Normal view

“Pasioni të lë të varfër”, Artan Kola për ‘Summer Time Show’: Jam penduar që…

12 August 2026 at 22:41

“Dasma e malësorit” vijon të jetë ende një hit i këngëtarit Artan Kola, i cili këtë herë vjen në një rrëfim për ‘Summer Time Shoë’.

“Jam marr shumë me atë këngë, po bëhen gati 25 vjet që mbetet një hit. Kënga duhet të ketë shumë komponentë, po nuk ishte e orkestruar mirë dhe e kënduar mirë edhe klipi po ashtu, dmth një nga këto të calojë nuk ecën kënga.

Viti 2000 shënoi boom-in tim, nuk e kam patur shumë qejf pjesën e jetës publike, nuk e kam vlerësuar shumë veten në atë kohë. Nuk e dija që kisha atë famën që kisha. Nuk jam marrë shumë me rrjetet sociale, por tani kemi të tjera angazhime, s’mund t’i bëjmë dot të gjitha”, tregon ai.

Ndërsa rrëfen vështirësitë e jetës së tij, Kola tregon të vetmen gjë për të cilën thotë se është penduar.

“Pjesa më e vështirë e jetës time është viti 1999 kur humba nëna dhe ndodhi edhe shkëputja me vëllain, kisha dy rrugë, mendova do bëhem dikush. Isha 27 vjec asokohe, idhull ishte nëna ime dhe gjithmonë kame cur në gjërat e saj. Më ka penalizuar fakti i të qenit i drejtpërdrejt në art është shumë penalizues. Kam ndihmuar shumë këngëtar në jetën time, por nuk pendohem. Në jetë jam penduar vetëm për një gjë, që nuk kam vënë një urë mes artit dhe biznesit. Je totalisht i mbaruar nëse je pasionant në punën tënde. Pasioni të le të varfër” thotë ai.

Nga jetesa mes Gjermanisë e Shqipërisë tek etikimi ‘motra e Stines’, rrëfehet Alida Duka

12 August 2026 at 22:41

“Sot po e shijoj punën që kam bërë ndër vite, të arrish në këtë pikë duhet të punosh shumë fort. Nuk kam patur një ditë pushim, prej moshën 16-vjeçare, madje as në kohën e Covid nuk jam ndalur.

Më shumë i dedikohem kompanisë në Gjermani, është një punë që shpërblehet. Gjermanët habiten me pozitivitetin tim, që jam gjithmonë e qeshur, mendoj se kjo të ndihmon shumë për të startuar ditën.” – tha Duka, duke treguar se në Gjermani merret kryesisht me tregun imobilar.

“Shtëpinë e parë e kam blerë në 2016 në Hanover, pastaj të dytën në 2023, ku pata edhe aksidentin, tjetrën në 2024 në Spanjë. Por tani do fokusohem pak më shumë te muzika, mjafton me imobiliarët.”

“Më ka pëlqyer gjithmonë të jem aktive me muzikën, produksionet. Gjithmonë i thoja Stines na duhet një këngë ritmike për verën, apo një baladë për janarin. Këtë verë zgjodhëm ‘Zero konkurrencë, një këngë alegro, me ritëm. Për shtatorin kemi menduar një baladë,” tregon ajo ndërsa thotë se në jo pak raste në aeroporte e etiketojnë si motra e Stines.

“ Ai për mua është gjithçka, me vdekjen e babit ai ka zënë vendin e tij, fjala e tij për mua është ‘ligj’”, thotë ajo.

Rusia godet portet ukrainase në Detin e Zi, pretendon se shënjestroi anije me pajisje ushtarake

12 August 2026 at 22:36

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot, më 8 dhjetor, se forcat e saj ushtarake kanë goditur një anije mallrash të ngarkuar me pajisje ushtarake në portin e Odesës, në Detin e Zi.

Sipas deklaratës së ministrisë ruse, sulmi ka prekur gjithashtu objekte magazinimi të karburantit dhe infrastrukturë portuale në portin e Çornomorskut.

Rusia pretendon se gjatë sulmit është goditur edhe një anije patrullimi ukrainase në portin e Oçakivit.

Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi dëmet e shkaktuara apo viktimat e mundshme nga sulmet. Deri në publikimin e këtij njoftimi, nuk kishte një konfirmim të pavarur të pretendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Portet ukrainase në Detin e Zi kanë qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve gjatë luftës Rusi-Ukrainë, për shkak të rëndësisë së tyre strategjike për transportin dhe furnizimin e vendit.

VIDEO/ RENEA aksion në dy banesa në Vlorë, dyshohet se fshihen persona në kërkim

12 August 2026 at 22:35

VLORË- Policia e Vlorës dhe forcat e RENEA-s po zhvillojnë një aksion në këto momente në qytetin e Vlorës.

Sipas informacioneve paraprake, forcat speciale kanë ndërhyrë në dy banesa, ku dyshohet se fshihen persona të shpallur në kërkim.

Aksioni është ende në vijim. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për persona të arrestuar apo të shoqëruar.

Detaje të tjera priten të bëhen të ditura në vijim./abcnews.al

Nga Azerbajxhani për të punuar në Shqipëri/ I riu tregon eksperiencën në Vlorë: Njerëz mikpritës, ushqim i mirë

12 August 2026 at 22:26

VLORË– Prej 4 muajsh … nga Azerbajxhani është shpërngulur për të jetuar në Shqipëri. Ai sot jeton e punon në Vlorë, ndërsa thotë se ndjehet mirë në qytetin bregdetar, i pëlqen ushqimi por po ashtu edhe natyra shqiptare, veçanërisht deti.

“E gjeta Shqipërinë mes disa pikave që diskutonim për grupe turistike, pash Shqipërinë dhe Vlorën. Punoj dhe jetoj këtu, prej 4 muajsh. Njerëzit në Shqipëri janë shumë mikpritës dhe të sjellshëm, pastaj ushqimi është i shkëlqyer, në Azerbajxhan kemi ushqim shumë të mirë por i Shqipërisë është me të vërtetë shumë i mirë. Byreku është i preferuari im e konsumoj çdo mëngjes.

Një nga arsyet e mia të qëndrimit këtu është që e dashuroj detin, pamjet e bukura, Sazani, mendoj se duhen vizituar patjetër sikurse edhe vetëm një herë”, thotë ai./abcnews.al

 

Nga paragjykimet te ëndrrat për Policinë e Shtetit, rrëfehet shefja e Triportit në Vlorë, Amarilda Shabani

12 August 2026 at 22:24

Prej 14 vitesh është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, ndërsa sot mban detyrën e Shefes së stacionit policor në triportin e Vlorës Amarilda Shabani, duke mbuluar një perimetër nga Vjosa deri në Bristan, 78 km vijë bregdetare.

“Të gjithë dokumentacionet e mjeteve që operojnë në qarkun e Vlorës janë të regjistruara. Gjatë sezonit turistik, thuajse cdo ditë vij në Sazan për monitorim, po ashtu në Karaburunin, Orikumin, pra pikat më me fluks për turistët” thotë Shabani.

Pasionin për policinë Amarilda thotë se e ka patur që në fëmijërinë e saj të hershme

“Shembull ka qenë xhaxhai i babit, ka qenë ushtarak. Kur shihja uniformën e bukur jeshile të tij, ndjeja një emocion të vecantë brenda vetes, ndaj vendosa në moshën 22 vjecare të futem në strukturat e Policisë së Shtetit. Cdo i ri që ka dëshirë të hyjë në strukturat e Policisë, i them ndiqni ëndrrat tuaja, mos kini frikë të merrni vendime”, vijon ajo.

“Terreni në Policinë e Shtetit është përgjithësisht i dominuar nga meshkujt, për mua ky profesion nuk ka të bëjë me gjininë, mjafton vullneti e personaliteti për ta bërë këtë punë. Kur mora detyrën në Triport, është paragjykimi apo mosbesimi, mosha e tyre nis nga 23 në 62 vjec, por në punë më pëlqen të krijoj ekip”, tregon Shabani, ndërsa rrëfen edhe

“Në moshë 27 vjecare mora titullin oficere, me gradën komisar, ku mora detyrën përgjegjëse turni në Sektorin e Forcës së Posacme Shqiponja në Tiranë, kisha një staf prej 33 efektiv, nga të cilët vetëm dy vajza. Të drejtoja atë ekip, ke dinamika të ndryshme, hasesh me njerëz të ndryshëm. Kishte raste edhe të presionit nga format nga më të ndryshme”, tha ajo.

“Të kap majat e Policisë së Shtetit, të bëj diferencën dhe pse jo pas shumë vitesh mund të jem unë femra e parë Drejtore e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”, shprehet Shabani.

Në përfundim Shabani ka një apel për të gjithë pronarët e mjeteve lundruese sidomos gjatë sezonit turistik, të respektojnë masat e vendosura, në të kundërt thotë ajo, do të gjobiten maksimalisht.

“Keqbërësit të ndëshkohen sipas ligjit”, Begaj: Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë

12 August 2026 at 22:18

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për situatën e zjarreve në disa zona të vendit, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë efektivët dhe strukturat që po përballen me flakët.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Begaj vlerësoi punën e zjarrfikësve, efektivëve të Forcave të Armatosura dhe të gjithë personave të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve.

Më tej, Begaj kërkoi gjithashtu ndëshkim të ashpër për personat që vendosin zjarre me qëllim, duke theksuar se autorët duhet të përballen me forcën e ligjit.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe përhapjes së zjarreve në disa zona, Presidenti u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.

“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.

Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë.
Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën.
Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, apelon Begaj. /abcnews.al

 

Tërmeti në Kolumbi, ekipet e shpëtimit në luftë me kohën, shpresë për të mbijetuar mes rrënojave

12 August 2026 at 22:02

Ekipet e shpëtimit në Kolumbi vijojnë kërkimet për të mbijetuar, dy ditë pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi vendin, duke shkaktuar të paktën 250 viktima.

Në Cali, qytetin e tretë më të madh të Kolumbisë, ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende shenja jete në rrënojat e kompleksit të banimit Torres del Limonar, i cili u shemb nga lëkundjet.

Camilo Cano, një zjarrfikës nga Bogota i angazhuar në operacionet e shpëtimit, tha se ekipet kanë ende shpresë për të gjetur persona të gjallë nën rrënoja.

“Në këtë moment, ne ende shpresojmë, të paktën deri rreth katër ditë pas tërmetit”, tha Cano.

Sipas tij, ekipet e shpëtimit dhe banorët vendas arritën të nxirrnin më shumë se 20 persona nga kompleksi i apartamenteve gjatë 12 orëve të para pas tërmetit. Më vonë, tre persona të tjerë u gjetën të gjallë gjatë operacioneve më të vështira nën rrënoja.

Vështirësi në operacionet e kërkim-shpëtimit

Operacionet janë përballur me vështirësi të shumta. Në orët e para, prania e një numri të madh vullnetarësh dhe kalimtarësh e bëri më të vështirë punën e ekipeve të specializuara.

“Ne nuk mund të përqendrohemi dhe të dëgjojmë britmat e njerëzve nën ndërtesë”, u shpreh Cano, duke theksuar gjithashtu rrezikun nga shembjet e mëtejshme të strukturave për shkak të lëkundjeve pasuese.

Policia ka shtuar kontrollet në zonat e prekura, ndërsa vullnetarëve po u caktohen detyra specifike për të ndihmuar ekipet profesionale të shpëtimit dhe për të shmangur pengesat gjatë operacioneve.

Familjarët presin lajme

Mes personave që presin me ankth lajme për të afërmit e tyre është edhe Marcela Perez. Ajo tregon se vajza 11-vjeçare e partnerit të saj ndodhej në ndërtesën e shembur bashkë me gjyshërit.

“Kemi qenë këtu që nga e hëna duke pritur që vajza dhe gjyshërit e saj të shpëtohen”, tha Perez.

“Ne thjesht po presim dhe po i besojmë Zotit”, shtoi ajo.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën mes rrënojave, ndërsa familjarët dhe banorët shpresojnë që të gjenden ende të mbijetuar.

Kosovë/ REL: Kuvendi mbetet pezull, tensionet rriten

12 August 2026 at 21:20

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive u përshkallëzuan të mërkurën edhe në shtyrje fizike, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërkaq, ka insistuar se para vazhdimit të seancës duhet të arrihet një marrëveshje politike më e gjerë mes partive.

Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi, ndërsa Ardian Gola i LVV-së ndërhyri mes tyre.

Në një incident tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Bytyqi dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, hodhën edhe letra në drejtim të saj.

Përplasjet zgjatën rreth dy orë dhe ishin kryesisht verbale. Gjatë tyre, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ndodhej në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe Aleancës që t’u bashkohen takimeve të thirrura nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin: “Thirreni seancën!”.

Në debat u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se deputetët do të vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Kuvend “për ta kthyer rendin kushtetues”.

Më vonë gjatë ditës, PDK tha se do të përsërisë kërkesën për vazhdimin e seancës pas 48 orësh, duke u zotuar se do të jenë “çdo ditë në Kuvend”.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë një konference për media tha se aktiviteti i partisë së saj “nuk do të kufizohet më brenda këtij institucioni”.

“Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha Çitaku, duke shtuar se ky aktivitet përfshin bashkëbisedim me qytetarë, pasi sipas saj, kjo situatë i prek të gjithë.

“I bëjmë thirrje Kurtit, ta kthejmë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojmë deputetëve që të ushtrojnë mandatet e tyre. Ne nuk po kërkojmë pushtet, s’po kërkojmë marrëveshje për PDK-në. Po kërkojmë funksionimin e shtetit”, tha Çitaku.

Ngërçi politik lidhet me faktin se Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën ta përfundonin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

PDK-ja dhe Aleanca thonë se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive. LVV-ja, në anën tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje për çështjet kryesore politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Për çështjen e afatit, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET-i, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.

Në thelb të mosmarrëveshjes mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. LVV-ja kërkon një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, ndërsa Aleanca ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar LVV-në për bllokimin institucional.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura.

“Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane për REL-in.

Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së./REL/

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Dhjetë vatra janë aktive, në Priskë të Madhe s’ka rrezik për zonat e banuara

12 August 2026 at 21:13

TIRANË- Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura po vijojnë operacionet për shuarjen e tyre.

Në terren janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre efektivë të MZSH-së, Forcave të Armatosura, forcave bashkiake, Policisë së Shtetit, ADZM-së, shërbimit pyjor dhe vullnetarë.

Nga ajri po operojnë 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt dhe Priskë të Madhe vijojnë operacionet me forca tokësore dhe mbështetje ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.

Njoftimi i plotë: 

Përditësim mbi situatën e zjarreve (ora 20:00) Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.

Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.

Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra. Në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse. Në Krastë–Halil vijon puna pa rrezik aktual për zonat e banuara.

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.

Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

AKMC po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcim të kapaciteteve tokësore dhe ajrore.

Angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.

Sulm kibernetik në Poloni, rrjedhin të dhënat mjekësore dhe personale të 19 milionë qytetarëve

12 August 2026 at 20:48

Autoritetet polake kanë njoftuar një rrjedhje masive të të dhënave mjekësore dhe personale të rreth 19 milionë qytetarëve, pas një sulmi kibernetik ndaj një kompanie që ofronte softuer për sektorin shëndetësor.

Ministri i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, e cilësoi incidentin si “një nga incidentet më të mëdha” të sigurisë kibernetike të regjistruara ndonjëherë në Poloni, vend me rreth 37 milionë banorë.

“Nuk ka asgjë që të tregojë sot se kemi të bëjmë me një sulm nga jashtë, me origjinë nga Rusia ose ndonjë shtet tjetër”, deklaroi Gawkowski.

Sipas hetimeve paraprake, autorët e sulmit dyshohet se kanë vepruar për motive financiare. Ministri tha se autoritetet nuk do të paguajnë shpërblim dhe paralajmëroi ndjekje të ashpër penale për personat përgjegjës.

Të dhënat e vjedhura kanë një madhësi prej rreth dy terabajtësh dhe përfshijnë kryesisht informacione mbi vizitat mjekësore, recetat dhe dokumente të tjera të përdorura për monitorimin e pacientëve.

Autoritetet polake theksuan se natyra dhe shtrirja e të dhënave të komprometuara ndryshon nga një qytetar te tjetri. Për këtë arsye, qeveria ka njoftuar krijimin e një mekanizmi që do t’u mundësojë qytetarëve të kontrollojnë nëse të dhënat e tyre janë prekur nga sulmi.

Rreth 12 mijë institucione mjekësore përdornin shërbimet e kompanisë që u vu në shënjestër të sulmit kibernetik, duke e bërë incidentin një prej rasteve më të mëdha të komprometimit të të dhënave në sektorin shëndetësor në Poloni.

VIDEO/ Pamje dramatike nga rrethinat e Tiranës, zjarri merr përmasa të frikshme në Priskë të Madhe

12 August 2026 at 20:42

Zjarri ka përfshirë sipërfaqe tokë në Priskë të Madhe në Tiranë.

Flakët janë përhapur me shpejtësi. Siç shihet nga pamjet zona është mbuluar nga tymi i zjarri. Gjithashtu era favorizon përhapjen e flakëve.

/abcnews.al/

EMRAT/ Ndërtuan pa leje në Karaburun, arrestohet njëri prej ndërtuesve, ortaku shpallet në kërkim

12 August 2026 at 20:27

Një ndërtim pa leje në zonën e Shën Janit, në Karaburun, është prishur pasditen e sotme gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe IKMT-së.

Në operacion morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro. Bëhet fjalë për një objekt prej druri, i cili po ndërtohej si “beach bar”.

Sipas Policisë, objekti ishte ndërtuar nga shtetasit Olsen Sherifaj dhe Skerdi Dinaj , të cilët ishin proceduar penalisht edhe më parë dhe kishin tejkaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të ndërtimit.

Gjatë operacionit u arrestua njëri prej ndërtuesve, shtetasi Skerdi Dinaj, ndërsa ortaku i tij, Olsen Sherifaj u shpall në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë një prononcimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, u bënë thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin iniciativa për ndërtime pa leje, duke paralajmëruar zbatimin e ligjit ndaj shkelësve.

Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon veprimet hetimore për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.

Hafizi: Eklipset janë interesante për njerëzit dhe shkencën, vitin e ardhshëm në Tiranë do të jetë më i dukshëm

12 August 2026 at 20:15

Astronomia Mimoza Hafizi ka komentuar fenomenin e rrallë astronomik të eklipsit, ku Hëna kaloi përpara Diellit, duke krijuar një pamje të veçantë në qiell.

Hafizi kujtoi eklipsin e vitit 1999 në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një fenomen të konsiderueshëm.

“Në vitin 1999 në Shqipëri ka qenë eklipsi i pjesshëm. Ka qenë i konsiderueshëm. Sot ishte shumë pak, por ishte diçka e bukur”, u shpreh astronomia.

Ajo theksoi se eklipset nuk janë vetëm një spektakël për publikun, por edhe një mundësi e rëndësishme për studime shkencore, veçanërisht për kurorën diellore.

“Momentet e eklipseve janë interesante jo vetëm për njerëzit, por edhe për shkencën. Shkenca përfiton për të studiuar kurorën diellore”, tha Hafizi.

Sipas saj, fenomeni i vitit të ardhshëm do të jetë edhe më i dukshëm në Shqipëri. Në Tiranë, zënia e Diellit mund të arrijë rreth 70%, duke e bërë atë një ngjarje të veçantë astronomike.

“Në vitin 1999 në Shqipëri ka qenë eklipsi i pjesshëm. Ka qenë i konsiderueshëm. Sot ishte shumë pak, por i ishte diçka e bukur. Vitin e ardhshëm do të jetë më i gjatë. Momentet e eklipseve janë interesante jo vetëm për njerëzit, por edhe për shkencën. Shkenca përfiton për të studiuar kurorën diellore. Vitin e ardhshme në Tiranë zënia e Diellit mund të jetë 70 % do jetë një ngjarje që nuk do harrohet kollaj”, tha astronomia Mimoza Hafizi.

Fotolajm/ Ndodh eklipsi total i Diellit, Hëna “pushton” diellin, eklipsi arrin në masën 99 për qind

12 August 2026 at 19:55

Një nga fenomenet më të rralla astronomike ka pushtuar qiellin këtë të mërkurë, teksa eklipsi total i Diellit është vëzhguar nga miliona njerëz në pjesë të ndryshme të hemisferës veriore.

Që prej minutave të para të fenomenit, qytetarë dhe turistë janë mbledhur në vende të ndryshme për të ndjekur momentin kur Hëna kalon përpara Diellit, duke e mbuluar plotësisht atë për pak minuta. Pamjet kanë fiksuar njerëzit me syze speciale, kamera dhe teleskopë, të gjithë me sytë nga qielli për të mos humbur këtë spektakël të rrallë.

Eklipsi total është parë fillimisht në Islandë, e cila ndodhej në trajektoren e totalitetit. Në Reykjavik, Dielli u mbulua plotësisht për rreth një minutë, ndërsa në zona të tjera të Islandës faza e totalitetit zgjati edhe më shumë.

Fenomeni ka tërhequr mijëra vizitorë në Islandë dhe Spanjë, ndërsa në disa prej pikave më të favorshme njerëzit janë grumbulluar që herët për të siguruar një pamje sa më të qartë të eklipsit.

Eklipsi i 12 gushtit është veçanërisht i rëndësishëm për Evropën, pasi është eklipsi i parë total i Diellit i dukshëm nga Evropa kontinentale që prej vitit 1999. Trajektorja e totalitetit ka përfshirë zona të Islandës, Groenlandë dhe ato në veri të Spanjës.

Njerëz të shumtë me syze mbrojtëse, kamera dhe pajisje astronomike ndjekin eklipsin në qiell.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë plotësisht mbulim, si Groenlanda, Islanda dhe Spanja, por prapë parashikohet të arrijë deri në 96% mbulim të Diellit. Në Spanjë eklipsin e Diellit arriti në masën 99 për qind. 

 

 

Eklipsi i Diellit “hyn” në Shqipëri/ ABC News transmetoi LIVE me pamje nga Dajti

12 August 2026 at 19:38

SHQIPËRI– Bota përjeton sot një nga ngjarjet e rralla astronomike, eklipsin e plotë të Diellit. Momenti kur Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin do të dallohet më qartë në Spanjë, për shkak të pozicionit të favorshëm.

Fenomeni i veçantë u fiksua edhe në Shqipëri, rreth orës 19:30 të mbrëmjes. Abc News solli pamjet live nga Tirana, Durrësi dhe Shkodra ku u pa një errësim i pjesshëm i Diellit.

Rreth 27 vjet me parë, në vitin 1999 kur u regjistrua eklipsi total i diellit shumë persona pësuan dëmtime të shikimit edhe të pakthyeshme, ndaj ekspertët sugjerojnë përdorimin e syze të përshtatshme për këtë fenomen astronomik.

 

 

Hëna “pushton” Diellin/ Erald Buneci: Një fenomen i rrallë dhe spektakolar

12 August 2026 at 19:37

Një fenomen i rrallë astronomik ka tërhequr vëmendjen, ndërsa Hëna kalon përpara Diellit duke krijuar një eklips diellor.

Në një intervistë për “ABC News”, Erald Buneci shpjegoi se bëhet fjalë për një fenomen që ndodh rrallë, pasi Dielli, Hëna dhe Toka duhet të pozicionohen në një vijë të drejtë, me Hënën në mes.

“Dielli, hëna dhe toka janë në një vijë të drejtë, me hënë në mes. Kjo ndodh shumë rrallë. Fushëpamja në Shqipëri është e kufizuar sepse hija e hënës bie në një zonë të vogël dhe jo në të gjithë tokë. Por hija vjen edhe ngushtohet në qendër. Shkon nga Islanda, bën një hark dhe mbaron në Spanjë. Por në kemi një gjysmë hije dhe shumica e Evropës e ka. Pra është eklipsi i plotë dhe kemi një gjysmë hije. Por është një fenomen shumë i bukur sepse është i rrallë”, tha ai.

/abcnews.al/

Trump: SHBA ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit

12 August 2026 at 19:11

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të re lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë” mbi këtë pikë strategjike detare.

Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se bllokada detare e vendosur ndaj Iranit është e hekurt dhe e quajti atë “Muri i Çelikut”.

“SHBA-të kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. MENDOJ SE DO TA MBAJMË ATË!”, shkroi presidenti amerikan.

Trump vijoi me kritikat ndaj kapaciteteve ushtarake dhe ekonomike të Iranit, duke pretenduar se vendi nuk ka më marinë dhe forcë ajrore funksionale, ndërsa Garda Revolucionare është “shkatërruar”.

Ai gjithashtu akuzoi Teheranin se po përballet me një situatë të rëndë ekonomike, duke pretenduar se inflacioni në vend ka arritur në 300%.

“Irani tani është vetëm fjalë dhe asnjë veprim – nuk është më ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, deklaroi Trump në përfundim të postimit.

/abcnews.al/

❌