzgjidhen në Akademinë e FIFA-s në Kosovë

11 August 2026 at 22:57

Akademia e FIFA-s në Kosovë po vazhdon punën për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja të futbollit, me fokus të veçantë te vajzat e gjeneratave 2012 dhe 2013.

Në fazën e radhës të programit janë përfshirë 19 futbolliste të reja, të cilat vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Ato janë përzgjedhur pas vëzhgimeve të zhvilluara gjatë muajit qershor në kuadër të procesit për identifikimin e talenteve në të gjitha Lidhjet Rajonale të Futbollit.

Përmes këtij programi, pjesë e FIFA Talent Development Scheme, synohet që futbollisteve të reja t’u krijohen kushte të barabarta për avancim dhe përgatitje profesionale që në moshë të hershme.

Stërvitjet do të zhvillohen nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s, Rainer Kraft. Programi përfshin punë të specializuar në disa fusha, me theks te përmirësimi i teknikës, aspektit taktik dhe përgatitjes fizike të lojtareve.

Akademia e FIFA-s në Kosovë është e para e këtij lloji në vendet e Ballkanit dhe synon të shërbejë si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të futbollit.

Përmes kësaj pune, objektivi është që vajzat e përzgjedhura të zhvillohen gradualisht dhe të jenë të gatshme që në të ardhmen të synojnë edhe fanellën e ekipeve kombëtare të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 19 talente të reja përzgjidhen në Akademinë e FIFA-s në Kosovë appeared first on Sinjali.

Rusia godet uzinën e çelikut në Zaporizhzhia, shtatë të vrarë

11 August 2026 at 22:49

Shtatë punëtorë kanë humbur jetën të martën në një fabrikë çeliku në Zaporizhzhia, pas një sulmi rus ndaj qytetit juglindor të Ukrainës.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut, si dhe raketa hipersonike Zircon dhe bomba ajrore të telekomanduara.

Kompania mëmë e fabrikës Zaporizhstal, Metinvest Group, ka bërë të ditur se sulmi ndodhi në momentin kur punëtorët po drejtoheshin drejt strehimoreve pas aktivizimit të alarmit ajror.

“Sulmi me raketë balistike ndodhi ndërsa punonjësit po shkonin drejt një strehimore menjëherë pasi u dha alarmi për sulm ajror”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Si pasojë e goditjeve, prodhimi në uzinë është pezulluar plotësisht, ndërsa objekte të tjera të dëmtuara po funksionojnë me kapacitet të reduktuar.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov publikoi pamje të ndërtesave dhe automjeteve në flakë, ndërsa bëri të ditur se të paktën 24 persona kanë mbetur të plagosur. Katër ndërtesa banimi janë dëmtuar, ndërsa nuk janë raportuar dëme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj goditën një uzinë metalurgjike në Zaporizhzhia, për të cilën pretendon se prodhonte çelik të përdorur nga ushtria ukrainase.

Rusia tha gjithashtu se kishte goditur kompleksin e kompanisë Nova Poshta në Kiev, të cilin e akuzon se përdorej për shpërndarjen e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentë për dronë dhe pajisje të luftës elektronike.

Sulmet vijnë pas një goditjeje me dron ukrainas në Nizhnekamsk, ku autoritetet ruse raportuan të paktën 13 të vrarë dhe 39 të plagosur, ndërsa Ukraina tha se objektivi kishte qenë rafineria e naftës TANECO.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rusia godet uzinën e çelikut në Zaporizhzhia, shtatë të vrarë appeared first on Sinjali.

Pacienti ankohet për papastërti në dhomën e infuzionit të QKMF-së në Drenas (PAMJE)

11 August 2026 at 22:45

Një pacient i është drejtuar Gazetës Sinjali me një ankesë lidhur me kushtet e higjienës në një hapësirë të QKMF-së në Drenas, ku kishte shkuar për të marrë infuzion.

Sipas pacientit, në dhomë kishte mbeturina të grumbulluara, përfshirë materiale të hedhura në afërsi të koshit, ndërsa në dysheme vëreheshin gjithashtu mbetje të ndryshme.

Pacienti ka dërguar edhe një video në redaksinë e Gazetës Sinjali, ku pretendohet se shihet gjendja e hapësirës.

Ai ka shprehur shqetësimin për kushtet higjienike, duke ngritur pikëpyetje nëse një ambient i tillë është i përshtatshëm për pacientët që marrin trajtim.

Gazeta Sinjali mbetet e hapur për reagimin e QKMF-së në Drenas lidhur me këtë ankesë dhe pamjet e dërguara nga pacienti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pacienti ankohet për papastërti në dhomën e infuzionit të QKMF-së në Drenas (PAMJE) appeared first on Sinjali.

Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autostrada, shkak temperaturat e larta

11 August 2026 at 22:44

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostrada për automjetet që transportojnë mallra dhe kanë masë totale mbi 20 tonë.

Sipas Ministrisë, masa do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.

Kufizimi do të vlejë vetëm në autostrada, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse automjetet mbi 20 tonë do të mund të qarkullojnë pa kufizime.

Nga kjo masë përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që ta respektojnë kufizimin dhe t’i planifikojnë lëvizjet në përputhje me orarin e përcaktuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autostrada, shkak temperaturat e larta appeared first on Sinjali.

Pa marrëveshje, pa seancë: Ngërçi politik në Kosovë hyn në fazë të re

11 August 2026 at 22:24

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk do të vazhdojë derisa partitë politike të arrijnë një marrëveshje politike, ka thënë më 11 gusht Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e kryeson seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër të Kuvendit.

Deklarata e tij vjen disa ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa partitë vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet”, ka thënë Dehari

Qëndrim të ngjashëm për nevojën e një marrëveshjeje ka shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Përfaqësues të saj kanë thënë se, para thirrjes së seancës, presin arritjen e një marrëveshjeje politike.

Partitë opozitare, ndërkaq, e kanë kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procesi dhe e kanë akuzuar partinë më të madhe për shkelje të rendit kushtetues.

Opozita paralajmëron veprime
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha më 11 gusht se moskonstituimi i Kuvendit dhe mosvazhdimi i seancës përbëjnë “goditje të drejtpërdrejtë” ndaj rendit kushtetues.

“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin”, shkroi PDK-ja, në Facebook, duke paralajmëruar se do ta mbrojë rendin kushtetues “me çdo mjet”.

Një ditë më herët, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte paralajmëruar “një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike” për ta kundërshtuar, siç tha ai, degradimin e institucioneve.

PDK-ja deri tani nuk ka specifikuar se cilat do të jenë këto veprime.

Edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa LDK-ja është partia e vetme opozitare që ka zhvilluar disa takime me Vetëvendosjen për një marrëveshje të mundshme.

Pika kryesore e mospajtimit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Kurti ka insistuar që palët të pajtohen për një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj, duke argumentuar se kandidat konsensual mund të konsiderohet ai që arrin t’i sigurojë 80 votat e nevojshme në Kuvend.

Palët kanë zhvilluar disa takime gjatë gushtit, por deri tani nuk kanë arritur marrëveshje.

Aleanca, ndërkaq, ka refuzuar takimet me Kurtin.

Kjo parti ka insistuar vazhdimisht në respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.

Më 8 gusht, deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë vazhdimit të seancës konstituive, e cila kishte nisur më 6 gusht.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës për të marrë qëndrimet e tyre për hapat e ardhshëm pas mosvazhdimit të seancës konstituive, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje, shkruan REL.

Arifi: Opozita duhet të kalojë nga deklaratat në veprime
Analisti politik, Dritëro Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përgjegjësia për të ushtruar presion politik në situatën aktuale bie mbi partitë opozitare.

Sipas tij, ato deri tani nuk kanë arritur të ndërtojnë një qasje të përbashkët përballë krizës.

“Për fat të keq, opozita është aq shumë e përçarë, aq shumë është e fragmentarizuar”, thotë Arifi, duke shtuar se ajo “nuk e ka një fokus të përbashkët”.

Ai kërkon veprime më konkrete nga opozita, përfshirë, siç thotë, “alarmimin e të gjitha institucioneve në mbrojtje të demokracisë”.

“Mendoj që duhet veprime politike, por të fuqishme, jo vetëm deklarata sa për media”, thotë Arifi.

Ai e konsideron situatën aktuale pasojë të shkeljes së qëllimshme të rregullave kushtetuese nga pushteti.

“Toleranca e shkeljes së Kushtetutës është sinjal. Është sinjal edhe krijimi i një kulture të re që ligjet aktuale nuk vlejnë për ne dhe kjo kështu e krijon komplet narrativën e Lëvizjes Vetëvendosje se Kushtetuta është e parëndësishme”, thotë ai.

Zgjedhjet si rrugëdalje?
Në mungesë të një marrëveshjeje politike, zgjedhjet e reja po përmenden si një prej mundësive për dalje nga kriza.

Arifi pajtohet se vendi mund të përfundojë sërish në zgjedhje, por thotë se, para kësaj, duhet të ketë përgjegjësi për shkeljet që, sipas tij, kanë ndodhur.

“Normalisht që duhet të shkojmë në zgjedhje, por unë mendoj që pa u sanksionuar shkeljet e rënda kushtetuese është e palogjishme të shkojmë në zgjedhje”, thotë ai.

Ai paralajmëron se vazhdimi i ngërçit mund ta thellojë edhe më shumë krizën institucionale në muajt e ardhshëm.

“Kemi filluar të hyjmë në javën e dytë të gushtit dhe, nëse nuk ka masa dhe veprime serioze, tetori vjen shumë shpejt”, thotë Arifi, duke shtuar se “aktualisht është vetëm fillimi i problemeve”.

Më 4 tetor bëhen gjashtë muaj prej se Albulena Haxhiu mori detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

Kushtetuta, megjithatë, nuk përcakton se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit nëse kjo periudhë përfundon pa u zgjedhur presidenti i ri.

Kjo çështje është ngritur edhe nga njohës të së drejtës kushtetuese si një vakum i mundshëm kushtetues.

Nëse deri atëherë Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, Kosova do të përballej njëkohësisht me mungesën e një Kuvendi funksional dhe me përfundimin e periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës së presidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pa marrëveshje, pa seancë: Ngërçi politik në Kosovë hyn në fazë të re appeared first on Sinjali.

Ish-ylli i Barcelonës kalon në MLS, Alexis Sanchez nis aventurën e re

11 August 2026 at 22:15

Alexis Sanchez i ka dhënë fund kapitullit të tij në futbollin evropian dhe ka nisur një sfidë të re larg kontinentit. Ish-sulmuesi i Barcelonës është zyrtarisht lojtari më i ri i CF Montreal në MLS.

37-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin kanadez deri në pranverën e vitit 2027, me marrëveshjen që përfshin edhe një opsion për sezonin e plotë 2027/28.

Montreal e ka cilësuar transferimin e kilianit si më të madhin që nga epoka e Didier Drogbas, ndërsa Sanchez do të luajë si Designated Player.

Kalimi i tij ishte paralajmëruar një ditë më parë, kur klubi publikoi një video me fanellën me numrin 10. Në fund të videos, drejtori Luca Saputo përmendi emrin “Alexis”, duke nxitur menjëherë dyshimet se bëhej fjalë për Sanchez.

Tashmë gjithçka është zyrtare.

Sanchez rikthehet kështu në qendër të vëmendjes pas një karriere të gjatë në Evropë, ku përveç Barcelonës ka luajtur edhe për Arsenalin, Manchester Unitedin dhe Interin.

Me Kilin, ai ka fituar dy tituj të Copa Americas dhe është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares me 51 gola.

Në total, Sanchez ka realizuar 215 gola dhe 154 asistime në 788 paraqitje profesionale, ndërsa ka fituar trofe me Barcelonën, Interin, Colo-Colon dhe Arsenalin.

Megjithatë, sezoni i fundit te Sevilla nuk ishte në nivelin e viteve të tij më të mira. Ai shënoi vetëm katër gola në 28 paraqitje në La Liga.

Tani, ish-ylli i Barcelonës shpreson që aventura në MLS t’i japë mundësinë për të rilindur sërish në skenën e futbollit.

“Jam shumë i lumtur që i bashkohem CF Montrealit dhe që po marr përsipër këtë sfidë të re. Jam mirënjohës ndaj klubit për besimin që ka treguar tek unë dhe mezi pres ta vë përvojën time në shërbim të ekipit”, deklaroi Sanchez.

“Jam këtu për të dhënë gjithçka që kam për klubin dhe për këtë qytet”, shtoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ish-ylli i Barcelonës kalon në MLS, Alexis Sanchez nis aventurën e re appeared first on Sinjali.

Hyrje jo e zakonshme: Nusja shkon në dasmë mbi lopën e saj të preferuar

11 August 2026 at 22:04

Një dasmë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Somerset, ku një fermere 37-vjeçare ka zgjedhur të mbërrijë në ceremoninë e martesës duke kalëruar mbi lopën e saj të preferuar.

Victoria Lee shkoi drejt kishës mbi lopën e quajtur “White Chocolate Button”, për të cilën thotë se është pothuajse shoqja e saj më e mirë.

Lee, e cila është rritur në një fermë familjare në Dorset, ka treguar se kishte filluar të kalëronte lopë që në fëmijëri, pasi familja nuk i lejonte të mbante poni.

“U rrita në fermën e familjes në Dorset dhe nuk na lejohej të kishim poni, kështu që fillova të kalëroja lopë. Mendova: pse të mos e trajnoj White Chocolate Button që të më çojë në kishë?”, ka rrëfyer ajo.

Nusja kishte provuar të trajnonte edhe një lopë tjetër, të quajtur Basil, por kjo e fundit nuk e kishte pranuar idenë dhe madje kishte tentuar ta rrëzonte.

Ditën e dasmës, Lee fillimisht u transportua drejt fshatit me traktor, ndërsa pjesën e fundit deri te kisha e përshkoi mbi lopën e saj, e shoqëruar nga shoqërueset e nuses.

Pas ceremonisë, dhëndri dhe shoqëruesit e tij krijuan një “gardë nderi” me mjete bujqësore jashtë kishës.

Por veçantia nuk përfundoi aty. Menjëherë pas ceremonisë, çifti u kthye në fermë për t’i mjelë lopët, ndërsa të ftuarit pritën rreth dy orë para se të sapomartuarit t’i bashkoheshin festës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Hyrje jo e zakonshme: Nusja shkon në dasmë mbi lopën e saj të preferuar appeared first on Sinjali.

Tragjedi në Zimbabve, përmbyset trageti me 95 persona në bord

11 August 2026 at 22:00

Një traget me 90 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit është përmbysur të martën në liqenin Kariba në Zimbabve, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nisur operacionet për gjetjen dhe shpëtimin e personave në bord.

Policia e Zimbabvesë ka konfirmuar incidentin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos spekulojnë për numrin e viktimave, duke theksuar se informacionet zyrtare për të mbijetuarit, të plagosurit apo viktimat do të bëhen publike pasi të përfundojë menaxhimi i vendngjarjes.

Trageti përdorej nga banorët e zonave rurale për të udhëtuar drejt qytetit Kariba, i cili ndodhet në pjesën veriore të liqenit, pranë kufirit me Zambian, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Deputetja zimbabveane Mutsa Murombedzi tha se udhëtimi me këtë mjet zakonisht zgjaste rreth pesë orë, ndërsa sipas saj trageti u godit nga erëra të forta gjatë rrugës nga Kariba drejt Chalala.

Murombedzi publikoi edhe pamje në rrjetin X, ku pretendon se shihet trageti “Mbuya Nehanda” duke u nisur më herët gjatë ditës.

Ajo kërkoi nga autoritetet transparencë për numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjedi në Zimbabve, përmbyset trageti me 95 persona në bord appeared first on Sinjali.

Tifozët e Liverpoolit kërkojnë sqarime për investimin e mundshëm të Bezosit në klub

11 August 2026 at 21:53

Tifozët e Liverpoolit kanë shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që një konsorcium i përbërë nga investitorë të fuqishëm, mes tyre edhe Jeff Bezos, të blejë një pjesë të aksioneve të klubit.

Grupi i tifozëve “Spirit of Shankly” i ka kërkuar pronarit aktual, Fenway Sports Group (FSG), më shumë transparencë rreth negociatave që po zhvillohen me konsorciumin e drejtuar nga ish-drejtori i Queens Park Rangers, Amit Bhatia.

Sipas raportimeve, marrëveshja në diskutim mund t’i japë konsorciumit rreth 30 për qind të aksioneve të Liverpoolit, në një transaksion që mund të arrijë vlerën e 1.61 miliardë eurove.

Në grupin e investitorëve pritet të jetë edhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, ndërsa pjesë e tij raportohet se është edhe Eduardo Saverin, një nga bashkëthemeluesit e Facebookut. Bezos konsiderohet ndër njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në rreth 238 miliardë euro, ndërsa Saverin ka rreth 27.6 miliardë euro pasuri.

“Spirit of Shankly” kishte kontaktuar drejtuesit e Liverpoolit që në fund të korrikut, pasi lajmet për interesimin e konsorciumit u bënë publike. Tifozët kërkuan të kuptonin më qartë se çfarë do të sillte një marrëveshje e tillë për klubin.

Në veçanti, ata kërkuan informacion mbi përfitimet që do të kishte konsorciumi nga investimi, mundësinë e përfaqësimit në bordin drejtues, ndikimin në vendimmarrje dhe nëse marrëveshja do të përfshinte të drejta për dividentë apo përfitime të tjera financiare.

Grupi i tifozëve ka ngritur gjithashtu pyetje nëse shitja e një pjese të aksioneve është pjesë e një strategjie më të gjerë të FSG-së apo thjesht një marrëveshje investimi, si dhe arsyet që kanë shtyrë pronarët e Liverpoolit ta shqyrtojnë këtë opsion.

Sipas “Spirit of Shankly”, mënyra se si klubi do të kontrollohet dhe kush do ta zotërojë atë janë çështje me rëndësi të veçantë për tifozët, duke pasur parasysh historinë e pronësisë së Liverpoolit.

Deri tani, Liverpooli nuk u është përgjigjur pyetjeve të ngritura nga grupi i tifozëve. Megjithatë, klubi ka sinjalizuar se mund të zhvillojë një takim me Supporters Board në rast se negociatat me konsorciumin kalojnë në një fazë më zyrtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tifozët e Liverpoolit kërkojnë sqarime për investimin e mundshëm të Bezosit në klub appeared first on Sinjali.

Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili

11 August 2026 at 21:52

Pas 20 vitesh shqiptarët nuk do të ushqehen më me mish Brazili.

Kjo ndërprerje e marrëdhënies tregtare vjen pas vendimit të BE-së për t’u furnizuar me produkte të origjinës shtazore nga Brazili.

Ky përfundim erdhi pas qëndrimit unanim që mbajtën ekspertët e shteteve anëtare, për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve.

Top Channel ka arritur të sigurojë një shkresë përcjellëse, ku Ministria e Bujqësisë i përgjigjet AKU-së se si duhet të veprojë me tregtarët që sjellin mishin e Brazilit në vendin tonë.

“Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit I.2006 e kushtëzon importimin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit 2026 reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri.”

Gjithashtu, ministri i lë detyra AKU-së që të njoftojë bizneset për ndërprerjen tregtare midis Shqipërisë dhe Brazilit.

“Për sa më lart, AKU të marrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve të biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili mbi ndryshimet e mësipërme, zbatimi i të cilave fillon nga data 3 shtator 2026.”

Nga viti 2006 e deri më tani, Brazili ka qenë furnizuesi kryesor me mish viçi, derri, lope dhe pule. Gjithashtu, ky mish ishte dhe burimi kryesor për industrinë e përpunimit të mishit.

Nëse i referohemi të dhënave nga WITS të Bankës Botërore, në vitin 2024 Shqipëria importoi nga Brazili 28.5 milionë dollarë mish dhe të brendshme, nga të cilat 10.1 milionë dollarë ishin mish dhe të kategorisë së shpendëve.

Pas këtij vendimi, Shqipëria duhet të kërkojë një treg të ri mishi që nuk ofron vetëm çmimin e lirë dhe sasinë, por që mbi të gjitha të garantojë sigurinë ushqimore.

Vendimi për ndalimin e importit të mishit nga Brazilit, vjen vetëm pak ditë pas një shkrimi investigativ të Vox News.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili appeared first on Sinjali.

Julian Alvarez shkon në qendrën e Atletico-s, kërkon të largohet nga klubi

11 August 2026 at 21:34

Julián Álvarez duket se po e shtyn gjithnjë e më shumë drejt largimit nga Atlético Madridi.

Sulmuesi argjentinas është paraqitur në qendrën stërvitore të klubit së bashku me agjentin e tij, Fernando Hidalgo, me synimin për të diskutuar drejtpërdrejt me drejtuesit për të ardhmen e tij.

Sipas “Diario SPORT”, Álvarez dëshiron t’ua bëjë të qartë drejtuesve të Atlético-s se preferon të largohet gjatë kësaj vere. Takimi vjen në një periudhë kur raportet mes palëve për të ardhmen e sulmuesit janë bërë më të tensionuara.

Interesimi për të është konkret. Barcelona e sheh argjentinasin si një përforcim të rëndësishëm për sulmin dhe, sipas raportimeve, ka qenë e gatshme të paguajë deri në 100 milionë euro për transferimin e tij. Megjithatë, Atlético Madridi e ka refuzuar ofertën dhe nuk ka dhënë dritën jeshile për largimin e tij.

Álvarez ndërkohë po përpiqet të gjejë një rrugëdalje përmes bisedimeve direkte me klubin. Kjo është edhe një tjetër paraqitje e tij në ambientet e Atlético-s me një përfaqësues të stafit të tij, pasi më herët kishte qenë aty edhe së bashku me agjentin Sergio Diaz.

Mbetet të shihet nëse presioni i argjentinasit do ta bindë Atlético-n të ndryshojë qëndrim, ndërsa Barcelona vazhdon të jetë e vëmendshme ndaj zhvillimeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Julian Alvarez shkon në qendrën e Atletico-s, kërkon të largohet nga klubi appeared first on Sinjali.

Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez martohen zyrtarisht

11 August 2026 at 21:34

Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez i kanë dhënë fund pritjes dhe janë martuar zyrtarisht.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ylli portugez i futbollit, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të përbashkët me Georginën. Në imazh, çifti shfaqet pranë njëri-tjetrit, ndërsa bien në sy edhe unazat në duart e tyre, duke konfirmuar martesën.

Fotografisë Ronaldo dhe Georgina i kanë vendosur një mbishkrim të shkurtër, por domethënës: “CG”, shoqëruar me një emoji në formë zemre.

Ronaldo dhe Rodriguez janë bashkë prej vitesh dhe kanë ndërtuar një familje të madhe. Çifti ka dy fëmijë së bashku, vajzat Alana Martina dhe Bella Esmeralda. Ata gjithashtu rrisin së bashku edhe tre fëmijët e tjerë të Ronaldos, Cristiano Jr., si dhe binjakët Eva dhe Mateo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez martohen zyrtarisht appeared first on Sinjali.

Kolona në kufi, pritjet deri në 30 minuta

11 August 2026 at 21:22

Pritjet në disa pika kufitare të Kosovës kanë arritur deri në 30 minuta, sipas të dhënave të fundit të përditësuara në orën 21:13.

Më e ngarkuara paraqitet Dheu i Bardhë, ku pritjet për hyrje janë rreth 5 minuta, ndërsa për dalje arrijnë deri në 30 minuta, me kolona rreth 150 metra në të dyja drejtimet.

Muçibabë, pritjet për hyrje janë rreth 5 minuta, ndërsa për dalje deri në 20 minuta, me kolonë rreth 150 metra në dalje, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Në pikat tjera kufitare, pritjet kryesisht janë nga 1 deri në 5 minuta, ndërsa në shumicën e tyre nuk ka kolona të raportuara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kolona në kufi, pritjet deri në 30 minuta appeared first on Sinjali.

Kurti fton krerët e partive në takim, AAK konfirmon për Sinjalin se Gjini mori mesazh në WhatsApp

11 August 2026 at 21:19

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar krerëve të partive ish-opozitare me ftesë për takim, në një kohë kur ende nuk është thirrur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Se kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka pranuar një mesazh nga Kurti, e ka konfirmuar zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili.

“Po, mund t’ju konfirmojmë se kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pranuar mesazh në WhatsApp nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe të njëjtit i ka kthyer përgjigje po në WhatsApp”, ka thënë Xhemaili.

Ftesa vjen në kohën kur vendi ka kaluar afatin 48-orësh për vazhdimin e seancës konstituive, pa u thirrur një seancë e re për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti fton krerët e partive në takim, AAK konfirmon për Sinjalin se Gjini mori mesazh në WhatsApp appeared first on Sinjali.

Zelensky paralajmëron mobilizim të ri rus në vjeshtë

11 August 2026 at 20:57

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po përgatitet për një valë të re mobilizimi gjatë vjeshtës.

Sipas tij, informacionet bazohen në dokumente të brendshme ruse, ndërsa mobilizimi mund të nisë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Rusi, të cilat Zelensky i ka cilësuar si “të manipuluara”.

Presidenti ukrainas ka thënë se Kremlini synon të dërgojë disa qindra mijëra rusë në front deri në fund të këtij viti, ndërsa një numër të ngjashëm edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Kjo është përveç objektivave të rekrutimit që ata po përpiqen t’i përmbushin përmes kontratave ushtarake”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.

Ai ka shtuar se shërbimet ukrainase të inteligjencës dhe sigurisë kanë marrë udhëzime që të ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për ta vështirësuar zbatimin e këtij plani.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një kohë kur lufta vazhdon të kërkojë numër të madh trupash nga të dyja palët.

Kievi ka paralajmëruar vazhdimisht për përpjekjet e Moskës për të shtuar numrin e ushtarëve në front, ndërsa Kremlini deri më tani është mbështetur kryesisht në rekrutimin përmes kontratave dhe nuk ka shpallur zyrtarisht një mobilizim të ri të përgjithshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky paralajmëron mobilizim të ri rus në vjeshtë appeared first on Sinjali.

Zjarr i madh në Breznicë të Bujanocit, rreth 700 banorë largohen nga shtëpitë

11 August 2026 at 20:52

Një zjarr i madh ka përfshirë një zonë me pisha në fshatin Breznicë të Bujanocit, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi dhe po i afrohen zonave të banuara.

Sipas raportimeve, situata paraqitet e rënduar, pasi zjarri ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe po vazhdon të zgjerohet.

Për shkak të rrezikut, rreth 700 banorë raportohet se kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë dalë në rrugë.

Deri më tani nuk ka informacione për persona të lënduar, ndërsa situata po vazhdon të monitorohet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zjarr i madh në Breznicë të Bujanocit, rreth 700 banorë largohen nga shtëpitë appeared first on Sinjali.

Gjyshja merr foshnjën 10-ditëshe nga spitali dhe tenton të ikë drejt Rumanisë

11 August 2026 at 20:40

Një grua me origjinë rumune është arrestuar nga policia italiane, pasi dyshohet se ka marrë pa leje mbesën e saj vetëm 10-ditëshe nga një spital në provincën e Kazertës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 9 gusht. Sipas hetimeve paraprake, gruaja kishte hyrë në spitalin ku ndodhej e shtruar vajza e saj dhe kishte marrë foshnjën nga krevati pa njoftuar personelin apo autoritetet.

Pas alarmit të ngritur nga policia në Kazertë, njësitë e policisë rrugore nisën kërkimet për automjetin me të cilin ishte larguar gruaja.

Të nesërmen, targat e makinës u identifikuan dhe një patrullë e policisë rrugore në Firence arriti ta lokalizojë dhe ta ndalojë automjetin në autostradën A1.

Brenda makinës ndodhej edhe foshnja 10-ditëshe, ndërsa gruaja u arrestua nga autoritetet italiane.

Gjyqtari hetues në Toskanë ka konfirmuar masën e arrestit.

Sipas informacioneve fillestare të hetuesve, dyshohet se gruaja synonte të largohej nga Italia dhe të shkonte në Rumani bashkë me foshnjën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjyshja merr foshnjën 10-ditëshe nga spitali dhe tenton të ikë drejt Rumanisë appeared first on Sinjali.

Policia gjobit kompanitë që shkelën kufizimin për kamionët mbi 20 tonë në autostrada

11 August 2026 at 19:54

Njësitë e trafikut dhe Drejtoria e Trafikut janë aktivizuar për monitorimin e qarkullimit të automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për kufizimin e përkohshëm të lëvizjes së tyre në autostrada.

Sipas vendimit të ministrisë, mjetet mbi 20 tonë nuk lejohen të qarkullojnë në autostrada gjatë orarit të përcaktuar, nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta.

Gjatë zbatimit të masës, ekipet e trafikut kanë monitoruar hyrjet e autostradave dhe kanë ndaluar automjetet që nuk e kanë respektuar kufizimin. Si pasojë, disa kompani janë gjobitur për mosrespektim të orarit të ndalimit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte kërkuar nga operatorët ekonomikë dhe ngasësit që t’i planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të respektojnë masën e vendosur.

Ndërkohë, kufizimi vlen vetëm për autostradat, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave mbi 20 tonë lejohet pa kufizime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia gjobit kompanitë që shkelën kufizimin për kamionët mbi 20 tonë në autostrada appeared first on Sinjali.

Hungaria zgjedh Andras Bakën president, një kritik i njohur i Orbanit

11 August 2026 at 19:48

Parlamenti i Hungarisë ka zgjedhur Andras Bakën, ish-kreun e Gjykatës së Lartë dhe kritik të Viktor Orbanit, si presidentin e ardhshëm të vendit.

Posti kishte mbetur vakant pas shkarkimit të kontestuar muajin e kaluar të presidentit të mëparshëm, i cili ishte aleat i Orbanit.

Baka u zgjodh me 140 vota pro dhe gjashtë kundër në Parlamentin ku partia Tisza e kryeministrit Péter Magyar mban shumicën prej dy të tretave.

Ai ka shërbyer për 17 vjet si gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe njihet si kritik i ish-kryeministrit Viktor Orban.

Zgjedhja e tij vjen në një kohë kur qeveria e Magyarit po përpiqet të zbusë ndikimin që Orban kishte ndërtuar mbi institucionet shtetërore gjatë viteve të tij në pushtet.

Partia Tisza fitoi zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Orbanit dhe duke premtuar një “ndryshim sistemi” në Hungari.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Hungaria zgjedh Andras Bakën president, një kritik i njohur i Orbanit appeared first on Sinjali.

Kandidatja e mundshme për presidente amerikane ngrin vezët, nuk dëshiron të bëhet nënë tani

11 August 2026 at 19:47

Alexandria Ocasio-Cortez po e mban të hapur mundësinë për të kandiduar për presidente të SHBA-së në vitin 2028, ndërsa në të njëjtën kohë ka marrë një vendim personal për të ruajtur mundësinë e të bërit nënë në të ardhmen.

Deputetja demokrate 36-vjeçare ka bërë të ditur se ka nisur procesin e ngrirjes së vezëve, duke thënë se këtë vendim e ka marrë për të pasur “më shumë kontroll mbi jetën e saj”.

Vendimi vjen në një kohë kur emri i saj po përmendet gjithnjë e më shumë në mesin e figurave të mundshme demokrate për garën presidenciale të vitit 2028. AOC ende nuk ka konfirmuar se do të kandidojë, por nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.

Ajo ka treguar se kishte kursyer para për procedurën, pasi sigurimi i saj shëndetësor nuk e mbulonte ngrirjen e vezëve për arsye jo mjekësore.

Ngrirja e vezëve u mundëson grave të ruajnë vezët në një moshë më të re dhe t’i përdorin potencialisht në të ardhmen përmes fertilizimit in vitro. Procesi zakonisht përfshin rreth dy javë trajtim hormonal, kontrolle mjekësore dhe më pas marrjen dhe ngrirjen e vezëve.

Mjekët theksojnë se mosha ka rëndësi të madhe, pasi me kalimin e viteve ulen si numri, ashtu edhe cilësia e vezëve. Për këtë arsye, procedura përdoret nga disa gra që duan të ruajnë një mundësi për shtatzëni në të ardhmen, pa qenë të detyruara të marrin menjëherë vendime për familjen.

Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se ngrirja e vezëve nuk garanton një shtatzëni. Suksesi varet nga mosha në momentin e ngrirjes, numri dhe cilësia e vezëve, si dhe faktorë të tjerë gjatë procesit të fertilizimit.

Vendimi i Ocasio-Cortez ka marrë vëmendje të madhe edhe përtej çështjes së fertilitetit, pasi ajo është një nga figurat më të njohura të krahut progresist të Partisë Demokratike dhe prej muajsh është përfshirë në spekulimet për garën presidenciale të vitit 2028. Në muajt e fundit, ajo ka bërë lëvizje që kanë shtuar edhe më shumë zërat se mund të synojë një post më të lartë politik.

Nëse vendos të hyjë në garë, AOC do të përballej me një garë të fortë brenda Partisë Demokratike, por tashmë konsiderohet një nga emrat që po monitorohen më nga afër për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kandidatja e mundshme për presidente amerikane ngrin vezët, nuk dëshiron të bëhet nënë tani appeared first on Sinjali.

❌