Normal view

Received today — 27 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Leon Rej, francezi që zbuloi dhe dokumentoi pasurinë arkeologjike të Apolonisë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Më 27 gusht 1887 lindi Leon Rej (Leon Rey), arkeologu francez që la një gjurmë të rëndësishme në zbulimin dhe dokumentimin e pasurisë sonë arkeologjike.

Pas marrëveshjes së vitit 1923 midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës Franceze, si drejtues i misionit arkeologjik francez në Shqipëri, ai udhëhoqi për 14 vjet gërmimet në Apoloni, duke nxjerrë në dritë monumente dhe dëshmi të rëndësishme të lashtësisë së vendit tonë.

Për herë të parë në arkeologji, ai përdori metodën e fotografimit nga lart të rrënojave antike, duke shfrytëzuar avionët luftarakë francezë.

Leon Rej u përpoq të krijonte në Fier një muze ku do të ekspozoheshin objektet e zbuluara gjatë gërmimeve në Apoloni, por projekti nuk gjeti mbështetjen e qeverisë së kohës. Më vonë, në vitin 1936, me mbështetjen e atdhetarëve, godina historike në Vlorë, ku kishte funksionuar Qeveria e Përkohshme pas Shpalljes së Pavarësisë, u përshtat si muze arkeologjik.

Veprimtarinë e tij në shërbim të trashëgimisë shqiptare ai e pasqyroi edhe përmes revistës shkencore “Albanie, Cahiers d’Archeologie, d’Histoire et d’Art en Albanie et dans les Balkans” (“Shqipëria, fletoret e arkeologjisë, historisë dhe artit në Shqipëri dhe në Ballkan”), botuar në Paris gjatë viteve 1925–1939.

Në to u botuan studime të rëndësishme mbi arkeologjinë, historinë dhe artin shqiptar e ballkanik.

Leon Rej u nda nga jeta më 9 nëntor 1954, në Paris.

Apolonia e Ilirisë është një qytet antik i Ilirisë, rrënojat e të cilit u zbuluan pranë fshatit të sotëm Pojan (Fier). Qyteti u themelua në vitin 588 para Krishtit nga kolonët grekë nga Korfuzi dhe Korinthi. Ajo ra nën sundimin e Republikës Romake në vitin 229 para Krishtit.

Apolonia e rriti pasurinë e saj gjatë periudhës romake dhe u përmend nga Ciceroni në Filipikët e tij si magna urbs et gravis (një qytet i madh dhe me ndikim). Rënia e qytetit filloi në shekullin III pas Krishtit.

Vetëm pas pushtimit austriak të rajonit nga viti 1916 deri në 1918, filluan gërmimet e para nga një ekip francez, i udhëhequr nga arkeologu Léon Rey, midis viteve 1924 dhe 1938.

The post Leon Rej, francezi që zbuloi dhe dokumentoi pasurinë arkeologjike të Apolonisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received yesterday — 26 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Është një hap përpara për emrin e presidentit

PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit mbrëmjen e sotme me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se diskutimet për presidentin kaluan në një fazë më konkrete, duke konfirmuar se janë diskutuar emra konkretë.

“Siç ju kemi thënë edhe herën e kaluar, pas dakordimit rreth parimeve për presidentin apo presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës, sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave konkretë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se në tërësinë e emrave të prezantuar të gjithë në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak, është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani.

“Dhe në këtë drejtim, le të themi se ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të bëjë publikë emrat e diskutuar.”

Ai paralajmëroi një tjetër takim për të finalizuar procesin.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju lutem për mirëkuptim, nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai nuk dha detaje për numrin e takimeve apo të emrave të diskutuar, duke thënë se fokusi është te arritja e një marrëveshjeje që do t’i sjellë stabilitet vendit.

“Unë nuk flas me numra, sa kanë qenë, sa do të jenë, por po përpiqemi, meqë se jemi të interesuar që t’i japim stabilitet Republikës së Kosovës. Meqë se kuptojmë ndjesinë se Kosova ka shumë zëra për destabilitet e shumë pak zëra të arsyeshëm për stabilitet, duam të jemi zë i arsyes për këtë stabilitet. Presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë që gëzon besueshmëri dhe që i përshtatet përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore që bart ky post”, shtoi Abdixhiku. /KosovaPress/

The post Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Është një hap përpara për emrin e presidentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon takimi Kurti – Abdixhiku për emrat e kandidatëve për president, do të vazhdojnë bisedimet

PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, tha sonte në daljen para medieve pas takimit me liderin e LDK, Lumir Abdixhiku, se ka biseduar me të për emra të përveçëm për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk pranoi t’i bënte të ditur ata.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti.

Takimi mes tyre vjen disa orë pasi zyrtari i LVV-së, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, tha se partia i ka emrat për presidentin, por nuk deshi t’i zbulojë.

As Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke thënë se dëshiron ta ruajë “konfidencialitetin e bisedimeve” me Abdixhikun./REL/

The post Përfundon takimi Kurti – Abdixhiku për emrat e kandidatëve për president, do të vazhdojnë bisedimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Wikoff: KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse Ura e Ibrit duhet të hapet apo jo

PRISHTINË, 25 gusht /ATSH/ Vendimet lidhur me praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër bazohen në vlerësimet e situatës së sigurisë të bërë nga NATO, ka thënë komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Napoli, admirali George Wikoff.

Ai tha se, vendimi nëse ura duhet të hapet për qarkullim të automjeteve apo jo mbetet te BE-ja dhe tek autoritetet përkatëse të Kosovës.

“”KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo i takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë ta përcaktojnë pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, ka thënë Wikoff.

“Personeli i KFOR-it, – theksoi ai, – do të mbetet i pranishëm në zonat përreth.”

Sipas një komunikate nga KFOR, zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it. Megjithatë, KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve. KFOR-i më 10 gusht 2026  bëri të ditur për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura e Ibrit, si dhe ka nisur ta integrojë gradualisht policinë në sigurinë e manastirit të Deçanit.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë Albin Kurti parlajmëroi për atë ditë një takim me komandantin e KFOR-it, por më vonë u bë e ditur nga misioni paqëruajtës, se është anuluar takimi që pretendohej nga Kurti të jetë me temën për hapjen e urës së Ibrit edhe për vetura.

/KosovaPress/

The post Wikoff: KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse Ura e Ibrit duhet të hapet apo jo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lojërat Mesdhetare, Shqipëria fiton 3-1 përballë Kosovës

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Kombëtarja kuqezi luajti sot ndeshjen e dytë në Grupin B të turneut të futbollit në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Kuqezinjtë fituan 3-1 përballjen me Kombëtaren e Kosovës (U21).

Goli i parë u shënua në minutën e 51-të nga Bode, ndërsa Valentin Daja në minutën e 74-t dyfishoi rezultatin e ndeshjes. Në minutën e 92-të Arlind Leshi nuk e pati të vështirë të shënonte nga afër portës golin e tretë. Një minutë më pas Kosova shënoi “golin e nderit” me Edon Hajdinin.

Përballjen e fundit në grup kuqezinjtë e kanë me Algjerinë, ndërsa Kosova luan ndaj Italisë, edhe pse teorikisht është e skualifikuar.

Pas barazimit 1-1 ndaj Italisë, të besuarit e Alban Bushit me këtë fitore kanë bërë një hap për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër me një fitore të mundshme ndaj Algjerisë.

Renditja aktuale e Grupit B:

Ekipi Pikët
1. Algjeria 6 pikë
2. Shqipëria 4 pikë
3. Italia 1 pikë
4. Kosova 0 pikë

 

The post Lojërat Mesdhetare, Shqipëria fiton 3-1 përballë Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mot i kthjellët, termometri pritet të shkojë 38° Celsius në Shkodër e Gjirokastër

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Sipas SHMU moti sot parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, në verilindje-juglindje do të ketë vranësira mesatare përgjatë relieveve malore në orët e mesditës deri ato të pasdites. Pas orëve të pasdites pritet mot kryesisht i kthjellët.

Reshjet e shiut parashikohen të dobëta dhe në formë pikash në mënyrë të izoluar në veri e lindje, përgjatë maleve.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-3 ballë.

Moti, e diel, 23 gusht 2026
1 nga 2

 

The post Mot i kthjellët, termometri pritet të shkojë 38° Celsius në Shkodër e Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Anulohet takimi Kurti-Ulutash për Urën e Ibrit

PRISHTINË, 22 gusht /ATSH/ KFOR bëri të ditur sot se takimi mes komandantit të këtij misioni Ozkan Ulutas dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk u zhvillua.

Në njoftimin për media të KFOR-it thuhet se takimi i planifikuar nuk u zhvillua për shkak të rrethanave të paparashikuara.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë.

KFOR-i vazhdon aktivitetet e tij të përditshme në të gjithë Kosovën, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999’’, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Më herët gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se sot do të takohet me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.

Ai tha se janë në komunikim të përditshëm me KFOR-in që kjo hapje të bëhet në mënyrë paqësore.

“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të Urës së Ibrit, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe sot kam një takim në Kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, komandantin Ozkan Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme në mënyrë që të shkojë gjithçka në mënyrë të qetë dhe paqësore”.

Më pas Kurti tha se pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm në këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve tregojnë që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e ekonominë.

KFOR-i ditë më parë njoftoi për “tranzicion gradual” të pranisë së tij mbi Urën e Ibrit, ndërsa Bashkimi Evropian deklaroi se tashmë janë përmbushur kushtet që kjo urë të hapet edhe për automjete. /KosovaPress/

The post Anulohet takimi Kurti-Ulutash për Urën e Ibrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superiore, ndahen në barazim sfidat Partizani-Teuta dhe Laçi-Elbasani

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Kanë përfunduar në barazim dy ndeshjet e luajtura sot pasdite, Partizani – Teuta dhe Laçi – AF Elbasani, të vlefshme për javën e parë të kategorisë Abissnet Superiore.

Partizani dhe Teuta e kanë nisur këtë edicion në Abissnet Superiore me një barazim pa gola të regjistruar mes tyre në stadiumin e Vorës.

Pjesa e parë dhuroi dy episode, ku fillimisht ishte një penallti e dhënë për durrsakët të cilën Kallaku e gaboi duke goditur shtyllën, e më pas një karton i kuq në fund për Hjumën i cili u ndëshkua pas një veprimi naiv.

Kjo bëri që Partizani të luante në mbrojtje dhe t’i lëshonte terrenin Teutës, e cila provoi të gjente golin sidomos me Umeijego e Pedro, por pa sukses.

Kështu të dyja skuadrat e mbyllën me një barazim pa gola këtë duel, i cili ishte i pari zyrtar për Bratu në pankinën e të kuqve dhe Tetovën në atë të durrsakëve.

Ndërsa ndeshja tjetër, ajo mes Laçit dhe Elbasanit u mbyll në barazim 1 me 1, në një përballje tepër të luftuar, teksa të dy golat u shënuan në pjesën e dytë.

Fillimisht ishte Hebaj që kthehu në gol në minutën e 56-të një penallti të fituar nga Boriçi, ndërkohë që supergoli i Orgi Cenas në minutën e 84-t, rikthehu baraspeshën.

Në minutën e katërt të shtesës, kurbinasit për pak sa nuk shënuan edhe golin e dytë, teksa gjuajtja e Bibos nga goditja e dënimit, u ndal në traversë.

Edicioni i 88-të i Superiores nisi me takimin e së premtes Vllaznia-Skënderbeu, që u mbyll gjithashtu në barazim (2-2).

Të dielën, në orën 21:00, do të luhen edhe dy takimet e fundit të javës së parë: Dinamo City – FK Vora, dhe Egnatia – Tirana.

The post Superiore, ndahen në barazim sfidat Partizani-Teuta dhe Laçi-Elbasani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL-UÇK mbështet propozimin e Haradinajt që Thaçi të zgjidhet president pas kthimit në Kosovë

PRISHTINË, 22 gusht /ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka mbështetur propozimin e ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj, që Hashim Thaçi të rimarrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës dhe të zgjidhet president pas kthimit të tij në Kosovë.

Në një postim në Facebook, OVL-UÇK ka vlerësuar se ky propozim “mbart peshë kombëtare dhe institucionale” dhe se i shërben, sipas tyre, frymës unifikuese në vend.

“Roli i Hashim Thaçit në shërbim të luftës çlirimtare dhe më pas përgjegjësitë institucionale nëpër të gjitha proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese janë garanci dhe siguri për ecjen përpara të Kosovës në krah me aleatët tanë strategjikë”, thuhet në postimin e tyre.

OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve relevante dhe forcave politike që ta shqyrtojnë seriozisht këtë propozim, duke e vendosur atë përtej ndasive partiake.

“Sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të mbizotërojë interesi kombëtar, dinjiteti dhe siguria e shtetit, duke mos anashkaluar asnjëherë nderimin dhe respektin për ata që luftuan, sakrifikuan dhe fituan lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”, thuhet më tej.

Ndërkaq ditën e sotme, Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se vazhdimi i mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi pas kthimit të tij do të ishte, sipas tij, një çështje e interesit kombëtar dhe kundërpërgjigje ndaj atyre që i konsideron “armiq të Kosovës”.

“Është nderi i kësaj legjislature, po edhe i çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin Presidentit Thaçi”, është shprehur Haradinaj. /KosovaPress/

The post OVL-UÇK mbështet propozimin e Haradinajt që Thaçi të zgjidhet president pas kthimit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm dhe i nxehtë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare, por kalimtare. Reshjet e shiut parashikohen të dobëta dhe në formë pikash në mënyrë të izoluar në veri e lindje, përgjatë maleve.

Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i perëndimit, me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-2 ballë.

Moti, e shtunë, 22 gusht 2026
1 nga 2

The post Moti sot i qëndrueshëm dhe i nxehtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia-Skënderbeu, katër gola pa fitues sfida hapëse e Superiores

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ndeshja hapëse e edicionit të 88-të të kategorisë Abissnet Superiore, ajo mes Vllaznisë dhe Skënderbeut u mbyll me rezultatin 2-2 (Balaj 50′, 54′ (p) / 57′ Janaqi, 75′ Bismark).

Abissnet Superiore e sezonit 2026-2027 startoi sot në stadiumin “Loro Boriçi” me një përballje të luftuar mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, dy skuadra të cilat që në nisje duket se luftojnë për objektiva të ndryshëm.

Një rezultat surprizë ky, pasi ekipi korçar shkonte në Shkodër pa blerjet e reja të merkatos së verës, për shkak se ka merkaton e bllokuar në FIFA. Por korçarët, duke luajtur me Bismark në mbrojtje, nuk ngurronin të kundërsulmonin dhe ishte Nasr ai i cili disa herë iu afrua golit.

Vllaznia përfitoi nga 5 minuta në pjesën e dytë, ku gjeti dy herë rrjetën me Balajn. Por Janaqi ktheu ekipin në lojë me një predhë nga distanca. Skënderbeu nuk ndali sulmet dhe në fund ia doli të shënonte me Bismark. Më pas, kishte kohë edhe për kartonin e kuq të Dulis i cili bëri që shkodranët të mbyllnin ndeshjen me 10 lojtarë, mes vërshëllimave të disa prej tifozëve të tyre të pakënaqur.

Kalendari i plotë i javës së parë të “Abissnet Superiore”:

Java 1
Vllaznia – Skënderbeu, 2-2
Partizani – Teuta, 22.08.2026, 16:00
KF Laçi – AF Elbasani, 22.08.2026, 16:00
Dinamo City – FK Vora, 23.08.2026, 21:00
Egnatia – Tirana, 23.08.2026, 21:00

The post Vllaznia-Skënderbeu, katër gola pa fitues sfida hapëse e Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Liria ka emër” marshim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK më 12 shtator

PRISHTINË, 21 gusht /ATSH/ Platforma “Liria ka emër” prezantoi sot nismën qytetare “Kosova po pret”, në kuadër të së cilës më 12 shtator do të organizohet “Marshi për liri”, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në konferencën për mediet, Eliza Hoxha tha se nisma synon të përcjellë zërin e qytetarëve për drejtësi, dinjitet dhe respekt ndaj historisë së Kosovës.

“Kosova po pret një moment të rëndësishëm. Po pret ditën kur në Hagë do të merret vendimi nga Dhomat e Specializuara për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tash e gjashtë vjet jemi munduar përmes disa aktiviteteve të jemi pranë tyre, të ngremë shqetësimin tonë dhe kërkesën tonë për gjykim të drejtë… Për këtë arsye, kemi vendosur që më 12 shtator, ditë e shtunë, të organizojmë “Marshin për liri”, tha ajo.

Hoxha tha se marshi synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, gjeografike, kulturore dhe shoqërore.

“Ky marsh synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, gjeografike, kulturore e shoqërore, për të manifestuar në emër të popullit të Kosovës që lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe që historia jonë nuk mund të rishkruhet”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se aktivitetet do të nisin nga nesër me vendosjen e një numërimi mbrapsht në Prishtinë, i cili do të tregojë kohën e mbetur deri më 16 shtator, kur pritet të mbahet seanca përmbyllëse e procesit në Hagë.

“Aktiviteti i parë fillon që nesër, në orën 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një LED countdown apo numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator nga ora 10:00 e mëngjesit kur pritet kryerja e seancës përmbyllëse të procesit në Hagë.

I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës.

Çdo orë që kalon do të na kujtojë të gjithëve se Kosova po pret. Do t’u kujtojë edhe të tjerëve jashtë Kosovës. Po pret drejtësi, po pret dinjitet, po pret çlirimtarët të kthehen në shtëpitë e veta”, tha Hoxha.

Në kuadër të kësaj nisme janë paralajmëruar edhe “Netët e lirisë”, të cilat do të zhvillohen në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohen kujtesës, rrëfimit dhe bashkimit ndërmjet brezave.

Ndërsa, Ismail Tasholli u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve të katër partive më të mëdha në Kosovë që t’i bashkohen “Marshit për liri”.

“I  ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend zotin Kurti, zotin Hamza, zotin Abdixhiku, zotin Haradinaj që të bëhen pjesë e marshit për liri.

Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve pa përjashtim. I ftojmë këtë ditë të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në marshin për liri. Jo për fushata, jo për të ngritur flamuj partiakë, po për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha Tasholli.

Tasholli bëri të ditur se aktivitetet nuk do të kufizohen vetëm në Kosovë. Më 16 shtator, kur vëmendja pritet të jetë e përqendruar në Hagë, “Liria ka emër” do të organizojë aktivitet edhe atje, në bashkëpunim me diasporën shqiptare. Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallet më 16 shtator.

/KosovaPress/

The post “Liria ka emër” marshim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK më 12 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League, Dinamo barazon 1-1 me Pafos, kualifikimi mbetet i hapur

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Dinamo City ka barazuar mbrëmjen e sotme 1-1 me Pafos në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Conference League. Një rezultat që e lë të hapur garën për kualifikimin, me gjithçka që do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Pas një pjese të parë pa gola, ku të dyja skuadrat patën momentet e tyre (Pafos humbi penallti në minutën e 36-të), sfida u zhbllokua në minutën e 79-të. Fadairo shënoi për Dinamo City, duke ndezur atmosferën në “Elbasan Arena” dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës shqiptare.

Megjithatë, epërsia e bluve zgjati vetëm pak minuta. Pafos fitoi një 11-metërsh dhe Lele u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 82-të, duke vendosur shifrat në 1-1.

Dinamo City tentoi deri në fund të rikthehej në avantazh, por rezultati nuk ndryshoi. Pas 90 minutave të para, skuadra shqiptare merr një barazim që e mban plotësisht në garë për një vend në fazën e ligës së UEFA Conference League.

Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit më 27 gusht, në 19:00, ku Dinamo City do të kërkojë të shfrytëzojë mundësinë për të vijuar aventurën europiane dhe për të siguruar një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar.

The post Conference League, Dinamo barazon 1-1 me Pafos, kualifikimi mbetet i hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Thaçi thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë

PRISHTINË, 20 gusht /ATSH/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Në një intervistë të realizuar me shkrim, dhënë në RTV Dukagjini, të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, pyetjet (për situatën aktuale politike në Kosovë) i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik, në orën 11:55.

Në kohën kur janë dërguar pyetjet drejt Hagës, në mars të këtij viti, Kosova ndodhej në një ngërç institucional, me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit dhe me vështirësitë për funksionalizimin e institucioneve.

Por, situata politike në Kosovë nuk ka marrë zgjidhje as disa muaj më vonë.

Tashmë jemi në gusht, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një situatë të ngjashme institucionale. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur edhe zgjedhje, por partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Pikërisht në këtë kontekst, Thaçi në intervistën e tij në Debat Plus ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.

Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.

Kjo është intervista e fundit e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

/KosovaPress/

The post Thaçi thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Europa League, Egnatia barazon 0-0 me Lillestrøm, gjithçka vendoset në Norvegji

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Kampionët e Egnatias kanë barazuar sot në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrøm.

Rrogozhinasit u ndanë sot në barazim pa gola në takimin e luajtur në “Arena Egnatia”, pas një ndeshjeje të ardhur në rritje nga minuta në minutë e ku duhet të theksohet se patën edhe fatin me vete në disa raste.

Ekipi rrogozhinas e nisi ndeshjen pa dy lojtarë të rëndësishëm në formacion, pasi Ndreca ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori në turin paraardhës. Ndërsa Haime mungonte dhe nuk figuronte as në stolin e rezervave.

Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të kujdesshme dhe të organizuar, duke u mbrojtur mirë dhe duke krijuar disa raste të mira për të shënuar.

Rrogozhinasit patën mundësitë e tyre gjatë takimit, por nuk arritën t’i konkretizonin. Rastin më i rrezikshëm ishte në pjesë e dytë, ku goditja me kokë e Grudës u ndal nga traversa.

Pas këtij rezultati, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Egnatia do të udhëtojë në Norvegji për të luajtur aktin e dytë të kësaj përballjeje, ku do të kërkojë fitoren dhe kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League.

Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në play-off-in e Europa League, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League.

Ndeshja e kthimit do të luhet në Norvegji pas një jave, në orën 19:00.

The post UEFA Europa League, Egnatia barazon 0-0 me Lillestrøm, gjithçka vendoset në Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident ujor mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, humb jetën një 24-vjeçar

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Një aksident ujor ka ndodhur pasditen e sotme në zonën mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, si pasojë e të cilit ka humbur jetën një 24-vjeçar.

Policia e Shkodrës njofton se rreth orës 16:15, midis Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, në thellësi (zonë lundrimi), nga një mjet lundrues gomone, dyshohet se aksidentalisht, njëri prej tre shtetasve që ndodheshin në bord ka rënë nga gomonia dhe është dëmtuar rëndë nga helika e motorit të gomones.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Shtetasi K. Gj., rreth 24 vjeç, është transportuar menjëherë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe më pas me autoambulancë në spital për ndihmë mjekësore, por, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

The post Aksident ujor mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, humb jetën një 24-vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sveçla: Arsenal i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok

PRISHTINË, 20 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dolën sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet për të dhënë më shumë informacion lidhur me gjetjen dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera gjatë operacioneve të zhvilluara në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçl, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjetën në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përmeç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t`i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuar, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”. /REL/

The post Sveçla: Arsenal i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti takim me shefin e ri të EULEX, diskutohet për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin

PRISHTINË, 19 gusht /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti priti sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit.

“Kryeministri e falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, në veçanti për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Kryeministri shprehu mirënjohje për kontributin dhe monitorimin e EULEX-it në këtë fushë, duke nënvizuar nevojën për reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e viktimave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një pjesë e takimit iu kushtua edhe situatës së sigurisë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe vëmendjes së shtuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike. “Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes”, thuhet në njoftim. /KosovaPress/

The post Kurti takim me shefin e ri të EULEX, diskutohet për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

CamelPhat për herë të parë në Shqipëri, performon live në Dhërmi

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ CamelPhat, duoja britanike e DJ-ve dhe producentëve Dave Whelan dhe Mike Di Scala, një prej emrave më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare të muzikës elektronike, vjen për herë të parë në Shqipëri.

Lajmi për ardhjen e tyre është ndarë në rrjetet sociale edhe nga kryeministri Edi Rama. “Për herë të parë në Shqipëri, duoja britanike me famë botërore e muzikës elektronike, të nominuar në Grammy me hitin “Cola”, në një natë elektrizuese nën ritmet e muzikës elektronike”, shkruan Rama.

CamelPhat do të performojë më 21 gusht në Dhërmi.

CamelPhat janë ndër emrat më të njohur të muzikës house të viteve të fundit, me miliona dëgjues dhe performanca në disa prej skenave më të mëdha të muzikës elektronike në botë. Dyshja nga Liverpooli pati shpërthimin ndërkombëtar me “Cola”, bashkëpunimin me Elderbrook që u kthye në një hit global dhe arriti në vendin e parë të klasifikimit amerikan Billboard Dance Club Songs.

“Cola” u nominua në vitin 2018 për Grammy në kategorinë Best Dance Recording, ndërsa suksesi i saj e vendosi CamelPhat mes emrave kryesorë të skenës elektronike ndërkombëtare. Sipas Defected Records, kënga ka kaluar tashmë dy miliardë dëgjime në platformat audio dhe është certifikuar “multi-platinum”.

Publiku shqiptar do të ketë për herë të parë mundësinë t’i shohë live në Dhërmi, në një prej netëve që pritet të jetë ndër ngjarjet e mëdha të muzikës elektronike në bregdet këtë sezon veror.

The post CamelPhat për herë të parë në Shqipëri, performon live në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Turizmi në rritje, Shkodra në krye për të ardhurat nga Airbnb

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Shkodra po forcon çdo vit pozicionin e saj si një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme të Shqipërisë.

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka publikuar sot të dhënat e AirDNA për korrikun 2026, që konfirmojnë ecurinë e fortë të turizmit në Shkodër.

AirDNA është një platformë analitike që ofron të dhëna dhe njohuri globale të Airbnb me teknologji të përparuar për të ndihmuar pronarët e shtëpive me qira afatshkurtra (Airbnb) në të gjithë botën që të marrin vendime më të zgjuara e më të dobishme.

Me 1861 prona aktive në Airbnb, Shkodra regjistron të ardhurat mesatare më të larta për listim mes qyteteve turistike jobregdetare të analizuara nga kjo platformë.

Sipas saj, janë 4300 dollarë të ardhura mesatare për listim në 12 muaj, duke shënuar 49,8% rritje të të ardhurave në një vit, me 43% nivel zënie të Airbnb.

Çmimi mesatar për një natë shkon në 70 dollarë.

Kryebashkiaku Beci thekson se këto shifra dëshmojnë rritjen e interesit për Shkodrën dhe ndikimin gjithnjë e më të madh të turizmit në ekonominë lokale.

The post Beci: Turizmi në rritje, Shkodra në krye për të ardhurat nga Airbnb appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌