Normal view
Pas dorëheqjes së Savo Miniç, në Republikën Sërpska hapet rruga për formimin e qeverisë së re
Deputetët e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska miratuan dorëheqjen e Savo Miniqit nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës Sërpska RS), duke u përmbyllur edhe seanca e 29-të e jashtëzakonshme e parlamentit.
Së shpejti pritet të mblidhet Kolegji i Kuvendit Popullor, në të cilin do të përcaktohet data dhe rendi i ditës i seancës së ardhshme të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e Qeverisë së re të RS-së.
Miniq më 15 janar e ka kthyer mandatin, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, Ana Tërstiq Babiq, e ka njoftuar se do të propozohet sërish për mandatar.
Miniqi u emërua kryeministër nga Kuvendi Popullor i RS-së më 2 shtator të vitit të kaluar. Mandatin për formimin e Qeverisë ia kishte dhënë dhjetë ditë më herët Millorad Dodik.
Ky veprim ishte i kontestueshëm për një grup deputetësh të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), të cilët më 9 shtator paraqitën një apelim në Gjykatën Kushtetuese të BeH për vlerësimin e asaj vendimmarrjeje.
Konkretisht, Dodikut në fillim të gushtit i ishte hequr mandati i presidentit të RS-së, pasi Gjykata e BeH e kishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg (të cilin ai më pas e bleu) dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve politike, prandaj ai as nuk mund të propozonte Miniqin për mandatar.
Sipas Kushtetutës së entitetit, presidenti i RS-së i propozon Kuvendit Popullor kandidatin për kryetar të Qeverisë.
Koalicioni qeverisës në RS atëherë pohonte se mandatarin e kishte propozuar Dodik, si president i entitetit, ndonëse ai formalisht-juridikisht nuk ishte më në atë funksion pas aktgjykimit të formës së prerë dhe vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH, me të cilin atij i ishte hequr mandati.
Dodik atëherë vazhdonte të pretendonte se ishte president i RS-së, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe Kuvendi Popullor i RS-së e emëroi Anën Tërstiq Babiqin, këshilltaren e tij shumëvjeçare, si ushtruese detyre të këtij funksioni.
Gjykata Kushtetuese e BeH tashmë në nëntor të vitit të kaluar ka diskutuar për kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të RS-së, por ka theksuar se vendimin do ta marrë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.
Presidenti i Republikës propozon kandidatin për kryetar të Qeverisë brenda afatit prej 10 ditësh nga dita e miratimit të dorëheqjes, votimit të mosbesimit ose përfundimit të mandatit të Qeverisë së mëparshme për shkak të shpërndarjes ose shkurtimit të mandatit të Kuvendit Popullor.
Qeveria e re duhet të zgjidhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e propozimit të kandidatit për kryetar të Qeverisë së re./REL/
Shpendi rinis “fluturimin”/ Dy gola në Serinë B italiane për sulmuesin e Shqipërisë
Duket se po kthehet aty ku ishte. Kristian Shpendi, në moshën 22-vjeçare, ka rinisur të shënojë më rregullisht dhe për herë të parë këtë sezon të Serisë B realizoi dy gola në një ndeshje.
Ndodhi në fitoren që Çezena arriti në fushën e Rexhanës me shifrat 2-1, pra ai ishte vendimtar.
Një penallti në pjesën e parë dhe një goditje nga loja pas pushimit përmbysën rezultatin.
Për momentin ai ka dy gola më shumë sesa vëllai I tij binjak, Stiveni, që luan për Empolin dhe jo më kot kartoni I tij vlerësohet 5.5 milionë euro, edhe pse ka rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë.
Shpendi arriti tani në kuotën e 8 rrjetave, dhe duket se I ka lënë pas problemet e mund të vazhdojë më lart, e padyshim të fitojë Këpucën e Artë në Serinë B.
Shënuesi më I mirë është Pohjanpalo I Palermos me 12 goditje të sakta në rrjetë, e më pas vijnë tre futbollistë me nga 9.
Çezena ka 34 pikë dhe është në luftë për vendet e larta në tabelë, dhe për të synuar ngjitjen në Serinë A.
Nëse arrin vendin e dytë e siguron elitën direkt, ndërsa nga vendi I tretë tek I teti luajnë në plej of.
-
- Shtohet numri i shpendëve në Pogradec/ Ndikon habitati dhe klima në liqenin e Ohrit, ndryshe nga Prespa
Shtohet numri i shpendëve në Pogradec/ Ndikon habitati dhe klima në liqenin e Ohrit, ndryshe nga Prespa
Ndryshe nga liqeni i Prespës, ku vit pas viti ka ardhur në rënie numri i shpendëve ujorë, për shkak të ndryshimeve klimatike, e kundërta ka ndodhur me liqenin e Ohrit.
Sipas specialistit në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, Gani Bengos, këtë vit në liqenin e Ohrit kemi një rritje të numrit të shpendëve, për shkak se kushtet e florës, të klimës dhe habitatet në këtë liqen nuk kanë ndryshuar. Llojet janë të njëjta ndër vite.
“Në Pogradec kemi 10 grupe numërimi. Rezultatet e para janë të kënaqshme, kemi një numër më të lartë si rezultate të para”, tha Gani Bego, specialist në AZM.
Ndërsa sipas biologut Spase Shumka, shtimi i shpendëve në Pogradec ka ardhur në rritje, për shkak se Liqeni i Prespës ka pësuar ndryshime rrënjësore të habitateve nga ndryshimi i nivelit të ujit, duke bërë që shpendët të kenë gjetur habitat të përshtatshëm në liqenin e Pogradecit.
“Ka ulje të ujit në liqenin e Prespës dhe mendoj se ata kanë shtegtuar për në liqenin e Pogradecit”, tha biologu Spase Shumka.
Për biologun, habitatet e shpendëve dhe streha janë të nevojshme që të ruhen nga shkatërrimi i dorës së njeriut, siç është gjuetia, rritja urbane me anë të zhurmave, ndërtimeve apo turizmit.
Për dy ditë censusi u zhvillua në 34 vende në Shqipëri, ku vetëm 2 prej tyre ishin në Qarkun e Korçës./abcnews.al
-
- Hiqet masivi shkëmbor/ Nis qarkullimi në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, fillimisht për banorët e zonës
Hiqet masivi shkëmbor/ Nis qarkullimi në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, fillimisht për banorët e zonës
Në orët e mesditës së sotme është bërë e mundur hapja e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë.
Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet që subjekti ka kryer gjithë pastrimi masivit shkëmbor që u bë shkak i bllokimit të aksit rrugor.
Fillimisht aksi rrugor është i hapur vetëm për mjetet e banorëve të zonës.
Ndërkohë, prej ditës së nesërme pritet të jetë i hapur për të gjitha mjetet.
Aktualisht bëhet edhe inspektimi i këtij aksi rrugor dhe për të përforcuar relievet shkëmbore me rrjeta./abcnews.al
Inter, me ritëm titulli/ Zikaltërit ia dalin në Udine, për momentin Milan 6 pikë prapa
Ka vetëm një ndalesë në gati 3 muaj. Interi po e tregon veten si skuadra më e kompletuar dhe më e fortë në Serinë A, dhe suksesi në fushën e Udinezes konfirmoi momentin pozitiv.
Janë 8 fitore në 9 ndeshje që nga 23 nëntori kur u pësua humbja në derbi përballë Milanit.
Nga ajo kohë, vetëm Napoli e ka bllokuar në një barazim 2-2 në “San Siro” pak ditë më parë.
Në stadiumin “Friuli”, zikaltërit dominuan dhe nuk e vunë në dyshim epërsinë e tyre, edhe pse shënuan vetëm një gol, duke humbur shumë raste.
Lautaro Martinez realizoi shpejt, që në 20’, me topin të shërbyer nga talenti I ri Pio Espozito.
“Lautaro këndon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – kapiteni godet me asist nga Pio, Interi në +6! Kryesuesit dominojnë, 8 fitore në 9 të fundit në Serinë A! Të martën vjen Arsenali!”
Natyrisht, ky Inter nuk është pa probleme.
E ka pasur shumë të vështirë ndaj rivalëve direktë si Juventus, Milan apo Napoli, si edhe kundër Liverpulit apo Atletikos në Champions, dhe humbi një ndeshje që vlente titull në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Bolonjës.
Trajneri Kristian Kivu, më I miri I muajit të fundit në Serinë A, e di se ka ende shumë për të bërë, por duket se personaliteti I tij po e ndihmon skuadrën zikaltër që të shkojë drejt trofeve.
Inter kryeson Serinë A me 49 pikë ndaj 43 të Milanit që luan sonte në “San Siro” ndaj Leçes.
Juventus nuk është “Zonjë”/ Bardhezinjtë mposhten në ishull, Cagliari shuan entuziazmin
Të paktën me lojë nuk zhgënjen. Juventusi i Luçiano Spaletit nuk është si dikur ai i Trapatonit apo Alegrit, ndonëse rekordmenët e titujve në Itali duan edhe trofe, ndaj edhe kritikat pas rrëzimit në Kaljari ishin të forta.
“Zonja e Vjetër” u duk e bukur, por tepër e shkujdesur në stadiumin “Unipol Domus” në ishullin e Sardenjës, që zëvendësoi impiantin e vjetër “Sant Elia”.
Skuadra piemonteze duhej të kishte fituar sfidën e Serisë A me rastet që krijoi, por duket se mungon njeriu-gol, ndaj edhe u ndëshkua.
Një gol shumë I bukur I Kaljarit shënuar nga Luka Maciteli në 65’ vendosi fatin e përballjes dhe Juves nuk I bënë punë 22 gjuajtjet, nga të cilat 7 në kuadrat, dhe plot 78 për qind mbajtje topi.
Ishullorëve u mjaftuan vetëm dy goditje, që të dyja në portë.
Në mungesë të Dushan Vlahoviçit të dëmtuar, David nuk po mundet ta mbajë barrën plotësisht, as Jildiz apo Mekkeni, ndërsa trajneri Spaleti pati kritika për Edon Zhegrovën e Konseisaon, që sipas tij nuk ishin të kthjellët.
“Spaleti, çfarë grushti, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – një goditje fatale! Kaljari realizon diçka të madhe, fiton 1-0! Maciteli hedh tuç Juventusin!”
Ja edhe e përditshmja torineze, “Tutosport”: Të hedhur nokaut në Kaljari, 1-0! Juve, duhet menjëherë Mateta! Një gol I bukur na ndëshkon për rastet e humbura!”
Zhan Filip Mateta është sulmues francez 28-vjeçar që luan për Kristël Palasin në Angli, e që ka shënuar 8 gola deri tani në Premier Ligë. Juventus ka mbetur 10 pikë prapa kreut të Serisë A që mbahet nga Interi.
-
- Ndryshon piramida ushqimore/ Në qendër të vëmendjes, shmangia e ushqimeve të procesuara dhe yndyrnat
Ndryshon piramida ushqimore/ Në qendër të vëmendjes, shmangia e ushqimeve të procesuara dhe yndyrnat
SHQIPËRI– Stili i jetesës është shkak, sipas studimeve, për shtimin e obezitetit dhe shumë sëmundjeve kronike si ato kardiovaskulare, metabolike, neurodegjenerative, diabeti e të tjera. Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara, pas më shumë se tre dekadash, të ndryshojnë piramidën ushqimore. Ajo përdoret zakonisht në qendra komunitare, ku regjimi ushqimor menaxhohet nga institucionet, por është gjithashtu një sugjerim për të gjithë për një ushqyerje të shëndetshme.
“Deri para ca kohësh flitej për kosin pa yndyrë, për produkte pa sheqer. Unë do të thosha që të gjitha proceset nëpër të cilat kalon një ushqim, ku duhet t’i hiqet një substancë, procesimi dhe substancat që i shtohen, kthehen shumë herë më të dëmshme për organizmin se niveli i yndyrës tek qumështi apo tek kosi. Kështu që duhet padyshim të kalojmë në ushqimet e plota dhe padyshim në yndyrna të mira: vaj i ullirit, po ashtu dhe tek yndyrnat e tjera si avokado, arra. Pastaj çdo individ individualizohet bazuar mbi shportën ushqimore të zonës ku është.”, tha mjekja nutricioniste, Albanan Daka.
Nga një model që sugjeronte si bazë drithërat, karbohidratet dhe shmangie të yndyrnave, piramida është përmbysur duke i dhënë përparësi proteinave, ushqimeve të plota, perimeve dhe yndyrnave të shëndetshme.
“Para disa vitesh teorikisht thuhej se proteina duhet të ishte 0.8-1 gram për kg peshë, pra për një person 70 kg – 70 gramë proteinë, duke e çuar proteinën nga 0.8 në 1 në 1.4–1.6, në disa raste dhe më shumë tek sportistët.”, tha ajo.
Ka eliminuar totalisht, hap shumë i madh, ushqimet e procesuara, për të cilat studimet e fundit japin një korrelacion shumë të madh mes dëmit që ushqimet e procesuar bëjnë për mbipeshën, obezitetin, ku marrin fillimin të gjitha sëmundjet kronike.
Udhëzimet e reja, sipas mjekëve, pritet të reduktojnë shumë probleme shëndetësore të shtuar në dekadat e fundit. Kjo është edhe për shkak të lidhjeve të gjetura mes shëndetit të zorrëve me shumë neurotransmetues që ndodhen aty dhe sëmundjeve të ndryshme/abcnews.al
-
- Forcë e pamposhtur për fëmijën e saj/ Historia e të moshuarës Durime Asllani, sfidon moshën për vajzën e saj të sëmurë
Forcë e pamposhtur për fëmijën e saj/ Historia e të moshuarës Durime Asllani, sfidon moshën për vajzën e saj të sëmurë
“Është beteja më e madhe e jetës time që po kaloj me këtë vajzë. Sepse pa fëmijë, pa burrë. Kam bërë 85 vjeç, pavarësisht se jeta është e dhimbshme, por, para kësaj, nuk më dhimbset jeta. Të kisha ikur”
Sfida e një nëne nuk njeh moshë. Ajo është gjithmonë aty për fëmijën e saj. E tillë është sakrifica e nënës 85-vjeçare, Durime Asllanit, të cilën fati e ka vënë përballë një sfide të vështirë në moshën më delikate të jetës, atë të pleqërisë.
Ajo duhet të kujdeset për vajzën e saj, 60-vjeçe, Rajmondën, e cila është diagnostikuar me sëmundjen e rëndë të kancerit.
“Kam ardhur në spital me vajzën, që e kanë shtruar. Ajo më përpara ka qenë shumë mirë, brenda dy muajve ankoi një këmbë dhe e sollëm në spital. Pas ekzaminimeve në kurriz, i doli që ka kapur kockën. Pastaj gjirin. Këtë të kurrizit në gradë të 4, atë të gjirit në gradë të dytë. Është me kancer.”, tha ajo.
85-vjeçarja është nënë e gjashtë fëmijëve. Prej dy muajsh ajo sfidon moshën duke shoqëruar vajzën e saj nëpër dyert e spitaleve në vend. Përballë kësaj beteje, Rajmonda ka edhe mbështetjen e motrave dhe të vëllezërve të saj.
“Është shumë e vështirë që nëna të shoh fëmijën shtrirë. Më mirë të kisha ikur vetë përpara. Vështirësi se lodhem duke ardhur, po vështirësi të tjera nuk kam. Qoftë nga ekonomia apo të tjera, sepse kam fëmijët jashtë vendit dhe sot do vijnë këtu. Mblidhemi të tërë.”, pohoi ajo.
Përballë rrugëtimit të vështirë, nënë Durimia është bërë më e fortë, forcë e cila buron nga misioni për t’i shërbyer vajzës së saj.
“Do bëhem e fortë sepse duhet të jem për atë. Që ti bëj hyzmet. Mos ta lë që të torturohet ajo. Do bëhem e fortë me se s’bën.”, u shpreh ajo.
Sëmundja u zbulua në një stad të avancuar. Nënë Durimia ka një mesazh për gratë dhe vajzat: “U bëj thirrje vajzave e grave të mos e nënvlerësojnë veten, të shkojnë te doktori. Nuk të bënë dot askush gjë sot, përveç Zotit dhe mjekut.”, tha 60-vjeçarja.
Historia e nënës 85-vjeçare është dëshmi e forcës së pamposhtur të një nëne, e cila sfidon moshën, lodhjen, dhimbjen, për të qenë gjithmonë në vijën e parë të luftës për fëmijën e saj./abcnews.al
Gripi mbush urgjencat pediatrike/ Mbi 250 fëmijë paraqiten çdo ditë në QSUT, dominon varianti A
TIRANË- Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit. Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor. Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.
“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.
Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.
“Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.
Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.
“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.
Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim. Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./abcnews.al
-
- Operacioni kundër Call Center në Tiranë/ SPAK jep detajet: Tetë të arrestuar, tre në kërkim! Si funksiononte skema
Operacioni kundër Call Center në Tiranë/ SPAK jep detajet: Tetë të arrestuar, tre në kërkim! Si funksiononte skema
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.
Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale tw menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.
Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.
Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.
Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona.
Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas tw tjerw, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.
Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.
Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.
Goditi për vdekje punëtorin/ Arrestohet 32-vjeçari, drejtues i eskavatorit
Pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën një 45-vjeçar, Policia e Himarës ka arrestuar një 32-vjeçar.
Ky i fundit duke drejtuar një eskavator në Palasë ka goditur aksidentalisht 45-vjeçarin.
Drejtuesi i eskavatorit akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Forcat e policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të aksidentit tragjik.
Porta e oborrit e zë poshtë, lëndohet i mituri në Tiranë
Një i mitur 12-vjeç është dërguar është transportuar me urgjencë drejt spitalit pasi gjatë tentativës për të mbyllur portën e jashtme të oborrit të banesës, porta ka dalë nga shina dhe i ka rënë mbi trup.
Aktualisht, i mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia po punon për sqarimin e rrethanave.
Indonezi, gjenden mbetjet e avionit të zhdukur me 11 persona
Indonezia gjeti të dielën mbetje të avionit që u zhduk të shtunën me 11 persona në bord, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve ANTARA. Forcat Ajrore të Indonezisë thanë se kanë dislokuar një ekip pasi vendi i rrëzimit u identifikua në zonën e malit Bulusaraung, në provincën Sulawesi Jugor.
“Si vijim i gjetjeve, Forcat Ajrore të Indonezisë dislokuan menjëherë pesë ushtarë nga Korpusi i Forcave të Reagimit të Shpejtë (Korpasgat) dhe një pjesëtar nga Basarnas (Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit), duke përdorur një helikopter H225M Caracal në vendngjarje”, tha në një deklaratë kreu i Shërbimit Informativ të Forcave Ajrore të Indonezisë, Nyoman Suadnyana.
Ai shtoi se personeli i Korpasgatit ka nisur përgatitjen e masave fillestare të evakuimit pas mbërritjes në vend. Ndërkohë, ekipet tokësore, së bashku me komunitetin lokal, vazhdojnë përpjekjet për kërkim dhe evakuim.
Avioni ATR 42-500, i operuar nga Indonesia Air Transport, humbi kontaktin të shtunën në rrethin Maros, në provincën Sulawesi Jugor, teksa ishte në fluturim nga Yogyakarta drejt Makassarit, kryeqyteti i Sulawesit Jugor.
Avioni po transportonte tetë anëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë./abcnews.al
Rama: Ftesa e Trump, pa kushte/ Kryeministri mohon pagesa apo pritje palestinezësh
TIRANË- Shqipëria është një nga të paktat vende të përzgjedhura si anëtare themeluese në Bordin e Paqes, dhe pa kushtëzime.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë zërat se ftesa e Donald Trump ka qenë vetëm një formalitet, pasi letra mund t’u kishte shkuar edhe liderëve të gjithë vendeve anëtare të OKB.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka detyrim as të paguajë e as të pranojë palestinezë për të qenë anëtare e Bordit.
Kryeministri ka një mesazh për kritikët e kësaj ftese, por i siguron se anëtarësimi në Bordin e Paqes të drejtuar nga Trump, vetëm e lartëson Shqipërinë në skenën ndërkombëtare.
“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB GËNJESHTËR.
Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO GËNJESHTËR Palestinezët do të vijnë në Shqipëri GËNJESHTËR. E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, shkruan kryeministri i vendit./abcnews.al
Goditi me thikë bashkëfshatarin/ Prokuroria e Fierit mbyll hetimet, dërgohet për gjykim 44-vjeçari
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Lulzim Muca për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë”.
Hetimet zbuluan se më 9 qershor 2025, rreth orës 15:30, në fshatin Çermë, Njësia Administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, i pandehuri goditi viktimën Ferit Balkiun katër herë me një mjet prerës, duke i shkaktuar plagë të rrezikshme për jetën në bark.
“Sulmi ndaj të plagosurit është ndërprerë dhe nuk është përfunduar për shkak të thyerjes së mjetit prerës gjatë sulmit, tehu së bashku me pjesën fundore është shkëputur tërësisht nga doreza, si dhe për shkak të ndërhyrjes së personave të tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Shkak për këtë ngjarje ka qenë një debat verbal me fyerje reciproke mes të pandehurit dhe viktimës pak minuta para ngjarjes”, thekson prokuroria.
Shkak i ngjarjes ishte një debat verbal me fyerje reciproke mes të pandehurit dhe viktimës pak minuta para sulmit me thikë.
Bruksel, takim urgjent i 27 ambasadorëve të BE për tarifat BE-SHBA
Ambasadorët nga 27 vendet e Bashkimit Evropian do të mblidhen sot për një takim urgjent pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi një valë tarifash në rritje ndaj aleatëve evropianë derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Groenlandën.
Mediat raportojnë duke vënë në dukje se Qiproja, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së me rotacion, njoftoi se ka thirrur takimin për ditën e sotme.
Diplomatët e BE-së thanë se ”takimi është planifikuar të fillojë në orën 17:00”.
Tregtonte ilaçe kontrabandë dhe të skaduara, arrestohet 42-vjeçari në Fier
FIER– Policia e Fierit pas një hetimi disamujore me metoda speciale ka goditur një rast të hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të futura kontrabandë.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë një 42-vjeçar, banues në Fier, i cili magazinonte në banesë medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara, që më pas i shpërndante në farmacitë e qytetit për përfitim financiar.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan gjithsej 4289 kuti medikamentesh, konkretisht 1635 kuti ilaçesh të skaduara dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, të dyshuara si kontrabandë.
I arrestuari akuzohet për “Prodhimin dhe tregtimin e barnave të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehjen e të ardhurave”, si dhe vepra të tjera që lidhen me kontrabandën./abcnews.al
“Shqipëria sovrane në energji”, Rama: Kjo do arrihet brenda këtij mandati
TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe shënoi një moment tejet të rëndësishëm, ku mori pjesë në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ai bëri të ditur se, gjatë paneleve të organizuara, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, diskutuan mbi përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm, rritjen e kapaciteteve energjetike dhe rolin e teknologjisë në procesin e integrimit europian.
Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh krenar për bashkëpunimin trilateral mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar rolin kyç të Shqipërisë në krijimin e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë së gjelbër. Sipas tij, energjia do të transmetohet përmes një kablli nënujor drejt Italisë dhe vendeve të tjera, duke i dhënë vendit një avantazh të rëndësishëm strategjik.
Kryeministri theksoi se objektivi kryesor i qeverisë është arritja e sovranitetit energjetik, duke garantuar se Shqipëria do ta realizojë këtë synim brenda mandatit aktual qeverisës.
“Java ka patur një tjetër moment tejet të rëndësishëm që është shënuar gjatë vizitës sonë në Emiratet e Bashkuara, ku isha i ftuar të merrja pjesë në Samitin tradicional tanimë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku ishin organizuar edhe një sërë panelesh, një ndër të cilët ishte paneli ku, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, ne iu përgjigjëm një sërë pyetjesh që shprehnin interesimin, pikërisht, për përpjekjet që po bëjmë në sensin e zhvillimit të qëndrueshëm, të rritjes së kapaciteteve energjetike dhe, patjetër, edhe në sensin e shfrytëzimit maksimal të teknologjisë, si një instrument shumë i rëndësishëm në funksion edhe të procesit të anëtarësimit.
Kam qenë shumë krenar kur kam folur për bashkëpunimin trilateral mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, ku Shqipëria ka një rol kyç, si vendi ku do të krijohet një kapacitet gjenerimi i energjisë së gjelbër, që përmes kabllit nënujor që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, do të transmetohet në Itali dhe në vende të tjera, duke i dhënë Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm strategjik. Por më e rëndësishmja, kam përcjellë edhe një mesazh për të cilin unë personalisht, po edhe e gjithë shumica jonë qeverisëse, ka krenarinë të jetë bartëse – Shqipëria sovrane në energji. Pasi, sipas programit dhe sipas të gjitha hapave që po i hedhim mbi planin e detajuar për këtë program, Shqipëria do të ketë sovranitet energjetik brenda këtij mandati të qeverisë sonë, mandatit të 83 mandateve.”, tha Rama./abcnews.al
-
- Rama: S’ka pezullim vizash për SHBA/ Kryeministri për aludimet e opozitës: Dezinformimi, strategjia drejt humbjes
Rama: S’ka pezullim vizash për SHBA/ Kryeministri për aludimet e opozitës: Dezinformimi, strategjia drejt humbjes
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet e opozitës se shqiptarëve u janë pezulluar vizat për në SHBA.
Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për vizat, por lejet e qëndrimit për punë, pasi administrate Trump ka parë abuzimin me to nga të huajt gjatë qëndrimit në SHBA.
Por edhe kësaj radhe, për Ramën, burimi i dezinformimit për shqiptarët ishte opozita.
Ai i paralajmëroi sërish se nga entuziazmi i nxituar do të shkojnë tek humbja e thelluar.
“Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.
Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm. Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart.”, tha Rama./abcnews.al