Normal view

Kampion edhe në financa/ Chelsea, përfitime rekord pas triumfit në Botërorin e Klubeve

15 July 2025 at 12:40

Ka marrë edhe më shumë para, por jo vetëm për një muaj.

Çelsi është një skuadër angleze, në një Premier Ligë ku kampionia fiton plot 175 milionë paundë në sezon, por gjithsesi, paratë që u futën në xhep në Kupën e Botës për Klubet nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë.

Përkundrazi.

Blutë e Londrës, që fituan për herë të parë këtë trofe pas finales ndaj Paris SG në stadiumin “Metlajf” të Nju Xhersit, arkëtuan një shifër prej afërsisht 100 milionë eurosh.

BBC britanike e jep përfitimin në 84 milionë paundë, apo rreth 114 milionë USD, ndërsa televizioni amerikan CBS, shkruan se përfitimet ishin 103.5 milionë euro apo 121 milionë USD.

Në çdo rast janë shumë, aq më tepër për vetëm një muaj punë.

Për më tepër, sipas televizionit të mësipërm amerikan, Çelsi ka fituar në total nga aventura amerikane plot 154 milionë USD, duke përfshirë edhe të ardhura që nuk lidhen vetëm me pjesëmarrjen.

Të mos harrojmë se Blutë e Londrës morën 164 milionë paundë për vendin e katërt në Premier Ligë, që do të thotë 220 milionë USD.

Trajneri Enzo Mareska pritet të bëjë blerje të fuqishme, që skuadra e tij të pretendojë tituj të mëdhenj edicionin e ardhshëm, pse jo kampionatin anglez dhe Championsin.

Përse të mos I synojë një ekip që mundi Paris SG 3-0 në finalen e Botërorit të Klubeve duke merituar gjithçka?

Nuk ka duel “vëllazëror”/ Jude dhe Jobe Belingham nuk ndeshen në Botëror

2 July 2025 at 12:42

Do të kishte qenë një kuriozitet i madh.

Mbiemri Belingham është bërë i shquar këto kohë në futbollin botëror, dhe pikërisht në turneun e madh të klubeve në Amerikë dy vëllezër mund të ishin kundërshtarë.

Xhud Belingham i Realit, dhe i vogli i familjes, Xhob.

Shorti ishte i tillë që e bënte të mundshëm këtë duel, ashtu si edhe sukseset e dy skuadrave, Real Madrid e Borusia Dortmund, por papritur në ekuacion ndërhyri një e panjohur që u bë fatale.

Xhob Belingham mori karton të verdhë në sfidën që Dortmundi fitoi 2-1 kundër Monterrejit, dhe kjo bëri që të pezullohej.

Njëzetvjeçari e kishte një të verdhë më herët, dhe kjo bëri që ai të mos llogaritet për gjermanët në duelin e çerekfinaleve.

Pra, Xhud do të jetë I vetëm në fushë, ndërsa motive do të jetë I njëjtë, të japë maksimumin për të fituar ndeshjen dhe për të arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klubet, siç edhe I takon emrit më të madh të futbollit në rruzull.

Për fat të keq, Borusia I shkaktoi një fatkeqësi ish-kapitenit të Realit, Sergio Ramos, që në radhët e Monterrejit bëri ç’mos të siguronte një sfidë me ish-skuadrën e tij.

Kjo nuk ndodhi, dhe Botërori I humbi të dy duelet interesante, atë Real-Ramos dhe atë mes vëllezërve Belingham.

Inter, dështim botëror/ Zikaltërit eliminohen në 1/16, Fluminense fiton 2-0

1 July 2025 at 12:35

Ja pra që dikush duhej të mbetej. Ky dikush është Fluminense, skuadra nga Rio de Zhaneiro, që do të vazhdojë ta mbrojë nderin e Brazilit në Kupën e Botës për Klubet.

Në stadiumin me emrin imponues “Banka e Amerikës” në Sharlotë, valixhet I bëri gati Interi, njëra nga ato skuadra të Europës që pritej të ishte pretendente për trofeun.

Fluminense ia doli me zgjuarsi dhe cinizëm, duke e lënë ekipin zikaltër që të bënte lojën, e duke u bazuar te kundërsulmi dhe goditjet e shpejta.

Që në 3’ kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Zherman Kano, dhe më pas nuk lejoi që Interi të konkretizonte epërsinë.

Rezultati u vulos vonë, në minutën e 3-të shtesë nga Herkules, ndërsa dështimi u ndje shumë në Itali.

Natyrisht, kritikave nuk mund t’i shpëtonte as Kristian Asllani që ishte titullar, ashtu siç nuk shpëtuan edhe të tjerët.

“Eurosport” I dha notën e dobët 4.5, ndonëse vetëm të tillë si Barela, Suçiç, Zomer apo Karboni ishin më të vlerësuar sesa ai.

Shqiptari u cilësua që bëri gabime të shumta, ndërsa mori edhe të verdhë.

Më pozitiv “Skaj Sporti” me një notë mjaft më të lartë, 5.5, edhe pse jo mjaft e mirë.

Shigjetimet më të mëdha I mori mbrojtja, që pësoi dy gola.

Ndërkaq, një kunj për interistët erdhi nga kapiteni I Fluminenses, Tiago Silva, ish-lojtar I Milanit që luan edhe në moshën 40-vjeçare.

“Gjithë kohën mendoja për këtë, mendoja për Milanin. Jam I sigurt që tifozët milanistë sot janë të kënaqur. Ishin me ne, pra kjo fitore është edhe për ata”.

Fluminense shpreson të arrijë gjysmëfinale, ndërsa në 4 korrik luan përballë ekipit të Arabisë Saudite, Al Hilal, që shkaktoi të papriturën e madhe duke eliminuar Mançester Sitin.

“Dy pikë janë pak”, Ish zv. trajneri i Kombëtares, i pakënaqur me kuqezinjtë

12 June 2025 at 12:50

Nuk është nga ata që merr shpatën për të goditur. Farruk Sejdini e di sesa e vështirë është të jesh në stolin e kombëtares, megjithatë ish-zv. trajneri kuqezi, ka disa kritika për Silvinjon, dhe thekson ndonjë të vërtetë.

Së pari, thekson se Shqipëria mbetet ekipi i vogël.

“Ekipi e ka më të vështirë të luajë në sulm, kemi më kollaj të luajmë në mbrojtje. Duhet të ishim më të fuqishëm në qendrën e sulmit, për faktin se ne e dinim se ato do luanin në pjesën dërrmuese në mbrojtje. Asllani duhet të ishte pak më afër sulmit për faktin se ai ka mundësinë dhe inteligjencën e pasit dhe të gjuajë nga lart”

Nëse ai do të kishte qenë trajner, ndoshta do të kishte aktivizuar Hysajn.

“Nuk ka një lojtar lider që ta marrë ekipin, nuk po them për dore, por ta mobilizojë. Hysaj pavarësisht se mund të ishte i lodhur a nuk e di arsyen pse nuk e futi, mund të thoja që edhe mund të duhej se si do të jetë puna një lojtar me eksperiencë, i vjetër, mjafton edhe fjala udhëzimet që jep.”

Një kritikë edhe për shiritin që iu dha Manajt.

“Nëse do bëja një kritikë, mu duk pak e ekzagjeruar përkëdhelia e Manajt, me shiritin e kapitenit edhe pas një humbje të një penalltie. Të gjithë lojëtarët brenda, por edhe ne jashtë themi ‘hë se penalltia humbet’, po te të gjithë lojtarët ajo humbje e penalltisë ka lënë një vulë dhe të gjithë nën zë thonë ta kisha gjujt unë do e kisha bërë”

Si i duken Sejdinit dy pikë në dy ndeshje, dhe cilat janë shanset tona?

“4 pikë do ishin mjaftueshëm për dy ndeshje, në rastin konkret dy pikë në dy ndeshje mendoj se janë të pamjaftueshme. Në këto situata që jemi, nuk ka asgjë të pamundur. Pse? Do futemi në fushë me të gjithë ndeshjet tani që të marrim rezultat, qoftë me Anglinë. Vetëm kështu mund ta kalojmë këtë fazë dhe të shkojmë në Botëror”/abcnews.al

Ancelotti shkon në Botëror/ Brazili fitoi minimalisht 1-0 ndaj Paraguajit në Sao Paulo

11 June 2025 at 12:43

Ishte e para, ishte minimale, por ama vendimtare. Brazili arriti suksesin fillestar nën drejtimin e Karlo Ancelotit, në duelin ndaj Paraguajit në Arenën Konrinthians të Sao Paulos, veçse kjo mjaftoi që të sigurohej kualifikimi për në Kupën e Botës.

Edhe pse nuk ishte ndonjë spektakël I madh, sërish u arrit ajo që dëshirohej, tri pikët dhe mbyllja e historisë së kualifikimit.

Golin e vetëm e realizoi ylli I Realit, Vinisius, në fundin e pjesës së parë, në 44’, dhe Anceloti padyshim që u shpreh I kënaqur.

“Mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Shumë e mirë në pjesën e parë. Ishim bindës me topin në këmbë, e kontrolluam lojën, ndonëse është e qartë se vuajtëm disi. Paraguaj është një ekip I fortë, I bashkuar. Ne e ulëm pak ritmin në pjesën e dytë, por në total ndeshja ishte e kompletuar nga ana jonë. Jemi të kënaqur për kualifikimin, për ndeshjen. Natyrisht, duhet të vazhdojmë të punojmë, por kemi një vit kohë për ta bërë”.

Edhe pse fitorja ishte e vogël, sërish Anceloti ka të drejtë të jetë I kënaqur.

Ai ka vetëm pak ditë në stol, e ka drejtuar skuadrën në vetëm dy ndeshje, pra koha ka qenë tepër e paktë për të lënë shenjë.

Për më tepër, “selesao” ka edhe lojtarë të dëmtuar.

Brazili dominoi me 11 gjuajtje ndaj 5, 4 goditje në kuadrat ndaj 1, dhe me 73 për qind mbajtje topi.

Ndoshta, pas një viti pesë herë kampionët e botës do të jenë gati për të synuar titullin e gjashtë në histori./abcnews.al

Holanda, mbrëmje rekordesh/ Holanda, Austria dhe Rumania kaluan lehtë rivalët

11 June 2025 at 12:42

Për këtë fanelë kanë luajtur edhe legjenda si Johan Krujf apo Marko Van Basten.

Gjithsesi, jo gjithmonë yjet më të shndritshëm mbajnë rekordet, dhe tek Holanda shënuesit më të mirë janë të tjerë.

Memfis Depai barazoi nivelin e atij që ishte numri 1, Robin Van Persit, duke pasur tani 50 rrjeta për “tulipanët”.

Sulmuesi kryesor i kombëtares së sotme realizoi dy herë në fitoren 8-0 ndaj Maltës.

Interesant fakti se të dy kanë luajtur nga 102 ndeshje, ndonëse Van Persi më pak minuta në total.

Për Holandën shënuan edhe Van Dajk, Simons, dy herë Malen, Lang, dhe Van der Ven.

Holanda është në vend të dytë në grupin eliminator G të Kupës së Botës, me 6 pikë në dy ndeshje.

Në vend të parë është Finlanda që mundi 2-1 Poloninë në shtëpi dhe ka 7 pikë në 4 ndeshje.

Pohjanpalo në pjesën e parë me penallti dhe Kelman pas pushimit I dhanë finlandezëve epërsinë 2-0, ndërsa në 69’ Kivior shkurtoi diferencën për polakët.

Në grupin H, Austria nuk pati probleme në San Marino, pikërisht ashtu siç pritej.

Marko Arnautovic realizoi dy gola që në fillim, dhe po ashtu në minutat e para shënoi gjithashtu Gregoriç.

Baumgartner fiksoi shifrat 4-0 që në 27’, dhe më pas austriakët u duk sikur thjesht pritën fundin e ndeshjes duke nisur pushimet para kohe.

Në të njëjtin grup, Rumania e pati paksa më të vështirë në Bukuresht ndaj Qipros.

Fitorja ishte e pastër, 2-0 në “Stadiumin Kombëtar”, me gola shënuar në fund të pjesës së parë nga Tënase dhe Man.

Në krye të këtij grupi është Bosnje-Hercegovina me 9 pikë të plota, Austria ka 6, po aq sa Rumania.

Palestina ëndërron me futbollin/ Vendi i shkatërruar nga lufta, kombëtarja luan për “Botërorin”

10 June 2025 at 12:44

Në një kohë që paqja duket ende larg, një vend i shkatërruar nga lufta si Palestina sheh një fije drite dhe shprese te futbolli.

Përtej çdo imagjinate, kombëtarja palestineze ëndërron të jetë një nga finalistet e Botërorit 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Kjo do të ishte një arritje historike, por më parë duhet të fitojë ndeshjen kundër Oman në eliminatoret e zonës Aziatike, në program mbrëmjen e sotme në stadiumin “Mbreti Abdullah II” në Jordani.

Në rast suksesi, kjo kombëtare e përbërë nga lojtarë, më së shumti me origjinë palestineze të lindur në vende të ndryshme të botës, do të kualifikohej në raundin e katërt kualifikues. Më pas në fazën e play-off do të luante për kualifikimin direkt.

Një sipërmarrje e madhe sportive dhe mbi të gjitha e mbushur me histori njerëzore, për një vend të kthyer në rrënoja, ku jetohet mes frikës së luftës dhe viktimave të përditëshme.

Të gjitha këto janë kthyer në një dozë eksta krenarie për futbollistët, siç tha edhe Oday Dabbagh në konferencën për mediat. Ai luan me Aberdeen në Skoci dhe është shënuesi më i mirë në historinë e Palestinës me 16 gola.

Kombëtarja palestineze mban vendin e 101 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA, ndërsa vjen në këtë sfidë, si një takim me historinë pas fitoreve në dy ndeshjet e fundit kundër Irakut dhe Kuvajtit.

Për fitore në Letoni/ Trajneri Sylvinho pritet të bëjë ndryshime në formacion

10 June 2025 at 11:43

Jo më kot thuhet se është më e rëndësishme sesa ajo e së shtunës.

Kombëtarja luan sonte në Letoni, në 20:45, sfidën e radhës të eliminatoreve të Kupës së Botës dhe objektivi i vetëm është fitorja.

Nëse dëshirojmë të arrijmë vendin e dytë në grup dhe të shkojmë në plej of, nuk mund të ketë hap fals.

Trajneri Silvinjo pritet të bëjë ndryshime në formacion, pas shpenzimit tepër të madh të energjive në duelin ndaj Serbisë, dhe për shkak të pezullimit të kapitenit Berat Gjimshiti.

Në portë mbetet Strakosha, ndërsa në qendër të mbrojtjes mund të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, që nuk ishin në fushë ndaj serbëve.

Natyrisht, alternativë është Adrian Bajrami i Benfikës, që herën e fundit mbeti në tribunë.

Në krah nuk ka dyshime për Mitajn, por tekniku brazilian duhet të mendohet nëse Hysaj mund të ketë sërish forca, apo më mirë të luajë Balliu.

Shehu dhe Asllani mbijetojnë, po ashtu si Broja, ndërsa ka dyshime nëse do të luhet me Hoxhën e Laçin siç ndodhi të shtunën, apo me Muçin e Bajramin.

Në sulm është dilema e fundit, me Manajn jo pak të lodhur, por që duket se pëlqehet nga Silvinjo për shkak të lëvizshmërisë së tij në fushë.

Alternativë është padyshim Mirlind Daku që pati pak minuta të shtunën.

Shqipëria ka 4 pikë në grupin tonë eliminator pas 3 ndeshjeve, me humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në kryeqytet ndaj Serbisë.

❌