Normal view

“Irani na ka synuar prej vitesh”/ Lufta hibride, Karamuço: Synojnë që të nxisin një frymë antisemite. Nxjerrin video të manipuluara

By: Rovena
10 June 2026 at 20:33

Shqipëria po përballet me një valë të re të luftës hibride dhe dezinformimit nga ana e Iranit, i cili po shfrytëzon protestat qytetare kundër projektit të resortit në Zvërnec për të nxitur frymë antisemite dhe për të dëmtuar imazhin ndërkombëtar të vendit.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, ka lëshuar alarmit se pas këtyre lëvizjeve fshihet një skenar i mirëfilltë hakmarrës i Teheranit zyrtar, i cili zë fill që nga koha kur Shqipëria bllokoi dhe kthye mbrapsht elemente të armatimeve të tyre.

Sipas Karamuços, megjithëse në protesta nuk ka fizikishit iranianë, ata po përdorin video të manipuluara, si ato që pretendojnë rrejshëm praninë e ushtarëve izraelitë në Sazan dhe sulme të koordinuara, përfshirë atë ndaj ambasadores izraelite, për të përçarë opinionin publik dhe për të futur shqiptarët në një “gardh të ri” përplasjesh.

“Na kanë synuar prej vitesh. Ata nuk na i kanë falur që atë kohë elementet të armëve që i kemi kthyer mbrapsht që në atë kohë. Të gjitha këto janë pjesë të një skenari kundër Shqipërisë. Këta ndikojnë ndërkombëtarisht. Synojnë që të nxisin një frymë antisemite.

Nxjerrin video të manipuluara, sikur në Sazan janë ushtarët izraelitë dhe shqiptarët kanë shkuar që t’i nxjerrin. Dje kanë sulmuar ambasadoren izraelite.

Ka diçka që nuk shkon. Nuk ka iranianë në protestë, por iranianët po e shfrytëzojnë kundër Shqipërisë. Irani po shfrytëzon situatën për dezinformim. Kjo i fut shqiptarët në një gardh të ri brenda Zvërnecit, disa brenda dhe disa jashtë”, tha Karamuço.

“Izraeli nuk bën kompromise”/ Lufta në Iran, eksperti: Trump në trysni, Netanyahu kërkon të zgjasë luftën

By: Rovena
9 June 2026 at 21:31

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Xhavit Shala, vlerëson se konflikti mes Izraelit dhe Iranit mbetet ende i kontrolluar, pavarësisht tensioneve të larta dhe interesave të kundërta të palëve.

I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Shala theksoi se Izraeli nuk pranon kompromise kur bëhet fjalë për sigurinë e tij kombëtare, ndërsa Irani kërkon që çështjet rajonale, përfshirë atë të Hezbollahut, të trajtohen në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë.

Sipas tij, situata po ushtron presion të madh edhe mbi presidentin amerikan Donald Trump, i cili përballet me sfida të brendshme politike, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu synon ta zgjasë konfliktin deri në periudhën zgjedhore.

“Izraeli në raport me interesat e tij të sigurisë kombëtare, nuk pranon asnjë lloj kompromisi. Ata po përpiqen që çështjen me Hezbollahun ta trajtojnë si çështje më vete, kurse Irani e kërkon që të jetë bashkë me marrëveshjen. Trump është në një trysni shumë të madhe, pasi është rritur shumë presioni brenda vendit.

Ai ndodhet në një situatë të vështirë. Ndërkohë që muajt po ikën, lufta nuk po mbaron dhe vijnë zgjedhjet në fund të mandatit. Nga ana tjetër Netanyahu kërkon që ta zgjasë luftën, derisa të hyjë në zgjedhje në gjendje lufte. Konflikti vazhdon që të jetë akoma i kontrolluar”, tha Shala.

Zvërneci/ Beqiri: SPAK të hetojë dosjet problematike. Meçe: Do duhen 20 vjet, do jetë pengues për investimin

By: Rovena
9 June 2026 at 21:09

Hetimet e SPAK për çështjet e pronësisë në zonën e Zvërnecit dhe ndikimi i tyre në projektet zhvillimore ishin në fokus të diskutimit në emisionin “Real Story” në ABC News.

I ftuar në studio, avokati Idajet Beqiri deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e vendimeve gjyqësore për pronat janë dhënë mbi bazën e akteve të ekspertimit të përfituara në mënyrë korruptive, duke theksuar se SPAK ka mundësi të kërkojë rishikimin e tyre nëse konstatohen shkelje ligjore.

Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e procesit, duke argumentuar se rishikimi i dosjeve mund të zgjasë me vite për shkak të procedurave të gjata gjyqësore.

Idajet Beqiri: Shumica e vendimeve gjyqësore që janë dhënë në rrugë korruptive, janë bërë mbi bazën e akteve të ekspertimit, sepse një pjesë e ekspertëve në gjykatë të korruptuar. Nëse SPAK konstaton që pronarët në Zvërnec i kanë marrë në akte të papranuara, merret dosja nga gjykata e rrethit dhe merr ekspertë dhe kur shikon prova që janë në flagrantë me ligjin, atëherë kemi rishikimin e vendimeve.

Arben Meçe: SPAK do të nisë rishikimi, më pas do të kalojë në Shkallë të Parë, të Dytë dhe kështu me radhë… do të duhen 20 vjet. 20 vjet ne jemi futur në një protokoll pengues dhe unë këtu kam pikëpyetje të mëdha për këtë lloj aksione të SPAK.

Karanxha për dosjen “Partizani”: Procesi është te dëshmitarët, priten provat shkencore dhe ato të mbrojtjes

By: Rovena
9 June 2026 at 20:51

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar ecurinë e procesit gjyqësor për çështjen e kompleksit “Partizani”, duke theksuar se aktualisht procedurat janë të përqendruara te dëshmitarët dhe marrja në pyetje e tyre lidhur me procesin e privatizimit.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Karanxha u shpreh se në vijim pritet administrimi i provave shkencore, si dhe paraqitja e provave nga mbrojtja, e cila ka kërkuar edhe dëshminë e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, në thelb të debatit qëndron interpretimi i një akti normativ që synonte t’u jepte vlerë letrave me vlerë të shpërndara më herët qytetarëve, por që u konsiderua nga disa palë si një favorizim për ish-pronarët në procesin e blerjes së pronave.

“Në këtë fazë të procesit gjyqësor, po veprohet me dëshmitarët. Në këtë fazë, mesa pashë nga pikëpamja proceduriale i bën disa pyetje lidhur me privatizimin. Mendoj që do të procedohet në prova të tjerë.

Do të jenë provat shkencore, më pas provat e mbrojtjes që është kërkuar edhe marrja në pyetje të Edi Ramës. Këtu kemi të bëjmë me një akt normaliv, qëllimi ishte që me letrat me vlerë, që u ishin dhënë shqiptarëve para disa viteve, të kishin një vlerë. Kjo u interpretua që ishte në favor të ish pronarëve, që ta blinin”, tha Karanxha.

Kush qëndron pas protestës për Zvërnecin?/ Sondazhi: 42.5 përqind e shqiptarëve mendojnë Irani

By: Rovena
8 June 2026 at 22:54

Në sondazhin e ABC News te “Zëri i Shqiptarëve”, qytetarët që mbështesin zhvillimin e projektit janë pyetur se kush besojnë se fshihet pas tubimeve që po zhvillohen në kryeqytet. Sipas shifrave të publikuara, pjesa më e madhe e tyre shohin ndikime të jashtme gjeopolitike, ku plot 42.5% e të anketuarve që janë pro investimit në Zvërnec besojnë se pas këtyre protestave qëndron Irani.

Ndërkohë, një tjetër grup i konsiderueshëm prej 31.2% e qytetarëve ia faturon organizimin e revoltave Greqisë fqinje.

Përtej faktorëve ndërkombëtarë, sondazhi nxjerr në dritë edhe perceptimet për ndikime të tjera, ku 15.5% e të pyeturve mendojnë se pas protestave është “Linja Soros”, ndërsa një pakicë prej 10.8% e tyre besojnë se bëhet fjalë për skenarë të nxitur nga segmente të caktuara brenda vetë Partisë Socialiste.

Ky sondazh u realizua me një kampion prej 1,475 banorësh të rritur në Shqipëri, ku linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit, duke u plotësuar në mënyrë elektronike dhe krejtësisht anonime.

Protesta qytetare/ Sondazhi në ABC News: 45.2 përqind e shqiptarëve protestuan kundër gjithë klasës politike

By: Rovena
8 June 2026 at 22:44

Prej 9 ditësh, kryeqyteti është përfshirë nga protestat lidhur me investimin në Zvërnec. Anketa më e fundit e realizuar nga ‘Zëri i Shqiptarëve’ tregon se motivi kryesor i revoltës lidhet me një frustrim të thellë ndaj të gjithë spektrit politik në vend.

Konkretisht, 45.2% e qytetarëve kanë deklaruar se po protestojnë kundër të gjithë klasës politike, ndërsa 24.5% e tyre janë pozicionuar drejtpërdrejt kundër qeverisë.

Vetëm 15.7% e të anketuarve kanë si motiv parësor vetë investimin në Zvërnec dhe vetëm 14.6% e tyre janë deklaruar kundër familjes Trump.

Ky sondazh u realizua me një kampion prej 1,475 banorësh të rritur në Shqipëri, ku linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit, duke u plotësuar në mënyrë elektronike dhe krejtësisht anonime.

“Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku shkatërruan LDK”/ Çejku: Osmani është shumë larg moralit politik

By: Rovena
8 June 2026 at 20:36

Ish-ambasadori Arben Çejku, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si një “shkaktare indirekte” të bllokimit të dialogut për shkak të ambicieve të saj për pushtet.

Sipas Çejkut, këmbëngulja e Osmanit për t’u bërë presidente dhe manovrat e saj kanë futur në qorrsokak proceset politike, duke i shkaktuar një dëm të madh Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) së bashku me Lumir Abdixhikun.

Ai hodhi akuza të rënda mbi moralin e saj politik, ndërsa paralajmëroi se presioni i negociatave të ardhshme do të përqendrohet te LDK-ja, ku Albin Kurti do të synojë përçarjen dhe “ekzekutimin” politik të kësaj partie.

Vjosa Osmani është shakatarja indirekte, është shkaktare, këmbënguljet dhe manovrat e saj me LDK-në për të qenë patjetër një kandidate për presidente, e futi në një qorrsokak edhe pjesën e dialogut. Kur e dëgjova jo se nuk e besova, por pata një hezitimi se deri ku mund të shkojë egoizmi i pushtetit.

 Ajo ka prezumuar poste, edhe kur ka qenë në LDK e ngau përgjysmë, edhe në përdorimin e presidencën. Dhanë goditje nën brezim. Një presidente që synon të kthehet në detyrë sërish, duke përdorur postin do të thotë se nuk ka mësuar asnjë gjë në detyrën e saj si Presidente. Ajo bashkë me Lumi Abdixhikut i kanë bërë dëmin më të madh Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 Unë mendoj që i gjithë presioni i negociatave do të shkojë te LDK, ku Albin Kurti do kërkojë, ose provojë që të çajë LDK-në. Qëllimi i tij është që ta ekzekutojë. Për mua Vjosa Osmani është jo vetëm larg politike, por edhe larg moralit politik”, tha ish-ambasadori.

Lufta rrit me tej çmimet/ Eksperti i ekonomisë: Ndikim kryesor, shtrenjtimi i karburanteve

8 June 2026 at 14:30

TIRANË– Shtrenjtimi i çmimeve ka vijuar edhe në maj, duke reflektuar ndikimin nga lufta në Iran. Kjo ka bërë që sipas Instat inflacioni të arrijë në 3%.

Kjo shënon normën më të lartë në dy vite e gjysmë si dhe përkon me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e kanë dhënë transporti, shërbimet financiare, qiratë, argëtimi e shërbimet, të lidhura edhe me turizmin.

I ftuar në emisionin “Money Report”, eksperti i ekonomisë Artur Ribaj u shpreh se kjo ishte një tendencë e paralajmëruar, pasi treguesit ekonomikë kishin sinjalizuar prej kohësh afrimin e inflacionit drejt objektivit prej 3%.

Sipas tij, përshpejtimi i këtij procesi është ndikuar nga tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë sjellë efekte të menjëhershme në tregje.

Eksperti theksoi se, në kushtet aktuale, nuk e sheh të nevojshme që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë me ndryshime në normën bazë të interesit.

“Kjo ishte një tendencë qe dukej, i kishte dhënë shenjat më herët, që të shkonte drejt objektivit prej 3%. Kjo u përshpejtua për shkak të luftës së Iranit dhe SHBA. Efekti psikologji dhe çmimi i shpërndarjes së produkteve te konsumatori ka qenë të menjëhershme, duke rritur barrën financiare.

Pra ndikim kryesor ka dhënë shtrenjtimi i karburanteve. Ka shtrenjtim të çmimeve dhe në sektorë që lidhen me turizmin. Nuk është momenti që Banka Qendrore të rishikojë normën bazë të interesit “, tha ai./abcnews.al

Sfida e kultivimit të mjedrës/ Fermeri në Kukës po investon në një kulturë ende pak të përhapur

By: Rovena
6 June 2026 at 21:00

Në Kukës po eksperimentohet kultivimi I mjedrës, një nga frutat më të kërkuara të pyllit.

Lavdrim Shehu është një nga fermerët që ka zgjedhur “të provojë fatin”.

Është në parcelën e tij dhe merret me shërbimin ndaj kësaj bime.

Nuk është specialist I fushës, por ka marrë trajnimet e nevojshme dhe ka vizituar edhe ferma që merren me kultivimin e mjedrës brenda e jashtë vendit.

Kosot për të ngritur një parcel të tillë janë të konsiderueshme.

Sfidat për mbjelljen e kësaj kulture janë të shumta, veçanërisht kur bëhet fjalë për temperaturat e larta.

Është marrë gjithë jetën me tokën duke u kujdesur për të, por mjedra është kulturë e re që kërkon shërbime specifike.

Shembulli më i mirë sipas tij është Kosova, që ka nisur më herët kultivimin e të tilla frutave.

Angazhimi për parcelën është i përditshëm dhe nevojitet një teknologji e përshtatshme.

Lavdrimi prej dy dekadash ka drejtuar organizatat rinore e ndër projektet e zbatuara me të rinjitë ishin edhe ato për nxitjen e tyre për t’u marrë me punë e angazhime të tilla. Këtë herë ka vendosur vetë të merret me këtë process.

Duke qënë se katër fermerë që merren me këtë kulturë, Lavdrimi thotë se njëri prej tyre ka ngritur edhe pikën e grumbullimit duke garantuar tregun.

Nuk harron të rikujtojë faktin dhe amanetin e të parëve për të punuar dhe administruar çdo pëllëmbë tokë, duke e kthyer atë në prodhuese.

Mjedra është frut me vlera të larta ushqyese, por vetitë kurative e kanë bërë ndër më të kërkuarat në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për industrinë farmaceutike.

 

 

Borizana, më shumë se një fshat/ Murat Xhafa: Një vendbanim me histori të lashtë

By: Rovena
6 June 2026 at 20:46

Në Fushë Krujë, në mesin e kujtimeve që nuk I merr dot koha, qëndron Borizana.

Për banorët e saj, Borizana mbart një histori të veçantë, ndaj nuk e konsiderojnë thjesht si një fshat.

Në moshën 80-vjeçare, Murat Xhafa rikthehet shpesh në vendlindje. Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, lidhjen me Borizanën nuk e ka shkëputur kurrë.

“Borizana është vend historik 2200-vjeçar. Është vendbanim i shekullit të tretë dhe të dytë para erës sonë. Nga hulumtimet që kam bërë, këtu kanë jetuar fiset ilire taulante.”

Në rrëfimin e tij, historia nuk ndahet nga njerëzit. Për Muratin, Borizana është mozaiku i brezave që kanë jetuar, punuar dhe ndërtuar jetën në këtë vend.

Vetë ai i përket brezit që e jetoi nga afër periudhën e kooperativës bujqësore. Fillimisht brigadier, më pas drejtues në Borizanë, Mirditë e Krujë, ai kujton vitet kur puna në tokë ishte ritmi që përcaktonte jetën e komunitetit.

“1966 mbarova shkollën e mesme. Më pas isha brigadier. Në vitin 1973 shkova në shkollë të lartë dhe punova në Burizanë deri në vitin 1983. Pastaj vazhdova në Mirditë dhe më pas në Krujë.”

Në qendër të kujtimeve të banorëve qëndron një emër: Muharrem Sefa. Njeriu që për dekada drejtoi kooperativën dhe që, sipas bashkëkohësve të tij, ndikoi në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të zonës.

“Muharrem Sefa, Qazim Laçi dhe Hasan Xhafa, ajo pesëshe drejtuesish, i dhanë një zhvillim të jashtëzakonshëm Borizanës.”

Por për ata që e njohën nga afër, Muharrem Sefa nuk mbahet mend vetëm për drejtimin.

“Muharremi ka qenë njeri i përsosur. Nuk donte të dinte për orën apo lodhjen. Ishte gjithmonë në punë. Kooperativën e çoi ndër më të mirat në Republikë.”

Dhe rezultatet, thonë veteranët, ishin të prekshme.

“Janë prodhuar drithëra buke, grurë, misër, luledielli, sera, perime. Arritëm deri në 175 lekë ditën e punës. Kemi qenë shumë mirë.”

Por Borizana nuk u bë e njohur vetëm për prodhimin bujqësor. Në qendrën e saj u ngrit një nga institucionet kulturore më të veçanta të zonës.

“Pallati i Kulturës u prit jashtëzakonisht mirë. Ishte këmbëngulja e Muharrem Sefës. Vinte estrada, vinin artistë, kishte aktivitete të vazhdueshme. Burizana ishte gjallëruar.”

“Ky pallat kishte rreth 600 vende. Kanë dhënë shfaqje Teatri Popullor, ansamble nga Kosova dhe artistë të njohur.”

Edhe sot, godina vazhdon të qëndrojë si një dëshmi e kohës kur kultura mblidhte njerëzit nga i gjithë rrethi. Por ajo që veteranët përmendin më shpesh nuk janë ndërtesat dhe as shifrat e prodhimit. Është bashkëjetesa.

“Borizana është vendi me marrëdhënie unike mes fiseve, lagjeve dhe komunitetit. Kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin dhe për besimin fetar. Kemi pesë teqe, kemi kisha. Historia e Burizanës lidhet me të gjitha periudhat dhe me të gjitha besimet që kanë bashkëjetuar këtu.”

Ndërsa kujtojnë të kaluarën, veteranët nuk flasin me nostalgji për pushtetin apo privilegjet. Ata flasin për njerëzit. Për respektin, për punën dhe për lidhjen me vendin ku u rritën.

Kur flet gjuha e Lezhës/ Akademiku Gjovalin Shkurtaj, monografi për pasurinë gjuhësore

By: Rovena
6 June 2026 at 20:23

Një studim i posaçëm mbi të folurën e zonës së Lezhës është bërë tashmë pjesë e literaturës shkencore përmes një botimi të ri të akademikut Gjovalin Shkurtaj.

Libri sjell një analizë të detajuar të pasurisë gjuhësore të kësaj treve, duke evidentuar fjalorin, shprehjet karakteristike dhe elementet etnolinguistike që janë ruajtur dhe transmetuar ndër breza. Autorit i intereson veçanërisht mënyra se si e folmja lokale është formësuar ndër vite nga ndërthurja e ndikimeve të ndryshme dialektore, si pasojë e lëvizjeve dhe vendosjeve të banorëve nga krahina të ndryshme të vendit.

Sipas Shkurtajt, pavarësisht kësaj larmie gjuhësore, ajo që ka mbetur e pandryshuar është identiteti komunikues i cili ka krijuar një gjuhë të përbashkët funksionale dhe të qëndrueshme, që lidh brezat dhe pasqyron zhvillimin kulturor të zonës.

Botimi është vlerësuar nga studiues, historianë, shkrimtarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët e kanë cilësuar si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e memories gjuhësore të Lezhës dhe në ruajtjen e identitetit gjuhësor si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në studimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, akademiku Gjovalin Shkurtaj u nderua nga Këshilli i Qarkut Lezhë me një certifikatë mirënjohjeje.

 

 

Nën “Amantia”, gjurmë të reja historie/ Gërmimet e fundit në Parkun Arkeologjik zbulojnë struktura të shekullit III

By: Rovena
6 June 2026 at 20:14

Zbulimet më të fundit në Parkun Arkeologjik të Amantias i përkasin periudhës së shekullit të III para erës sonë dhe hedhin dritë mbi një zonë të vendosur jashtë kufijve të qytetit antik, e cila mendohet të ketë pasur funksione ndihmëse në shërbim të aktivitetit ekonomik dhe të jetës së përditshme.

Sipas arkeologëve, struktura e zbuluar mendohet të ketë shërbyer si një objekt i thjeshtë funksional, i lidhur me aktivitetin bujqësor ose si një pikë ndalesë për kafshët e transportit, duke plotësuar kështu panoramën mbi organizimin e periferisë së qytetit të lashtë.

Gërmimet, të cilat kanë zgjatur rreth një muaj, janë drejtuar nga arkeologu Kledian Çipa, i cili thekson se objekti i identifikuar paraqet karakteristika të qarta të një ndërtese me funksion ekonomik, për shkak të mënyrës së thjeshtë të ndërtimit dhe mungesës së elementeve dekorative apo monumentale.

Gjatë punimeve në terren, nuk janë evidentuar objekte të lëvizshme arkeologjike, çka sipas specialistëve sugjeron se ambienti mund të jetë ripërdorur në periudha të mëvonshme, përfshirë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. Kjo ka vështirësuar identifikimin e qartë të funksionit të tij fillestar.

Sipas Çipës, kërkimet janë përqendruar edhe brenda mureve të qytetit antik, në sektorin e fortifikimit, ku vazhdon puna e nisur që vitin e kaluar. Në këtë zonë është zbuluar një strukturë e madhe ndërtimore, e cila mendohet të ketë qenë pjesë e organizimit të brendshëm të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, kjo godinë dhe vetë sistemi i fortifikimit kanë qenë në përdorim për një periudhë të gjatë historike, nga shekulli III para erës sonë deri në shekujt V–VI pas erës sonë, përpara se të shkatërroheshin, me shumë gjasë si pasojë e dyndjeve barbare, gjurmët e të cilave janë ende të dukshme në formë djegiesh.

Ndërkohë, në zonën e gërmimeve dyshohet edhe për identifikimin e një strukture kulle, e cila pritet të konfirmohet në vijim të punës kërkimore. Nëse vërtetohet, ky element do të ndihmojë në plotësimin e mëtejshëm të kuadrit mbi organizimin urban dhe mbrojtës të qytetit antik të Amantias.

Arkeologët vlerësojnë se këto gjetje përbëjnë një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e njohurive mbi Amantian, ndërsa në këtë park pritet që kërkimet dhe gërmimet të vijojnë edhe në faza të tjera.

Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinion më pozitiv? Ja përgjigjet e shqiptarëve

4 June 2026 at 21:02

Sondazhisti Eduart Zaloshnja, i ftuar në “Real Story”, zbuloi përgjigjen e sondazhit lidhur me pyetjen se “Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinionin më pozitiv?”

Shqiptarët janë përgjigjur 48.5 % për Edi Ramën. Ndërsa 19.2 % për Sali Berishën.

Sakaq pyetjes asnjë nga të dy janë përgjigjur 32.3%.

/abcnews.al/

Albatros Rexha: Vendosja e telave në Zvërnec ishte e shëmtuar, por erdhi pas dëmtimit të pronës private

4 June 2026 at 20:48

TIRANË– Analisti Albatros Rexha, në “Real Story” u shpreh se vendosja e telave në Zvërnec ishte një gjë e shëmtuar, e cila nuk la shije të mirë te qytetarët.

Gjatë diskutimit në studio, Rexhaj tregoi dhe motivet që sipas tij çuan drejt këtij vendimi të kritikueshëm.

Ai theksoi se ditë më përpara, gjatë natës, persona të ndryshëm kanë dëmtuar dhe u kanë vënë flakën pajisjeve, vlera e të cilave arrin në mijëra euro.

“Pse u vendosën tela? Më vërtetë është gjë e shëmtuar, dhe mënyra si është bërë, është bërë pa shije. Kushdo që ka bërë, duhet të ishte menduar dy herë.

Por unë pyeta dhe doli, që dy tre ditë më herët, aty ishin futur njerëz natën dhe kishin dëmtuar pronën private, ku kishin dëmtuar pajisjet, sepse vetëm një pajisje kushton 200 mijë euro. Ia kanë vënë flakën, janë bërë dëme.

Për ato askush nuk flet. Ideja për të mbrojtur atë pronë private, nuk ka lindur nga ajri”, tha ai./abcnews.al

“Leja e zhvillimit është dhënë për pronë private”/ Ministrja Ibrahimaj: Zvërneci, mundësi e munguar për ekonominë

4 June 2026 at 20:47

Ministrja Delina Ibrahimaj e ka cilësuar projektin e mundshëm në zonën e Zvërnec si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj tha se Shqipëria ndodhet në konkurrencë të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit për tërheqjen e turistëve dhe se investime të tilla mund të sjellin turizëm elitar dhe ndikim pozitiv në ekonomi.

“Çështja është krejtësisht e jona. Ne jemi në konkurrencë për turizëm me të gjitha vendet fqinje dhe një projekt i tillë do tërheqë turizëm elitar”, u shpreh ministrja.

Ajo sqaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt i detajuar i paraqitur për zhvillim dhe se autoritetet kanë dhënë vetëm një leje për kryerjen e analizave dhe studimeve paraprake.

“Sot nuk kemi një projekt për të thënë se çfarë do të ndërtohet dhe ku do të ndërtohet. Kemi investitorë seriozë, kaq mund të komunikojmë. Leja e dhënë është për të bërë analiza”, deklaroi Ibrahimaj.

Duke komentuar incidentet dhe tensionet e raportuara në zonë, ministrja dënoi aktet e dhunës dhe theksoi se institucionet kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit.

Sa i përket debatit për rrethimin e një pjese të territorit, ajo tha se masa ishte ndërmarrë për mbrojtjen e pronës private, por nënvizoi se plazhi nuk është pronë private dhe duhet të mbetet i aksesueshëm.

“Po bëhet një investim në një pronë private dhe leja për zhvillimet është dhënë për të bërë studime. Çështja e konfliktit të pronës është një çështje që u përket instancave përkatëse”, tha ministrja.

❌