Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Abc News

Arratisja spektakolare e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, 8 të arrestuar

By: Rovena
14 January 2026 at 09:54

Task Forca e Prokurorisë së Durrësit ka arrestuar 8 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, paraditen e djeshme, 13 janar.

Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

3 vjedhje në dy javë/ Arrestohen tre “skifterët” në Tiranë, në një banesë, vodhën 14 mijë euro

By: Rovena
14 January 2026 at 09:52

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që kryente vjedhje në banesa. Janë arrestuar 3 pjesëtarët e grupit.  Të tre, të dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Zbardhen 3 vjedhje të kryera nga ky grup, gjatë muajit janar. Njëra prej vjedhjeve u krye dje, ndërsa në njërën prej banesave, u vodhën 14 000 euro dhe sende me vlerë.

Pjesëtarët e grupit fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave. Më pas, pamjet studioheshin nga pjesëtarët e grupit, për të zbërthyer mekanizmin dhe për të mundësuar hapjen, me çelës universal

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Strategjia”, në kuadër të të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Princi iranian u bën thirrje SHBA-ve për veprim në Iran

By: Rovena
14 January 2026 at 09:41

Reza Pahlavi, djali i fundit i shahut (Mbretit) të Iranit dhe një prej kritikëve të regjimit aktual, tha se forcat opozitare janë gati të veprojnë nëse bie regjimi klerikal në Iran, duke ftuar ligjvënësit amerikanë të mbështesin masa që fuqizojnë popullin iranian.

Ai shpjegoi se brenda Iranit ekziston një strukturë që mund të punojë bashkë me partnerët e jashtëm në një proces tranzicioni dhe se është thelbësore të mbrohet identiteti i këtyre grupeve për të mos rënë në rrezik para kohe.

Pahlavi theksoi se sapo ky regjimi të bjerë, këto forca brenda vendit mund të aktivizohen menjëherë për tranzicionin e pushtetit.

Ai gjithashtu tha se ka ardhur momenti për veprime konkrete dhe u bëri thirrje organeve legjislative që të mbështesin çdo gjë që fuqizon popullin.

Princi theksoi se qytetarët iranianë janë të lodhur nga represioni dhe kërkojnë lirinë, ndërsa reagimi i regjimit ka qenë shumë brutal. Pahlavi tha se nuk duhet të negociohet apo të qetësohet regjimi që për dekada ka shtypur popullin.

Ndryshe, portali amerikan Axios raportoi se i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, është takuar gjatë fundjavës me Pahlavin për të diskutuar protestat që po tronditin Iranin. Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi të martën se ka anuluar bisedimet me zyrtarët iranianë mes shtypjes së protestave, duke u dërguar një mesazh qytetarëve të Iranit se “ndihma është në rrugë”.

Grupi për të drejtat e njeriut: Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran

By: Rovena
14 January 2026 at 09:27

Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë.

HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.

Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore.

“Ndihma po vjen”

I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.

Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.

“Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.

Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.

Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës.

Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim.

Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë.

Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.

Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.

Presidenti i Polonisë: Vetëm Donald Trump mund ta ndalë Putinin të kërcënojë Europën

By: Rovena
14 January 2026 at 09:01

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shprehet se Donald Trump është i vetmi lider botëror që mund ta ndalë Vladimir Putinin të kërcënojë Europën dhe të kontribuojë në përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, Rusia nuk është e besueshme dhe përbën një kërcënim serioz për Poloninë, Europën Qendrore dhe Lindore, duke testuar vazhdimisht mbrojtjen e NATO-s përmes sulmeve me dronë, dezinformimit dhe veprimeve në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Nawrocki thekson se Polonia ndodhet në një gjendje lufte hibride me Rusinë që prej vitit 2021 dhe përmend si shembull inkursionin masiv të dronëve rusë në territorin polak. Ai falënderon Britaninë për mbështetjen ushtarake dhe për dislokimin e avionëve luftarakë në mbrojtje të kufijve polakë.

Presidenti polak nënvizon se Shtetet e Bashkuara mbeten garantuesi kryesor i sigurisë europiane dhe paralajmëron se një shkëputje e Europës nga SHBA-ja do të dëmtonte sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Europian. Ai kritikon disa liderë europianë për fokusin në çështje ideologjike, si politika klimatike dhe migracioni, në vend që të forcojnë sigurinë e kontinentit, duke theksuar se Polonia po shpenzon gati 5% të PBB-së për mbrojtjen.

Qarku i Shkodrës drejt përmirësimit/ Përmbytjet, në Obot ka rënie të nivelit të ujit

By: Rovena
14 January 2026 at 08:51

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 cm, nga 100 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Dajç: 80 ha

Velipojë: 100 ha

Ana e Malit: 530 ha

Bërdicë: 50 ha

Totali: 760 ha

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.

SHBA miraton shitjen e çipave me inteligjencë artificiale të Nvidia-s në Kinë

By: Rovena
14 January 2026 at 08:40

Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kompaninë Nvidia të rifillojë shitjen e disa prej çipave të saj të avancuar të inteligjencës artificiale (IA) në Kinë, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Tregtisë.

Vendimi përfshin çipin H200, gjysmëpërçuesin e dytë më të avancuar të Nvidia-s, i cili më parë ishte kufizuar për shkak të shqetësimeve se mund t’i jepte Kinës avantazh teknologjik dhe ushtarak ndaj SHBA-së. Sipas autoriteteve amerikane, eksportet do të lejohen vetëm nëse ka furnizim të mjaftueshëm të çipave në tregun amerikan.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se shitjet do të lejohen vetëm për “klientë të miratuar” në Kinë dhe do të shoqërohen me një tarifë prej 25%. Nvidia e ka përshëndetur vendimin, duke thënë se ai do të ndikojë pozitivisht në prodhimin dhe punësimin në SHBA.

Departamenti i Tregtisë sqaroi se klientët kinezë duhet të përmbushin standarde të rrepta sigurie dhe se çipat nuk mund të përdoren për qëllime ushtarake. Ndërkohë, çipi më i avancuar i kompanisë, Blackwell, mbetet i ndaluar për shitje në Kinë.

Pekini reagoi duke kundërshtuar atë që e cilëson si “politizim të teknologjisë dhe tregtisë”. Zëdhënësi i ambasadës kineze në SHBA, Liu Pengyu, tha se kufizimet dëmtojnë stabilitetin e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe nuk i shërbejnë interesave të përbashkëta.

Nvidia ndodhet në qendër të rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës në garën globale për inteligjencën artificiale. Analistët vlerësojnë se, pavarësisht shqetësimeve për varësinë nga teknologjia amerikane, kompanitë kineze do të kërkojnë çipat H200 deri sa alternativat vendase të bëhen më konkurruese.

Protestat e përgjakshme në Iran/ Mjekja iraniane thotë se forcat e sigurisë po “qëllojnë brenda” spitaleve

By: Rovena
14 January 2026 at 08:20

Një mjeke brenda Iranit i ka thënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL) se forcat e sigurisë kanë bastisur spitalet dhe kanë vrarë protestues të plagosur, në vazhdën e shtypjes brutale të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit.

Mjekja, e cila tha se punon në një spital në jug të Iranit, theksoi se anëtarë të forcave të sigurisë iraniane kishin “vrarë” protestuesit që ishin shtruar në spital për shërim.

“Ata vranë shumë [demonstrues], arrestuan shumë prej tyre, ndërsa shumë të tjerë janë në arrati”, tha mjekja, e cila foli për Radion Farda në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

“Gjendja është shumë e rëndë”, shtoi ajo.

REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e mjekes.

Autoritetet e kanë ndalur internetin dhe i kanë bllokuar linjat telefonike, por kanë dalë dëshmi nga dëshmitarë okularë që tregojnë se shteti po zhvillon një nga goditjet më vdekjeprurëse ndonjëherë kundër protestuesve në rrugë.

Të paktën 648 njerëz, kryesisht protestues, janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat druhen se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë mijëra sosh.

Forcat e sigurisë iraniane kanë përdorur forcë brutale, përfshirë qitjen me municion të vërtetë ndaj protestuesve, sipas videove të verifikuara nga REL-i dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.

“Po i vrasin të gjithë”

Spitalet në gjithë Iranin janë mbushur me të vdekur dhe të plagosur, sipas mjekëve dhe infermierëve brenda vendit me rreth 92 milionë banorë.

“Është një situatë e tmerrshme, pothuajse gjithçka është e mbyllur”, i tha Radios Farda një infermiere që jeton në kryeqytet, Teheran.

“Ka shumë njerëz me dëmtime në sy. Njerëzit thonë se nuk e duan këtë regjim. Po i vrasin të gjithë”, shtoi ajo.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar përdorimin e fishekëve metalikë të shtënë nga armë gjahu. Forcat e sigurisë shënjestrojnë qëllimisht sytë dhe kokat e protestuesve.

Mjekja në jug të Iranit tha se protestat janë “zbehur” pasi autoritetet nisën një goditje në shkallë të gjerë në qytetet kryesore, përfshirë Teheranin, më 8 dhe 9 janar.

Protestat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e lirë e monedhës kombëtare, por më pas janë shndërruar në kërcënimin më të madh për sundimtarët klerikalë të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Një burrë në qytetin e Karajit, pranë Teheranit, tha se kishte parë forcat e sigurisë duke qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve.

“Pashë të gjithë ata që po vraponin, po binin përtokë, [forcat e sigurisë] po qëllonin”, tha burri, i cili foli për Radion Farda në kushte anonimiteti. “Nuk e di çfarë lloj municioni po përdornin, por tingëllonte si municion i vërtetë”.

Ai tha se forcat e sigurisë i grumbullonin protestuesit e vdekur në kamionë dhe largoheshin me ta.

“Nuk u interesonte kush ishin këta njerëz”, shtoi ai. “U ktheva në shtëpi dhe gruaja më pyeti nëse po qaja nga gazi lotsjellës. I thashë se po qaja për të rinjtë [e vrarë]”.

Aksident tragjik në Tajlandë, së paku 22 të vdekur

By: Rovena
14 January 2026 at 08:14

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi një vinç ndërtimi u shemb dhe ra mbi një tren pasagjerësh në Tajlandë, duke shkaktuar një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në vitet e fundit. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa treni po kalonte pranë një kantieri ndërtimi.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ekipet e shpëtimit duke u ngjitur mbi vagonët e shkatërruar dhe duke inspektuar dëmet e mëdha të shkaktuara nga përplasja. Sipas raportimeve të “Bangkok Post”, përplasja shkaktoi edhe zjarr, ndërsa zjarrfikësit u detyruan të përdorin mjete prerëse hidraulike për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar brenda vagonëve.

Një dëshmitar okular, banori lokal Mitr Intrpanya, i tha agjencisë AFP se fillimisht dëgjoi një zhurmë të fortë, e ndjekur nga dy shpërthime. “Kur shkova të shihja çfarë kishte ndodhur, pashë vinçin të rënë mbi trenin e pasagjerëve me tre vagonë. Metali i vinçit goditi vagonin e dytë dhe praktikisht e preu në mes”, deklaroi ai.

Ministria e Shëndetësisë Publike e Tajlandës konfirmoi se, deri në orët e paradites, të gjithë pasagjerët, të plagosur apo jo, janë larguar nga vendngjarja. Fillimisht u raportua se rreth 80 persona kishin pësuar lëndime. Ministri i Transportit ka urdhëruar hapjen e një hetimi të menjëhershëm për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Aksidentet vdekjeprurëse në sektorin e ndërtimit nuk janë të rralla në Tajlandë, kryesisht për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë. Vetëm në vitin 2022, sipas një studimi të Fondit të Kompensimit të Punëtorëve, mbi 4,500 punëtorë u vranë ose u plagosën në aksidente ndërtimi. Në vitet e fundit, vendi ka përjetuar edhe tragjedi të tjera të mëdha, përfshirë shembjen e një ndërtese shumëkatëshe në Bangkok gjatë një tërmeti, ku humbën jetën mbi 100 persona.

OKB: Viti 2025, më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë

By: Rovena
14 January 2026 at 07:43

 

Viti 2025 ka qenë më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë njoftoi se të paktën 2 mijë e 514 civilë u vranë nga dhuna e lidhur me konfliktin gjatë vitit të kaluar. Ky numër është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2 mijë e 88 viktima civile, dhe me vitin 2023, kur u raportuan 1 mijë e 974 të vrarë. Edhe numri i civilëve të plagosur ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.

Sulmi më vdekjeprurës i vitit ndodhi në nëntor në qytetin perëndimor të Ternopilit, ku humbën jetën të paktën 38 civilë, përfshirë tetë fëmijë.

Të martën, 13 janar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet ruse gjatë natës kishin vrarë katër persona në Kharkiv dhe kishin lënë “qindra mijëra familje” pa energji elektrike në Kiev dhe zonat përreth, në kushte temperaturash të ulëta. Sipas misionit të OKB-së, numri total i civilëve të vrarë dhe të plagosur në vitin 2025 përfaqëson një rritje prej 31% krahasuar me vitin 2024 dhe 70% krahasuar me vitin 2023.

Më herët, OKB kishte raportuar se të paktën 8 mijë e 6 civilë u vranë dhe 13 mijë e 287 u plagosën gjatë 12 muajve të parë pas nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Në nëntor, numri total i civilëve të vrarë që nga fillimi i luftës kishte kaluar shifrën 14 mijë e 534.

Shefja e misionit të OKB-së, Danielle Bell, tha se shifrat e vitit 2025 përfaqësojnë “një përkeqësim të dukshëm të mbrojtjes së civilëve”. Sipas saj, rritja e viktimave nuk lidhet vetëm me intensifikimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit, por edhe me përdorimin e zgjeruar të armëve me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë ekspozuar civilët në të gjithë vendin ndaj rrezikut të shtuar.

Ndërkohë, presidenti Zelensky njoftoi se pothuajse 300 dronë, 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese kishin goditur qytete të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në rajonin e Kievit.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar gjatë asaj që ushtria e përshkroi si një sulm raketor. Drejtori ekzekutiv i kompanisë energjetike Yasno deklaroi se i gjithë qyteti ishte futur në “ndërprerje emergjente” të energjisë, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarret dhe të rikthenin furnizimin me energji në temperatura nën zero.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën energjetike për t’i “privuar qytetarët nga energjia elektrike, uji dhe ngrohja”, ndërsa temperaturat në mëngjes zbritën nën -15 gradë Celsius. Disa zona të kryeqytetit kishin mbetur tashmë për ditë të tëra pa ngrohje dhe energji elektrike për shkak të sulmeve të javës së kaluar.

Zelensky deklaroi gjithashtu se katër persona u vranë nga një sulm raketor “pa asnjë qëllim ushtarak” mbi një terminal postar në Korotych, në rajonin e Kharkivit. Guvernatori i rajonit verilindor tha se 10 persona u plagosën, ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se 30 persona u evakuuan.

Në rajone të tjera, guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, raportoi se dy persona u vranë nga sulmet në lindje të vendit. Ndërkohë, autoritetet në Odesa, në jug të Ukrainës, thanë se gjashtë persona u plagosën dhe se sulmet dëmtuan banesa, objekte energjetike, një spital dhe një kopsht fëmijësh.

Kievi njoftoi se kishte kryer gjithashtu një sulm gjatë natës ndaj një uzine për prodhimin e dronëve në rajonin perëndimor rus të Rostovit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se në zonë u regjistruan shpërthime dhe një zjarr.

Sulmet e fundit ndodhën dy ditë pasi pushtimi i plotë rus hyri në ditën e tij të 1 mijë e 418-të, po aq sa zgjati përfshirja e Ushtrisë Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarina Matheronva, shkroi në rrjetet sociale se, ndryshe nga e kaluara, “këtë herë Putini e zgjodhi këtë luftë, e planifikoi, e nisi dhe mban përgjegjësinë për të”.

 

Trump paralajmëron Iranin: Do të reagojmë ashpër nëse ekzekutohen protestuesit

By: Rovena
14 January 2026 at 07:28

Mbi 2.400 persona të vrarë gjatë shtypjes së protestave, sipas organizatave të të drejtave të njeriut

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin “veprime shumë të forta” kundër Iranit nëse autoritetet iraniane ekzekutojnë protestuesit e arrestuar gjatë demonstratave masive antiqeveritare.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mbi 2.400 protestues janë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave që kanë përfshirë gjithë vendin.

Familjarë të 26-vjeçarit Erfan Soltani, i arrestuar javën e kaluar, i kanë thënë BBC Persian se ai pritet të ekzekutohet të mërkurën. Organizata Hengaw për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar se rasti i tij është trajtuar me një shpejtësi të pazakontë nga gjykatat iraniane.

“Nëse i ekzekutojnë, do të shihni veprime shumë të forta nga ana jonë,” deklaroi Trump për CBS News. Ai shtoi se administrata amerikane po mbledh të dhëna të sakta mbi numrin e viktimave dhe do të veprojë në përputhje me situatën.

Agjencia amerikane HRANA njofton se ka konfirmuar deri tani vrasjen e 2.403 protestuesve, përfshirë 12 fëmijë, si dhe arrestimin e mbi 18.400 personave. Një zyrtar iranian i tha Reuters se rreth 2.000 persona janë vrarë, duke fajësuar “terroristët”.

Protestat kanë shpërthyer pas rënies së monedhës iraniane dhe rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës dhe janë përhapur në rreth 180 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e vendit. Demonstratat janë shndërruar shpejt në kërkesa për ndryshim politik dhe konsiderohen si sfida më e madhe për regjimin iranian që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Situata mbetet e paqartë për shkak të bllokimit pothuajse total të internetit dhe komunikimeve. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë qytetarë që kërkojnë trupat e familjarëve të tyre në qendrat mjekoligjore të Teheranit.

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Türk, u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë menjëherë dhunën ndaj protestuesve paqësorë dhe të rikthejnë aksesin në internet.

Protestuesit në disa qytete kanë brohoritur slogane kundër udhëheqjes iraniane, duke kërkuar ndryshim politik.

Parashikimi i motit, 14 janar 2026/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

By: Rovena
14 January 2026 at 07:17

Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësira kalimtare.

Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Horoskopi 14 janar 2026, çfarë kanë rezervuar yjet për shenjën tuaj

By: Rovena
14 January 2026 at 07:10

Dashi-Sot do të kuptoni më mirë dhe do të mbusheni me mendime pozitive. Organizoni sa më mirë ditën, në mënyrë që të mundësoni më shumë kohë për familjen. Në punë ka ardhur momenti që të nxirrni në pah aftësitë tuaja, pasi do të gjendeni përballë situatave aspak të lehta.

Demi-Mos u tregoni materialistë pasi do të dëmtoni marrëdhënien me partnerin/en. Ka ardhur momenti për të bërë bilance si në sferën e punës ashtu dhe në jetën private. Ndikimi tranzit i Hënës do të jetë mjaft i favorshëm për ata që janë vetëm. Në punë, duhet të ruani një profil të ulët, sidomos nëse duhet të drejtoni një projekt.

Binjakët-Nëse doni që të zgjidhni problemet me partnerin/en, do të bënit mirë që të shtynit vendimet për momente më të mira. Arsyetoni më mirë lidhur me gjërat që nuk ecin ashtu siç ju shpresonit. Në vendin e punës projektet mund të pengohen nga disa vështirësi. Nuk duhet të dorëzoheni.

Gaforrja-Ditë impulsive sot. Do ta keni të lehtë që të shprehni ndjenjat dhe emocionet dhe kjo gjë do t’ju ndihmojë në raport me personin që doni. Ata që janë vetëm do të njohin veç sukses, sidomos me lidhjet që sapo kanë nisur. Duhet t’i përqendroni më shumë energjitë në punë.

Luani-Sot do të jetë një ditë mjaft pozitive sa i takon jetës sentimentale, ku nuk do të mungojë mbështetja e Hënës. Ndryshime të rëndësishme për ata që janë vetëm. Dita parashikohet mjaft e mirë sa i takon punës, ku do të arrini të realizoni disa projekte që i keni përzemër.

Virgjëresha-Mundohuni të tregoheni më të kujdesshëm me fjalët dhe veprimet. Nëse jeni në pritje të mundësive të mira për të ndryshuar disa rregulla në raportin në çift, rrethanat i keni kundër. Nervozizmi do të dominojë sferën profesionale, vështirësi në të çuarit përpara të disa angazhimeve të rëndësishme.

Peshorja-Do t’iu duhet të pranoni një kompromis nëse jeni në çift. Shpesh do t’ju duhet që të bëni lëshime, një mënyrë që të mos cenoni harmoninë tuaj. Sa i takon punës, me gjasë do të shtyni një projekt, por për mirë, pasi parashikohet që të jetë me rrezik.

Akrepi-Sot do të jeni nën ndikimin e Diellit, ndërsa Mërkuri do të ngacmojë fantazinë dhe do t’ju japë mundësi të shumta për t’ia kaluar mirë me njeriun e zemrës. Në punë, do keni mundësi që të projektoni të ardhmen tuaj, të rrethuar nga mundësitë më të mira.

Shigjetari-Ky është momenti i duhur për të bërë një reflektim të mirë lidhur me jetën tuaj sentimentale. Ata që janë vetëm do të ndihen të lodhur nga të priturit të njeriut të duhur. Rruga drejt suksesit profesional nuk do të jetë e lehtë, ndonëse parashikohen disa zhvillime të frytshme.

Bricjapi-Mbushuni me frymë dhe rigjeni ekuilibrin. Takime të reja dhe ndjenja të forta parashikohen për ata që janë vetëm. Puna do të marrë gjithë vëmendjen gjatë kësaj dite. Investimet janë mjaft ambicioze, por bëni kujdes me mënyrën se si do të veproni.

Ujori-Kjo është një situatë e favorshme planetare për gjithë ata persona të përfshirë në një lidhje. Yjet do t’ju ndihmojnë që të realizoni një ëndrrën tuaj. Ata që janë vetëm do të shpërblehen gjatë kësaj dite, pasi do të bëjnë një njohje që premton shumë. Në punë, situata paraqitet mjaft e favorshme.

Peshqit-Është mirë që të kuptoni se jeta juaj ka marrë tjetër drejtim. Jetoni të ardhmen pa frikë. Ata që janë vetëm, duhet të rregullojnë disa aspekte të jetës së tyre, të cilat i mundojnë. Në punë, pas një pritje të gjatë, do keni mundësi të korrni atë që keni mbjellë. Durimi, do të rezultojë arma juaj më e fortë.

“Basha e ka ‘shitur’ Berishën për 21 janarin”, Mahmutaj: PD është katandisur si parti e dorës së tretë

13 January 2026 at 23:52

TIRANË- Hetimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Një ditë më parë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.

Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se këtë përplasje e shikon si një “karma” brenda kupolës së Partisë Demokratike.

“Këtë e shikoj si një ‘karma’ brenda PD apo brenda kupolës së PD. Ishin këta njerëz që përpara katër vitesh u rrahën me hunj, detyruan palën tjetër të blindonin dyert. Gaz Bardhi shikonte rrugën e padisë në SPAK, duke menduar për karrierën. Unë jam i mendimit se ai është bërë pishman për kallëzimet e tij”, tha ai.

Ai komentoi edhe takimin e Berishës në Lezhë, për të cilin tha se pasuesi i tij në krye të PD do të jetë një figurë tjetër, që do të zgjidhet nga demokratët dhe ky emër do të jetë jashtë familjes së tij.

Gazetari Mahmutaj pohoi se PD, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një tkurrje të madhe, duke përfunduar si parti e dorës së tretë.

“Berisha e ka kuptuar edhe vetë se familja e tij janë super të konsumuar për drejtimin e PD. I ka ardhur momenti që të zgjidhet lideri vetë, jo trashëgimi e familjes së Berishës. Deri tani, Berisha ia kishte bërë hyzmetin e duhur që në krye të PD të linte vajzën ose djalin e tij. Nga mbajtja peng e PD nga Berisha, kjo parti vetëm është rrudhur. Ka humbur dhe ka shkuar në çdo palë zgjedhje poshtë e më poshtë dhe është katandisur si parti e dorës së dytë apo të tretë, nga parti e dorës së parë që ishte në të kaluarën. Kësaj partie i duhet me patjetër që të zgjedhë një personazh të hajrit, të jetë i ri dhe i pakonsumuar”, tha ai.

Më tej, gazetari u shpreh se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në krim. Ai përmendi disa prej ngjarjeve për të cilat, sipas tij, ka gisht vetë ish-kryeministri i vendit.

“Berisha është kokë e këmbë i zhytur në krim. Berisha ka urdhëruar vrasje dhe dekrete vetë. Kemi rastin e Haklajve. Ai bënte thirrje që ‘gjallë a vdekur, të ma sillni Fatmir Haklajn në Tiranë’. Ka urdhëruar vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Futi në kurth Azem Hajdarin. Krimet e tij i projekton tek të tjerët”, theksoi Mahmutaj.

Ai theksoi se Lulzim Basha e ka “shitur” Sali Berishën për vrasjen shtetërore të 21 janarit, ku katër protestues të pafajshëm u ekzekutuan poshtë zyrave të Kryeministrisë.

“Basha ka përcjellë urdhrat e Sali Berishës. Lulzim Basha e ka shitur Sali Berishën për 21 janarin”, tha ai./abcnews.al

Besëlidhje dhe…besëprerë/ Berisha në Lezhë, përballet me kritika nga mbështetësit

13 January 2026 at 23:24

LEZHË- Berisha mbajti foltoren e parë për këtë vit, dhe pse viti anti-diktature s’ka nisur dhe aq mire, probleme nga drejtësia po i hapin me rithemelimin. Por edhe këtë si 13 vite opozitë, ua faturoi demokratëve.

“Kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë dhe opozitën, por ishte globale. Ju zgjodhët në kushte të vështira, shpëtimin e pluralizmit. Me atë izolim, besuan se na varrosën 7 pashë nën tokë, ja ku jemi sot”, theksoi Berisha.

Por demokratët që paguajnë faturën, e dinë mirë edhe çmimin.

“Doktor keni shumë shkëputje nga baza, kjo baza e mban PD. Dhe unë besoj se ky nuk është faji yt, por keqinformimi, nga numri 2, te drejtuesit politik e ata të listave të mbyllura që nuk njohin njerëzit”, pohoi një demokrat.

“Doktor, Si e ka emrin ajo klinika në fier që mbjell flokët, se ata që dalin nga burgu aty kanë sukses me këtë sigël”, shtoi një tjetër.

” Kjo parti do të mbetet parti e fjalës së lirë. Por kurrë s’do të mund ta marrë kush për interesa personale apo vetjake. Ata që e bënë këtë, u shuan. PD është parti e idealeve. Kjo nuk është parti e lejeve të ndërtimit, pallateve pa leje apo fshehjes së krimeve”, tha Berisha.

Për lidhje me krimin doktori së fundmi ka akuzuar takimet e Salianjit, por 4 vite më parë e kishte radhën Gazment Bardhi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit të Elbasanit. Njëri po i hap probleme me kallëzimet e vjetra nga brenda, tjetri me foltoret paralele nga jashtë. Për ti paralajmëruar, Berishës iu kujtua vetëm një emër, jo rastësisht 1 javë para 21 janarit, i fundit qe provoi ta sfidojë, Lulzim Basha.

“Një kalbësirë e brendshme e kapi PD, një kryetar që i dhatë besimin, ditën ishte me ju, natën me Ramën, ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundra jush. Punonte kundër idealeve tuaja. Ai që kujton se mundet të bëjë, mund të lulëzojë në këtë mënyrë, ai gabon. Nëse vrapon për interesa private, do përfundosh si ata, s’të ka borxh Sali Berisha”, tha ai.

Por doktori para demokratëve e bëri një hap pas. Ai për herë të parë siguroi, se pasardhësi i tij politik nuk do të vijë nga familja, por ka një kusht themelor për të qenë kryetar, si fillim duhet të ketë vota.

“Them me sinqeritet, nuk kam ndërmend të lë pasardhës, as vajzën as djalin tim, pasardhësin ua lë ju, ta zgjidhni ju, atë që besoni më shumë”, tha ai./abcnews.al

Trump paralajmëron “veprime shumë të forta” nëse Irani var protestuesit

13 January 2026 at 23:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin “veprime shumë të forta” nëse raportimet se Irani planifikon të ekzekutojë protestues rezultojnë të sakta.

“Nuk kam dëgjuar për varjet. Nëse i varin, do të shihni disa gjëra… Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta nëse bëjnë diçka të tillë”, tha Trump në një intervistë për “CBS News”.

I pyetur për “qëllimin përfundimtar” të tij ndaj Iranit, Trump u përgjigj: “Qëllimi përfundimtar është të fitojmë. Më pëlqen të fitoj”.

Komentet e Trumpit erdhën pasi ai u pyet për deklaratat që kishte publikuar më herët në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku shkruante: “Ndihma është duke ardhur”.

“Po, ka shumë ndihmë që po vjen, dhe në forma të ndryshme, përfshirë ndihmë ekonomike… Ne e nxorëm Iranin jashtë loje sa u përket kapaciteteve të tij bërthamore”, tha ai, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar.

Duke theksuar mungesën e shifrave të sakta për viktimat nga protestat në Iran, Trump tha: “Askush nuk ka qenë në gjendje të na japë shifra të sakta se sa njerëz kanë vrarë”.

“E dini, nëse duan të kenë protesta, kjo është një gjë; por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani po më flisni për varje, do të shohim si do t’u shkojë kjo. Nuk do t’u shkojë mirë”, shtoi ai.

Duke cituar organizata joqeveritare iraniane me bazë në SHBA dhe Norvegji, transmetuesi amerikan “Fox News” raportoi të hënën se familja e protestuesit të arrestuar Erfan Soltani është informuar se 26-vjeçari është “dënuar me vdekje” dhe se dënimi pritet të ekzekutohet të mërkurën.

Një meteorit nga Alaska zbulon origjinën e ujit në Tokë

13 January 2026 at 22:36

Një meteorit i rrallë, i gjendur në Alaska, po bën që shkencëtarët të rimendojnë origjinën e ujit në Tokë.

Gjetjet e reja sugjerojnë se planeti ynë mund të kishte hidrogjenin e nevojshëm për të formuar ujë vetë, pa ndihmën e asteroideve, duke sfiduar teorinë që Toka e hershme ishte e thatë, sipas” Daily Glaaxy”.

Ky informacion vjen nga studimet e kryera nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, të cilët analizuan një meteorit enstatit chondrite të njohur si “LAR 12252”. Përbërja e tij, që ngjan me Tokën para 4,55 miliardë vjetësh, tregoi sasi të konsiderueshme hidrogjeni që më parë nuk ishin zbuluar.

Studimet e mëparshme kishin gjetur vetëm gjurmë të vogla hidrogjeni në “LAR 12252”, të cilat mund të ishin shkaktuar nga kontaminimi pas mbërritjes së meteoriti në Tokë. Ekipi i ri analizoi matriksin, materialin që rrethon chondrulet, dhe zbuloi hidrogjen sulfurik natyral.

Sipas Thomas Barrett, autor kryesor i studimit, kjo tregon se hidrogjeni nuk erdhi nga toka, por ishte pjesë e përbërjes origjinale të meteoriti, duke ofruar prova që uji mund të ishte formuar në Tokë natyralisht.

Meteoriti “LAR 12252” bën pjesë në grupin e rrallë të enstatit chondrite, që përputhet ngushtë me përbërjen izotopike të Tokës së hershme. Këta meteorite shihen si “fotografi” të materialit që formoi planetin tonë.

Mendimi i mëparshëm ishte se Toka ishte relativisht e thatë dhe uji erdhi më vonë nga asteroidet e lagura. Gjetjet e reja tregojnë se përbërësit e Tokës mund të kishin qenë “të pasur me hidrogjen”, duke mundësuar formimin natyral të ujit.

Ky zbulim ndryshon mënyrën se si kuptojmë evolucionin kimik të Tokës. Sipas studiuesve të Oksfordit, formimi i ujit ishte një pasojë natyrore e materialeve të planetit, jo një rastësi kozmike.

VIDEO/ Siguria në “plan të dytë”, momenti kur Altin Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit

13 January 2026 at 22:10

DURRËS– I burgosuri Altin Ndoci u arratis këtë të martë nga Spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për të kryer një vizitë mjekësore.

ABC News ka siguruar momentin kur Ndoci transportohet me autoambulancë në ambientet e spitalit, i shoqëruar nga një efektiv, ndërsa dy të tjerë qëndrojnë pas tij.

Ajo që bie në sy dhe ngjall dyshime është fakti se një person me rrezikshmëri shoqërore si Ndoci u transportua pa masa të forta sigurie.

Ndoci arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut.

Ai ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

Zjarri përfshin një banesë në Tetovë, dyshohet për një viktimë

13 January 2026 at 21:56

Një zjarr raportohet se ka përfshirë një banesë në Tetovë.

Sipas informacioneve të para dyshohet një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka marrë plagë si pasojë e zjarrit.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet përkatëse po punojnë për zbardhjen e rastit.

❌
❌