Klubi anglez West Ham United po e ndjek me vëmendje sulmuesin kosovar Albion Rrahmani, i cili aktivizohet te Sparta e Pragës.
Sipas mediave çeke dhe burimeve pranë klubit londinez, West Ham mund të rikthehet në tregun çek të transferimeve gjatë afatit të janarit.
West Ham është bërë i njohur vitet e fundit për afrime lojtarësh nga kampionati çek. Këtë herë, në listën e vëzhgimit të klubit janë tre sulmues: Rafiu Durosinmi i Viktoria Plzen, Mojmír Chytil i Slavia Pragës dhe Albion Rrahmani i Sparta Pragës.
Të tre lojtarët janë pjesë e rëndësishme e skuadrave të tyre dhe aktivizohen në repartin e sulmit.
Edhe pse ende nuk ka një ofertë zyrtare nga West Ham, klubi anglez po i analizon me kujdes këto emra, me synimin për të përforcuar fazën ofensive në gjysmën e dytë të sezonit.
Partnerët e Kosovës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e Francën, kanë bërë të ditur pritjet e tyre që më 28 dhjetor Kosova të zhvillojë një proces zgjedhor fer dhe demokratik, si dhe të formojë sa më shpejt institucione të stabilizuara pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar rëndësinë e një qeverie stabile dhe të vendosur për vendin.
Në një intervistë për “Express”, ai ka nënvizuar se bashkëpunimi dhe kompromisi ndërmjet partive pas zgjedhjeve do të jenë thelbësore për tejkalimin e ngërçit politik dhe për arritjen e progresit.
“Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka lavdëruar të kaluarën e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua t’i falënderoj për këtë”, ka shtuar ai.
Po ashtu, edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka ftuar partitë politike që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ditë më parë, ai ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku i ka shprehur pritjet e Francës për një partner të besueshëm në stabilitetin rajonal.
“Shpreha shpresën time se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të çojnë në formimin e një qeverie. Ne kemi nevojë për një partner të plotë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. E informova Presidenten Osmani për dëshirën tonë për të mbështetur tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e #Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të #Frankofonisë dhe shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona”, ka shkruar Guerot në llogarinë e tij në “X”.
Të hënën, rreth orës 18:00, qytetarja M. Thaqi (45 vjeçe) nga Ferizaj ka gjetur në tokë një shumë prej 470 euro në parkingun e një qendre tregtare në qytet. Paratë i janë dorëzuar menjëherë Policisë.
“Fillimisht, nuk dihej se kujt i përkisnin paratë. Po atë ditë, rreth orës 20:30, në stacionin policor është paraqitur ankuesja D. F. nga Kaçaniku, e cila ka raportuar humbjen e një shume parash”, njoftoi Policia.
Pas verifikimeve të nevojshme, u konstatua se bëhej fjalë për të njëjtën shumë parash. Paratë i janë kthyer pronarit legjitim më datë 23.12.2025.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetaren M. Thaqi për gjestin e saj “human dhe shembullor, e cila dëshmon nivel të lartë përgjegjësie qytetare dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, ka zhvilluar një bisedë të ngrohtë dhe të frytshme me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për gjithë mbështetjen, ndihmën dhe angazhimin maksimal të Bashkimit Evropian, jo vetëm këtë vit, por që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.
“Java e kaluar, Këshilli Evropian miratoi një vendim për 90 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën për periudhën 2026–2027, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Vlerësojmë shumë faktin që BE po mbështet Ukrainën në këtë mënyrë në këtë moment vendimtar diplomatik,” shkroi Zelensky në X.
Ai shtoi se negociatat në vazhdim mund ta ndryshojnë rrënjësisht situatën dhe nënvizoi rëndësinë e sigurimit të presionit të duhur mbi Rusinë, në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë bisedës, u diskutua edhe mbështetja për qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe forcimin e pozicioneve të vendit në tryezën e negociatave, ndërsa u dakorduan kontakte të mëtejshme në ditët në vijim.
Zelensky gjithashtu theksoi se, edhe pse bota po përgatitet për Krishtlindje, puna për arritjen e paqes dhe garantimin e sigurisë nuk ndalon asnjë ditë.
Pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, vendet evropiane po shqyrtojnë nëse duhet të zbatojnë masa të ngjashme për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet e botës digjitale, raportoi të martën “Euronews”.
Që nga 10 dhjetori, fëmijët australianë nën 16 vjeç nuk mund të krijojnë ose të mbajnë më llogari në platforma si Facebook, X, Threads, Snapchat, Instagram, TikTok, Twitch, Reddit dhe YouTube. Shkelësit e ligjit mund të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 28 milionë euro).
Danimarka
Në nëntor, qeveria daneze njoftoi se ka siguruar një marrëveshje nga të gjitha partitë politike për të ndaluar qasjen në disa faqe rrjetesh sociale për ata nën moshën 15 vjeç. Masa ka për qëllim “të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale” nga përmbajtjet e dëmshme. Caroline Stage, ministrja daneze për çështjet digjitale, tha për Associated Press se mund t’u duhen muaj ligjvënësve për të miratuar legjislacionin përkatës. Danimarka planifikon të krijojë një aplikacion për verifikimin e moshës, pa specifikuar detaje mbi zbatimin e ndalimit.
Franca
Anne Le Hénanff, ministrja franceze e çështjeve digjitale, tha për gazetën La Dépèche se departamenti i saj synon të paraqesë një projektligj për të kufizuar rrjetet sociale për ata nën moshën 15 vjeç në fillim të vitit 2026. Ky veprim vjen pas një raporti parlamentar në shtator që rekomandoi ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, pas një padie të shtatë familjeve franceze ndaj TikTok në vitin 2024, duke e akuzuar platformën se ekspozonte fëmijët ndaj përmbajtjes që inkurajon vetëvrasjen. Në Francë, fëmijët nën 15 vjeç kanë nevojë për pëlqimin e qartë të prindërve për të hapur një llogari, dhe prindërit mund të kërkojnë mbylljen e saj.
Spanja
Një projektligj që po studiohet nga ligjvënësit spanjollë sugjeron që fëmijët nën 16 vjeç të mos hyjnë në rrjetet sociale, platformat e komunikimit ose çdo hapësirë virtuale që përfshin inteligjencën artificiale gjeneruese (GenAI) pa pëlqimin e qartë të prindërve. Një sondazh i YouGov tregoi se 79% e prindërve spanjollë pajtohen me kufizim moshe në stilin australian, por një në tre e sheh zbatimin si të vështirë.
Italia
Majin e kaluar, parlamenti italian prezantoi një projektligj për kufizime në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke përfshirë edhe “kidfluencers”. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha për Il Foglio se Italia duhet të ndjekë modelin australian. Një padi kolektive në pritje synon të detyrojë kompanitë e teknologjisë të zbatojnë verifikime më strikte të moshës, pasi më shumë se 3.5 milionë fëmijë përdorin platformat pavarësisht se janë shumë të vegjël.
Greqia
Në shtator, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha për Asamblenë e OKB-së se vendi po shqyrton ndalim të ngjashëm me modelin australian. “Nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat, por jemi pothuajse të sigurt se ato nuk do të jenë pozitive”, cituan mediat lokale. Greqia tashmë ka ndaluar përdorimin e telefonave inteligjentë në klasë dhe ka lansuar një faqe interneti për udhëzime prindërore mbi kontrollet në pajisjet iOS dhe Android.
Gjermania
Aktualisht nuk ka kufizime për personat nën 16 vjeç, sipas Parlamentit gjerman. Qeveria ka kërkuar një studim mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek adoleshentët dhe do të paraqesë raportin përfundimtar në vjeshtën e vitit 2026. Një peticion për moshën minimale ligjore 16 vjeç ka marrë mbi 34,000 nënshkrime dhe po shqyrtohet.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë prej 2,064 kilogramë mish pule.
“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, AUV thekson se vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, u arrestua në Londër nga policia britanike, teksa po merrte pjesë në një protestë pro-palestineze të zhvilluar në qendër të kryeqytetit britanik.
Sipas mediave të huaja arrestimi i saj u konfirmua nga Policia e Qytetit të Londrës, e cila njoftoi se 22-vjeçarja u ndalua për shfaqjen e një pankarte në mbështetje të organizatës Palestine Action, e cila është shpallur organizatë e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Protesta ishte organizuar në shenjë solidariteti me tetë anëtarë të Palestine Action, të cilët ndodhen aktualisht në paraburgim dhe janë në grevë urie prej më shumë se 50 ditësh.
Ata po protestojnë kundër procesit gjyqësor ndaj tyre, si dhe ndaj kushteve të burgimit që, sipas mbështetësve, konsiderohen të padrejta.
Demonstrata u mbajt përpara zyrave të kompanisë Aspen Insurance në Londër.
Organizatorët e protestës pretendojnë se kjo kompani ofron shërbime sigurimi për Elbit Systems, një kompani izraelite e industrisë së mbrojtjes, e cila është shpesh objekt kritikash nga aktivistët pro-palestinezë.
Greta Thunberg, e njohur ndërkombëtarisht për angazhimin e saj në çështjet klimatike, ka zgjeruar vitet e fundit aktivizmin e saj edhe në fusha të tjera, përfshirë të drejtat e njeriut dhe konfliktet ndërkombëtare.
Rusia kreu një sulm “masiv” gjatë natës në disa qytete ukrainase, tha presidenti Volodymyr Zelensky, një ditë pasi paralajmëroi për goditje gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Të paktën tre persona u vranë, sipas zyrtarëve ukrainas, përfshirë një fëmijë katërvjeçar, ndërsa infrastruktura energjetike u godit gjithashtu, duke lënë disa rajone pa energji. Rusia lëshoi 635 dronë dhe 38 raketa, tha forca ajrore e Ukrainës, duke shtuar se 621 prej tyre u rrëzuan.
Sipas BBC, Zelensky tha se “njerëzit thjesht duan të jenë me familjet e tyre, në shtëpi dhe të sigurt” në prag të Krishtlindjes, dhe se sulmet dërguan “një sinjal jashtëzakonisht të qartë për prioritetet e Rusisë” pavarësisht bisedimeve të paqes. Ai shtoi se presidenti rus Vladimir Putin “ende nuk mund të pranojë se duhet të ndalojë së vrari. Dhe kjo do të thotë se bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion mbi Rusinë”.
Zelensky kishte paralajmëruar më parë se ishte në “natyrën” e Kremlinit të “kryente sulme masive” gjatë periudhës festive. Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.
Autoritetet lokale në rajonin qendror Zhytomyr konfirmuan vdekjen e fëmijës. Kreu rajonal Vitaly Bunechko tha se fëmija “u dërgua në spital, mjekët luftuan për jetën e tij por nuk mundën ta shpëtonin në fund.” Pesë të tjerë u plagosën në sulm, shtoi ai.
Ndërkohë, një grua 76-vjeçare u vra dhe tre persona u plagosën kur një shtëpi në rajonin e Kievit u godit, sipas shërbimit të emergjencave të Ukrainës.
Një sulm në Khmelnytskyy, në Ukrainën perëndimore, vrau një 72-vjeçar, tha kreu i administratës rajonale Serhiy Tyurin.
Avionë luftarakë polakë u ngritën në ajër si përgjigje ndaj raketave dhe dronëve që synonin Ukrainën perëndimore.
Ministria e mbrojtjes ruse tha se kishte synuar “uzinat e kompleksit ushtarako-industrial ukrainas dhe objektet mbështetëse të energjisë”. Ajo shtoi se të gjitha objektivat e përcaktuara ishin goditur.
Ndërkohë, Ukraina raportohet se goditi një uzinë petrokimike në Stravropol, në Rusinë jugore. Video të shpërndara nga kanale mediatike ruse online treguan flakë të mëdha që ngriheshin nga drejtimi i uzinës.
Guvernatori i rajonit, Vladimir Vladimirov, tha se një dron ukrainas goditi uzinën dhe shkaktoi zjarr. Nuk u raportuan viktima dhe ndërtesat banesore mbetën të padëmtuara.
Oleksandr Chyrvonyi, që jeton në qytetin e Zaporizhzhia pranë vijës së frontit, i tha BBC-së se e hëna në mbrëmje ishte “një përvojë jashtëzakonisht e pakëndshme”. “Fjeta katër ose pesë orë, kishte njoftime të vazhdueshme që më zgjonin se dronë dhe raketa po vinin”, tha ai, duke shtuar se shumica kaluan pranë qytetit të tij drejt rajoneve perëndimore dhe qendrore.
Ndërprerjet e energjisë janë bërë normaliteti i ri. Zaporizhzhia ka rreth 10 orë energji nga 24, tha ai. Ka një “ndjesi të përgjithshme mungese civilizimi”, vazhdoi ai, por tha se përpiqet të ketë “një iluzion të një jete normale”. Me temperaturat që pritet të bien deri në -7°C të mërkurën, operatori energjetik i Ukrainës paralajmëroi për ndërprerje emergjente të energjisë “në të gjitha rajonet” dhe u bëri thirrje njerëzve të përdorin energjinë “me kursim.”
Ministri i përkohshëm i energjisë Artem Nekrasov tha se ishte sulmi i nëntë i madh ndaj sistemit energjetik të Ukrainës këtë vit, dhe se furnizimi në rajonet Rivne, Ternopil dhe Khmelnytsky ishte “pothuajse plotësisht” i humbur.
Deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko i tha BBC World Service se disa zona mund të mbeten pa energji “për ditë.”
Fokusi kryesor i sulmeve ruse në ditët e fundit ka qenë qyteti port jugor i Odesës, pas kërcënimit të Vladimir Putin për të ndërprerë aksesin e Ukrainës në Detin e Zi. Presidenti rus e bëri kërcënimin si hakmarrje për sulmet me dronë ukrainas ndaj cisternave që i përkasin “flotës hije” të Rusisë, anije të përdorura për të transportuar mallra përfshirë naftën që janë nën sanksione perëndimore.
Në kryeqytetin ukrainas, shumë dyshojnë se sulmi i natës lidhet me vrasjen të hënën të një gjenerali të lartë rus pas shpërthimit të një bombe në makinë në Moskë. Gjeneral Lejtnant Fanil Sarvarov, kreu i departamentit të trajnimit operacional të forcave të armatosura vdiq në shpërthim, të cilin Rusia e ka fajësuar mbi Ukrainën. Kievi nuk ka komentuar.
Sulmi gjithashtu vjen pas raundit të fundit të bisedimeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA në Miami, ku të dërguarit nga Uashingtoni dhe Kievi kanë hartuar propozime të detajuara për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Zelensky, SHBA kishte propozuar një armëpushim për Krishtlindje, por Rusia e refuzoi idenë. Zelensky tha se të martën në mëngjes mori një raport mbi ecurinë e bisedimeve, dhe se “tashmë janë përgatitur disa dokumente draft”, përfshirë një kornizë bazë për t’i dhënë fund luftës, garanci të ardhshme sigurie për Ukrainën, dhe për rimëkëmbjen e vendit pas luftës.
Putin pritej gjithashtu të informohej nga i dërguari i tij Kirill Dmitriev të martën mbi diskutimet e fundit me Uashingtonin.
Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i trishtueshëm i vdekjes së ish-futbollistit profesionist gjerman Sebastian Hertner.
34-vjeçari vdiq të dielën në një aksident të rëndë në vendpushimin e skive Savin Kuk në Mal të Zi, pasi ra nga një teleferik nga një lartësi prej rreth 70 metrash.
Tragjedia ndodhi ndërsa Hertner dhe gruaja e tij 30-vjeçare po përdornin një teleferik. Pas rënies së tij, gruaja e tij mbeti e bllokuar në teleferik dhe u desh të shpëtohej nga shërbimet e emergjencës. Ajo pësoi një thyerje të këmbës.
Hertner luajti në divizionin e dytë gjerman për 1860 Munich, Aue dhe Darmstadt gjatë karrierës së tij. Kohët e fundit ai ishte aktiv si kapiten i ekipit të divizionit të pestë ETSV Hamburg.
Ekipi promovues që qëndron pas ndeshjes Anthony Joshua – Jake Paul ka paralajmëruar veprime ligjore kundër kujtdo që pretendon se lufta ishte e kurdisur.
Këtë e ka konfirmuar Nakisa Bidarian, partnerja në biznes e Jake Paul dhe bashkëthemeluese e kompanisë Most Valuable Promotions, duke bërë të ditur se janë angazhuar avokatë për t’i dhënë fund pretendimeve të pabaza që u përhapën në internet pas meçit.
Ndërsa akuzat për trukim ndeshjesh kanë shoqëruar pothuajse çdo përballje që Paul ka zhvilluar, me përjashtim të humbjes ndaj Tommy Fury, kjo është hera e parë që ekipi i tij ka njoftuar masa konkrete ligjore.
Paul edhe më herët i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se manipulimi i ngjarjeve sportive profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën krim federal.
Në një paraqitje si i ftuar në emisionin “The Ariel Helwani Show” të hënën, Bidarian ka dhënë detaje lidhur me këto pretendime. Kur u pyet nga prezantuesi nëse performanca e Paul, pavarësisht nokautit të rëndë, ishte e mjaftueshme për të heshtur teoricienët e konspiracionit, ai u shpreh qartë: “Jo, jo tamam. Avokatët tanë po ndjekin penalisht në mënyrë aktive një numër njerëzish.”
Ndërkohë, kujtojmë se në ndeshjen e zhvilluar të premten në Miami, dy herë ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, e nokautoi brutalisht Jake Paulin në raundin e gjashtë, duke ia thyer nofullën në dy vende.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka udhëtuar të paktën tetë herë me aeroplan privat të Jeffrey Epstein midis viteve 1993-1996, thuhet në një dokument të fluturimeve të Epsteinit, raportoi BBC-ja.
Ky informacion është nga emaili i datës 7 janar 2020, i shkruar nga një ndihmësprokuror federal i Distriktit Jugor të New Yorkut.
Në email thuhet se Trumpi ishte pasagjer në më shumë fluturime nga sa ishte raportuar më parë. Në të paktën katër prej këtyre fluturimeve ndodhej edhe Ghislaine Maxwell.
“Në një fluturim në vitin 1993, ai dhe Epsteini janë të vetmit pasagjerë të regjistruar në listë; në një tjetër fluturim ishin Epstein, Trumpi dhe një 20-vjeçar në atë kohë”, thuhet në email.
Në vitin 2022, Ghislaine Maxwell u dënua me 20 vjet burgim për krime që përfshijnë komplot për të joshur të miturit të udhëtojnë në mënyrë që të përfshihen në akte të jashtëligjshme seksuale dhe trafikim seksual të një të mituri.
Trumpi ishte mik i Epsteinit për vite me radhë. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epsteinin. Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.
E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, të martën është takuar me kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile të serbëve të Kosovës në veri të vendit.
Takimi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
“Ajo ka theksuar pritjet e Shteteve të Bashkuara për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve, si dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike që janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së.
Ndërkohë, kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, të premten, më 5 dhjetor, kanë dorëzuar mandatet e tyre kryetarëve të rinj nga radhët e Listës Serbe.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pas bisedimeve që i ka cilësuar si produktive mes zyrtarëve ukrainas dhe emisarëve të presidentit amerikan, Donald Trump, janë përgatitur disa dokumente draft, përfshirë ato për garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin e vendit dhe një kornizë bazë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Sipas një postimi të Zelensky-t në rrjetin social X, pas informimit nga negociatorët ukrainas Rustem Umerov dhe Andrii Hnatov, bisedimet janë zhvilluar gjatë fundjavës në Majemi të Floridës, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, janë mbajtur edhe bisedime të veçanta me përfaqësues rusë.
Zelensky ka theksuar se në këto takime janë vendosur pikat kryesore për të arritur një fund real të luftës dhe për të parandaluar një invazion të tretë rus, pas atij të vitit 2014 në Krime dhe Donbas.
Megjithatë, Kremlini ka shprehur rezerva lidhur me këto zhvillime. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, ka deklaruar se bisedimet nuk duhet të shihen si një përparim i madh, por si një proces pune që do të vazhdojë.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë me këto zhvillime diplomatike, Rusia ka kryer një sulm masiv ajror mbi sistemin energjetik të Ukrainës.
Si pasojë e sulmeve, të paktën tre persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe një fëmijë, ndërsa janë shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, vetëm pak ditë para festave të Krishtlindjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në mbledhjen e radhës orarin e numërimit të votave gjatë natës së ndërrimit të moteve, duke vendosur që më 31 dhjetor procesi të zhvillohet deri në ora 12:00 dhe më pas të ndërpritet, ndërsa të rifillojë më 1 janar nga ora 16:00.
Çështja ka nxitur diskutime mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me angazhimin e ekipeve gjatë festave të fundvitit dhe nevojën për vazhdimësi të procesit zgjedhor, në mënyrë që rezultatet të publikohen sa më shpejt dhe të ruhet integriteti i procesit.
Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, tha se vendimi është marrë në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por hapi dilemë lidhur me punën më 1 janar.
“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se procesi zgjedhor nuk duhet të ndalet për shkak të festave.
“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se për këtë orar tashmë janë njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore.
“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
I pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.
Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.
Rasti i është dërguar për shyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur gjatë pasdites të së martës në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në segmentin Duhël-Suharekë.
Lajmin e ka konfirmuar Bajram Krasniqi, i cili tha se i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 13:30, policia është njoftuar se ka ndodhur një aksident trafiku në autostradë, segmenti Duhël-Suharekë. Njësia policore e trafikut për kontroll të autostradës, njofton se në aksident është përfshirë një veturë dhe si pasojë e aksidentit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore. Njësia policore është marrë me procedurat në vendngjarje”, ka thënë Krasniqi.
Përfshirja e Kosovës në Aktin e Mbrojtjes të nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, është vlerësuar si sinjal politik i rëndësishëm nga Uashingtoni, veçanërisht për riafirmimin e njohjes reciproke me Serbinë dhe refuzimin e ndarjeve territoriale mbi baza etnike.
Megjithatë, eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se ky akt nuk duhet parë si garanci e re për mbështetje të pakushtëzuar ndaj Kosovës.
Sipas Serwerit, siç e citoi Koha, gjuha e përfshirë në ligj është më shumë rezultat i përpjekjeve për të frenuar ndryshime të mundshme në politikën amerikane.
“Ndërsa më pëlqen gjuha që Kongresi ka miratuar, do të ishte gabim të interpretohej ajo si një shenjë pa mëdyshje pozitive”, ka thënë ai, duke shtuar se lobistë të ndryshëm po përpiqen “të përmbysin politikën tradicionale të SHBA-së që favorizon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.
Serwer ka theksuar se Kongresi ka tentuar të vendosë një lloj “frenimi”, por ka paralajmëruar se “Presidenti ka autoritet pothuajse 100 për qind në politikën e jashtme” dhe se nuk ka garanci që kjo gjuhë do të respektohet.
Ai ka shprehur skepticizëm edhe për dialogun Kosovë–Serbi dhe perspektivën euroatlantike.
“Kosova duhet gjithmonë të synojë njohjen e ndërsjellë, por nuk kam asnjë arsye të besoj se kjo është më e mundshme sot sesa më parë”, ka deklaruar Serwer.