Normal view

Aksident në zonën e Lumit të Vlorës, makina humb kontrollin dhe përfundon në kanal

By: Rovena
5 May 2026 at 15:36

Një aksident rrugor është regjistruar në zonën e Lumit të Vlorës, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anësor.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë, çka ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbasë kontrollin. Si pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni përpara se të përfundonte jashtë karrexhatës.

Nga aksidenti, shoferi ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje, duke shmangur pasoja më të rënda. Ndërkohë, mjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Plagosi me thikë të riun/ Vihet në pranga 42-vjeçari në Vlorë

3 May 2026 at 12:25

Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi plagosi me thikë një 23-vjeçar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Picar, ky shtetas ka goditur me mjet prerës 23-vjeçarin.

I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e dyshuar e përdorur gjatë ngjarjes./abcnews.al

Aksident në rrugën Transballkanike/ Vlorë, makina përplas këmbësoren 75-vjeçare

3 May 2026 at 11:57

Një aksident ka ndodhur në rrugën Transballkanike, ku një automjet tip Toyota ka përplasur një grua rreth 75 vjeçe e cila ishte duke kaluar në vijat e bardha.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe autoambulanca.

E dëmtuara është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, Policia po kryen verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Marrëveshja 6 miliardë dollarë Shqipëri-SHBA/ Rama: Hap i rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike

3 May 2026 at 09:27

Një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendit tonë e ka cilësuar kryeministri Edi Rama marrëveshjen 6 miliardë dollarë me SHBA për furnizimin me gaz të lëngshëm.

Para nisjes drejt Yerevanit, Armeni për Samitin e Komunitetit Politik Europian, Rama u shpreh në rrjetet sociale se Shqipëria do të furnizohet me gaz të lëngshëm për një periudhë 20-vjeçare.

Kreu i qeverisë shtoi se Vlora do të kthehet në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it,

“Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.  Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, theksoi ai./abcnews.al

 

E rëndë në Vlorë/ Një person gjendet e i varur në një prej kullave të vrojtimit të plazhit

By: Rovena
2 May 2026 at 08:15

Një person është gjetur i pa jetë, mëngjesin e kësaj të shtunë, i varur në një prej kullave të vrojtimit në plazhin e Vjetë.

Sipas policisë dyshohet për vetëvarje ndërsa ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm

Plagoset me thikë 23-vjeçari në Vlorë, autori në kërkim

1 May 2026 at 21:34

Një 23-vjeçar është plagosur me thikë në Vlorë. Sipas informacioneve paraprake, i riu është shoqëruar në spital nga policia e Vlorës, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në fshatin Picar, Gjergji Izeta  pas një konflikti për motive të dobëta me një 42 vjeçar, ky i fundit e ka goditur me mjet prerës.

Pritet të merret edhe dëshmia e tij pas ndihmës mjekësore, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Vlorë, shezlongët 700 lekë/ Këshilli Bashkiak vendos çmim tavan për plazhet private

1 May 2026 at 15:15

Në qytetin bregdetar të Vlorë, çmimi për çadrat dhe shezlongët në plazhet private nuk do të kalojë më shumë se 700 lekë, pas vendimit të ri të këshillit bashkiak të miratuar një ditë më parë.

Ky vendim cakton një tarifë tavan për subjektet private që administrojnë hapësirat bregdetare, duke ulur ndjeshëm kostot krahasuar me vitet e mëparshme, kur çmimet në disa raste shkonin deri në 2 mijë lekë.

Sipas kryetares së Bashkisë së Vlorë, Brunilda Mersini, një pjesë e konsiderueshme e vijës bregdetare do të mbetet plotësisht publike dhe falas për qytetarët.Ajo thekson se rreth 15 mijë metra katrorë plazh do të jenë në dispozicion të lirë të pushuesve.

Vendimi vjen në prag të sezonit veror, i cili sipas parashikimeve pritet të sjellë një numër të lartë pushuesish në Vlorë.

700 lekë për plazhet publike/ Tarifa, vendimi që ndezi debatet në këshillin bashkiak në Vlorë

1 May 2026 at 14:22

Plazhet publike në Vlorë do të jenë pa pagesë, ndërsa plazhet private do të kenë një tarifë të unifikuar prej 700 lekësh për çadra dhe shezlongë.

Kjo është masa e re e miratuar në këshillin bashkiak, e cila ka sjellë edhe debat në qytet.

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, sqaron se në total rreth 15 mijë metra vijë bregdetare do të jenë plazh publik dhe të aksesueshme falas për qytetarët. Sipas saj, në këto hapësira do të vendosen rreth 350 çadra dhe shezlong nga administrimi bashkiak, ndërsa një pjesë tjetër e vijës bregdetare do të mbetet plotësisht e lirë, ku qytetarët mund të vendosin vetë pajisjet e tyre.

“Në plazhet publike do të ketë menaxhim nga Bashkia në bashkëpunim me privatët. Tarifa 700 lekë është vendosur si tavan maksimal për plazhet private. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku çmimet shkonin deri në 2 mijë lekë, këtë sezon nuk do të ketë tarifa më të larta se ky nivel”, shprehet Mersini.

Vendimi për tarifën e re ka qenë një nga pikat më të diskutuara në këshillin bashkiak dhe ka ngjallur reagime edhe në qytetin e Vlorë, në prag të sezonit turistik veror.

Vlorë/ Breshka e ujit gjendet e ngordhur në bregdet, dyshohet për goditje nga helikat e anijes

By: Rovena
28 April 2026 at 21:22

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, duke ngritur shqetësime për sigurinë e faunës detare në zonë.

Sipas informacioneve, breshka është konstatuar nga qytetarë të rastit, të cilët kanë njoftuar menjëherë për praninë e saj në vijën bregdetare. Nga vëzhgimi paraprak, mësohet se kafsha kishte dëmtime të rënda në pjesën e kokës.

Dyshohet se breshka mund të jetë goditur nga helikat e një mjeti lundrues, çka i ka shkaktuar plagë fatale. Ky fenomen mbetet një nga kërcënimet kryesore për speciet e mbrojtura detare, veçanërisht në zonat me qarkullim të shtuar të anijeve.

Vlorë/ Prani gazi në zonën e hidrovorit në Akërni, vendoset tabela paralajmëruese

By: Rovena
28 April 2026 at 17:56

“Prani gazi, mos kalo,  është e rrezikshme”, kjo është tabela paralajmëruese e vendosur në zonën e pyllit të Hidrovorit në Akërni

Sipas burimeve, një firmë private që ka kryer disa shpime ditët e fundit për studimin e tokës, ka konstatuar prani gazi në vijën bregdetare të zonës së Hidrovorit.

Në vendngjarje është vendosur gjithashtu shirit rrethues, çka tregon masat e marra pas konstatimit të pranisë së gazit. Burimet bëjnë me dije se sonda e shpimit ka arritur deri në thellësinë 70 metra.

Mësohet se prania e gazit është konstatuar prej rreth 10 ditësh, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi natyrën e këtij zbulimi apo hapat që do të ndiqen më tej.

Vlorë/ 60-vjeçari dërgohet me urgjencë në spital, dyshohet se është dhunuar

By: Rovena
25 April 2026 at 22:34

Një 60-vjeçar është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës, ku aktualisht ndodhet në sallën e operacionit. Ai ka marrë disa plagë dhe dyshohet se është dhunuar, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Policia ka mbërritur në spital dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rreth botës me jet ski/ Dy aventurierë ndërkombëtarë, në një udhëtim unik dhe sfidues

By: Rovena
25 April 2026 at 20:35

Kevin Neubeck dhe Felipa Costilla kanë nisur një aventurë të pazakontë, duke përshkuar botën mbi një jet ski, në një udhëtim që synon të sfidojë çdo kufi.

Ndalesa e radhës e kësaj eksperience është Vlora, ku dy aventurierët kanë mbërritur si pjesë e itinerarit të tyre ndërkombëtar. Sipas tyre, ftesa për të vizituar qytetin ka qenë një mundësi e mirëpritur, ndërsa përshtypjet e para kanë qenë mëse pozitive.

Kevin tregon se ka vizituar deri më tani 12 shtete dhe në Shqipëri vjen për herë të parë. Ai shprehet se ideja për të përshkuar botën me jet ski ka qenë një sfidë personale, që synon të tregojë se “çdo gjë është e mundur”, edhe pse pranon vështirësitë e mëdha që sjell një udhëtim i tillë.

“Unë jam Kevin, 33 vjeç. Mua më lindi ideja e çmendur për të udhëtuar të gjithë botën me jet ski. Mendoj se askush nuk e ka bërë më parë, por unë jam i çmendur mjaftueshëm për t’ju vërtetuar që çdo gjë është e mundur. Deri më tani kam vizituar 12 shtete të ndryshme. Është e vështirë të bësh këtë që po bëj unë, nuk do ta rekomandoja. Deti është shumë i vështirë, ndonjëherë nga lodhja ndjen dhimbje në duar edhe në mes. Por mua më pëlqen shumë ajo që bëj. Nëse nuk do të më pëlqente, do të hiqja dorë. Ndonjëherë mendoj çfarë jam duke bërë, por adrenalina dhe kënaqësia janë shumë të mëdha. Vlora është shumë e bukur, më ka surprizuar për mirë. Nuk e prisja që Shqipëria të ishte kështu njerëzit, ushqimi. Shteti i radhës që do të vizitoj është Mali i Zi”, tha Kevin Neubeck.

Ndryshe nga Kevin, për Felipa Costilla kjo është hera e parë që udhëton me jet ski, një eksperiencë që ajo e përshkruan si të papritur dhe sfiduese, por njëkohësisht të jashtëzakonshme.

“Unë jam Felipa dhe është hera ime e parë që udhëtoj me jet ski nga Qipro në Shqipëri. Ishte ëndërr e imja ta provoja këtë eksperiencë. Ishte një ide e çmendur fillimisht, por vendosa ta provoja. Ka shumë vështirësi, është shumë ftohtë, por mësohesh. E dashuroj Shqipërinë, ka dalë jashtë pritshmërive të mia, sidomos ushqimi fantastik. Kemi provuar 3 restorante deri tani dhe mund të them se është edhe më mirë se Greqia.100% do ta sugjeroj Shqipërinë te miqtë e mi dhe do të kthehem sa më shpejt”, u shpreh Felipa Costilla.

Dy aventurierët theksojnë se Vlora i ka surprizuar jo vetëm me bukuritë natyrore, por edhe me mikpritjen, ushqimin dhe atmosferën e qytetit, duke e kthyer ndalesën e tyre në një nga mbresëlënëset të udhëtimit.

Kishte fshehur në banesë kokainë dhe kanabis/ Vlorë, arrestohet 53-vjeçari

25 April 2026 at 11:27

Një 53-vjeçar u arrestua në Vlorë, pasi kishte fshehur në banesë, kokainë dhe kanabis, të cilat i kishte për shitje.

Ndërkaq, dy të tjerë, bashkëpunëtorë të 53-vjeçarit, u proceduan penalisht.

Banesën, në lagjen “10 Korriku”, shtetas maqedonas e kishte marrë me qira.

Gjatë kontrollit në këtë banesë, u gjetën 1 peshore elektronike dhe 3 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./abcnews.al

Drejtoria e Burgjeve urdhëron kontroll në paraburgimin e Vlorës për sekuestrimin e sendeve të paligjshme

25 April 2026 at 09:59

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve urdhëron ushtrim kontrollesh në paraburgimin e Vlorës.

Urdhri është dhënë nga drejtori Adriatik Kupi, në vazhdën e kontrolleve që po kryhen në çdo IVEP me qëllim sekuestrimin e sendeve të paligjshme që mund të ndodhen në ambientet e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Kontrolle pritet të ushtrohen më vonë edhe në IVEP Fier, ku do të kontrollohen qelitë dhe hapësira të tjera ku qëndrojnë të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Kontrollet po kryhen nga forcat operacionale të burgjeve, teksa deri më tani nuk janë gjetur sende të paligjshme. Operacioni po vijon.

Turistët “pushtojnë” Vlorën/ Pushimet e pranverës, të huajt vizitojnë qytetin bregdetar

18 April 2026 at 14:50

Me ardhjen e pranverës në Vlorë kanë nisur të mbërrijnë edhe turistët e parë që udhëtojnë me kamper. Shijojnë lirinë që ofron ky lloj udhëtimi dhe vizitojnë disa destinacione brenda një kohe të shkurtër.

Turistë nga Holanda, Zvicra dhe Gjermania po e zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet.

“Jam nga Holanda. Jemi prej gati një jave në Shqipëri dhe në Vlorë, ndërsa më pas do të udhëtojmë drejt Kosovës dhe Malit të Zi. Në fakt të udhëtosh me kamper dhe të pushosh në këtë mënyrë është fantastike pasi ke mundësinë të shijosh natyrën dhe disa vende. Është hera e parë që vij në vendin tuaj, ndërsa dija diçka nga fotot dhe videot që kam parë por edhe nga miqtë e mi që e kanë vizituar më parë vendin tuaj. Më pëlqen të them të drejtën, dhe kam mbetur i kënaqur”, tregon Andoni.“Jam nga Holanda dhe jam me bashkëshortin tim. Edhe për mua është hera e parë këtu dhe kam mbetur i surprizuar nga ajo çfarë kam parë këtu. Kemi vizituar disa vende dhe po më pëlqen. Është një vend që i ka të gjitha, plazhet e bukura, malin dhe pyllin ku po qëndrojmë”, shprehet Klodi.

Erblina nga Zvicra, thotë: “Unë jam nga Zvicra. Kemi zgjedhur Vlorën këto ditë dhe udhëtojmë me kamper. Kam parë disa video nga vendi juaj dhe tani jemi këtu ta vizitojmë nga afër. Kemi gati 5 ditë dhe kemi vizituar edhe Ksamilin, jemi në Vlorë dhe do të shkojmë edhe në Durrës. Më pëlqen si vend, plazhi ishte shumë i bukur dhe këto ditë edhe moti ka qenë shumë i mirë”.

Bregdeti dhe mikpritja shqiptare u kanë lënë mbresa. Shumë prej tyre premtojnë se do të kthehen sërish.“Jam nga Zvicra edhe unë. Po vij për herë të parë këtu dhe po më pëlqen shumë. Është një vend që të ofron shumë gjëra njëkohësisht. Det, mal, pyll dhe padyshim që do të rikthehem”, tregon Klodi.

“Edhe unë jam nga Gjermania. Pse kemi zgjedhur Shqipërinë dhe Vlorën? Sepse klima dhe natyra është fantastike. Më pëlqen të udhëtoj dhe të eksploroj dhe këtu ka vende shumë të bukura. Deri më tani jam shumë e kënaqur”, rrëfen Erblina.

Ndërkohë me rritjen e temperaturave kanë filluar të popullohen edhe plazhet në Vlorë.
Janë kryesisht të huaj që kanë mbërritur për disa ditë pushimi, por nuk mungojnë as ata që kanë zgjedhur Shqipërinë për të ndërtuar jetën e tyre.“Unë jam nga Spanja. Në fakt unë studioj në Itali dhe bashkë me miq gjetëm mundësinë të pushojmë për pak ditë dhe zgjodhëm Shqipërinë. Sot po bëjmë plazh në Vlorë ndërsa nesër do të shkojmë edhe në Ksamil”, shprehet Andoni.

“Edhe unë jam nga Spanja. Prej një viti studiojmë në Itali. Po më pëlqen shumë këtu. Në Itali apo në Shqipëri? Këtu deti është më i bukur. Krahasim me Spanjën? Jo nuk e them. Ishte pak ftohtë sot në ujë por shumë e bukur. Më pëlqen shumë Vlora”, tregon Emiljano.

Sezoni turistik duket se ka nisur më herët këtë vit. Vlora po tërheq turistë nga e gjithë bota. Plazhet po mbushen gradualisht me pushues, duke paralajmëruar një sezon turistik të suksesshëm./abcnews.al/

EMRAT/ Kanosën të riun dhe i kërkuan 30 mijë euro, arrestohen tre persona në Vlorë

15 April 2026 at 15:05

VLORË- Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se kanë kanosur një 30-vjeçar për t’i marrë  një shumë monetare prej 30 000 euro.

Ngjarja u zbardh pas kallëzimit të bërë nga 30-vjeçari, i cili deklaroi se në një lokal ishte kërcënuar nga tre persona, të cilët dyshohet se mbanin edhe armë zjarri, me qëllim përfitimin e një shume parash.

Më pas, ata i kanë marrë automjetin tip “BMW”, duke e mbajtur deri në dhënien e shumës së kërkuar. Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti i përdorur nga autorët, si dhe automjeti që ata i kishin marrë 30-vjeçarit.

Të arrestuarit janë Alteo Grabovaj, 26 vjeç, Mahmut Balikci, 22 vjeç dhe Mehmet Hoxha, 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet paraprake rezulton se autorët, mesditën e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, kanë kanosur të riun që t’u jepte shumën prej 30 000 eurosh dhe më pas i kanë marrë automjetin, me të cilin janë larguar./abcnews.al

 

Vlorë, kanosën një 35-vjeçar/ Tentuan ta nxirrini me forcë nga mjeti i tij duke e dhunuar, tre në pranga

14 April 2026 at 11:21

VLORË- Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar.

Nga hetimet, Policia thotë se dyshohet se të arrestuarit Xhevair Islamaj, 31 vjeç Klodjan Hysenaj, 34 vjeç dhe Mario Zekaj 20 vjeç kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, 35 vjeçarin, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.

35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të njërit prej autorëve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.

Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.

Ata akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

“Çmimet nuk i vendos qeveria”, Rama me operatorët turistikë në Vlorë: Do i bëni gropën vetes nëse…

13 April 2026 at 16:03

Rama: Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë më shumë edhe jashtë sezonit nëse do jetë e përgatitur. E shohim këtë edhe në aspektin e interesimit për investime që këto muaj ka patur një rritje, duhet ta shfrytëzojmë këtë situatë. Njerëzit vijnë me një ide të caktuar, edhe nëse mbeten të pakënaqur na kthehet në boomerang. Cmimet nuk i vendos qeveria, i vendos tregu. Por në rastin e kësaj industrie duhet ti vendosë vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja. Ju e dini hoteleria e ka investimin të madh por fitimin të ngadaltë, por të sigurtë. Qëllimi është të lexojmë cfarë iu ka ndodhur të tjerëve.

Kur janë gjendur përpara rezultatit të hapjes, janë dehur dhe kanë vepruar sit ë dehur duke ofruar shërbime të dobëta dhe cmime të larta. Si rezultat i fluksit, kanë patur mendjen e ngushtë duke menduar që njerëzit do I kenë aty dhe kanë nisur të investojnë. Cfarë iu ka ndodhur? I kanë mbetur investimet në derë. Nëse Vlora do marrë njollën se mund të paguash më shumë sec merr, i keni bërë gropën vetes. Pra duhet një strategji afatmesme. Ju flas si dikush që e dua këtë qytet dhe dua që cfarë kemi mbjellë ta korrim për gjenerata, jo për një stinë. Unë mendoj që duhet strategji për ti garantuar jetëgjatësinë investimeve që po bëni. Sa do jenë në gjendje projektet për të sjellë njerëz. Vlora ka të gjitha mundësinë të bëhet si qytetet në Portugali, Spanjë, Turqi, ku të vijnë të jetojnë plot të huaj. Shqipëria me gjithë këto histori e turbullira është një vend ku jetohet me siguri. Dje isha në Dhërmi me disa miq, dhe po më thonin se nuk e mendonin kurrë që mund të dilje në kryeqytetin e Shqipërisë natën pa asnjë ndjesi frike. Në Londër nuk del dot natën.

Aty ku turizmi është zhvilluar, japin para shtetet. Greqia i merr nga buxheti dhe ia jep operatorëve, ne po mbështesim sa mundemi. Ca dmth kjo që jahtet është pa taksë për makinat me taksë. Po patjetër, nga ato jahtet ekonomia jonë fiton, ndërsa nga makinat mjedisi ynë ndotet. Janë dy gjëra që s mund të vihen në krahasim. Na duhen më shumë Marina, po zhvillohet këtu në Vlorë, do jetë një tjetër motor për ekonominë. Vetëm në dimër do jenë 200-2500 njerëz që do jenë konsumatorë të qytetit. Marina e Durrësit po ecën, kemi një projekt shumë të bukur në Shëngjin porn a duhen më shumë.

“Punët për Shqipërinë”, Rama në Vlorë/ Kryeministri inspekton punimet në Lungomaren e Plazhit të Vjetër

13 April 2026 at 10:08

VLORË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Vlorës. Në axhendë, kryeministri ka planifikuar disa inspektime dhe takime me asamblenë e PS në Vlorë.

Pas mbërritjes në qytetin bregdetar, kryeministri e ka nisur me një inspektim në në Lungomaren e Plazhit të Vjetër.

Prej ditësh, kryeministri Edi Rama vijon takimet me qytetarët në bashki të ndryshme të vendit për të diskutuar mbi sfidat, punët dhe arritjet e qeverisë drejt objektivit madhor, integrimin e Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030./abcnews.al

E rëndë në Vlorë/ Ra nga ballkoni i banesës, ndërron jetë 2-vjeçari

12 April 2026 at 18:54

VLORË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot rreth orës 18:20 në lagjen “Pavarësia 3” në Vlorë, ku një fëmijë 2-vjeç ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i banesës dhe ka ndërruar jetë në vend.

Sipas të dhënave paraprake, i mituri ndodhej në banesë së bashku me nënën e tij, në momentin kur dyshohet se ka ndodhur incidenti tragjik.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, i cili po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Autoritetet pritet të hetojnë me detaje shkaqet e rënies dhe kushtet në të cilat ndodhej banesa në momentin e ngjarjes.

/abcnews.al/

❌