Normal view

Doli pa mandat nga zgjedhjet e 11 majit, reagon për herë të parë Ilir Meta

18 May 2025 at 14:37

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu për herë të parë pas zbardhjes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit ku ai nuk arriti të merrte mandatin e deputetit në Tiranë.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Meta falenderoi 8 mijë zgjedhës që votuan për të, të cilët siç shprehet “i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cenoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij”.

Meta thotë se refuzon të marrë një mandat deputeti mes koston e dorëheqjes së kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.

Postimi i plotë i Metës

Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.

Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.

Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.

Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.

Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.

Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

The post Doli pa mandat nga zgjedhjet e 11 majit, reagon për herë të parë Ilir Meta appeared first on Euronews Albania.

Nga Majko, Meta, Xhaçka e Gjylameti, kush mbetet jashtë kuvendit nga brezi i vjetër

By: Besnik
15 May 2025 at 18:53

Disa deputetë me karrierë të gjatë parlamentare dhe funksionarë të lartë politikë nuk morën votëbesimin e qytetarëve më 11 maj.

Vendin e tyre pritet ta zënë figura të reja, të rinj në moshë dhe pa përvojë të mëparshme politike.

Po kush janë veteranët e politikës shqiptare që mbeten jashtë Parlamentit dhe do t’u duhet të dorëzojnë çelësat e zyrave?

Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Partisë Socialiste, jashtë mbeten: Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka.

Nga aleanca “PD – Shqipëria Madhështore”, nuk u rizgjodhën: ish-presidenti Ilir Meta, Asllan Dogjani, Myslim Murrizi, Petrit Doda, Dhurata Çupi dhe Shpëtim Idrizi.

Ndërkohë, në Kuvend hyjnë emra të rinj dhe ende të panjohur për publikun, si Sara Mila në Elbasan – kandidatja me më shumë vota në rang kombëtar, Zegjine Çaushi në Fier dhe Marjana Koçeku në Shkodër, e njohur si “Neomalsorja” në rrjetet sociale, kandidate e PS-së në listë të mbyllur.

Emrat që për vite me radhë “ngrinin kartonin” në seancat plenare, sot mbeten jashtë loje, ndërsa një brez i ri hyn në skenën politike me premtimin për të ndryshuar rregullat e saj.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Nga Majko, Meta, Xhaçka e Gjylameti, kush mbetet jashtë kuvendit nga brezi i vjetër appeared first on Euronews Albania.

“Shokët” e burgut votojnë Metën, kreu i PL merr një numër të madh votash te “313”-ta

By: Besnik
15 May 2025 at 17:21

Ndërsa ndodhet i paraburgosur në Burgun 313, Ilir Meta ka qenë njëkohësisht edhe kandidat në listën e hapur të koalicionit opozitar.

Ai ka marrë një numër të madh votash nga burgosurit e tjerë në këtë institucion, duke siguruar një mbështetje të konsiderueshme.

Kështu, ai është bërë i dyti më i votuar mes të burgosurve, pas ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ka marrë 92 vota.

Sipas të dhënave nga QV nr. 1867/01, brenda paraburgimit 313, Meta ka marrë 58 vota nga “shokët” e burgut.

Por, edhe pse të dënuarit aty i dhanë mbështetje, Meta nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend, pasi deri më tani ka marrë 5350 vota në total.

Meta refuzoi të ishte pjesë e listës së mbyllur për të fituar mandat të sigurt dhe qëndroi në listë të hapur.

Meta prej disa muajsh ndodhet në qeli, ndërkohë që Gjykata nuk ka dhënë ende një dënim për të.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Shokët” e burgut votojnë Metën, kreu i PL merr një numër të madh votash te “313”-ta appeared first on Euronews Albania.

Ilir Meta pa mandat, Berisha: Efekt i terrorit politik ndaj tij

14 May 2025 at 14:47

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, ku deri tani Ilir Meta, që garoi në listë të hapur nuk arrin ta marrë mandatin e deputetit.

Berisha tha se Metës iu bë lufta më e egër politike nga armiku më i madh i votës së lirë që është Edi Rama dhe ky rezultat është pasojë e terrorit politik ndaj tij

“Atij i bëhet lufta më e egër që i është një njeriu ndonjëherë nga armiku kryesor i votës së lirë. Si është kjo, mbahet në burg që të fitojë? Kjo dëshmon efektin e terrorit politik ndaj tij”, tha Berisha.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ilir Meta pa mandat, Berisha: Efekt i terrorit politik ndaj tij appeared first on Euronews Albania.

Singapori urdhëron META-n të bllokojë postimet e huaja përpara zgjedhjeve

26 April 2025 at 17:37

Autoritetet e Singaporit i kanë urdhëruar Metës, pronarit të Facebook-ut, të bllokojë aksesin në postime të caktuara nga të huajt për përdoruesit e Singaporit, duke përmendur rregullat e reja zgjedhore që u ndalojnë të huajve të ndërhyjnë në politikën lokale përmes mediave sociale.

Autoriteti i Mediave të Informacionit dhe Komunikimit e ka lëshuar urdhrin pasi njoftimet e të huajve të caktuar janë vlerësuar si përpjekje për të ndikuar në suksesin zgjedhor të partive politike apo kandidatëve, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Zgjedhor i Singaporit, raporton Reuters.

Zgjedhjet e ardhshme më 3 maj do të jenë të parat që do të mbahen sipas rregullave të reja të miratuara në 2023 dhe pritet të fitohen sërish nga Partia e Veprimit Popullor (PAP), e cila ka qenë në pushtet që nga pavarësia në 1965.

Të huajt, postimet e të cilëve janë ndaluar përfshijnë Iskandar Abdul Samad, arkëtar i partisë islamike malajziane PAS, Mohamed Sukri Omar, udhëheqës i të rinjve PAS nga shteti Selangor dhe përdoruesi i Facebook “Zai Nal”, i identifikuar si Zulfikar bin Mohamad Sharif, një shtetas australian që hoqi dorë nga shtetësia e tij Singapore në 202.

Në postim, Iskandar shprehu mbështetje për kandidatin e opozitës Faisal Manap të Partisë së Punëtorëve, ndërsa Zulfikar akuzoi deputetët malajzo-myslimanë në Singapor se nuk përfaqësojnë interesat e myslimanëve.

Sukri ka shpërndarë postimin e tij. Autoritetet vlerësuan se këto përmbajtje paraqesin një përpjekje për të ndikuar tek votuesit në bazë të përkatësisë fetare dhe etnike.

Në përgjigje të një kërkese për të hequr postimet, Zulfikar tha se kjo tregon frikën e qeverisë dhe njoftoi nisjen e një kanali “Vocap” (WhatsApp) dhe një faqe interneti të re për të mbrojtur më tej pikëpamjet e tij.
Partia e Punës njoftoi sot se nuk ka kontroll mbi postet e të huajve dhe theksoi se kandidati i saj Faisal mbron ndarjen e fesë nga politika.

PAP në pushtet nuk e komentoi këtë çështje, ndërsa Meta, Iskandar, Sukri dhe PAS nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Singapori urdhëron META-n të bllokojë postimet e huaja përpara zgjedhjeve appeared first on Euronews Albania.

BE godet gjigandët amerikanë të teknologjisë: Apple e Meta gjobiten me 700 milionë €

By: fra nc
23 April 2025 at 12:04

Bashkimi Evropian ka vendosur të godasë dy nga gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë, duke vendosur sanksionet e para nën Aktin e ri të Tregjeve Dixhitale. Apple u gjobit me 500 milionë euro, ndërsa Meta, kompania që përmbledh Facebook, Instagram dhe WhatsApp, u gjobit me 200 milionë euro, për shkelje të rregullave që synojnë të frenojnë abuzimin me pozitat dominuese në tregun dixhital.

Këto janë penalizimet e para që rrjedhin nga legjislacioni i ri i BE-së, i cili hyri në fuqi për të garantuar konkurrencë më të ndershme në një treg të dominuar nga pak korporata teknologjike.

Komisioni Evropian, që shërben si krahu ekzekutiv i BE-së, tha se hetimet njëvjeçare zbuluan praktika të Apple dhe Meta që pengojnë konkurrencën dhe dëmtojnë interesat e konsumatorëve evropianë. Ndër të tjera, Apple akuzohet se ka kufizuar zhvilluesit në mënyrën se si promovojnë shërbimet e tyre jashtë App Store, ndërsa Meta për praktika që lidhen me të dhënat personale të përdoruesve dhe modelet e reklamimit.

Vendimi i BE mund të nxisë një reagim nga Uashingtoni. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të vendosë tarifa tregtare ndaj vendeve të BE-së, të cilat sipas tij, “sulmojnë në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane”.

Ai e ka cilësuar këtë si një përpjekje të Evropës për të përfituar ekonomikisht nga fuqia dhe suksesi i teknologjisë amerikane.

The post BE godet gjigandët amerikanë të teknologjisë: Apple e Meta gjobiten me 700 milionë € appeared first on Euronews Albania.

Vrau fqinjin dhe i mori paratë, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq 64-vjeçarin

By: Besnik
23 April 2025 at 10:59

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 64-vjeçarin Isuf Hasa për veprën penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’.

Ngjarja ndodhi më 13 janar të këtij viti, në Shëngjergj të Tiranës, ku sipas policisë 81-vjeçari Xhemal Meta gjeti vdekjen pasi u qëllua në kokë me një mjet të forta, çekiç, nga fqinji i tij Isuf Hasa.

“Isufa Hasa ka pranuar para prokurorisë se goditi viktimën pas një grindje për arsye të akumuluara gjatë kohës. Sipas 64-vjeçarit, shkak i konflikteve ishin ngacmimet e viktimës, i cili shpesh i thoshte: “Nuk je burrë, rri 4 ditë në punë dhe nuk di çfarë bëhet me gruan tënde”. Pas kësaj grindjeje verbale, Hasa ka goditur viktimën dhe ka marrë nga trupi i tij sasinë e parave që mbante gjithnjë me vete, të lidhura me një qese në qafë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin I.H për veprën penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.258 të vitit 2025, u arrit të provohet se shtetasi I.H. shkaktoi vdekjen e fqinjit të tij, shtetasit Xh.M., i gjetur i pajetë në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative, Shëngjergj të Tiranës më 13.01.2025.

Ekspertiza mjeko ligjore provoi se viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi. Ndërsa autori, shtetasi I.H. i pyetur dhe ripyetur nga prokuroria, pranoi se goditi fqinjin e tij pasi kishin pirë kafen e mëngjesit pas mllefit të akumuluar prej kohësh, duke qenë se viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë, pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi, e nuk dinte çfarë bëhej me gruan e tij. Autori gjithashtu pranoi që mori edhe sasinë e parave që viktima mbante gjithnjë me vete të lidhura me një qese në qafë.

Për shkak të marrëdhënieve të afërta që ekzistonin midis tij dhe viktimës, shtetasi I.H. ishte në dijeni të faktit që viktima mbante gjithmonë një qese me vete të lidhur në qafë, ku gjendeshin paratë e tij dhe pasi kreu aktit e vrasjes u largua drejt shtëpisë së vajzës së tij në Vorë, ku la armën e krimit dhe sasinë monetare.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallë së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgon në gjyq shtetasin I.H. për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ në dëm të viktimës, shtetasit Xh.M”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Vrau fqinjin dhe i mori paratë, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq 64-vjeçarin appeared first on Euronews Albania.

Imzot Gjergj Meta uron Festën e Pashkëve: Të kumtojmë këtë ditë të shenjtë

19 April 2025 at 09:31

Me rastin e festës së Pashkëve, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka përcjellë një mesazh urimi në emër të gjithë Kishës Katolike në Shqipëri.

Në mesazhin e tij, Imzot Meta uroi jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe besimtarët ortodoksë dhe ungjillorë, duke theksuar faktin se këtë vit festa e Pashkës përkon në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët, një ngjarje që ndodh rrallë dhe simbolizon unitetin në besim.

Festa e Pashkëve, që shënon Ringjalljen e Krishtit, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.

Urimi i plotë nga Imzot Gjergj Meta:

“Të dashur miq,

Si çdo herë, për shkak të angazhimit dhe të qenit ipeshkëv në një Dioqezë që përfshin një territor të varfër e të shpopulluar, veçanërisht në këto ditë përgatitjeje për Pashkët, kam hasur në situata varfërie e mjerimi ekonomik dhe njerëzor, që shpesh u ikin reflektorëve të mediave, madje edhe vetë kujdesit tonë fetar, duke qenë se ndodh shpesh që ne të kujdesemi më shumë për pompozitetin e kremtimeve tona, sesa për jetën e njerëzve. Nuk e fshesh se jo rrallëherë më kap njëfarë trishtimi dhe fjalët e mia, të cilat mëtojnë të sjellin fjalën e Zotit, i shoh të pafuqishme përballë shumë situatave dhembjeje e vuajtjeje që nganjëherë e tejkalojnë imagjinatën tonë.

E pyes veten se ç’fjalë mund të them gjatë këtyre ditëve? A thua kanë vlerë fjalët e mia përballë dhembjes dhe vuajtjes së shumë njerëzve, qofshin këto fizike, shpirtërore apo edhe morale? Ndërkohë që çdokush në bashkësitë tona mundohet të kapë një audiencë sa më të madhe në rrjetet sociale, për të “reklamuar” gjërat e shenjta, në shumë familje nëpër fshatra, por edhe nëpër zona urbane, konsumohen situata të kalcifikuara dhembjeje dhe vuajtjeje. Jam i sigurt se Zoti më shumë se kudo, është aty, shpesh i heshtur e do të thoja i pafuqishëm për të ndryshuar diçka jashtë jetës së këtyre personave, për faktin e thjeshtë se këtë mision Ai na e ka lënë neve. Ai ndryshon zemrat tona dhe ne mundemi e duhet të ndryshojmë realitetin tonë.

Prandaj, të bësh një urim për Pashkët është një përgjegjësi e madhe, pasi rrezikojmë të biem në klishe-të e zakonshme, në fjalët që përdoren për çdo herë, por që gjithnjë e më shumë e largojnë festën nga jeta e shumë njerëzve. Nëse Krishti, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen, sikurse thotë një himn i vjetër i Pashkës që këndohet në këto ditë, na ka lënë ne, që me angazhimin tonë, të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale. Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq, të zbresësh në varr e prej aty të kumtosh lajmin e mirë të jetës që shpërthen nga nata e Pashkës. Vetëm kështu, duke zbritur në varret e hapura të shumë situatave shoqërore dhe shpirtërore, mund të bëhesh lajmëtar i ditës së re.

Këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që të kremtojmë dhe të gëzohemi të gjithë një zemre, edhe pse secili në bashkësitë e veta.

Le të jemi ne së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kumtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen. Sigurisht që e gjithë kjo do të ndodhë në liturgjitë dhe shërbesat që do të bëjmë nëpër kishat tona, por këtë duhet ta bërtasim me të madhe nëpër rrugët dhe në situatat e njerëzve të çdo dite, në veçanti të atyre, që për një arsye a një tjetër, gjenden në kryq, janë në varret e vuajtjes dhe të mjerimit për shkak të luftës, ndasive, inatit dhe zemërimit. Vetëm kështu do të kemi kremtuar me të vërtetë Pashkë.

Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, me përshëndetjen e të krishterëve: Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall!”.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Imzot Gjergj Meta uron Festën e Pashkëve: Të kumtojmë këtë ditë të shenjtë appeared first on Euronews Albania.

Bashkimi Evropian shtyn gjobat për Apple dhe Meta

18 April 2025 at 19:28

Bashkimi Evropian ka vendosur të mos gjobisë gjigantët amerikanë të teknologjisë Apple dhe Meta për shkeljen e ligjeve antitrust, raportoi The Wall Street Journal (WSJ).

Sipas gazetës, Komisioni Evropian fillimisht kishte planifikuar të shpallte gjobat të martën, por pas një takimi midis komisionerit evropian për Politikë Tregtare dhe Siguri Ekonomike Maros Sefcovic dhe përfaqësues të administratës amerikane të hënën, zyrtarët e BE-së vendosën të shtyjnë gjobat për të mos rrezikuar bisedimet tregtare në vazhdim midis BE-së dhe SHBA-së.

Megjithatë, Komisioni Evropian nuk planifikon të anulojë gjobat për gjigantët e teknologjisë. Nuk është ende e qartë se sa do të zgjasë shtyrja.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të lidhin një marrëveshje tregtare me vendet e BE-së para skadimit të periudhës 90-ditore për të cilën ai urdhëroi shtyrjen e rritjes së tarifave për një numër vendesh.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Bashkimi Evropian shtyn gjobat për Apple dhe Meta appeared first on Euronews Albania.

Manjani: Meta do rrijë te 313-ta, Idrizi në pension. Komenti për Barometrin

17 April 2025 at 21:36

Juristi Ylli Manjani komentoi në emisionin Now gjetjet e Barometrit në Euronews Albania lidhur me matjet e dyta politike për qarkun Tiranë para zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas tij, me këtë rezultat kandidatët e opozitës që janë në listë të hapur nuk marrin asnjë mandat, ndërsa PS është në rezultatin e zgjedhjeve të 2021.

“Me këtë rezultat Ilir Meta do vazhdojë të rrijë te 313, Shpëtim Idrizi ka dalë në pension, LaCivita nuk fiton dot, madje me këtë rezultat edhe Trump e ka të vështirë… e ka sjellë Saliu LaCivitan na çemndi magjia, magjia për 12 mandate. Listën e mbyllur, atë që ka vënë Saliu, kjo po ndodh. Me këtë rezultat, Jordia, Shpëtimi, Meta marrin 30 mijë vota dhe nuk hyjnë në Parlament, nuk janë te lista me 12 mandate, partia nuk i kalon 12 mandate, ata të listës së hapur mund të marrin vota por këto shkojnë te lista e mbyllur. PS është në rezultatin e 2021”, tha Manjani.

 

The post Manjani: Meta do rrijë te 313-ta, Idrizi në pension. Komenti për Barometrin appeared first on Euronews Albania.

Policia e Shtetit dhe Meta intensifikojnë bashkëpunimin kundër krimit kibernetik

By: fra nc
15 April 2025 at 16:29

Policia e Shtetit dhe përfaqësues të kompanisë Meta Platforms INC. kanë zhvilluar një takim për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit kibernetik dhe mbrojtjen e hapësirës digjitale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme përfaqësuesit e kompanisë Meta, Kateryna Kruk, Drejtuese Rajonale e Politikave Publike për Europën Qëndrore dhe Lindore, dhe Birger Witt, Menaxher i Besimit dhe Sigurisë për Europën Qëndrore dhe Lindore. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtues të tjerë nga Policia e Shtetit, si Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati dhe Drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike, Ervina Gjana.

Takimi u përqendrua në adresimin e sfidave që hasen në platformat sociale të administruara nga Meta, veçanërisht ato që lidhen me krimin kibernetik dhe mbrojtjen e të miturve. Diskutimet u fokusuan në krijimin e mekanizmave të përbashkët për rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe menaxhimin e rreziqeve online.

Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit falënderuan Meta-n për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksuan gatishmërinë për intensifikimin e këtij partneriteti, veçanërisht në rastet emergjente që prekin sigurinë e të miturve në platforma digjitale.

“Ky takim theksoi angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një hapësire digjitale më të sigurt dhe për një proces hetimor më efikas në luftën kundër krimit kibernetik”, thuhet në njoftimin e policisë.

The post Policia e Shtetit dhe Meta intensifikojnë bashkëpunimin kundër krimit kibernetik appeared first on Euronews Albania.

Kryemadhi paraqitet në SPAK: Meta u “rrëmbye” me urdhër të ish-ambasadores Yuri Kim

By: Besnik
15 April 2025 at 12:17

Monika Kryemadhi, është paraqitur këtë të martë sërish në Prokurorinë e Posaçme.

Besohet se paraqitja e saj në Strukturën e Posaçme është në përputhje me masën “detyrim paraqitje” që është vendosur ndaj saj.

Pasi doli nga SPAK ajo tha se arrestimi i Ilir Metës të cilin e cilësoi së rrëmbim sipas saj është bërë me urdhër të ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Rrëmbimi i Ilir Metës, në fakt, u bë me urdhër të një gruaje që kishte një inat personal ndaj tij – Yuri Kim, e cila sot nuk përfaqëson asgjë. Ajo premtoi një “parajsë mbi tokë” për institucionet e drejtësisë, por në realitet, i dha Edi Ramës një mundësi të artë për të treguar se hakmarrjen personale e realizon në mënyrë perfekte. Ne kemi ndërtuar një sistem drejtësie për të bërë drejtësi, jo për të burgosur njerëz që janë thjesht nën hetim. Për mua, sistemi i drejtësisë mund të jetë i shumëpritur, por ai duhet të jetë në funksion të qytetarëve. Ne kemi kërkuar drejtësi për shqiptarët, jo për hakmarrje politike.”, tha Kryemadhi.

Ajo foli dhe për angazhimet politike të ish-bashkëshortit të saj.

“Besoj se kthjelltësia politike e Ilir Metës, pas kaq kohësh në izolim, është rikthyer. Mendoj se ai është kthjelluar politikisht dhe po lufton për të çuar sa më shumë vota drejt opozitës. Është një rrugë e vështirë dhe problematike, por ai po përpiqet të aktivizojë të gjithë njerëzit që ka pasur pranë, për t’i angazhuar në fushatë dhe për t’i orientuar drejt opozitës”, tha Kryemadhi.

Gjatë hyrjes në SPAK Kryemadhi u shkëmbye me deputeten e PD Albana Vokshi ku Kryemadhi dëgjohet ti thotë Vokshit “Ai është më i pacipi dhe bravo i qoftë, i vetemi që pasurohet duke qenë në opozitë”, megjithatë nuk dihet se për kë e kishte fjalën Kryemadhi.

Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë”, në të njëjtën dosje me ish-presidentin dhe ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta, i cili prej 23 tetorit qëndron në masën e sigurisë “arrest në burg”.
LEXONI GJITHASHTU:

The post Kryemadhi paraqitet në SPAK: Meta u “rrëmbye” me urdhër të ish-ambasadores Yuri Kim appeared first on Euronews Albania.

Zyrtarizimi i divorcit, Kryemadhi: Për Metën unë do të jepja jetën e jo më votën

By: Besnik
11 April 2025 at 19:14

Këtë të premte u publikua nga mediat lajmi për zyrtarizimin e divorcit të Monika Kryemadhit me Ilir Metën.

Lidhur me këtë, ka reaguar Monika Kryemadhi me anë të një statusi në rrjetet sociale, ku thotë se i lutet të gjithëve të mos ndikohen nga ky lajm dhe kërkon votën për babain e fëmijëve të saj, për të cilin thotë se do të ishte e gatshme të jepte dhe jetën, e jo më votën.

“Të dashur miq! Uroj që të më mirëkuptoni sot në këtë ditë të jo shumë të mirë për mua dhe familjen time. Mediat vrapuan sot për të zyrtarizuar sot divorcin tim me Ilir Metën. Familjarë që nga mamaja, vëllai, kushërinjtë, miqtë dhe mikeshat e mia për të gjithë ju që më keni ndjekur në të gjitha sfidat e mia dhe iu jam mirënjohëse për gjithçka.

Sot do iu lutesha të mos ndikoheni nga ky lajm, unë kërkoj prap me të njëjtin përkushtim dhe dashuri votën për babain e fëmijëve të mi, për të cilët unë do të jepja jetën e jo më VOTËN për Ilir Metaj.

Sot kudo që jeni në çdo rrugicë dhe cep të Tiranës bashkohuni në hapjen e fushatës të opozitës sepse ky regjim është aq i keq dhe i helmuar sa helmon në qelizë dhe familjen shqiptare. Prandaj ju lutem sot më shumë se kurrë të jeni në Sheshin Nënë Tereza në orën 19 :00”, shkruan kryemadhi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Zyrtarizimi i divorcit, Kryemadhi: Për Metën unë do të jepja jetën e jo më votën appeared first on Euronews Albania.

Hapja e fushatës së opozitës, në ceremoni dhe tre fëmijët e Ilir Metës

By: Besnik
11 April 2025 at 19:00

Partia Demokratike dhe aleatët e saj të koalicionit “Shqipëria Madhështore” hapën zyrtarisht këtë të premte në orën 19:00 fushatën elektorale.

Aktiviteti u mbajt në Sheshin Nënë Tereza, ku mes të pranishmëve, sipas fotove të siguruara nga Euronews Albania, ishin edhe tre fëmijët e ish-presidentit të vendit, aktualisht kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (PL), i cili ndodhet në paraburgim.

Fëmijët e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ishin në mbështetje të koalicionit “Shqipëria Madhështore”, i kryesuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ku pjesë e tij është gjithashtu edhe Partia e Lirisë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Hapja e fushatës së opozitës, në ceremoni dhe tre fëmijët e Ilir Metës appeared first on Euronews Albania.

“Zyrtarisht të divorcuar”, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ndahen në Gjykatë

11 April 2025 at 11:25

Ish-presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, tashmë janë zyrtarisht të ndarë. Gjykata civile e Tiranës, gjatë seancës të mbajtur këtë të premte vendosi për zgjidhjen e martesës së çiftit.

Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili prej tetorit 2024 është në burg për llogari të hetimeve nga SPAK.

Meta u shoqërua nga qelia e 313 me forcat e Policisë së Burgjeve drejt gjykatës civile për të marrë pjesë në këtë proces të rëndësishëm ligjor.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi nuk është paraqitur personalisht në seancë, por është përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës, Redi Llanaj.

Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj.

Në qershor të vitit ishte kreu i PL që iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kërkoi zgjidhjen e martesës me Kryemadhin.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Zyrtarisht të divorcuar”, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ndahen në Gjykatë appeared first on Euronews Albania.

Mbahet seanca e divorcit Meta-Kryemadhi, kreu i PL i pranishëm në gjykatë

By: fra nc
11 April 2025 at 11:17

Prej orës 10:30, në Gjykatën Civile të Tiranës po zhvillohet seanca gjyqësore për zgjidhjen e martesës mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.

Në këtë seancë paraprake, ku është parashikuar mundësia e pajtimit mes palëve, ka qenë i pranishëm edhe vetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili prej tetorit 2024 është në burg për llogari të hetimeve nga SPAK.

Meta është shoqëruar nga qelia e 313 me forcat e Policisë së Burgjeve drejt gjykatës civile për të marrë pjesë në këtë proces të rëndësishëm ligjor.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi nuk është paraqitur personalisht në seancë, por është përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës, Redi Llanaj.

Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj.

Në qershor të vitit ishte kreu i PL që iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kërkoi zgjidhjen e martesës me Kryemadhin.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Mbahet seanca e divorcit Meta-Kryemadhi, kreu i PL i pranishëm në gjykatë appeared first on Euronews Albania.

“Fushata drejtohet nga Ilir Meta”, Xhixho: Besari mbështet kauzat e PL

By: Besnik
7 April 2025 at 21:25

Deputetja Erisa Xhixho, njëkohësisht nënkryetare e PL-së, që pas arrestimit të Metës më 21 tetor 2024, duke folur në një intervistë për emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, tha se fushatën e Partisë së Lirisë, pavarësisht se është i izoluar, e drejton Ilir Meta.

Ajo tha se kushdo nga Partia e Lirisë është në terren në mbështetje të fitores së koalicionit opozitar.

“Fushatën e drejton presidenti i Partisë së Lirisë, ashtu siç drejton të gjithë partinë, edhe pse është në izolim ekstrem. Ndërsa në terren, jemi të gjithë njësoj, duke punuar për fitoren, pavarësisht gradave që nga anëtari më i thjeshtë e deri te anëtari i komitetit drejtues, anëtari i kryesisë dhe të gjithë të tjerët, bashkimi është tek Ilir Meta. Pra, të gjithë ne dhe këtu po flas për ndjeshmërinë që kanë treguar mbështetësit për themeluesin e partisë për guximin që ai pati për të garuar në një listë të hapur, edhe pse ishte në izolim ekstrem”, tha Xhixho.

E pyetur nga moderatorja Erla Mëhilli nëse është djali i Ilir Metës që po drejton fushatën në terren, Xhixho tha se fushatën e drejton vetëm një person dhe ai është Ilir Meta, ndërsa Besar Meta ka rolin e çdo anëtari tjetër dhe çdo qytetari që mbështet Partinë e Lirisë dhe koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

“Besi është një njeri i shkolluar që është rritur në LSI dhe në Partinë e Lirisë, dhe padyshim që Besi bashkohet me kauzat e Partisë së Lirisë. Ai ka qenë gjithmonë aty, por është emocionuese pasi ai është në mbështetje të babait të tij përballë këtij regjimi. Besar Meta dhe çdo qytetar sot, pa dyshim, janë në mbështetje të presidentit të Partisë së Lirisë, Meta, por dhe të kauzës së opozitës. Përtej votës për zotin Meta, ne kërkojmë votën për koalicionin “Shqipëria Madhështore”. Shqipëria ka domosdoshmëri për një rotacion, për taksa më të ulëta, për mirëqenie për qytetarët, një model të ri ekonomik dhe për zbatimin sa më parë të programit të koalicionit opozitar,” tha Xhixho.

“Jo më larg se sot, kishim disa materiale të fushatës së zotit Meta që kërkonin miratimin e tij për t’i afishuar, postera dhe materiale të tjera, por nuk na u lejua t’i prezantonim. Izolimi nuk ndodh vetëm në takimin me lidershipin e partisë dhe deputetët, por edhe në këto gjëra fare të thjeshta që nuk paraqesin asnjë rrezik, vetëm për ta izoluar në ekstrem dhe për t’i pamundësuar fushatën zotit Meta”, tha ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Fushata drejtohet nga Ilir Meta”, Xhixho: Besari mbështet kauzat e PL appeared first on Euronews Albania.

“Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, PD dorëzon në KQZ koalicionin me 26 parti

By: Besnik
4 March 2025 at 07:12

Partia Demokratike dorëzoi të hënën në mbrëmje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën e plotë të partive që do të përbëjnë koalicionin e saj për zgjedhjet e 11 majit.

Koalicioni, i emërtuar Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), përbëhet nga 26 parti politike, duke përfshirë aleatët kryesorë të PD-së si; PL e Ilir Metës, PR e Fatmir Mediut dhe PDK e Nard Ndokës.

Një zhvillim i rëndësishëm është përfshirja e Shpëtim Idrizit, lider i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), i cili, pas mbylljes së negociatave me PD-në, ka vendosur të bashkohet me koalicionin. Po ashtu, pjesë e tij është edhe Vangjel Dule i PPDNJ.

Në listat zgjedhore, Partia e Lirisë do të ketë 4 deputetë të sigurtë, ndërsa Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka do të kenë nga një deputet secili. Kështu, koalicioni siguron 8 mandate të sigurta për aleatët e PD-së.

Marrëveshja e depozituar në KQZ specifikon se çdo parti do të propozojë kandidatët e saj për listën shumëemërore, duke u bazuar në peshën elektorale dhe negociatat përkatëse.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, PD dorëzon në KQZ koalicionin me 26 parti appeared first on Euronews Albania.

A do të jeta Meta në listën e sigurtë të PD? Berisha përgjgigjet pas daljes nga SPAK

By: Besnik
3 March 2025 at 10:55

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, ku u paraqit për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”, komentoi kandidimin e kreut të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (PL), Ilir Meta, për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha konfirmoi se, megjithëse Meta dëshironte të ishte në lista të hapura, ai do të jetë në listat e sigurta të PD-së, për shkak të pamundësisë për të bërë fushatë, pasi është i izoluar në burg. Ai e cilësoi Metën si “të burgosur politik”.

Sipas Berishës, Meta ka mbështetjen e plotë të PD-së dhe të gjithë opozitës shqiptare. Ai gjithashtu shtoi se Ilir Meta do të jetë deputet i Parlamentit në sesionin e ardhshëm të shtatorit.

“Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e plotë të PD-së dhe të gjithë opozitës shqiptare. Nuk ka diskutim”, tha Berisha.

Kreu i PD-së komentoi gjithashtu për mundësinë e fushatës nga burgu për Ilir Metën, duke thënë se ky i fundit mbahet në burg për të mos mundur të bëjë fushatë, dhe se Edi Rama po përpiqej të merrte mandatet duke mbajtur kundërshtarët në burg.

“Në lista të hapura apo të mbyllura? A mund të bëjë fushatë ai nga burgu? Ai donte lista të hapura, por ata e mbajnë në burg që të mos bëjë fushatë, sepse Edi Rama do të marrë mandatet duke mbajtur kundërshtarët në burg”, u shpreh Berisha.

“Prandaj, ai do të jetë deputet në Parlament, ndërsa Edi Rama do të jetë aty ku e meriton, do të ekstradohet tek McGonigali. Bile tani atje është McGonigali”, shtoi Berisha.

LEXONI GJITHASHTU:

The post A do të jeta Meta në listën e sigurtë të PD? Berisha përgjgigjet pas daljes nga SPAK appeared first on Euronews Albania.

Pasi e shikoi në ceremoninë e Trump, Zuckerberg i bën like fotos së Lauren Sanchez

By: Besnik
22 January 2025 at 08:56

Mark Zuckerberg është përfshirë në një tjetër polemikë pasi pëlqeu një foto provokuese të Lauren Sanchez, vetëm disa orë pas bujës që bëri kur u fiksua duke shikuar me vëmendje gjoksin e saj.

CEO i Meta-s, duket se nuk mund të ndalonte shikimin ndaj Sanchez, të fejuarës 55-vjeçare të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, gjatë ceremonisë së inagurimit të Presidentit Donald Trump në Capitol Rotunda.

Së shpejti, Zuckerberg e gjeti veten nën vëzhgimin e fansave në Instagram, aplikacioni i fotografive që ai vetë zotëron. Sanchez kishte postuar një foto provokuese të saj përpara ballos Starlight në nder të Trump në mbrëmjen e së hënës.

Pëlqimi i Zuckerberg u bë menjëherë një temë e nxehtë në rrjetet sociale. “Zuck po i bën pëlqimet private tani,” shkruante një komentues, ndërsa të tjerë shpreheshin se ai mund të ishte në rrezik të ngjallte xhelozi te gruaja e tij, Priscilla Chan, me të cilën është i martuar që nga viti 2012.

Në inagurimin presidencial, Sanchez dhe Chan ishin të ulura pranë njëra-tjetrës, por dukeshin të shmangnin bisedat e vogla. Chan, megjithatë, u fotografua duke biseduar me Robert F. Kennedy Jr., ndërsa Zuckerberg dhe Bezos ishin të pranishëm në grupin e të ftuarve të tjerë.

Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjet tregonte Zuckerberg duke hedhur shikime mbi Sanchez, e cila kishte veshur një veshje të guximshme me linjë të bardhë dhe një bluzë të hollë. Postimet me humor nuk munguan, si ajo që shkruante: “Sytë lart, Zuck!”

Kjo ngjarje ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale, duke pasur parasysh reagimet dhe debatet për veshjen e Sanchez dhe sjelljen e Zuckerberg.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Pasi e shikoi në ceremoninë e Trump, Zuckerberg i bën like fotos së Lauren Sanchez appeared first on Euronews Albania.

❌