Normal view

Inter, kampion i dimrit/ Zikaltërit mundin 1-0 një Lecce pa shqiptarë, kryesojnë në Itali

15 January 2026 at 12:37

Nuk mund të quhet ende një arratisje. Jo vetëm sepse Milani nëse fiton sonte afrohet në vetëm tri pikë, por edhe sepse distancat në Serinë A nuk janë aspak të mëdha.

Sidoqoftë, Interi arriti një tjetër fitore duke bindur, ndonëse e pati përsëri shumë të vështirë.

Një Leçe me mungesa, në të cilën nuk luajtën Ylber Ramadani I pezulluar dhe Medon Berisha i dëmtuar, pra pa shqiptarë në fushë, rezistoi deri 12’ para fundit, edhe pse në “San Siro” u luajt praktikisht me një portë.

Epërsi e madhe, monolog zikaltër deri në mërzi, dhe Pio Espozito shënoi golin që vlejti fitoren. Me këtë rrjetë, Interi i trajnerit Kristian Kivu, është kampion I dimrit në Itali.

Boni, Barela dhe Luis Enrike provuan të shënonin më shumë, por puljezët ishin një fortesë. Napoli ndërkaq gaboi.Me trajnerin Antonio Konte në tribunë të pezulluar, të besuarit e tij nuk ia dolën të thyenin Parmën edhe pse u luajt në stadiumin “Maradona”.

Një sfidë tipike janari, me dimër jashtë fushe dhe brenda saj, me një gol të anuluar ndaj skocezit Mektominej për pozicion jashtë loje, dhe sulme pafund të napolitanëve.

Inter kryeson Serinë A pas 19 javësh me 46 pikë ndaj 40 të Milanit që luante sonte ndaj Komos, ndërsa Napoli ka mbetur pak më prapa me 39 pikë.

Inter nis “fluturimin”/ Zikaltërit fitojnë 2-0 në “Tardini”, Parma dorëzohet pa kushte

8 January 2026 at 12:41

Ndoshta mund të jetë më në fund një vit i mbarë. Interi ka bërë kaq shumë gabime gjatë gjithë kësaj kohe, veçse momenti jep shumë shpresë për tifozët. Skuadra lombarde triumfoi 2-0 në stadiumin “Tardini” të Parmës, dhe ndoshta nisi një minishkëputje në Serinë A.

Në pritje të Milanit, dhe pas hapit të gabuar të Napolit, zikaltërit bënë detyrën, e madje e bënë shumë mirë. Jo vetëm me golat e shënuar nga Federiko Dimarko dhe Markus Turam, por edhe me lojë.

Emilianët, edhe pse luajtën në shtëpi, nuk arritën të bënin asgjë. Vetëm 3 gjuajtje gjithsej ndaj 21 të miqve, dhe pa e gjetur kurrë kuadratin, ndërsa Interi e bombardoi portierin Korvi me plot 9 goditje të sakta.

Merita e trajnerit Kristian Kivu duket e madhe për ekuilibrin që I ka dhënë ekipit, për mentalitetin dhe për lojën sulmuese. Jo më kot lombardët kanë shënuar 40 gola, shumë më tepër se kushdo në Serinë A këtë sezon.

“La Gazeta delo Sport” shkruan për përpjekjen për shkëputje të Interit, dhe për Napolin që u ndal: Zikaltërit krijojnë diferencë! “Sonte pritet Milani, na kujton “Il Korriere delo Sport”, që shton se Kivo shkallmon Parmën dhe se Interi ka diçka më tepër!”

Interistët padyshim u ndihmuan nga gabimi i rëndë i Napolit. Kampionët në fuqi madje ishin në prag të humbjes në stadiumin “Maradona” ndaj Veronës, edhe pse reaguan me karakter.

Freze dhe Orban realizuan dy herë për vizitorët, përpara sesa Skot Mektominai dhe Di Lorenco të shpëtonin të paktën pikë./abcnews.al

“Kokë a pil” me Asllanin/ Inter në telashe për fatin e mesfushorit të kombëtares shqiptare

7 January 2026 at 12:38

Një rikthim me këtë fanelë përjashtohet.

Inter dhe trajneri i tij, Kristian Kivu, i kanë të qarta idetë për të ardhmen dhe për projektin e tyre, dhe Kristian Asllani nuk është pjesë e tij.

Gjithsesi, klubi zikaltër ka përgjegjësi dhe detyrim për kartonin e mesfushorit të Shqipërisë sepse e zotëron gjithnjë ai, dhe dëshiron të marrë sërish paratë që shpenzoi për të.

Momenti duket shumë i vështirë sepse Torino, ku shqiptari ndodhet në huazim, nuk dëshiron ta mbajë më tej, ndërsa nuk dihet nëse karriera e tij do të vazhdojë në Itali apo jashtë saj.

Inter, sipas lajmeve në mediat në Apenine, pëlqen më shumë që Asllani të largohet nga Seria A, edhe pse ka klube në vend që interesohen për të.

Informacioni është që Parma dhe Sasuolo mund të jenë kandidatë potencialë për ta marrë 23-vjeçarin që nuk po gjen qetësi në karrierë.

Natyrisht, kohë ka pasi periudha e transferimeve vazhdon gjatë gjithë janarit, ndërsa pengesa më e madhe është shuma që lombardët kërkojnë për kartonin.

Interi shpenzoi 13 milionë euro për ta marrë nga Empoli, ndërsa prej Torinos kërkoi 11.5 milionë.

Tashmë, kjo shifër duket jashtë realitetit, por nëse mesfushori kuqezi gjen ekipin e duhur dhe luan mirë gjysmën e dytë të sezonit, në Spanjë apo Itali, situata mund të përmirësohet.

Inter rikthehet në krye/ Zikaltërit i përgjigjen me fitore bindëse rivalëve Milan e Napoli

5 January 2026 at 12:39

Nuk e kanë larguar ende epitetin “i çmendur”, ndonëse po përpiqen shumë. Interi i trajnerit Kristian Kivu, pavarësisht hapave të shpeshtë të gabuar si në Champions apo në Botërorin e Klubeve, si edhe në Superkupën e Italisë, u ngjit sërish në krye të Serisë A.

Fitorja 3-1 ndaj Bolonjës ishte më shumë se e merituar, me zikaltërit që ishin dominues në “San Siro” që nga fillimi e deri në fund. Suksesi me shifrat 3-1 I lejoi të parakalonin Napolin e Milanin për të mbajtur vendin e parë, e për të qenë kandidatë kryesorë për “skudeton”.

Polaku Zielinski, kapiteni Lautaro Martinez dhe Markus Turam ishin autorët e golave. Për sulmuesin argjentinas janë 10 rrjeta këtë sezon, dhe është edicioni i shtatë radhazi që shënon me dy shifra, pra të paktën 10.

Vetëm tre lojtarë në historinë e Interit ia kanë dalë më shumë, Xhuzepe Meaca e Benito Lorenci për 9 sezone, dhe Alesandro Altobeli 8. “La Gazeta delo Sport” ka titullin për Interin e Madh, “Interona”: Dominon Bolonjën, garë me tre korsi për titullin kampion!”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Garë treshe, luftë për titullin! Maja Lautaro, Inter argëtohet, ndërsa Napoli është i përsosur!” Inter kryeson Serinë A me 39 pikë, Milani ka 38 dhe Napoli 37 pas 17 javësh kampionat./abcnews.al

Inter eliminohet nga Superkupa/ Bologna kalon zikaltërit në katërshe pas gjuajtjes së penalltive

20 December 2025 at 14:53

Rekordin e Juventusit nuk e arrinte dot, por trofeun e donte.

Gjithsesi, Interi I trajnerit Kristian Kivu, vazhdon me problemet që pati ekipi I Simone Inzagit, madje edhe më keq, dhe ja ku erdhi dështimi I radhës.

Skuadra zikaltër u eliminua në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, që për të katërtin sezon radhazi mbahet në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.

Këtë herë, kryesuesit e Serisë A u mposhtën nga Bolonja pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa koha e rregullt përfundoi 1-1.

Në një përballje të fortë në stadiumin e Universitetit të Mbretit Saud, lombardët bënë më shumë, ndonëse edhe bolonjezët iu përgjigjën goditje pas goditjeje.

Markus Turam shënoi që në minutën e dytë, por Rikardo Orsolini barazoi për kuqeblutë me penallti në 35’.

Pas pushimit nuk pati ndryshim rezultati, ndonëse Interi mbati topin 61 për qind dhe pati më shumë gjuajtje drejt portës.

Penalltitë ishin dramë pasi u humbën pesë radhazi, tre prej të cilave nga interistët.

Ish-sulmuesi kryesor i Lacios dhe i Italisë, Çiro Imobile, shënoi 11-metërshin vendimtar duke I dhënë Bolonjës suksesin me shifrat e përgjithshme 4-3.

Të dielën, do të luhet finalja ndaj kampiones në fuqi të Italisë, Napolit, që mundi 2-0 Milanin në gjysmëfinalen e parë./abcnews.al

Inter, në testin “e kuq”/ Zikalterit synojnë të arrijnë sonte kualifikim në raundin tjetër

9 December 2025 at 12:38

Moment më të keq ka kohë që nuk mbajnë mend. Liverpuli duket si një i vdekur që ecën, dhe udhëtimi i radhës në Champions, pas katastrofës në shtëpi ndaj PSV Eindhovenit, e dërgon në Milano.

Të kuqtë udhëtuan drejt aeroportit Malpensa, ndërsa në metropolin e madh të Lombardisë do të kenë sfidën ndaj Interit.

Rival shumë I fortë, dhe në një çast krejt të pavolitshëm, kur Mohamed Salah shpërtheu hapur kundër trajnerit Arne Slot, duke shkatërruar edhe atë pak atmosferë pozitive që kishte mbetur në skuadër.

Në një sezon tepër të vështirë, në të cilin Liverpuli ka vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit, dhe plot 9 humbje në 15 sfida që nga 23 shtatori.

Salah u stërvit me ekipin një ditë para ndeshjes, por u la në Angli, ndonëse tekniku Slot të paktën nuk ka shqetësime të rëndësishme në lidhje me dëmtimet apo pezullimet.

Yje të rëndësishëm si Virc, Isak, Soboslai, Ekitike, Van Dajk apo Alison janë gati.

Po Interi?

Italianët vijnë në këtë duel pas suksesit të thellë 4-0 ndaj Komos në Serinë A, ku shkëlqyen lojtarë të rëndësishëm si Lautaro Martinez, Markus Turam apo Çalhanoglu, ndërsa pozicioni është shumë I mirë, vetëm një pikë prapa kreut.

Në Champions, lombardët kanë katër fitore e vetëm një humbje, pësuar herën e kaluar në Madrid ndaj Atletikos, ndërsa trajneri Kristian Kivu është përpara një dileme.

Vështirë që tekniku rumun të mbajë të njëjtin formacion, pasi zikaltërit po luajnë ndeshjen e katërt në vetëm 10 ditë, pra ndryshimet mund në formacion mund të jenë Bisek në mbrojtje, Suçiç në mesfushë dhe Boni në sulm.

Dy ekipet kanë gjashtë ndeshje mes tyre në Champions, me 4 fitore të anglezëve dhe dy të italianëve.

Kualifikimet janë 2-1 për Liverpulin që fitoi ndeshjen e fundit në “San Siro”, 2-0 në 16 shkurt 2022.

 

Inter merr “komandën”/ Skuadra zikaltër konfirmohet favorite, fiton 2-0 kundër Lazio

10 November 2025 at 12:28

Ndryshimi i trajnerit dhe oshilacionet e javëve të para ngritën shumë dyshime. Por kjo i përket së shkuarës. Inter është kthyer në vendin e parë dhe në rolin si pretendent kryesor në garën për titullin kampion në Serie A.

Një tjetër konfirmim për këtë erdhi me fitoren e pastër 2-0 kundër Lazio. Zikaltërit në fushë dhe tifozët në tribunat e “San Siro” nuk duhet të prisnin gjatë për të nisur festën.

Pa u plotësuar tre minutat e para të sfidës, Lautaro Martinez shënoi golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë. Lacialët provuan të ktheheshin në lojë, por në minuitën e 62-të morën goditjen e KO me Bonny që shënoi golin e dytë.

Fitorja e Inter mund të ishte më e thellë, por sistemi VAR anuloi realizimin e Zielinsky pas vetëm katër minutash. Gjithsesi, interistët mbetën të lumtur, pasi fitorja 2-0 I ngjit në kuotën e 24 pikëve dhe në vendin e parë të klasifikimit të Serie A, që duhet ta ndajnë me Romën.

Skuadra e drejtuar nga Gianpiero Gasperini, gjithashtu I shtoi një tjetër sukses sezonit të shkëlquer me fitoren 2-0 kundër Udinese. Një 11 metërsh i kthyer në gol nga Lorenzo Pelegrini shbllokoi në fundin e pjesës së parë sfidën në “Olimpiko”.

Pas pushimit, Zeki Çelik shënoi golin e dytë dhe atë që vulosi triumfin e Romës, që përtej çdo parashikimi në fillim të sezonit, tashmë ka hyrë zyrtarisht në “klubin” e pretendentëve për titull.

Nëse Inter dhe Roma kryesojnë renditjen, një meritë ka edhe Napoli. Kampionët e Serie A lëshuan kreun pas humbjes 2-0 në transfertën kundër Bologna.

Dalinga dhe Lukumi, me golat e tyre në pjesën e dytë I dhuruan disfatën skuadrës së Antonio Conte, që duhet të ribëjë edhe një herë llogaritë për këtë sezon./abcnews.al

Inter, kampion i financave/ Klubi zikaltër vendos rekordin e të ardhurave në futbollin Italian

16 October 2025 at 13:20

Të paktën për një dekadë hallet nuk kanë të përfunduar. Futbolli italian ka pësuar humbje financiare vit pas viti, por ja më në fund ku vjen një lajm I mirë.

Interi, edhe pse e përfundoi sezonin e kaluar me zero tituj, siç thoshte Murinjo, sërish ia pa hajrin për paratë.

Pas përfundimit të bilanceve, rezultati është fitim prej 35 milionë eurosh për zikaltërit në edicionin 2024-2025.

Një përmbysje e situatës sepse në 2023-2024 mbyllja ishte në të kuqe me -36 milionë euro.

Situata nuk është përmirësuar nga ulja e shpenzimeve, por nga rritja e të ardhurave në pjesëmarrjen në Serinë A, Champions dhe Kupën e Botës për Klubet.

Po ashtu, ka edhe një element tjetër në dokumentet financiare që të bën optimist. Klubi nga Lombardia siguroi të ardhura prej 546 milionë eurosh vitin e kaluar sportiv, me një rritje tepër të madhe plot 37 për qind.

E përkthyer në para, rritja është 147 milionë euro. Ky është një rekord jo vetëm për Interin, por edhe rekordi historik I futbollit italian që kur kanë nisur të mbahen bilancet.

Klubi nga Milano la pas në mënyrë të ndjeshme rekordin e mëparshëm të vendosur nga Juventusi në sezonin e parë të Kristiano Ronaldos, 2018-2019, me 464 milionë euro, pra një tejkalim prej rreth 80 milionë eurosh./abcnews.al

Inter bëhet sërish i frikshëm/ Zikaltërit bindin në “San Siro”, Cremonese bie me shifrat 4-1

By: Rovena
5 October 2025 at 14:15

Nuk mund të thuhet se besimi është kthyer si më parë. Do t’i duhet shumë këtij Interi për të bindur se mund të luftojë me Napolin e Milanin për titullin në Itali, por gjithsesi momenti është pozitiv.

Pas fitores së thellë në Champions ndaj Sllavias së Pragës, erdhi suksesi me diferencë të njëjtë, me 3 gola, këtë herë ndaj Kremonezes.

Natyrisht, kundërshtari nuk është nga më të fortët, edhe pse ka shkaktuar të papritura këtë vit, diçka që nuk e bëri dot këtë herë në “San Siro”, siç ia doli kundër Milanit.

Festivali ishte I plotë me katër autorë golash të ndryshëm, si Lautaro Martinez në 6’, Ange-Joan Boni në të 38’, Federiko Dimarko pas pushimit në 55’ dhe Nikolo Barela në 57’.

Pra, gjithçka u mbyll shumë shpejt, dhe frymëzimi ishte në kulm, diçka që tifozët shpresojnë të ketë vazhdimësi.

“Mbërrin Interi, paralajmëron “La Gazeta delo Sport”, katër gola dhe një natë në krye! Boni dominon ndaj Kremonezes me një gol dhe tre asiste!”

“Shumë Boni, vlerëson “Il Korriere delo Sport”, një gol dhe 3 asiste, Kremoneze dërrmohet! Një bukuri e Interit, çfarë pokeri 4-1!”

Interi tani ka 12 pikë në 6 javë të Serisë A, ndërsa më parë ka pësuar dy humbje.

Shpresat për titull janë në një sezon me konkurrencë të ashpër nga Napoli, Milani, Roma e Juventusi./abcnews.al

 

“La Scala” i ri i futbollit/ Milan e Inter blejnë “San Siro”, do ndërtojnë një impiant modern

30 September 2025 at 12:55

Milan dhe Inter mund të jenë rivalë të përjetshëm, por për momentin mund të festojnë një sukses të përbashkët. Pas vitesh betejash gjyqësore dhe administrative, dy gjigandët e Serie A më në fund kanë fituar të drejtën për të blerë përfundimisht stadiumin “San Siro”, ku do të ndërtojnë një impiant modern.

Këshilli komunal i Milano vendosi të lejojë shitjen e atij që cilësohet si “La Scala” e futbollit, ndërsa dy klubet kishin rënë dakord më parë për të ndarë përgjysmë shpenzimet për blerjen dhe më pas rindërtimin e stadiumit të ri në të njëjtin vend.

Vetëm pak javë më parë, Milan dhe Inter prezantuan edhe projektin e impiantit të ri, duke e cilësuar atë si një katedrale modern që i shtohet qytetit të Milanos.

Sipas këtij projekti, stadiumi i ri do të kushtojë pak më shumë se 1.2 miliard euro.

Ai do të ketë një kapacitet prej 71 mijë e 500 vendesh, ndërsa do të jetë gjithashtu një hapësire multifunksionale, me hotele, restorante dhe qëndra tregëtare.

Pas përfundimit të procedurave burokratike për kalimin e pronësisë të “San Siro” te Milan dhe Inter, punimet do të nisin në fund të sezonit të sezonit, ndërsa inagurimi i impiantit të ri sipas projektit do të bëhet në vitin 2031.

 

 

Inter largon “fantazmat” në Champions/ Skuadra zikaltër harron turpërimin në finalen e sezonit të shkuar

18 September 2025 at 12:51

Inter duket se e ka harruar humbjen turpëruese 5-0 në finalen e sezonit të shkuar kundër Paris SG. Skuadra zikaltër nisi edicionin e ri të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube me fitoren 2-0 në transfertën kundër Ajaks.

Në “Johan Cruyff Arena” protagonist absolute ishte Markus Turam, me sulmuesin francez që shënoi të dy golat e suksesit për skuadrën e tij.

Pavarësisht tentativa, fati I sfidës ndryshoi rrjedhë vetëm në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 42-të, Turam gjeti rrugën e rrjetës për avantazhin e Inter.

Vendasit e Ajaks nuk kishin kohë të reagonin me rikthimin në fushë pas pushimit. Vetëm dy minuta nga rinisja e sfidës, Turam shënoi golin e dytë personal dhe atë që vulosi fitoren e skuadrës italiane.

Një sukses që vlen dyfish për foarmacionin zikaltër të drejtuar nga Kristian Kivu. Si fillim për tre pikët e para në këtë sezon të Champions, por edhe për të larguar fantazmat e asaj finale të pak muajve më parë./abcnews.al

Inter “ngacmohet” me Asllanin/ Mediat italiane i kujtojnë shqiptarin pas humbjes ndaj Juventus

17 September 2025 at 12:34

Nuk e pati të lehtë të linte këtë fanelë. Kristian Asllani e mendoi veten si një yll të vërtetë të Interit, një ëndërr që nuk u realizua, edhe pse po e kupton se nuk është fundi I karrierës së tij sportive.

Pas 99 ndeshjeve me zikaltërit, 4 golave të shënuara e 5 asisteve, pas trofeve si titulli kampion, Kupa e Italisë e dy Superkupa italiane, ai u detyrua të largohej për tek Torino, pasi refuzoi me vendosmëri që të shkonte në Spanjë.

Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare sikur e ka marrë një gjysmë revanshi.

E përditshmja kryesore në Apenine, “La Gazeta delo Sport”, kritikon Interin për largimin e 7 lojtarëve të cilët tani po luajnë shumë mirë në skuadrat e reja.

Pavar, Zalevski, Taremi, Arnautoviç, Stankoviç apo Asllani. Për 23-vjeçarin shqiptar, pas fitoren 1-0 të Torinos në fushën e Romës, “La Gazeta shkruan” se ai nuk shihet shumë në lojë, por ndihet jashtëzakonisht shumë, se është truri i përhershëm i Torinos, i pazëvendësueshëm!

Në vetëm dy ndeshje me “granatët”, në krah të shokut të tij në kombëtare, Ardian Ismajli, ai është titullar ashtu si mbrojtësi kuqezi, dhe ka luajtur 161 minuta, pra mbi 80 minuta për çdo sfidë.

Thuajse gjatë gjithë kohës. Natyrisht, te Torino vështirë të luftohet për tituj si tek Interi, dhe Championsin ndoshta duhet ta harrojë, por për shqiptarin e ri rëndësi ka që të luajë vazhdimisht dhe të  ndihet i vlerësuar, madje i pazëvendësueshëm./abcnews.al

“Bie” Inter, fiton Juventus/ Zikaltërit munden papritur në “San Siro” nga Udinese

1 September 2025 at 12:41

Trajner i ri, zanat i vjetër. Simone Inzagi është larguar, por tek Interi ndodhin sërish katastrofa, madje që në fillim.

Skuadra zikaltër, e cilësuar si një nga dy pretendentet kryesore për titull bashkë me Napolin, bëri një nga ato gabime që vënë në dyshim një projekt e që mund të shkatërrojnë një sezon.

Udineze fitoi 2-1 në “San Siro”, në duelin e Serisë A, edhe pse u ndodh në dizavatazh, ndërsa vendasve nuk u bëri punë zotërimi I madh I topit, me 68 për qind të totalit.

Trajneri Kristian Kivu kërkon kohë dhe tha se Interi I tij është një kantier I hapur, ndërsa friulanët realizuan që në pjesën e parë, me autorë të golave, Dejvis dhe Alta.

Gjithsesi ka kritika për taktikën e zgjedhur prej tij, që tekniku preferoi Damfris në vend të Pavarit, dhe që mbrojtja ishte tepër e dobët.

“Zonja ime, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Vlahovic hyn dhe shënon sërish! Edhe Juventusi ka pikë të plota! Përmbysje e pamendueshme e Udinezes në “San Siro”! Bie Kivu: Jemi kantier I hapur.”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Po Vlahoviçi? Dushani është madhështor! Një tjetër gol, Juventusi është I tiji! Rrënim I Interit, “flop” në “San Siro”, Kivu përmbyset nga Udineze!”

Me të vërtetë, një nga fituesit e javës në Serinë A ishte sulmuesi I Serbisë dhe skuadra piemonteze.

Dushan Vlahoviç shënoi 11 minuta pasi hyri në fushë, duke vendosur një ndeshje të vështirë në stadiumin “Marasi” ndaj Xhenoas.

Edhe pse “zebrat” bënë më shumë, sërish vendasit u duk se po e merrnin barazimin, por në futboll është goli që bën diferencën./abcnews.al

Inter fiton falë shqiptarit/ Portieri i Kombëtares U19, Alan Taho, hero për zikalterit

27 August 2025 at 14:11

Në fushë hyri si kampion, edhe pse nuk pati meritë në atë trofe. Portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, ishte titullar për ekipin e Shpresave të Interit në finalen e Superkupës ndaj Kaljarit, fituar pas penalltive.

Gardiani kuqezi u bë protagonist, edhe pse fillimi I finales ishte katastrofal për të. Gaboi duke bërë që ekipi të pësonte gol që në nisje, por gjithsesi kjo goditje nuk e shkatërroi.

Edhe pse pati fat, ruajti qetësinë ndërsa Interi reagoi. Moskoni barazoi në 29’, por në 37’ erdhi goli i dytë i sardëve, për të cilin Taho këtë herë nuk është se pati faj.

Në 82’, Labeli barazoi për zikaltërit në 2-2, dhe tek gjuajtjet e penalltive, shqiptari ishte vendimtar. Ai priti penalltinë e parë të ishullorëve, duke bërë që Interi I trajnerit Benito Karbone të fitonte 5-3, pasi nuk gaboi asnjë gjuajtje.

Ky ishte trofeu I parë për portierin e Shqipërisë U19, ndërsa sapo ka nisur karrierën tek Shpresat zikaltër. Festa ishte e madhe në Arenën Çivika “Xhani Brera” në Milano, dhe besohet se Taho do të arrijë në elitën italiane dhe do të jetë portieri I ardhshëm I kombëtares shqiptare./abcnews.al

Inter e nis me “manita”/ Torino dorëzohet pa kushte. Fitorja për të harruar turpin në finalen e Ligës se Kampionëve

26 August 2025 at 12:39

Pranvera nuk vjen me një lule, dhe këtë film e kemi parë edhe më parë.

Interi e nisi Serinë A me një sukses të madh, 5-0, përballë Torinos në “San Siro”, dhe më shumë se 75 000 tifozët në stadium padyshim që ishin të lumtur.

Trajneri Kristian Kivu hyri në kampionat me këmbën e djathtë, siç thuhet, dhe shpresa është që të harrohet katastrofa në finalen e Championsit, me humbjen 5-0 ndaj PSG-së, por sidomos që të fitohen trofe.

Nga ajo që u pa, objektivat mund të arrihen.

Markus Turam ishte më I miri në fushë, dhe jo vetëm sepse shënoi dy gola, ndërsa kapiteni Lautaro Martinez e tundi një herë rrjetën.

Dyshja e sulmit duket “top”.

Në mesfushë, kroati Suçiç nuk bëri të qahej mungesa e mjeshtrit Çalhanoglu, ndërsa presingu ishte asfiksues që në fillim.

Bastoni shënoi në 18’, Turam dyfishoi që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Lautaro realizoi në 51’, Turam në 62’ dhe Boni mbylli spektaklin gati 20 minuta para fundit.

“Dallga Inter, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – super nisje e Kivut, 5 gola Torinos! Spektakël I Turamit, shënojnë Lautaro, Bastoni, Boni, paraqitje e bukur nga Suçiç! Asllani te “granatat”!”

“Një manitë fshin tjetrën, – ngushëllohet “Il Korriere delo Sport”, – Interi provon të harrojë Mynihun dhe asfalton Torinon, 5-0! Spektakël nga Kivu! Çfarë filmi me Turam-Lautaro!”

Kristian Kivu është një trajner pa përvojë, por pjesë e Interit të madh të Murinjos, e ndoshta do ta ketë karakterin që të mos lejojë një dështim si ai i sezonit të kaluar.

Inter, dështim botëror/ Zikaltërit eliminohen në 1/16, Fluminense fiton 2-0

1 July 2025 at 12:35

Ja pra që dikush duhej të mbetej. Ky dikush është Fluminense, skuadra nga Rio de Zhaneiro, që do të vazhdojë ta mbrojë nderin e Brazilit në Kupën e Botës për Klubet.

Në stadiumin me emrin imponues “Banka e Amerikës” në Sharlotë, valixhet I bëri gati Interi, njëra nga ato skuadra të Europës që pritej të ishte pretendente për trofeun.

Fluminense ia doli me zgjuarsi dhe cinizëm, duke e lënë ekipin zikaltër që të bënte lojën, e duke u bazuar te kundërsulmi dhe goditjet e shpejta.

Që në 3’ kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Zherman Kano, dhe më pas nuk lejoi që Interi të konkretizonte epërsinë.

Rezultati u vulos vonë, në minutën e 3-të shtesë nga Herkules, ndërsa dështimi u ndje shumë në Itali.

Natyrisht, kritikave nuk mund t’i shpëtonte as Kristian Asllani që ishte titullar, ashtu siç nuk shpëtuan edhe të tjerët.

“Eurosport” I dha notën e dobët 4.5, ndonëse vetëm të tillë si Barela, Suçiç, Zomer apo Karboni ishin më të vlerësuar sesa ai.

Shqiptari u cilësua që bëri gabime të shumta, ndërsa mori edhe të verdhë.

Më pozitiv “Skaj Sporti” me një notë mjaft më të lartë, 5.5, edhe pse jo mjaft e mirë.

Shigjetimet më të mëdha I mori mbrojtja, që pësoi dy gola.

Ndërkaq, një kunj për interistët erdhi nga kapiteni I Fluminenses, Tiago Silva, ish-lojtar I Milanit që luan edhe në moshën 40-vjeçare.

“Gjithë kohën mendoja për këtë, mendoja për Milanin. Jam I sigurt që tifozët milanistë sot janë të kënaqur. Ishin me ne, pra kjo fitore është edhe për ata”.

Fluminense shpreson të arrijë gjysmëfinale, ndërsa në 4 korrik luan përballë ekipit të Arabisë Saudite, Al Hilal, që shkaktoi të papriturën e madhe duke eliminuar Mançester Sitin.

Finalet nuk fitohen kështu

3 June 2025 at 10:27

Finalet e Kupave të Evropës nuk fitohen zakonisht në këtë mënyrë. Paraqitjet më të shquara këtë shekull janë fituar me rezultate relativisht modeste: fitorja e Barcelonës ndaj Manchester United në vitin 2011, si dhe fitorja e tyre ndaj Juventus katër vjet më vonë, ishin të dyja ‘vetëm’ 3-1. Porto e Jose Mourinhos mundi Monakon 3-0 në vitin 2004, por ishte në presion për pjesën më të madhe të pjesës së parë. Real Madrid zakonisht ka shënuar gola të vonë, duke i dhënë një shkëlqim të veçantë paraqitjeve të veta. Duhet të kthehemi te fitorja legjendare 4-0 e Milanit ndaj Barcelonës në vitin 1994 për të gjetur diçka të ngjashme.

Por kjo fitore ishte 5-0 dhe ajo tregoi të gjitha aspektet e lojës së PSG-së. Ata kaluan në avantazh me një kombinim të bukur pasimesh, treguan cilësinë e jashtëzakonshme me topin në zotërim dhe pasi kaluan në avantazh, ishin të pandalshëm në kundërsulm, duke kaluar me lehtësi mesfushorët dhe mbrojtësit e Interit.

Është e pabesueshme sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat në futboll. Inter e nisi ndeshjen duke menduar se kishte një shans për t’u bërë kampion i Evropës, por e pa të shkërmoqet. Sistemi i tyre i lojës dukej i vjetëruar. Lojtarët duket se kanë kaluar kulmin. Këto gjëra nuk janë domosdoshmërisht të vërteta, dhe Inter do të tregohej i pamatur po të reagonte me ekzagjerim pas një humbjeje të vetme.

Por kjo ishte një humbje e thellë, e tipit që të duhet vite për ta kaluar. Ishte prekëse, pas përfundimit të ndeshjes, të shihje turma tifozësh të Interit të mbuluar në lot; një lloj të qarash që të kujtonin humbjen 7-1 të Brazilit ndaj Gjermanisë në vitin 2014.

Nga këndvështrimi i PSG-së, një fitore kaq madhështore do të thotë që individë të ndryshëm duhet të shihen me sy ndryshe, krahasuar me disa ditë më parë. Luis Enrique tani ka udhëhequr dy skuadra të ndryshme drejt triumfit në Champions, me një diferencë prej 10 vitesh, dhe si Barcelona e tij e vitit 2015 ashtu edhe PSG-ja e vitit 2025 do të mbeten gjatë në kujtesë. Në ndërkohë, ai ishte edhe i pafat që nuk fitoi Euro 2020. Skuadra e Spanjës dominoi mbi Italinë në atë gjysmëfinale, por humbi vetëm me penallti.

Për çudi, njeriu që e pengoi atë natë në Wembley katër vite më parë është tani në krahun e tij. Gigi Donnarumma ka fituar si Kampionatin Evropian, ashtu edhe Champions League, dhe falë pritjeve të tij të penalltive në të dyja kompeticionet, si dhe paraqitjeve kundër Arsenalit në gjysmëfinale, mund të pretendojë se ka qenë lojtari më i mirë i skuadrës së tij në të dyja rastet.

Khvicha Kvaratskhelia kishte patur një ndikim të madh në fundin e pritjes së gjatë të Napolit për një titull të Serie A-së, që erdhi në vitin 2023, si edhe në fundin e pritjes së gjatë të PSG-së për një Champions League.

Fabian Ruiz ishte ndoshta lojtari më i mirë i Spanjës kur ata fituan Kampionatin Evropian vitin e kaluar dhe tani është gjithashtu kampion i Evropës në nivel klubesh. Ndoshta vetëm Lamine Yamal ka pasur një dymbëdhjetëmujor më të mirë si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren.

Transformimi i Ousmane Dembele në një qendërsulmues i klasit botëror ka qenë krejtësisht i papritur — si pjesa ‘klas botëror’, ashtu edhe pjesa ‘qendërsulmues’ e këtij ekuacioni. Mbrëmë, Luis Enrique sugjeroi që ai duhet të fitojë Topin e Artë, jo vetëm për golat, por edhe për presionin që ushtron.

Nga ana tjetër, lojtarë si Vitinha dhe Joao Neves mund të luajnë në këtë nivel për disa vite. Dhe për emra si Desire Doue dhe Senny Mayulu, kush e di? Të dy mund të bëhen legjenda të futbollit. Edhe nëse nuk arrijnë asgjë tjetër, do të mbeten përgjithmonë heronj në Paris.

Por kjo nuk kishte të bënte, në përgjithësi, me individët. Ashtu si të gjitha skuadrat më të mira, PSG është më e fortë sesa shuma e pjesëve të saj. Rotacioni i mesfushës së tyre, në veçanti, ka qenë magjik për t’u parë gjatë gjithë fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.

Mënyra se si Vitinha nisi një aksion me pasime nga thellësia dhe më pas përshkoi mbrojtjen e Interit për t’i dhënë topin Doues në golin e tretë, tregoi super mirëkuptim në mes të fushës. Fabian shpesh zbriste në mbrojtje për t’i dhënë hapësirë Achraf Hakimit që të dilte përpara në krahun e kundërt. Shpërthimet sulmuese të mbrojtësit të djathtë janë të rrezikshme dhe i kanë kushtuar PSG-së disa herë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, por ai e justifikoi pozicionimin e tij duke shënuar golin e parë.

Në sulm, sulmuesit ndryshonin pozicionin pa humbur ekuilibrin, me Doue dhe Kvaratskhelian që shfaqeshin si qendërsulmues, dhe Dembele që ishte efektiv si kur zbriste thellë, ashtu edhe kur shkonte në krah. Të duket sikur PSG po luan një zhanër të ndryshëm futbolli krahasuar me skuadrat e tjera, të cilat janë fokusuar te loja me zotërim të topit, duke u mbështetur më pak tek loja pozicionale dhe më shumë tek bashkëpunimi i grupeve të lojtarëve. Ata nuk janë të vetmit që bëjnë këtë, por janë padyshim më të mirët.

Është e tepërt të thuash se kjo është një epokë e re e dominimit të PSG-së — njerëzit gjithmonë e thonë këtë për skuadrat e reja që shpërthejnë dhe fitojnë. Në fund të fundit, kjo nuk është mënyra se si funksionojnë kompeticionet me eliminim direkt në një sport ku vendosin detajet më të vogla.

Madje, PSG-së iu deshën penalltitë për të kaluar Liverpool-in dhe shumë pritje të Donnarummës për të eliminuar Arsenalin. Ata nuk e kaluan me lehtësi fazën me eliminim direkt dhe rezultatet e tyre në fazën e grupeve ishin edhe më të dobëta.

Por kjo nuk ka rëndësi tani, ashtu si askush nuk e kujton që Milani shënoi vetëm gjashtë herë dhe fitoi vetëm dy ndeshje në gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve në 1993-94, para se të fitonte 4-0 kundër Barçës. Paraqitja në finale është ajo që mbahet mend, dhe kjo do të mbahet mend përgjithmonë. / The Athletic – Bota.al

Paç fatin e… Inter/ Berisha: Ndeshjen nuk e pashë, Ramën po

2 June 2025 at 15:16

Ku vë dorën Partia Demokratike, nuk mbin më bar. Vetëm një muaj pas deklaratës së Jozefina Topallit, interi jo thjesht humbi. Por regjistroi humbjen më të thelle në një finale të Ligës së Kampionëve, që prej vitit 1960. Dhe jo vetëm kaq. Por e humbi me shifrën 5. Simboli i PS në zgjedhje? Rastësi?

Berisha shquhet si tifoz francez, por të shtunën ishte marrë me gjëra të tjera.

“Nuk them që e pashë. Është një periudhë ku interesi im për futbollin ka rënë në minimum.”

Por një detaj e tradhëtoi doktorin. Ai thotë se nuk e pa finalen, por nuk tregoi sesi ndërkohë e pa Ramën në stadium.

“Ju donit të më thoni mua, se Edi Rama thuhet se me çarter dhe me bileta që shkojnë tek 30-40 mijë euro, ndoqi ndeshjen dhe doli me Nusretin e 1 mijë dollarëve biftekun”

Në fakt Rama nuk ishte në Mynih me charter. Burime okulare konfirmuan për ABC News se kryeministri u kthye në mesnatën e të dielës, me fluturimin normal të Lufthansas nga Mynihu. I vetmi lajm: fluturimi u vonua rreth 40 minuta.

Sa i përket Nusretit, ky i fundit pati vetë halle me sigurinë e stadiumit, dhe nuk e lanë as atë vetë brenda.

Nga deklarata e Topallit, te shifra 5 e golave: rrjeteve sociale u kanë mjaftuar vetëm pak orë, për të shpikur memen e fundjavës.

“Kështu e kam unë. Unë e dua futbollin, por sipas mënyrës time.”Ndërsa sa i përket Interit, Rama i ka paralajmëruar demokratët kohë më parë. Interi nuk është një skuadër për ta.

“Prisni që të bëjë Cristiano Ronaldo Gola, dhe Interin mos e luani më se ju gënjen”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Parada e triumfit/ Paris SG feston fitimin e Champions, qindra mijëra tifozë në rrugë

2 June 2025 at 12:56

Pas suksesit të parë në Champions League, Paris Sent Zhërmen është kthyer triumfues në kryeqytetin francez.

Në klubin parizien nuk pritën për të festuar trofeun më të rëndësishëm të futbollit europian, ndërsa pa u mbushur 24 orë nga ngritja e tij në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, zhvilluan paradën e triumfit në bulevardin “Shamps Elize”.

Qindra mijëra tifozë shoqëruan autobusin e hapur ku qëndronte skuadra e drejtuar nga Luis Enrike me trofeun e Champions.

Fitorja e madhe 5-0 kundër Inter ishte një rekord sa I përket finaleve të Ligës së Kampioneve, por parizienët arritën edhe një tjetër rekord, duke mbyllur sezonin me katër trofe.

Përveç Champions, ata fituan titullin kampion në Ligën 1, Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës.

Italianët, humbësit e Europës/ Dështimi zikaltër kujton traditën negative në duelet finale

1 June 2025 at 15:55

Nuk kishte si të shkonte më keq.

Interi është i dërrmuar pas katastrofës së Mynihut, ndonëse disfata e tij nuk ishte diçka kaq jo natyrale për futbollin italian.

Skuadrat nga Apeninet kanë bilancin më negativ ndër vendet e mëdha të Europës në finalet e Championsit, nga të cilat kanë fituar 12 dhe humbur plot 18.

I vetmi ekip italian që ka bilanc pozitiv në finale është Milani, që ka fituar 7 trofetë nga 12 gjithsej në Itali, ndërsa ka 4 humbje.

Interi ishte në ekulibër deri përpara kësaj të shtune, por tashmë balanca u rëndua keqaz, më shumë për shkak të humbjes me pesë gola.

Zikaltërit kanë 3 fitore dhe 4 humbje në finale.

Dështimin më të madh ndër përfaqësuesit e Serisë A e ka Juventusi.

“Zonja e Vjetër”, që ka dalë 36 herë kampion i Italisë dhe ka fituar 15 Kupa të Italisë, ka dështuar tepër shpesh në kontinent.

Nga 9 finale, ka arritur të fitojë vetëm dy, në 1985 e 1996, duke humbur plot 7.

Disfata edhe për ato ekipe që kanë arritur vetëm nga një herë në finale.

Kështu, Roma ndaj Liverpulit me penallti në 1984, Sampdoria pas kohës shtesë ndaj Barcelonës në 1992 me golin e holandezit, Ronald Kuman, dhe Fiorentina e mundur që në 1957 nga Reali./abcnews.al

❌