Kanadaja ka hapur një zyrë konsullore në Groenlandë, një veprim që vjen pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte sugjeruar më parë se SHBA-ja duhet ta pushtojë ishullin Arktik për arsye sigurie kombëtare.
Zyrtarë kanadezë, përfshirë Guvernatoren e Përgjithshme, Mary Simon, dhe Ministren e Jashtme, Anita Anand, udhëtuan sot në Nuuk për të inauguruar konsullatën.
Po ashtu, sot zyrtarët francezë mbërritën në Groenlandë për të përuruar konsullatën e tyre. Lëvizjet e të dy vendeve janë një shenjë e mbështetjes së vazhdueshme nga aleatët e NATO-s për Groenlandën, pas deklaratave të Trump.
Presidenti amerikan që atëherë ka rishikuar komentet e tij, duke thënë se tani po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Gjykata e Apelit e Kosovës nuk ua ka konfirmuar masën e paraburgimit të një grupi personash të dyshuar për manipulim të procesit zgjedhor, duke e kthyer çështjen në rivendosje në shkallën e parë.
Vendimi i Apelit vjen pas vlerësimit se arsyetimi për caktimin e paraburgimit nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe se nuk janë përmbushur plotësisht kriteret ligjore për këtë masë ekstreme sigurie.
Burime të besueshme nga bëjnë të ditur se gjykata e shkallës së parë pritet ta rishqyrtojë sërish masën ndaj të dyshuarve.
Këta janë personat e përfshirë në këtë fazë të procedurës:
Alkete Vorfi – AAK
Ardijan Lipoveci – VV
Durim Shala – PDK
Fatih Llallo – PDK
Qendrim Krasniqi – VV
Sabrije Bytyqi – PDK
Muhamed Jakupi – LDK
Jetmir Hajdari – LDK
Granit Pagarizi
Të njëjtit po hetohen për veprën penale “Falsifikim i rezultatit të votimit”, ndërsa procedura penale vazhdon dhe pritet vendimi i ri lidhur me masën e sigurisë.
Florian Loshaj ka bërë një lëvizje interesante në Turqi.
Mesfushori dardan, është futbollisti më i ri i Igdir FK. Mesfushori 29-vjeçar vendosi që të largohej nga Istanbulspor, për të nisur një aventurë të re me ekipin tjetër të Ligës së Parë turke.
Me klubin e ri, mesfushori nga Skënderaj ka firmosur kontratë 1.5-vjeçare, pra të vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Gjatë këtij edicioni, Loshaj ishte kapiten tek Istanbulspor, duke realizuar 4 gola dhe duke bërë 6 asistime në 23 ndeshje.
Paraqitjet e mira të Loshajt kanë rënë në sy të drejtuesve të Igdir, të cilët vendosen për transferimin e tij.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fshirë një video që e kishte publikuar më herët në rrjete sociale e ku ish-presidenti Barack Obama e bashkëshortja e tij, Michelle Obama, paraqiteshin në trupa të majmunëve.
Klipi i përcjellë me këngën “Luani fle sonte” – ishte në fund të një videoje 62-sekondëshe që përmbante pretendime për mashtrim me vota në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së në vitin 2020, raporton televizioni BBC.
Senatori republikan, Tim Scott, i bëri thirrje presidentit që ta fshijë postimin, duke e përshkruar atë si “gjënë më raciste që e kam parë në Shtëpinë e Bardhë”.
Shtëpia e Bardhë fillimisht e mbrojti klipin, duke e quajtur “video meme e internetit” dhe u tha kritikëve që “ta ndalin zemërimin e rremë”.
Klipi që u ngjan karikaturave raciste ku personat me ngjyrë krahasohen me majmunë duket se ishte marrë nga një postim në rrjetin X që ishte shpërndarë nga krijuesi konservator i memeve, Xerias, në tetor.
Në video, edhe ish-presidenti tjetër amerikan, Joe BIden, paraqitet në trupin e një majmuni duke ngrënë banane.
Familja Obama ende nuk e ka komentuar videon.
Edhe pse vetë Trumpi nuk dha ndonjë koment në postimin e tij, vetëm shpërndarja e videos nxiti reagime të shumta.
“Sjelle e neveritshme nga presidenti. Secili republikan duhet ta denoncojë këtë. Tani” – tha zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.
Në një shkrim të shkurtër, guvernatori i Illinoit, JB Pritzker, tha se “Donald Trumpi është racist”.
Be brutally honest: Are you okay with Donald Trump sharing a video just now depicting Barack and Michelle Obama as Apes and do you believe that Michelle and Barack are Black monkeys as Trump portrays them? Yes or no? pic.twitter.com/pgiY2x1nem
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arrestuar të dyshuarin për sulmin e vitit 2012 ndaj konsullatës amerikane në Benghazi të Libisë.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi ka njoftuar se Zubayr al-Bakoush është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara dhe do të përballet me akuza për vrasje, arrestim dhe terrorizëm.
Katër pjesëtar të personelit amerikan në mesin e tyre edhe ambasadori amerikan, Chris Stevens u vranë në sulmin e 11 shtatorit 2012, i cili fillimisht u mendua të ishte një reagim spontan ndaj protestave, por më vonë u identifikua si një sulm i qëllimshëm i kryer nga ekstremistë, disa prej të cilëve ishin të lidhur me grupe të lidhura me al-Kaedën.
Al-Bakoush është personi i tretë që përballet me akuza penale për sulmin. Ndërsa i dyshuar i katërti, u vra në një sulm ajror në Irak në vitin 2015.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Pentagon, ku është pritur në takim nga z. Alton Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Haradinaj ka theksuar mirënjohjen e përhershme të Kosovës ndaj popullit dhe shtetit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e lirisë, ndërtimit të shtetit dhe sigurisë.
Ai ka nënvizuar se tani është momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Haradinaj ka riafirmuar gjithashtu se Ushtria e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me ushtritë e vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Golat e Vedat Muriqit në La Liga po bëhen rutinë. Sulmuesi kosovar ka shënuar tashmë 15 gola në elitën e futbollit spanjoll, duke treguar formë të lartë edhe ndaj ekipeve më të mëdha të Spanjës.
Muriqi shkëlqeu në janar, duke shënuar pesë gola në katër ndeshje dhe duke fituar çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në La Liga, çmim që e mori për herë të dytë në karrierë. Me gol e asistim, sulmuesi e nisi edhe muajin shkurt, duke kontribuar në fitoren 4:1 të Mallorcas në “San Moix” ndaj Sevillas.
Tjetër paraqitje të mirë Muriqi synon të ketë të shtunën në ndeshjen që Mallorca e luan në udhëtim te Barcelona, nga ora 16:15, në kuadër të xhiros së 23-të të La Ligës.
Në vitin 2023, Muriqi kishte shënuar e asistuar në barazimin 2:2 në shtëpi ndaj Barcelonës, ndërsa një tjetër gol realizoi në vitin 2024 në disfatën 5:1 po në shtëpi.
Para përballjes me Mallorcan, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur në konferencë për shtyp, duke vlerësuar lartë sulmuesin kosovar.
“Shënimi i golave është i rëndësishëm, por edhe stili jonë i lojës ka rëndësi edhe më shumë. Kështu që duhet të jemi të fokusuar në çdo moment. Ne do të luajmë kundër Mallorcas që e ka Muriqin, i cili është duke kaluar sezon shumë të mirë. Dhe ne duhet të kemi vëmendje të veçantë ndaj tij”, ka deklaruar të premten Flick.
Ndërsa Barcelona po lufton për titull kampioni, Mallorca është duke luftuar për mbetjen në elitë. Barça udhëheq me 55 pikë, ndërsa Mallorca ka 24 pikë dhe pozicionohet në vendin e 14-të.
Mallorca ka grumbulluar një pjesë të madhe të pikëve falë formës së shkëlqyer të Muriqit, i cili është në ndjekje të rekordit të Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë në histori të klubit në La Liga. Sulmuesi kosovar ka shënuar 49 gola, ndërsa Eto’o 54.
Në listën e golashënuesve më të mirë të elitës spanjolle, vetëm Kylian Mbappé i Real Madridit (22 gola) është më lart se prizrenasi, i cili ka lënë pas futbollistë të njohur si Ferran Torres, Ante Budimir, Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Mikel Oyarzabal, Raphinha dhe Julian Alvarez.
Një aksident trafiku mes dy automjeteve ka ndodhur në rrugën Prishtinë–Pejë, saktësisht në fshatin Gllarevë.
Si pasojë e aksidentit, një person ka mbetur i lënduar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i lënduari është dërguar fillimisht për trajtim në QKMF në Klinë, e më pas në Spitalin Rajonal të Pejës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e aksidenteve, të cilët po merren me zbardhjen e rrethanave të rastit.
Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave të dyshuar për manipulim me vota, duke e kthyer lëndën në rivendosje për rishqyrtim.
Të dyshuarit D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.H. dhe G.P. dyshohen për përfshirje në manipulimin e procesit të votimit, mirëpo Apeli ka konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale në vendimin e shkallës së parë.
Sipas Apelit, gjyqtarja e procedurës paraprake nuk ka dhënë arsyetim të qartë dhe konkret lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar, si kriter kyç për caktimin e paraburgimit. Në aktvendimin e Themelores janë listuar provat, por pa u analizuar apo konkretizuar veprimet individuale të secilit të pandehur.
Gjykata e Apelit ka theksuar se mungon sqarimi se mbi cilat prova është vërtetuar mospërputhja e numrit të votave, si dhe mungon një trajtim analitik i standardit të “dyshimit të bazuar”. Sipas saj, një vlerësim formal dhe jo substancial i provave cenon të drejtën e të pandehurve për një vendim të drejtë dhe të arsyetuar.
Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se shkalla e parë ka përmendur vetëm peshën e veprës penale, pa argumentuar me fakte dhe prova konkrete rrezikun e përsëritjes së veprës, duke theksuar se pesha e veprës nuk mund të jetë e vetmja bazë për caktimin e paraburgimit.
Në këto rrethana, Apeli e ka vlerësuar të domosdoshme anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në rivendosje. Gjykata Themelore është udhëzuar që në procedurën e re të bëjë një analizë të plotë dhe të detajuar të provave dhe të arsyetojë qartë nëse ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke u mbështetur në prova konkrete dhe të argumentuara.
Ndryshe, hetimet dhe intervistimi i të dyshuarëve po vazhdon në të gjithë Kosovën.
Bashkimi Evropian ka prezantuar propozimet për paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila synon sektorin e energjisë, shërbimet financiare dhe tregtinë.
Sipas njoftimit, paketa përfshin një ndalim të plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse, si dhe shtimin e 43 anijeve të tjera në listën e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Kremlinit. Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Masat e propozuara parashohin gjithashtu një ndalim të ri për mallrat dhe shërbimet, që do të shtrëngojë kufizimet e eksportit që vijnë nga Rusia. Po ashtu, ndalimet e reja të importit për metalet, kimikatet dhe mineralet kritike do të vlejnë më shumë se 570 milionë euro.
Në kuadër të paketës janë paraparë edhe masa kundër kompanive dhe platformave që mundësojnë tregtinë e kriptomonedhave, ndërsa 20 banka të tjera rajonale ruse do të shtohen në listën e sanksioneve.
“Rusia do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm me qëllim të sinqertë nëse i bëhet presion ta bëjë këtë. Kjo është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një hap përpara sot”, tha von der Leyen.
Propozimi duhet të miratohet nga 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi zyrtarisht.
Ndryshe, paketa e 19-të e sanksioneve të Bashkimit Evropian, e cila synonte flotën në hije dhe ndaloi importet e gazit natyror të lëngshëm, kishte hyrë në fuqi në muajin nëntor.
Praktika e ndjekur dhe e përseritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në procesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për evidentimin e rezultateve të zgjedhjeve, tregon një devijim serioz nga dispozitat ligjore të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Ky devijim nga KQZ, ka cenuar drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor, gjë që u dëshmua në disa Qendra Komunale të Numërimit (QKN), ku u evidentuan parregullsi të rënda në numërimin e votave të kandidatëve.
Ndonëse rinumërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) u ndërmor pikërisht për shkak të dështimit të procesit të parë në QKN, KQZ nuk ndërhyri për ta korrigjuar shkakun e problemit.
Përkundrazi, ajo vazhdoi të aplikojë të njëjtën praktikë të paligjshme, duke ua lënë ekipeve numëruese jo vetëm numërimin e fletëvotimeve, por edhe regjistrimin e drejtpërdrejtë të rezultateve në sistemin elektronik, pa asnjë filtër të pavarur verifikimi.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, jo vetëm në një rast, por në disa raste e kufizon qartësisht se rezultatet e çdo vendvotimi dërgohen për tabulim në QNR apo se futja e të dhënave dhe rezultateve bëhet në QNR.
Por, çka ndodhi saktësisht?
Neni 101 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që rregullon procesin e numërimit të fletëvotimeve dhe shpalljen e rezultateve, i ndan qartë rolet dhe përgjegjësitë institucionale.
Ndonëse ligji ka ndarë rolet, duke mos lejuar numëruesin të bëjë tabulimin e rezultateve, por vetëm evidentimin apo regjistrimin e tyre në formularë, praktika e KQZ-së nuk ka ndjekur ligjin e zgjedhjeve.
Në pikën 4 të këtij neni thuhet se çdo komunë duhet të ketë një Qendër Komunale të Numërimit (QKN), ku bëhet pranimi i kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, numërimi i fletëvotimeve dhe vlerësimi i votave për kandidatët, si dhe plotësimi i formularëve të rezultateve të kandidatëve për secilin vendvotim.
Pra, ky paragraf, kufizon rolin e QKN-ve deri vetëm në plotësimin e fomrularëve të rezultateve të kandidatëve.
Kjo bëhet më e qartë me pikën 13 e të njejtit nen, ku saktësohet se të dhënat për çdo vendvotim dërgohen për tabulim në Qendrën e Numërimeve dhe Rezultateve (QNR), menjëherë pas përfundimit të punës së çdo ndërrimi.
Në këtë pikë, ligji bën një dallim të qartë mes procesit të numërimit në QKN dhe procesit të futjes dhe tabulimit të të dhënave në QNR.
Por, në praktikë, kjo ndarje ligjore nuk është respektuar. Ekipet numëruese në Qendrat Komunale të Numërimit, pasi që kanë numëruar fletëvotimet, kanë futur vetë të dhënat drejtpërdrejt në sistem. Kjo do të thotë se futja e të dhënave nuk është bërë në QNR, siç e kërkon ligji, por në QKN, një praktikë që nuk ka bazë ligjore.
Ky veprim përbën një shkelje të qartë të Nenit 101 dhe ngrit pikëpyetje serioze për ligjshmërinë dhe sigurinë e procesit zgjedhor. Duke u dhënë ekipeve numëruese kompetenca që ligji nuk ua njeh, KQZ ka ndryshuar de facto procedurën zgjedhore pa ndryshuar ligjin.
Më problematike është pika 16 e Nenit 101, e cila përkufizon se rezultatet përfundimtare shpallen vetëm pasi të kenë përfunduar numërimi, futja e të dhënave në QNR dhe periudha e ankesave.
Pra, ky paragraf shprehimisht tregon se futja e të dhënave dhe rezultateve bëhet në QNR dhe jo në QKN.
Ndonëse këto detaje procedurale duken se janë formalitete burokratike, por në fakt, ato kanë qëllim për të garantuar numërimin e votave dhe që numëruesve të mos u jepet e drejta që votat që numërojnë t’i fusin vetë në sistem.
KQZ vazhdoi me shkeljet edhe në rinumërim në QNR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndjekur praktikën e njejtë edhe në procesin e rinumërimit të 2 mijë e 557 vendvotimeve nga e gjithë Kosova. Ndonëse rinumërimi është bërë në ambientet e Qendrës për Numërim dhe Rezultate, as në këtë rast futja e rezultateve nuk ka ndjekur ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Ashtu si në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) edhe në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) futja e rezultateve në sistem është bërë nga personat e njejtë që kanë numëruar fletëvotimet. Pra, ekipet numëruese të fletëvotimeve, kanë evidentuar punën e tyre drejtpërdrejt në sistemin e rezultateve.
Pavarësisht se rinumërimi në QNR u bë për shkak të dështimit të numërimit të votave të kandidatëve në QKN, KQZ nuk evitoi problemin, por vazhdojë të ndjekë praktikën e njejtë, ku ekipet numëruese të fletëvotimeve, regjistruan punën e tyre apo numërimin e votave në sistemin e rezultateve.
Devijimi nga ligji filloi në zgjedhjet e 9 shkurtit
Praktika e lejimit të ekipeve numëruese që përveç numërimit të fletëvotimeve, të regjistrojnë vetë edhe rezultatet në sistemin elektronik nuk është një fenomen i izoluar i zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ajo është vendosur për herë të parë gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Prej atëherë, futja e të dhënave në sistem u bë nga të njejtet persona që kishin kryer numërimin e fletëvotimeve, duke e reduktuar rolin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në një funksion formal, pa verifikim real dhe pa kontroll të pavarur. Në vend që kjo praktikë të korrigjohej pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, KQZ e institucionalizoi atë, duke e zbatuar sërish në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe madje edhe në procesin e rinumërimit.
Ambasada Amerikane ka njoftuar se i Ngarkuari me Punë, Josh Peterson, mori pjesë të premten në ceremoninë e Transferimit të Autoritetit të Aviacionit të Task Forcës së KFOR-it, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Ambasada bëri të ditur se falënderime iu shprehën komandantit në largim, nënkolonel Snook, dhe Task Forcës Griffin, për shërbimin dhe kontributin e tyre të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.
Po ashtu, u mirëprit komandanti i ardhshëm, nënkolonel Bryant, dhe Task Forca Blackjack, të cilët marrin përgjegjësinë për mbështetjen e aviacionit të KFOR-it, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një edicion shumë pozitiv me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.
23-vjeçari deri më tani ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 21 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës së tij. Forma e mirë e Asllanit nuk ka kaluar pa u vërejtur në Gjermani.
Sipas mediave gjermane, dy gjigantë të futbollit gjerman, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi, kanë shprehur interesim për sulmuesin kosovar. Ky interes është konfirmuar të premten edhe nga mediumi T-Online.
Ndihmëstrajneri i Hoffenheimit, Moritz Volz, ka folur për paraqitjet dhe potencialin e Asllanit, duke e vlerësuar lart:
“Fisniku është djalë i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë lojtar fantastik. Kënaqesh duke e parë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”, tha Volz.
Ai shtoi se: “Megjithatë, prioriteti i tij është që të kalojë formë sa më të mirë në Bundesligë dhe me përfaqësuesen. Më pas do të shohim”.
Volz theksoi gjithashtu: “Fokusi jonë është që ta vazhdojmë punën me Fisin për potencialin që e ka. Deri tani ka shfaqur potencial të madh për moshën që e ka. Por, ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe për përmirësim”.
Hoffenheimi të dielën nga ora 17:30 do të luajë një sfidë të madhe në udhëtim ndaj Bayern Munichut, skuadrës lidere të Bundesligës.
Vlen të theksohet se Hoffenheimi është i vetmi ekip në Bundesligë që ka fituar të gjitha ndeshjet gjatë muajit janar, duke konfirmuar formën e lartë në këtë fazë të sezonit.
Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë zhvilluar bisedime në Oman në një moment krize, që ka rritur shqetësimet për një përballje ushtarake mes dy vendeve.
Bisedimet indirekte u mbajtën në kryeqytetin Muskat, ndërkohë që ushtria amerikane po rrit praninë e saj në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar, ku sipas organizatave për të drejtat e njeriut u vranë mijëra persona.
Duke folur për televizionin shtetëror pas takimeve, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime të mëtejshme, duke e cilësuar takimin si një “fillim të mirë”.
Irani kishte deklaruar më herët se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja kërkon që Irani të ngrijë këtë program dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar. Shtetet e Bashkuara kanë insistuar gjithashtu që negociatat të përfshijnë raketat balistike iraniane dhe mbështetjen e Teheranit për grupet e armatosura në rajon.
Më parë, ministri i Jashtëm i Omanit kishte zhvilluar takime të ndara me Araghchin, me dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin dhe emisarin e presidentit Donald Trump. Sipas Omanit, “konsultimet u përqendruan në përgatitjen e kushteve të duhura për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”.
Rundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte paraparë të mbahej në qershorin e kaluar, por u anulua pas një sulmi të befasishëm nga Izraeli ndaj Iranit.
Në javët e fundit, Trumpi ka kërcënuar se do të bombardojë Iranin nëse nuk arrihet marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që presidenti e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije të tjera luftarake dhe avionë luftarakë.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar se do të godasë objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme si dhe Izraelin.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.
Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.
Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.
“Po ashtu, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj, duke e cilësuar Gjermaninë si një partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Një tërmet me magnitudë 4.9 ballë u regjistrua në rajonin Kemah të Erzincanit në Turqi.
Tërmeti u regjistrua me një thellësi prej 4.52 kilometrash, ndërsa lëkundjen u ndjenë edhe në Elazig, Trabzon, Adiyaman, Malatya dhe provincat përreth.
Kryetari i Bashkisë Erzincanit, Bekir Aksun, duke folur drejtpërdrejt për mediat turke, tha se nuk pati viktima apo dëme materiale.
Sulme masive nga piranjat janë regjistruar në një plazh në Argjentinë, duke shkaktuar shqetësim tek autoritetet.
Sipas mediave vendase, incidentet ndodhën pranë qytetit të Victorias, në provincën e Entre Rios. Dhjetëra persona mësohet se hynë në ujë për t’u freskuar për shkak të temperaturave të larta.
Më shumë se 40 persona pësuan lëndime në krahë dhe këmbë, ndërsa një burri iu amputua krahu. Sipas autoriteteve lëndimet varionin nga kafshime të thella deri në humbjen e një gishti.
Fëmijët dhe të rriturit u dërguan në spitalin lokal, të gjithë me plagë nga dhëmbët e mprehtë të peshkut, ndërsa incidente të reja ndodhën gjatë së hënës me të paktën pesë të plagosur të tjerë.
Rojet bregdetare ngritën flamuj të kuq dhe urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të plazhit, duke paralajmëruar për rrezik.
Karim Benzema është përplasur me një gazetar gjatë një interviste të zjarrtë pas debutimit të tij të shkëlqyer te klubi i ri, Al Hilal, ku shënoi një hat-trick.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, 38 vjeç, kishte refuzuar ofertën për zgjatje të kontratës nga ish-klubi i tij, Al Ittihad, për t’u transferuar të hënën te një nga rivalët më të mëdhenj, Al Hilal. Ky transferim shkaktoi tronditje në të gjithë Superligën e Arabisë Saudite, ndërsa ESPN raportoi se ylli i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, u përpoq ta bllokonte kalimin e Benzemas, duke e konsideruar të padrejtë.
Pretendohet se Ronaldo besonte se transferimi “tregonte se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF) donte t’i hapte rrugën Al Hilal për të fituar titullin” me nënshkrimin e ish-shokut të tij të skuadrës te Real Madridi.
Benzema nuk ngurroi ta thumbonte Ronaldon pas transferimit, duke thënë: “Al Hilal është Real Madridi i Azisë”.
Ronaldo refuzoi të luante në ndeshjen e Al Nassr kundër Al Riyadh të hënën dhe raportohet se mund të bojkotojë edhe ndeshjen e radhës kundër ish-klubit të Benzemas, Al Ittihad, të premten.
Pavarësisht këtyre veprimeve, Benzema e përfundoi transferimin te Al Hilal të hënën dhe nisi aventurën e tij në mënyrën perfekte, duke shënuar një hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Al Akhdoud në transfertë, të enjten në mbrëmje.
Pas ndeshjes, Benzema u përplas me një gazetar që e pyeti vazhdimisht për arsyet e largimit nga Al Ittihad dhe bashkimin me Al Hilal.
“A doni të flisni për ndeshjen apo doni të flisni për atë? Flisni për ndeshjen”, tha fituesi i Topit të Artë 2022, duke shtuar: “Ishte një paraqitje e bukur. Ndihem mirë. Me këta lojtarë në këtë skuadër, ne luajmë dhe luftojmë së bashku”.
Gazetari pyeti më pas: “A do të thotë kjo se ata [lojtarët e Al Hilal] ju ndihmuan më shumë se lojtarët e Al Ittihad?”
Benzema u përgjigj menjëherë: “Nuk thashë këtë. Thashë që ndihem mirë, është ndryshe”.
Më tej, kur u pyet: “Pse nuk u përshëndetët me lojtarët e Al Ittihad?”, Benzema, dukshëm i irrituar, u përgjigj: “Çfarë? Ju e dini? Ju e dini? Pyetini ata”.
| Karim Benzema visibly loses his cool after a journalist repeatedly questions him about Al-Ittihad.
Tensioni i lartë i gjakut, i njohur si “vrasësi i heshtur”, prek gati gjysmën e të rriturve dhe shpesh nuk jep asnjë shenjë. Ai rrit ndjeshëm rrezikun për infarkt, sulm në tru, dështim të zemrës dhe lidhet edhe me rënien e funksioneve të trurit dhe demencën.
“Hipertensioni është faktori më i ndryshueshëm i rrezikut për sëmundjet e zemrës, sulmin në tru dhe, sipas provave të reja, edhe për rënien e aftësive njohëse”, ka thënë doktori Eduardo Sanchez nga Shoqata Amerikane e Zemrës, ka shkruar The New York Times.
Ja disa hapa të thjeshtë që ndihmojnë realisht:
Njihni vlerat tuaja
Shumë njerëz me tension të lartë nuk e dinë që e kanë atë. Tensioni normal është nën 120/80 mm Hg. Mbi këtë nivel fillon dëmtimi i enëve të gjakut, zemrës, veshkave dhe trurit.
“Matja duhet bërë siç duhet: ulur, me këmbët në tokë, krahun në nivelin e zemrës dhe pa folur”, ka shpjeguar doktoresha Jennifer Cluett.
Ajo këshillon edhe matjen në shtëpi, pasi disa persona kanë tension më të lartë vetëm te mjeku.
Kuptoni rrezikun personal
Tensioni i lartë zhvillohet me kalimin e kohës dhe ndikohet nga gjenetika, pesha e tepërt, duhani, mungesa e gjumit dhe stresi.
“Nëse në familje ka pasur persona që kanë pësuar infarkt apo sulme në tru, rreziku është më i lartë të familjarët e tjerë”, ka thënë doktoresha Fatima Coronado nga CDC.
Mosha, gjinia dhe shtatzënia janë faktorë shtesë që duhen marrë seriozisht.
Ndiqni një dietë me ushqime miqësore për zemrën
Dieta DASH konsiderohet më efektivja për uljen e tensionit. Ajo përfshin ushqime të pasura me kalium, i cili ndihmon trupin të largojë natriumin dhe relakson enët e gjakut.
“Kaliumi ndihmon në uljen e presionit në enët e gjakut”, shpjegojnë mjekët.
Ai gjendet te avokadoja, pjepri, agrumet, spinaqi dhe perimet me gjethe të gjelbra.
Ulja e konsumimit të kripës është po ashtu thelbësore.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon jo më shumë se 2,300 mg natrium në ditë, ideale edhe më pak.
Alkooli gjithashtu rrit tensionin, ndaj rekomandohet kufizimi i fortë ose shmangia.
Lëvizni dhe menaxhoni stresin
Aktiviteti fizik, sidomos ecja e shpejtë, ushtrimet aerobike dhe ushtrimet statike si “plank” apo mbajtja në mur, ndihmojnë në uljen e tensionit.
Sipas specialistëve, ushtrimet e bëjnë zemrën të punojë me më pak përpjekje. Edhe ushtrimet joga dhe meditimi ndihmojnë në uljen e stresit.
Mos kini frikë nga ilaçet
Objektivi është tensioni nën 130/80 mm Hg, ndërsa nën 120/80 është edhe më mirë. Shpesh kjo arrihet vetëm me ilaçe.
“Edhe nëse merrni ilaçe, ndryshimet në stilin e jetës mbeten shumë të rëndësishme dhe ndikojnë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm”, ka theksuar Cluett.