❌

Normal view

Shtatë ushqime që përmbajnë më shumë hekur se mishi i viçit

17 October 2026 at 21:50


Mishi i kuq njihet si një burim i mirë hekuri, por nuk është i vetmi ushqim që mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave ditore për këtë mineral.

Disa ushqime shtazore dhe bimore përmbajnë sasi të barabarta ose edhe më të larta hekuri për porcion, duke ofruar alternativa për një dietë të larmishme.

Sipas të dhënave të Instituteve Kombëtare të Shëndetit në SHBA (NIH), 85 gramë mish viçi pa dhjamë, i gatuar, përmbajnë rreth 2 miligramë hekur. Në vijim janë shtatë ushqime që mund të ofrojnë sasi më të larta.

- Fasulet e bardha: Një filxhan fasule të bardha të konservuara përmban rreth 8 miligramë hekur, afërsisht 44% të vlerës ditore të rekomanduar. Ato janë gjithashtu burim i mirë fibrash dhe proteinash bimore.

- Gocat e detit: Një porcion prej rreth 80 gramësh, i gatuar, mund të përmbajë afërsisht 8 miligramë hekur. Hekuri me origjinë shtazore përthithet përgjithësisht më lehtë nga organizmi sesa ai nga burimet bimore.

- Mëlçia e viçit: Rreth 80 gramë mëlçi viçi të gatuar përmbajnë afërsisht 5 miligramë hekur. Megjithatë, mëlçia duhet konsumuar me kujdes, veçanërisht gjatë shtatzënisë, për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës A.

- Thjerrëzat: Gjysmë filxhani thjerrëza të gatuara ofron rreth 3 miligramë hekur. Ato janë një alternativë e mirë për personat që konsumojnë pak mish dhe mund të përfshihen lehtësisht në supa e sallata.

- Tofu: Gjysmë filxhani tofu të fortë përmban rreth 3 miligramë hekur. I përgatitur nga soja, ai ofron gjithashtu proteina bimore dhe mund të përdoret në gatime të ndryshme.

- Spinaqi: Gjysmë filxhani spinaq i gatuar përmban afërsisht 3 miligramë hekur. Megjithatë, hekuri nga ushqimet bimore përthithet më pak nga organizmi.

Kombinimi i tyre me ushqime të pasura me vitaminë C, si limoni, speci ose domatja, mund të ndihmojë në përthithjen e tij.

- Çokollata e zezë: Një porcion prej rreth 28 gramësh çokollatë të zezë me 45–69% kakao mund të përmbajë afërsisht 2 miligramë hekur.

Ajo mund të jetë një burim shtesë i këtij minerali, por duhet konsumuar me masë për shkak të kalorive dhe sheqerit.

Sasia e hekurit që i nevojitet organizmit ndryshon sipas moshës, gjinisë dhe gjendjes fiziologjike.

Për të përfituar nga burimet e ndryshme të këtij minerali, këshillohet një dietë e larmishme. Personat që dyshojnë për mungesë hekuri duhet të konsultohen me mjekun dhe të mos marrin suplemente pa këshillë profesionale. /Telegrafi/

Protestuesit “rrëmbejnë” trenin turistik në Francë – pamjet bëhen virale

17 October 2026 at 21:42


Protestat masive që kanë përfshirë Francën kundër pabarazisë sociale dhe rënies së standardit të jetesës kanë parë edhe situata të pazakonte.

Kjo pasi në një rast, protestuesit janë parë duke “rrëmbyer” një tren turistik.

Kujtojmë se përleshjet mes protestuesve dhe policisë kanë shpërthyer edhe në Paris, ku janë hedhur flakadanë drejt forcave të rendit.

BREAKING:Rioters hijack a tourist train in France https://t.co/an6Q5OFAnL
— Visegrád 24 (@visegrad24) October 17, 2026

Lëvizja nisi muajin e kaluar në shkollat e periferive më të varfra të kryeqytetit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të këqija në ndërtesat shkollore, por shpejt u shndërrua në një protestë mbarëkombëtare.

Ndërsa autoritetet përpiqen të përballen me situatën, edhe treni turistik duket se ka përfunduar në një destinacion që nuk figuron në asnjë broshurë udhëtimi. /Telegrafi/

Meta mohon se ka favorizuar Bolsonaron, ndërsa gjykata braziliane urdhëron trajtim të barabartë

17 October 2026 at 21:39


Meta ka mohuar se ka favorizuar kandidatin presidencial brazilian Flavio Bolsonaro, pasi një gjykatë urdhëroi kompaninë ta trajtojë atë dhe presidentin aktual Luiz Inacio Lula da Silva në mënyrë të barabartë përpara balotazhit të tyre të 25 tetorit.

Kompania tha të premten se problemet që prekin llogaritë e Lulas rrjedhin nga defekte teknike globale, masa kundër mashtrimit dhe pajtueshmëria rregullatore, në vend të ndërhyrjeve politike.

"Çdo sugjerim se Meta favorizon njërën palë është i rremë", tha ajo, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Gazeta braziliane Folha de S.Paulo raportoi, duke cituar mesazhe të brendshme që shqyrtoi, se punonjësit e Metas pranuan se kufizimet kishin penguar llogaritë e Lulas në Instagram, ndërsa platforma rekomandoi profilin dhe kanalin e Bolsonaros në WhatsApp.

Ekipi i fushatës së Lulas pretendoi se disa nga postimet e tij nuk kishin opsione ndarjeje, kishin zvogëluar shtrirjen dhe kishin vuajtur nga probleme teknike që ndikonin në audio dhe ndërveprimet e përdoruesve.

Ekipi tha gjithashtu se do të paraqiste një ankesë në Organizatën e Shteteve Amerikane, duke akuzuar Meta-n për manipulim të mediave sociale gjatë zgjedhjeve.

Meta tha se çështjet teknike ishin tashmë publike dhe se diskutimet e brendshme kishin të bënin me ashpërsinë e tyre, jo me ndërhyrjet politike.

Kompania përmendi dy ndërprerje globale në fillim të tetorit: njëra ngriu numrin e shikimeve të Instagram Reels në më shumë se 100 vende pa ndikuar në shpërndarjen e përmbajtjes, ndërsa një tjetër i pengoi përkohësisht përdoruesit të krijonin reklama nga postimet ekzistuese në Instagram përmes njërit prej mjeteve të saj.

Përgjigja e saj nuk trajtoi pse profili i Bolsonaros në Instagram dhe kanali WhatsApp kishin marrë rekomandime algoritmike.

Të enjten, një gjyqtar në gjykatën më të lartë zgjedhore të Brazilit urdhëroi Metan të mos kufizonte në mënyrë të pajustifikueshme shtrirjen e përmbajtjes politike që lidhet me asnjërin kandidat gjatë fushatës së balotazhit.

Vendimi gjithashtu kërkoi që chatbot-i i kompanisë, Meta AI, të shmangte favorizimin e asnjërit kandidat në përmbajtje që lidhet me zgjedhjet.

Meta tha se do të vazhdonte të mbrohej në këtë rast.

Mosmarrëveshja vjen pas performancës së Bolsonaros në raundin e parë më të fortë se sa pritej, e cila i siguroi atij një vend në balotazh kundër Lulas.

Administrata e Lulas ka ndjekur rregullime më të rrepta të platformave teknologjike, duke përfshirë masa që synojnë përmbajtjen e paligjshme dhe dezinformimin. /Telegrafi/

Rahoveci befason Pejën në udhëtim dhe i jep fund serisë negative

17 October 2026 at 21:35


Rahoveci ka regjistruar fitoren e parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Pejën me rezultat 95-106 në udhëtim, në kuadër të xhiros së pestë.

Pas katër humbjeve në katër ndeshjet e para, “Vreshtarët” arritën të thyejnë serinë negative, duke zhvilluar një paraqitje të mirë dhe duke e kontrolluar pjesën më të madhe të takimit.

Rahoveci e nisi ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë me rezultat 21-29. Mysafirët vazhduan me ritëm të lartë edhe në dhjetëminutëshin e dytë, të cilin e fituan 25-29, për të shkuar në pushim me epërsi prej 12 pikësh, 46-58.

Peja u përpoq të rikthehej në lojë pas pushimit dhe arriti ta fitonte çerekun e tretë me rezultat 27-24. Megjithatë, Rahoveci ruajti epërsinë dhe nuk lejoi që vendasit të rrezikonin seriozisht fitoren.

Në çerekun e fundit, “Vreshtarët” fituan sërish, këtë herë me rezultat 22-24, duke e vulosur triumfin me shifrat përfundimtare 95-106.

Lojtari më i dalluar te Rahoveci ishte Mika Adams, i cili shkëlqeu me 31 pikë dhe 10 asistime, duke regjistruar double-double. Kontribut të rëndësishëm në këtë sukses dha edhe Zion Fruster, me 18 pikë të realizuara.

Në anën tjetër, te Peja më efikasi ishte Robert Smith me 28 pikë, ndërsa Xavier Johnson shtoi 20 pikë, por paraqitjet e tyre nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.

Kështu, Rahoveci e regjistron fitoren e parë pas pesë xhirove në Superligë, ndërsa Peja pëson humbjen e tretë radhazi./Telegrafi/

Ftohja apo gripi? Shenjat paralajmëruese që tregojnë kur duhet të shkoni te mjeku

17 October 2026 at 21:17


Me ardhjen e temperaturave të ulëta, shtohen rastet e ftohjes dhe gripit.

Shumica e njerëzve shërohen në shtëpi me pushim dhe konsum të mjaftueshëm të lëngjeve, por në disa raste mund të shfaqen komplikacione që kërkojnë kujdes mjekësor.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gripi mund të shkaktojë komplikacione serioze, përfshirë pneumoninë.

Një nga dallimet kryesore mes ftohjes dhe gripit është mënyra e shfaqjes së simptomave: ftohja zakonisht fillon gradualisht, ndërsa gripi shfaqet papritur dhe shpesh shoqërohet me temperaturë, dhimbje të forta muskulore dhe lodhje të theksuar.

Në rast ftohjeje, duhet të konsultoheni me mjekun nëse simptomat përkeqësohen, keni temperaturë shumë të lartë ose të dridhura, apo nuk vëreni përmirësim pas 10 ditësh.

Vlerësimi mjekësor është veçanërisht i rëndësishëm për personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar.

Antibiotikët nuk veprojnë kundër viruseve që shkaktojnë ftohjen dhe nuk duhen përdorur pa udhëzim mjekësor.

Tek të rriturit, vështirësitë në frymëmarrje, dhimbja ose presioni i vazhdueshëm në gjoks, konfuzioni, marramendja e vazhdueshme, krizat, mungesa e urinimit dhe dobësia e rëndë janë shenja që kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Kujdes duhet treguar edhe kur temperatura ose kolla përmirësohen dhe më pas rikthehen më të forta, si dhe kur përkeqësohet një sëmundje ekzistuese.

Tek fëmijët, shenjat alarmuese përfshijnë frymëmarrjen e shpejtë ose të vështirësuar, buzët apo fytyrën me ngjyrë të kaltërosh, dhimbjet e forta muskulore dhe shenjat e dehidratimit, si mungesa e urinimit për tetë orë, goja e thatë ose mungesa e lotëve gjatë të qarit.

Ndihma urgjente nevojitet gjithashtu kur fëmija nuk reagon normalisht, ka kriza ose temperaturë mbi 40°C.

Për foshnjat nën tre muaj, çdo temperaturë prej 38°C ose më shumë kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

Personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët nën pesë vjeç, veçanërisht ata nën dy vjeç, si dhe personat me astmë, diabet apo sëmundje të zemrës dhe mushkërive, kanë rrezik më të lartë për komplikacione nga gripi.

Megjithatë, probleme serioze mund të shfaqen te kushdo, ndaj simptomat e rënda nuk duhen neglizhuar. /Telegrafi/

Kosova synon blerjen e helikopterëve ushtarakë, ekspertët kërkojnë më shumë armatim

17 October 2026 at 21:15


Kosova po synon t`i forcojë kapacitetet mbrojtëse përmes blerjes së helikopterëve ushtarakë amerikanë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se kërkesa i është adresuar Departamentit Amerikan të Luftës. Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë nismë si hap të rëndësishëm për forcimin e FSK-së, por theksojnë se vendit i nevojiten edhe sisteme të tjera të mbrojtjes. Ndërkohë, Qendra për Studime Universitare e FSK-së ka fituar riakreditimin pesëvjeçar.

Në vazhdën e paralajmërimeve për blerje të reja të armatimit, Kosova po synon të pajiset edhe me helikopterë ushtarakë, me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se kërkesa për blerjen e helikopterëve i është adresuar Departamentit Amerikan të Luftës.

Sipas tij, procedurat do të zhvillohen përmes programit amerikan FMS, që mundëson blerjen e pajisjeve ushtarake përmes Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në kuadër të këtij programi, Departamenti Amerikan i Luftës udhëheq procedurat e negocimit, prokurimit dhe hapat e tjerë që lidhen me blerjen.

Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë nismë si zhvillim pozitiv për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës.

“Kosova ka nevojë për shumëçka dhe për shumë sisteme të mbrojtjes, jo vetëm helikopterë. Ka nevojë edhe për mbrojtje kundërajrore, për mjete që përdoren në luftën kundër mjeteve të blinduara, për dronë e të tjera. Pra, është një gamë e gjerë e armatimeve që i duhen Kosovës. Sigurisht që secila blerje që paralajmërohet është në interes të shtetit”, tha Hysen Gecaj, ekspert i sigurisë.

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci, e konsideron këtë zhvillim të rëndësishëm për avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Viti 2026 do të jetë vit i nënshkrimit të shumë marrëveshjeve për plotësimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës, në këtë rast FSK-së. Andaj, porositja ose edhe vetëm bisedat për pajisje ajrore, konkretisht helikopterë, si dhe për disa pajisje të tjera, janë lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës”, tha Dashevci.

Ndërkohë, ministri Maqedonci ka njoftuar edhe për një zhvillim tjetër në FSK. Për herë të parë, Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka fituar riakreditimin për pesë vjet, duke kaluar nga akreditimi trevjeçar në atë pesëvjeçar./RTK

Ermal Hadribeaj përballë sfidës së jetës, sfidon kampionin e botës në Las Vegas

17 October 2026 at 21:07


Ermal Hadribeaj po përgatitet për sfidën më të madhe të karrierës së tij profesionale në boks, teksa do të përballet me kampionin e botës në kategorinë super të mesme të lehtë, Sebastian Fundora, në një duel që mund t’i japë boksit shqiptar një vend të veçantë në histori.

Përballja është planifikuar të zhvillohet më 10 tetor në The Cosmopolitan në Las Vegas në orët e para të mëngjesit, si ngjarja kryesore e një mbrëmjeje boksi të organizuar nga Premier Boxing Champions (PBC).

Në njërën anë qëndron Fundora (24-1-1, 16 KO), 28-vjeçari amerikan që mban titullin e Këshillit Botëror të Boksit (WBC) në këtë kategori dhe synon mbrojtjen e katërt të brezit të tij. Me gjatësi prej rreth dy metrash, kampioni njihet për shtrirjen e madhe të krahëve, presionin e vazhdueshëm dhe numrin e lartë të goditjeve.

Fundora vjen në këtë duel pas fitores bindëse me nokaut teknik në raundin e gjashtë ndaj ish-kampionit të unifikuar Keith Thurman, më 28 mars, rezultat që e ka forcuar edhe më shumë pozitën e tij në kategorinë deri në 70 kilogramë.

Por përballë tij do të jetë një kundërshtar që ka mbërritur në këtë pikë të karrierës me një bilanc mbresëlënës dhe me synimin për ta shndërruar këtë mundësi në një moment historik.

Hadribeaj (23-0-1, 8 KO), 32-vjeçar, e fitoi statusin e sfiduesit të detyrueshëm pas fitores me vendim unanim ndaj Bakary Samake në Gjermani, në një përballje të vështirë dhe kërkuese.

Boksieri shqiptar hyn në ring i pamposhtur në karrierën profesionale dhe me një objektiv të qartë: të mposhtë njërin prej emrave më të fortë të kategorisë dhe të bëhet kampioni i parë botëror i boksit në historinë e Shqipërisë.

Sfida është veçanërisht domethënëse edhe për vetë Hadribeajn, i cili në fillimet e karrierës e kishte parë Fundorën si një pikë referimi. Tani, ai do të ketë mundësinë të ndajë ringun me të, jo vetëm për të dëshmuar nivelin e tij, por edhe për të synuar rrëzimin e kampionit nga froni.

Në letër, Fundora hyn si favorit, falë përvojës në ndeshjet e mëdha, gjatësisë dhe fuqisë së tij sulmuese. Megjithatë, bilanci i pastër i Hadribeajt dhe rruga që e ka çuar deri te kjo sfidë e bëjnë shqiptarin një kundërshtar që nuk mund të nënvlerësohet./Telegrafi/

Aeroplanët rumunë F-16 rrëzojnë dy dronë mbi Detin e Zi, mediat botërore sjellin detaje

17 October 2026 at 21:07


Aeroplanët luftarakë rumunë F-16 rrëzuan dy dronë mbi Detin e Zi, në incidentin më të fundit me dronë që prek këtë vend të Evropës Juglindore, njoftuan autoritetet të shtunën.

Ministri i Mbrojtjes, Radu Miruta, deklaroi se droni i parë hyri në hapësirën ajrore rumune rreth orës 17:59 dhe u rrëzua "brenda dy minutash", 25 km në juglindje të qytetit Sulina.

"Droni i dytë, në të njëjtën zonë, u kap dhe u rrëzua në orën 18:05, pesë minuta pasi hyri në hapësirën ajrore kombëtare, 20 km në lindje të Sulinës", tha Miruta.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes, dy aeroplanë F-16, të cilët po kryenin misione të patrullimit ajror, morën pjesë në operacionin për kapjen e dronëve, pasi u ngritën me urgjencë nga baza ajrore 86 në Borcea, pranë qytetit Fetești.

Sipas ministrisë, aeroplanët u aktivizuan pasi sistemet e vëzhgimit me radar diktuan disa objektiva ajrorë.

Më vonë, ajo njoftoi se objektivat ishin "dronë sulmues me motor reaktiv, të familjes Geran".

"Deti i Zi shërben si një arterie detare kritike për eksportin global të drithërave, burimeve energjetike dhe mallrave industriale; për këtë arsye, stabiliteti i tij është jetik për sigurinë ndërkombëtare të ushqimit dhe energjisë", shkroi në platformën X Oana Toiu, ministre e Punëve të Jashtme e Rumanisë, duke shtuar se NATO-ja do të diskutojë çështjet e "mbrojtjes dhe parandalimit" në Detin e Zi gjatë një takimi të ardhshëm.

"Deti i Zi do të jetë sërish i sigurt", shtoi ajo.

Duke qenë e vendosur në krahun lindor të NATO-s, Rumania është veçanërisht e cenueshme ndaj kërcënimeve të sigurisë që burojnë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Muajt e fundit, vendi është përballur me një shtim të inkursioneve dhe incidenteve që përfshijnë dronë, të cilat besohet se lidhen me këtë konflikt. /Telegrafi/

Grimi me efekt kashmiri: Trendi elegant i vjeshtës që frymëzohet nga moda

17 October 2026 at 21:05


Nuancat neutrale, ngjyrat e ngrohta dhe teksturat e kadifenjta krijojnë një pamje natyrale, të sofistikuar dhe plot hijeshi

Vjeshta është një nga stinët më të dashura për adhurueset e grimit. Me ardhjen e saj rikthehen nuancat e ngrohta, ngjyrat e tokës dhe kombinimet elegante që pasqyrojnë atmosferën karakteristike të kësaj periudhe.

Çdo vit, tendencat e bukurisë gjejnë frymëzim te gjithçka që lidhet me vjeshtën, nga pijet aromatike me kungull e erëza deri te gjethet e arta që mbulojnë rrugët.

Mirëpo, këtë sezon frymëzimi nuk vjen nga ushqimet apo peizazhet vjeshtore, por drejtpërdrejt nga bota e modës.

Veshjet prej kashmiri, të njohura për butësinë, ngrohtësinë dhe elegancën e tyre, kanë ndikuar në krijimin e një prej tendencave më të veçanta të grimit për vjeshtën 2026.

Çfarë është “cashmere makeup”?

Vetë emri i kësaj tendence të zgjon ndjesinë e rehatisë dhe luksit të përmbajtur. Ai të kujton pulovrat e buta prej kashmiri, ngjyrat e qeta dhe atmosferën e ngrohtë të ditëve të freskëta.

Pikërisht kjo ndjesi është shndërruar në frymëzim për grimin e njohur si “cashmere makeup”, ose grimi me efekt kashmiri.

Kjo tendencë karakterizohet nga nuancat bezhë, kafe dhe gri-kafe, të cilat pasqyrojnë paletën natyrale të vjeshtës.

Megjithatë, sekreti nuk qëndron vetëm te ngjyrat. Një rol po aq të rëndësishëm luajnë edhe teksturat e produkteve kozmetike.

Ato duhet të jenë të buta, të kadifenjta dhe të përhapen lehtësisht mbi lëkurë, duke krijuar një pamje të njëtrajtshme, pa shkëlqim të tepruar dhe pa shtresa të rënda grimi.

Qëllimi është që fytyra të duket e freskët, e ngrohtë dhe natyrale, me një përfundim delikat që të kujton butësinë e kashmirit, shkruan ELLE France.

Cilat ngjyra duhet të zgjidhni?

Për të krijuar këtë pamje, zgjedhja më e mirë janë produktet në ngjyra neutrale, me tone të ngrohta ose të ekuilibruara.

Për mollëzat mund të përdorni një skuqës me nuancë të butë kafe, ndërsa për sytë hijet gri-kafe janë zgjedhje ideale për të krijuar thellësi pa e rënduar pamjen.

Buzët mund t'i theksoni me një laps ngjyrë kafe dhe t'i plotësoni me shkëlqyes në nuancën latte, një ngjyrë bezhë-kafe që të kujton kafenë me qumësht.

Nëse nuk jeni të sigurta se cilat ngjyra ju përshtaten, mjafton të frymëzoheni nga garderoba juaj vjeshtore: pulovrat prej kashmiri, palltot bezhë, shallet në ngjyrë çokollate dhe veshjet në tone neutrale.

Bukuria e këtij trendi qëndron te thjeshtësia. Nuk kërkon ngjyra të forta apo teknika të ndërlikuara, por kombinimin e kujdesshëm të nuancave dhe teksturave që nxjerrin në pah bukurinë natyrale.

Rezultati është një grim i sofistikuar, i përshtatshëm si për përditshmëri, ashtu edhe për mbrëmje, që sjell në fytyrë të njëjtën ndjesi elegance dhe rehatie që ofron një veshje prej kashmiri.

/Telegrafi/

Berisha: Rama të japë dorëheqjen, po çon vendin në konflikt civil

17 October 2026 at 20:57


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbajti konferencë për mediat sot më 17 tetor.

Komentoi protestën kundër qeverisë. Berisha u shpreh se sot ishte dita e mosbindjes civile të qytetarëve shqiptarë në katër anët e vendit.

“Respekt tepër i madh për ata qytetarë që kanë dalë në protesta. Edi Rama kërkon gjak, kërkon viktima. Rama në vend të zgjidhjes politike preferon konfliktin civil. I them Edi Ramës menjëherë jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë në konflikt civil, se do jesh ti viktima më kryesore e tij. Vepro në mënyrë demokratike. Rama është zhytur në krimet më të rënda të këtij vendi”, tha Berisha.

Më tej, u shpreh se të gjithë qytetarët duhet të solidarizohen me këtë protestë. Bëri thirrje që të gjithë të protestojnë në Tiranë.

“Sot iu bëj thirrje shqiptarëve kudo jetojnë që të mobilizohen me të gjithë potencialin e tyre për mosbindje civile. Këtij regjimi të urryer duhet t’i dridhet toka nën këmbë.

Qytetarët të vërshojnë drejt Tiranës, këtu është sheshi, ku fitorja do firmoset nga qytetarët shqiptarë. Dhe njëherë, thirrja ime është që të gjithë të jemi në këmbë, që t’ja japim ndëshkimin e merituar këtij regjimi të urryer për popullin shqiptar”, theksoi kryedemokrati./Tv Klan

Në Maqedoni ka mbi 38 mijë gra fermere, por pa të drejta të barabarta

17 October 2026 at 20:50


Mbi 38 mijë gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre përballen me mungesë të sigurisë financiare, pushimit të lehonisë, sigurimit shëndetësor dhe mbrojtjes sociale.

Këto sfida u diskutuan në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, të mbajtur në Europe House në Strumicë, në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin”, të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare.Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2021 vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave kanë në pronësi tokë.

Në diskutim janë trajtuar shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë edhe praktikat që lidhen me trashëgiminë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore për të trashëguar, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve. Në këtë ndikojnë traditat e kahershme dhe pritshmëria se, pas martesës, vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”.

Në diskutim u theksuan edhe pengesat tradicionale që i bëjnë vajzat të heqin dorë nga trashëgimia në favor të vëllezërve. Mesazhi kryesor ishte se kontributi i grave fermere duhet të shoqërohet me të drejta dhe mundësi të barabarta.

Gabimet e përditshme që ju prishin gjumin, nga kafeja pasdite te telefoni në shtrat

17 October 2026 at 20:48


Vështirësitë për të fjetur gjatë natës nuk lidhen gjithmonë me stresin.

Shpesh, shkaku mund të jetë te zakonet e përditshme, të cilat ndikojnë në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit.

Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit (AASM) dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS) këshillojnë disa ndryshime të thjeshta për të përmirësuar pushimin gjatë natës.

Një nga gabimet më të zakonshme është konsumimi i kafesë në orët e pasdites. Kafeina mund të ndikojë në gjumë edhe kur merret gjashtë orë para se të shtriheni.

Edhe alkooli, megjithëse mund t'ju japë fillimisht ndjesinë e relaksimit, mund të ulë cilësinë e gjumit.

Po kështu, përdorimi i telefonit celular para se të flini mund ta vështirësojë kalimin drejt pushimit, ndaj rekomandohet fikja e pajisjeve elektronike të paktën 30 minuta më herët.

Një tjetër gabim është të qëndroni në shtrat për orë të tëra duke u përpjekur të flini. Nëse nuk ju zë gjumi pas rreth 20 minutash, këshillohet të ngriheni dhe të bëni diçka qetësuese në një dhomë tjetër.

Kthehuni në shtrat kur të ndiheni të përgjumur. Gjithashtu, përpiquni të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavave, për të ruajtur një ritëm të qëndrueshëm të gjumit.

Edhe aktivitetet e mbrëmjes mund të ndikojnë në pushimin tuaj. Stërvitja intensive dhe vaktet e bollshme pak para gjumit mund ta vështirësojnë fjetjen. Nëse ndieni uri, mund të zgjidhni një ushqim të lehtë.

Po ashtu, krijoni një periudhë qetësimi prej 60–90 minutash para se të flini, duke bërë një dush të ngrohtë, duke shkruar në ditar ose duke praktikuar ushtrime frymëmarrjeje.

Nëse vështirësitë për të fjetur vazhdojnë edhe pasi keni ndryshuar zakonet e përditshme, këshillohet të konsultoheni me mjekun.

Një nga trajtimet që mund të rekomandohet është terapia konjitive-sjellëse për pagjumësinë, e cila ndihmon në ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve që pengojnë gjumin. /Telegrafi/

Shala zbulon se sa kërkesa për sponsorizim janë shqyrtuar gjatë dy viteve dhe sa para kanë fituar klubet dhe federatat

17 October 2026 at 20:46


Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte Besim Shala, kryesues i Komisionit për Vërtetime të Ligjit të Sponsorizimit në Sport, i cili flet për një nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin e sportit në Kosovë – financimin përmes ligjit të sponsorizimit. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Shala ndër të tjerash ka zbuluar se sa kërkesa për sponsorizim janë shqyrtuar si dhe me shifra ka treguar sa kanë fituar klubet dhe federatat.

“Domethënë, si vlerë totale e shumës për sponsorizimin ka shku deri 27 milionë e 249 mijë e 136 euro, ndërsa në vitin 2026 se harruam edhe me cekë edhe diçka sepse është shumë shumë e rëndësishme, për shkak që viti-viti pas çdo viti veç po rriten kërkesat, veç po rritet domethënë interesimi i njerëzve që me qenë pjesë e sponsorizimit në sport, në kulturë, në rini e këto”.

“Domethënë, vitin 2026 i kemi pasë veç në sport 7 milionë e 928 mijë. Deri më tani në kulturë 3 milionë, ndërsa në rini 353 mijë”.

“Dmth që janë pjesë, përafërsisht landë janë veç deri tash, po janë përmbi 1,100 landë. Domethënë, tash edhe që e përmendëm këtë volumin e tremujorit, sigurt e tejkalon 2400-shin”, ka thënë Shala mes tjerash.

Episodin e plotë me Besim Shalën mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube

Kongresisti amerikan shpreh shqetësim për krizën në Shqipëri

17 October 2026 at 20:41


Kongresisti amerikan, Joe Wilson, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria që të përmbahet nga përdorimi i dhunës ndaj protestuesve.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Wilson ka thënë se populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale.

“Po e përcjell me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, anëtare e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Wilson.


I am watching with great concern the escalating crisis in NATO Ally Albania. The Albanian people deserve freedom, rule of law, and institutional accountability. The government must refrain from all violence against protestors. Young people deserve a voice in the future of their country.
— Joe Wilson (@RepJoeWilson) October 17, 2026

Pesë gola, karton i kuq dhe spektakël – Barcelona mposht Betisin dhe vazhdon marshimin në La Liga

17 October 2026 at 20:34


Barcelona ka regjistruar një fitore spektakolare 5-2 në udhëtim ndaj Real Betisit, në kuadër të javës së nëntë të La Ligës, duke vazhduar serinë e rezultateve pozitive në kampionatin spanjoll.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick dhuroi një paraqitje sulmuese, duke shënuar pesë gola dhe duke siguruar tri pikë të rëndësishme që e çojnë në kuotën e 27 pikëve.

Katalunasit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi në minutën e 10-të. Lamine Yamal depërtoi bukur drejt zonës dhe me një goditje të saktë nga jashtë saj e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Betisi reagoi në minutën e 27-të, kur Valentin Gomez u shkëput mirë në ajër dhe me një goditje me kokë barazoi shifrat në 1-1.

Megjithatë, Barcelona e riktheu epërsinë në minutën e 41-të. Pas një harkimi të Fermin Lopezit nga këndi, Rodri u gjend në vendin e duhur dhe me kokë realizoi për 2-1.

Betisi mendoi se kishte barazuar sërish në minutën e 45-të, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të një prekjeje me dorë në aksion. Pak çaste më herët, Giovani Lo Celso kishte realizuar një gol të bukur nga jashtë zonës, por vendasit nuk arritën ta ruanin baraspeshën deri në pushim.

Në pjesën e dytë, Barcelona e rriti epërsinë. Gabriel Jesus realizoi në minutën e 51-të, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje. Vetëm dy minuta më vonë, Betisi u rikthye në lojë përmes Abde Ezzalzoulit, i cili shënoi për 3-2.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 54-të, kur Facundo Bernal u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Betisin me një lojtar më pak. Barcelona e shfrytëzoi avantazhin numerik dhe në minutën e 62-të shënoi golin e katërt përmes Eric Garcias, i cili realizoi me kokë pas një aksioni të nisur nga Pau Cubarsi (4-2).

Dani Olmo e vulosi fitoren në minutën e 81-të, duke realizuar me një goditje të saktë nga jashtë zonës për rezultatin përfundimtar 5-2.

Me këtë fitore, Barcelona arrin në 27 pikë pas nëntë javësh dhe vazhdon serinë perfekte në La Liga, si skuadra e vetme e pamposhtur deri tani këtë sezon./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Leipzigu përjeton një makth në Mynih, Bayerni e mposht me rezultat tenistik

17 October 2026 at 20:28


Bayern Munich ka regjistruar një fitore të thellë ndaj Leipzigut, duke e mposhtur me rezultat 6-1 në kuadër të javës së gjashtë të Bundesligës.

Skuadra bavareze dhuroi një paraqitje dominuese nga fillimi deri në fund, duke mos i dhënë pothuajse asnjë mundësi kundërshtarit dhe duke konfirmuar ambiciet për të vazhduar në krye të futbollit gjerman.

Luis Diaz ishte njëri prej protagonistëve kryesorë të takimit, duke realizuar dy gola. Sulmuesi kolumbian e zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të për 1-0, pas një pasimi të Joshua Kimmichut, ndërsa në minutën e 26-të asistoi Aleksandar Pavlovicin për golin e dytë të Bayernit (2-0).

Bavarezët vazhduan presionin dhe në minutën e 34-të e çuan epërsinë në 3-0. Harry Kane shërbeu për Michael Olisen, i cili me një goditje të saktë nga jashtë zonës e dërgoi topin në rrjetë.

HAT-TRICK HEROOOO 🔥🔥🔥 https://t.co/JNgueogb9d
— FC Bayern München (@FCBayern) October 17, 2026

Menjëherë pas pushimit, Bayerni vazhdoi aty ku e kishte lënë. Në minutën e 47-të, Kane asistoi për Luis Diazin, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për vendasit (4-0).

Gjashtë minuta më vonë, Kane u regjistrua edhe vetë në listën e golashënuesve, duke e shtyrë topin në rrjetë pas pasimit të Nathaniel Brownit për rezultatin 5-0.

Spektakli bavarez u kompletua në minutën e 69-të, kur Luis Diaz lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës për 6-0.

Deri në përfundim të takimit, mysafirët ia dolën të shënojnë edhe golin e nderit përmes Andrija Maksimovic, që realizoi për 6-1 pas asistimit nga Brajan Gruda.

Me këtë fitore bindëse, Bayern Munich shkon në kuotën e 14 pikëve dhe momentalisht kryeson tabelën e Bundesligës, duke dërguar një mesazh të fortë për rivalët në garën për titullin./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Protesta edhe në Belgjikë, protestuesit edhe atje u përplasën me policinë

17 October 2026 at 20:22


Të shtunën, protestuesit në Bruksel dhe Liezh u përplasën me policinë, ndërsa një sërë tubimesh në pjesë të ndryshme të Evropës u shndërruan në dhunë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, atje janë parë policia duke përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit që merrnin pjesë në protestat kundër rritjes së kostos së jetesës në kryeqytet.

Në Bruksel, policia përdori gaz lotsjellës ndaj të rinjve që gjuanin shishe dhe objekte të tjera në zonën e Bursës (Bourse), bëri të ditur një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP; ndërkohë, raportohet se edhe në qytetin lindor të Liezhit u përdorën topa uji kundër grupeve më të vogla të demonstruesve.

Ministri belg i Brendshëm, Bernard Quintin, deklaroi të shtunën se situata "nuk është më thjesht një protestë".

Ook in Brussel weer raak vandaag. Linkse agitatoren die de invasieve inteeltbrigade aansturen en de stad op stelten zetten. https://t.co/IH1C2xPnEm
— Sebastian Kruis (@SebastianKruis) October 17, 2026

"Është dhunë e pastër, e organizuar dhe e përsëritur, me qëllim destabilizimin e shoqërisë sonë", shkroi ai në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se "do të merren të gjitha masat e nevojshme për të rivendosur rendin përballë trazirave".

Në javët e fundit, nxënës të shkollave të mesme në Belgjikë kanë protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit, duke iu bashkuar studentëve në Francë, të cilët kanë protestuar kundër mungesës së mësuesve, kushteve të këqija në institucione dhe klasave të mbipopulluara.

Kjo ndodh në një kohë kur protestat masive në Paris u shndërruan në skena kaosi gjatë fundjavës. /Telegrafi/

Para se të ndizni ngrohjen, këto kontrolle duhet të bëni në shtëpi

17 October 2026 at 20:20


Me uljen e temperaturave dhe nisjen e sezonit të ngrohjes, është e rëndësishme të kontrolloni pajisjet që përdorni për të ngrohur shtëpinë.

Disa kontrolle ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e rehatisë, ndërsa të tjera janë thelbësore për sigurinë.

Një nga hapat kryesorë është servisimi vjetor i sistemit të ngrohjes, ngrohësit të ujit dhe pajisjeve që funksionojnë me gaz, naftë ose qymyr. Këto kontrolle duhet të kryhen nga teknikë të kualifikuar.

Nëse përdorni oxhak, edhe ai duhet të pastrohet rregullisht për të shmangur rreziqet gjatë përdorimit.

Një tjetër rrezik që nuk duhet neglizhuar është monoksidi i karbonit, një gaz pa ngjyrë dhe pa erë, i cili mund të shkaktojë helmim të rëndë.

Simptomat përfshijnë dhimbje koke, marramendje, dobësi, të përziera dhe konfuzion. Për këtë arsye, rekomandohet instalimi i një detektori të monoksidit të karbonit dhe kontrolli ose zëvendësimi i baterive çdo gjashtë muaj.

Gjeneratorët, skarat me qymyr dhe pajisjet e kampingut nuk duhet të përdoren brenda shtëpisë, bodrumit apo garazhit.

Gjatë muajve të ftohtë, ngrohja mund ta thajë ajrin dhe të shkaktojë tharje të fytit ose irritim të syve.

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), lagështia relative në ambientet e brendshme duhet të mbahet përgjithësisht mes 30 dhe 50 për qind.

Një higrometër mund t'ju ndihmojë ta matni atë dhe të kuptoni nëse keni nevojë për një lagështues ajri.

Megjithatë, lagështia e tepërt mund të krijojë kondensim në dritare dhe të favorizojë zhvillimin e mykut e të marimangave.

Nëse përdorni lagështues ajri, pastrojeni rregullisht sipas udhëzimeve të prodhuesit, në mënyrë që të parandaloni grumbullimin e mykut dhe baktereve. /Telegrafi/

Deputetja e LDK-së: Kalimi nga dhuna e rrugës në zyra nuk ishte përvojë e mirë për Kosovën

17 October 2026 at 20:18


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, duke thënë se protestat e dhunshme në Kosovë u shndërruan në një model që i solli ata në pushtet.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka pretenduar se, edhe pas gjashtë vitesh, qeverisja e Kurtit karakterizohet nga, siç është shprehur ajo, “hajnia, skandalet e stagnimi”.

Ajo ka vlerësuar se kalimi i një grupi njerëzish nga protesta në institucione nuk kishte për qëllim ndryshimin e vendit, por krijimin e një klike.

Ymeri ka theksuar se deklarimi i saj nuk është një vlerësim për gjendjen aktuale në Shqipëri, por një perspektivë që, sipas saj, duhet ta njohë edhe brezi i ri atje.

“Gjendja në Shqipëri mund të nxjerrë njerëz që kanë përvojë në udhëheqje e politikë, por kalimi nga dhuna e rrugës në zyra në Kosovën e pasluftës nuk ka qenë asnjëherë një përvojë e mirë”, ka shkruar Ymeri.

Mos i lini vazot bosh në shtëpi: Sipas feng shui-t, ky zakon mund t’ju largojë fatin dhe paratë

17 October 2026 at 20:16


Një send që shumë njerëz e mbajnë pa i kushtuar vëmendje, sipas feng shui-t, simbolizon ngecjen dhe mundësitë e pashfrytëzuara

A ju është tharë ndonjëherë një lule, ndërsa vazoja ka mbetur bosh për javë apo muaj të tërë? Apo keni blerë një vazo të bukur, duke menduar se një ditë do të mbillni diçka në të?

Sipas filozofisë së lashtë kineze feng shui, vazot bosh nuk janë thjesht sende dekorative pa përdorim. Ato mund të simbolizojnë ngecjen, mundësitë e pashfrytëzuara dhe mungesën e zhvillimit.

Në këtë traditë, bimët përfaqësojnë jetën, rritjen dhe energjinë pozitive, ndërsa vazot e lëna bosh lidhen simbolikisht me mungesën e gjallërisë dhe të përparimit.

Megjithatë, bëhet fjalë për një besim tradicional dhe jo për një fakt të vërtetuar shkencërisht. Nuk ka prova që vazot bosh ndikojnë drejtpërdrejt në fatin apo gjendjen financiare.

Pse nuk këshillohet të mbani vazo bosh?

Vazot janë krijuar për të mbajtur bimë, për të nxitur rritjen dhe për të sjellë gjelbërim në ambientet e banimit.

Sipas feng shui-t, kur mbeten bosh për një kohë të gjatë, ato mund të përfaqësojnë një gjendje pritjeje, mungesë zhvillimi ose plane që nuk realizohen.

Kjo nuk do të thotë se një vazo bosh sjell domosdoshmërisht fatkeqësi. Mesazhi i kësaj filozofie lidhet më shumë me rëndësinë e një hapësire të rregulluar, ku çdo send ka funksionin dhe vendin e vet.

shutterstock

Në cilat pjesë të shtëpisë duhet të tregoni kujdes?

Sipas parimeve të feng shui-t, disa ambiente meritojnë vëmendje të veçantë.

Dhoma e ndenjjes: Një vazo bosh, sidomos kur është vendosur në një hapësirë të dukshme, mund të krijojë përshtypjen e një dekorimi të papërfunduar. Një bimë e gjelbër ose një zbukurim i zgjedhur me kujdes mund ta bëjë ambientin më të ngrohtë dhe më të këndshëm.

Kuzhina: Në vend që vazoja të qëndrojë bosh, mbillni borzilok, nenexhik ose majdanoz. Përveç gjelbërimit, do të keni edhe bimë aromatike që mund t'i përdorni gjatë gatimit.

Dhoma e gjumit: Kjo hapësirë duhet të krijojë qetësi dhe rehati. Prandaj, këshillohet të shmangen sendet e panevojshme që krijojnë përshtypjen e rrëmujës.

Korridori: Është hapësira që krijon përshtypjen e parë kur hyni në shtëpi. Një bimë e mirëmbajtur mund ta bëjë hyrjen më mikpritëse, ndërsa grumbullimi i vazove bosh mund ta bëjë të duket e parregullt.

Çfarë të bëni me vazot që nuk i përdorni?

Zgjidhja më e thjeshtë është t'u jepni një funksion të ri.

Nëse keni një vazo bosh, mbillni një lule ose një bimë që përshtatet me ndriçimin dhe kushtet e shtëpisë suaj.

Nëse nuk keni kohë për t'u kujdesur për bimët, mund ta përdorni vazon si element dekorativ, për ruajtjen e sendeve të vogla, ose t'ia dhuroni dikujt që ka nevojë për të.

Ndonjëherë, një ndryshim i vogël mjafton për ta bërë shtëpinë të duket më e gjallë dhe më harmonike.

Pavarësisht nëse besoni në feng shui apo thjesht dëshironi një ambient më të rregulluar, largimi i sendeve të panevojshme dhe shtimi i gjelbërimit mund të ndikojnë pozitivisht në pamjen dhe atmosferën e shtëpisë.

Në fund, nuk është vetë vazoja bosh ajo që përcakton fatin tuaj, por mënyra se si kujdeseni për hapësirën ku jetoni. /Telegrafi/

❌