Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026FaxWeb

Futbollistët që paguajnë më shumë taksa në Mbretërinë e Bashkuar, Haaland dhe Salah në krye

By: Fax Web
5 February 2026 at 15:50

Erling Haaland dhe Mohamed Salah janë futbollistët që kanë paguar më shumë taksa në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit të fundit, sipas Sunday Times.

Sulmuesi i Manchester Cityt, Haaland, 25 vjeç, kryeson renditjen me rreth 17 milionë paund ose 20 milionë euro taksa, ndërsa Salah nga Liverpooli ndjek me 14.5 milionë paund.

Pas tyre vijnë Casemiro me 10.9 milionë, Raheem Sterling me 9.8,  Virgil van Dijk 9.7, ndërsa dy portugezët Bruno Fernandes dhe Bernardo Silva paguanë 9 milionë paund taksa në vit.

Në sektorin e biznesit, vëllezërit Fred dhe Peter Done të Betfred kryesojnë listën, me një pagesë tatimore prej 464.1 milionë eurosh.

Së bashku, 100 taksapaguesit më të mëdhenj në Mbretërinë e Bashkuar kanë paguar 6.679 miliardë euro, një rritje nga 5.782 miliardë eurot e vitit të kaluar.

EMRAT/ 65-vjeçarja humbi jetën pas kafshimit nga qeni, arrestohet kunati

By: Fax Web
5 February 2026 at 15:38

Një incident i rëndë u regjistrua të mërkurën në fshatin Çërragë, bashkia Belsh, ku një grua e moshuar ndërroi jetë pasi është sulmuar nga qeni i kunatit, i cili është arrestuar nga policia.

Policia njofton se 68-vjeçari i arrestuar, Guri Agolli, është kunati i 65-vjeçares, Emine Agolli.

Ajo u plagos rëndë në gjymtyrët e poshtme si pasojë e kafshimit të qenit.

Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës.

“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan/ Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 68 vjeç, pasi dje, qeni që ai mbante, ka kafshuar shtetasen E. A., 65 vjeçe (bashkëshortja e vëllait të tij), e cila për pasojë ka humbur jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

VIDEO-EMRI/ Dyshohet se e mori rrjedha e lumit, polumbarët vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit në Tepelenë

By: Fax Web
5 February 2026 at 15:28

Polumbarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në lumin e Vjosës, për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit Ylli Dine.

Dine prej disa ditësh dyshohet se është rrëzuar dhe e ka marrë rrjedha e lumit Vjosa, në afërsi të vendit të quajtur “Fusha e fshatit Peshtan”, Tepelenë.

Sipas Policisë, ‘në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca e Posaçme Shqiponja e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë.

Njoftimi i Policisë:

Tepelenë-Polumbarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në lumin e Vjosës, për gjetjen e 65-vjeçarit, shtetasit Y. D.. 

Prej ditës së djeshme, polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit Y. D., 65 vjeç, i cili dyshohet se pasi është rrëzuar, e ka marrë nga rrjedha e lumit Vjosa, në afërsi të vendit të quajtur “Fusha e fshatit Peshtan”, Tepelenë.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca e Posaçme “Shqiponja” e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.

Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 65-vjeçarit.

Angazhimi i strukturave të Policisë së Gjirokastrës, polumbarëve të RENEA-s dhe strukturave të tjera të përfshira në operacionin e kërkimit, për të bërë të mundur gjetjen e trupit të 65-vjeçarit, ka qenë i plotë dhe vijon me intensitet.

Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj mbeten në kërkim, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit e “AKSHI”-t

By: Fax Web
5 February 2026 at 15:20

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurimit të vendosura më herët për të pandehurit në çështjen e AKSHI-t.

Sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për të pandehurit e tjerë në këtë proces gjyqësor mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga shkalla e parë.

Gjykata ka vlerësuar se nuk ka ndryshime në rrethanat që do të justifikonin lehtësimin apo ndryshimin e masave të sigurisë, duke vendosur kështu vazhdimësinë e tyre deri në një vendimmarrje tjetër.

Në kërkim mbeten Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H: “- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal. – Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

LEXO EDHEDosja “AKSHI”/ Kush është anëtari i KPP, i dyshuar për lidhje me Ermal Beqirin?

VIDEO/ Familja Rama homazhe në varrin e Papa Françeskut: Mik i paharruar i Shqipërisë

By: Fax Web
5 February 2026 at 15:08

Kryeministri Edi Rama, i cili vijon vizitën zyrtare në Vatikan, ka zhvilluar homazhe pranë varrit të Papa Françeskut.

I shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali Zaho, kreu i qeverisë, përmes një video-postimi në rrjetet sociale, e cilëson Papën e ndjerë si një mik të paharruar të Shqipërisë.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, shkruan Rama.

200 mijë euro për të ekzekutuar dhëndrin e ish-kryebashkiakut/ Çfarë tha para GJKKO “ushtari” i Nuredin Dumanit

By: Fax Web
5 February 2026 at 14:56

Një nga të pandehurit e dosjes së bujshme “Plumbi i artë”, Henrik Hoxhaj, që cilësohet edhe si ushtari i grupit të vrasësve me pagesë të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka rrëfyer sot në Gjykatën e Posaçme edhe për porosinë e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”, dëshmoi i akuzuari teksa pyetej nga prokurorët e SPAK për rrethanat dhe dinamikën.

Prokurori e pyeti se “kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?”.

Hoxhaj u përgjigj:

“Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më”.

Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?”, vijoi ta pyeste përfaqësuesi i akuzës.

Henrik Hoxhaj tha me formë mohuese:

“Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty. Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar”.

Prokurori e pyeti edhe në lidhje me një detaj tjetër:

Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro”, tha ai.

Hoxhaj e pohoi, duke shpjeguar se shkak ishte mosmbarimi i punës së eliminimit të Sanxhaktarit, sepse u arrestua për vrasjen e ndodhur:

Po, se nuk u mbarua puna, pra…”, tha ai.

Kush është Sokol Sanxhaktari?

Sokol Sanxhaktari është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Elbasanit. Ai është dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Sanxhaktari u dënua për vrasjen e Florian Lamçe në Elbasan me datë 30 korrik të vitit 2020. Për të dy është vendosur që të vuajnë dënimin e plotë dhe të mos përfitojë Lirim me kusht.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 korrik të viti 2020 në orën 4 të mëngjesit, kur Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në Elbasan duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile.

Florian Lamçja gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta me karrige në kokë. Veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë. Dy të akuzuarit pas arrestimit nga policia kanë thënë se ishin të dehur dhe nuk mbajnë mend çfarë ndodhur.

Sokol Sanxhaktari ka mbi supe një histori të gjatë kriminale.

Ai dyshohet se është i përfshirë në grupin e bandës së Suel Çelës, një emër edhe ky jo pak i njohur për profilin e tij kriminal. Suel Çela akuzohet si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

Sokol Sanxhaktari është vënë disa herë në prangat e policisë për vepra të ndryshme penale, por që gjithmonë ‘ia ka hedhur paq’, duke fituar lirinë shumë shpejt, qoftë edhe pas dënimeve që i janë dhënë nga gjyqtarët.

Sanxhaktari njihet për profilin e tij kriminal, duke pasur parasysh faktin se në shumë raste ishin viktimat të tërhiqeshin nga akuzat, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit.

Dënimet ndër vite për Sokol Sanxhaktarin:

1. Më 9 qershor 2008, Sokol Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e Elbasanit për veprat penale të “Shkatërimit të pronës” dhe “Prishjes së rendit dhe sigurisë publike”.

2. Më 1 korrik 2008, Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e rrethit Elbasan me 3.4 milion lekë gjobë, për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Së bashku me të u dënua dhe shoku i tij, Altin Mehja.

3. Më 29 qershor 2010 Sanxhaktari është dënuar me 3 muaj e 10 ditë burg për armëmbajtje pa lejë dhe plagosje të lehtë në dëm të shtetasit Ervis Daka.

4. Më datën 31 tetor 2010 është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” dhe “Kundërshtim të forcave të rendit”.

5. Më datën 4 prill 2016 Sanxhaktari është dënuar me 1 vit burgim, pasi është arrestuar me pistoletë pa lejë dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Plagosjet ku rezulton i përfshirë Sokol Sanxhaktari:

  1. Në mëngjesin e datës 2 shtator 2008, dy persona u plagosën në lagjen “Qemal Stafa”, në afërsi të televizionit “Dardan”. Objektiv i atentatit ishte Endri Biçoku, 25 vjeç. Ai ishte duke dalë nga lokali në pronësi të shtetasit Ardjan Veci, i cili mësohet se edhe ky ngeli i plagosur. Policia identifikoi si autor të kësaj plagosje të dyfishtë Sokol Sanxhaktarin.

2. Një vit më pas Sokol Sanxhaktari është sërish protagonist i një tjetër plagosje. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 dhjetor 2009, pranë ish-kinema “Metalurgu”, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, mbeti i plagosur me armë zjarri, 27 vjeçari Julian Piu. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila identifikoi dhe shpalli në kërkim tre të rinjtë Sokol Sanxhaktari, Gjergji Verushi dhe Mirjam Dedja, si autorë të plagosjes së Julian Piut.

3. Po kështu, në fillim të vitit 2010, Sokol Sanxhaktari akuzohet për plagosjen e një tjetër personi, në Elbasan. Këtë herë, viktimë e plagosjes ishte i riu Elvis Bako.

Rihapet “Tik Tok”, kryeministria: Janë vendosur mekanizma të rinj sigurie

By: Fax Web
5 February 2026 at 14:44

Qeveria shqiptare ka reaguar publikisht për heqjen e masave të përkohshme për bllokimin e platformës sociale Tik Tok në Shqipëri.

Në reagim sqarohet se aksesimi në Tik Tok tashmë është i plotë, ndërsa theksohet se janë instaluar mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online.

Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Reagimi i kryeministrisë:

“Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me  vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok.

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për  filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike”. 

Mbyllja e platformës TikTok në Shqipëri erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre.

Vendimi u konsultua gjerësisht me prindër dhe mësues, por tashmë me këtë vendim aplikacioni është rihapur për 1.5 milion përdorues shqiptarë, edhe pse një pjesë prej tyre e kanë përdorur aplikacionin edhe gjatë kësaj periudhe përmes VPN-së.

VIDEO/ Arrestohet 14-vjeçari, autor i dyshuar i 150 vjedhjeve në Tiranë

By: Fax Web
5 February 2026 at 14:37

Një 14 vjeçar është arrestuar nga Policia e kryeqytetit si autor i dyshuar 150 vjedhjeve gjatë 2 viteve të fundit.

Në pranga kanë rënë edhe Agron Doçi dhe Altin Hyseni dy personat të cilët më 21 janar shtynë 14-vjeçar, të vidhte 1 motor në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’.

Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh, të gjetura në një garazh në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Popular”.

Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas që më datë 21 janar, shtynë një 14-vjeçar, të vidhte 1 motomjet, me qëllim përvetësimin.

Në pranga dhe 14-vjeçari, autor i dyshuar i 150 vjedhjeve në kryeqytet (4 prej tyre, gjatë ditëve të fundit).

Sekuestrohen 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh, të gjetura në një garazh në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiva parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të kryera, finalizuan operacionin policor të koduar “Popular”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, si dhe një 14-vjeçar që dyshohet se ka kryer 4 vjedhje, gjatë muajit shkurt, 2026.

Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kanë shtyrë të miturin, për të vjedhur 1 motomjet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, të cilin e ka përvetësuar 41-vjeçari.

Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të shtetasit A. H, janë gjetur e sekuestruar 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh.

I mituri dyshohet se gjatë 2 viteve të fundit, ka kryer rreth 150 vjedhje.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

“Respekt ndaj atyre që mbajnë gjallë ekonominë”/ Balluku takim me fermerët në Fier: Këtë vit, 5.2 miliardë lekë për mbështetje të bujqësisë

By: Fax Web
5 February 2026 at 14:30

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka zhvilluar një takim me fermerët e Fierit, ku shprehet se 5.2 miliardë lekë do të vendosen në dispozicion të skemës kombëtare të bujqësisë.

Në një postim të sajin në rrjetet sociale, Balluku shkruan se duhen respektuar ata që prodhojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë e Shqipërisë.

“Lidhja me fermerët e qarkut Fier është më shumë se bashkëpunim, është respekt, besim dhe përgjegjësi ndaj atyre që prodhojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë tonë“-shkruan ministrja krahas videos.

“Këtë vit qeveria shqiptare ka dizenjuar buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë për bujqësinë, blektorinë dhe peshkimin. Flitet për 16.3 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë do të vendosen për në dispozicion të skemës kombëtare në bujqsi. Për shkak të një zone që është hambari i Shqipërisë, qarku i Fierit, kam arritur të kuptoj që skemat duhet të jenë më efikase më të goditura“, tha zv/kryeministrja gjatë takimit.

Vizita në Vatikan/ Kryeministri Rama takohet me Papa Leonin XIV, zbulohet biseda

By: Fax Web
5 February 2026 at 14:02

Kryeministri Edi Rama u prit në Pallatin Apostolik nga Papa Leone XIV, ku zhvilluan një takim të përqendruar në çështje me interes të përbashkët.

Gjatë bisedës me Atin e Shenjtë, u diskutua situata në Ballkan si edhe procesi i integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Njoftimi zyrtar i Vatikanit

Sot paradite, më 5 shkurt, Papa Leoni XIV priti në audiencë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Më pas u zhvillua takimi në Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

“Në bisedimet e përzemërta – thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.

Ndër temat në qendër të bisedimeve – vijon njoftimi – ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

“Doja të merrja hak për plagosjen”, Henrik Hoxhaj dëshmon në GJKKO: Ja si nisi konflikti me Ismet Boriçin, doja ta vrisja

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:56

Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke rrëfyer në detaje konfliktin e tij me Ismet Boriçin, që sipas tij e ka zanafillën që në fund të viteve ’90 dhe është përshkallëzuar deri në tentativa për hakmarrje të armatosur.

Në dëshminë e tij, Hoxhaj deklaroi se konfliktet fillestare lidhen me një shok të fëmijërisë, Viron Kallanxhiun, i cili kishte pasur probleme të hershme me vëllezërit Boriçi. Ai rrëfeu se në vitin 2004 është plagosur me tre plumba, duke dyshuar se pas ngjarjes qëndronte Ismet Boriçi, për shkak të historisë së mëparshme mes këtij të fundit dhe Vironit.

“U krijua një situatë pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta, por më qëlloi. Ika me vrap dhe më morën,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas kësaj ngjarjeje vendosi të merrte hak. Ai pranoi para trupit gjykues se qëllimi i tij ishte vrasja e Ismet Boriçit. “Doja ta mbaroja punë me të, ta vrisja,” u shpreh hapur Hoxhaj gjatë dëshmisë. Sipas tij, në vitin 2018, së bashku me një person të quajtur Skerdi, organizuan një atentat ndaj Boriçit. Për këtë qëllim, ai tha se kishin siguruar një automjet Renault të vjedhur, armë zjarri, përfshirë një pistoletë Glock dhe një armë automatike, si dhe targa greke për të mos u identifikuar.

 

 

Hoxhaj rrëfeu se disa herë gjatë ditës patrullonin rreth pronës së Boriçit për ta vëzhguar. Në momentin e sulmit, sipas tij, Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua, ndërsa ai vetë qëlloi nga timoni me pistoletë. Megjithatë, për shkak të xhamave të zinj të makinës, plumbat u ndalën dhe vëllezërit Boriçi pësuan vetëm gërvishtje të lehta.

“Ata na pikasën për shkak të xhamave të zinj dhe targave të huaja,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas të shtënave, objektivat u futën në lokal dhe më pas në banesë, ndërsa ata nuk dolën nga makina.

Në dëshminë e tij, Hoxhaj theksoi se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e atentatit dhe se ai nuk kishte komunikuar me të për këtë ngjarje. Ai gjithashtu deklaroi se disa persona të përmendur në proces, si Renato Çami, i njeh vetëm si emra dhe jo personalisht. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj përshkroi edhe vendndodhjen e ngjarjes, pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku ndodhej edhe banesa e familjes Boriçi.

Zhupa kërkon ndryshime ligjore: Shteti të jetë garant i trashëgimisë kulturore, jo privati

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:49

Deputetja Ina Zhupa prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nismën e saj për një ndryshim në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Zhupa shpjegoi se ndryshimi ka të bëjë me faktin se gjatë kohës së shqyrtimit kushtetues të marrëveshjes për Butrintin, Ligji i 2018-ës kishte kaluar kohën 2-vjeçare për të cilën mund të kundërshtohej për antikushtetutshmëri në lidhje me atë që paraqiste në kundërshtim me Konventën e Parisit.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja ishte në përputhje me ligjin, por ligji vetë ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Zhupa, sipas së cilës, kjo është arsyeja pse ajo propozon një ndryshim në ligj, në mënyrë që shteti shqiptar të mos ketë një ligj antikushtetues që nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Deputetja e opozitës u shpreh se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 5 të saj, shpreh detyrimin që çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik e zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Ndryshimet synojnë çuarjen e këtij ligji konformon Konventës së Parisit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar”, tha Zhupa.

Nenet që Zhupa propozon të ndryshohen, tentojnë të krijojnë garancinë që kërkon Konventa e Parisit, që shtetet të jenë përgjegjës për trashëgiminë e tyre kulturore.

“Trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për ta interpretuar historinë e vendit tënd, për të interpretuar gjetjet arkeologjike dhe për të përfituar nga fonde publike që gjenerohen nga kjo trashëgimi”, u shpreh deputetja.

Zhupa theksoi se nuk është qëllimi për të hequr AADF nga Butrinti, por të mos lejohet që ky shembull të bëhet një precedent i rrezikshëm për çdo pasuri kulturore të shtetit shqiptar.

Pas debateve, mazhoranca me 8 vota rrëzoi nismën e propozuar nga deputetja e PD.

Balla: Thellësisht tronditëse ngjarja në Itali ku humbi jetën familja shqiptare

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:37

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, reagoi sot pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.

Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë.

“Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.

Familja shqiptare humbi jetën si pasojë e çlirimit të monoksidit të karbonit nga një kaldajë me defekt në banesën e tyre. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku babai 48 vjeç punonte në një kompani private, nëna 42 vjeçe ishte shtëpiake, djali 23-vjeçar punonte si elektricist dhe vajza 15-vjeçare ishte nxënëse.

Mediet italiane shprehen se familja shqiptare ishte prej vitesh e integruar dhe e respektuar në komunitetin lokal.

 

 

 

;

Protesta 3-ditore për resortin në Rrjoll të Velipojës, banorët paraqiten në dyert e SPAK

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:22

Pasi protestuan për tre ditë radhazi në zonën e Rrjollit, në Velipojë, banorët e këtij fshati janë paraqitur këtë herë në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për ndaljen e punimeve ndërtimore që po kryhen për ndërtimin e një restoranti në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas banorëve, investimi në fjalë po realizohet në toka që ata i pretendojnë si prona të trashëguara familjare, ndërsa theksojnë se ndërtimi po vijon pa zgjidhur më parë konfliktin e pronësisë. Ata shprehen se janë dëmtuar drejtpërdrejt nga këto punime dhe kërkojnë verifikim të plotë të dokumentacionit ligjor mbi bazën e të cilit është lejuar ndërtimi.

Kjo nuk është hera e parë që banorët i drejtohen SPAK-ut. Kujtohet se më 25 mars të vitit të kaluar, ata kanë depozituar një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese, si edhe ndaj personave që, sipas tyre, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë për parcelat në zonën Baks–Rrjoll. Banorët kërkojnë zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të çdo personi të përfshirë në këtë proces.

Identifikohen 4 anëtarët e familjes shqiptare qe humben jeten në Itali

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:21

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare, të cilët humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Sipas tij, bëhet fjalë për familjen Kola, e cila u shua në mënyrë tragjike mbrëmjen e djeshme (4 shkurt).

Ai thotë se viktimat janë babai Arti Kola, nëna Jonida dhe dy fëmijët Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeç.

“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.

NGJARJA

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.

Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç, por ende nuk kanë identifikuar. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.

Po ashtu edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

Sekuestrimi i sendeve personale, Apeli i GJKKO merr vendimin për ish-zyrtaren e Policisë, Ervina Gjana!

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:20

Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë sot vendimin për ankimimin e ish-zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, në lidhje me sekuestrimin e sendeve personale që lidhen me një hetim që SPAK po zhvillon për një dosje penale.

Trupa gjyqësore e kryesuar nga Florjan Kalaja mori vendimin që të pranonte pjesërisht kërkesën në fjalë, duke ndaluar publikimin e të dhënave që lidhen me materialet e sekuestruara dhe që i përkasin ankimuesit.

Shkalla e parë e GJKKO-së kishte marrë vendimin për sekuestron e këtyre materialeve që SPAK i cilësonte me rëndësi për hetimin.

Vendimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”.

Shiste ora kontrabandë dhe imitime të markave të ndryshme, e pëson tregtari në Berat

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:41

Policia e Beratit ka zbuluar një subjekt tregtar në lagjen “10 Korriku” që ushtronte aktivitet të paligjshëm, duke shitur ora dore të kontrabanduara dhe imitime të markave të ndryshme, pa fatura tatimore dhe pa lëshuar kuponë fiskalë, si në dyqan ashtu edhe online.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së informalitetit dhe tregtimit të produkteve të kontrabanduara, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare konstatuan shkeljet dhe referuan materialet në Prokurori. Për këtë rast nisi procedimi penal ndaj pronarit të subjektit, shtetasit me inicialet A. D., 39 vjeç.

Gjatë kontrollit në ambientet e subjektit u sekuestruan 191 ora dore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat rezultonin imitime të markave të ndryshme. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi nuk dispononte fatura blerjeje për mallrat dhe nuk lëshonte kuponë tatimorë gjatë shitjes së tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet kundër paligjshmërive në fushën ekonomike vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Kriza e blegtorisë, importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:27

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës po dëshmon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka pësuar një rritje të fortë të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, po tregon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian. Kjo rritje e importeve vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori po pëson rënie sistematike, e nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore. Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.

Sakaq, tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja. Forcimi i monedhës vendase e ka bërë importin e djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian shumë më të lirë sesa vitet e kaluara. Për një tregtar, sot është me më leverdi të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.

Kjo situatë krijon një rreth vicioz ku, sa më shumë rriten importet, aq më shumë ulet presioni mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale. Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë e reflektuar në shifrat e vitit 2025 do të vijojnë me të njëjtat ritme. Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti po tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave./ Monitor

“Pamë katër trupat në dysheme”/ Tragjedi në Itali, u helmuan nga monoksidi i karbonit, shuhet familja shqiptare

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:21

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës komunën e Porcarit, në fushën e Luccës, në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë babai 48-vjeçar, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, me origjinë shqiptare. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u shpëtua por ndodhet në gjendje kritike i shtruar në Spitalin Cisanello, pasi humbi ndjenjat për shkak të helmimit sapo mbërriti në banesë.

Corriere raporton se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.

Gaza në flakë, 24 të vrarë nga sulmet izraelite

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:10

Sulmet izraelite goditën Gazën të mërkurën, duke vrarë të paktën 24 palestinezë, mes të cilëve edhe dy foshnja, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në territor, ku armëpushimi i brishtë po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Izraeli tha se vrau tre udhëheqës militantë dhe të tjerë që paraqisnin kërcënim për forcat e tij, dhe se disa sulme erdhën si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit që plagosi rëndë një nga ushtarët e tij.

Sulmet vdekjeprurëse izraelite kanë ndërprerë vazhdimisht armëpushimin që nga hyrja e tij në fuqi më 10 tetor. Rritja e numrit të viktimave palestineze ka bërë që shumë në Gaza të ndjejnë se lufta po vazhdon pa ndërprerje.

Mes palestinezëve të vrarë të mërkurën ishin të paktën pesë fëmijë, shtatë gra dhe një mjek në detyrë, sipas zyrtarëve të spitaleve.

“Ku është armëpushimi? Ku janë ndërmjetësit?” shkroi Dr. Mohamed Abu Selmiya, drejtor i Spitalit Shifa në Gazë, në një postim në Facebook.

Sulmet vdekjeprurëse vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit

Armëpushimi synonte të ndalte luftën mbi dyvjeçare, e cila filloi me sulmin vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Edhe pse luftimet më të rënda janë zbutur, ato janë shoqëruar nga shpërthime të përsëritura dhune.

Gjithsej 556 palestinezë, gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë nga Izraeli që kur armëpushimi hyri në fuqi, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza. Ushtria izraelite thotë se katër ushtarë të saj janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit.

Izraeli ka thënë se sulmet e tij janë përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi ose sulmeve militante ndaj ushtarëve të tij. Tetë vende arabe dhe myslimane, përfshirë ndërmjetësit Egjiptin dhe Katarin, së fundmi dënuan atë që e quajtën “shkeljet e përsëritura” të marrëveshjes nga Izraeli.

Një zyrtar ushtarak izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha për Associated Press se sulmet e fundit ishin përgjigje ndaj të shtënave militante që plagosën rëndë një ushtar rezervist të mërkurën në mëngjes.

Sulmi i mëngjesit vret 11 persona, përfshirë dy fëmijë

Trupat izraelite qëlluan një ndërtesë në lagjen Tuffah në veri të Gazës, duke vrarë të paktën 11 persona, shumica nga e njëjta familje, tha Spitali Shifa, i cili pranoi trupat. Mes të vrarëve ishin dy prindërit, vajza e tyre 10-ditëshe Wateen Khabbaz, kushërira e saj 5-muajshe Mira Khabbaz dhe gjyshja e fëmijëve.

Ushtria izraelite tha se sulmi ishte një përgjigje në kohë reale ndaj të shtënave që kishin në shënjestër ushtarët e saj.

Sulmet vazhdojnë të mërkurën

Një sulm ndaj një tende në zonën Muwasi të Khan Younis vrau të paktën tre persona dhe plagosi 10 të tjerë, sipas një spitali të Kryqit të Kuq Palestinez. Mes të vrarëve ishte një mjek i shërbimit të urgjencës në detyrë.

Ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër dhe vrau komandantin e një toge të Hamasit, Bilal Abu Assi, i cili udhëhoqi një sulm vdekjeprurës në Kibbutz Nir Oz gjatë ofensivës së vitit 2023.

Një sulm tjetër në Khan Younis vrau tre persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, sipas Spitalit Nasser.

Një tjetër sulm goditi kampin e refugjatëve Al-Shati në Gazë, duke vrarë një person dhe plagosur një tjetër. Ushtria izraelite tha se kishte vrarë udhëheqësin e një celule të Hamasit përgjegjëse për vrasjen e një ushtari të rrëmbyer gjatë sulmit të tetorit 2023.

Izraeli tha se militanti i tretë i vrarë të mërkurën ishte një udhëheqës i Xhihadit Islamik në veri të Gazës.

Në total, të paktën 38 palestinezë u plagosën nga sulmet të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Kalimi në kufirin Rafah është minimal

Hapja e kalimit kufitar Rafah të hënën u përshëndet si një hap përpara për armëpushimin e brishtë. Por që atëherë, kalimi i palestinezëve është shoqëruar me vonesa, marrje në pyetje dhe pasiguri mbi ata që lejohen të kalojnë.

Të mërkurën, 15 pacientë nga Gaza dhe 31 të afërm të tyre ishin planifikuar të kalonin në Egjipt, por më shumë se gjysma e grupit u kthyen mbrapsht.

Marrëveshja e armëpushimit ecën ngadalë

Edhe pse luftimet nuk kanë ndaluar plotësisht, disa pjesë të marrëveshjes kanë përparuar. Hamasi ka liruar të gjithë pengjet që mbante, dhe në këmbim Izraeli ka liruar mijëra palestinezë. Ndihma humanitare është shtuar dhe një komitet teknokrat është emëruar për të administruar punët e përditshme të territorit.

Kryqi i Kuq tha të mërkurën se kishte ndërmjetësuar dorëzimin e 54 trupave palestinezë të kthyer në Gaza. Spitali Shifa tha se kishte marrë gjithashtu mbi 60 kuti me mbetje të tjera. Ekspertët mjeko-ligjorë do të fillojnë punën për identifikimin e tyre në një territor ku mijëra persona ende konsiderohen të zhdukur.

Elementët kryesorë të marrëveshjes duket se kanë ngecur, përfshirë vendosjen e një force sigurie ndërkombëtare, çarmatosjen e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Në sulmin e vitit 2023 që nisi luftën, mijëra militantë të Hamasit hynë në jug të Izraelit pas një breshërie raketash, duke vrarë 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Mbi 71 mijë e 800 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk dallon mes luftëtarëve dhe civilëve. Ministria, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Hamasi, mban regjistra të detajuar viktimash që konsiderohen përgjithësisht të besueshëm nga agjencitë e OKB-së dhe ekspertë të pavarur.

❌
❌