Normal view

Michael Jackson nuk është shfaqur në një autobus brazilian

14 May 2026 at 15:53

Pretendimi: Kjo video tregon këngëtarin e ndjerë amerikan Michael Jackson, ose dikë që i përngjan shumë atij

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————–

Në 12 dhe 13 maj 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, u bë virale një video që dukej se tregonte dikë që i përngjante këngëtarit amerikan Michael Jackson, i cili ndërroi jetë në 2009. 

Në disa raste, video shoqërohej me pretendimin se Jackson në të vërtetë është gjallë.

Megjithatë, kjo video nuk tregon as Michael Jackson as ndonjë person që i përngjan. Ajo është gjeneruar me anë të progameve të inteligjencës artificiale (AI).

Një tregues i origjinës së gjeneruar së videos është shkurtësia e videos 10-sekondëshe. Shumica e programeve AI i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rrethe 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për të vijuar krijimin e detajeve.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht në Instagram më 11 maj nga llogaria @promptkillers. “Prompt” quhen udhëzimet që përdoruesit i japin programeve AI për t’i treguar çfarë skene duhet të gjenerojë.

Video origjinale është etiketuar si AI kur është postuar. 

Më tej, llogaria që e ka postuar vetëpërshkruhet si “portal i inteligjencës artificiale (AI)” dhe fton përdoruesit të përdorin “promptet” e saj dhe promovon një faqe që vetëpërshkruhet si “galeria më e mirë AI e Brazilit.”

Për më tepër, llogaria duket se poston ekskluzivisht përmbajtje të gjeneruara me AI, që përfshijnë Jackson dhe figura të tjera të famshme artistike, politike dhe sportive..

Më 13 maj, llogaria postoi një video tjetër të “Michael Jackson” me të njëjtën bluzë në autobus.

Në të vërtetë, Michael Jackson vdiq më 25 qershor 2009 nga mbidozimi me anestetikun propofol në Los Angeles, Kaliforni, në moshën 50 vjeç.

The post Michael Jackson nuk është shfaqur në një autobus brazilian appeared first on Faktoje.al.

Ky kamion që humbet mallin në autostradë është i gjeneruar

12 May 2026 at 10:13

Pretendimi: Kjo video tregon një kamion, të cilit i bie i gjithë malli në autostradën Tiranë-Durrës.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një kamion, të cilit i bie i gjithë malli në autostradën Tiranë-Durrës.

Megjithatë, video e mësipërme me gjasa është gjeneruar nga programet kompjuterike me inteligjencën artificiale (AI).

Tregues kryesorë karakteristikë të pamjeve të gjeneruara me AI është shkurtësia e videos 8-sekondëshe dhe teksti i deformuar në tabelën në video.

Shumica e programeve AI falas i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rrethe 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për t’u mbajtur konsistent.

Ndërkaq, bie në sy edhe teksti i deformuar në tabelën që pretendohet se ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.

Një krahasim mes tabelës në video dhe tabelës reale në autostradë zbulon se video që po qarkullon në rrjete sociale nuk është e vërtetë, por me gjasa e gjeneruar me AI.

Video të tilla kanë për qëllim të tërheqin audiencën dhe nxisin komente duke rritur shikueshmërinë e profileve në rrjetet sociale.

The post Ky kamion që humbet mallin në autostradë është i gjeneruar appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto e braktisjes së traditës islame të presidentit sirian

11 May 2026 at 14:59

Pretendimi: Kjo foto tregon presidentin sirian Ahmed al-Sharaa duke i shtrënguar dorën ish-ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock në vitin 2026.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidentin sirian Ahmed al-Sharaa duke i shtrënguar dorën ish-ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock. 

Ky imazh krahasohet me një më të hershëm, nga janari 2025, në të cilën al-Sharaa shfaqet duke refuzuar t’i japë dorën Baerbock, por duke ia dhënë homologut të saj francez, i cili ishte burrë. Megjithëse refuzimi në atë kohë provokoi reagime të shumta kundërshtuese, në postimet që qarkullojnë në rrjete sociale dy imazhet krahasohen për të theksuar hipokrizinë e pretenduar të al-Sharaa, i cili pretendohet se ka ndërruar parime në 2026, duke i dhënë tashmë dorën Baerbock.

Megjithatë, admiruesit e al-Sharaa nuk duhet të pezmatohen ende. Imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë, por është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).

Një kërkim pamor me Google Lens, konfirmoi se imazhet janë etiketuar si “Bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Me Google Lens, Faktoje gjeti edhe foton origjinale nga duket se është frymëzuar imazhi i mësipërm. Ajo tregon al-Sharaa duke shtrënguar duart me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin më 30 mars 2026.

Foto origjinale

Ahmed al-Sharaa, i njohur më parë me pseudonimin e tij luftarak Abu Mohammad al-Julani dhe pjesë e organizatës terroriste Al-Kaida, po shërben si president i Sirisë që nga 2025. Ai udhëhoqi ofensivat e opozitës siriane që rezultuan në rënien e regjimit të Asadit gjatë luftës civile siriane. Më 3 janar 2025, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot u bënë diplomatët e parë të lartë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që vizituan Damaskun që nga rënia e Assadit, duke u takuar me al-Sharaa për të diskutuar një fillim të ri politik midis Evropës dhe Sirisë.

Annalena Baerbock shërbeu si ministre e Punëve të Jashtme e Gjermanisë nga 2021 deri në 2025. Që nga shtatori 2025, ajo mban pozicionin e Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

The post E gjeneruar kjo foto e braktisjes së traditës islame të presidentit sirian appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo lidhje izraelite e atentatorit të presidentit Trump

4 May 2026 at 16:56

Pretendimi: Kjo foto tregon Cole Tomas Allen, i cili u përpoq të vriste presidentin amerikan Donald Trump, të veshur me një bluzë të ushtrisë izraelite.

Verdikti: E paprovuar, Gjeneruar me AI

————————————————–

Në fund të prillit 2026, një burrë i armatosur u përpoq të futej me forcë në sallën ku po mbahej Darka vjetore e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Policia shoqëroi një burrë të akuzuar për sulmin, Cole Tomas Allen, pasi të shtënat me armë zjarri lanë një agjent të Shërbimit Sekret me lëndime jo kërcënuese për jetën.

Pas këtij sulmi, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon të dyshuarin në fjalë të veshur me një bluzë të ushtrisë izraelite (IDF).

Kjo foto dhe pretendimi për një lidhje të atentatorit me Izraelin janë pjesë e teorive që u ndanë në rrjet rreth identitetit, përkatësive dhe motiveve të Allen. Ndër to ishte postimi i imazhit të mësipërm, që tregonte një person që i ngjante Allen, i cili mbante veshur një bluzë me emblemën e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), emri zyrtar i ushtrisë izraelite. Postimi shkruante: “Ai që qëlloi darkën e Trump ishte SIONIST! MOS e lini median ta fshehë këtë! Nëse do të ishte e kundërta, do të ishte KUDO!”

Versioni më i vjetër i imazhit ishte në postimin e The Maga Report, të cilin disa nga postimet që përhapnin pretendimin e ndanë si një pamje të ekranit. Kjo llogari e postoi imazhin më 25 prill 2026, në orën 22:52, në zonën kohore EDT (26 prill, ora 4:52 e mëngjesit në zonën kohore të Shqipërisë).

Nuk ka prova që ndonjë version i imazhit u shfaq në internet para sulmit, të cilin metadatat e fotove nga The Associated Press sugjerojnë se filloi afërsisht në orën 20:34 EDT po atë ditë.

Një llogari në LinkedIn që dukej të ishte e Allen nuk e përfshinte imazhin e mësipërme në historikun e postimeve të saj.

Tregues pamorë brenda vetë imazhit sugjerojnë se ai mund të jetë gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Të paktën dy detaje bien në sy si të pazakonta në pjesën e sipërme të majtë të imazhit. Një tavolinë pranë derës, e pozicionuar sikur të ishte një tavolinë hyrjeje, duket se ka dy këmbë që mbarojnë menjëherë pas disa centimetrave. Një objekt i paidentifikueshëm pranë tij qëndron menjëherë përpara derës. Për më tepër, njëra anë e pantallonave të burrit duket shumë e gjerë, duke u shtrirë disa centimetra përtej vitheve të tij. Ana tjetër e pantallonave duket se përzihet ose bashkohet me karrigen. 

Më tej, një nishan që duhet të ishte në tëmthin e Allen mungon në imazhin e mësipërm. Imazhi me AI tregon një nishan në faqen e tij që nuk ekziston në imazhet reale të tij. Fotot e verifikuara të Allenit tregojnë gjithashtu se struktura bazë e veshëve të tij nuk përputhet me veshët në imazhin AI.

The post E gjeneruar kjo lidhje izraelite e atentatorit të presidentit Trump appeared first on Faktoje.al.

Ky shkatërrim i statujës së Krishtit nga ushtari izraelit rezulton i rremë

27 April 2026 at 17:11

Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar izraelit që ka shkatërruar një statujë të Jezu Krishtit në Liban

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një ushtar izraelit krahas një statuje të Jezu Krishtit të cilës i ka prerë kokën në Libanin jugor.

Imazhi i mësipërm qarkullon pas një incidenti që ndodhi në fshatin Debel, në Libanin jugor, ku një ushtar izraelit u fotografua duke goditur një statujë të Jezusit me çekiç në fund-Prill 2026. 

Foto autentike e një ushtari izraelit duke vandalizuar një statujë të Krishtit në Liban

Megjithatë, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon këtë incident. Me gjasa, ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Një kërkim pamor me Google Lens gjeti shumë postime të ngjashme në rrjete, por asnjë raportim rreth ndonjë incidenti të dytë vandalizmi.

Statuja në imazhin e gjeneruar bazohet në formën ikonografike të Shën Mërisë, nganjëherë e shfaqur me një mantel blu që varet mbi parakrahët. Ikona bën një gjest të qetë me duart e mbajtura poshtë, pëllëmbët e kthyera nga shikuesi. Është e pagabueshme si një figurë e Shën Mërisë edhe pa kokë.

Imazhi i rremë tregon një kokë të thyer në bazën e statujës. Koka ka fytyrën e pagabueshme ikonografike të Jezusit. Mjekra e tij ndahet në dy seksione simetrike të përdredhura dhe ana e majtë e qafës së tij është e dukshme nën flokët e tij deri në shpatulla. 

Programi AI duket se e ka marrë këtë kokë nga imazhet tradicionale të kryqëzimit, në të cilat Jezusi shfaqet me sy të mbyllur dhe me kokën të varur e anuar drejt shpatullës së djathtë. Këto detaje sugjerojnë se koka rrjedh nga imazhet e kryqëzimit, por kurora me gjemba mungon. Nuk ka asnjë traditë në të cilën Jezusi shfaqet si në këmbë edhe me sytë e mbyllur. Kjo kokë nuk mund t’i përkiste logjikisht trupit në imazh. Imazhi më poshtë tregon se si dy pjesët e kësaj statuje të thyer nuk do mund të përshtateshin së bashku. Qafa dhe flokët e Jezusit nuk do mund të futeshin në zonën e mbetur në shpatull.

The post Ky shkatërrim i statujës së Krishtit nga ushtari izraelit rezulton i rremë appeared first on Faktoje.al.

Kina nuk ka shpikur ende këtë top me fuqi hipersonike

27 April 2026 at 16:53

Pretendimi: Kjo video tregon një një top me qitje 7 herë më shpejt se zëri të shpikur nga Kina

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon “një sistem testimi hipersonik i projektuar për të simuluar shpejtësi që arrijnë disa herë shpejtësinë e zërit,” të shpikur nga Kina.

Megjithatë, të dhënat pamore sugjerojnë se video është me gjasa e gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

“Njerëzit” e paraqitur pranë topit lëvizin në mënyrë të çrregullt, madje njëri edhe duket se teleportohet. Një pjesë kubike e strukturës “kërcen” në mënyrë të pashpjegueshme në të njëjtën kohë me teleportimin. Shkurret në plan të parë kanë një turbullirë dalluese tipike të përmbajtjeve të gjeneruara me AI. Vetë topi duket i zbrazët pasi qëllohet, gjë që është atipike për dizajnet e armëve të vërteta.

Kur qëllohet, topi bëhet transparent dhe është e mundur të shihet sfondi që ishte i mbuluar më parë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte postuar fillimisht në internet në Nëntor 2025, nga një llogari në Youtube e quajtur Gukzzang. Të gjitha videot e llogarisë paraqesin pajisje ushtarake, anije luftarake, avionë luftarakë, helikopterë, topa dhe madje edhe robotë fantastiko-shkencorë. 

Shumë nga këto video kanë hashtagun #ai në titull, si dhe shënimin: “Përmbajtje sintetike ose e ndryshuar.” Të dy shënimet shfaqen së bashku në videon me topin elektromagnetik.

Ekzistojnë vërtet armë elektromagnetike, siç janë topat elektrikë, të cilat Kina i ka zhvilluar që nga viti 2011.

Topat elektrikë lëshojnë predha të ngurta me shpejtësi të lartë, shpesh duke tejkaluar Mach 7 në shkrepje me një rreze veprimi që tejkalon 200 milje detare, duke përdorur forcë elektromagnetike. Kjo tejkalon shumë armët tradicionale detare me shpejtësi rreth Mach 2 dhe rreze veprimi prej 13-20 miljesh detare.

Dallimi kryesor midis një topi elektrik tradicional dhe atij të treguar në videon e mësipërme është lloji i predhës. Për shkak të forcës së madhe shtytëse të ushtruar mbi predhën, mund të përdoren predha normale të ngurta me efekt shkatërrues, pa patur nevojë për predha shpërthyese.

Përdorimi i predhave jo-shpërthyese do të thotë gjithashtu që municionet peshojnë më pak, pasi nuk nevojitet barut, duke mundësuar kështu marrjen e sasive më të mëdha të municionit.

Megjithatë, ndoshta kufizimi më i madh i armëve elektrike është konsumimi ekstrem i tytës dhe stresi tjetër strukturor i shkaktuar nga forca dhe nxehtësia e madhe, gjë që kufizon shumë numrin e të shtënave që mund të bëhen para se tyta të ketë nevojë për zëvendësim. 

Sasia e energjisë së nevojshme për të fuqizuar topat elektrikë për të arritur forcë të mjaftueshme është gjithashtu shumë e madhe, shpesh deri në atë masë sa kërkon shumë pajisje fizike për t’u zbatuar në anijet luftarake, duke kufizuar përdorimin e saj për të testuar anijet dhe laboratorët e kërkimit dhe zhvillimit.

The post Kina nuk ka shpikur ende këtë top me fuqi hipersonike appeared first on Faktoje.al.

Të gjeneruara këto imazhe të Trump në shoqërinë e vajzave të mitura

27 April 2026 at 16:05

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë presidentin amerikan Donald Trump dhe pedotrafikantin Jeffrey Epstein me një numër vajzash të mitura

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë disa imazhe që duket se tregojnë presidentin amerikan Donald Trump dhe pedotrafikantin Jeffrey Epstein me një numër vajzash të mitura, shoqëruar me pretendimin se fotot ishin pjesë e dosjeve Epstein dhe ishin bërë publike nga Irani si hakmarrje ndaj kërcënimeve të Trump.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 15 nëntor 2025, përpara sulmeve Izrael-ShBA kundër Iranit në shkurt 2026.

Më tej, video në TikTok u botua disa ditë para se Kongresi amerikan të miratonte Aktin për Transparencë të Dosjeve Epstein më 19 nëntor 2025. Departamenti i Drejtësisë publikoi një numër të vogël dosjesh në shkurt 2025, por publikimi i parë i madh filloi më 19 dhjetor 2025, duke vazhduar deri më 23 dhjetor 2025. 

Më 30 janar 2026, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se u publikuan edhe 3 milionë faqe të tjera, duke e çuar totalin e dosjeve të publikuara në mbi 3.5 milionë.

Disa nga imazhet në video janë autentike dhe të publikuara gjerësisht. 

Për shembull, një foto e Donald Trump, gruas së tij të ardhshme Melania Knauss, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxëell në një festë në Mar-a-Lago më 12 shkurt 2000 shfaqet edhe në bibliotekën Getty Images. Imazhi i fundit që shfaqet në video tregon Trump dhe Epstein duke bërë shaka në një festë, dhe është marrë nga një video e vitit 1992, para arrestimit të parë të Epstein, e filmuar nga një ekip i NBC News në Mar-a-Lago. Ky filmim u rizbulua në arkivin e NBC dhe u ribotua më 17 korrik 2019, ndërsa Epstein ishte në një burg federal në New York, vetëm disa javë para vdekjes së tij.

Megjithatë, shumica e imazheve në video janë falsifikime të gjeneruara nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale. Ato tregojnë personazhe me lëkurë tepër të lëmuar që i bën njerëzit të duken si kukulla.Një imazh tregon një shëmbëlltyrë të Trump me gjoks të zhveshur me një vajzë të mitur me bikini, dhe pas tyre një burrë që i ngjan Epstein me një vajzë tjetër të mitur me bikini. Një imazh tjetër tregon figurën e Trump duke puthur faqen e një vajze të re, dhe burrin në sfond duke mbajtur një vajzë tjetër të re. Në të dyja imazhet dora e burrit në sfond tregon pesë gishta, pa llogaritur gishtin e madh i cili nuk është në foto, një shenjë kjo e përdorimit të programeve të gjenerimit të imazheve.

The post Të gjeneruara këto imazhe të Trump në shoqërinë e vajzave të mitura appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar imazhi i këtij pushimi me fruta i ekuipazhit të Artemis II

24 April 2026 at 16:48

Pretendimi: Ky imazh tregon astronautët e misionit hapësinor Artemis II duke ngrënë fruta

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon astronautët e misionit hapësinor Artemis II të NASA duke ngrënë banane në mungesë graviteti. Imazhi ndahet si një moment pushimi njerëzor edhe në këto kushte të pazakonta.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai me gjasa është krijuar me programe të inteligjencës artificiale.

Një numër elementësh të imazhit na bëjnë të dyshojmë vërtetësinë e tij. 

Si fillim vëmë re kostumet portokalli të astronautëve. Këto kostume ngjyrë “Portokalli Ndërkombëtare” janë kostumet e fluturimit, që astronautët mbajtën veshur gjatë lëshimit hapësinor dhe zbritjes. Kostumet, të cilat funksionojnë si mini-sisteme mbështetëse për jetën (astronautët mund të jetojnë në to për 144 orë, nëse është e nevojshme), u prodhuan me porosi sipas fizikut të secilit astronautë nga inxhinierët e NASA.

Nuk ka arsye pse astronautët do të kishin veshur këto kostume për të ngrënë banane. Në fakt, pamjet e botuara nga NASA i tregojnë astronautët në kabinë të veshur me rroba shumë më të thjeshta: bluza me mëngë të shkurtra dhe pantallona.

Ekuipazhi Artemis II në një foto në grup, brenda anijes kozmike, gjatë rrugës për në shtëpi.

Gjithashtu dritarja panoramike dhe hapësira e bollshme për katër të rritur nuk përkojnë me realitetin e anijes hapësinore Integrity që çoi misionin deri në Hënë dhe mbrapsht.

Dritaret e vërteta të anijes hapësinore janë shumë më të vogla, siç vërehet në këtë video nga brenda kabinës së Integrity.

.

Astronauti Victor Glover krahas dritares së Integrity

Imazhe zyrtare të botuara në faqen e NASA gjithashtu tregojnë vogëlsinë e dritareve të Integrity.

Astronautja Christina Koch duke parë Tokën nga dritarja e Integrity

Hëna shihet në dritaren e anijes kozmike në një foto të bërë nga ekuipazhi i Artemis II, në fund të Ditës 5 të udhëtimit drejt hënës

Piloti i Artemis II Victor Glover, shikon nga njëra prej dritareve të anijes kozmike duke shikuar Tokën përpara fluturimit hënor të ekuipazhit.

Komandanti i Artemis II Reid Wiseman, shikon nga njëra prej dritareve kryesore të kabinës së anijes kozmike drejt Hënës përpara fluturimit hënor të ekuipazhit më 6 prill 2026.

Sipas NASA, për të vëzhguar Hënën si pjesë e misionit, “meqenëse hapësira në dritaret e [anijes kozmike] është e kufizuar, ekuipazhi do të ndahet në çifte, me dy anëtarë të ekuipazhit që do të vëzhgojnë për 55 deri në 85 minuta, ndërsa çifti tjetër do të ushtrohet ose do të punojë në detyra të tjera.”

Pra, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale nuk mund të jetë i vërtetë, sepse nuk ekzistonte një dritare mjaftueshëm e gjerë apo një hapësirë mjaftueshëm e madhe në anijen kozmike të Artemis II. 

Më tej, imazhi nuk është botuar as në faqen zyrtare, as në rrjetet socialeNASA.

The post I gjeneruar imazhi i këtij pushimi me fruta i ekuipazhit të Artemis II appeared first on Faktoje.al.

Ky avion fryrës prej gome nuk mashtroi raketat izraelite mbi Iran

23 April 2026 at 16:45

Pretendimi: Kjo video tregon avionët plastikë me fryrje që përdori Irani për të mashtruar Izraelin

Verdikti: E paërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————–

Një video që ka marrë mbi 2000 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një tullumbac gome që fryhet dhe merr formë avioni. Video shoqërohet me pretendimin se Irani ka përdorur këto tullumbace-avionë për të mashtruar raketat izraelite.

Megjithatë, për të mbështëtur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Irani ka përdorur më parë karrema për të mashtruar objektivat e armikut, të tillë si karremat lundruese që reflektojnë radarët e vendosur gjatë luftës Iran-Irak në 1980-1988.

Megjithatë, nuk ka prova se Irani po përdor avionë tullumbace për të mashtruar sulmet izraelite, apo nëse kjo taktikë do të funksiononte të mashtronte radarët e avancuar të këtyre viteve.

Video e mësipërme me gjasa është krijuar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI). Një tregues i hershëm është shkurtësia e videos. Shumica e programeve AI falas gjenerojnë klipe të shkurtra 8-10 sekondëshe.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht më 15 prill 2026 në TikTok.

Siç duket, video origjinale nuk përmend as Iranin, as Izraelin, as Kinën. Në fakt, përshkrimi i saj përmban vetëm etiketimet: “#LIVEIncentiveProgram #LIVEFEST2026 #MakrlLIVECount #PaidPartnership.”

TikTok LIVE Incentive Program është një program monetizimi që shpërblyer krijuesit për organizimin e transmetimeve të drejtpërdrejta, nxitjen e angazhimit dhe prodhimin e përmbajtjes së drejtpërdrejtë me cilësi të lartë.

Ndërkaq, llogaria që ka postuar videon e avionit duket se poston ekskluzivisht video të gjeneruara me AI.

Pra, llogaria që poston përmbajtet e gjeneruara me AI paguhet për sa më shumë shikime që marrin videot e saj.

Kështu, publikimi dhe përhapja e videove të rreme të dizenjuara për të tërhequr vëmendjen dhe provokuar kureshtjen e publikut tashmë ka pas edhe incentivë monetare, një arsye më shumë për lexuesin të presë me skepticizëm video të tilla.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Ky avion fryrës prej gome nuk mashtroi raketat izraelite mbi Iran appeared first on Faktoje.al.

Një gjenerim kjo video e zbritjes së NASA në një skenë kinematografike

23 April 2026 at 15:23

Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga inskenimi i zbarkimit në Hënë të NASA

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————

Misioni i fundit i NASA, Artemis II, ka ringjallur në rrjet pretendimet e hershme të inskenimeve në studio kinematografike të udhëtimeve hapësinore të njeriut. Nën këtë dyshim qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, një video që pretendohet se tregon pamje nga inskenimi i zbarkimit në Hënë të NASA.

Megjithatë, video e mësipërme nuk ëshë e vërtetë. Ajo është krijuar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Një tregues kryesor është logo e Sora, modeli tekst-në-video i Open AI. Duke përdorur inteligjencën artificiale, modeli gjeneron videoklipe të shkurtra bazuar në udhëzime të dhëna nga përdoruesi.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale ishte postuar në TikTok në tetor 2025 nga një llogari me emrin @ai.reversed, e cila, sipas vetëpërshkrimit, “përmbys realitetin me AI,” dhe, siç mund të pritej, poston ekskluzivisht video të gjeneruara me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Një gjenerim kjo video e zbritjes së NASA në një skenë kinematografike appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky pilot amerikan i rënë në duart e Gardës Islamike

22 April 2026 at 14:27

Pretendimi: Ky imazh tregon një pilot amerikan të kapur nga Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) në prill 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një pilot amerikan të kapur nga Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) në prill 2026.

Për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Ndërkaq, imazhi që shoqëron postimin nuk është i vërtetë, por dukshëm i gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Tregues i menjëhershëm i origjinës artificiale të imazhit është shenja e Gemini, programit AI të Google, në cepin e djathtë, poshtë, të imazhit.

Më tej, një kërkim pamor me Google Lens, konfirmoi se imazhet janë etiketuar si “Bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Më 3 prill, forcat iraniane rrëzuan një avion luftarak amerikan F-15. Ekuipazhi prej dy personash, një pilot dhe një operator i sistemit të armëve, u nxorën nga avioni dhe ranë në vende të ndryshme brenda territorit iranian duke nxitur një mision shpëtimi me rrezik të lartë. 

Ndërkohë, Irani pretendoi se operacioni amerikan dështoi plotësishtme Gardën Revolucionare që postoi një foto që pretendonte se tregonte “kafkën e një ushtari amerikan midis rrënojave të një aeroplani të shkatërruar.” Garda nuk dha informacione të mëtejshme përveçse shtoi “më shumë prova të disfatës poshtëruese të gënjeshtarit Trump”.

Nuk ka raportime të besueshme se ndonjëri prej pilotëve është kapur rob.

The post I gjeneruar ky pilot amerikan i rënë në duart e Gardës Islamike appeared first on Faktoje.al.

Pelenat luksoze Gucci një trillim i Inteligjencës Artificiale

15 April 2026 at 16:58

Pretendimi: Shtëpia e modës Gucci ka hedhur në treg këto pelena 500 dollarëshe

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————-

Në fund të marsit 2026, në media dhe rrjetet sociale shqipfolëse qarkulloi gjerësisht lajmi se marka e luksit Gucci kishte sjellë në treg pelena fëmijësh që kushtonin 500 dollarë, shpesh shoqëruar me një imazh të pelenave të pretenduara.

Megjithatë, mos u bëni ende gati t’i porosisni këto pelena. Ato nuk ekzistojnë. Lajmi i mësipërm është i pavërtetë.

Imazhet që duket se kanë frymëzuar këtë lajm janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Një kërkim me motorrin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhet janë etiketuar si “Bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Nga ana tjetër, një kërkim në faqen zyrtare të Gucci për pelena fëmijësh nuk jep asnjë rezultat të tillë.

The post Pelenat luksoze Gucci një trillim i Inteligjencës Artificiale appeared first on Faktoje.al.

Ky pilot shqiptar që kërkon urime për babain nuk është real

10 April 2026 at 15:42

Pretendimi: Kjo video tregon një pilot shqiptar dhe babain e tij në shkallët e një avioni

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————-

Një video që ka marrë gati 10 mijë pëlqime dhe mbi 800 komente në Facebook pretendohet se tregon një pilot shqiptar që i shpreh mirënjohjen babait të tij të moshuar dhe të veshur keq në shkallët e avionit. Në videon e shkurtër, piloti dëgjohet të thotë se karrierën si pilot e ka falë babait të tij, dhe fton shikuesit t’i urojnë jetë të gjatë të atit.

Megjithatë, video e mësipërme, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo dallohet nga e folura dhe lëvizjet e panatyrshme të pilotit, si dhe ndriçimi dhe kontrasti tepër kinematografik i videos. 

Për më tepër, avioni pas dy burrave nuk duket se ka asnjë shenjë që identifikon kompaninë ajrore të cilës i përket. Shenja e kombësisë për avionët civilë të regjistruar në Shqipëri është “ZA”, pasuar nga një vizë dhe tre shkronja. Megjithatë, në regjistrin e avionëve civilë të regjistruar në Shqipëri nuk figuron asnjë avion i regjistruar me kodin “ZA-BAA”.

Video është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si mallëngjim për pilotin mirënjohës ndaj babait.

Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Ky pilot shqiptar që kërkon urime për babain nuk është real appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo video e fëmijës së sëmurë që kërkon lutje

9 April 2026 at 16:15

Pretendimi: Kjo video tregon një fëmijë të sëmurë dhe nënën e tij

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————————

Një video që ka marrë gati 200 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një nënë në spital me djalin e saj në karrocë me rrota. Në videon e shkurtër, gruaja dëgjohet të thotë se djali nesër ka operacionin e fundit dhe u kërkon përdoruesve asgjë përveç lutjeve të tyre.

Megjithatë, video e mësipërme, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo dallohet nga mënyra e panatyrshme me të cilën flet dhe lëviz gojën gruaja, sfondi i sfumuar, dhe gabimet drejtshkrimore në tekstet e shenjave pas personazheve.

Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për vogëlushin e sëmurë.

Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post E gjeneruar kjo video e fëmijës së sëmurë që kërkon lutje appeared first on Faktoje.al.

I pabazë ky rebelim i 340 ushtarakëve në pension ndaj luftës së Trump me Iranin

2 April 2026 at 10:24

Pretendimi: Më shumë se 340 gjeneralë amerikanë, admiralë, komandantë krahu dhe ekspertë sigurie në pension kanë lëshuar një paralajmërim publik duke pretenduar se presidenti i SHBA Donald Trump është një kërcënim për demokracinë amerikane.

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se 340 udhëheqës dhe ekspertë ushtarakë amerikanë në pension kanë paralajmëruar publikisht se presidenti i SHBA Donald Trump është një kërcënim për demokracinë amerikane.

Si fillim duhet vërejtur që imazhi që shoqëron postimin nuk është real por me gjasa është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI). Tregues i artificialitetit të imazhit janë turma e gjeneralëve që duken sikur janë klonuar, pasi janë kaq të ngjashëm. Më tej, një krahasim mes uniformave në imazh dhe uniformës së një gjenerali të vërtetë të ushtrisë amerikane, Mark A. Milley, tregon se ato përngjajnë vetëm përciptazi dhe nuk janë të njejta.

Gjeneral Mark A. Milley (djathtas) dhe “gjeneralët” e gjeneruar nga AI (majtas)

Sa i përket vetë pretendimit, megjithëse postimi flet për një “paralajmërim publik” ai nuk e bën publik paralajmërimin, fjalët konkrete që pretendohet se kanë thënë 340 udhëheqësit në pension, të cilët gjithashtu mbeten anonimë.

Postimi nuk jep as ndonjë burim apo referencë nga ku vjen ky informacion i pretenduar.

Një kërkim për këtë “paralajmërim publik” në motorët e kërkimit të rrjetit nuk jep ndonjë rezultat, dhe asnjë media e besueshme nuk ka raportuar mbi një ngjarje të tillë.

Për krahasim, Instituti Hebraik për Sigurinë Kombëtare të Amerikës (JINSA) botoi në fillim të marsit 2026 një letër të hapur në mbështetje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit nga 75 udhëheqës ushtarakë amerikanë në pension. Teksti i plotë i letrës u botua në faqen e JINSA dhe u raportua nga një numër mediash. Në përfundim të letrës, listohen dhe të gjithë emrat dhe gradat e nënshkruesve.

Letër e hapur në mbështetje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit nënshkruar nga 75 udhëheqës ushtarakë amerikanë në pension

Ndërsa “paralajmërimi publik” kundër Trump nga 340 ushtarakë amerikanë në pension mbetet i paprovuar publikisht.

The post I pabazë ky rebelim i 340 ushtarakëve në pension ndaj luftës së Trump me Iranin appeared first on Faktoje.al.

Ky rrafshim i aeroportit të Tel Avivit është gjeneruar nga AI

1 April 2026 at 10:37

Pretendimi: Këto pamje tregojnë shkatërrimin e aeroportit të Tel Avivit pas sulmeve me raketa iraniane

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Ndërsa Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet e ndërsjellta me raketa dhe dronë, në mediat sociale botërore, duke përfshirë ato shqiptare, po shpërndahen me shpejtësi lajme të rreme dhe foto të manipulara ose të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale (AI). I tillë ishte edhe rasti i fundit, ku një foto pretendon se aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është shkatërruar rëndë nga një sulm iranian. Fotoja e publikuar nga një portal në Facebook me datë 9 mars, në fakt nuk është reale, por është e gjeneruar me AI. 

Me datë 28 shkurt 2026, SHBA dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit, duke vrarë dhjetra civil si dhe liderin suprem te Iranit, Ali Khamenei. Në shenjë hakmarrjeje, më datë 5 mars, qeveria iraniane tha se kishte sulmuar aeroportin e Tel Avivit, Ben Gurion, si dhe zona të ndryshme ushtarake në zonë. Megjithatë ky lajm nuk është konfirmuar nga ansnjë media perëndimore apo nga mediat izraelite. Deklarata është shpërndarë vetëm nga media iraniane dhe me besueshmëri të ulët. 

Po në atë periudhë, në media sociale filluan të qarkulloni imazhe që pretendonin se Irani kishte arritur qëllimin e tij duke goditur dhe dëmtuar aeroportin Ben Gurion. Këto imazhe, që më pas u përdorën dhe nga portalet shqiptarë, nuk citojnë burime të sakta (autorin e fotos apo datën), rrethana që shtojnë mundësinë që imazhi të jetë gjeneruar nëpërmjet inteligjencës artificiale. Për më tepër, këto imazhe janë përdorur vetëm nga portale online pa kredenciale mediatike, siç e tregon një kërkim në Google Images. 

Pavarësisht këtij lajmi të rremë, Irani vijon të sulmojë Izraelin me raketa duke goditur dhe qendrën e Tel Avivit në 24 mars. Ky sulm erdhi pasi Irani hodhi poshtë pretendimet e presidentit Trump për arritjen e një armëpushimi. Megjithatë, as mediat ndërkombëtare që po e ndjekin luftën me kujdes (si New York Times, apo BBC), as qeveria izraelite, nuk kanë konfirmuar një sulm ndaj aeroportit në fjalë. Lajmet në Izrael tregojnë se aeroporti vazhdon punën, vetëm se me numër shumë më të limituar fluturimesh për shkak të sulmeve iraniane.  

The post Ky rrafshim i aeroportit të Tel Avivit është gjeneruar nga AI appeared first on Faktoje.al.

Kjo yshtje e çmimeve të karburantit është gjeneruar me AI

30 March 2026 at 16:07

Pretendimi: Kjo video tregon një grup priftërinjsh duke yshtur çmimin e naftës

Verdikti: Satirë, Gjeneruar me AI

——————————————————————–

Rritja e çmimit të naftës që erdhi si pasojë e luftës mes Iranit dhe Izraelit e ShBA u prit me zemërim në rrjet, por edhe me humor. Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon tre priftërinj duke bekuar me yshtje dhe temjan një pikë karburanti.

Megjithëse qesharake, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte botuar fillmisht në rrjet nga një llogari rumune në Facebook.

Në përshkrimin e llogarisë shpjegohet, në gjuhën rumune, se “videot në këtë faqe gjenerohen duke përdorur inteligjencën artificiale dhe janë vetëm për qëllime argëtimi. Të gjithë personazhet, situatat dhe dialogët e paraqitur janë fiktivë.”

Vërtet, një vëzhgim i videove të botuara nga kjo llogari zbulon se ajo poston ekskluzivisht pamje të gjeneruara me AI.

Faktoje gjeti gjithashtu një numër të madh videoshgjeneruara me AI që tregojnë të njëjtin skenar me priftërinjtë që bekojnë pikat e karburantit, kryesisht nga llogari të bazuara në Rumani.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Kjo yshtje e çmimeve të karburantit është gjeneruar me AI appeared first on Faktoje.al.

I rremë ky dorëzim i një batalioni të tërë izraelit në duart e Hezbollahut

30 March 2026 at 15:16

Pretendimi: Ky imazh tregon një batalion të ushtrisë izraelite që iu dorëzua forcave të Hezbollahut në rajonin e Galilesë

Verdikti: E paprovuar, Gjeneruar me AI

———————————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një batalion të ushtrisë izraelite (IDF) që iu dorëzua forcave të Hezbollahut në rajonin e Galilesë, që shtrihet në Izraelin verior dhe Libanin jugor.

Megjithatë, një kërkim me motorrin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi i mësipërm është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Një vështrim më i kujdesshëm i fotos zbulon disa gabime logjike në të, si përshembull, flamuri i Hezbullah që ngrihet mbi shpinën e një prej ushtarëve, një hije në gishtin urdhërues të ushtarit tjetër fitimtar hezbullah, dy ushtarë izraelitë që i janë shmangur dorëzimit pasi njëri vijon të jetë i armatosur dhe tjetri nuk i mban duart lart, dhe më e qartë, imazhi i një fytyre në dorën e ngritur të ushtarit të dytë izraelit të dorëzuar në të majtë të fotos. Të gjitha këto shenja që konfirmojnë gjenerimin e imazhit. 

Megjithëse postimi i mësipërm citon media si Channel 13 Israel dhe Al Jazeera, nuk ka raportime në asnjë nga këto media, apo media të tjera të besueshme, se një batalion izraelit është dorëzuar në Galile. Kjo, megjithëse Channel 13 Israel raporton vazhdimisht vdekje e plagosje të ushtarëve izraelitë gjatë mësymjes së IDF në Liban.

The post I rremë ky dorëzim i një batalioni të tërë izraelit në duart e Hezbollahut appeared first on Faktoje.al.

Kjo përballje burrash përpara tualetit të grave është e gjeneruar

26 March 2026 at 14:56

Pretendimi: Kjo video tregon një burrë që bllokon hyrjen e tualetit për të mbrojtur gruan e tij, ndërsa një burrë tjeter kërkon të hyjë duke pretenduar se është femër.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një burrë që ka vendosur të bllokojë hyrjen e tualetit të grave për të mbrojtur bashkëshorten e tij, duke mos lejuar hyrjen e një personi tjetër, i cili pretendon se është femër dhe kërkon të përdorë ambientin.

Video, afërsisht 10 sekonda e gjatë, duket se tregon dy persona që debatojnë para një tualeti për femra në atë që duket të jetë një qendër tregtare. Ajo paraqet ngjyrat e ylberit, një simbol i diversitetit seksual, dhe tregon një person të veshur me fund që bërtet me zemërim, ndërsa një person tjetër i veshur me një kapele të kuqe, me shumë gjasa me inicialet MAGA, që përpiqet ta qetësojë.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një situatë që ka ndodhur vërtet. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte postuar fillimisht në Facebook më 24 shkurt nga një llogari e quajtur Crazy Scenes USA.

Kjo llogari ka postuar dhjetëra video të shkurtra që duket se tregojnë skenarë të ngjashëm me atë të videos së mësipërme, me njerëz që bllokojnë hyrjen e banjës së grave dhe nuk lejojnë hyrjen e një personi me flokë të lyer, ose një burri me fustan, zakonisht të veshur me motive ngjyrash ylberi.

Nëse këto video duken si të bëra me porosi, kjo është sepse janë të bëra me porosi nga programe AI. Kjo konfirmohet nga vetë përshkrimi i faqes, ku shkruhet se përmbajtjet janë të gjeneruara me AI.

Imazhe të tilla të krijuara nga Inteligjenca Artificiale kanë për qëllim të krijojnë skena të debatueshme, të cilat ngjallin emocione dhe shoqërohen me komentet pro dhe kundra dhe si rrjedhojë rrisin audiencën e faqeve.

The post Kjo përballje burrash përpara tualetit të grave është e gjeneruar appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar foto nga reanimacioni e ministrit izraelit të financave

25 March 2026 at 16:19

Pretendimi: Ky imazh tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një imazh që ka marrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Është e vërtetë se më 9 mars 2026, politikani i të djathtës ekstreme izraelite dhe ministri i financave Bezalel Smotrich deklaroi se djali i tij ishte plagosur si pjesë e brigadës Givati në kufirin libanez. Gjithashtu, Smotrich ndau vërtet një foto nga dhoma e spitalit të djalit të tij në Twitter më 18 mars, por ajo nuk përngjan me imazhin e mësipërm.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti gjithashtu se pamja në sfond të imazhit që po verifikojmë qarkullon në rrjet të paktën që në vitin 2019, përpara plagosjes së djalit të Smotrich. 

Më tej, pamja në sfond nuk tregon një njeri të shtruar në reanimacion, por një skenë seksuale fetishiste, me gjasa e përzgjedhur për këtë rast si tallje për të poshtëruar Smotrich.

Imazhi që po qarkullon në rrjet me gjasa është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale. Tregues i origjinës artificiale është shenja e Gemini, programi AI i Google, poshtë në cepin e djathtë të imazhit.

Një kërkim me motorin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi që qarkullon në rrjet është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

The post E gjeneruar foto nga reanimacioni e ministrit izraelit të financave appeared first on Faktoje.al.

❌