Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Telegrafi

Numërimi vazhdon në QKN, procesohen rezultatet nga 1,039 vendvotime

30 December 2025 at 14:57


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë procesuar 1,039 vendvotime nga Qendrat Komunale të Numërimit, nga gjithsej 2,557, që përbën 40.63 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje prin me 47.37 për qind të votave të numëruara. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.90 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 12.25 për qind.

Në vendin e katërt është Srpska Lista me 8.29 për qind, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.15 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.33 për qind të votave të procesura deri tani.

Procesi i numërimit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/

Ligji i Wengerit më afër se kurrë, Infantino konfirmoi se një revolucion në futboll po vjen

30 December 2025 at 14:43


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi në Samitin Botëror të Sportit, që u mbajt këto ditë në Dubai, një ndryshim të mundshëm revolucionar të rregullave të pozicionit jashtë loje, të cilin e prezantoi ish-trajneri i famshëm i Arsenalit, Arsene Wenger.

Wenger prezantoi një ndryshim në rregullin e pozicionit jashtë loje dy vjet më parë, dhe IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit) është organi që duhet të njohë çdo rregull futbolli përpara se ai të miratohet.

Ligji i Wenger u krijua si një propozim për të përmirësuar rregullin e pozicionit jashtë loje, pasi shpesh është një burim polemikash kur ndryshimi midis një mbrojtësi dhe një sulmuesi është aq i vogël sa mezi shihet me sy.

Sipas propozimit të tij, pozicion jashtë loje nuk do të shpallej më nëse vetëm një pjesë e trupit të sulmuesit është përpara kundërshtarit, por vetëm nëse i gjithë trupi i sulmuesit është përpara mbrojtësit.

Për këtë ka folur edhe Infantino së fundmi, duke thënë se po shqyrtojnë diçka të tillë.

"Po shqyrtojmë ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje, i cili ka evoluar me kalimin e viteve dhe aktualisht kërkon që sulmuesi të jetë pas mbrojtësit. Ndoshta në të ardhmen sulmuesi do të duhet të jetë plotësisht përpara që të konsiderohet pozicion jashtë loje. Ne vazhdojmë të shqyrtojmë rregullat, duke pyetur veten se si mund ta bëjmë lojën më sulmuese, më tërheqëse", ka thënë Infantino.

IFAB do ta analizojë ligjin e Wenger në një takim më 20 janar në Londër, dhe propozimi do të diskutohet në asamblenë e përgjithshme në Uells në shkurt, dhe synohet të zbatohet sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

IPKO përshpejton transformimin digjital me zgjerimin e rrjetit 5G në Kosovë

By: IPKO
30 December 2025 at 14:36


IPKO Telecommunications po vazhdon transformimin e rrjetit të saj mobil, duke investuar fuqishëm në zgjerimin e teknologjisë 5G dhemodernizimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

Ky hap strategjik synon të ofrojë shpejtësi më të lartë, kapacitet më të madh dhe një përvojë më të qëndrueshme përpërdoruesit, duke përgatitur rrjetin për nevojat e së ardhmes.

Si pjesë e këtij transformimi, IPKO ka përfunduar me sukses ndaljen e teknologjisë 3G në fund të vitit 2025. Kjo teknologji, e cila ka qenë në përdorim që nga viti 2013, i kashërbyer për më shumë se një dekadë përdoruesve, por sot i hap rrugë teknologjive më të avancuara. Mbyllja e 3G ka mundësuar përdorimin më efikas të frekuencave dhe orientimin e plotë të kapaciteteve drejt rrjetit 5G.

Gjatë vitit 2025, IPKO ka fokusuar investimet kryesore në rrjetin 5G në brezin 3.5 GHz,duke e shndërruar atë në shtyllën kryesore të zhvillimit të rrjetit mobil. Teknologjia 5Gështë aktivizuar edhe në 81 stacione bazë, ndërsa kapaciteti është rritur nga 80 MHz në 100 MHz në të gjitha pikat e këtij brezi. Përveç kësaj, janë ndërtuar edhe 20 stacione të reja të telefonisë mobile, duke siguruar mbulim më të gjerë, densitet më të lartë dhe performancë të përmirësuar të shërbimeve 5G.

Paralelisht me zgjerimin e 5G, IPKO ka vazhduar të përmirësojë edhe rrjetin 4G/4G+, duke e zgjeruar atë në 130 stacione bazë. Në zona të caktuara është rritur kapaciteti i4G për të garantuar stabilitet dhe vazhdimësi të shërbimeve gjatë tranzicionit drejt 5G,duke siguruar që përdoruesit të kenë gjithmonë lidhje të besueshme.

“5G është tashmë shtylla kryesore e zhvillimit të rrjetit të IPKO-së. Përmes mbylljes së teknologjive të vjetra dhe investimeve të vazhdueshme në rrjetin e së ardhmes, pondërtojmë një infrastrukturë moderne dhe fleksibël, të gatshme për kërkesat digjitale të viteve që vijnë. Kjo përkthehet në shpejtësi më të lartë, cilësi më të mirë dhe një përvojëmobile pa kompromis për përdoruesit tanë,” – u shpreh Andras Pali, Drejtor Ekzekutiv iIPKO Telecommunications.

Përmirësimet në rrjetet 5G dhe 4G kanë sjellë rritje të dukshme të shpejtësisë dhe performancës së internetit mobil. Sipas të dhënave të Speedtest Intelligence, IPKO renditet përpara operatorëve të tjerë për nga cilësia e shërbimit. Aktualisht, rreth 44% e përdoruesve të IPKO-së përdorin rrjetin 5G, ndërsa përdorimi i teknologjive më të vjetra është minimal.

Sipas të dhënave zyrtare të ARKEP, IPKO mban 55.08% të tregut të telefonisë mobile në Kosovë, përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Ky rezultat pasqyron investimet e vazhdueshme në rrjet dhe zgjerimin e mbulimit në të gjitha rajonet e vendit,përfshirë edhe pjesën veriore (me përjashtim të Zubin Potokut).

Me këtë qasje të orientuar drejt së ardhmes, IPKO po ndërton një ekosistem modern të rrjetit mobil, ku 5G udhëheq inovacionin, 4G siguron stabilitetin dhe 3G mbyllet si kapitull teknologjik. Kjo krijon një bazë të fortë për zhvillim digjital afatgjatë dhe për përmirësimin e përvojës së përdoruesve në gjithë Kosovën.

Si lider i tregut të telefonisë mobile, IPKO vazhdon të vendosë standarde të reja të performancës dhe shërbimit, duke sjellë teknologji inovative dhe lidhje më të shpejtë e më të besueshme për të gjithë përdoruesit.

Islanda shënoi "ditën më të nxehtë në prag të Krishtlindjeve ndonjëherë"

30 December 2025 at 14:35


Temperatura rekord prej gati 20°C u arritën në Islandë në prag të Krishtlindjeve, konfirmoi zyra lokale meteorologjike.

Seyðisfjörður, një qytet i vogël në lindje të Islandës, arriti 19.8°C më 24 dhjetor. Temperaturat mesatare të dhjetorit në Islandë janë midis -1°C dhe 4°C.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, atje, ishte një ditë e nxehtë në përgjithësi: një temperaturë prej 19.7°C u mat në Bakkagerði në Borgarfjörður lindor, në lindjen e largët të vendit.

Rekordi i mëparshëm u vendos më 2 dhjetor 2019, kur temperatura u mat në 19.7°C në Kvískerjar në Öræfi, në juglindje të Islandës.

Birgir Örn Höskuldsson, nga Zyra Meteorologjike Islandeze, i tha agjencisë së lajmeve RÚV se kushtet për rekordin e temperaturës ishin krijuar për shkak se ajri i ngrohtë me origjinë tropikale ishte mbi vend.

Një sistem i fortë me presion të lartë po tërhiqte ajër të ngrohtë dhe të lagësht në jug dhe po pengonte ajrin e ftohtë të hynte brenda.

Siç vlerësohet më tej, Islanda po ngrohet për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe çlirimi i gazrave serrë në atmosferë.

Në maj, pati valë të nxehta rekord në të gjithë vendin me zona 3-4 gradë Celsius më të nxehta se zakonisht.

Rekordet e temperaturës së majit u vendosën në 94% të të gjitha stacioneve automatike që kanë funksionuar për të paktën 20 vjet.

Temperatura më e lartë ishte 26.6 gradë Celsius në aeroportin Egilsstaðir në Islandën Lindore më 15 maj.

Në fillim të këtij viti, mushkonjat u gjetën në Islandë për herë të parë pasi ngrohja globale e bën atë më mikpritëse për insektet.

Vendi deri atëherë ishte një nga vetëm dy vendet që nuk kishin një “popullsi mushkonjash”, tjetri ishte Antarktida.

Studimet kanë treguar se rajoni i Arktikut po ngrohet me katër herë më shumë se pjesa tjetër e planetit, dhe Islanda ka përjetuar nxehtësi rekord këtë vit. /Telegrafi/

Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

30 December 2025 at 14:35


Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, gjatë ditës së sotme, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se operacioni policor ndërlidhet me një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur më 28.12.2025 në Prishtinë.

Personi i dyshuar, G.P., mashkull, 42 vjeç, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/

Mickoski: Do të investojmë 21 milionë euro për blerjen e lokomotivave të reja elektrike

30 December 2025 at 14:34


Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot njoftoi se është marrë vendim të blihen lokomotiva të reja elektrike në vlerë prej 21 milionë eurosh.

"Jemi veçanërisht të kënaqur të njoftojmë investimet në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të destinuara për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë.

Ky investim do të realizohet nëpërmjet një Marrëveshjeje Huaje midis HM Transport dhe BERZH-it, dhe u parapri nga një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport - një analizë që tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik.

Dhe duhet të themi sinqerisht se situata që trashëguam ishte katastrofike.

Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Më shumë se njëzet trena ndërkombëtarë mallrash u ndalën në Gjevgjeli, pa mundësinë e transportimit të ngarkesës në tregjet evropiane. Kjo do të thoshte humbje kontratash, humbje të ardhurash dhe humbje besimi.

Por gjërat filluan të ndryshojnë. Me punë të palodhur, të përkushtuar dhe të përgjegjshme, nga korriku deri në shtator 2024, pesë lokomotiva u vunë në funksion, dhe deri në shkurt 2025 - gjithsej dhjetë nga 46 lokomotiva ekzistuese. Ishte hapi i parë drejt stabilizimit, por edhe një sinjal i qartë se problemet nuk zgjidhen me deklarata, por me punë.

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin, mosha mesatare e lokomotivave me naftë është mbi 60 vjet, dhe e lokomotivave elektrike mbi 40 vjet. Kjo nuk është e qëndrueshme, as ekonomikisht, as në mënyrë të sigurt dhe as mjedisore", tha kryeministri Hristijan Mickoski./Telegrafi/

"Gjermania thërret": Gjykimi për tradhti i fashistit "Lord Haw-Haw"

30 December 2025 at 14:30


Me theksin e tij të rremë anglez, drejtuesi misterioz i radios transmetonte për në Mbretërinë e Bashkuar nga një stacion gjerman, duke përhapur thashetheme dhe ekzagjerime në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore.

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Tre ditë përpara dorëzimit pa kushte të Gjermanisë - në Ditën e Fitores në Evropë [VE Day], në maj të vitit 1945 - korrespondenti i luftës nga BBC-ja, Wynford Vaughan-Thomas, foli nga një studio radioje në Hamburg, në të njëjtin mikrofon dhe gjatësi valore në të cilat disa javë më parë ishte transmetuar propaganda naziste. “Sonte nuk do të dëgjoni mendimet mbi lajmet nga William Joycei. Sepse z. Joyce, Lordi Haw-Haw për shumicën prej nesh në Britani, ka qenë shumë i pafat për ta ndërprerë karrierën e tij të transmetimit ... Kjo është BBC-ja që thërret të gjithë dëgjuesit e përvuajtur në Britani, të cilët për gjashtë vjet janë detyruar të durojnë tonet helmuese të z. Joyce”. Duke kërkuar në tavolinën e Joyceit, Vaughan-Thomas gjeti orarin e tij për 10 prill 1945: “Në fund të tij ndodhet pika e lavdishme: ora 14:50 deri 15:10, ‘një pauzë për të mbledhur mendjen’”.

- Lexo po ashtu: Një mësim nga historia, për luftën e suksesshme kundër propagandës

Joyce kishte ikur nga qyteti i shkatërruar nga lufta, disa javë më parë, me dokumente false - i dëshpëruar dhe me shpresën për t’i shpëtuar kapjes nga forcat aleate të cilat po përparonin. Në incizimin e tij të fundit, ai tingëllon i dehur dhe i mundur: “Gjithmonë kam shpresuar dhe besuar se, në fund të fundit, do të kishte një aleancë ... midis Anglisë dhe Gjermanisë. Epo, për momentin kjo duket e pamundur. Mirë. Nëse nuk mund të ketë, atëherë vetëm mund të them se e gjithë puna ime ka qenë e kotë”. Incizimi, i marrë nga një regjistrues i arrestuar nazist, mund të mos jetë transmetuar kurrë. Si nazist i përkushtuar deri në fund, ai e mbylli me fjalët: “Es lebe Deutschland [rroftë Gjermania], Heil Hitler dhe lamtumirë”.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte propagandist nazist në radio(Getty Images)

Ishte një fund i turpshëm për një njeri që ishte bërë emër i njohur në çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, pasi shpërtheu lufta në shtator 1939. Qytetarët britanikë prisnin që Hitleri të niste menjëherë një sulm shkatërrimtar, por kur kjo nuk ndodhi, qetësia e tensionuar u pagëzua si Lufta e Rreme. Në ato ditë të para, rreziku kryesor në frontin e brendshëm nuk ishin sulmet ajrore, por lëndimet e kyçeve. Për të penguar bombarduesit gjermanë, qeveria vendosi një errësirë të detyruar. Deri në Krishtlindje të vitit 1939, një sondazh i Gallup-it zbuloi se një e pesta e popullsisë së vendit kishte rënë nga shkallët, ishte përplasur në errësirë apo kishte pësuar dëmtime të tjera, kryesisht të lehta. Vdekjet në rrugë pothuajse u dyfishuan, derisa racionimi i karburantit uli qarkullimin. Vendet e argëtimit u mbyllën dhe tubimet u ndaluan, ndaj në mbrëmje njerëzit kishin pak zgjedhje përveçse të qëndronin në shtëpi dhe të dëgjonin radion.

Shumëkush nuk ishte i kënaqur me programin e mërzitshëm të BBC-së, me buletine të shkurtra ku kishte pak gjëra për të raportuar, njoftime të mërzitshme publike dhe gjëra shtesë si recitalet me organo të Sandy MacPhersonit. Më tutje, në valët e radios, dëgjuesit e shqetësuar gjenin diçka më të gjallë: një burrë misterioz që transmetonte përmes valëve të mesme në Reichs-Rundfunk-Gesellschaft (RRG) - e nacionalizuar nga nazistët. Me theks të ekzagjeruar, nazal dhe të klasës së lartë angleze, ai prezantohej me shprehjen e njohur: “Gjermania thërret, Gjermania thërret”.

Lord Haw Haw, transmetimi i fundit më 1945

Kritiku i radios në The Daily Express, Jonah Barrington, e quajti atë “Lord Haw-Haw”, dhe kjo nofkë mbeti. Qëllimi i Barringtonit ishte ta përqeshte propagandistin nga Gjermania, por rezultoi se shumë dëgjuesve u pëlqente efekti tronditës i aktit të ri të shëmtuar të Haw-Hawit. Stili i tij ishte të argëtonte, ndërkohë që minonte moralin e audiencës britanike duke përhapur dyshime përmes thashethemeve gjysmë të besueshme, ekzagjerimeve dhe talljes. Në një transmetim, ai fliste për “panikun dhe konfuzionun ... që po përhapeshin çdo orë” në Britani. “Çudia e vetme është se populli i këtij ishulli të dënuar vonoi kaq shumë për të kuptuar se në çfarë pozicionesh i kishin futur politikanët e tyre”, tha ai.

Në një tjetër, Haw-Hawi tallte frikën e njerëzve për rrezikun e bombave gjermane. Ai tha: “Ministria Britanike e Dezinformimit ka zhvilluar një fushatë sistematike për të frikësuar gratë dhe vajzat britanike për rrezikun e plagosjes nga copëzat e bombave gjermane. Gratë kanë reaguar ndaj këtyre sugjerimeve dhe alarmeve duke kërkuar nga kapelapunuesit e tyre që kapelat e pranverës dhe verës t’i bëjnë nga llamarina shumë e hollë”. Nuk duket shumë gazmore sot, por ndoshta duhej të ishe aty për ta kuptuar.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw (në të majtë), me Bashkimin Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Oswald Mosley(Getty Images)

Në kulmin e transmetimeve të tij, gjashtë milionë britanikë e ndiqnin çdo natë pas lajmeve të orës 21:00. Profesori Tom Harrisson, ish-këshilltar i Ministrisë Britanike të Informacionit, i tha BBC-së në vitin 1975 se, ndërsa shumë njerëz nuk i kuptonin ulërimat në gjermanisht të figurave naziste si Goering dhe Hitler, Haw-Hawi ishte “në disa mënyra ... disi qetësues, sepse nuk tingëllonte dhe aq keq. Ndoshta armiku nuk do të ishte aq i tmerrshëm”.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte zhvendosur në Gjermani një muaj para shpërthimit të luftës, bashkë me gruan e tij të dytë, Margaret, gjithashtu fashiste. Duke pasur frikë nga internimi në Angli, ai rinovoi pasaportën britanike duke pretenduar rrejshëm se ishte shtetas britanik nga lindja. Ky doli të jetë një gabim fatal.

Transmetimi i Lordit Haw-Haw ku tallet me kapelat e grave

Në fakt, Joyce kishte lindur në Bruklin në vitin 1906, ishte zhvendosur në Irlandë në moshën trevjeçare dhe ishte rritur në qarkun Goluei. Si adoleshent gjatë Luftës së Pavarësisë së Irlandës, ai veproi si korrier për inteligjencën ushtarake britanike. Kjo sjellje bëri të mos ketë shumë miq në Irlandë, dhe pas përfundimit të luftës, familja u shpërngul për një jetë të re në Angli.

Si i ri, ai u tërhoq nga ideologjitë ekstreme të djathta që po përhapeshin në Evropë, dhe në vitin 1932 iu bashkua Bashkimit Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Sir Oswald Mosley. Ai e fitoi reputacionin si orator i zjarrtë dhe u emërua drejtor i propagandës së partisë. Por, vala u kthye kundër partisë, duke kulmuar në Betejën e Kejbël-Stritit në vitin 1936, kur këmishëzinjtë e Mosleyt u sulmuan dhe u zmbrapsën nga hebrenjtë dhe punëtorët irlandezë në lindje të Londrës. Joyce, i dëbuar, krijoi Lidhjen e tij Nacionalsocialiste, por duke mos gjetur atdhe mikpritës për antisemitizmin e tij të egër, shpejt ndjeu se po e thërriste Gjermania.

Arrestimi i Lordit Haw-Haw

Nën luftën e fjalëve të Joseph Goebbelsit, programet në anglisht u transmetuan drejt Britanisë. Të përbërë nga fashistët britanikë dhe gjermanë që flisnin anglisht, RRG-ja transmetonte propagandë që promovonte mënyrën naziste të jetës dhe nxirrte në pah problemet shoqërore britanike. Mendohet se zëri i parë i Lord Haw-Hawit ishte në fakt ai i një gjermani, Wolf Mittler, por disa javë pas shpërthimit të luftës, fashisti llafazan Joyce e gjeti punën e ëndrrave të tij.

Transmetimet e Joyceit fituan njëfarë respekti edhe mes atyre që përçmonin mesazhin e tij. Kritiku dhe autori Harold Hobson i shkroi The Times-it më 29 dhjetor 1939, duke lavdëruar transmetimin e Haw-Hawit në prag të Krishtlindjes për ngritjen e “ngazëllimit festiv”, me talljen e tij se racionimi i kishte kufizuar britanikët në “çerek kile gjalpë në javë”. Hobsoni shtoi se BBC-ja mund ta kishte hedhur lehtësisht poshtë këtë pretendim duke përmendur se Haw-Hawi nuk kishte përfshirë atë që merrnin gjermanët - gjë që, me shumë gjasë, ishte edhe më pak.

Por, shpejt, shakaja e Lord Haw-Hawit nuk ishte më aq qesharake. Pushtimi i Danimarkës dhe Norvegjisë më 9 prill 1940 u pa si pika e kthesës, kur e ashtuquajtura Lufta e Rreme e Britanisë përfundoi dhe nisi lufta e vërtetë. Ndërkohë, perceptimi publik për BBC-në ndryshoi ndjeshëm, ndërsa kjo e fundit u rikrijua si një burim jetik informacioni për njerëzit në frontin e brendshëm dhe në forcat e armatosura. Haw-Hawi u bë gjithnjë e më i parëndësishëm dhe, në kohën e transmetimit të tij të fundit të dehur në prill 1945, loja kishte përfunduar si për të ashtu edhe për regjimin nazist.

Dokumentar për tradhtinë e Lordit Haw-Haw

Ndërsa forcat aleate përparonin në Gjermani, Joyce dhe gruaja e tij planifikuan të iknin drejt Suedisë për të kaluar më pas në Irlandën neutrale. Ata arritën vetëm deri në portin baltik të Flensburgut, pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën. Me identitete false, u vendosën në një fshat aty pranë dhe ndonjëherë bisedonin me ushtarët britanikë të cilët nuk kishin asnjë ide se kush ishin ata. Por, një ditë, fati i Joyceit mori fund kur hasi dy oficerë britanikë ndërsa po mblidhte dru.

Njëri prej tyre, Geoffrey Perry, i tregoi BBC-së se si nisën të flisnin me këtë “figurë shumë të çuditshme, që dukej si endacak”. Kolegu i tij vërejti se ai “tingëllonte tmerrësisht si William Joyce”. Pas një bisede të këndshme për drurët halorë dhe gjetherënës, Perry tha se ishte i sigurt për dy gjëra: ishte Joyce dhe kishte armë. Kur i panjohuri ngriti një trung me të dyja duart, Perry e shfrytëzoi momentin e tij. Para se burri të kishte mundësi të reagonte, ai e pyeti: “Nuk je ti vallë, rastësisht, William Joyce”? Perry i tha BBC-së se çfarë ndodhi më pas: “Dhe, dora e tij u shkoi drejt xhepit. Mendova se po kërkonte armën. Nxora pistoletën time, e drejtova poshtë dhe qëllova”. Plumbi i oficerit e qëlloi Joycein në të pasmet. Një ironi e bukur është se Perry ishte hebre dhe kishte lindur në Gjermani: vetëm pasi ishte zhvendosur në Britani në vitet 1930, ai kishte ndryshuar emrin nga Horst Pinschewer.

Joycei u soll në Angli i plagosur dhe u akuzua për tradhti të lartë. Por, si mund të akuzohej një irlandezo-amerikan për tradhti ndaj Britanisë? Fati i Joyceit u vulos nga aplikimi i nxituar për pasaportën të cilën e kishte bërë në prag të luftës.

I fotografuar në robëri, në maj 1945, Lordi Haw-Haw më vonë u var për tradhti të lartë(Getty Images)

Juristi më i lartë britanik i kohës, Sir Hartley Shawcross, i tha BBC-së në vitin 1975 se Joyce “e kishte veshur veten me flamurin britanik” dhe kishte qenë nën mbrojtjen e Kurorës Britanike, gjë që nënkuptonte se ishte akt tradhtie ndihma që ai ia kishte dhënë armikut të Britanisë gjatë luftës. Juristët e tjerë nuk u pajtuan, si Sir John Foster QC, i cili e përshkroi akuzën për tradhti të lartë si “gjueti gjaku”. Ai tha në të njëjtin dokumentar: “Ai u shpall fajtor mbi bazën e një pasaporte që kishte marrë në mënyrë të rreme, gjë që sipas mendimit tim nuk nënkuptonte ndonjë mbrojtje nga ana e Kurorës dhe për rrjedhojë as ndonjë besnikëri nga William Joyceit”.

Megjithatë, Joyce u dënua për tradhti të lartë për shkak se “kishte mbajtur anën e armiqve të Mbretit” duke transmetuar në emër të tyre ndërmjet 18 shtatorit 1939 dhe 2 korrikut 1940 - data kur skadoi pasaporta e tij britanike dhe ai u bë shtetas gjerman. Rasti kaloi në disa shkallë apelimi, por vendimi mbeti i njëjtë. Ai nuk u pendua deri në fund. Në mëngjesin e 3 janarit 1946, u ekzekutua me varje në burgun “Wandsworth” në Londër. U varros në një varr pa shenjë në territorin e burgut.

Tridhjetë vjet më vonë, pas një fushate të gjatë nga vajza e tij Heather, eshtrat e Joyceit u zhvarrosën dhe u rivarrosën në qarkun Goluei. Njeriu që lindi si amerikan, jetoi si gjerman dhe vdiq si tradhtar britanik, u varros më në fund si irlandez. /Telegrafi/

P. Diddy dhe ekipi i tij po shqyrtojnë një padi për një dokumentar të Netflix-it për të

30 December 2025 at 14:30


Pas publikimit të dokumentarit "Sean Combs: The Reckoning", P.Diddy filloi një konflikt me Netflix dhe 50 Cent dhe në përputhje me rrethanat, një padi e re mund të ngrihet së shpejti.

Konkretisht, në film, 50 Cent përdori incizime që Diddy i kishte mbledhur prej vitesh për projektin e tij.

Në film, ai ngriti akuza dhe sugjeroi që Diddy ishte i përfshirë në vrasjen e Tupac Shakur në vitin 1996, gjë që Diddy e mohoi.

- YouTube www.youtube.com

“P Diddy dhe ekipi i tij po shqyrtojnë ende mundësitë ligjore në lidhje me dokumentarin e Netflix dhe pamjet e vjedhura”, tha zëdhënësi i tij për Deadline.

Pas publikimit të filmit, djali i Diddyt u përfshi në konfliktin midis Diddyt dhe 50 Cent.

Gjithashtu, ekipi ligjor i Diddyt e quajti më parë këtë dokumentar një sulm të turpshëm.

"Siç e dinë Netflix dhe CEO Ted Sarandos, Diddy ka mbledhur pamje që kur ishte 19 vjeç për të treguar historinë e tij në mënyrën e tij.

Është e padrejtë dhe e paligjshme që Netflix të përvetësojë atë punë", thanë ata. /Telegrafi/

Një nga prototipet më të shtrenjta Bugatti është parë “i bllokuar në borë”

30 December 2025 at 14:20


Një Bugatti Tourbillon, një superveturë e prezantuar në verën e 2024 dhe me dorëzime në 2026, është parë e bllokuar në borë.

Një prototip u pa i mbuluar me borë dhe baltë në Kroaci, ndërsa dikush po përpiqej “ta nxirrte me lopatë”.

Nuk dihet nëse makina rrëshqiti dhe përfundoi e bllokuar apo ishte e parkuar gjatë natës.

Edhe pse kushton 3.8 milionë euro (rreth 4.5 milionë dollarë), edhe supermakinat si kjo mund të ngecin në borë.

Tourbillon ka motor V16 8.3 litër, tre motorë elektrikë dhe fuqinë totale prej 1,775 kuajfuqi. /Telegrafi/

Drejtuesit e Liverpoolit gjejnë fajtorin për rezultatet e dobëta, shkarkohet njëri nga trajnerët

30 December 2025 at 14:18


Liverpooli e ka nisur keq sezonin në të cilin po mbrojnë titullin e kampionit të Anglisë dhe drejtuesit e Reds, duke gjykuar nga lëvizja e fundit që bënë, e kanë gjetur fajtorin.

Liverpooli ka njoftuar se Aaron Briggs, trajneri përgjegjës për ndërprerje në stafin stërvitor të Arne Slott, është shkarkuar nga puna.

Briggs u bashkua me klubin sezonin e kaluar si trajner për zhvillimin individual të lojtarëve, dhe para fillimit të këtij sezoni, Slot e riemëroi atë në pozicionin e trajnerit për ndërprerje.

Por, është e qartë se Briggs nuk bëri një punë të mirë në atë pozicion sepse Liverpooli pësoi 12 gola nga ndërprerjet këtë sezon, që është më shumë se çdo skuadër në “pesë ligat kryesore”.

Liverpooli nuk e ka emëruar pasardhësin e tij, kështu që Slot do të punojë pa një person përgjegjës për ndërprerjet deri në njoftim të mëtejshëm, dhe do të shohim nëse ky veprim i drejtuesve të Liverpoolit do të ketë efekt në pjesën tjetër të sezonit. /Telegrafi/

Dukagjini Resort në Forbes Global Properties: vëmendje globale për bregdetin verior të Shqipërisë

30 December 2025 at 14:13


Bregdeti verior i Shqipërisë po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi.

Për herë të parë, një pronë rezidenciale luksoze e vendosur në Dukagjini Resort është prezantuar në platformën prestigjioze Forbes Global Properties, duke e vendosur këtë zonë të Shqipërisë në hartën globale të pasurive të paluajtshme premium.

Listimi me titull “The Catalyst of the Northern Albanian Coastline” nuk është thjesht një ofertë imobiliare. Ai përfaqëson një sinjal të qartë se tregu shqiptar po kalon nga zhvillimi lokal drejt standardeve ndërkombëtare të luksit, transparencës dhe narrativës globale.

Forbes - një vulë besueshmërie dhe prestigji global

Forbes Global Properties është një nga platformat më elitare në botë për promovimin e pronave luksoze, ku përfshihen vetëm objekte që plotësojnë kritere të rrepta cilësie, lokacioni dhe potenciali investimi. Prania e një prone nga Dukagjini Resort në këtë rrjet global përbën një arritje të rëndësishme për sektorin imobiliar shqiptar.

Ky publikim i jep Shqipërisë jo vetëm ekspozim ndërkombëtar, por edhe legjitimitet në tregjet globale, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve, blerësve premium dhe aktorëve institucionalë që kërkojnë destinacione të reja me potencial afatgjatë.

Dukagjini Resort - katalizator i zhvillimit të bregdetit verior


I pozicionuar në rajonin e Lezhës, në zonën Shengjin–Kune, Dukagjini Resort po shfaqet si një nga projektet më ambicioze rezidenciale dhe turistike në bregdetin verior të vendit. Afërsia me Tiranën, vijë bregdetare ende e pashfrytëzuar plotësisht dhe zhvillimet infrastrukturore në rritje e bëjnë këtë zonë gjithnjë e më atraktive për investitorët.

Listimi në Forbes e përforcon këtë pozicionim, duke e paraqitur Dukagjini Resort jo vetëm si një kompleks rezidencial, por si një pikë referimi për transformimin e gjithë vijës bregdetare veriore.

Nga pronë luksoze në histori zhvillimi


Penthouse-i i listuar në kuadër të Dukagjini Resort, me arkitekturë moderne, hapësira të gjera dhe pozicion strategjik pranë detit, synon një audiencë ndërkombëtare që kërkon më shumë sesa një pronë: kërkon përvojë, siguri dhe vizion afatgjatë.

Ky është modeli i ri i tregut imobiliar që Forbes promovon globalisht - ku pronat shiten përmes historisë, kontekstit dhe potencialit, jo vetëm përmes metrave katrorë.

Një moment kthese për tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme

Përfshirja e Dukagjini Resort në Forbes Global Properties shënon një moment kthese për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri. Ajo hap rrugën për projekte të tjera premium, rrit standardet e zhvillimit dhe vendos një presion pozitiv për profesionalizim të sektorit.

Bregdeti verior, dikur jashtë radarit të investitorëve globalë, sot po pozicionohet si një destinacion që flet gjuhën e luksit ndërkombëtar - dhe Forbes, përmes këtij listimi, është dëshmia më e fortë e këtij transformimi.


https://www.forbesglobalproperties.com/listings/th...

Shumica e amvisërive në Maqedoni jetojnë në një hapësirë prej 50-70 metra katror

30 December 2025 at 14:02


Shumica e amvisërive në vend, ose një e treta, jetojnë në banesa me tridhomëshe me sipërfaqe midis 51 dhe 70 metra katrorë. Mbi dy të tretat kishin makinë dhe ajër të kondicionuar, dhe vetëm 40 për qind kishin biçikletë. Pothuajse gjysma kishin kompjuter personal të lidhur me internet, ndërsa celular kishin mbi 92%, radio 28% dhe telefon vetëm 22 për qind.

Mesatarisht një në tre anëtarë të familjes ishte i punësuar. Numri mesatar i anëtarëve të familjes ishte 3,05, në marrëdhënie pune me një mesatare prej 1,13. Anëtarë të varur ishin 1,15, ndërsa 0,67 me të ardhura personale. Persona të vetëpunësuar ishin 0,03, ndërsa fermerë aktivë 0,07, tregojnë të dhënat nga “Vjetari Statistikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025” i Entit Shtetëror të Statistikës.

Sipas disponueshmërisë së mallrave të qëndrueshme në familje, mbi 97% e amvisërive kishin një sobë elektrike, ngrohës uji, frigorifer, lavatriçe, hekur dhe televizor. Fshesë me korrent 93% dhe ajër të kondicionuar 66,7%. Frigorifer me ngrirje të thellë (58,7%), lavastovilje (40,6%). Radio 28% dhe 13,7% kishin një aparat fotografik.

Makinë kishin dy të tretat e amvisërive ose 67,8%, biçikletë 40% dhe motor 7,7%.

Celular kishin mbi 90 për qind dhe telefon vetëm 22%. Kompjuter personal, të lidhur me internet pothuajse gjysma e familjeve (46.5%).

Ujësjellës dhe energji elektrike kishin të gjitha amvisëritë, dhe kanalizim 99.8%. Lidhje telefonike kishin 54,5% dhe vetëm 15,3% kishin ngrohje qendrore.
Shumica e amvisërive vitin e kaluar janë ngrohur me soba edhe atë mbi 71% me lëndë djegëse të ngurta, ndërsa 20,7% me energji elektrike. 5 për qind kishin ngrohjen e tyre qendrore dhe 2,9% me ngrohje qendrore.

Mbi 92,7% e amvisërive jetonin në banesë personale, 5,1% te prindi, fëmijë ose të afërm të tjerë dhe 2% në banesë me qira.

Sipas sipërfaqes së banesës të përdorur, një e treta ose 32% jetonin në një banesë midis 51 dhe 70 metra katrorë. Mbi 26% jetonin në një banesë midis 81 dhe 100 metra katrorë. Rreth 10 për qind jetonin në një banesë midis 31 dhe 50 metra katrorë, ndërsa mbi 14,5% në një banesë me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë.

Shumica e amvisërive ose 36,3 për qind jetojnë në një banesë tridhonëshe, 28,6% në një apartament karëtdhonëshe ose më të madhe, ndërsa 26,4% në një banesë dydhomëshe. Në banesë njëdhomëshe ose studio jetojnë 4,5% e amvisërive.

Të dhënat janë marrë bazuar në kërkimin statistikor “Anketa e Konsumit të Amvisërive”, të zbatuar gjatë vitit 2024 në 5040 familje. U anketuan 2 914 familje, ndërsa numri i familjeve të vlerësuara është 598,632, nga të cilat numri më i madh 92,7 për qind janë jobujqësore (555,079), 5,2% janë të përziera (31,373) dhe vetëm 2% janë bujqësore (12,180).

Rita Ora mahnit në NYC me dy veshje elegante gjatë provave për “New Year’s Rockin’ Eve 2026”

30 December 2025 at 14:00


Rita Ora tërhoqi vëmendjen në New York City të hënën, duke shfaqur stilin e saj elegant në dy veshje të ndryshme gjatë provave për “New Year’s Rockin’ Eve 2026” të Dick Clark, ku do t’i bashkohet Ryan Seacrest për të drejtuar eventin tradicional në Times Square.

Këngëtarja 35-vjeçare u shfaq fillimisht me një pallto të gjatë prej leshi ngjyrë kafe, të shtresuar mbi një tjetër pallto të rehatshme të njëjtë, të kombinuar me çizme lëkure dhe syze dielli elegante.

Ajo dukej e qeshur dhe e relaksuar gjatë provave në rrugë me ekipin e prodhimit.

Më vonë, Rita veshi një kostum të bardhë elegant me xhaketë të rrumbullakët dhe pantallona me pranga në kyçin e këmbës, duke e kompletuar dukjen me taka të zeza, doreza lëkure, syze dielli dhe vathë ari.

Suksesi i saj profesional shoqërohet me fitime të mëdha. Dokumentet e fundit tregojnë se Rita ka fituar 4.8 milionë paund, afërsisht 5.6 milionë euro, gjatë një viti, një shifër marramendëse që përkthehet në rreth 13,000 paund në ditë, afërsisht 15,000 euro, më shumë se dyfish i fitimeve të saj nga viti i kaluar.

Kjo e vendos pasurinë neto të Ritës në 31 milionë paund, afërsisht 36 milionë euro, duke përfshirë të ardhurat nga muzika, turnetë, projektet televizive dhe fushatat reklamash. /Telegrafi/

Lea Ypi promovon librin e saj “Të Poshtëruar” në Librarinë Dukagjini më 6 Janar, ora 17:00

30 December 2025 at 13:59


Lea Ypi, autore dhe akademike e njohur shqiptare, do të promovojë librin e saj të dytë me titull “Të Poshtëruar” më 6 Janar, në ora 17:00, në Librarinë Dukagjini, në Sheshin Nënë Terezë në Prishtinë.

Ky aktivitet kulturor është i hapur për publikun dhe synon të sjellë më afër lexuesit me veprën dhe mendimin e një prej zërave më të rëndësishëm intelektualë shqiptarë të kohës sonë.

Lea Ypi është profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics and Political Science dhe njihet për kontributin e saj akademik në filozofi politike, teori kritike dhe historinë e ideve. Përveç punës universitare, ajo ka fituar vëmendje të gjerë ndërkombëtare edhe për veprat e saj eseistike dhe letrare, ku ndërthur përvojën personale me analizën shoqërore dhe politike.

Libri “Të Poshtëruar”, i botuar nga Botimet Dudaj në vitin 2025, trajton tema të thella si dinjiteti njerëzor, përkatësia, kujtesa historike dhe përplasja mes individit dhe rrethanave shoqërore. Me një gjuhë të qartë dhe reflektuese, vepra fton lexuesin të mendojë mbi mënyrën sesi përvojat kolektive dhe personale formësojnë identitetin dhe ndjenjën e lirisë. Ky botim vjen si vazhdimësi e interesimit të autores për të kuptuar njeriun në raport me historinë, pushtetin dhe moralin.

Promovimi në Librarinë Dukagjini do të shërbejë si hapësirë për dialog kulturor, diskutim dhe takim të drejtpërdrejtë me autoren, duke e kthyer librin në një pikë takimi mes mendimit kritik dhe publikut.

Libraria Dukagjini shfrytëzon këtë rast për t’u uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës një fundvit të qetë dhe të ngrohtë, si dhe një Vit të Ri të mbarë, me shëndet, paqe dhe sa më shumë libra që pasurojnë mendjen dhe shpirtin.

Ju ftojmë që më 6 Janar, në ora 17:00, të bëheni pjesëe këtij promovimi kulturor në Librarinë Dukagjini, për ta nisur vitin e ri me letërsi, reflektim dhe dialog i cili do ju bëjë të mendoni.

Ju mirëpresim!

Cubarsi me fjalë të mëdha për Gerard Martin: Po kalon një sezon spektakolar

30 December 2025 at 13:58


Mbrojtësi i FC Barcelones, Pau Cubarsi, ka shprehur kënaqësinë e tij për partneritetin në qendër të mbrojtjes me Gerard Martin, duke vlerësuar paraqitjet e qëndrueshme të këtij të fundit që prej momentit kur trajneri Hansi Flick e zhvendosi nga krahu i majtë në qendër të repartit defensiv.

Cubarsi e vlerëson sezonin e Martin si epektakolar, duke e cilësuar si një futbollist shumë punëtor.

“I gjithë sezoni i Gerard Martin ka qenë spektakolar. Ai është një djalë shumë punëtor dhe kjo e ka ndihmuar shumë kur i është dashur të bëjë një hap përpara”, u shpreh Cubarsi.

“Tani po ndajmë partneritetin në qendër të mbrojtjes dhe ai po bën një punë shumë të mirë”, shtoi mbrojtësi i ri spanjoll.

Cubarsi foli gjithashtu për aspektin mendor dhe përgatitjen e tij për t’u përshtatur me kërkesat e larta të sistemit të Hansi Flick.

“Mentalisht jam shumë mirë. Gjithmonë kam qenë një djalë i përqendruar dhe ata më kanë ndihmuar shumë në shtëpi”, theksoi ai.

“Dëshira për t’u përmirësuar vazhdimisht është gjithashtu shumë e rëndësishme. Është e vështirë të luash çdo tre ditë, por nëse jep gjithmonë maksimumin, shpërblimi nuk mungon”, përfundoi Cubarsi. /Telegrafi/

Hodhi mbeturina në rrugë nga vetura, gjobitet një person në Prishtinë

30 December 2025 at 13:52


Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi i njëjti është hasur duke hedhur mbeturina nga vetura në rrugë.

Pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla. /Telegrafi/

Një 'paraglider' u përplas në çatinë e një hoteli luksoz në Irlandë të Veriut - u desh të shpëtohej nga ekipet e zjarrfikësve

30 December 2025 at 13:52


Një 'paraglider' u përplas në çatinë e një hoteli luksoz në Lough Erne Golf Resort, pranë Enniskillen, Irlandë e Veriut.

Ai rrëshqiti poshtë çatisë, por nuk ra më tej dhe u bllokua në katin e dytë.

Shërbimi zjarrfikës dhe ekipi i shpëtimit përdorën litarë dhe shkallë për ta nxjerrë të sigurt.

❗️PARAGLIDER CRASHES

Footage shows the last moments in the air when he was paragliding around the Lough Erne Resort in Co. Fermanagh.

Specialist rescue teams from Northern Ireland Fire and Rescue Service & Northern Ireland Ambulance Service.

He was Rescue from the roof and… pic.twitter.com/W4QCEgdTKy
— NI Emergency Response Vids (@NiResponsevids) December 28, 2025

Më pas, ai u dërgua në spital nga shërbimi i ambulancës, ndërsa dëmet në hotel ishin minimale.

Resorti konfirmoi se aktiviteti normal vazhdon dhe rezervimet nuk u prekën. /Telegrafi/

KShPK vitin e ardhshëm do ta ndjekë gjendjen pronësore të 60 zyrtarëve

30 December 2025 at 13:38


Gjashtëdhjetë zyrtarë, dhjetë gjyqtarë, dhjetë prokurorë publikë, dhjetë deputetë, dhjetë ministra, dhjetë kryetarë komunash dhe dhjetë persona, pozicionet e të cilëve si kryetarë komunash janë ndërprerë në vitin 2025, do të përfshihen në Planin vjetor për monitorimin e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2026, dhe emrat e tyre do të përcaktohen muajin e ardhshëm.

KShPK në seancën e sotme të 26-të e miratoi planin vjetor për monitorimin e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave për vitin 2026, ndërsa kryetari i tij Adem Çuçul tha se i ka marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian me ç’rast kanë vendosur të rritet numri i zyrtarëve, që do të përfshihen.

Çuçul sqaroi se sipas nenit 19 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave në tre muajt e fundit nga viti rrjedhës KSHPK miraton plan vjetor për vitin e ardhshëm, të themeluar mbi vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni, me ç’rast janë marrë parasysh analizat e Strategjisë kombëtare aktuale dhe të ardhshme.

Ai theksoi se merren parasysh planet vjetore nga vitet e kaluara, domethënë monitorohet situata në fushat që konsiderohen më të ndjeshme ndaj korrupsionit – gjyqësori, pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe vetëqeverisja lokale.

“Duke i marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian për përforcimin e monitorimit të gjendjes pronësore nga ana e KShPK-së propozojmë të rritet numri i zyrtarëve, të përfshirë në këtë monitorim të gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave, në 60”, tha Çuçul.

Ai sqaroi se emrat e gjyqtarëve, prokurorëve publik, deputetëve, ministrave, ish kryetarëve të komunave dhe atyre të tanishëm do të konfirmohen në janar, në bazë të analizës së të dhënave në bazën elektronike të të dhënave.

KShPK sot e miratoi Programin për punë për vitin 2026. Siç shpjegoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, në Program, përveç përcaktimeve strategjike të Komisionit drejt përmbushjes së dispozitave të ligjeve që mbulojnë punën e tij, përgatitja e tij mori parasysh edhe rekomandimet nga raporti i Komisionit Evropian në këtë fushë, rekomandimet nga GREKO, masat dhe aktivitetet nga Strategjia kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave 2021-2025, si dhe Strategjia kombëtare 2026-2030.

Në seancë anëtarët e KShPK-së e miratuan edhe Planin vjetor për zbatimin e kontrollit antikorruptues të legjislativës për vitin 2026.
Çuçul shpjegoi se ky proces zbatohet bazuar në një plan vjetor dhe mbi kërkesat e miratuara për mendime dhe aktet e paraqitura nga institucione të tjera, kryesisht Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, dhe kryhet bazuar në një metodologji të miratuar nga KSHPK-ja.
Plani, siç shpjegoi ai, mbulon disa nga ligjet që nuk u përfunduan, por që janë të përfshira në planin për këtë vit. Inspektimi kundër korrupsionit, shtoi Çuçul, do të kryhet mbi ligjin për lobimin, ligjin për vetëqeverisjen lokale, ligjin për dëshminë e ekspertëve, ligjin për financimin e partive politike, rregulloren për dhënien e licencave të punës për punonjësit e kujdesit shëndetësor me arsim të lartë dhe ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Anëtarët e KSHPK-së votuan gjithashtu për të nxjerrë jashtë fuqisë Udhëzimet për renditjen e çështjeve për veprim nga KSHPK-ja bazuar në raportet e dorëzuara, të cilat, siç shpjegoi Çuçul, u miratuan më 12 shkurt të vitit 2021, me qëllim rregullimin, pra renditjen, e çështjeve që formohen në KShPK.

Ai shpjegoi se KShPK-ja merr një numër të madh raportesh dhe një pjesë e caktuar e tyre janë të përgjithshme dhe nuk janë në kompetencë të Komisionit. Çuçul tha se udhëzimet nuk dhanë rezultate, duke lejuar subjektivitet në renditje dhe shtoi se ndryshimet në Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave dhe Rregulloren e punës do të rregullojnë gjithashtu mënyrën e trajtimit të rasteve dhe renditjen e tyre.

Tre klube pas Lewandowskit, njëra nga to ka zhvilluar takime me agjentët e polakut

30 December 2025 at 13:38


Robert Lewandowski po vazhdon të tërheqë interes nga klube në Shtetet e Bashkuara dhe Lindjen e Mesme, ndërsa e ardhmja e tij në Barcelonë mbetet e paqartë.

Sulmuesi polak, i cili iu bashkua klubit katalanas në korrik 2022, është ende nën kontratë deri në verën e vitit 2026, por mundësia e një largimi në janar ose në fund të sezonit nuk përjashtohet.

Sipas raportimeve të fundit, dy klube të MLS, Orlando City dhe Inter Miami, po monitorojnë nga afër situatën e Lewandowskit, duke shqyrtuar mundësinë e një transferimi që do të forconte sulmin e tyre.

telegrafi.com

Përveç tyre, Chicago Fire ka zhvilluar një takim sekret me agjentin e lojtarit, duke theksuar seriozitetin e interesit amerikan për një nga sulmuesit më të mëdhenj të dekadës së fundit.

Përveç Shteteve të Bashkuara, Lewandowski ka tërhequr gjithashtu oferta nga Pro Liga Saudite, por raportohet se ka refuzuar oferta të tjera, përfshirë ato nga Fenerbahçe dhe disa klube në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo sugjeron se polaku ka prioritizuar ende nivelin e konkurrencës dhe stabilitetin sportiv mbi përfitimet financiare të menjëhershme.

37-vjeçarit ende nuk i është ofruar rinovimi dhe mundësia që ai të vazhdoj karrierën në SHBA është shumë e madhe. /Telegrafi/

Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona për vitin 2026

30 December 2025 at 13:32


Me 31 vota për, 14 kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar në kuvendin komunal të Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme, lista e veçantë për pronat e paluajtshme të dhëna në shfrytëzim për 2026, ani pse kishte diskutime të shumta rreth saj si mangësi si dokumentacion.

Drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj tha se ky dokument është i rëndësishëm për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës së Prishtinës, i cili sipas tij është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e transparencës së interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit.

“Një dokument i rëndësisë së veçantë për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës sonë. Kjo listë është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me parimin e transparencës, interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit. Qëllimi kryesor është që pronat komunale të mos mbesin të pashfrytëzuara, por të vie në funksion të zhvillimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së të hyrave për kryeqytetin. Pronat e përfshira në këtë listë janë analizuar me kujdes në aspektin juridik, urbanistik dhe ekonomik. Shfrytëzimi i tyre do të bëhet përmes procedurave të hapura, konkurruese dhe transparente duke garantuar ruajtjen e pronësisë dhe interesit publik”, tha Mehmetaj, raporton Kp.

Asamblistja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmendi kishte kritika për listën e veçantë e cila sipas saj është e mangët dhe gjithashtu ka nene të gabuara.

Në dokumentacionin e dërguar Kelmendi tha se mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga Kuvendi komunal.

“Kemi një listë siç po shihet problemi nuk është ideja e shfrytëzimit, por tek mënyra, procedura dhe mungesa e dokumentacionit të domosdoshëm ligjor. Në dokumentacionin e dërguar nga ekzekutivi përmes postës elektronike mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga kuvendi komunal. Para vetës kemi vetëm një listë të veçantë, e cila në vetvete është e mangët. Keni përshkruar edhe nene të gabuara që nuk po çuditem fare sepse edhe pas katër viteve ju ende bëni gabime të tilla amatereske”, tha Kelmendi.

Shefja e grupit të asamblistëve të PSD-së, Besa Shahini kishte pesë kërkesa për kryetarin e komunës, Përparim Rama si parakusht për të votuar listën e dërguar.

“Pesë kërkesa konkrete të cilat janë parakusht për të votuar këtë listë që e keni dërguar. E para është dhënia në qira ose shfrytëzimin e pronave publike, një arsyetim për ekonominë dhe qëllimin pse po i jepni këto prona. Kryetari është i obliguar të raportoj çdo gjashtë muaj për pronat që janë dhënë në shfrytëzim. E treta komuna e Prishtinës nuk e ka rregulloren që i kërkohet për dhënien në shfrytëzim në periudhë më pak se një vit. E katërta plani i veprimit për të adresuar komentet e auditorit dhe e pesta Prishtina e ka një problem shumë serioz me mbrojtjen e pronës publike çdo ditë zaptohen dhe është e pamundur për ta mbrojtur nëse refuzoni për ta ndërtuar regjistrin e përgjithshëm për të ditur se ku janë pronat publike të komunës”, shtoi Shahini.

Edhe Gëzim Sveçla nga LVV-ja tha se në një listë me 5 mijë e 288 prona pa kompletim të dokumentacionit, nuk dihet se kush është pronari, kush i shfrytëzon e as destinimi i tyre.

“Na sjell një listë me 5 mijë e 288 prona, në një seancë të jashtëzakonshme dhe me kërkua me votu të njëjtin pa kompletim të dokumentacionit paraprak nuk është në rregull. Asamblistët nuk janë makineri votash, nuk mundem me votu prona që nuk dihet kush është pronari, kush i shfrytëzon as cili është destinimi i tyre. Kjo mund të shërbej pastaj për shumë veprime tjera të jashtëligjshme, mund të ketë qytetarë qe këto prona tashmë i kanë në shfrytëzim dhe miratimi i një liste të tillë është një lloj shantazhi ndaj tyre”, tha Sveçla.

Jeta Rafuna nga LDK-ja ka kërkuar që ta votojnë këtë listë sepse sipas saj krijon mundësi për ekonomi, mbështetje e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

“Lista që po shqyrtojmë sot janë rezultat i procesit funksional, me qëllim që këto prona të bien në funksion të interesit publik që të mos mbesin të pashfrytëzuara. Krijon mundësi për qëllim ekonomik, për mbështetjen e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës, të cilat më pas kthehen në shërbime për qytetarët tanë. Miratimi i këtij vendimi sot i hap rrugë planifikimit me kohë për 2026 dhe siguron një proces të rregullt të barabartë dhe transparent”, shtoi Rafuna.

❌
❌