Normal view

“Mrekullia” e Ishujve Faroe/ “Liliputët” e kontinentit arrijnë fitoren e madhe të radhës

13 October 2025 at 13:05

Kur na ndali në Tiranë dy vjet më parë, nuk e bëmë dramë. Një barazim në “Arenë” me Ishujt Faroe nuk i prishi ndonjë punë kombëtares shqiptare, madje u cilësua si një ndeshje e lodhur pas festës së kualifikimit për në Europian që patëm në Moldavi.

Gjithsesi, ky ekip kombëtar vërtet modest, po mendonte që në atë kohë për diçka të madhe. Këtë e kuptojmë pasi Ishujt Faroe mundën 2-1 Çekinë në kryeqytetin e tyre Torshavn, duke shkaktuar të papritur e jashtëzakonshme të radhës në eliminatoret e Kupës së Botës.

Si mund të ndodhë diçka e tillë?

Pra, që ekipi përfaqësues i një vend me vetëm 55 000 banorë, më pak se një lagje e Tiranës, me sipërfaqe afërsisht 1 400 km2, të arrijë fitore të tilla dhe të ketë shpresa për të shkuar në finalet e Botërorit?

Golat ndaj çekëve erdhën në fund, fillimisht me avantazhin 1-0 nga Sorensen, pastaj me barazimin 1-1 nga Karabec, e nëntë minuta para përfundimit kur Agnarson siguroi tri pikët.

Suksesi nuk vonoi shumë, pasi pak ditë më parë Ishujt Faroe shkatërruan 4-0 Malin e Zi, dhe tani ekipi në veriperëndim të Europës ka shanse reale për të shkuar në plej of.

Me 12 pikë, është vetëm një pikë prapa Republikës Çeke, ndërsa Kroacia kryeson Grupin L me 16 pikë.

Mali I Zi është shumë prapa me vetëm 6 pikë. Gjithsesi, shanset janë tepër të vogla edhe pse matematikisht mund të ndodhë.

Ishujt Faroe do të luajnë në fushën e Kroacisë në 14 nëntor, ndërsa Çekia do të presë Gjibraltarin në 17 të po atij muaji./abcnews.al

Holanda e Kroacia “shohin” Botërorin/ “Tulipanët” mundën 4-0 Finlandën, pranë kualifikimit

13 October 2025 at 13:03

Matematika nuk e lejon të festojë përpara kohe, por Holanda mund të cilësojë veten që tani si finaliste e “Botërorit 2026”. “Tulipanët” i shtuan një tjetër fitore ecurisë së tyre në Grupin G kualifikues, duke mundur 4-0 Finlandën.

Ky sukses i lejon skuadrës së drtejtuar nga Ronald Komeman të ruajë vendin e parë dhe diferencën me ndjekësit më të afërt. Rezultati tregon qartë lehtësinë me të cilën e zgjidhën holandezët këtë sfidë. Në fakt, vendasit e vranë atë me tre gola që në pjesën e parë. Malen, Van Dijk dhe Depai me 11 metërsh siguruan fitoren e Holandës përpara pushimit. Vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, Gakpo plotësoi “pokerin”, për të vulosur fitoren e Holandës, që kryeson me 16 pikë Grupin G.

I njëjti diskutim vlen edhe për Kroacinë, që pret vetëm të vulosë biletën e saj për në finalet e Botërorit të ardhshëm. Kroatët bënë detyrën në fushën e tyre, duke kaluar pa asnjë probem 3-0 Gjibraltarin. Me skuadrën e dytë në fushë, vendasit shënuan golat e fitores me Fruk në pjesën e parë dhe Suçiç e Majer në të dytën. Pas gjashtë ndeshjesh, Kroacia kryeson me 16 pikë Grupin L, ku gara më e fortë bëhet për vendin e dytë.

Ndërkohë, janë shuar të gjitha shpresat e Greqisë për një vend në finalet e Kupës së Botës. Në ndeshjen e fundit, helenët u mundën 3-1 në transfertën e Danimarkës, duke vulosur fatin e tyre në këto kualifikuese. Danezët shënuan tre gola në pjesën e parë me Hojlund, Andersen dhe Damnsgard, duke vendosur shpejt suksesin. Pas pushimit, Colis vetëm sa zbuti humbjen, por jo dështimin e Greqisë që në katër ndeshja ka vetëm 3 pikë. “Beteja” për vendin e parë në Grupin C do të zgjidhet mes Danimarkës dhe Skocisë që kryesojnë me pikë të barabarta./abcnews.al

Sylvinho paralajmëron dështimin? Është më e vështirë të shkosh në Botëror sesa në Europian

10 September 2025 at 13:36

Nuk deshi t’i kritikonte hapur lojtarët e tij. Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, pranoi se fitorja ndaj Letonisë ishte shumë e vështirë, dhe njohu më shumë meritat e kundërshtarit, sesa ato që mund të ishin problemet në lojën tonë.

Braziliani vlerësoi punën e tij e të stafit dhe e la në përgjegjësi të futbollistëve atë që ndodh në 20 apo 30 metrat e fundit para portës kundërshtare.

“Analiza e ndeshjes nga ana juaj është e saktë. Mendoj se puna që po bëjmë është që lojtarët të arrijnë në 20-30 metrat e fundit, dhe pastaj I takon lojtarit të veprojë me cilësitë e tij individuale. Në futbollin modern të gjithë mbrohen shumë mirë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shënosh. Në zonë ka gjithmonë një mbrojtës më shumë. Nuk është e lehtë. Unë mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë dhe patëm mundësi edhe për ta mbyllur. Duhet të themi se kundërshtari është I vështirë. E pamë ndaj Serbisë tre ditë më parë, kur në sekondat e fundit goditën shtyllën. Edhe ndaj nesh gjithçka ishte e njëjtë, me të vërtetë e njëjta gjë. Një ekip mjaft I mirë, e përgatitur fizikisht, e vështirë për ta thyer, ekip që luan deri në fund. Edhe këtë herë në 5 minutat e fundit ndryshuam modulin, me Kumbullën në fushë. Ata u sulën që të gjithë në zonën tonë. E vështirë, por fituam, morëm 3 pikë shumë të rëndësishme. Pas pak, javën që vjen duhet të mendojmë për tetorin, sepse kemi një ndeshje shumë të vështirë”.

Silvinjo thekson një fakt që e cilëson tepër të rëndësishëm dhe bën një krahasim mes Europianit e Botërorit.

“E thashë që më parë se ishte ndeshje kyç, ishte për t’u fituar, sepse ndryshe nuk mund të shpresonim për më tej. Luajtëm mirë dhe e merituam fitoren, morëm 3 pikë. Jemi në lojë dhe mund të shkojmë përpara duke pasur në mendje tetorin, dhe ndeshjen shumë të vështirë e vendimtare. Rëndësi ka që jemi në garë. Jam I kënaqur nga të gjithë, nga Federata, nga Shqipëria si vend. Kjo është e bukur. Një kualifikim në Europian është I vështirë, ndërsa në Botëror shumë më tepër. Ju e dini më mirë se unë. Nuk ishte e lehtë që të arrinim në tetor në garë me një kundërshtar të fortë, por deri tani e kemi bërë. Duam më shumë kuptohet, por avash-avash”.

Trajneri u pyet nëse Shqipëria mund t’i shfrytëzojë problemet politike dhe sportive që ka Serbia në këtë moment.

“Është ende shpejt për të folur për atë ndeshje. Sot është ende situatë e nxehtë përsa I përket Letonisë, Ishte një ndeshje e fortë, e vështirë dhe e përsëris se nëse nuk do të fitonim, nuk do të kishim pasur të ardhme. Kam përvojë 15 vjet si lojtar, 10 vjet në stafin teknik, tre-katër vjet si trajner I parë. Mendoj se ajo që ndodh sot në Serbi ka ndodhur kudo. Shpesh ka probleme edhe në kombëtare, edhe në një shoqëri, Problem me presidentin, me lojtarët. Secili I zgjidh vetë problemet e veta. Ne duhet të merremi me punën tonë. Kemi gati një muaj kohë për të punuar mirë, për të punuar fort. Të shkojmë atje dhe ta provojmë. Do të punojmë për këtë garë, por unë them se në çdo ndeshje luhet 90 minuta. Ne do të ecim në rrugën tonë”./abcnews.al

“Gjigandët” kthehen në fushë/ Anglia pret Andorrën, “Tre Luanët” kërkojnë të vulosin kualifikimin

3 September 2025 at 13:31

Ndryshe nga Shqipëria, që kthehet në fushë për një ndeshje miqësore, rivalët e saj në Grupin K do të luajë sfidat e radhës në kualifikueset e “Botërorit 2026”.

Kalendari i ka rezervuar Anglisë një sfidë të lehtë siç është ajo në “Ëembley” kundër Andorrës.

Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel kryeson grupin me tre fitore radhazi, ndërsa kërkon të mbyllë kualifikimin që në sfidat e shtatorit, pasi përveç Andorrës, “Tre Luanët” do të luajnë  në datën 9 në transfertën kundër Serbisë.

Mungesat e mëdha të Anglisë për këto dy sfida janë ato të Jude Bellingham, Bukayo Saka dhe Liam Delap. I pari vijon rikuperimin pas operacionit në shpatull, ndërsa dy të tjerët u dëmtuan në sfidat e Premier League.

Pas impenjimit në finalet e Nations League, për herë të parë në sfidat e shtatorit për eliminatoret e Botërorit 2026 zbresin në fushë edhe gjigandët e tjerë të futbollit në kontinentin e vjetër si Gjermania, Spanja, Franca dhe Portugalia.

Ato do të luajnë sfidat e para kualifikuese në grupet e tyre.

Gjermania debuton të enjten në transfertën kndër Sllovakisë në Grupin A, ndërsa Spanja do të luajë në fushën e Bullgarisë për Grupin E.

Të dyja skuadrat kërkojnë të nisen me fitore, për të shpërblyer parashikimet që i shohin favorite në grupet e tyre.

Në datën 5 është radha e Francës për të bërë debutimin e saj në kualifikueset e Kupës së Botës.

“Gjelat” do të luajnë kundër Ukrainës në fushë neutral sfidën e parë në Grupin D. Pavarësisht se ndeshjet e fundit nuk kanë qenë shkëlqyese, skuadra e Deschamps konsiderohet gjithashtu pretendente.

Në të njëjtën mbrëmje do të jetë e impenjuar edhe Italia. Në pankinën e kaltër debuton trajneri Genaro Gattuso. Sfida e parë e tij është ajo kundër Estonisë, ndërsa çdo gabim mund t’I kushtojë Italisë qëndrimin jashtë finaleve të një Botërori për herë të tretë radhazi.

Në datën 6 shtator skenën e merr Portugalia e Cristiano Ronaldo. Pas triumfit në Nations League, skuadra luzitane kërkon të debutojë me fitore në sfidën e parë eliminatore të Grupit F në transfertën kundër Armenisë./abcnews.al

Botërori në ujë, fiton Kina/ Aziatikët triumfojnë në Singapor, Australia e dyta

7 August 2025 at 11:48

Dominimi I tyre vazhdon prej tre vitesh. Skuadra kombëtare e Kinës në sportet e ujit vazhdon të fitojë Kampionatin Botëror dhe kështu ndodhi në turneun e mbajtur këto ditë në Singapor.
Totali I medaljeve ishte 37, nga të cilat 15 të arta, 12 argjendi e 10 bronzi, ndërsa në vend të dytë doli Australia, me vetëm dy të arta më pak, kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës u detyruan të kënaqeshin me vendin e tretë, ndonëse deri 8 vjet më parë ishin të paarritshme.

Paraqitje e mirë e Rusisë, me sportistët e saj që konkurruan si neutralë, dhe dolën në vend të katërt. Kinezët nuk pati rivalë në hedhjet nga trampoline, me 16 medalje gjithsej, duke lënë shumë prapa Australinë e Meksikën. Sportistët e vendit të madh nga Azia fituan plot 9 të arta.

Kina ishte më e mira edhe në notin artistik duke fituar 7 medalje, ndër të cilat 4 të arta, ndonëse shumë pranë ishin edhe Rusia e Spanja. Në garat e gjata të notimit në natyrë nuk pati asnjë rival për Gjermaninë.
Notarët gjermanë morën katër të arta, duke dominuar sidomos për meshkuj, si dhe në skuadrën e përzier. Notari më i mirë i Botërorit për meshkuj u shpall francezi Leon Marshan.

Marshan ishte I shkëlqyer duke fituar dy medalje të arta, e duke vendosur rekordin e ri botëror në 200 metra stil të përzier. Triumfi tjetër për 23-vjeçarin ishte në 400 metra stil të përzier, ndërsa ai mori pjesë në gjysmën e garave në krahasim me Olimpiadën e Parisit, pikërisht për të thyer rekordin botëror.

Për femra, më e mira ishte mrekullia e re kanadeze, Samër Mekintosh. Vajza 18-vjeçare fitoi katër medalje të arta, dhe një bronzi, duke dominuar në 200 metra flutur, 200 metra stil I përzier, 400 metra stil I lirë dhe 400 metra të përziera.

Mekintosh mban 3 rekorde botërore, dhe ka fituar medaljen e artë në moshën 15-vjeçare, edhe ky një rekord botëror. Ndërkaq, amerikania Keti Ledeki vazhdon të jetë e jashtëzakonshme.
Ajo fitoi edhe dy medalje të tjera të arta, në 800 dhe 1500 metra stil I lirë, si dhe bronz në 400 metra stil i lirë. Ledeki mbetet notarja me më shumë medalje në histori, ndër të cilat 9 të arta, po aq sa sovjetikja e famshme, Larisa Latinina.

FIFA dënon Serbinë/ Federata Serbe e Futbollit dënohet me 50 mijë franga zvicerane

By: Rovena
25 July 2025 at 23:42

Federata Serbe e Futbollit u ndëshkua nga FIFA me gjobë financiare dhe mbyllje të pjesshme të tribunave të stadiumit për ndeshjen e radhës. Dënimi është 50 000 franga zvicerane dhe mbyllje e 15 për qind të stadiumit për sfidën kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd në 9 shtator, që do të thotë se kombëtares serbe do t’i mungojnë më shumë se 8 000 tifozë në këtë përballje.

Dënimi nga ana e FIFA-s për Serbinë erdhi pas sjelljes së gabuar të tifozëve në duelin ndaj Andorrës të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në 10 qershor. Federata Serbe paralajmëroi tifozët që të sillen mirë ndaj Anglisë, ndryshe mund të ndodhë që sfida kundër Shqipërisë në Beograd në 11 tetor mund të luhet edhe pa tifozë fare.

Më parë, edhe Shqipëria u dënua me 161 500 franga zvicerane gjobë dhe me mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen ndaj Letonisë./abcnews.al

Mbiturizmi botëror, pasojë e shoqërisë apo e mediave sociale?

20 July 2025 at 14:32

Sektori i turizmit ka arritur në një pikë kthese. Dy rrugë: rënie ose rigjenerim. Udhëtimi ka ndryshuar; sasia e udhëtimeve po rritet, por edhe cilësia e udhëtarëve, shkruan nxwss.com.

Tashmë përvoja turistike shihet si një listë blerjesh, e cila ushtron presion mbi vendet dhe banorët e tyre.

Vera sjell diell, vapë dhe një atmosferë të qetë, një ndjesi që mund të lindë nga pushimet e shumëpritura, qoftë një pushim nga puna apo studimi.

Miliona njerëz vendosin të rezervojnë një udhëtim çdo vit, dhe zgjedhja e destinacionit pothuajse gjithmonë diktohet nga trendet e mediave sociale.

Me fjalë të tjera, vendet më “në modë” preken nga fenomeni i mbiturizmit.

Turizmi i tepërt

Edhe pse është një term i kohëve të fundit, numrat që e karakterizojnë duket se përshkruajnë një fenomen shumëvjeçar. Dhe të themi të drejtën, është.

Organizata Botërore e Turizmit parashikon që deri në vitin 2030, turistët do të kalojnë 2 miliardë.

Termi në vetvete është me të vërtetë relativisht i ri, i shpikur nga Rafat Ali, CEO dhe themelues i një firme analitike të industrisë së udhëtimeve.

Mbiturizmi i referohet “fenomenit ku një destinacion popullor ose një peizazh i veçantë mbingarkohet në mënyrë të paqëndrueshme nga turistët”.

Është e qartë se ky fenomen ka ekzistuar për shumë vite, por vetëm kohët e fundit ka tërhequr vëmendje të gjerë.

Turizmi i mbipopulluar i plazhit dhe roli i mediave sociale

Qoftë për të dokumentuar pushimet tuaja, për t’u prezantuar ndjekësve tuaj një vend të ri, apo për të mbajtur të azhurnuar “albumin” tuaj virtual, mediat sociale luajnë një rol të madh në udhëtimet e shumë njerëzve.

Vite më parë, para ardhjes së mediave sociale, ajo që mund të rriste turizmin në një vend ishte fjala gojë më gojë.

Një foto ose video e retushuar për ta bërë vendin ku ndodheni edhe më të bukur dhe të këndshëm për syrin vetëm sa rrit dëshirën e atyre që e shikojnë atë pas një ekrani për ta vizituar atë.

Ekspozimi që mund të fitoni përmes profilit tuaj në Instagram është shumë më i lartë se fjala gojë më gojë midis miqve. Duhet të merren në konsideratë edhe ndikuesit, pasi ata, sipas përkufizimit, e drejtojnë vëmendjen e ndjekësve të tyre në fusha me interes të kohëve të fundit.

Shkaqet e turizmit të mbipopulluar

Për ta kuptuar plotësisht fenomenin, duhet të thellohemi në shoqëri.

Zhvillimi i mediave të komunikimit dhe, mbi të gjitha, lëvizshmëria i inkurajon ndjeshëm turistët të udhëtojnë nga një vend në tjetrin.

Turizmi në vetvete sjell një rritje të madhe ekonomike që ndryshon stilin e jetës së njerëzve. Edhe ata mund të detyrohen të udhëtojnë diku tjetër për t’i shpëtuar turmave turistike.

Për më tepër, njerëzit gjithmonë duan të ndihen të veçantë, duke kërkuar destinacione ekskluzive dhe pak të njohura, për të qenë në gjendje të thonë: “Unë kam qenë atje dhe ju jo!”

Është e qartë se së shpejti ai destinacion do të mbushet me turistë dhe do të humbasë magjinë e tij të të paeksploruarës.

Ana tjetër e kësaj është zbulimi i vendeve të mrekullueshme, të cilat pa turistë do të mbeteshin të braktisura dhe të panjohura.

Blogerët e udhëtimeve: avokatë të mbi-turizmit?

Jo, ose të paktën jo tërësisht. Siç u përmend më sipër, mediat sociale luajnë një rol themelor në turizëm, dhe si në çdo fushë të jetës, e vërteta qëndron diku në mes.

Blogerët e udhëtimeve lindën nga dëshira për ta kthyer pasionin e tyre – udhëtimin – në një profesion.

Qëllimi i tyre kryesor është të vizitojnë destinacionet turistike më të njohura me një sy më kritik dhe vëmendje ndaj detajeve, duke ditur se si t’i drejtojnë më së miri ndjekësit e tyre se ku të qëndrojnë, të hanë ose thjesht cilat zona të vizitojnë ose të shmangin.

Sapo të kenë përfunduar listën e tyre të vendeve të famshme, kurioziteti i tyre për vendet më të largëta në Tokë rritet, kështu që ata fillojnë të kërkojnë. Videoja postohet në mediat sociale, dhe në çast, ndjekësit e tyre janë gati të rezervojnë pushimet e tyre të ardhshme atje.

Besohet se ky nuk është “faji” i blogerëve të udhëtimeve, por një pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënies midis ndjekësit dhe ndikuesit.

Të kesh një figurë referimi i ndihmon të gjithë të kenë drejtim në jetën e tyre, dhe sigurisht ka nga ata që i ndjekin më seriozisht, ndërsa të tjerë, në vend të kësaj, distancohen më shumë nga mediat sociale.

Identifikimi dhe sjellja e tyre në vëmendjen e një audience më të gjerë ofron mundësinë për të zbuluar perla natyrore (ose urbane) që mund të ofrojnë një përvojë unike dhe të gjenerojnë të ardhura për destinacionin.

Varet nga turistët të jenë sa më respektues ndaj natyrës dhe vendit.

Kampion edhe në financa/ Chelsea, përfitime rekord pas triumfit në Botërorin e Klubeve

15 July 2025 at 12:40

Ka marrë edhe më shumë para, por jo vetëm për një muaj.

Çelsi është një skuadër angleze, në një Premier Ligë ku kampionia fiton plot 175 milionë paundë në sezon, por gjithsesi, paratë që u futën në xhep në Kupën e Botës për Klubet nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë.

Përkundrazi.

Blutë e Londrës, që fituan për herë të parë këtë trofe pas finales ndaj Paris SG në stadiumin “Metlajf” të Nju Xhersit, arkëtuan një shifër prej afërsisht 100 milionë eurosh.

BBC britanike e jep përfitimin në 84 milionë paundë, apo rreth 114 milionë USD, ndërsa televizioni amerikan CBS, shkruan se përfitimet ishin 103.5 milionë euro apo 121 milionë USD.

Në çdo rast janë shumë, aq më tepër për vetëm një muaj punë.

Për më tepër, sipas televizionit të mësipërm amerikan, Çelsi ka fituar në total nga aventura amerikane plot 154 milionë USD, duke përfshirë edhe të ardhura që nuk lidhen vetëm me pjesëmarrjen.

Të mos harrojmë se Blutë e Londrës morën 164 milionë paundë për vendin e katërt në Premier Ligë, që do të thotë 220 milionë USD.

Trajneri Enzo Mareska pritet të bëjë blerje të fuqishme, që skuadra e tij të pretendojë tituj të mëdhenj edicionin e ardhshëm, pse jo kampionatin anglez dhe Championsin.

Përse të mos I synojë një ekip që mundi Paris SG 3-0 në finalen e Botërorit të Klubeve duke merituar gjithçka?

Nuk ka duel “vëllazëror”/ Jude dhe Jobe Belingham nuk ndeshen në Botëror

2 July 2025 at 12:42

Do të kishte qenë një kuriozitet i madh.

Mbiemri Belingham është bërë i shquar këto kohë në futbollin botëror, dhe pikërisht në turneun e madh të klubeve në Amerikë dy vëllezër mund të ishin kundërshtarë.

Xhud Belingham i Realit, dhe i vogli i familjes, Xhob.

Shorti ishte i tillë që e bënte të mundshëm këtë duel, ashtu si edhe sukseset e dy skuadrave, Real Madrid e Borusia Dortmund, por papritur në ekuacion ndërhyri një e panjohur që u bë fatale.

Xhob Belingham mori karton të verdhë në sfidën që Dortmundi fitoi 2-1 kundër Monterrejit, dhe kjo bëri që të pezullohej.

Njëzetvjeçari e kishte një të verdhë më herët, dhe kjo bëri që ai të mos llogaritet për gjermanët në duelin e çerekfinaleve.

Pra, Xhud do të jetë I vetëm në fushë, ndërsa motive do të jetë I njëjtë, të japë maksimumin për të fituar ndeshjen dhe për të arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klubet, siç edhe I takon emrit më të madh të futbollit në rruzull.

Për fat të keq, Borusia I shkaktoi një fatkeqësi ish-kapitenit të Realit, Sergio Ramos, që në radhët e Monterrejit bëri ç’mos të siguronte një sfidë me ish-skuadrën e tij.

Kjo nuk ndodhi, dhe Botërori I humbi të dy duelet interesante, atë Real-Ramos dhe atë mes vëllezërve Belingham.

Inter, dështim botëror/ Zikaltërit eliminohen në 1/16, Fluminense fiton 2-0

1 July 2025 at 12:35

Ja pra që dikush duhej të mbetej. Ky dikush është Fluminense, skuadra nga Rio de Zhaneiro, që do të vazhdojë ta mbrojë nderin e Brazilit në Kupën e Botës për Klubet.

Në stadiumin me emrin imponues “Banka e Amerikës” në Sharlotë, valixhet I bëri gati Interi, njëra nga ato skuadra të Europës që pritej të ishte pretendente për trofeun.

Fluminense ia doli me zgjuarsi dhe cinizëm, duke e lënë ekipin zikaltër që të bënte lojën, e duke u bazuar te kundërsulmi dhe goditjet e shpejta.

Që në 3’ kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Zherman Kano, dhe më pas nuk lejoi që Interi të konkretizonte epërsinë.

Rezultati u vulos vonë, në minutën e 3-të shtesë nga Herkules, ndërsa dështimi u ndje shumë në Itali.

Natyrisht, kritikave nuk mund t’i shpëtonte as Kristian Asllani që ishte titullar, ashtu siç nuk shpëtuan edhe të tjerët.

“Eurosport” I dha notën e dobët 4.5, ndonëse vetëm të tillë si Barela, Suçiç, Zomer apo Karboni ishin më të vlerësuar sesa ai.

Shqiptari u cilësua që bëri gabime të shumta, ndërsa mori edhe të verdhë.

Më pozitiv “Skaj Sporti” me një notë mjaft më të lartë, 5.5, edhe pse jo mjaft e mirë.

Shigjetimet më të mëdha I mori mbrojtja, që pësoi dy gola.

Ndërkaq, një kunj për interistët erdhi nga kapiteni I Fluminenses, Tiago Silva, ish-lojtar I Milanit që luan edhe në moshën 40-vjeçare.

“Gjithë kohën mendoja për këtë, mendoja për Milanin. Jam I sigurt që tifozët milanistë sot janë të kënaqur. Ishin me ne, pra kjo fitore është edhe për ata”.

Fluminense shpreson të arrijë gjysmëfinale, ndërsa në 4 korrik luan përballë ekipit të Arabisë Saudite, Al Hilal, që shkaktoi të papriturën e madhe duke eliminuar Mançester Sitin.

“Dy pikë janë pak”, Ish zv. trajneri i Kombëtares, i pakënaqur me kuqezinjtë

12 June 2025 at 12:50

Nuk është nga ata që merr shpatën për të goditur. Farruk Sejdini e di sesa e vështirë është të jesh në stolin e kombëtares, megjithatë ish-zv. trajneri kuqezi, ka disa kritika për Silvinjon, dhe thekson ndonjë të vërtetë.

Së pari, thekson se Shqipëria mbetet ekipi i vogël.

“Ekipi e ka më të vështirë të luajë në sulm, kemi më kollaj të luajmë në mbrojtje. Duhet të ishim më të fuqishëm në qendrën e sulmit, për faktin se ne e dinim se ato do luanin në pjesën dërrmuese në mbrojtje. Asllani duhet të ishte pak më afër sulmit për faktin se ai ka mundësinë dhe inteligjencën e pasit dhe të gjuajë nga lart”

Nëse ai do të kishte qenë trajner, ndoshta do të kishte aktivizuar Hysajn.

“Nuk ka një lojtar lider që ta marrë ekipin, nuk po them për dore, por ta mobilizojë. Hysaj pavarësisht se mund të ishte i lodhur a nuk e di arsyen pse nuk e futi, mund të thoja që edhe mund të duhej se si do të jetë puna një lojtar me eksperiencë, i vjetër, mjafton edhe fjala udhëzimet që jep.”

Një kritikë edhe për shiritin që iu dha Manajt.

“Nëse do bëja një kritikë, mu duk pak e ekzagjeruar përkëdhelia e Manajt, me shiritin e kapitenit edhe pas një humbje të një penalltie. Të gjithë lojëtarët brenda, por edhe ne jashtë themi ‘hë se penalltia humbet’, po te të gjithë lojtarët ajo humbje e penalltisë ka lënë një vulë dhe të gjithë nën zë thonë ta kisha gjujt unë do e kisha bërë”

Si i duken Sejdinit dy pikë në dy ndeshje, dhe cilat janë shanset tona?

“4 pikë do ishin mjaftueshëm për dy ndeshje, në rastin konkret dy pikë në dy ndeshje mendoj se janë të pamjaftueshme. Në këto situata që jemi, nuk ka asgjë të pamundur. Pse? Do futemi në fushë me të gjithë ndeshjet tani që të marrim rezultat, qoftë me Anglinë. Vetëm kështu mund ta kalojmë këtë fazë dhe të shkojmë në Botëror”/abcnews.al

Ancelotti shkon në Botëror/ Brazili fitoi minimalisht 1-0 ndaj Paraguajit në Sao Paulo

11 June 2025 at 12:43

Ishte e para, ishte minimale, por ama vendimtare. Brazili arriti suksesin fillestar nën drejtimin e Karlo Ancelotit, në duelin ndaj Paraguajit në Arenën Konrinthians të Sao Paulos, veçse kjo mjaftoi që të sigurohej kualifikimi për në Kupën e Botës.

Edhe pse nuk ishte ndonjë spektakël I madh, sërish u arrit ajo që dëshirohej, tri pikët dhe mbyllja e historisë së kualifikimit.

Golin e vetëm e realizoi ylli I Realit, Vinisius, në fundin e pjesës së parë, në 44’, dhe Anceloti padyshim që u shpreh I kënaqur.

“Mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Shumë e mirë në pjesën e parë. Ishim bindës me topin në këmbë, e kontrolluam lojën, ndonëse është e qartë se vuajtëm disi. Paraguaj është një ekip I fortë, I bashkuar. Ne e ulëm pak ritmin në pjesën e dytë, por në total ndeshja ishte e kompletuar nga ana jonë. Jemi të kënaqur për kualifikimin, për ndeshjen. Natyrisht, duhet të vazhdojmë të punojmë, por kemi një vit kohë për ta bërë”.

Edhe pse fitorja ishte e vogël, sërish Anceloti ka të drejtë të jetë I kënaqur.

Ai ka vetëm pak ditë në stol, e ka drejtuar skuadrën në vetëm dy ndeshje, pra koha ka qenë tepër e paktë për të lënë shenjë.

Për më tepër, “selesao” ka edhe lojtarë të dëmtuar.

Brazili dominoi me 11 gjuajtje ndaj 5, 4 goditje në kuadrat ndaj 1, dhe me 73 për qind mbajtje topi.

Ndoshta, pas një viti pesë herë kampionët e botës do të jenë gati për të synuar titullin e gjashtë në histori./abcnews.al

Holanda, mbrëmje rekordesh/ Holanda, Austria dhe Rumania kaluan lehtë rivalët

11 June 2025 at 12:42

Për këtë fanelë kanë luajtur edhe legjenda si Johan Krujf apo Marko Van Basten.

Gjithsesi, jo gjithmonë yjet më të shndritshëm mbajnë rekordet, dhe tek Holanda shënuesit më të mirë janë të tjerë.

Memfis Depai barazoi nivelin e atij që ishte numri 1, Robin Van Persit, duke pasur tani 50 rrjeta për “tulipanët”.

Sulmuesi kryesor i kombëtares së sotme realizoi dy herë në fitoren 8-0 ndaj Maltës.

Interesant fakti se të dy kanë luajtur nga 102 ndeshje, ndonëse Van Persi më pak minuta në total.

Për Holandën shënuan edhe Van Dajk, Simons, dy herë Malen, Lang, dhe Van der Ven.

Holanda është në vend të dytë në grupin eliminator G të Kupës së Botës, me 6 pikë në dy ndeshje.

Në vend të parë është Finlanda që mundi 2-1 Poloninë në shtëpi dhe ka 7 pikë në 4 ndeshje.

Pohjanpalo në pjesën e parë me penallti dhe Kelman pas pushimit I dhanë finlandezëve epërsinë 2-0, ndërsa në 69’ Kivior shkurtoi diferencën për polakët.

Në grupin H, Austria nuk pati probleme në San Marino, pikërisht ashtu siç pritej.

Marko Arnautovic realizoi dy gola që në fillim, dhe po ashtu në minutat e para shënoi gjithashtu Gregoriç.

Baumgartner fiksoi shifrat 4-0 që në 27’, dhe më pas austriakët u duk sikur thjesht pritën fundin e ndeshjes duke nisur pushimet para kohe.

Në të njëjtin grup, Rumania e pati paksa më të vështirë në Bukuresht ndaj Qipros.

Fitorja ishte e pastër, 2-0 në “Stadiumin Kombëtar”, me gola shënuar në fund të pjesës së parë nga Tënase dhe Man.

Në krye të këtij grupi është Bosnje-Hercegovina me 9 pikë të plota, Austria ka 6, po aq sa Rumania.

Palestina ëndërron me futbollin/ Vendi i shkatërruar nga lufta, kombëtarja luan për “Botërorin”

10 June 2025 at 12:44

Në një kohë që paqja duket ende larg, një vend i shkatërruar nga lufta si Palestina sheh një fije drite dhe shprese te futbolli.

Përtej çdo imagjinate, kombëtarja palestineze ëndërron të jetë një nga finalistet e Botërorit 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Kjo do të ishte një arritje historike, por më parë duhet të fitojë ndeshjen kundër Oman në eliminatoret e zonës Aziatike, në program mbrëmjen e sotme në stadiumin “Mbreti Abdullah II” në Jordani.

Në rast suksesi, kjo kombëtare e përbërë nga lojtarë, më së shumti me origjinë palestineze të lindur në vende të ndryshme të botës, do të kualifikohej në raundin e katërt kualifikues. Më pas në fazën e play-off do të luante për kualifikimin direkt.

Një sipërmarrje e madhe sportive dhe mbi të gjitha e mbushur me histori njerëzore, për një vend të kthyer në rrënoja, ku jetohet mes frikës së luftës dhe viktimave të përditëshme.

Të gjitha këto janë kthyer në një dozë eksta krenarie për futbollistët, siç tha edhe Oday Dabbagh në konferencën për mediat. Ai luan me Aberdeen në Skoci dhe është shënuesi më i mirë në historinë e Palestinës me 16 gola.

Kombëtarja palestineze mban vendin e 101 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA, ndërsa vjen në këtë sfidë, si një takim me historinë pas fitoreve në dy ndeshjet e fundit kundër Irakut dhe Kuvajtit.

Për fitore në Letoni/ Trajneri Sylvinho pritet të bëjë ndryshime në formacion

10 June 2025 at 11:43

Jo më kot thuhet se është më e rëndësishme sesa ajo e së shtunës.

Kombëtarja luan sonte në Letoni, në 20:45, sfidën e radhës të eliminatoreve të Kupës së Botës dhe objektivi i vetëm është fitorja.

Nëse dëshirojmë të arrijmë vendin e dytë në grup dhe të shkojmë në plej of, nuk mund të ketë hap fals.

Trajneri Silvinjo pritet të bëjë ndryshime në formacion, pas shpenzimit tepër të madh të energjive në duelin ndaj Serbisë, dhe për shkak të pezullimit të kapitenit Berat Gjimshiti.

Në portë mbetet Strakosha, ndërsa në qendër të mbrojtjes mund të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, që nuk ishin në fushë ndaj serbëve.

Natyrisht, alternativë është Adrian Bajrami i Benfikës, që herën e fundit mbeti në tribunë.

Në krah nuk ka dyshime për Mitajn, por tekniku brazilian duhet të mendohet nëse Hysaj mund të ketë sërish forca, apo më mirë të luajë Balliu.

Shehu dhe Asllani mbijetojnë, po ashtu si Broja, ndërsa ka dyshime nëse do të luhet me Hoxhën e Laçin siç ndodhi të shtunën, apo me Muçin e Bajramin.

Në sulm është dilema e fundit, me Manajn jo pak të lodhur, por që duket se pëlqehet nga Silvinjo për shkak të lëvizshmërisë së tij në fushë.

Alternativë është padyshim Mirlind Daku që pati pak minuta të shtunën.

Shqipëria ka 4 pikë në grupin tonë eliminator pas 3 ndeshjeve, me humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në kryeqytet ndaj Serbisë.

❌