Gazeta Si – Ish-drejtori Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar këtë të premte pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, teksa ndodhej për mjekim.
Policia e Durrësit njofton se Cërloj është lokalizuar dhe vënë në pranga, ndërsa akuzohet për shpërdorim të detyrës.
Po ashtu policia ka njoftuar se është caktuar arrest shtëpiak për shtetasen Ylfete Sema, mjekja e burgut të Durrësit.
Cërloj është shkarkuar dy ditë më parë nga posti që mbante me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa është pezulluar nga detyra gjithë zinxhiri komandues i burgut.
Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit.
Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri.
Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës.
Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar, nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.
Tetë punonjësit e ndaluar më parë për arratisjen e ndodhur në Burgun e Durrësit:
-Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
-Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Nga Gazeta “SI”- Fatmir Pjetri, i dënuar si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi publikoi në profilin e tij në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Burgjeve se i ka mohuar lejen për të promovuar një roman të shkruar prej tij, me pretendimin se përmbajtja e tij përfshin skena dhune dhe del kundër institucioneve shtetërore.
I indinjuar për diskriminimin që i është bërë, ai shpreh në këtë audioregjistrim pakënaqësinë e tij për ndalimin e promovimit të librit përpara bashkëvuajtësve të tij.
Në një rrëfim ekskluziv për GazetaSi.al, Fatmir Pjetri ka sqaruar në detaje jo vetëm arsyen e ndalimit të romanit, por edhe procesin e gjatë të krijimit të tij, që nga koha kur është shkruar e deri te botimi. Sipas tij, romani “Jetë e guximshme” është kryevepra e tij.
“Romani im me titull ‘Jetë e guximshme’ është krijuar në kushte izolimi ekstrem, pasi isha i mbyllur në regjimin 41 bis në Burgun e Burrelit për dy vite. Aty është burg brenda burgut. Nuk ke asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk ka gazeta as televizor, je i vetëm brenda katër mureve. E vetmja mënyrë argëtimi për mua ishte leximi. Dostojevski thoshte: ‘Më jepni një dramë dhe do t’ju jap një kryevepër’. Në këtë dramë dyvjeçare krijova veprën time, një roman me shumë personazhe, pa censurë, me skena aksioni dhe erotike, duke thyer tabutë. Kam folur për një realitet që ekziston, por që shumë pak persona e njohin.”
Pjetri thotë se arsyeja e ndalimit nga Drejtoria e Burgjeve të promovimit të romanit është absurde dhe diskriminuese.
“Të gjithë të tjerët që kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë institucion i kanë promovuar librat e tyre pa asnjë problem. Edhe romani im ishte programuar të promovohej te bashkëvuajtësit e mi në datë 14 janar, por Drejtoria e Burgjeve e anuloi prezantimin më 12 janar, me arsyetimin se romani promovon dhunën, përmban skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Ata e paragjykuan librin vetëm nga kopertina, pa e lexuar fare.”shprehet Pjetri
Sipas tij romani “Jetë e guximshme”, sipas tij, është një roman i shkruar pa komplekse, duke tentuar të thyejë tabu, ndërsa ai shpjegon edhe procesin e krijimit të tij nga faza fillestare deri në botim fizik.
“Për t’u arratisur nga dhuna psikologjike që përjetojnë të burgosurit në regjimin 41 bis, fillova të shkruaj nga 8 deri në 10 orë në ditë. Kur përfundova bis-in, kisha shkruar 1200 faqe A4 vetëm vitin e fundit. Në këto faqe është shkruar edhe një ditar për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e izolimit. Në romanin “Jetë e guximshme” bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet në zemër të Europës, në një hark të shkurtër kohor, dhe që përfshin kapërcime të herëpashershme në kohë. Personazhi kryesor, Viktor Delano, zgjohet në një spital me shtatë plumba në trup. Aty fillon dhe tregon historinë e jetës së tij deri në momentin e atentatit. Ka dashuri, grabitje, vjedhje diamantesh e florinjsh. Historia është e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjitha shtresat, me skena surprizuese dhe zhvillime të papritura që lexuesin e mbajnë të mbërthyer deri në fund. Romanin tim e ka redaktuar profesor Çelik Petriti dhe është shtypur nga shtëpia botuese Arte Grafik. Ai qarkullon në treg dhe është i aksesueshëm për të gjithë.”
Botuesja: Janë rritur kërkesat për librin pas autoinçizimit
Botuesja e romanit, Artemida Nako nga ArteGraphic shpjegon për GazetaSi.al detajet e botimit fizik të romanit “Jetë e guximshme”
“Libri ka dalë nga botimi në datën 9 janar dhe pak ditë më pas i vëllai i Fatmirit ka tërhequr disa kopje me idenë e promovimit në burg. Kopertina është dizajnuar sipas kërkesave të Fatmirit për të shprehur sa më qartë atë çka ai ishte përfshirë në roman. Me kërkesë të tij, si një vjegë për të tërhequr lexuesin, kemi bërë edhe disa shënime si “Ky libër mban skena erotike dhe akte dhune”, por edhe për të paralajmëruar se libri në fakt është për lexues mbi 18 vjeç.
Nako përfundon duke theksuar se libri është paragjykuar duke e moslejuar promovimin nisur vetëm nga kopertina.
“Unë mendoj se arsyeja e ndalimit të promovimit është vetëm për shkak të shënimit në kopertinë, sepse po të lexohet, ajo është letërsi dhe imoraliteti nuk ekziston kur bëhet fjalë për letërsi. Kemi plot shkrimtarë që kanë shkruar tema të tilla si Bukowski e shumë të tjerë, por gjithçka gjykohet në kuadrin e letërsisë.”
Por çfarë është letërsia dhe krijimi sipas Fatmirit dhe pse ishte kaq i fortë përjetimi që u desh ta hidhte në letër. Ai e shpjegon duke u shprehur se: “Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të shkrimit ne shprehim dashurinë, dhimbjen dhe mërzinë.” përmbyll Fatmir Pjetri rrëfimin për GazetaSi.al
33-vjeçari Fatmir Pjetri nga Puka, pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bandës, që shtriheshin në të gjithë vendin , Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç e Shkodër. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u plaçkit një argjendari. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua më 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe brenda vetëm tre minutash.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili shpik për emrin tim, jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale, jo me sajesa”.
Fatmir Pjetri u ekstradua nga Hollanda në Shqipëri në vitin 2019, ku po kryen dënimin për krimet e kryera, në burgun e Burrelit, aty ku para pak ditësh iu refuzua edhe “krimi i radhës” ; prezantimi i romanit.
Gazeta Si – Nancy VanHorn deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të fokusuara në forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH në Tiranë, ajo tha se Amerika do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.
Duke ritheksuar deklaratën e sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se grupet kriminale po shkaktojnë destabilizim dhe emigrim masiv në shtete të ndryshme, Van Horn theksoi se krimi i organizuar do të luftohet duke forcuar SPAK-un, BKH-në dhe Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë.
Sipas saj, lufta kundër krimit është një prioritet absolut i SHBA-ve.
“Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë”, – u shpreh Van Horn.
Nga Gazeta Si- Shqipëria ka ndaluar importi e kafshëve të gjalla, shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, mishit të freskët, vezët dhe materialin biologjik të shpendëve nga Sllovenia, Spanja dhe Polonia.
Ky vendim ka ardhur pasi në këto vende janë zbuluar raste të sëmundjes së gjuhës blu tek kafshët dhe flamës e gripit të shpendëve.
Konkretisht, sëmundja e gjuhës blu është zbuluar në Slloveni, flama në Spanjë dhe influence aviare në Poloni.
Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare, ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla dhe shpendëve nga këto 3 vende.
Gazeta “SI”- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe, i përgatitur nga Akademia e Shkencave, paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.
Sipas saj, “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.
“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.
Ajo theksoi se fjalori i ri, i hedhur në konsultim publik, përmban gafa dhe qëndrime që nuk mund të anashkalohen dhe që janë tejet problematike.
Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, e cila duhet të japë shpjegime profesionale lidhur me mënyrën e hartimit të këtij fjalori.
“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për një fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe që përbën një element thelbësor të identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do të trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim serioz”, theksoi ajo.
Gjithashtu, Zhupa solli edhe disa shembuj që, sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele, duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo përdorimin e fjalës “onlajn”.
Ajo ndaloi veçanërisht te, sipas saj, “përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve ‘djalë’ dhe ‘vajzë’”.
“Në fjalorin e ri, ‘djalë’ përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa ‘vajzë’ shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi Zhupa ndër të tjera.
Sipas saj, “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet ‘shqip e saktë’”.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal tek hakërimi i materialeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për bazë një mesazh të dërguar lidhur me “skemën e hakërimit”.
Në pjesën e dosjes që ka publikuar Sali Berisha, të pandehurit Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni komunikojnë me njëri tjetrin.
Sipas pjesës së dosjes që ka bërë publik Berisha Rrokaj i dërgon mesazh Gjonit ku flasin për hakerimin e sistemit, ndërsa përmendet edhe kryeministri Edi Rama.
“Përshëndetje doktor, një informacion të veçantë tek dosja e hakërimit të sistemit të SPAK-ut. Hakëruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakërimin.
Pjesë nga dosja: Me datë 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj, i dërgoi Zambak Gjonit një foto që duket sifaqe interneti, e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut. Më pas, ai dërgon një sms me përmbajtjen ‘a mos e hapsha dot’. Më pas Arnold Rrokaj i dërgon sërish sms Zambak Gjokajt se ‘do t’i shkruajë Ramës dhe hajt t’ua bëjmë robt. Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.’”, lexon Berisha denoncimin.
Duke vijuar me këtë denoncim, Berisha shprehet se krijohet bindja e ndërhyrjes së paautorizuar, me pretendimin e shpërndarjes së informacionit tek palë të treta.
“Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë, me gjuhën e Lubisë, se këtë gjuhë kishin ata me njëri-tjetrin, jo pallosh e kështu e ashtu. Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë. Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë. Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi. Pra, Engjëll Agaçit i kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera.
Arnoldi shprehet: Ja ta shikoj njëherë, po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka, nga këta që kam unë, nuk e ka njeri. Se këta i paskan pasur të ndarë prokurorët se cilët do të hakerojnë”, tha ai.
Nga Gazeta “Si” – Austriakët e “Red Bull” prezantuan një dizajn të ri dhe mbresëlënës për sezonin 2026 në Formula 1. Event spektakolar u mbajtu në “Michigan Central Station”.
Skuadra me bazë në Milton Keynes shfaqi pamjen e re gjatë një ceremonie madhështore në Detroit, qytetin e Ford-it, me të cilin po bashkëpunon për të zhvilluar motorrin e parë “Made in Red Bull” në historinë e Formula 1.
Piloti Martin Sonka, e bëri prezantimin edhe më të veçantë me një akrobaci të jashtëzakonshme ajrore, duke hequr mbulesën e makinës nga ajri.
Dizajni i ri shënon një rikthim te fundi shkëlqyes (gloss), i përdorur për herë të parë kur kompania e pijeve energjike debutoi në këtë sport në vitin 2005.
Katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, do të shoqërohet këtë sezon nga Isack Hadjar, i cili vjen nga skuadra simotër, “Racing Bulls”.
Binomi do të synojë të rikthejë titullin Botëror që “Red Bull, e fitoi për herë të fundit në vitin 2023 për Konstruktorë.
“Racing Bulls” u bë një nga skuadrat e para të Formula 1 që kanë prezantuar dizajnin e makinës për sezonin 2026, gjatë një eventi të veçantë në Detroit.
Mbrëmja në stacionin e trenit “Central Michigan” priti “Racing Bulls” edhe Red Bull në prezantimin e dizajnit në qytetin e njohur si shtëpia amerikane e Ford-it. Sezoni 2026 do të mbahet mend si hera e parë që “Red Bull Ford Powertrains” do të veprojë si prodhues i motorrit për të dyja skuadrat.
Pilotët Liam Lawson dhe Arvid Lindblad – kostumet e garës së të cilëve ishin prezantuar disa ditë më parë – ndihmuan në zbulimin e dizajnit të makinës për vitin 2026.
Eventi u ndoq nga 1.500 të ftuar, ndërsa tifozët e përjetuan momentin edhe përmes transmetimit live.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshime në administratën e Kuvendit, duke theksuar nevojën për modernizim institucional, transformim teknologjik dhe ndërtimin e një godine të re për Parlamentin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist Rama theksoi se procesi i draftimit të ligjeve kërkon më shumë informacion të ndërsjellë dhe përfshirje aktive të deputetëve.
Sipas tij ndryshimet brenda pushtetit legjislativ do të vijojnë pas reformimit të komisioneve parlamentare.
“Aspektin e ndryshimeve brenda pushtetit, organizimit të pushtetit legjislativ që e filluam me komisionet. Sot patjetër që qoftë nga kryetarët e komisioneve, qoftë nga anëtarët e interesuar për të diskutuar do dëgjojmë se çfarë opinioni keni lidhur me këtë formulë të re që kemi me numrin e komisioneve, ndarjen etj. Dhe duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik. Punë për të cilën me siguri do të flasë kryetari”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se modernizimi i administratës së Kuvendit dhe vendosja e një kalendari të qartë për godinën e re të Parlamentit janë pjesë e të njëjtit vizion për rritjen e efikasitetit dhe energjisë pozitive në punën e deputetëve.
“Nga ana tjetër duhet sigurisht që të vendos vendosim edhe piketat me një kalendar të qartë për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë shkojnë në të njëjtin drejtim. Natyrisht që asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës që bëjmë, po të gjitha këto bashkë ndihmojnë për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe më shumë energji pozitive punës së deputetëve, të cilët duhet të mos e ndërpresin, përkundrazi ta artikulojnë më mirë punën që filloi shumë mirë pas zgjedhjeve në territor”, vijoi kreu i qeverisë.
Sipas tij shumica prej 83 mandatesh imponon përgjegjësi të mëdha, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet mbyllja e negociatave me BE-në deri në fund të vitit 2027.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ndërsa foli për sfidat e anëtarësimit të Shipërisë në Bashkimin Europian, tha se kushtet nga kjo e fundit nuk janë të lehta.
Megjithatë, ai shtoi se kur përfaqësuesit europianë bëjnë propozimet e tyre apo vendosin piketat, ato duhen miratuar.
Sipas tij Shqipëria nuk është në kushtet për të negociuar draftet që vijnë nga BE.
“Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi të qartë, kemi lirinë që të negociojmë me BE-në.
Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me Komisionin, I imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen, duhet miratuar, jo diskutuar! Sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë, dujhet të diskutojmë a duhet të hyjmë në BE apo jo.”
Më tej, nënvizoi një “gabim” që sipas tij e ka bërë dhe vetë, bashkë me kolegë në politikë. Ai i udhëzoi ata të mos krahasojnë Shqipërinë me vendet e tjera të Evropës.
“Marrin një draft dhe i referohen vendeve të tjera në BE, shiko se Franca nuk e ka, Gjermania…Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar se ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Sepse kur ngrihet kjo pyetje, përgjigja është se që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria! Kushtet janë këto, nëse doni. Nëse s’doni, mund ta bëni si të doni!”, argumentoi Rama.
Nga Gazeta Si- “Historia e Assane Thiaw është një dështim i shtetit italian. Po flasim për një të ri me çrregullime të rënda psikologjike i cili u zhduk nga duart e shtetit”.
Kjo u deklarua nga senatorja Ilaria Cucchi e Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës në Itali, duke komentuar përgjigjen e Ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi ndaj pyetjes së saj në lidhje me 27-vjeçarin senegalez i cili u zhduk pasi u mbajt për muaj të tërë në Qendrën e Pritjes së Përkohshme në Milano e më pas u dërgua në Gjadër.
Sipas Cucchi-t, Hassan qëndroi në Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos “për nëntë muaj të plotë, pavarësisht se gjendja e tij psikofizike ishte e papajtueshme me ato vende”.
“Na thuhet se atyre u bëhet një vlerësim mjekësor para pranimit, dhe se në rastin e tij ai ishte i aftë për paraburgim. Por në realitet, ky nuk ishte rasti”, deklaroi ajo, duke argumentuar se ka “një mijë dëshmi nga të burgosurit dhe madje edhe video që vërtetojnë të kundërtën”.
Senatorja rindërtoi se si Assane qëndroi në Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos “derisa u publikuan ato video”, pas së cilës ai u transferua nga Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos në qendrën në Shqipëri.
“Për muaj të tërë e kemi dëgjuar Kryeministren Giorgia Meloni të thotë se CPR-të në Shqipëri do të funksionojnë”, shtoi ajo, “dhe duhet të them se në këtë rast ato funksionuan, sepse ata e kuptuan menjëherë se gjendja fizike dhe mendore e Hassanit e bënte atë të papajtueshëm me ato vende, dhe e dërguan përsëri në Itali.”
Problemi, këmbëngul Cucchi, është ajo që ndodhi më pas.
Që prej momentit që Qendra e Gjadrit tha se Hassan nuk mund të qëndrojë aty për shkak të problemeve që kishte, ai u zhduk!
“Problemi sot është se ne kemi humbur çdo gjurmë nga Hassan”.
Ajo tha se e ka pyetur shumë herë Ministrin e Brendshëm por nuk ka marrë kurrë përgjigje.
“Sot e kuptoj pse ministri nuk u përgjigj kurrë: thjesht sepse nuk dinte asgjë. Asgjë”, tha ajo.
Sipas saj, Ministri nuk e di se ku është Hassan sot, edhe pse në gjendjen e tij, ai përbën rrezik për veten dhe për të tjerët.
“Ministri që vazhdon të përdorë fjalën ‘siguri’ por duhet të më kishte shpjeguar se çfarë do të thotë siguria sot, në lidhje me një person që endet nëpër Itali pa ditur askush asgjë. E konsideroj këtë jashtëzakonisht serioze dhe e konsideroj edhe më serioze që Ministri i Brendshëm nuk di absolutisht asgjë për të gjitha këto”, përfundon Cucchi.
Gazeta Si – Delcy Rodriguez mori detyrën si presidente e përkohshme e Venezuelës rreth dhjetë ditë më parë, një periudhë në të cilën u liruan disa të burgosur politikë dhe pati hapje ndaj kompanive të huaja në çështjen e naftës.
Qeveria e re e Rodriguez vepron nën kontrollin dhe kërcënimin e administratës amerikane të Donald Trump, megjithëse kufijtë e këtij ndikimi nuk janë ende plotësisht të qarta.
Ajo përbëhet nga njerëz që kanë mbajtur role udhëheqëse në regjimin e Nicolás Maduro (përfshirë vetë Rodriguez, e cila ishte nënpresidente) dhe shumica e pozicioneve mbeten të pandryshuara.
Megjithatë, ka disa dallime të vogla: kryesorja është se më teknokratët dhe më pak ushtarakët midis politikanëve besnikë ndaj Maduros, kanë fituar pushtet dhe famë.
Edhe pas operacionit ushtarak amerikan që kapi Maduron, klasa sunduese venezueliane mbeti një shprehje e “Chavismit”, lëvizjes politike populiste të frymëzuar nga socializmi, e nisur nga ish-presidenti Hugo Chávez (në detyrë midis viteve 1999 dhe 2013).
Gazeta “El Pais” shkruan se në Venezuelë, përbërësi teknokratik i qeverisë përshkruhet si “chavismi i iluminuar”, për ta dalluar atë nga ai “i rritur në kazermë”.
Delcy Rodríguez, me parlamentarë venezuelianë në 2017
Për shembull, anëtarët e saj, shpesh kanë studiuar jashtë vendit dhe kanë përvojë diplomatike, një fokus të veçantë në ekonomi dhe një vizion më të gjerë politik. Në të njëjtën kohë, ata i qëndrojnë besnikë ortodoksisë së regjimit, e cila nuk është vënë kurrë në dyshim.
Profili i përshkruar është kryesisht ai i presidentes së re, e cila u ngjit në karrierë në qeverinë e Çavezit dhe më pas në atë të Maduros.
Rodriguez është vajza e një guerili marksist që mori pjesë në rrëmbimin e një biznesmeni amerikan në vitin 1976 (kur Delcy ishte 7 vjeçe) dhe u burgos dhe u torturua nga qeveria pro-amerikane e kohës. Jorge Antonio Rodriguez vdiq në burg dhe më vonë u bë një figurë e nderuar si një lloj martiri.
Delcy Rodriguez mori një diplomë masteri nga Sorbona, një universitet prestigjioz parizien, dhe mbajti poste diplomatike në Londër.
Për më shumë se pesë vjet, ajo kishte menaxhuar ekonominë e Venezuelës, me delegacion të plotë nga Maduro.
Ndërsa ai këndonte, kërcente dhe përpiqej të paraqitej si një udhëheqës i afërt me qytetarët, ajo komunikonte me tone formale, duke cituar të dhëna dhe statistika.
Ish-ministri i Jashtëm, Felix Plasencia në vitin 2022
Një nga vendimet e saj të para, ishte emërimi i Calixto Ortegas, një nga ekspertët e paktë në këtë fushë brenda regjimit, si zëvendës-ministër për Ekonominë.
Ai është inxhinier, ka një diplomë master në financë dhe ishte president i Bankës Qendrore të Venezuelës. Ai luajti një rol kyç në tranzicionin e Venezuelës drejt një ekonomie tregu dhe një përdorimi më të përhapur të dollarit, në një përpjekje për t’iu përgjigjur një krize të thellë ekonomike që ka zgjatur më shumë se një dekadë.
Megjithatë, Rodriguez ia besoi një nga detyrat më të rëndësishme, ruajtjen e marrëdhënieve me administratën amerikane,Felix Plasencias.
Ai është 53 vjeç, ka një sfond në studimet diplomatike dhe një diplomë master në Evropë, mban shtetësi të dytë spanjolle dhe ka një reputacion për përfaqësimin e një ane të vendit më të hapur ndaj bashkëpunimit me Perëndimin.
Vëllai i presidentes, Jorge Rodriguez, i cili më parë drejtonte Asamblenë Kombëtare (Parlamenti), do të vazhdojë të ketë ndikim të konsiderueshëm politik.
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro me Jorge Rodríguez (majtas) dhe Ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino (djathtas), në nëntor 2025
Ai konsiderohej strategu politik i Maduros, por qeveria amerikane e konsideron atë një bashkëbisedues të besueshëm.
Ai kontrollon një shumicë shumë të madhe parlamentare me Partinë e Bashkuar Socialiste të Maduros, por zgjedhjet në Venezuelë nuk janë të lira dhe regjimi ka gërryer çdo institucion demokratik.
Pavarësisht kësaj, shumë nga reformat e kërkuara nga Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë zyrtarisht miratimin parlamentar, duke filluar me hapjen e pranisë së kompanive të reja amerikane të naftës, objektivi kryesor i planeve të Trump për të ardhmen e vendit.
Disa nga figurat më radikale të regjimit mbeten në pushtet, siç është ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, i cili kontrollon aparatin e sigurisë dhe shtypjes së vendit (situata për këtë çështje ka mbetur e pandryshuar për momentin).
Që nga janari, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur shpërblimin për kapjen e tij në 25 milionë dollarë, dhe administrata Trump e ka kërcënuar atë me një operacion të ngjashëm me atë që çoi në kapjen e Maduros nëse ai “nuk bashkëpunon”.
Nicolás Maduro Guerra, djali i ish-presidentit, në maj 2025
Shkarkimi i Cabellos nga qeveria nuk ishte kryesisht i motivuar nga lehtësia: nëse shkarkohet, ai mund të organizojë një lëvizje rezistence, duke përfshirë shfrytëzimin e “colectivos”, grupeve paraushtarake që shpesh udhëtojnë me motoçikleta dhe që regjimi i ka përdorur vitet e fundit për të shtypur opozitën.
Gjithashtu i përket krahut të vijës së ashpër, është ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino, i cili gjatë 11 viteve të tij në detyrë ka zhvilluar lidhje të ngushta, veçanërisht me Rusinë.
Djali i Maduros, Nicolás Maduro Guerra, i njohur si Nicolsito, gjithashtu nuk mban role qeveritare, por mbetet simbolikisht i rëndësishëm.
Ai është 35 vjeç dhe ende ndjek studimet master në ekonomi në një universitet privat të Venezuelës. Ai ka qenë anëtar i parlamentit për më shumë se një dekadë, por është edhe muzikant: ka mbajtur pozicione në një komision ekonomik parlamentar dhe ishte gjithashtu përgjegjës për lidhjen me institucionet fetare dhe akademike.
Historia e tij politike deri më tani ka qenë mjaft e pakët në rezultate dhe rëndësi. Ai mbrojti prindërit e tij dhe dënoi sulmet e SHBA-ve, por pa akuzuar qeverinë e re: nuk ka gjasa të ketë një rol në këtë fazë tranzicioni.
Nga Gazeta “Si” – Luis Díaz ka qenë një sukses i menjëhershëm te Bayern Munich, duke ndihmuar kryesuesit e Bundesligës të regjistrojnë shifra rekord deri tani (sezoni 2025/26).
Në vazhdim do të hedhim një vështrim mbi statistikat që tregojnë ndikimin e kolumbianit në “Allianz Arena”…
1 – Díaz debutoi zyrtarisht te Bayern, në “Superkupën Franz Beckenbauer”, një fitore 2–1 ndaj VfB Stuttgart për trofeun e tij të parë në Gjermani.
3 – Kolumbiani shënoi në 3 ndeshjet e para në Bundesliga.
9 – Díaz ka shënuar 9 gola në Bundesliga: 3 me këmbën e djathtë, 3 me të majtën, 2 me kokë dhe 1 me shpatull. Njëri prej tyre, jashtë zonës së penalltisë.
9 – Ai ka dhënë gjithashtu 9 asist në Bundesliga.
10 – Numri total i asistëve në të gjitha kompeticionet me Bayern.
11 – Kolumbiani ka pasur 11 raste të pastra shënimi në Bundesliga, megjithëse ka realizuar vetëm 5 prej tyre.
13 – Numri i pozicioneve jashtë loje që Díaz është kapur në Bundesliga.
14 – Numri në fanellën e Díaz-it te Bayern.
14 – Numri total i golave të Díaz-it me Bayern-in në të gjitha kompeticionet (9 në Bundesliga, 3 në UEFA Champions League, 1 në DFB-Pokal dhe një në Superkupën Franz Beckenbauer).
15 – Díaz është kolumbiani i 15-të që luan në Bundesliga dhe i 3-ti te Bayern pas James Rodríguez (43 ndeshje) dhe Adolfo Valencia (23). Vetëm 6 bashkëkombës të tij kanë shënuar më shumë gola.
16 – Numri i ndeshjeve të Díaz-it në Bundesliga nga 17 të mundshme nga të cilat, 15 si titullar. 1,345 minutat e lojës, janë më shumë se çdo lojtar i Bayern-it në kampionat.
24 – Numri i ndeshjeve të Díaz-it në të gjitha kompeticionet që nga mbërritja te Bayern. Ai nuk ka pësuar ende asnjë humbje me klubin: 23 fitore dhe një barazim kundër Union Berlin – ndeshje në të cilën edhe shënoi. Ai ka munguar vetëm në 3 ndeshje, të gjitha për shkak pezullimi.
34.14 km/h – Shpejtësia maksimale që Díaz ka arritur në Bundesliga.
64 – Numri mesatar i prekjeve të topit/ ndeshje në kampionat.
75 – Díaz mesatarisht shënon një gol ose jep një asist çdo 75 minuta në elitën gjermane.
80 – Numri i goditjeve drejt portës ku Díaz ka qenë i përfshirë në Bundesliga: 47 i ka realizuar vetë dhe 33 i ka krijuar për shokët e skuadrës. Kjo do të thotë: përfshirje në një goditje çdo 17 minuta në fushë.
86% – Saktësia e pasimeve të Díaz-it nga aksionet në Bundesliga.
2029 – Kur Díaz iu bashkua Bayern-it në verën e vitit 2025, ai firmosi një kontratë 4-vjeçare deri në fund të sezonit 2028/29.
Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama u ndal te procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pavarësisht se sipas tij Shqipëria ka punuar me ritme të shpejta në plotësimin e detyrave të caktuara, ai tha se ende është sfidë përmbushja e detyrimeve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave.
“Prej vetëm 2 vitesh, Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë i dakordësuar me BE, dhe sikundër e kemi bërë të qartë edhe për opinionin publik.
Akoma sot edhe brenda grupit, lërë pastaj brenda partisë, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do të thotë në pikëpamje të sfidës dhe barrës së detyrimeve përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe pastaj përmbushja e kushteve për të përballur përfshirjen në një realitet të ri siç është realiteti i një tregu prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e integruar do jetë një pikë uji në oqean. Sfida për të gjithë sektorin prodhues dhe për institucionet do jetë e shumëfishtë”, tha Rama.
Ai shtoi se beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor.
Sipas tij, në kushtet e sotme Shqipëria është e paintegrueshme në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të Bashkimit Europian.
Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor. Ai paralajmëroi se ashtu si në BE, dhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë.
“Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme, pas momentit të anëtarësimit, që t’i japim mundësi vendit të jetë i gatshëm të përmbushë kriteret, për të qenë bashkë familjes europiane.
Kjo nuk bëhet ekskluzivisht për ne, është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, e kanë bërë vende përpara nesh. Kroacia ka negociuar dhe ka arritur të marrë 10 vjet fazë të ndërmjetme, për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Ne i referohemi atij rasti dhe bazuar me atë precedent, do mund të marrim lehtësi të tillë. Edhe në Shqipëri do të funksionojnë kriteret e njëjta që do të thotë që edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë.
Pastaj, në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet, po shkoj në ekstrem, për ketë arsye duhet një super punë, por edhe një super vendosmëri nga ana jone si vendimmarrës për të mos falur asnjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë.
Gjithsekush duhet të vendoset në pozita përgjegjshmërie dhe pune, sepse në rastin më të mire janë vetëm 10 vite përpara, nëse do llogarisim 2030 që vitin që jemi ulur në tryezën e BE, dhe 5 vite që urojmë të negociojmë”, tha Rama.
Nga Gazeta “Si” – Kur duhen diçka më shumë se 24 orë nga sfida Man Utd vs. Man City, kujtojmë momentet ikonë mes dy skuadrave në ishull.
Manchester United pret Manchester City-n të shtunën, ku vendasit do të drejtohen për të parën herë nga Michael Carrick, ndërsa miqtë kërkojnë titullin e 7-të Kampion në Angli me Pep Guardiola-n në stol.
Më poshtë kemi veçuar disa nga ndeshjet dhe incidentet më të famshme mes dy klubeve në “Premier League”.
– Amad trondit “Etihad Stadium” – Dhjetor 2024 – Foden dhe Haaland shënojnë secili nga tregolësh – Tetor 2022 – United shtyn kurorëzimin e Man City-t – Prill 2018 – Goli vendimtar i Van Persie’t – Dhjetor 2012 – Supergoli i Kompany që hapi rrugën e titullit të parë të City-t në Premier League – Prill 2012 – Festimi “Why always me?” i Balotelli-t – Tetor 2011 – Roveshata spektakolare e Rooney-t – Shkurt 2011 – Fitorja e derbit vulosur me një puthje nga United! – Prill 2010 – Goli dramatik i Owen-it në minutat shtesë – Shtator 2009 – Mançesteri bashkohet për të përkujtuar tragjedinë ajrore të Mynihut – Shkurt 2008 – Neville kundër Schmeichel në tunel – Nëntor 2002
Nga Gazeta ‘SI’ – Pak muaj pas shpalljes së çmimeve të reja të referencës në qytetet dhe bregdetin e Shqipërisë, qeveria ka shpallur dhe ato për fshatrat e zonat rurale.
Sipas një dokumenti që pritet të miratohet, për fshatrat do të përdoren çmimet e aktuale të qyteteve, në pritje të miratimit të çmimeve të reja. P.sh në rastin e Durrësit, ku çmimi i vjetër i referencës ishte 67 mijë lekë, për zonën urbane, tashmë 67 mijë lekë do të jetë edhe për zonën rurale. Me propozimet e reja, një m2 në Durrës, qytet dhe bregdet, shkon deri në 200 mijë lekë.
Fshatrat e Durrësit, në tërësi kanë vlerën më të lartë të çmimit për m2, sipas listës së re, por fshati më i shtrenjtë rezulton Farka e Tiranës, me 115.200 lekë për m2. Petrela dhe Peza parashikohet të kenë një çmim 84.000 lekë/m2.
Në Vlorë, çmimi i referencës për zonën rurale, përfshirë Radhimën (jashtë vijës së parë bregdetare), propozohet në 61.800 lekë për metër katror. Saranda ndahet në pesë zona urbane dhe një zonë rurale të re për fshatrat, me çmim reference 56 mijë lekë për metër katror.
Në zonën e veriut, fshatrat e Shkodrës dhe Lezhës do të kenë vlerat më të larta të referencës, repsektivisht 58 dhe 56 mijë lekë për metër katror.
Asnjë nga ndryshimet nuk ka hyrë ende në fuqi dhe janë në pritje të miratimit nga Kuvendi. Në draftin e çmimeve për qytetet, zona e ish-Bllokut në Tiranë kryeson me çmimin më të lartë të referencës, 228 mijë lekë për metër katror ose 2.2 mijë euro.
Pas kryeqytetit, zonat më të shtrenjtë janë ishulli i Sazanit dhe porti i Durrësit, ku një metër katror tokë kushton 200.000 lekë ose 2 mijë euro. Çmimet e rritura duket të jenë të lidhura me dy projektet luksoze që pritet të zhvillohen në Sazan nga familja Trump dhe në Durrës nga miliarderi arab Mohammed Alabbar.
Tabela e miratuar nga ministria e Financave tregon një rritje të konsiderueshme të çmimeve përgjatë të gjithë bregdetit. çmimet e reja për Himarën kapin 1.4 mijë euro/m2.
Propozimet e qeverisë nuk u mirëpritën nga të gjithë aktorët e tregut. Profesionistët e lirë shprehën shqetësimin e tyre duke thënë se drafti ka një metodologji jo transparente dhe nuk pranon transaksionet poshtë vlerës së caktuar, duke nxitur rritje artificiale të të çmimeve të apartamenteve.
Sipas APL, përdorimi i projekteve të ardhshme të zhvillimit urban si indikatorë për rritjen e çmimeve referuese, pa u bazuar në të dhëna reale të tregut të sotëm, përbën një tjetër rrezik për deformimin e tregut.
Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive të caktuar ndaj 25 pasurive të çiftit Argita dhe Jamarbër Malltezi.
Gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën e bërë nga çifti për lirimin e pasurive të tyre, mes të cilave janë llogari bankare, njësi biznesi, apartamente e prona të paluajtshme. Më herët edhe gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron.
Jamarbër Malltezi është nën akuzë për “korrupsion” dhe për “pastrim parash”, i pandehur për aferën e klubit sportiv “Partizani”.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij Sali Berisha, ish-kryeministër i vendit.
Avokatët e Malltezit pretendojnë se pasuria e tij është e ngritur mbi burime të ligjshme dhe nuk lidhet me asnjë formë të veprave penale.
Vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, kanë ankimuar vazhdimisht sa i takon vendimit për sekuestrimin e 25 pasurive, prej 2 vitesh.
Në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive për 25 pasuri në emër të çiftit të bashkëshortëve, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi zotëron aksione të rëndësishme.
Lista e plotë e pasurive të sekuestruara
– Shuma monetare të sekuestruara në disa llogari bankare në euro, lekë dhe dollarë amerikanë, në emër të Jamarbër Malltezit.
– Apartament me sipërfaqe rreth 128 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.
– Bodrum me sipërfaqe rreth 18 m², në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.
– Bodrum me sipërfaqe rreth 28 m², në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.
– Apartament me sipërfaqe rreth 195 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.
– Apartament me sipërfaqe rreth 102 m², në zonën e rrugës “Mustafa Matohiti”, Tiranë.
– Apartament me sipërfaqe rreth 208 m², i ndodhur në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë.
– Pasuri e paluajtshme e regjistruar në zonën kadastrale 8270, Tiranë.
– Pasuri e paluajtshme në bashkëpronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit.
– Apartament me sipërfaqe rreth 346 m², me sipërfaqe të përbashkëta ndërtimi.
– Apartament me sipërfaqe rreth 356 m², me sipërfaqe të përbashkëta ndërtimi.
– Njësi shërbimi me sipërfaqe rreth 459 m², me sipërfaqe të përbashkëta.
– Njësi shërbimi me sipërfaqe rreth 379 m², me sipërfaqe të përbashkëta.
– Apartament me sipërfaqe rreth 375 m², me sipërfaqe të përbashkëta.
– Truall dhe vilë (apartament dupleks) me sipërfaqe ndërtimi në dy kate, përfshirë verandë.
– Njësi e ndodhur në katin përdhe të një godine shumëkatëshe, në rrugën “Frosina Plaku”, Tiranë.
– Kuota të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën e ndërtimit dhe projektimit.
– Kuota të plota të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën imobiliare.
– Kuota shumicë të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën e fitness-it dhe aktiviteteve sportive.
Gazeta Si – Dy shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi u kapën me një sasi prej 160 kg kokainë, me vlerë 20 milionë euro në Breshia, në një kamion në zonën industriale të Barzanës.
Një patrullë e vendosur për mbikëqyrje arriti në zonën industriale të Barzanës dhe vëzhgoi lëvizjet e dyshimta të një gjysmërimorkioje.
Oficerët vunë re lëvizje të dyshimta pranë një furgoni. Shoferi me kujdes të madh po priste në kamion, ndërsa një makinë u ndal para mjetit të rëndë.
Gjatë momentit të dorëzimit të shtatë çantave voluminoze, forcat e rendit ndërhynë dhe gjetën 150 pako me kokainë, me peshë totale mbi 160 kilogramë.
Dy të dyshuarit, të shqiptarë, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.
Nga Gazeta ‘Si- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Këshilli i Paqes për Gazën është formuar, duke e cilësuar këtë hap si një element qendror të planit amerikan për territorin palestinez. Ai shtoi se emrat e anëtarëve të këtij organi, të cilin do ta kryesojë vetë, do të bëhen publike së shpejti.
Sipas presidentit amerikan, Këshilli i Paqes do të ketë për detyrë të mbikëqyrë një komitet palestinez të përkohshëm dhe apolitik, i përbërë nga 15 teknokratë, i cili do të merret me administrimin e Gazës gjatë fazës së tranzicionit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se, si president i Këshillit për Paqen, ai mbështet këtë komitet kalimtar ekspertësh, i cili do të ketë mandatin për të qeverisur Gazën gjatë periudhës së saj të tranzicionit.
Ky zhvillim përbën një pikë kyçe të fazës së dytë të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, e cila hyri në fuqi të mërkurën.
Ndërkohë, diplomati bullgar Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i Kombeve të Bashkuara për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, pritet të marrë drejtimin e operacioneve në terren të Këshillit të Paqes.
Pesë familje në Britani pretendojnë se fëmijët e tyre humbën jetën duke u përpjekur të realizonin të ashtuquajturën “blackout challenge”, një sfidë tejet e rrezikshme që qarkullon prej vitesh dhe është ndaluar nga platformat kryesore të rrjeteve sociale, përfshirë TikTok-un.
Prindërit i janë drejtuar drejtësisë, duke ngritur padi kundër platformës, me synimin për të zbardhur se çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit të jetës së fëmijëve të tyre dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Sipas Sky News, çështja lidhet me pesë të mitur, të moshës 12 deri në 14 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në incidente të ndara, brenda një periudhe disa mujore. Familjet besojnë se fëmijët e tyre tentuan të imitonin këtë “sfidë”, e cila bazohet në ndërprerjen e përkohshme të frymëmarrjes, me rrezik serioz për dëmtime të rënda në tru ose vdekje.
13-vjeçarja Maya, vajza e Liam Walsh, u gjet pa ndjenja tre vjet më parë. Disa muaj më herët, më 9 dhjetor 2021, kishte humbur jetën 12-vjeçari Noah Gordon, i cili u gjet nga vëllai i tij në dhomën e gjumit. Pavarësisht përpjekjeve nga nëna e tij, Louise Gordon, fëmija nuk arriti të mbijetojë.
Nëna e Noah tregoi se, duke kontrolluar telefonin e tij, kërkonte mesazhe nga shkolla ose shenja bullizmi, pa menduar fillimisht të shqyrtonte përmbajtjen që ai kishte parë në rrjetet sociale.
Më pas u regjistruan edhe tre raste të tjera të ngjashme.
Prindërit besojnë se fëmijët e tyre ranë në kontakt me “blackout challenge” përmes TikTok-ut, edhe pse pranojnë se nuk kanë prova të drejtpërdrejta. Nga ana e saj, kompania ka deklaruar se të dhënat mbi përmbajtjen e ndjekur nga fëmijët mund të jenë fshirë në përputhje me rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale.
TikTok ka deklaruar vazhdimisht se kjo sfidë nuk ka qenë kurrë trend në platformën e tij dhe se është ndaluar që nga viti 2020. Gjithashtu, kompania thekson se heq 99% të përmbajtjes që shkel rregullat e saj para se ajo të raportohet.
TikTok pritet të kërkojë rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo është depozituar në juridiksion të gabuar, pasi incidentet kanë ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë që familjet kanë ngritur padi në Amerikë.
Familjet shprehen se përpjekja për të zbuluar të vërtetën ka “ngrirë” procesin e tyre të zisë. Sipas tyre, pasiguria rreth rrethanave të vdekjes së fëmijëve e bën të pamundur qetësimin emocional dhe pranimin e humbjes.
Në një deklaratë për Sky News, TikTok shprehu ngushëllimet për familjet, duke ritheksuar se ndalon rreptësisht çdo përmbajtje që promovon ose inkurajon sjellje të rrezikshme dhe se disponon sisteme zbulimi dhe ekipe të posaçme për heqjen e menjëhershme të saj.
Procesi gjyqësor pritet të përcaktojë nëse dhe në çfarë mase platforma mban përgjegjësi për ekspozimin e të miturve ndaj sfidave të rrezikshme online.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, do të mbledhë këtë të premte, Grupin Parlamentar të PS-së.
Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, duke nisur nga ora 10:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 15:00.
Mbledhja është pjesë e procesit të bilancit të punës së kryer dhe përgatitjes së planit të punës për 12 muajt e ardhshëm, në prag të hapjes së sezonit parlamentar 2026, i cili nis më 19 janar.
Një ditë më pas, më 17 janar, kryeministri Rama do të mbledhë në Golem edhe kryetarët e bashkive, në vijim të analizës së punës dhe koordinimit të prioriteteve për vitin në vazhdim.