❌

Normal view

Protesta për strehimin në Portugali, 37 persona të plagosur pas ndërhyrjes së policisë

15 October 2026 at 21:23

Të paktën 37 persona kanë mbetur të plagosur gjatë një ndërhyrjeje policore në Porto të Portugalisë, ku efektivët tentuan të largonin protestuesit që kishin ngritur kamping në sheshin Praça D. João I, në qendër të qytetit.

Sipas raportimeve, momentet më të tensionuara u regjistruan rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes, kur policia mbërriti për të shpërndarë demonstruesit që protestonin për të drejtat e strehimit.

Lëvizja për Strehim ka dënuar ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar atë si joproporcionale dhe të pajustifikuar. Në një deklaratë publike, organizata pretendon se kampingu kishte qenë paqësor që prej fillimit dhe se protestuesit nuk kishin nxitur akte dhune.

Sipas të njëjtës deklaratë, nga ndërhyrja mbetën të plagosur 37 persona, mes tyre edhe dy që pësuan fraktura.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet lidhur me të drejtën e strehimit në Portugali, ndërsa protestuesit kundërshtojnë mënyrën se si u zhvillua operacioni policor.

The post Protesta për strehimin në Portugali, 37 persona të plagosur pas ndërhyrjes së policisë appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Shpërthim me tritol në Kiras të Shkodrës, shënjestrohet automjeti i ekspertit të Policisë

By: A R
15 October 2026 at 21:23

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka tronditur mbrëmjen e kësaj të enjteje lagjen Kiras në Shkodër, ku objektiv i sulmit dyshohet të ketë qenë automjeti i A.B, ekspert i Policisë së Shkodrës.

Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse i është vendosur automjetit në rrethana që ende nuk janë sqaruar, ndërsa shpërthimi ka shkaktuar panik në zonë dhe ka alarmuar banorët përreth.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, grupi hetimor dhe ekspertët kriminalistikë, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe mbledhjen e provave.

Burime paraprake bëjnë me dije se një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me detyrën e efektivit të policisë, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet për motivet e shpërthimit.

Hetuesit po verifikojnë kamerat e sigurisë në zonë, si dhe çdo të dhënë që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, policia pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për të dhënë detaje më të plota mbi rrethanat e shpërthimit dhe ecurinë e hetimeve.

Ministri i Jashtëm i Francës: Ukraina furnizohet nga vendet evropiane me informacione inteligjente

By: A R
15 October 2026 at 21:17

Vendet evropiane, përfshirë Francën, aktualisht mbulojnë dy të tretat e të dhënave inteligjente që Ukraina merr nga partnerët e saj ndërkombëtarë.  Deklarata është bërë nga Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, gjatë një interviste për rrjetin ‘France Inter’, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi reduktimin e mundshëm të shkëmbimit të informacioneve nga ana e SHBA-së dhe kufizimet në sistemin e komunikimit satelitor Starlink.

“Më lejoni t’ju kujtoj se dy të tretat e informacioneve inteligjente që i ofrohen sot Ukrainës vijnë nga evropianët, përfshirë Francën”, deklaroi Barrot.

Sipas kreut të diplomacisë franceze, Evropa ka kohë që mban peshën kryesore të mbështetjes për Ukrainën dhe ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Uashingtoni ka reduktuar apo ndërprerë shkëmbimin e informacioneve me Kievin, ministri francez as nuk e konfirmoi dhe as nuk e përgënjeshtroi një gjë të tillë. Ai preferoi të nëvizojë rolin kyç të aleatëve evropianë dhe komentoi raportimet mbi problemet me rrjetin satelitor.

“Ka informacione publike që duket se tregojnë një rënie të shpejtësisë së punës së Starlink-ut” u shpreh Barrot.

Ai solli në vëmendje edhe deklaratat e sipërmarrësit Elon Musk, i cili ia atriboi përgjegjësinë për kufizimet e vendosura ndaj “Starshield” — versionit ushtarak të rrjetit satelitor — direkt qeverisë federale të SHBA-së.

Lidhur me qëndrimet e Presidentit Volodymyr Zelensky dhe deklaratat e tij rreth mbështetjes nga ish-presidenti Donald Trump, Barrot shmangu një përgjigje direkte.

Ai theksoi se udhëheqësi ukrainas flet hapur për veprimet e të gjithë aleatëve dhe më parë ka pasur kritikë edhe ndaj vetë evropianëve.

“Kjo nuk duhet nxjerrë nga konteksti. Volodymyr Zelenskyy ka shprehur gjithashtu dëshirën e tij për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara” u shpreh ministri francez

.Barrot paralajmëroi se Kremlini po përpiqet të shfrytëzojë çdo zhvillim për të demoralizuar popullsinë ukrainase dhe për të zbehur mbështetjen e aleatëve ri perëndimorë.

“Ne po zhvillojmë një luftë në fushën e betejës, por edhe në mendjet e njerëzve” nëvizoi ai.

I pyetur nëse Franca dhe Evropa mund të mbulojnë mungesat e mundshme në mbështetjen amerikane, Barrot vuri theksin te projekte të përbashkëta në mbrojtjen ajrore, veçanërisht për zhvillimin e shpejtë të raketave mbrojtëse me kosto më të ulët dhe prodhim më të shpejtë.

SHBA, Trump kërkon dënim me vdekje për këdo që vret një zjarrfikës

15 October 2026 at 21:13

Pas dëshirës së tij për të vendosur dënimin me vdekje për këdo që shpallet fajtor për vrasjen e një oficeri policie, Donald Trump deklaroi sot se do të donte që dënimi me vdekje t’i vendoset edhe kujtdo që vret zjarrfikës.

Presidenti amerikan e bëri këtë deklaratë gjatë një dreke në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, duke nderuar organizatat e zjarrfikësve.

Ai theksoi gjithashtu se i kishte udhëzuar Ministrisë së Drejtësisë të kërkonte dënimin me vdekje në raste të tilla, konkretisht për “këdo që vret një zjarrfikës”.

The post SHBA, Trump kërkon dënim me vdekje për këdo që vret një zjarrfikës appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

“Armiqtë do të vijnë deri në Durrës e Shkodër” / Rexhaj paralajmëron për luftë : Berisha e shkatërroi ushtrinë!

By: A R
15 October 2026 at 21:08

Analisti Albatros Rexhaj ka bërë deklarata të forta lidhur me protestat, sigurinë dhe situatën gjeopolitike në Ballkan.

Rexhaj u shpreh se publiku duhet të dijë se çfarë kërkon nga qeveria, ndërsa përdori gjuhë të ashpër kur foli për përballjet gjatë protestave.

Analisti paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që, sipas tij, lidhen me situatën e sigurisë në rajon. Ai u shpreh se bota po kalon një periudhë të pasigurt dhe ngriti shqetësimin për mundësinë e një përplasjeje në Ballkan.

“Publiku duhet të dijë çfarë do nga qeveria. Kush më del përpara, të mendohet mirë, se aty do të ngelë. Më njohin edhe nga lufta në Kosovë. Sot Kosova paguan faturat e listës së njerëzve që ishin të papërshtatshëm.

Këshilla ime është: veç përpara, digjni çfarë ju del përpara. Përfitues janë armiqtë tanë, që po blejnë sisteme armatimi. Bota po shkon për lesh, stabiliteti, mbrojtja nga NATO ka marrë fund. Nëse ndodh një përplasje në Ballkan, armiqtë tanë kanë për të ardhur deri këtu. Durrësin dhe Shkodrën i kanë fiksim. Mbreti Zog e bëri një ushtri, Enver Hoxha e bëri një ushtri, erdhi Berisha, i dogji të gjitha. Nëse ideja është t’i djegim edhe njëherë, jepini.”

Sulmet mbi degë dhe ATM, reagon Shoqata e Bankave: Nuk cenohen depozitat, por disa shërbime kufizohen

By: A R
15 October 2026 at 21:00

Shoqata Shqiptare e Bankave ka njoftuar se disa degë bankare dhe bankomate janë dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit në vend, por kjo sipas saj nuk cenon depozitat e klientëve.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat AAB bën të ditur se për shkak të situatës dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh ose me orar të kufizuar, duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa në ofrimin e shërbimeve.

AAB u kërkon klientëve të konsultojnë njoftimet zyrtare të bankave përpara se të paraqiten në degë dhe, kur është e mundur, të përdorin shërbimet bankare digjitale për pagesa dhe transferta.

Shoqata thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe se dëmtimet e ambienteve apo pajisjeve nuk cenojnë, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar.

Gjithashtu AAB u bën thirrje qytetarëve të ruajnë sistemin bankar dhe infrastrukturën financiare, duke theksuar se bankat do të vijojnë përpjekjet për rikthimin e shërbimeve normale sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.

DEKLARATË PËR SHTYP

Veprimtaria bankare dhe protesta

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.

Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.

Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.

AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.

Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.

Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.

SHOQATA SHQIPTARE E BANKAVE

Protestuesit ndezin zjarr te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

By: A R
15 October 2026 at 20:50

Pasi u larguan nga Kryeministria, përplasjet e ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit u përhapën në akse të tjera kryesore të kryeqytetit.

Situata ka shënuar një tjetër përshkallëzim të rëndë te godina e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ku protestuesit i kanë vendosur zjarrin hyrjes kryesore të këtij institucioni.

Flakët u neutralizuan nga hedhja e ujit nga makina e policisë.

Protestuesit sulmojnë sërish Ministrinë e Brendshme, shkatërrohet fasada! Policia përgjigjet me gaz lotsjellës

By: A R
15 October 2026 at 20:40

Protestuesit edhe një herë kanë mësyrë drejt Ministrisë së Brendshme, të cilën e kanë sulmuar disa herë përgjatë këtyre 3 ditëve.

Protestuesit kanë sulmuar me sende të forta pjesën e hyrjes së godinës, teksa më pas ka ndërhyrë policia me gaz lotsjellës nga tarraca e godinës.

Për momentin protestuesit janë tërhequr, pa mundur të futen brenda ambienteve. Pjesa e fasadës është sulmuar dhe shkatërruar me gurë dhe sende të forta.

FOTO / Policia ndërhyn te Rruga e Ambasadave, tentohen dhjetëra arrestime

By: A R
15 October 2026 at 20:31

Dhjetëra makina policie, me sirena të ndezura dhe me shpejtësi, janë drejtuar drejt Rrugës së Kavajës.

Gazetarja e Top News, Geriola Hata, e cila po ndjek situatën nga afër, bën me dije se policia ka mësyrë për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë, mësohet se kanë nisur edhe shoqërimet e para.

Trump merr vendimin e papritur, anulon transmetimin live të ekzekutimit të vrasësit të 13 ushtarëve

By: A R
15 October 2026 at 20:21

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka anuluar planin për transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit të Nidal Hasan, ish-psikiatrit të ushtrisë amerikane, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Hasan pritet të ekzekutohet me pushkatim më 3 dhjetor 2026, por ceremonia nuk do të transmetohet për publikun, pas kritikave të shumta që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.

Trump kishte shprehur më herët mbështetjen për transmetimin e ekzekutimit, duke argumentuar se një veprim i tillë mund të shërbente si paralajmërim për këdo që kryen akte terroriste. Megjithatë, të enjten, presidenti njoftoi se kishte vendosur të hiqte dorë nga kjo ide, duke pranuar se shumë njerëz me qëllime të mira nuk dëshironin të shihnin një person të vritej drejtpërdrejt në ekran.

Në një deklaratë, Trump argumentoi se transmetimi mund të kishte shërbyer si një mjet i fortë parandalues, përmes të cilit bota do të shihte sesi Shtetet e Bashkuara i trajtojnë terroristët dhe personat që kryejnë krime të rënda. Megjithatë, ai theksoi se vendimi për anulimin e transmetimit nuk ndryshon fatin e të dënuarit. “Ai do të vdesë, sipas planit, me pushkatim, por kjo ngjarje nuk do të transmetohet”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump shtoi se familjarët e viktimave do të kenë ende mundësinë të jenë të pranishëm personalisht në ekzekutim, nëse dëshirojnë.

Vendimi fillestar për të transmetuar ekzekutimin në internet ishte bërë publik javën e kaluar nga Pentagoni, i cili kishte njoftuar se Hasan do të ekzekutohej më 3 dhjetor 2026 me pushkatim. Njoftimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut, juristët dhe komentues të shumtë, të cilët e konsideruan transmetimin publik të një ekzekutimi si një praktikë të papranueshme.

Vlorë, gjenden dy mina të fshehura në murin e një pallati

By: A R
15 October 2026 at 20:00

Dy mina janë zbuluar në murin e një pallati 4-katësh në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Mjetet shpërthyese dyshohet se ndodheshin aty prej shumë vitesh dhe mund të jenë armatime të mbetura nga viti 1997.

Ngjarja është evidentuar gjatë orëve të pasdites, kur banorët e pallatit kanë konstatuar praninë e dy minave brenda murit, pranë sahatit të energjisë elektrike, në hyrje të ndërtesës.

Dyshohet se amortizimi i murit ka bërë që mjetet shpërthyese të bëhen të dukshme, duke alarmuar banorët, të cilët kanë njoftuar menjëherë Policinë e Vlorës.

Aleanca Kosovare e Bizneseve letër Begajt, Ramës e Peleshit: Mbroni bizneset e pronën, shqyrtoni gjendjen e jashtëzakonshme

By: A R
15 October 2026 at 19:52

Ndërkohë që Tirana dhe disa qytete të Shqipërisë janë përfshirë nga protesta të dhunshme Aleanca Kosovare e Bizneseve i ka drejtuar një letër presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon masa institucionale në mbrojtje të pronës private dhe publike, rendit dhe sigurisë në Shqipëri.

Duke shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar, AKB kërkon nga institucionet shqiptare që “të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe proporcionale për mbrojtjen e qytetarëve, bizneseve dhe pronës private e publike”.

AKB kërkon gjithashtu koordinim mes institucioneve përgjegjëse, hapjen e kanaleve të dialogut institucional dhe politik, si dhe shqyrtimin e mekanizmave kushtetues e ligjorë, përfshirë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, nëse plotësohen kushtet ligjore.

ALEANCA KOSOVARE E BIZNESEVE – AKB

Shkëlqesisë së Tij, z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë

Lënda: Kërkesë urgjente për masa institucionale në mbrojtje të pronës private dhe publike, rendit dhe sigurisë në Shqipëri

Të nderuar drejtues të institucioneve të Republikës së Shqipërisë,

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), duke shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar dhe rrezikun ndaj pronës private e publike, sigurisë së qytetarëve dhe funksionimit normal të institucioneve, ju drejtohet me këtë thirrje për veprim të koordinuar dhe të përgjegjshëm institucional.

Mbrojtja e jetës, sigurisë së qytetarëve, pronës private dhe publike, si dhe garantimi i rendit kushtetues, janë përgjegjësi themelore të shtetit. Çdo përshkallëzim i dhunës dhe çdo dëmtim i pronës cenon sigurinë, besimin e qytetarëve dhe klimën e biznesit.

Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet që ju drejtoni:

1.Të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe proporcionale për mbrojtjen e qytetarëve, bizneseve dhe pronës private e publike.

2.Të sigurojnë koordinim të plotë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.

3.Të hapin kanale efektive të dialogut institucional dhe politik për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

4.Të shqyrtojnë urgjentisht të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjorë, përfshirë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe kushtetuese.

Ne vlerësojmë se në momente të tilla nevojitet përgjegjësi e lartë shtetërore, maturi politike dhe veprim në kohën e duhur, me qëllim që të parandalohet çdo cenim i mëtejshëm i sigurisë dhe pronës.

Shqipëria ka nevojë për rend, siguri, dialog dhe institucione funksionale. Prona private dhe publike duhet të mbrohet, ligji duhet të zbatohet dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt.

Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh bindjen se mbrojtja e pronës, siguria e qytetarëve dhe stabiliteti institucional janë interesa të përbashkëta që duhet të qëndrojnë mbi çdo dallim politik.

Duke ju kërkuar vëmendje dhe veprim urgjent institucional, ju shprehim konsideratën tonë të lartë.

Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB)”.

Bilanci i protestës, 26 të lënduar Trauma! Ministria e Shëndetësisë: Janë efektivë policie, protestues dhe kalimtarë!

By: A. Q
15 October 2026 at 19:46

Në Spitalin Universitar të Traumës gjatë ditës së sotme janë trajtuar 26 të lënduar: efektivë policie, protestues e kalimtarë.

Në një përditësim të orës 19:31 të gjendjes shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë, pritet reagimi.

Gjithashtu, 2 protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore, një prej tyre (vajzë) në observim, gjendje stabël për momentin.

Pak minuta më parë kanë mbërritur 3 kalimtarë, jashtë rrezikut për jetën.

Në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht.

“Cilat janë kërkesat e tyre?!”- Analisti: Protestat nuk janë lëvizje studentore, por nxitje nga PD!

By: A. Q
15 October 2026 at 19:45

Analisti Labinot Bislimi ka deklaruar se protestat e fundit nuk përbëjnë një lëvizje studentore, por sipas tij, janë të nxitura nga Partia Demokratike.

Bislimi u shpreh se demokracia e garanton të drejtën e protestës dhe se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërsa theksoi se do të mbështeste një lëvizje të mirëfilltë studentore.

Sipas analistit, në këto protesta mungojnë kërkesat e qarta studentore, ndërsa ai iu referua edhe deklaratave të Berishës, duke pretenduar se po tentohet t’u jepet legjitimitet protestave.

Bislimi deklaroi gjithashtu se, sipas tij, PD-ja ka shfaqur vazhdimisht forma të tilla të dhunës kur ka qenë në opozitë. Ai pretendoi se pas protestave qëndrojnë grupe që kundërshtojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Demokracia e lejon protestën, por një pushtet dhe një shtet, sado të bëjnë, qytetari ka të drejtë të kërkojë më shumë. Vetëdija nuk është e mjaftueshme dhe prezente në protesta të tilla. Cilat janë kërkesat e studentëve, si ato po shtrohen?

BE nuk i ka quajtur këto protesta si të studentëve. Studentët dhe lëvizjet studentore, unë i pari do t’i përkrahja. Siç duket, s’kemi të bëjmë me një lëvizje, por me një nxitje të PD-së, siç e kemi parë edhe nga deklaratat. Berisha po mundohet t’i nxisë, duke u munduar t’u veshë legjitimitet. PD-ja e ka pasur këtë lloj dhune të brendshme dhe të vazhdueshme sa herë ka qenë në opozitë. Nuk është asgjë e rastësishme; këtu kemi të bëjmë me PD-në dhe me grupe të caktuara që janë regresiste dhe që kërkojnë që Shqipërinë ta ndalojnë në integrimin në BE. Nuk është lëvizje studentore, sepse ka një sulm sistematik ndaj institucioneve dhe këtu është i tërësishëm dallimi mes një lëvizjeje studentore.”

Donald Trump: Ekzekutimi i Nidal Hassan nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në SHBA

15 October 2026 at 19:40

Donald Trump njoftoi se ekzekutimi i planifikuar i vrasësit masiv të Fort Hood, Nidal Hasan, nuk do të transmetohet drejtpërdrejt.

Njoftimi i Trump erdhi pas reagimeve të ashpra në SHBA për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit të Hasanit . “Nidal Malik Hasan, një ish-major në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara i shndërruar në tradhtar, është një njeri shumë i lig dhe djallëzor”, tha Trump në një postim në Truth Social.

“Megjithatë, besoj se transmetimi i ekzekutimit drejtpërdrejt për të gjithë do të ishte një pengesë e fuqishme për botën, e cila do të shihte se si Amerika merret me terroristët dhe llumrat si Hasani. Megjithatë, shumë njerëz shumë të mirë dhe me qëllime të mira do të preferonin të mos e shihnin të vdiste, qoftë drejtpërdrejt apo me ndonjë mjet tjetër vizual”, shkroi Trump.

“Ai do të vdesë, siç është planifikuar, nga skuadra e pushkatimit, por kjo ngjarje nuk do të transmetohet drejtpërdrejt”, tha presidenti i SHBA-së. Ai shtoi se anëtarët e ngushtë të familjeve të viktimave të sulmit do të jenë në gjendje ta shikojnë atë drejtpërdrejt nëse dëshirojnë.

The post Donald Trump: Ekzekutimi i Nidal Hassan nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në SHBA appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Për të gjithë ata që duan të frikësojnë Tiranën

15 October 2026 at 19:35

Nga Mero Baze

Në vitin 1998, ndërkohë që vendi ishte pushtuar nga trazirat e shtatorit, një biznes në rrugën pranë Doganës së Tiranës kishte ulur qepenat dhe kishte shkruar me bojë blu: “Janë të nxëna. Jena qeqenë.” Ishte fjala për disa magazina në krahun përballë doganës, atje ku sot është mbikalimi.

Pas disa vitesh u kujtova për fotografinë ndërsa po kaloja aty dhe u bëra kurioz. Shkova pas dhe pashë që ishin disa magazina që shisnin mall. Pyeta kush ishte i zoti dhe e takova. E pyeta nëse kishte pasur probleme disa vite më parë, duke i treguar fotografinë ikonike, të cilën, mos gaboj, e solli në redaksi Lutfi Dervishi.

– Jo, – tha, – nuk patëm. E kam shkruar unë atë parullën, se na u sulën këta të Bathores të vidhnin dhe thashë t’i trembja. Në fakt, nuk na sulmuan për shkak të parullës që shkruam.

M’u kujtua sot kjo skenë, ndërsa shihja disa dyqane në Rrugën e Durrësit që kishin ulur qepenat dhe kishin lënë pusulla të tipit: “Jemi me ju, mos na digjni dyqanin.”

Nuk jam i sigurt sa janë me ata që po djegin e shkatërrojnë Tiranën, por është e sigurt se, me atë që kanë bërë, mund të shpëtojnë ndonjë dyqan.

Të tjerët, që nuk kanë mundur të vënë pusulla të tilla, po digjen. Dhjetëra seli bankash në Tiranë janë djegur, edhe pse sistemi bankar në Shqipëri është tërësisht privat dhe nuk ka lidhje me qeverinë. Dyqanet e shtrenjta të Tiranës, te Kullat Binjake dhe qendrat e biznesit, janë nën sulm. Zona e Bllokut është e rrethuar nga policia dhe është nën kontrollin e banditëve adoleshentë, të cilët ata që i përkëdhelin i quajnë studentë.

Avokatët e djegies së Tiranës arsyetojnë se dëmet nga djegia e bizneseve janë më të vogla se dëmet nga korrupsioni. Dhe kjo është një leje për të vazhduar djegien.

E kam parë disa herë këtë film në këtë vend dhe e di si përfundon. E kam parë me ngjarjet e vitit 1997. Kur kam botuar librin mbi ato ngjarje, “Viti ’97”, gati dhjetë vjet pas tyre, kam përshkruar me hollësi disa skena vandalizmi dhe dhune dhe kam pasur reagime të frikshme nga personazhet. Shumë nga ata që në atë kohë ishin trima të frikshëm dhe të hiqnin kokën për një fjalë, më janë përgjëruar, kur të ribotoja librin, t’ua hiqja emrin. U vinte turp nga ajo që kishin bërë.

Tani qindra fëmijë adoleshentë, gra me shami nga ato që falen pesë herë në ditë dhe që nuk dalin për kafe kurrë në Tiranë, janë në ballë të “xhihadit” për t’i treguar Tiranës se duhet të gjunjëzohet. Mijëra të pacipë të tjerë ngulin këmbë të frikësojnë intelektualët dhe zërat dinjitozë të Shqipërisë, duke u thënë: “Ti je kundër studentëve.”

Një kolege gazetare e Top Channel-it iu lut sot redaksisë të hiqnin një video ku ajo kërcënohej si gazetare, se shqetësoheshin njerëzit e shtëpisë së saj. Pra, ishte e frikësuar se mos merrej vesh që e kishin dhunuar si gazetare të Top Channel-it.

Kjo klimë frike mbi shtypin, mbi biznesin, mbi administratën dhe mbi gjithkënd që nuk është dakord me djegien e Tiranës është një fashizëm i ri, të cilit duhet t’i dalim përballë.

Nëse policia nuk ia del dot të respektojë të drejtat e njeriut dhe detyrën që ka për të siguruar bizneset, jetën normale të qytetarëve, të drejtat e shtypit dhe lirinë qytetare për të folur lirshëm, shoqëria duhet t’i gjejë mjetet e saj për t’u përballur, po me aq guxim sa këta banditë shkelin çdo liri të të tjerëve në emër të një kauze që fillon me heqjen e flamurit të Vatikanit, vazhdon me gra të mbuluara që nxjerrin studentë nga Universiteti i Shkodrës dhe me të rinj që mbulojnë fytyrën me flamuj të huaj për t’u fshehur pasi hedhin bomba molotov mbi godina bankash e biznesesh.

E kuptoj ligësinë e atyre që duan t’i quajnë studentë. Por duhet t’i quajnë studentë për çdo gjë që bëjnë. Nëse vërtet janë studentë, atëherë i ftoj që, kur shkruajnë për ta, të shkruajnë: “Studentët dogjën dhjetë banka”, “Studentët dogjën 50 biznese”, “Studentët rrahën kaq kalimtarë” dhe gjithçka tjetër që bëjnë bandat në rrugë.

Nuk mund të jenë studentë 40-vjeçarët me probleme mendore dhe adoleshentët e papërgjegjshëm vetëm kur i arreston policia, kurse kur djegin, dhunojnë e vrasin, qenkan protestues.

Dhuna në Tiranë e ka ndarë qytetarinë tiranase nga bandat në rrugë, pasi qyteti ka përvojë me ata që dalin për “ideale” në rrugë dhe përfundojnë duke hequr zvarrë kasaforta bankash e dyqanesh. Tirana i mban mend ende vitet 1997 dhe 1998.

Unë jam një nga ata që, gjatë krizës së vitit 1997, kam negociuar që opozita e atëhershme të takohej me Berishën dhe nuk jam partizan i luftës. Por këta që duan ta djegin Tiranën në emër të askujt nuk janë në rrugë për negociata, por për dhunë. Dhe dhuna nuk negociohet.

Ky është një skenar që e njohim të gjithë. Të gjithë këta që duan të na bëjnë të heshtim në emër të një kauze anonime, përgjegjësinë e së cilës nuk e merr përsipër askush, përveç Berishës që ka parimin “pas meje qameti”, duhet t’i dokumentojmë. Duhet të shkruajmë sot të gjithë emrat dhe çdo identitet tjetër të atyre që po djegin Tiranën. Duhet t’i shkruajmë emër për emër se kush janë dhe të mbeten në historinë e këtij qyteti.

Pas disa javësh, muajsh apo vitesh, ajo listë do të jetë malli më i kërkuar në këtë vend. Ata që duhet të turpërohen janë ata që po djegin dhe jo ata që po ngrenë zërin. Çdo përpjekje për të heshtur zërat që dalin kundër dhunës, për t’i frikësuar apo poshtëruar ata, është betejë e përkohshme. Na ka kërcënuar edhe Zani Çaushi më 1997, edhe bandat e vitit 1998, por heronjtë e revolucioneve të tilla përfundojnë ose në burg, ose kanaleve.

Ata që gëzojnë frytet e banditizmit të tyre marrin pushtetin dhe distancohen prej tyre. Prandaj kjo histori duhet dokumentuar sot. Policia duhet të publikojë çdo ditë, me komunikata shtypi dhe hollësi, emrat e plotë të tyre dhe se kush janë. Ata duhen botuar. Pas disa javësh apo muajsh do t’i keni të gjithë duke u lutur t’ua fshini emrat.

Me maska në fytyrë dhe bomba molotov në dorë bëhen të gjithë trima. Por Tirana do të jetojë edhe pas tyre. Tiranën nuk e mposht dot një tufë banditësh që pretendojnë se kaluan ylberin dhe u bënë nga flamingo në skifterë.

Ky kryeqytet ka parë edhe masakra në rrugë nga njerëz të importuar nga Kosova prej fashizmit, ka parë edhe masakra në rrugë nga komunistët në emër të internacionalizmit sovjetik, ka parë edhe përmbysje regjimi pa asnjë të vrarë. Këtu nuk jemi as përpara një përmbysjeje dhe as përpara një revolucioni. Jemi përpara një bande plaçkitësish që duan të gjunjëzojnë kryeqytetin, i cili nuk i pranon dot as si qytetarë.

Ata që duhet të frikësohen nuk janë qytetarët. Ata vërtet mund të vënë parulla të tipit: “Asht e nxanë. Jena qeqenë”, derisa të kalojë furtuna, por nuk do t’ua harrojnë kurrë fytyrat. As emrat.

Ata që duhet të frikësohen janë ata me maska në rrugë dhe, mbi të gjitha, ata që vënë fytyrën e tyre në media për t’u dalë zot.

Tirana në kaos e flakë, deputeti i PD shfaqet i qeshur dhe bën “selfie” me protestuesit e maskuar me baklava!

By: A. Q
15 October 2026 at 19:33

Deputeti i PD, Saimir Korreshi është shfaqur sot pasdite mes protestuesve duke qeshur dhe bërë selfie me njërin prej tyre.

Ndryshe nga sa ndodhi dy ditë më parë, ku turma e irrituar ndoqi nga protesta një grup deputetësh demokratë, kjo s’ka ndodhur me Korreshin.

I riu mbante maskë të zezë bakllava dhe antigaz në fytyrë.

“Po synohet kaosi social”- Eksperti i sigurisë: Pse po prishen semaforët? Policia duhet të ketë një plan menaxhimi

By: A. Q
15 October 2026 at 19:28

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fatjon Softa, ka komentuar në një intervistë për “Tirana Live” protestën në kryeqytet, duke ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të situatës nga Policia e Shtetit.

Softa theksoi mungesën e një plani të qartë parandalues dhe të masave mbrojtëse, duke nënvizuar se në ditën e dytë të protestës forcat e policisë u përballën me vështirësi të mëdha.

Ai komentoi gjithashtu dëmtimin e sinjalistikës dhe kamerave, duke ngritur pikëpyetje nëse këto veprime ishin spontane apo synonin paralizimin e jetës publike.

“Policia ditën e parë pati një qasje ndryshe ndaj ditës së dytë dhe të tretë. Ditën e parë dha ato goditje. Numri i madh i punonjësve të policisë ndaj një individi ngjalli një lloj indinjate, gjë që ndikoi në ditën e dytë dhe të tretë. Nuk ka pasur një plan parandalues të punonjësve të policisë. Nuk pati një mbrojtje dhe nuk kishte masa mbrojtëse nga zjarri. Policia duhet të ketë një plan të qartë për menaxhimin e situatës. Në ditën e dytë u duk sikur institucionet u lanë në mëshirë të fatit. Forcat e policisë ishin të paorientuara dhe ishin në vështirësi të mëdha, edhe për jetën e tyre. Goditja e sinjalistikës, kamerave, janë spontane apo po cenojnë të paralizojnë jetën publike? Pse të gjitha këto goditje në këtë drejtim?”, tha Softa.

“Skifteri” nga Lezha i dëbuar 5 herë nga Anglia humb edhe apelin e azilit në Gjykatën e Emigracionit!

By: A. Q
15 October 2026 at 19:24

Dorian Puka, i dënuar disa herë për vjedhje, humbi apelin kundër dëbimit. Gjykata nuk pranoi pretendimet e tij se jeta në Shqipëri i rrezikohej nga një bandë kriminale.

Shtetasi shqiptar, i identifikuar si Dorian Puka, 32 vjeç, pritet të dëbohet për herë të pestë nga Britania e Madhe, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tij për të qëndruar në vend me argumentin se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse kthehej në Shqipëri.

Lajmi është raportuar nga gazeta britanike “Daily Mail”, e cila shkruan se Puka është dënuar katër herë me burg për vjedhje dhe vepra të tjera penale, ndërsa pas çdo dënimi është kthyer në Shqipëri përmes dëbimit, për t’u rikthyer më pas në mënyrë të paligjshme në Britani.

Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga gazeta britanike, Puka mbërriti për herë të parë në Britani në vitin 2012 ose 2013, kur ishte ende adoleshent.

Në janar të vitit 2016, ai u dënua me nëntë muaj burg për vjedhje, por u dëbua drejt Shqipërisë pas vetëm një muaji vuajtje dënimi. Më 3 nëntor të po atij viti, ai u shpall sërish fajtor për vjedhje dhe u dënua me dy muaj burg, ndërsa u kthye në Shqipëri pas 20 ditësh.

Pas një tjetër rikthimi të paligjshëm, ai u arrestua më 17 nëntor 2017. Këtë herë, u dënua për vjedhje, vjedhje të tjera pasurore dhe shkelje të rregullave të drejtimit të automjeteve, duke marrë një dënim prej 42 muajsh burg. Më 20 dhjetor 2018, ai u dëbua sërish në Shqipëri.

Megjithatë, sipas kronikës së “Daily Mail”, Puka u rikthye përsëri në Britani dhe në gusht 2019 u arrestua për drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa të drejtë dhe mbajtje të mjeteve për kryerjen e vjedhjeve. Ai u dënua me 18 muaj burg dhe u dëbua më 29 korrik 2020.

Sipas deklarimeve të tij në gjykatë, Puka hyri për herë të fundit ilegalisht në Britani më 15 tetor 2021. Në dhjetor 2022, ai kërkoi leje qëndrimi, ndërsa në korrik 2023 paraqiti kërkesë për azil.

Autoritetet britanike e refuzuan kërkesën e tij në shtator 2024, vendim kundër të cilit ai apeloi.

Gjatë seancës gjyqësore, shqiptari pretendoi se kishte mbërritur në Britani në moshën 13-vjeçare dhe se ishte përfshirë në veprimtari kriminale pasi ishte detyruar nga një bandë e fuqishme shqiptare të kryente vjedhje. Ai pretendoi gjithashtu se, pasi kishte tentuar të shkëputej nga grupi kriminal, ai dhe familja e tij ishin bërë objektiv i kërcënimeve.

Sipas versionit të tij, sa herë që kthehej në Shqipëri pas dëbimit, mësonte se anëtarët e bandës po e kërkonin dhe largohej sërish brenda dy ose tri javësh.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Brendshme britanike, Khdeeja Khan, kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se nuk kishte prova që mbështesnin rrezikun e pretenduar dhe se Puka nuk kishte raportuar kërcënime në polici, as në Shqipëri dhe as në Britani.

Gjykatësi Ravinder Bagral nuk i pranoi pretendimet e shqiptarit se ishte detyruar të kryente krime nga një bandë kriminale apo se vazhdonte të ishte në rrezik prej saj.

Në vendimin e tij, gjykatësi arriti në përfundimin se nuk ishte provuar se anëtarët e bandës e kishin kontrolluar ose detyruar Pukën të kryente vepra penale, se ai ishte rrëmbyer apo se ishte gjurmuar vazhdimisht në Shqipëri ose në vende të tjera të Europës.

Gjykata gjithashtu nuk gjeti prova bindëse se grupi kriminal vazhdonte të kishte interes të dëmshëm ndaj tij apo se ai përballej me rrezik për shkak të një konflikti gjakmarrjeje.

Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk kishte rrethana bindëse që mund të mbizotëronin mbi interesin e rëndësishëm publik për dëbimin e tij.

“Daily Mail” kundërshtoi anonimitetin

Një tjetër zhvillim i çështjes lidhet me përpjekjen për të mbajtur të fshehtë identitetin e Pukës gjatë procedurave gjyqësore.

Sipas gazetës britanike, avokatët e tij kishin bindur fillimisht gjykatën që t’i garantonte anonimitet, me argumentin se publikimi i vendndodhjes së tij mund ta vinte në rrezik.

Megjithatë, “Daily Mail” kundërshtoi vendimin, duke vënë në dukje se Puka kishte publikuar në rrjetet sociale një video të filmuar brenda qendrës së gjykatës së emigracionit Taylor House, në Londër.

Gjykatësi pranoi argumentin se vetë shqiptari e kishte bërë publike praninë e tij në atë institucion dhe hoqi urdhrin e anonimitetit.

Gazeta raporton gjithashtu se Puka kishte tërhequr vëmendje në rrjetet sociale duke publikuar fotografi ku shfaqej me makina luksoze, në ambiente nate dhe duke ushqyer qentë me kartëmonedha.

Rrëzimi i apelit i hap rrugën dëbimit të tij të pestë nga Britania e Madhe, sipas raportimit të “Daily Mail”. /Top Channel/

“Jemi në luftë hibride”- Eksperti Softa paralajmëron: Grupe të organizuara në rrjetet sociale! Faktorët e jashtëm synojnë destabilitet

By: A. Q
15 October 2026 at 19:18

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fatjon Softa, ka komentuar në një intervistë për “Tirana Live” protestën në kryeqytet, duke ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të situatës nga Policia e Shtetit.

“Kjo mund të vinte në mënyrë graduale edhe pse protesta ishte paqësore. Goditja e infrastrukturës kritike. Goditja e telefonisë është një problem sepse ndikon te komunikimi. Goditja e bizneseve është një goditje që krijon një lloj pasigurie. Kjo është një anë e tepruar. Gjithashtu mund të themi që ka një forcë të tepruar të forcave të policisë.

Kemi një shtet të çoroditur dhe të paorganizuar. Jetojmë në një luftë hibride, ka shtete të interesuara që synojnë që të ketë një stabilizim, por mund të jenë edhe grupe të organizuara në rrjetet sociale.

Nuk mund të përjashtojmë asnjë faktor të jashtëm që tenton të destabilizojë. Janë ndikime jashtë vendit, sepse brenda vendit ka interesa politike, por jo destabiliteti. Duhet të shmanget kaosi sepse kaosi nuk i shërben vendit, por as edhe studentëve për të ardhmen e tyre”, tha Softa për ABC News.

❌