Normal view

Kurti flet pas takim me Abdixhikun: Nuk ka marrëveshje me LDK

4 August 2026 at 21:42

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se takimi i së martës me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka rezultuar me marrëveshje politike.

“Sa i përket takimit me LDK-në, përkatsisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishte marrëveshje politike, marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për çështje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila resopekton rezultatin zgjedhor për stabilitet institucional dhe për funksionim e Republikës së Kosovës në mënyrë demokratuike. Askush nuk i do zgjedhjet e reja”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.

Kurti tha se është diskutuar për sfidat politike dhe institucionale të vendit. “Në anën tjetër, unë isha bashkë me ministrin e Financave dhe anëtarin tonë të Kryesisë, Hekuran Murati. Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave të cilat na presin në aq shumë fusha për progresin që i nevojitet qytetarëve të Republikës dhe shtetit tonë. Me ç’rast, natyrisht, ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona dhe besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Kurti.

Sipas tij, takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë normale dhe jo të jashtëzakonshme.

“Nuk mund të themi që takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë. Është normale që ato të ndodhin. Unë besoj që takimet ndërmjet subjekteve politike nuk do të duhej në përgjithësi të ishin lajm, meqenëse pavarësisht a jemi në opozitë apo në qeverisje, ne duhet të takohemi, duhet të komunikojmë, duhet të bashkëpunojmë për ato për çfarë pajtohemi dhe duhet të synojmë të pajtohemi edhe për ato për të cilat nuk pajtohemi. Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arritëm të takohemi sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotëri Ardian Gjinin, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Gjakovës, përkundër përpjekjeve tona. Mendojmë që është e paarsyeshme që të mos takohemi e bisedojmë kur e dimë që politikanët në Kosovë, edhe vendorë, por edhe me diplomatët e politikanët ndërkombëtarë, takohen aq shumë e shpesh sa pothuajse secili me secilin, e tash të mos takohet vetëm kryeministri, përkatësisht unë, me kryetarin e një komune, përkatësisht kryetarin e AAK-së, Gjini, besoj që kjo është lajm sot në Kosovë”, tha ai.

Kurti shtoi se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së dhe atë të AAK-së.

“Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së, i cili u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi i bisedimeve, e kemi një situatë tjetër gjithashtu jo të lehtë, për shkak se krytari i PDK-së u vetëpërjashtua në fillim të procesit të bisedimeve. Zhvilluam vetëm një takim, unë besoj që duhet të takohemi edhe më tej. Kjo nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria ime, përveçse interesimi im, do të jenë gjithmonë aty. Pra, në një kohë të përshtatshme, në cilindo vend që zgjedhin ata, unë jam i gatshëm që të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së. Kemi aq shumë tema për t’i diskutuar, nuk besoj që nuk ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka shumë gjëra për të cilat pajtohemi dhe që mund t’i shndërrojmë në një plan veprimi. Në anën tjetër, për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, u shpreh Kurti.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Nuk ka marrëveshje me LDK pic.twitter.com/1Qbr3GkUyf

— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) August 4, 2026

The post Kurti flet pas takim me Abdixhikun: Nuk ka marrëveshje me LDK appeared first on Euronews Albania.

Anija u përfshi nga flakët, shpëtohen mbi 170 persona në Kanalin Anglez

4 August 2026 at 20:53

Më shumë se 170 persona janë shpëtuar të martën gjatë një operacioni të madh kërkim-shpëtimi në Kanalin Anglez, teksa përpiqeshin të kalonin nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas autoriteteve franceze dhe britanike, varka e fryrë me të cilën udhëtonin personat ndodhej ende në zonën franceze të kërkim-shpëtimit kur motori i saj mori flakë. Për shkak të dëmtimit të mjetit lundrues, pasagjerët u detyruan të hidheshin në ujë.

Autoritetet franceze ndërhynë duke dërguar dy anije shpëtimi, një helikopter të marinës dhe ekipe mjekësore. Në operacion morën pjesë gjithashtu Instituti Mbretëror Kombëtar i Varkave të Shpëtimit (RNLI) dhe Forca Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar.

Nga operacioni u shpëtuan gjithsej 157 persona, prej të cilëve 103 nga ekipet franceze dhe 54 nga ekipet britanike. Të gjithë u dërguan në portin e Boulogne-sur-Mer, ku morën ndihmë mjekësore dhe kujdes.

Autoritetet thanë se askush nuk humbi jetën në incident, i cili konsiderohet një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2018.

Varka ishte nisur nga fshati Veules-les-Roses në Normandi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe ishte monitoruar nga shërbimet franceze të shpëtimit që nga nisja e saj.

The post Anija u përfshi nga flakët, shpëtohen mbi 170 persona në Kanalin Anglez appeared first on Euronews Albania.

Qytetet pritëse të Kupës së Botës kërkojnë fondet e premtuara nga FIFA

4 August 2026 at 20:27

Qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA 2026 në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar sqarime nga FIFA lidhur me pagesat prej 1 milion dollarësh për secilin qytet, të premtuara përpara turneut.

Financimi ishte njoftuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për 11 qytetet pritëse amerikane dhe kishte si qëllim ndërtimin e fushave të vogla të futbollit dhe mbështetjen e projekteve sociale në komunitete.

Megjithatë, deri tani fondet nuk janë transferuar, duke bërë që autoritetet lokale të kërkojnë një përditësim mbi statusin e financimit të premtuar nga institucioni qeverisës i futbollit botëror.

FIFA nuk ka publikuar ende një deklaratë zyrtare për vonesën e pagesave, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se qytetet pritëse janë siguruar vazhdimisht se kontributi prej 1 milion dollarësh do të shpërndahet.

Qytetet amerikane që pritën ndeshjet e Botërorit 2026 ishin Seattle, zona e Gjirit të San Franciskos, Los Angeles, Dallas, Hjuston, Kansas City, Atlanta, Filadelfia, New York/New Jersey, Miami dhe Boston.

Ndërsa FIFA përfiton pjesën kryesore të të ardhurave nga biletat, të drejtat televizive, sponsorët dhe aktivitetet tregtare, qytetet pritëse mbulojnë një pjesë të madhe të kostove organizative, përfshirë sigurinë, transportin, operacionet në stadiume dhe zonat e tifozëve.

The post Qytetet pritëse të Kupës së Botës kërkojnë fondet e premtuara nga FIFA appeared first on Euronews Albania.

Shpëtohen turistët gjermanë në malin e Çikës pas disa orësh kërkim

4 August 2026 at 20:04

Dy turistët gjermanë që humbën orientimin gjatë eksplorimit të malit të Çikës janë shpëtuar pas një operacioni disaorësh kërkim-shpëtimi.

Në aksion u angazhuan grupet e shpëtimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me Policinë, ndërsa për lokalizimin dhe nxjerrjen e turistëve në ndihmë u përdor edhe një helikopter.

Pas gjetjes, turistëve iu dha ndihma e parë, pasi rezultuan të dehidratuar për shkak të qëndrimit të gjatë në terren. Ata u shoqëruan më pas nga ekipet e shpëtimit dhe ndodhen jashtë rrezikut.

Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati disa orë, pas sinjalit SOS të dërguar nga turistët, të cilët nuk kishin mundur të gjenin rrugën e kthimit.

The post Shpëtohen turistët gjermanë në malin e Çikës pas disa orësh kërkim appeared first on Euronews Albania.

Lamallari publikon pamje nga patrullimet e policisë në Durrës: Më shumë siguri për qytetarët dhe turistët

4 August 2026 at 20:00

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane në qytetin e Durrësit, duke i cilësuar ato një garanci shtesë për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve.

Lamallari shkruan se kontrollet synojnë parandalimin e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike, ndërsa një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe respektimit të niveleve të lejuara të zhurmave nga baret, restorantet dhe ambientet e argëtimit.

Shkrimi i plotë:

“Patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane në Durrës janë një garanci më shumë për qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur Shqipërinë, përfshi ata italianë.

Krahas parandalimit të paligjshmërive dhe rritjes së sigurisë publike, po ushtrohen gjithashtu kontrolle edhe për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave nga baret, restorantet dhe ambientet e  tjera të argëtimit. Respekti për normat e përbashkëta, përfshi ato për sigurinë e turistëve apo qetësinë e tyre nga zhurmat përtej niveleve të  lejuara i shërben një turizmi të qëndrueshëm dhe që rritet nga viti në vit”

The post Lamallari publikon pamje nga patrullimet e policisë në Durrës: Më shumë siguri për qytetarët dhe turistët appeared first on Euronews Albania.

Çfarë do të ndodhë në 5 gusht kur një raketë e SpaceX të përplaset me Hënën?

4 August 2026 at 19:43

Një pjesë e një rakete Falcon 9 të kompanisë SpaceX pritet të përplaset me Hënën të mërkurën, në një ngjarje të rrallë që ka tërhequr vëmendjen e astronomëve në mbarë botën.

Sipas Qendrës së NASA-s për Studime të Objekteve Pranë Tokës (CNEOS), faza e sipërme e raketës do të godasë sipërfaqen hënore më 5 gusht, pasi ka udhëtuar me një shpejtësi prej rreth 2.43 kilometrash në sekondë, ose rreth 5.400 milje në orë.

NASA arriti në këtë përfundim pasi astronomë të pavarur analizuan të dhëna publike dhe zbuluan se një pjesë e raketës, e lëshuar në janar të vitit 2025, ishte në një trajektore të pakontrolluar drejt Hënës.

Agjencia amerikane e hapësirës ka sqaruar se përplasja nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën. NASA do të vazhdojë monitorimin e objektit dhe më pas do të studiojë vendin e impaktit për qëllime shkencore.

Raketa Falcon 9 u përdor në një mision amerikan-japonez për të transportuar dy anije uljeje hënore dhe pajisje kërkimore në sipërfaqen e Hënës. Ndërsa një pjesë e raketës është e projektuar për t’u rikthyer në Tokë dhe për t’u ripërdorur, pjesë të tjera mbeten në hapësirë dhe mund të përfundojnë duke u përplasur me trupa të tjerë qiellorë.

Përplasja, e parashikuar rreth orës 02:35 sipas kohës lindore të SHBA-së (06:35 GMT), pritet të krijojë një re të madhe pluhuri hënor që mund të ngrihet dhjetëra kilometra mbi sipërfaqe.

Astronomi i Universitetit të Kembrixhit, Matt Bothwell, tha se mungesa e atmosferës dhe graviteti më i dobët i Hënës do ta bëjnë impaktin shumë më spektakolar sesa një përplasje e ngjashme në Tokë.

Sipas shkencëtarëve, mbeturinat e krijuara nga përplasja mund të arrijnë rreth një milion kilogramë dhe një pjesë e tyre mund të shpërndahet në hapësirë për shkak të kushteve unike të sipërfaqes hënore.

The post Çfarë do të ndodhë në 5 gusht kur një raketë e SpaceX të përplaset me Hënën? appeared first on Euronews Albania.

SHBA: Huaja prej 302 milionë dollarësh forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë

4 August 2026 at 19:28

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë huanë në vlerë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë si mbështetje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Ambasada amerikane në Tiranë shpërndau njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se huaja në kuadër të programit Për Financim të Huaj Ushtarak (FMF) do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane.

Sipas DASH-it, financimi do të forcojë gjithashtu aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e saj.

Në njoftim vlerësohet edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në politikën e jashtme.

“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është përafruar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Trump”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Shqipëria, por edhe Kosova, janë në mesin e vendeve themeluese të Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për paqe në botë.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ndërkaq, e cilësoi marrëveshjen një moment me rëndësi strategjike dhe një shprehje të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë

The post SHBA: Huaja prej 302 milionë dollarësh forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë appeared first on Euronews Albania.

Po eksploronin zonën, dy turistë humbin rrugën në malin e Çikës, vjen në ndihmë helikopteri

4 August 2026 at 19:05

Dy turistë kanë humbur orientimin gjatë eksplorimit të malit të Çikës dhe kanë kërkuar ndihmë përmes sinjalit SOS.

Sipas informacioneve paraprake, turistët nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e kthimit dhe kanë njoftuar për situatën e tyre, duke kërkuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Pas marrjes së sinjalit, në zonë janë nisur grupet e shpëtimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me Policinë. Nga aksioni i shpëtimit për turistët gjermanë ka ardhur edhe një helikopter.

Ndërkohë ekipet po vijojnë kërkimet në terren për lokalizimin e vendndodhjes së saktë të turistëve.

The post Po eksploronin zonën, dy turistë humbin rrugën në malin e Çikës, vjen në ndihmë helikopteri appeared first on Euronews Albania.

Federata Turke emëron ish-gjyqtarin e Kupës së Botës, Anthony Taylor, në krye të arbitrimit

4 August 2026 at 19:02

Gjyqtari anglez Anthony Taylor është emëruar drejtor i gjyqtarëve elitarë në Federatën Turke të Futbollit (TFF), pas tërheqjes së tij nga arbitrimi aktiv pas një karriere 20-vjeçare.

Emërimi i Taylor u konfirmua nga firma ligjore Trinity Chambers, e cila përfaqësoi gjyqtarin gjatë procesit të rekrutimit. Në rolin e tij të ri, Taylor do të drejtojë zhvillimin strategjik dhe teknik të arbitrimit elitar në Turqi, me synim forcimin e programit kombëtar sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.

“Jam i kënaqur që marr këtë rol të ri”, deklaroi Taylor pas emërimit.

Avokati Fraser Williamson vlerësoi arritjet e gjyqtarit anglez në futboll, duke thënë se përvoja e tij përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të arbitrimit elitar në Turqi.

Taylor, 47 vjeç, njoftoi muajin e kaluar tërheqjen nga arbitrimi, duke mbyllur një karrierë ku drejtoi 668 ndeshje profesionale vendase dhe mori pjesë në kompeticione të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Euro 2020 dhe Kupat e Botës FIFA 2022 dhe 2026.

The post Federata Turke emëron ish-gjyqtarin e Kupës së Botës, Anthony Taylor, në krye të arbitrimit appeared first on Euronews Albania.

Irani: Nëse SHBA nuk ndërhyn, jemi afër marrëveshjes për Hormuzin

4 August 2026 at 18:58

Një zyrtar i lartë iranian deklaroi të martën se Irani është pranë arritjes së një mirëkuptimi me Omanin për një marrëveshje të re navigimi në Ngushticën e Hormuzit, me kusht që Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në procesin e negociatave.

Në një prononcimV, zyrtari tha se bisedimet mes Teheranit dhe Muskatit kanë hyrë në një fazë të re dhe po përqendrohen në krijimin e një korridori të ri detar për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare në një nga rrugët ujore më strategjike në botë.

Sipas tij, një marrëveshje me Omanin është e arritshme nëse SHBA-ja ndalon ndërhyrjen në negociata. Zyrtari akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se po përpiqet të ndikojë në proces dhe të marrë meritat për çdo marrëveshje të mundshme, duke shtuar se kjo vetëm sa ka ngadalësuar negociatat.

Ai theksoi se korridori i propozuar do të mbrojë interesat sovrane të Iranit si shtet bregdetar, duke garantuar njëkohësisht lundrimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit për kalimin në rrugët ujore ndërkombëtare ende nuk kanë përfunduar, por shprehu shpresën se një marrëveshje do të arrihet së shpejti.

“Është bërë përparim në këto bisedime, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare”, tha Rubio.

The post Irani: Nëse SHBA nuk ndërhyn, jemi afër marrëveshjes për Hormuzin appeared first on Euronews Albania.

Mbi 400 të arrestuar për zjarret në Francë

4 August 2026 at 18:39

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se mbi 400 persona janë arrestuar që nga fillimi i sezonit të zjarreve, ndërsa në të gjithë vendin janë regjistruar rreth 14 mijë shpërthime zjarresh.

Sipas Nunez, forcat e sigurisë kanë kryer 402 arrestime për zjarre të shkaktuara qëllimisht ose nga pakujdesia. Mes të arrestuarve janë 156 të mitur, ndërsa 36 persona janë vendosur në paraburgim.

Autoritetet njoftuan se zjarret në departamentet Gironde dhe Aude janë vënë nën kontroll, ndërsa në departamentin Var lufta me flakët vijon.

Ministri theksoi se zjarri në Var është më i gjati i regjistruar ndonjëherë në këtë departament, pasi ka qenë aktiv për 15 ditë rresht.

Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 1.250 zjarrfikës, të mbështetur nga dy avionë bombardues uji Canadair dhe dy helikopterë për hedhjen e ujit.

Ndërkohë, autoritetet ulën të martën nivelin e alarmit për zjarret në Gironde nga i kuq në portokalli, pas përmirësimit të situatës.

The post Mbi 400 të arrestuar për zjarret në Francë appeared first on Euronews Albania.

Agjenti i FBI-së akuzohet për vjedhje të 925 mijë dollarëve

4 August 2026 at 18:34

Një ish-agjent i kundërzbulimit të FBI-së është akuzuar për vjedhjen e rreth 925 mijë dollarëve në kriptomonedha nga portofole dixhitale që, sipas hetimeve, ishin të lidhura me Rusinë.

Sipas autoriteteve, Patrick Yarock siguroi qasje në asetet dixhitale gjatë një hetimi zyrtar dhe dyshohet se i transferoi fondet në llogari nën kontrollin e tij.

Hetuesit zbuluan në telefonin e tij biseda me ChatGPT, ku ai kërkonte informacion se si të investonte rreth 1 milion dollarë dhe si t’i transferonte paratë në Evropë. Në biseda ai shfaqte interes për t’u zhvendosur në Portugali, ku planifikonte të dilte në pension në moshë të re, të blinte tokë dhe të merrej me prodhimin e verës.

Megjithatë, autoritetet e zbuluan skemën përpara se plani të realizohej. Sipas dokumenteve të çështjes, Yarock pranoi veprimet e tij, u tha kolegëve se kishte gabuar dhe më pas u pushua nga detyra dhe u arrestua.

The post Agjenti i FBI-së akuzohet për vjedhje të 925 mijë dollarëve appeared first on Euronews Albania.

Komiteti i Senatit Amerikan miraton Todd Blanche si prokurorin e përgjithshëm

4 August 2026 at 18:16

Komiteti Gjyqësor i Senatit amerikan miratoi të martën me 12 vota pro dhe 10 kundër emërimin e Todd Blanche si prokurorin e përgjithshëm të ardhshëm të SHBA-së, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar në Senatin e plotë.

Blanche, ish-avokat personal i Presidentit Donald Trump dhe aktualisht prokuror i përgjithshëm në detyrë, është përballur me kritika nga demokratët, të cilët kanë ngritur shqetësime mbi pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë nën drejtimin e tij.

Senatori Chris Coons, demokrati më i lartë në Komitetin Gjyqësor, kundërshtoi emërimin para votimit, duke deklaruar se qytetarët amerikanë meritojnë një Departament Drejtësie të pavarur dhe transparent.

“Unë nuk besoj se zoti Blanche mund ose dëshiron ta përmbushë këtë standard”, tha Coons.

Edhe senatori Adam Schiff u bëri thirrje kolegëve të tij të votojnë kundër emërimit, duke paralajmëruar se përdorimi i prokurorit të përgjithshëm për të ndjekur kundërshtarët politikë do të minonte sundimin e ligjit.

Sipas tij, konfirmimi i një prokurori të përgjithshëm që pranon një rol të tillë do të dëmtonte pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për institucionet amerikane.

The post Komiteti i Senatit Amerikan miraton Todd Blanche si prokurorin e përgjithshëm appeared first on Euronews Albania.

Pak para takimit me Abdixhikun, Kurti: Shkoj me vullnet të mirë për marrëveshje

4 August 2026 at 18:11

Pak para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se shkon me vullnet të mirë për marrëveshje që sjellë bashkëqeverisje, raporton KosovaPress.

I pyetur nga gazetarët lidhur me takimin e sotëm, lideri i LVV-së, Albin Kurti tha se synimi është të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe”, tha Kurti.

Këto komente Kurti i bëri gjatë vizitës tek ndërtimi i urës së tretë mbi lumin Ibër.
Kurti u shpreh se do të jenë pjesë e takimit dhe dëshirojnë të konstituohet sa më parë Kuvendi dhe të zgjidhet Qeveria.

Ai shtoi se do të shkoj sot në takim me vullnet të mirë dhe me gatishmëri për marrëveshje.
“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, shtoi ai

Sot, nga ora 18:00 pritet të nis takimi ndërmjet kreut të LVV-së dhe kryetarit të LDK-së.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

The post Pak para takimit me Abdixhikun, Kurti: Shkoj me vullnet të mirë për marrëveshje appeared first on Euronews Albania.

Çfarë është shpërthimi i ciklosporiazës që regjistroi dy viktima në SHBA

4 August 2026 at 18:10

Dy persona kanë humbur jetën në shtetin amerikan të Michiganit si pasojë e ndërlikimeve të lidhura me ciklosporiazën, një infeksion i zorrëve i shkaktuar nga paraziti Cyclospora cayetanensis. Bëhet fjalë për viktimat e para të lidhura me shpërthimin e madh të sëmundjes që po prek aktualisht Shtetet e Bashkuara.

Sipas autoriteteve shëndetësore, në SHBA janë raportuar mbi 18 mijë raste që nga fillimi i sezonit, një numër dukshëm më i lartë krahasuar me vitet e kaluara. Vetëm në Michigan janë regjistruar mbi 11.200 raste dhe afro 200 persona janë shtruar në spital.

Autoritetet thanë se të dy viktimat vuanin nga probleme serioze shëndetësore dhe se dehidratimi i shkaktuar nga diarreja ka të ngjarë të ketë përkeqësuar gjendjen e tyre.

Ciklosporiaza shkaktohet nga një parazit mikroskopik që mund të kontaminojë frutat, perimet e freskëta dhe ujin. Sëmundja nuk transmetohet drejtpërdrejt nga personi te personi, por zakonisht përhapet përmes konsumimit të ushqimeve ose ujit të kontaminuar.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë diarre të rëndë dhe të zgjatur, dhimbje barku, të përziera, humbje të oreksit, lodhje dhe, në disa raste, ethe. Pa trajtim, infeksioni mund të zgjasë për disa javë, ndërsa rreziku më i madh mbetet dehidratimi, veçanërisht për të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe pacientët me sëmundje kronike.

The post Çfarë është shpërthimi i ciklosporiazës që regjistroi dy viktima në SHBA appeared first on Euronews Albania.

Zjarri në Mallakastër merr përmasa të mëdha, nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve (VIDEO)

4 August 2026 at 17:38

Ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Rribanit, në Bashkinë Mallakastër. Helikopteri i angazhuar në operacion po kryen hedhje uji mbi vatrat aktive, ndërsa në terren vijojnë punën pa ndërprerje forcat zjarrfikëse, punonjësit e shërbimeve pyjore dhe strukturat e emergjencave civile.

Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, janë përhapur me shpejtësi në një terren të vështirë, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen edhe nga ajri. Autoritetet po punojnë për izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij drejt sipërfaqeve të tjera dhe zonave të banuara.

The post Zjarri në Mallakastër merr përmasa të mëdha, nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Zjarr i madh në Himarë, era favorizon përhapjen e flakëve (VIDEO)

4 August 2026 at 17:30

Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Nivicës, në bashkinë Himarë, duke shkaktuar alarm për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Sipas informacioneve paraprake, era e fortë po favorizon avancimin e zjarrit, duke e bërë më të vështirë vënien e tij nën kontroll.

Në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrës. Ndërhyrja po has vështirësi për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

The post Zjarr i madh në Himarë, era favorizon përhapjen e flakëve (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Vijon zjarri në Shqiponjë të Prrenjasit, në terren forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile

4 August 2026 at 17:23

Prej dy ditësh, një vatër zjarri në zonën “Lukovë – Guri i Mekut”, në fshatin Shqiponjë të Bashkisë Prrenjas, vijon të mbajë në terren forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore me ah, ndërsa terreni i vështirë malor dhe mungesa e aksesit për mjetet zjarrfikëse kanë komplikuar operacionin për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi kanë punuar pa ndërprerje për të frenuar avancimin e flakëve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, shërbimin pyjor, Bashkinë Prrenjas dhe banorët e zonës.

Deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa, ndërsa dëmet janë regjistruar në sipërfaqe pyjore me ah. Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta.

The post Vijon zjarri në Shqiponjë të Prrenjasit, në terren forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile appeared first on Euronews Albania.

Guatemala në alarm “portokalli” pas shpërthimit të vullkanit Fuego (VIDEO)

4 August 2026 at 17:20

Shpërthimi i vullkanit Fuego në Guatemalë ka shkaktuar evakuimin e të paktën dy fshatrave në shpatet e tij.

Fuego, një nga vullkanet më aktivë në Hemisferën Perëndimore, filloi të nxjerrë lavë dhe hi nga “trupat” e tij dje, të hënën.

Rrjedhat piroklastike – lumenj gazi, hiri vullkanik dhe fragmente shkëmbinjsh – vazhduan të rrjedhin poshtë shpatit juglindor të Fuego-s herët të martën, sipas agjencisë qeveritare që monitoron aktivitetin e saj.

Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive Conred lëshoi ​​një alarm “portokalli” në të gjithë vendin, niveli i dytë më i lartë, dhe i paralajmëroi banorët të jenë të përgatitur pasi shpërthimet mund të shkaktojnë rrjedha të mëtejshme piroklastike dhe re të dendura hiri.

Fuego ndodhet vetëm 16 km në perëndim të Antiguas, një qytet që tërheq shumë turistë për arkitekturën e tij të epokës koloniale.

Guatemala Issues Orange ‘Danger’ Alert as Fuego Volcano Erupts, Forcing Evacuations.

GUATEMALA CITY — Guatemalan authorities declared the country’s second-highest emergency alert on Monday after a major eruption of the Fuego volcano, Central America’s most active peak, prompted… pic.twitter.com/ZtY6acsNnS

— JAS (@JasADRxquisites) August 4, 2026

The post Guatemala në alarm “portokalli” pas shpërthimit të vullkanit Fuego (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

BE i kërkon sërish Kosovës të ndalë shembjet afër Ujmanit

4 August 2026 at 17:12

Bashkimi Evropian sërish ka bërë thirrje për pezullimin e rrënimeve të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, për të cilat autoritetet e Kosovës thonë se janë ndërtuar pa leje.

Në Bruksel u përsërit edhe një herë keqardhja për këto veprime, ndërsa u ritheksua apeli që rrënimet të pezullohen derisa gjykatat kompetente të marrin një vendim përfundimtar.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi në konferencën e rregullt për media në Bruksel se BE-së i vjen keq për rrënimin e shtëpive, veçanërisht pasi kërkesat për pronësi janë ende në shqyrtim gjyqësor.

“BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës të ndalojnë çdo rrënim të mëtejmë dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme”, tha Hipper.

Ajo shtoi se “çdo hap i pakthyeshëm, përfshirë rrënimet, duhet të pezullohet derisa gjykata kompetente të ketë dhënë një vendim përfundimtar për kërkesat e pazgjidhura”.
Veprimet e autoriteteve të Kosovës kanë nxitur reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ditë më parë, përfaqësues diplomatikë të disa vendeve shprehën shqetësim për vendimin e autoriteteve kosovare për rrënimin e disa shtëpive buzë Liqenit të Ujmanit.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i kërkoi Prishtinës t’i ndërpresë rrënimet, duke shprehur keqardhje për aksionin. Shqetësim shprehën edhe Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Rrënimi i shtëpive dhe objekteve hoteliere të ndërtuara në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, nisi në gjysmën e dytë të muajit korrik, kur u rrënuan më shumë se dhjetë objekte.

Vazhdimi i rrënimeve po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të pronarëve dhe thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për pezullimin e tyre.

Për rrënimet e javës së kaluar, pronarët u ankuan se autoritetet kosovare nuk i kishin respektuar procedurat ligjore.

Po ashtu, Serbia, përmes Zyrës së saj për Kosovën, ka reaguar ashpër kundër rrënimeve, duke e cilësuar si pjesë të një politik që synon “shkatërrimin, uzurpimin e gjithçkaje që është serbe” në Kosovë.

Më herët, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar tri padi civile kundër Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, që lidhen me procesin e rrënimeve.

Sipas ekspertëve ligjorë në Kosovë, Ligji për pronën publike përcakton qartë se mbi pronën publike nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë përmes parashkrimit fitues dhe as përmes ndërtimit të objekteve në kundërshtim me legjislacionin që rregullon të drejtën e ndërtimit.

The post BE i kërkon sërish Kosovës të ndalë shembjet afër Ujmanit appeared first on Euronews Albania.

❌