Normal view

Sulmet izraelite në Liban, një i vrarë dhe një i plagosur

2 September 2026 at 15:34

Një burrë është vrarë dhe një tjetër është plagosur në Nabatieh të Libanit, pasi një dron izraelit goditi një zonë të banuar në qytetin jugor.

Sulmi vjen në një kohë kur tensionet në jug të Libanit mbeten të larta, pavarësisht marrëveshjeve të fundit për uljen e përshkallëzimit. Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve, ANI, forcat izraelite kanë kryer një seri sulmesh në zonë që nga orët e para të mëngjesit.

Ushtria izraelite vazhdon të mbajë pozicione në disa pjesë të territorit libanez, ndërsa pretendon se po përpiqet të largojë luftëtarët e Hezbollahut nga zona strategjike e kodrës Ali Taher.

Izraeli ka konfirmuar sulmin, duke deklaruar se kishte goditur atë që e përshkroi si “infrastrukturë terroriste”. Sipas Tel Avivit, sulmi ishte përgjigje ndaj lëshimit të dy dronëve sulmues çdo natë nga një organizatë pro-iraniane kundër trupave izraelite.

Dirk Schubel, merr detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë: Vendit i duhen institucione funksionale

2 September 2026 at 15:18

Dirk Schuebel ka nisur zyrtarisht detyrën si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer njëkohësisht si Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së (EUSR).
Në mesazhin e tij të parë, Schuebel ka theksuar mbështetjen e BE-së për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve.

Schuebel, shtetas gjerman dhe zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, ka një përvojë të gjatë në diplomaci, me karrierë të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme të BE-së.

Në nisje të mandatit të tij në Kosovë, ai tha se pret bashkëpunim të ngushtë me institucionet e vendit, partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet.

“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për të ndihmuar një Kosovë multietnike të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në kushte të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.

Ambasadori i ri evropian theksoi se do të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe angazhimin konstruktiv të saj në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai u shpreh se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës, duke rikujtuar se BE-ja ka ofruar deri tani më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, përfshirë mbështetjen për rindërtimin, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.

“Bashkë mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim të prekshëm për të gjithë qytetarët e saj”, deklaroi Schuebel.

Kosovë/ Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarë serbë

2 September 2026 at 15:12

Kosovë- Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor i Kosovës në vitin 2022.

Vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022. Pas këtij vendimi, KGJK-ja i kishte propozuar ministres Haxhiu lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve.

Vendimi kishte nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë” për zhvillimet.

Në fund të nëntorit 2022, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë nga sistemi i drejtësisë kishin dhënë dorëheqje, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore.

Largimi i tyre ishte pjesë e një serie tensionesh politike dhe institucionale që prekën veriun e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Tensionet në Lindjen e Mesme/ Xi Jinping në Egjipt, Kina kërkon mbështetje përballë presionit amerikan ndaj Iranit

2 September 2026 at 15:07

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi priti në Kajro homologun e tij kinez, Xi Jinping, në vizitën e parë të liderit kinez në Egjipt pas një dekade.

Takimi zhvillohet në një periudhë të tensionuar për Lindjen e Mesme, ndërsa përplasja SHBA-Iran po ndikon në marrëdhëniet dhe aleancat rajonale.

Xi Jinping u prit me një ceremoni zyrtare ushtarake në pallatin presidencial në Kajro, ku u zhvillua edhe një përshëndetje me 21 të shtëna topash, në nder të vizitës së tij.

Vizita e presidentit kinez vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar dhe Uashingtoni po rrit presionin ndaj vendeve dhe kompanive që mbajnë marrëdhënie tregtare me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar së fundmi vendet me lidhje me Teheranin se mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë kufizimin e aksesit në sistemin financiar perëndimor.

Kina, një prej partnerëve kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Iranit, po përpiqet të forcojë bashkëpunimin me Egjiptin, ndërsa Kajro përballet gjithashtu me presionin e sanksioneve amerikane.

Javën e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione ndaj degëve në Emiratet e Bashkuara Arabe të Banque Misr, bankës më të madhe të Egjiptit, për shkak të dyshimeve se ato kanë kryer aktivitete biznesi me Iranin.

Në këtë klimë të re gjeopolitike, takimi Xi-Sisi pritet të fokusohet te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik, por edhe te zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Vizita e Xi Jinping në Kajro shihet si një sinjal i rëndësishëm për pozicionimin e Kinës në rajon, në një kohë kur presioni amerikan ndaj partnerëve të Iranit po rritet.

/abcnews.al/

U dorëhoq si ministre e Shëndetësisë, reagon Evis Sala: Mirënjohje! Kam pranuar angazhime ndërkombëtare në fushën time të ekspertizës

2 September 2026 at 14:40

Ditën e sotme Evis Sala ka dhënë dorëheqjen si Ministre e Shëndetësisë.

Ajo ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, ndërsa shprehet se ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën onkologji-inteligjencë-artificiale.

Ajo mori drejtimin e shëndetësisë në shtator të vitit 2025, kur u përfshi në kabinetin e mandatit të katërt të kryeministrit Edi Rama.

Me profesion Sala është mjeke radiologe. Ajo ka punuar më parë në Universitetin e Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe Policlinico Gemelli në Romë.

Mesazhi i plotë:

Një vit më parë, kur m’u besua drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për mua ishte e qartë se duhej të punonim njëkohësisht në dy drejtime: të zgjidhnim problemet e sotme dhe, në të njëjtën kohë, të ndërmerrnim reforma që ndryshojnë shëndetësinë për të nesërmen, me një parim të vetëm në qendër: shërbimi i duhur për çdo pacient.

Një nga tre prioritetet e mia kryesore ka qenë reforma në onkologji. Sot, një vit më pas, kjo reformë ka rezultate konkrete dhe të prekshme.

Për herë të parë kemi ngritur Institutin Kombëtar të Onkologjisë dhe po ndërtojmë Rrjetin Kombëtar Onkologjik. Partneriteti strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano do të sjellë në Shqipëri modelet më të avancuara europiane të kujdesit onkologjik.

Kemi miratuar tashmë 38 protokolle të unifikuara të trajtimit. Kemi përmirësuar tre prej qendrave ditore të kemioterapisë me parimin: ta çojmë shërbimin pranë pacientit, sa herë që kjo është e mundur dhe e sigurt.

Gjatë këtij viti, garantimi i barnave antitumorale dhe përmirësimi i aksesit në terapitë moderne kanë qenë ndër sfidat tona më të rëndësishme. Në vitin 2026 kemi shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, kemi futur 21 barna inovative dhe kemi zgjeruar me 23% barnat antitumorale për përdorim spitalor.

Por rezultati më i rëndësishëm nuk është ai që shkruhet në një raport. Është ai që shihet te pacienti. 17% më shumë pacient me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim.

Pjesë e reformës në onkologji ka qenë edhe forcimi i radioterapisë dhe i imazherisë. Falë punës dhe përkushtimit të ekipeve, u vu në funksion akseleratori i tretë me teknologji bashkëkohore dhe së shpejti do t’i bashkohet edhe akseleratori i katërt.

Por puna jonë nuk është ndalur tek onkologjia.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë ofrohen trombektomia dhe DSA-ja, ndërsa së shpejti do të ngrihet edhe shërbimi i geriatrisë. Në Spitalin “Shefqet Ndroqi” sapo është ngritur laboratori i ri i hemodinamikës.

Kemi ulur ndjeshëm kohën e pritjes për ekzaminime diagnostikuese të avancuara, si skaner dhe rezonancë.

Në të njëjtën kohë, kemi nisur kalimin drejt spitaleve “paperless”, ku informacioni ndjek pacientin dhe jo pacienti letrat. Po krijojmë kushtet për një ekosistem shëndetësor të ndërlidhur, ku informacioni klinik dhe imazherik të jetë i aksesueshëm në mënyrë të sigurt dhe në kohë reale duke u mbështetur në  Inteligjencën Artificiale.

Por një sistem i mirë shëndetësor nuk fillon në spital. Ai fillon shumë më herët: te parandalimi, te një kontroll që bëhet në kohë, te një diagnozë që vendoset më herët.

Prandaj kemi:

  • hequr tavanin moshor për Check-up-in
  • kemi dyfishuar përfituesit e programeve të depistimit të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës;
  • si dhe kemi zgjeruar vaksinimin kundër HPV-së.

Dhe, mbi të gjitha, kemi investuar te njerëzit e sistemit. Në janar rritëm pagat për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë.

Por përtej pagave, kemi punuar çdo ditë për të mbështetur dhe fuqizuar angazhimin e diasporës shqiptare në shëndetësi. Sot kemi rezultate konkrete: nga kontributi i profesionistëve të diasporës në reformën e onkologjisë, deri te mjekët që janë angazhuar drejtpërdrejt në sistemin spitalor në vend.

Sepse Shqipëria ka një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor edhe jashtë kufijve të saj dhe duhet të krijojë gjithmonë ura që këtë dije, eksperiencë dhe profesionalizëm ta lidhin me vendin.

Dhe kujdesi për njerëzit nuk përfundon te shërbimi shëndetësor.

Nga 1 korriku kemi dyfishuar pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kemi njohur kontributet shoqërore për kujdestarët e tyre. Kemi zgjeruar shërbimet sociale në bashki dhe qarqe dhe kemi forcuar mbështetjen për të moshuarit, fëmijët dhe familjet në nevojë.

Të gjitha këto rezultate, pavarësisht angazhimit tim si ministre dhe si mjeke, nuk do të ishin të mundura pa kontributin e çdo hallke të sistemit: të mjekëve dhe infermierëve, profesionistëve të kujdesit parësor, spitaleve, shëndetit publik, administratës, mirëqenies dhe përfshirjes sociale.

Secilit prej tyre i jam thellësisht mirënjohëse.

Sot, në përfundim të këtij viti intensiv pune, i jam veçanërisht mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin që më dha për të marrë këtë përgjegjësi dhe për mbështetjen që më ka dhënë çdo ditë në drejtimin e një institucioni me sfida të mëdha. E vlerësoj veçanërisht mundësinë që pata për të sjellë në shërbimin publik shqiptar eksperiencën dhe standardet profesionale të fituara gjatë shumë viteve të punës sime ndërkombëtare.

I jam mirënjohëse gjithashtu çdo qytetari që gjatë këtij viti më ka shkruar, më ka kontaktuar, më ka kritikuar apo më ka propozuar një mënyrë për të përmirësuar një shërbim, një standard apo një proces. Shërbimi publik ka kuptim vetëm kur dëgjon njerëzit për të cilët punon.

Për mua, ky vit ka qenë një privilegj, një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi për t’i kthyer Shqipërisë një pjesë të asaj që kam mësuar gjatë një karriere shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare prej më shumë se 30 vitesh.

Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion.

Ai ka qenë dhe do të mbetet pjesë e punës sime si mjeke, akademike dhe profesioniste shqiptare në arenën ndërkombëtare. Do të vazhdoj të kontribuoj me dijen, eksperiencën dhe rrjetin tim profesional dhe ta përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet kudo ku kam mundësinë të jap kontributin tim.

Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk ka kufij!

EMRAT/ Dy të arrestuar në Gjirokastër, u kapën me mallra kontrabandë

2 September 2026 at 14:34

Dy persona janë arrestuar nga policia pasi u kapën duke transportuar mallra kontrabandë.

Në pranga kanë rënë shtetasit, Maksim Plaka dhe Artur Preni.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Pikës Doganore Kakavijë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza 1”, arrestuan në flagrancë shtetasin 48 vjeç, banues në Fier. Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavijë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza 2”, arrestuan në flagrancë shtetasin 57 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrolleve të kryera në automjetet e këtyre 2 shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra steka me cigare dhe puro, sasi duhani, medikamente, dhjetëra kilogramë kafe, pije alkoolike, materiale ndërtimi, produkte për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe paketime me produkte ushqimore.

Mallrat, për të cilat paguhet akcizë, dhe mallrat e tjera dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk ishin të pajisura me dokumentacionin tatimor përkatës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Arsimi profesional, zgjedhje e të rinjve/ Vlorë, rritet 20 për qind numri i nxënësve në shkollën profesionale

2 September 2026 at 13:35

Të rinjtë gjithnjë e më tepër po orientohen drejt arsimit profesional. Në shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë numri i të regjistruarve është rritur me rreth 25% në raport me vitin e shkuar. Ndërsa degët e pëlqyera janë disa.

Punësimi i shpejt pas diplomimit është arsyeja kryesore e shumë të rinjve që zgjedhin të ndjekin shkollat profesionale. Tregu ndjenë nevojën e këtyre profesioneve.

Regjistrimet në shkollat profesionale kanë nisur më 6  korrik dhe përfundojnë me 30 shtator.

Bombë ekologjike në Seman/ Ndotja në deltën e Semanit po depërton në thellësi të tokës ranore

2 September 2026 at 13:30

Ndotja në deltën e Semanit e ka shndërruar zonën në një bombë ekologjike.

Mbetjet e depozituara në dekada,  kryesisht plastikë, kanë krijuar shtresëzime në tokën ranore të deltës së lumit.

Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit thonë se duke qenë se mbetjet nuk janë të kohëve të fundit, por  të depozituara gjatë disa dekadave nuk  mund të   vendosin gjoba, por në rastet e ndotjes flagrante masat  do të shtrihen deri te bashkitë si përgjegjëse për situatën.

Ndërkohë, në bashkinë e Fierit ne territorin e së cilës ndodhet grykëderdhja e Semanit, po punohet për një projekt pastrimi që parashikon gërmimin dhe largimin e mbetjeve prej tokës përreth.

Sipërfaqja e ndotur llogaritet në dhjetëra ha duke përfshirë pjesën në breg të detit dhe  zonën ligatinore ku kanë depërtuar  tonelata me plastikë.

Lumi Seman përshkon territorin e tre bashkive në Fier ku gjatë 30 viteve të fundit subjekte private dhe qytetarë kanë hedhur  mijëra ton mbetje. Përmes rrjedhës së lumit ato përfundojnë dhe shpërndahen në bregdetin e Semanit

“Inspektimet në testin e Besës”/ Rama: Asnjë kontroll pa paralajmërim, inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente

2 September 2026 at 13:07

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshimin e mënyrës së kryerjes së inspektimeve ndaj bizneseve, duke theksuar se kontrollet duhet të bëhen me paralajmërim dhe në funksion të përmirësimit të zbatimit të ligjit.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Rama tha se kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës”, duke nënvizuar se nuk duhet të ketë më kontrolle të bizneseve pa njoftim paraprak.

“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës”. Nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si skemë krimi, por si shteti që të njofton , të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. Qëllimi është t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve. Gjoba mbi një biznes është arma e fundit dhe jo e para. Kujt i vjen inspektim pa paralajmërim, duhet ta denoncojë menjëherë të Inspektori i Përgjithshëm dhe kjo është e drejtë. Këtë të drejtë mund ta vendosim së bashku qeveria dhe sipërmarrja. Dhe çdo inspektor që troket te dera në emër të shtetit, do të jetë i pajisur me kameria inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë ”, tha Rama.

/abcnews.al/

Përçarje në LDK për Presidentin/ Abdixhiku mbron marrëveshjen me Kurtin dhe paralajmëron pasoja për deputetët që dolë kundër

2 September 2026 at 12:00

KOSOVË- Lumir Abdixhiku, kreu i partisë historike të Ibrahim Rugovës, pranon hapur përçarjen në parti, ndërsa mbron marrëveshjen me Albin Kurtin.

Në një postim në rrjetet sociale ai paralajmëron se në zgjedhjet e tjera partia do të humbas mbështetje, por kjo sipas tij, jo për faj të lidershipit.

“Siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!”, shtoi ndër të tjera kreu i LDK, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku drejtoi gishtin ndaj një armiku të panjohur, duke thënë se ka agjenda që e kanë ndarë partinë.

“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Por prej muajsh, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, u shpreh ai.

Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin referues që rrëzoi qeverinë Hoti në 2020-tën, e quajti propozim të LDK që u pranua nga Kurti, ndërsa për vendin tani janë të pashmangshme edhe një palë votime.

“U refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

6 deputetë të LDK, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala nuk pranuan ta votojnë Bekim Sejdiun si president.

Emrat e tyre renditen edhe si ndër më të votuarit në zgjedhjet e 7 qershorit, por për të ardhmen e tyre në parti, Abdixhiku tha se do të mendohet dhe se me bashkëpunëtorë të tillë nuk mundet më.

Statusi i plotë:
Mirëmëngjesi, Kosovë!
Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?
Çfarë paskan shpëtuar?
Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.
Dëm mund të bëjë çdo kush.
Për këtë, ja dora!
Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!
Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.
Për këtë ndiej vetëm keqardhje!
Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!

/abcnews.al/

Presioni i përsëritur nga Trump/ Danimarka për herë të parë dërgon trupa në Groenlandë

2 September 2026 at 11:49

Danimarka ka vendosur ushtarë në Groenlandë, në një përpjekje për të forcuar praninë dhe kapacitetet e saj të mbrojtjes në Arktik, në një kohë kur tensionet rreth territorit janë rritur ndjeshëm.

Vendosja e trupave vjen pas kërkesave të vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën. Trump ka argumentuar se ishulli është i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ka kritikuar Danimarkën për mungesë investimesh në mbrojtjen e Arktikut. Kopenhageni dhe autoritetet e Groenlandës e kanë kundërshtuar kategorikisht çdo ide për ndryshimin e statusit të territorit.

Ushtarët e rinj janë pjesë e grupit të parë të rekrutëve të programit të zgjeruar ushtarak të Danimarkës, i cili synon të përgatisë trupa të afta për të operuar në kushtet ekstreme të Arktikut.

Rekrutët po marrin pjesë në stërvitjen Arctic Endurance, ku trajnohen për mbijetesë dhe operacione ushtarake në temperatura të ulëta dhe në terrene të vështira. Stërvitja zhvillohet në kuadër të Arctic Sentry, një mision i NATO-s i nisur këtë vit për të rritur praninë e aleancës në Arktik dhe për të forcuar sigurinë në një rajon me rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike.

Danimarka është zotuar të investojë miliarda dollarë për forcimin e mbrojtjes së Arktikut, pasi ministri danez i Mbrojtjes ka pranuar se për vite me radhë investimet në këtë zonë kanë qenë të pamjaftueshme.

Komandantja e njësisë, kapiten Laura Jepsen, tha se prania e ushtarëve në Groenlandë lidhet kryesisht me trajnimin e rekrutëve dhe fitimin e përvojës në kushtet ekstreme të klimës arktike, edhe pse ajo pranoi se vendosja e tyre është pjesë e një tabloje më të gjerë strategjike.

Rritja e pranisë ushtarake në Arktik vjen në një kohë kur rajoni po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për fuqitë e mëdha. Rusia ka një prani të gjerë ushtarake në Arktik dhe ka kritikuar shtimin e aktiviteteve të NATO-s, duke e cilësuar atë si kërcënim për sigurinë dhe si faktor që mund të rrisë rrezikun e një përplasjeje.

Edhe Kina ka shtuar aktivitetin e saj në rajon, veçanërisht për shkak të burimeve të pasura minerare, duke bashkëpunuar në disa raste me Rusinë.

Për rekrutët danezë, stërvitja në veri të Rrethit Arktik nënkupton përballje me një terren të ashpër, të karakterizuar nga shkëmbinj të zhveshur, hapësira të mëdha pa pemë dhe kushte ekstreme atmosferike.

Vendosja e ushtarëve shihet nga Kopenhageni si një sinjal se Danimarka po përgatitet për një realitet të ri strategjik në Arktik, ndërsa Groenlanda po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë kyçe të konkurrencës mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës dhe vendeve evropiane.
/abcnews.al/

Katastrofa në Nepal, numri i viktimave shkon në mbi 1,100/ Mijëra persona ende të zhdukur

2 September 2026 at 11:06

Bilanci i viktimave nga katastrofa natyrore që goditi Nepalin pranë kufirit me Kinën ka arritur në 1,114 persona, ndërsa 3,916 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas të dhënave të reja të autoriteteve të menaxhimit të emergjencave.

Ndërkohë, mediat shtetërore kineze raportojnë për 16 viktima dhe 546 persona të zhdukur në Tibet. Në total, katastrofa ka shkaktuar të paktën 1,130 viktima dhe 4,462 persona rezultojnë të zhdukur në Nepal dhe Tibet.

Rrëshqitja shkatërruese e dheut ndodhi pasi një akullnajë në Himalaje u shemb, duke shkaktuar rrëshqitje masive dhe përmbytje në zonat pranë kufirit.

Një javë pas katastrofës, autoritetet nepaleze pranojnë se shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po veniten. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në disa zona të prekura, veçanërisht pranë hidrocentraleve, ku shumë punëtorë besohet se mund të kenë mbetur të bllokuar në tunele.

Autoritetet kanë bërë të ditur se 279 persona janë shpëtuar nga zonat e digave hidroelektrike, ndërsa të paktën 639 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Me kalimin e ditëve, mundësitë për të gjetur të mbijetuar po bëhen gjithnjë e më të vogla për shkak të përmasave të katastrofës dhe kushteve të vështira në zonat e përmbytura.

Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, ka deklaruar se fokusi i qeverisë po zhvendoset gradualisht nga operacionet e shpëtimit drejt rehabilitimit dhe rindërtimit. Autoritetet po përpiqen njëkohësisht të sigurojnë ndihmë mjekësore dhe mbështetje psikologjike për banorët e prekur.

Shkalla e shkatërrimit është e jashtëzakonshme. Sipas një vlerësimi paraprak të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, rrëshqitja ka lënë pas rreth 2.2 milionë tonë mbetje dhe materiale të zhvendosura. Kjo ka krijuar vështirësi të mëdha për pastrimin e shtëpive, rrugëve dhe hapësirave publike, si dhe për rikthimin e shërbimeve bazë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqe në rritje për shëndetin publik. Mbipopullimi në strehimore, uji i ndotur dhe dëmtimi i infrastrukturës shëndetësore po rrisin shqetësimet për përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht gjatë sezonit të musoneve.

Gratë dhe fëmijët konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara, ndërsa ekipet humanitare po përballen me kushte të vështira në terren dhe me nevojën urgjente për strehim, ujë të pijshëm, kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikologjike.

Katastrofa është ndër më të rëndat që ka goditur rajonin vitet e fundit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe përpjekjet për të ndihmuar mijëra familje të prekura vazhdojnë.
/abcnews.al/

Aksidentohet autobusi në Egjipt, të paktën 16 viktima

2 September 2026 at 10:47

Një aksident tragjik ka ndodhur në Egjipt. Të paktën 16 persona kanë humbur jetën pasi një autobus u aksidentua në Sinain Jugor.

Sipas autoriteteve në Egjipt, të paktën 28 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

/abcnews.al/

“Financial Times”: Rusia po e ndihmon fshehurazi Iranin të zhvillojë raketa hipersonike

2 September 2026 at 10:40

Rusia po i ofron Iranit ndihmë teknike dhe ekspertizë për zhvillimin e një klase të avancuar raketash hipersonike lundrimi, në atë që mund të jetë një nga transferimet më të rëndësishme të teknologjisë ushtarake strategjike nga Moska drejt Teheranit.

Sipas një hetimi të “Financial Times”, programi sekret, i koduar C430L, nisi në vitin 2023 dhe përfshin disa nga ekspertët më me përvojë të Rusisë në fushën e teknologjisë së raketave. Objektivi kryesor është ndihma për Iranin në zhvillimin e një sistemi shtytës me motor ramjet, i cili mund t’i mundësojë një rakete lundrimi të arrijë dhe të ruajë shpejtësi shumëfish më të larta se shpejtësia e zërit.

Hetimi i gazetës është bazuar në korrespondencë të rrjedhur ruse, të dhëna udhëtimesh dhe analizë të patentave ushtarake. Ekspertë të raketave dhe analistë ushtarakë vlerësojnë se teknologjia është pothuajse me siguri e destinuar për zhvillimin e raketave kundër anijeve dhe armëve për goditjen e objektivave tokësore.

Fabian Hinds, ekspert iranian i raketave dhe analist i lartë në Conflict Armament Research, e ka cilësuar këtë si një transferim shumë të ndjeshëm të teknologjisë ushtarake strategjike nga Rusia drejt Iranit. Sipas tij, një program i tillë do të kërkonte miratim politik në nivelet më të larta të udhëheqjes ruse.

Raketat hipersonike të lundrimit paraqesin një sfidë të veçantë për sistemet moderne të mbrojtjes, pasi kombinojnë shpejtësinë shumë të lartë me aftësinë për të fluturuar në lartësi të ulëta. Kjo mund të reduktojë ndjeshëm kohën në dispozicion për zbulimin dhe interceptimin e tyre.

Për Iranin, një teknologji e tillë do të kishte rëndësi të veçantë në Gjirin Persik, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe detare.

Irani ka zhvilluar dhe testuar më herët një sistem shtytës me motor ramjet, por deri tani nuk ka prova se një raketë hipersonike lundrimi është bërë operative me ndihmën e Rusisë.

Dokumentet e udhëtimit të shqyrtuara nga Financial Times tregojnë se zyrtarë të Rosoboronexport dhe disa inxhinierë të lartë të NPO Mashinostroyenia kanë kryer udhëtime të përsëritura në Iran përpara se kontrata me Ministrinë iraniane të Mbrojtjes dhe Logjistikës së Forcave të Armatosura të nënshkruhej zyrtarisht në nëntor 2023.

Deri në vitin 2025, NPO Mashinostroyenia kishte marrë një sasi të konsiderueshme materialesh teknike iraniane mbi sistemin ramjet. Inxhinierët rusë analizuan të dhënat nga një test fluturimi iranian dhe i dërguan Teheranit një listë të detajuar pyetjesh mbi performancën e motorit.

Pyetjet lidhen me sistemin e karburantit, stabilitetin e djegies, marrjen e ajrit dhe grykën e motorit. Ekspertët rusë kërkuan gjithashtu sqarime nëse motori kishte vazhduar të funksiononte pasi telemetria nga testi ishte ndërprerë më pak se një minutë pas nisjes.

Sipas “Financial Times”, shkëmbimi i këtyre të dhënave tregon se inxhinierët rusë po punonin mbi performancën e një sistemi që Irani e kishte zhvilluar dhe testuar tashmë, duke përdorur ekspertizën ruse për të identifikuar problemet dhe për të përmirësuar dizajnin.

Në prill 2025, Rosoboronexport propozoi dërgimin e rreth dy duzinave specialistësh rusë në Iran për konsultime teknike mbi programin C430L. Korrespondenca tregonte se Teherani duhej t’u përgjigjej më parë pyetjeve të inxhinierëve rusë lidhur me të dhënat e telemetrisë nga testi i fluturimit.

Programi është pjesë e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta strategjike dhe ushtarake mes Moskës dhe Teheranit. Irani i ka furnizuar Rusinë me dronë sulmues Shahed, të cilët janë përdorur gjerësisht në luftën në Ukrainë, ndërsa të dyja vendet kanë bashkëpunuar edhe për ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të këtyre mjeteve në Rusi.

Në të njëjtën kohë, zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë kanë akuzuar Rusinë se i ka ofruar Iranit mbështetje ushtarake gjatë konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, përfshirë imazhe satelitore, mbështetje për dronët dhe komponentë armësh.

Programi C430L përfaqëson një nivel më të thellë bashkëpunimi, pasi synon transferimin e njohurive teknike që mund t’i mundësojnë Iranit të zhvillojë një sistem të ri strategjik armësh.

NPO Mashinostroyenia është një nga kompanitë kryesore ruse në fushën e teknologjisë së raketave dhe është nën sanksione amerikane që prej vitit 2014 për aktivitetet e saj në zhvillimin e sistemeve raketore.

Ekspertët vlerësojnë se një raketë hipersonike kundër anijeve do të mund të përbënte një kërcënim të ri për anijet e Marinës amerikane në Lindjen e Mesme. Megjithatë, nuk ka deri tani prova se Irani ka arritur të zhvillojë një raketë hipersonike lundrimi operative me ndihmën ruse.

Korrespondenca e rrjedhur tregon se bashkëpunimi teknik rreth programit C430L ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Kremlini, Rosoboronexport dhe NPO Mashinostroyenia nuk iu përgjigjën kërkesave të Financial Times për koment, ndërsa as qeveria iraniane nuk dha përgjigje.

Nëse konfirmohet, programi C430L do të përbënte një tjetër tregues të thellimit të bashkëpunimit ushtarak Moskë-Teheran dhe të përpjekjeve të Iranit për të siguruar nga Rusia dhe Kina teknologji të avancuara për modernizimin e kapaciteteve të tij ushtarake.

/abcnews.al/

Aksident me vdekje në Fushë Krujë

2 September 2026 at 10:34

Një aksident me vdekje ka ndodhur pranë Urës së Gjolës në Fushë Krujë.

Mësohet se dy automjete janë përplasur “kokë më kokë”.

Sipas pasojë një person ka humbur jetën. Ndërsa një person tjetër është plagosur.

/abcnews.al/

Alarm në Gjermani, përpjekje e re për sabotim në rrjetin elektrik

2 September 2026 at 09:43

Gjermania po përballet me një përpjekje të dytë për sabotim në rrjetin e saj elektrik. Autoritetet kanë njoftuar se po hetojnë një sulm ndaj një nënstacioni në qytetin perëndimor të Bergheim.

Një zëdhënës i policisë deklaroi se kishte të bënte me një ndërhyrje në infrastrukturën teknike, duke shtuar se furnizimi me energji elektrike në zonë nuk ishte prekur.

“Nuk po nisemi nga supozimi se ky është një defekt teknik, por një akt i qëllimshëm”, njoftuan autoritetet.

Gjithashtu të martën, raketa që transportonin materiale përçuese dëmtuan linjat e energjisë në shtetin lindor gjerman të Brandenburgut.

Autoritetet gjermane janë vendosur në gatishmëri të lartë për sulme ndaj infrastrukturës kritike.

/abcnews.al/

“Berisha ka marrë peng PD”/ Bejko: Ktheu partinë në shërbim të tij. Opozita pa vizion për zgjedhjet

28 August 2026 at 23:42

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, Roland Bejko tha se Sali Berisha e ka marrë peng Partinë Demokratike.

Gjatë intervistës, Bejko tha se PD-ja ka humbur funksionin e saj si forcë politike që përfaqëson demokratët dhe qytetarët shqiptarë. Ai argumentoi se këto zhvillime kanë sjellë dobësimin dhe përçarjen e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë gjithnjë e më shumë si “parti të kryetarit” dhe “parti personale”.

“I ka ngel partia në derë. Sepse ajo derë e tij familjare, klanore e ka kthyer partinë në një ndërmarrje fitimprurëse dhe kanë humbur empatinë se çfarë duan demokratët, shqiptarët”, deklaroi Bejko.

Sipas tij, Berisha nuk ofron më një alternativë për demokratët dhe ka dëmtuar rëndë funksionimin e brendshëm të partisë. Bejko kritikoi edhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe listave, duke pretenduar se vota e anëtarësisë nuk kishte peshën e premtuar. Ndërsa më tej shtoi se sipas tij, opozita është pa vizion për zgjedhjet.

“Sepse ajo derë e tij familjare, klanorë e ka kthyer partinë në një ndërmarrje fitimprurëse dhe kanë humbur empatinë se çfarë duan demokratët, shqiptarët. Berisha tashmë nuk ofron asnjë ndihmë. E ndau PD në disa pjesë, i gënjeu demokratët, ju premtoi demokraci të brendshme. Vota e tyre nuk kishte peshë, sepse dihej se si bëheshin., Të tjera lista vinin me meritë dhe të tjera lista vendoseshin nga kryetari. PD u dëmtua sepse u nda, vazhdoi të bëhej edhe më shumë parti kryetari, parti personale”, tha ndër të tjera ai.

/abcnews.al/

Gjetje të reja pranë varrit të Jezusit/ Arkeologët zbulojnë varre dhe gjurmë kopshti nën Kishën e Varrit të Shenjtë

28 August 2026 at 23:20

Arkeologë italianë kanë zbuluar gjurmë të një peizazhi të lashtë varrezash nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem, një zbulim që, sipas një studimi paraprak, përputhet në disa aspekte me përshkrimet biblike të vendit ku besohet se u varros Jezu Krishti.

Zbulimi u bë gjatë gërmimeve arkeologjike në Kishën e Varrit të Shenjtë, një ndër vendet më të shenjta të krishterimit, e cila besohet nga shumë besimtarë se është ndërtuar mbi vendin ku Jezusi u kryqëzua, u varros dhe më pas u ringjall.

Gërmimet nisën rreth tre vite më parë, gjatë punimeve për restaurimin e dyshemesë së kishës, ndërsa fazat përfundimtare të kërkimeve u zhvilluan gjatë vitit 2025.

Sipas arkeologëve, nën strukturën e kishës u gjetën gjurmë të një guroreje të braktisur, sipërfaqe të kultivuara, varre të gdhendura në shkëmb dhe mbetje të një kopshti të lashtë. Arkeologia kryesore e projektit, Francesca Romana Stasolla nga Universiteti “La Sapienza” në Romë, tha se ekipi ka gjetur prova për ekzistencën e një “peizazhi të tillë varrezash”.

Zbulimi ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të ngjashmërisë me përshkrimin në Ungjillin sipas Gjonit. Në kapitullin 19 thuhet se në vendin ku u kryqëzua Jezusi “ishte një kopsht dhe në kopsht një varr i ri, në të cilin askush nuk ishte varrosur më parë”.

Arkeologët thonë se disa prej gjetjeve përputhen gjithashtu me përshkrimet e tjera biblike. Varret e zbuluara ishin gdhendur drejtpërdrejt në shkëmb, në një mënyrë që ngjan me përshkrimet e varrit të Jezusit në Ungjijtë sipas Mateut, Markut dhe Lukës.

Një tjetër element i rëndësishëm është zbulimi i gjurmëve të aktivitetit bujqësor. Ne zonë janë identifikuar ullinj dhe hardhi, ndërsa disa prej këtyre mbetjeve datojnë në periudhën e vdekjes së Jezusit, që tradicionalisht vendoset rreth vitit 33 pas Krishtit.

Gërmimet kanë zbuluar gjithashtu gjurmë të ndërhyrjeve të ndryshme historike në këtë hapësirë. Një prej dhomave të varrimit ishte bllokuar nga një strukturë romake e ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian, në shekullin e dytë.

Rreth dy shekuj më vonë, gjatë periudhës së perandorit Kostandin, struktura romake u shkatërrua dhe zona u gërmua përsëri. Varri u veçua nga dhomat e tjera dhe mbi të u krijua një hapësirë e veçantë e krishterë për pelegrinët.

Megjithatë, arkeologët theksojnë se gjetjet nuk përbëjnë provë përfundimtare se bëhet fjalë për varrin e Jezusit. Ajo që e bën zbulimin të rëndësishëm është përputhja mes karakteristikave të peizazhit të zbuluar dhe përshkrimeve të hershme të vendit të kryqëzimit dhe varrimit.

Zbulimi i ri pritet të ushqejë më tej debatin arkeologjik dhe historik mbi origjinën e Kishës së Varrit të Shenjtë dhe identifikimin e saj tradicional met vendin e kryqëzimit dhe varrimit të Jezus Krishtit.

Zelensky urdhëron rritjen e sulmeve me dronë ndaj Rusisë

28 August 2026 at 22:20

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka urdhëruar forcat e armatosura të Ukrainës të rrisin ndjeshëm sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi.

Në një fjalim të martën pasdite, Zelensky tha se objektivi është që numri i sulmeve të tilla të rritet në rreth 1,000 në ditë, nga afërsisht 300 që kryhen aktualisht.

“Duhet të ketë më shumë: ekziston një qëllim specifik dhe ne do ta përmbushim këtë detyrë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse duket se kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e karburanteve. Sipas dy burimeve të industrisë, të cituara nga Reuters, prodhimi i benzinës në Rusi kishte rënë në fund të gushtit në rreth 70% të nivelit të kërkesës së brendshme.

Një seri sulmesh ukrainase me dronë ka detyruar disa prej rafinerive kryesore ruse të ndërpresin ose të pezullojnë operacionet. Situata ka rikthyer mungesën e karburantit në disa rajone të vendit, pas një përmirësimi të përkohshëm në fund të korrikut, kur disa autoritete lokale nisën të lehtësonin kufizimet për shitjen e karburantit.

Burimet thanë se prodhimi i benzinës në fund të gushtit kishte rënë në nivele të ngjashme me ato të fillimit të korrikut.

Javën e kaluar, pas sulmeve me dronë ukrainasë, disa rafineri të mëdha ruse, të rëndësishme për furnizimin me benzinë, ndaluan punën. Mes tyre raportohet se ishin impiante në Perm, Nizhny Novgorod dhe Yaroslavl.

Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj sektorit energjetik rus si pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar kapacitetet e Moskës për prodhimin dhe eksportin e naftës, duke synuar kështu të reduktojë të ardhurat që financojnë luftën.

VIDEO/ Si në skenar filmi, 2 trafikantë “fluturojnë” me makinë për t’i shpëtuar policisë në Teksas

28 August 2026 at 22:05

Një ndjekje spektakolare, që ngjante me skenat e një filmi aksion, u zhvillua në Teksas, pasi dy burra të dyshuar për përfshirje në një rast trafikimi njerëzor tentuan t’u arratiseshin autoriteteve me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë.

Ngjarja ndodhi në zonën e Fayence, ndërsa ndjekja u zhvillua përgjatë autostradës ndërshtetërore I-10. Një helikopter i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së filmoi nga ajri lëvizjet e automjetit të dyshuarve gjatë ndjekjes.

Sipas autoriteteve, automjeti udhëtonte me shpejtësi mbi 160 km/h, përpara se ndjekja të merrte fund pasi në rrugë u vendos një shirit me thumba, duke detyruar automjetin të ndalonte.

Outstanding coordination by Border Patrol, AMO, HSI and Texas DPS. Suspected human smugglers hit 100+ mph and bailed out when their vehicle was disabled. One then carjacked a civilian at gunpoint.

Smugglers risk lives for profit. We will keep taking them down. pic.twitter.com/uGEWRNFCBk

— CBP Commissioner Rodney Scott (@CBPCommissioner) August 27, 2026

Pak sekonda më vonë, dy personat braktisën makinën dhe u larguan me vrap, madje duke tentuar të kalonin autostradën. Njëri prej tyre u kap menjëherë nga një efektiv i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.

I dyshuari i dytë arriti të largohej fillimisht nga vendi i ngjarjes. Sipas autoriteteve, gjatë arratisjes ai dyshohet se kërcënoi me armë një civil dhe i mori automjetin pranë një pike karburanti në zonë.

Pas kërkimeve, edhe i dyshuari i dytë u arrestua. Autoritetet bëjnë me dije se të dy burrat pritet të përballen me akuza që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe me tentativën për t’iu shmangur arrestimit.

Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi personat që dyshohet se ishin duke u transportuar apo mbi kombësinë e tyre. Hetimet për rastin vijojnë nga autoritetet amerikane.

❌