Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi u kap nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Siç njofton Zahiti, rreth orës 22:20 është pranuar lajm se shtëpia ishte përfshirë nga zjarri, ku njësitet përkatëse policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendngjarje për të menaxhuar situatën.
“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, e moshës rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes,”, tha ai.
Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez.
Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë nën qiell të kthjellët, ndërsa tjetra shpie në reve të errëta me flamujt e Rusisë dhe Kinës, shoqëruar me vetëtima.
Mesazhi i shoqëruar ishte: “Nga cila anë, o grenlandezë?”
Ky postim vjen pas deklaratave të presidentit Donald Trump, i cili ka theksuar vazhdimisht rëndësinë strategjike të ishullit Arktik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ai ka përsëritur idenë se Grenlanda është një element kyç për NATO-n dhe ka paralajmëruar se, nëse Amerika nuk vepron, ndikimi do t’i kalojë Rusisë ose Kinës.
Megjithatë, Danimarka dhe autoritetet e Grenlandës kanë theksuar se ishulli nuk është në shitje dhe se sovraniteti i tij duhet respektuar. Postimi i Shtëpisë së Bardhë e riktheu vëmendjen tek debatet mbi ndikimin global në Arktik dhe interesat strategjike të SHBA-së në rajon.
Ka qenë një javë e vështirë për RCD Mallorcan dhe tifozët e saj, pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet ndaj Girona dhe Rayo Vallecano. Të dielën pati edhe debate verbale me tifozët, ndërsa skuadra ndodhet shumë pranë zonës së rënies nga kategoria.
Në këtë situatë të tensionuar, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka folur për radion “COPE”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt tifozëve dhe duke bërë thirrje për bashkim.
“Nëse i prishim lidhjet me tifozët me edhe 19 ndeshje për t’u luajtur, atëherë kemi mbaruar.”
Muriqi ka theksuar se e kupton plotësisht frustrimin e tifozëve për paraqitjet e dobëta dhe kritikat se skuadra nuk po lufton mjaftueshëm.
Ai është i bindur se gjërat do të ndryshojnë, edhe pse 11 golat e tij rekord në gjysmën e parë të sezonit nuk kanë mjaftuar për ta përmirësuar pozitën e ekipit, diçka që e ka pranuar publikisht edhe trajneri Jagoba Arrasate.
Sulmuesi kosovar shprehet i sigurt se Mallorca do të ketë një gjysmë të dytë sezoni shumë më të mirë dhe kujton mbështetjen e tifozëve në momentet më të vështira, veçanërisht gjatë mbijetesës dramatike nën drejtimin e Javier Aguirres:
“Më kujtohet gjithmonë ai vit kur Granada na mposhti rëndë. Dola për darkë dhe disa tifozë më inkurajuan, duke më thënë se kishim edhe tri ndeshje dhe mund të shpëtonim. U habita shumë. Dua që tifozët të vazhdojnë të jenë kështu, sepse kjo na ndihmon të qëndrojmë në kategori. Nuk kam asnjë dyshim se kjo skuadër do të mbetet në elitë.”
Muriqi foli edhe për përvojën e tij me presionin e madh në Turqi: “Kam luajtur edhe në Turqi, ku presioni është shumë më i madh dhe nuk ta falin asnjë gabim. Për shembull, te Fenerbahce duhet të jesh si robot. Është e pamundur.”
Sa i përket përplasjes me tifozët të dielën, Muriqi sqaron se situata ka qenë më konstruktive nga sa është raportuar. Ai dhe disa bashkëlojtarë biseduan qetësisht me tifozët, duke thirrur edhe një drejtues për të qetësuar situatën:
“Disa prej nesh lojtarëve ishim aty, ashtu si Alfonso Diaz, duke biseduar me tifozët. Thirrëm edhe një drejtues për të qetësuar situatën. U thashë se askush në skuadër nuk dëshiron të humbasë pas vetëm pesë minutash lojë. Askush nuk dëshiron të jetë në këtë situatë. Na thanë se nuk po dukej pasioni. I kuptoj dhe jam dakord, sepse rezultatet nuk po na shkojnë mbarë. Është detyra jonë ta ndryshojmë këtë.”
Muriqi ka theksuar se skuadra vuan nga mungesa e besimit dhe se duhet të krijohen më shumë raste.
“Ka pak mungesë besimi. Nëse shikon renditjen, të gjithë jemi shumë afër. Nuk po them se marrëdhënia me tifozët është prishur, por më parë nuk na fishkëllenin. Duhet të ndërtojmë më shumë lojë, ndonjëherë na mungon pasimi final. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë. U flas gjithmonë shokëve të skuadrës, e dinë që unë jam aty për çdo top në zonë dhe përpiqem t’i bind të fusin më shumë topa.”
Ai shprehu pakënaqësi edhe për gjykimin, veçanërisht për penalltinë e dhënë ndaj Valjentit në Vallecas dhe për faullet që i akordohen vazhdimisht kundër tij.
“Është diçka që as nuk dua ta mendoj, sepse më zemëron shumë. Më thonë që jam më i fortë dhe, për shkak se jam më i fortë, faulli qenka i imi? Shpeshherë më bëjnë faull dhe nuk fishkëllitet asgjë.”
Sa i përket lidershipit, Muriqi thekson se nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr skuadrën.
“Gjithë jetën time, pas vdekjes së babait, kam qenë lider i familjes sime. Isha shtatë vjeç kur ai vdiq dhe fillova të punoja në moshën tetëvjeçare. Gjithmonë kam qenë lider. Në fushë kemi kapitenë si Rai dhe Martin, unë nuk kam nevojë për shiritin. Përpiqem të ndihmoj, të flas, të bërtas në fushë. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe shokët e skuadrës më respektojnë.”
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi të enjten se Varshava nuk ka plane për të dërguar trupa ushtarake në Grenlandë, pavarësisht se disa vende të tjera të NATO-s kanë nisur kontingjente të vogla për stërvitje të përbashkëta me forcat daneze.
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se po dërgojnë njësi ushtarake në territorin autonom të Mbretërisë së Danimarkës, pas shqetësimeve mbi përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur Grenlandën nën kontrollin e SHBA-së.
Në një konferencë për shtyp, Tusk u pyet nëse Polonia do të ndiqte shembullin e aleatëve.
Ai u përgjigj: “Jo, nuk kemi plane të dërgojmë ushtarë polakë në Grenlandë.”
Duke folur më gjerë për situatën, kryeministri paralajmëroi se një ndërhyrje ushtarake amerikane do të ishte një “katastrofë” dhe “fund i botës siç e njohim”.
Sipas tij, një konflikt i tillë do të shkatërronte rendin botëror të bazuar në solidaritetin e NATO-s, i cili ka penguar për dekada komunizmin, terrorizmin dhe forma të tjera të agresionit ndërkombëtar.
Tusk shtoi se nuk dëshiron të spekulojë nëse një pushtim është i mundshëm, por paralajmëroi: “Fatkeqësisht, asnjë skenar nuk mund të përjashtohet.”
Ai kujtoi se gjatë takimeve të mëparshme, Trump i kishte bërë të qartë se: “Papriturat dhe surprizat, sidomos ndaj aleatëve, ishin metoda e tij e preferuar.”
Tusk theksoi gjithashtu se në rast se aleanca transatlantike shembet, Europa do të duhet të përgatitet për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie me vendet që mbeten besnike ndaj projektit të Perëndimit si komunitet.
Javën e kaluar, Tusk bashkëfirmosi një deklaratë me kryeministrin e Danimarkës dhe liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, duke i bërë thirrje Trump-it të respektojë sovranitetin e Grenlandës.
Tusk, ish-president i Këshillit Europian, udhëheq një qeveri centriste, pro-BE, e cila shpesh ka qenë kritike ndaj Trump, por ka kërkuar të ruajë bashkëpunimin me SHBA.
Nga ana tjetër, Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, i afërt me opozitën e djathtë dhe aleat i ngushtë i Trump, ka mbajtur qëndrim krejt tjetër. Ai tha për BBC se çështja e Grenlandës duhet të mbetet:
“Një bisedë mes kryeministrit të Danimarkës dhe presidentit Trump.”
Nawrocki e ka cilësuar Trump-in si “i vetmi lider që mund të mbrojë Europën nga kërcënimi rus” dhe ka shprehur shqetësime të ngjashme me të për drejtimin e Bashkimit Europian.
Ambasadori dhe miku i Kosovës, William Walker, ka folur me emocione për domethënien e Reçakut.
Walker theksoi se fjala Reçak nuk nënkupton vetëm masakrën e 15 janarit 1999, por edhe gjithçka që është ndërtuar dhe arritur që nga ajo kohë. Sipas tij, Reçaku sot përfaqëson një shenjë të qartë të përparimit, jo vetëm për fshatin Reçak, as për komunën e Shtimes, por për Kosovën në përgjithësi.
“Reçaku është dëshmi e zhvillimit dhe ecjes përpara të Kosovës. Nuk mund të shpreh me fjalë sa i impresionuar jam nga ajo që ka ndodhur nga 15 janari 1999 deri më 15 janar 2026, sepse bëhet fjalë për një përparim jashtëzakonisht të madh”, u shpreh Walker në ‘Politiko’.
Ai vlerësoi se kjo rrugë e përparimit e bën Reçakun simbol jo vetëm të dhimbjes së së kaluarës, por edhe të shpresës dhe zhvillimit të Kosovës së sotme.
Udhëheqësja e opozitës venezuelase, María Corina Machado, ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit amerikan, Donald Trump, medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen. Kjo u bë gjatë një takimi të saj të enjten në Shtëpinë e Bardhë, raporton BBC-ja.
Machado ka thënë se ky ishte një moment i rëndësishëm për të, por nuk ka treguar nëse Trump e ka pranuar medaljen.
“Mendoj se sot është ditë historike për ne venezuelasit,” ka thënë ajo pas takimit me Trumpin, duke përshkruar takimin si domethënës për vendin e saj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kujtuar 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, të një prej krimeve më të rënda të kryera nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se 45 civilë shqiptarë u masakruan brutalisht në fshatin Reçak, duke theksuar se drejtësia për këtë krim dhe për masakrat e tjera ende mungon.
Ai shkruan se, ndërsa komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë për akuza që i cilëson të pabazuara, ekzekutorët dhe urdhëruesit e masakrës vazhdojnë t’i shmangen ndëshkimit.
Në reagimin e tij, Balla nënvizon gjithashtu se dëshmitarët e masakrës së Reçakut dhe të krimeve të tjera po ndahen nga jeta pa parë drejtësinë të vihet në vend, duke e bërë edhe më të domosdoshme kujtesën kolektive dhe kërkesën për llogaridhënie.
“Kurrë mos harro Reçakun”, shkruan Balla, duke e cilësuar këtë masakër si simbol të dhimbjes dhe sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.
Masakra e Reçakut mbetet një nga ngjarjet që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe shërbeu si pikë kthese për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Në 'Darkën e të Nominuarve' pati një pyetje me spec nga publiku për Ludo Lee.
"Si mendon që ndihet që ndihet Edi kur i thua Limit mbaje Dolcen mos e lësho", ishte pyetja.
Kjo pasi Ludo dhe Eduard Kuçi kanë pasur një raport të afërt me njëri-tjetrin brenda.
Foto: YouTube
"Edi e ka përfunduar me Dolcen dhe e ka kuptuar se loja e Dolces ka qenë lojë. Besoj që Edi ka pasur ndjenja më shumë për Dolcen, Edi e ka kuptuar shumë shpejt se me Dolcen nuk ka vazhdim", u përgjigj banori.
Tutje tha: "Siç e kam parë unë nuk ka pasur ndjenja nga ana e Dolces, e ka shfrytëzuar. Unë nuk ndërhyj në raportin e Limit me Dolcen. As nuk kam drejtë të përzihem. Jam i lumtur që Edi nuk është më me Dolcen se nuk kishte vazhduar mirë për Edin".
Edi për rikujtim pati një afrimitet të madh me Dolcen, por që përfundoi shpejt.
E tani konkurrentja po shijon një lidhje të re dashurie me banorin Lim Hoti. /Telegrafi/
Ndërsa miliona venezuelianë presin të shohin se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të shkatërruar ekonomikisht dhe politikisht, ka lindur një betejë midis dy udhëheqëseve femra për kontroll mbi të ardhmen e kombit dhe për favorizimin e presidentit amerikan.
Në njërën anë është udhëheqësja e opozitës dhe laureatja e Çmimit Nobel, Maria Corina Machado, e cila u bë e njohur vitet e fundit për luftën e saj të paepur për demokraci në Venezuelë, duke u përballur me ish-diktatorin tashmë të rrëzuar, Nicolas Maduro.
Ajo ka qëndruar kryesisht e fshehur pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të Venezuelës në vitin 2024, pas të cilave autoritetet zgjedhore të kontrolluara nga qeveria shpallën Maduron fitues - duke i lejuar atij të qëndronte në pushtet deri në kapjen e tij nga forcat speciale amerikane në një bastisje të jashtëzakonshme dy javë më parë.
Rivalja e saj është Delcy Rodriguez – zëvendëspresidentja e Maduros, e cila tani po merr rolin e saj të ri si presidente e përkohshme.
Rodriguez shihet si një anëtare e vendosur e gardës së vjetër dhe një mbrojtëse e fortë e Maduros; por ajo po ecën në një litar të tendosur të pasigurt në përpjekje për të qetësuar si Uashingtonin ashtu edhe besnikët e regjimit të Maduros në vend.
Në qendër të luftës së tyre është një figurë që ndodhet më shumë se 3,200 kilometra larg: presidenti Donald Trump, i cili urdhëroi bastisjen në Karakas dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtonin” Venezuelën ndërkohë.
Edhe pse Trump deri më tani është përmbajtur nga një sulm i dytë ndaj Venezuelës, kërcënimi i ndërhyrjes ushtarake mbetet.
Kohët e fundit ai tha se administrata e tij do të fillojë të shënjestrojë kartelet e drogës në tokë, pas muajsh sulmesh ndaj anijeve të dyshuara të drogës në det.
Dhe ai ka mbajtur një armatë të madhe ushtarake amerikane në Karaibe për të vazhduar sulmet e forta në Karakas.
Ndoshta më e rëndësishmja, zgjedhjet e Trumpit mund të ndikojnë në të ardhmen e udhëheqjes së Venezuelës dhe në atë se kush do të marrë drejtimin.
Në sipërfaqe, duket e thjeshtë - Trump e ka lavdëruar Rodriguezin, por nuk ka pranuar ta mbështesë Machadon, pavarësisht se ajo ka mbështetës të fuqishëm brenda administratës së tij.
Por diskutimet e Trumpit me udhëheqës të tjerë botërorë kanë treguar se mendimet e tij mund të ndryshojnë shpejt.
Si Machado ashtu edhe Rodriguez kanë komunikuar drejtpërdrejt me presidentin e SHBA-së.
Të mërkurën, Trump tha se kishte folur me Rodriguez në telefon, duke e quajtur atë një "person të mrekullueshëm" dhe duke thënë se ata "po shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin".
Machado po shkon një hap më tej me takimin me Trumpin ballë për ballë në Uashington, shkruan CNN.
Por udhëheqësja e opozitës mund të përballet me një betejë më të vështirë falë një çmimi për paqen.
Ajo ka disa aleatë të fuqishëm brenda Shtëpisë së Bardhë - Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishte ndër ata që vlerësuan punën e saj dhe e nominuan për Çmimin Nobel për Paqen 2025.
Edhe vetë Trump, para inaugurimit të tij vitin e kaluar, e quajti Machadon një luftëtare të lirisë.
Por kjo mbështetje duket se u zbeh kur Machado fitoi Çmimin Nobel - të cilin Trump nuk e ka fshehur se e dëshiron për vete.
"Nuk mund të mendoj për askënd në histori që duhet ta marrë Çmimin Nobel më shumë se unë. Dhe nuk dua të mburrem, por askush tjetër nuk zgjidhi luftëra", tha Trump.
Pasi rrëzoi Maduron, Trump pretendoi se Machado "nuk ka mbështetjen ose respektin brenda vendit" për të qenë udhëheqës.
Machado është përpjekur “ta qetësojë” presidentin, duke ia dedikuar pjesërisht çmimin atij kur e fitoi tetorin e kaluar.
Në javët e fundit, ajo sugjeroi se do t'ia ofronte çmimin e saj Trumpit edhe pse Instituti Norvegjez i Nobelit ka thënë se nuk mund të transferohet.
Trump tha se do të ishte një nder të merrte çmimin e saj, por nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse kjo mund ta bënte të rishqyrtonte rolin e saj në Venezuelë.
Ndërkohë, Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e tij për t'u takuar "në një moment" me Rodriguez, e cila tani përballet me një akt të vështirë balancimi.
Nga njëra anë, Rodriguez e ka denoncuar hapur operacionin amerikan, duke e dënuar kapjen e Maduros si një “shkelje të hapur të sovranitetit të Venezuelës”.
Por tani ajo po përdor një ton më pajtues, duke ofruar një "agjendë bashkëpunimi" me SHBA-në.
Qeveria e saj ka filluar lirimin e të burgosurve të profilit të lartë si një gjest paqeje, përfshirë disa amerikanë.
Rodriguez ka pasur prej kohësh një marrëdhënie të ndërlikuar me SHBA-në.
Siç e ka theksuar rivalja e saj Machado, presidentja në detyrë është nën sanksione të SHBA-së për shkelje të të drejtave të njeriut - të cilat ajo i ka mohuar vazhdimisht.
Në të njëjtën kohë, ajo ka punuar për vite me radhë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe - veçanërisht përmes naftës, me Venezuelën që ka rezervat më të mëdha të raportuara të naftës në botë. /Telegrafi/
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka folur edhe për postin e presidentit.
Sipas tij, PDK-ja duhet të marrë pjesë në tryezë dhe duhet ta mbështesë idenë e presidentit të opozitës.
“Dhe duhet ta mbështesë idenë që presidenti duhet me qenë nga PDK-ja, tani e bëjnë se bëjnë varet nga vendimet e partisë”, tha ai në RTV21.
Haliti u pyet edhe për themeluesin e PDK-së, i cili gjendet aktualisht në Hagë, Hashim Thaçi.
Ai nuk dha një prognozë se a do ta rikthente Thaçi PDK-në aty ku ishte.
“Varet prej tij, varet prej angazhimit, prej shumë faktorëve”, tha ai, duke shtuar se në PDK e ka aureolën e liderit të madh në parti.
Ai tha se PDK është partia e vetme që mund ta sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
“Tani për tani kush do me sfidu, LDK-ja?… Unë mendoj në qoftë se duam mundemi me bo shumë, shiko janë disa pengesa që unë nuk mundem me i zbërthy, por janë disa pengesa që na kanë detyru ndoshta nganjëherë edhe të heshtim dhe besoj që të bëhet më mirë”, shtoi deputeti PDK-së.
Presidenti i Real Madridit Florentino Perez e ka bërë prioritet afrimin e yllit të Manchester Cityt Erling Haaland në verën e vitit 2026.
Real Madridi aktualisht po kalon një krizë në aspektin sportiv, ndërsa bordi ka nisur punën që të gjejë problemin, si dhe të përforcohet për vitin e ardhshëm.
Sipas asaj që raporton gazetari i besueshëm Florian Plettenberg, dëshira e madhe njëkohësisht objektivi, është askush tjetër përpos Haaland, që po vazhdon të shkëlqejë te City.
Në bazë të këtij raportimi, Perez e sheh norvegjezin si “shpëtimtari” i Real Madridit, megjithatë është në dijeni se klubi madrilen nuk do ta ketë të lehtë një afrim të tillë.
Haaland ka kontratë afatgjatë me Cityn dhe një nënshkrim i mundshëm padyshim do ta tejkalonte shifrën prej 150 milionë eurove.
Mirëpo, lajmi pozitiv për gjigantin spanjoll është se Haaland nuk do ta refuzonte kalimin në “Santiago Bernabeu”, pasi e sheh Realin si klubi i ëndrrave është fans tepër i madh i futbollit spanjoll.
Mbetet të shihet nëse do të realizohet një transferim i tillë që padyshim do të niste një epokë të re galaktikësh te klubi më i madh në botë./Telegrafi/
Rrëfimet e dëshmitarëve të Masakrës së Reçakut vazhdojnë të mbeten dëshmi të gjalla të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Një prej tyre është edhe Ramë Shabani, i cili ka ndarë një përjetim tronditës nga momentet kur forcat serbe hynë në fshatin Reçak.
Duke përshkruar skenat e dhunës, Shabani rrëfen momentin kur forcat serbe i kishin mbledhur dhjetëra burra në oborrin e një shtëpie.
“Qikës ia dhanë një flakaresh, e nënës i than gjej armët, nënës tem. Nana i tha me pas pas armë, ti sun i kishe rrëzu gjithë këta burra këtu. Nuk kanë pas armë e tash lyp prej meje armë. E unë armë me të dhënë nuk kam i tha”, ka thënë Shabani në Debat Plus.
Në 'Darkën e të Nominuarve' pati shumë pyetje për Lim Hotin për Alba Pollozhanin.
Ajo theksoi se nuk e detyron askënd për lidhje dhe se meshkujt i luten asaj.
E njëjta shtoi gjithashtu se ka pasur shumë pak meshkuj në jetë, por që të gjithë e kanë lutur e i janë përgjëruar që të kthehet.
Foto: YouTube
"Alba nuk e detyron askënd me zor. Njerëzit vijnë vet te unë. Më beso ata pak meshkuj që janë ndarë nga unë sot e kësaj dite më luten më vijnë nga mbrapa dhe më përgjërohen dhe Alba kur e kryen me një person i jep një shans të dytë. Kam pasur shumë pak meshkuj, numërohen vetëm me një dorë", u shpreh ajo.
Tutje theksoi: "Të gjithë më kthehen, luten, përgjërohen dhe të gjithë vijnë me gatishmëri për martesë familje e gjëra të tjera".
E gjithë kjo nisi pasi Limi, ish-partneri i saj tani po shijon një lidhje me Dolcen.
Alba tha se ia dëshiron më të mirat dhe shumë suksese në marrëdhënien e tyre. /Telegrafi/
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i partisë ka vepruar në pajtim të plotë me statutin e partisë.
“Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje më 28 dhjetor. Statuti i LDK-së e njeh aktin e dorëheqjes si akt personal dhe Lumi në këtë rast e din çka ka bo. Ka dal e ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar në frymën e statutit të LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri në RTV Dukagjini.
Dorëheqjen e deputetes Hykmete Bajrami nga pozita e nënkryetares, Haziri e ka cilësuar si qëndrim personal të saj. Haziri ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe kam qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut. Rrjedhimisht unë s’kam votuar për Lumir Abdixhikun në atë Kuvend. Dallimi me vota s’ka qenë i madh, por ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk i kemi shfaqur dallimet”, ka thënë Haziri ndër të tjera.
Kjo vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, theksoi vazhdimisht se ishulli Arktik ishte thelbësor për sigurinë e SHBA-së dhe se Amerika do ta merrte atë në një mënyrë ose në një tjetër.
Megjithatë, Danimarka dhe Grenlanda e hodhën poshtë idenë, duke deklaruar se ishulli i gjerë, strategjik dhe me popullsi të rrallë nuk ishte në shitje.
Postimi i Shtëpisë së Bardhë bëri që të rishpërndahet edhe një postim i Trumpit, ku ai e përsëriste qëllimin e tij për të blerë Grenlandën, duke e cilësuar atë si një kërkesë kritike për sigurinë kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për qëllime të Sigurisë Kombëtare. Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump.
Ai theksoi se NATO do të ishte më efektive me Grenlandën nën kontrollin e SHBA-së, duke paralajmëruar se nëse SHBA-të nuk e fitonin atë, do ta fitonin Rusia ose Kina.
“NATO-ja bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme. NËSE NUK E BËJMË NE, DO TA BËJNË RUSIA APO KINA, DHE KJO NUK DO TË NDODHË!”, shtoi Trump. /Telegrafi/
Një nga temat e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është vendimi më i fundit i Departamentit të Shtetit, sipas të cilit duke filluar nga 21 janari, do të pezullohet lëshimi i të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në një lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, foli për këtë çështje, duke sqaruar se për çfarë lloj vizash bën fjalë ky bllokim. Avokatja sqaroi se vendimi për pezullim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA dhe jo ato për qëndrim të përkohshëm, siç janë vizat turistike.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: Ky vendim nuk prek asnjë nga vizat e vizitorëve apo jo?
Olsa Alikaj Cano:Keni shumë të drejtë. Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bën fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat jo-emigrante, nuk janë vetëm ato të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve, është një listë e madhe, janë shumë viza jo-emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë.
Blendi Fevziu:Më fal, përfshirë edhe vizat e studentëve?
Olsa Alikaj Cano:Vizat e studentëve janë viza jo-emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme, vetëm për të ardhur, të mbarosh punë dhe të kthehesh. Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh.
Blendi Fevziu: Cilat aplikime pezullohen?
Olsa Alikaj Cano: Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin.
Blendi Fevziu: Dihet se sa do zgjasë pezullimi?
Olsa Alikaj Cano:Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë pezullim. Kjo qeveri është shumë eficente, besoj se do i marrin vendimet shpejt dhe do i verifikojnë të dhënat shpejt.
Blendi Fevziu: A ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë? Pra cili ka qenë kriteri që është përdorur për të përfshirë këto 75 vende në listë?
Olsa Alikaj Cano:Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është.
Blendi Fevziu: Ka shumë shqiptarë që vijnë me viza të zakonshme dhe kërkojnë më pas të marrin Green Card përmes procedurave ligjore.
Olsa Alikaj Cano: Plot, madje sot kisha një kliente që ishte shumë e interesuar për familjen. Kemi shumë viza që po presin të bëhet intervista. Të gjithë janë të alarmuar. Shqiptarët këtu vijnë me vizë shumica, ndaj më habiti lista e presidentit tonë. Nuk e di ku e kanë marrë këtë listën, sepse nuk është e verifikuar lista e personave që marrin ndihmë sociale.
Midis informimit dhe vetëdiagnozës: si ta përdorim inteligjencën artificiale pa rrezikuar shëndetin
Gjithnjë e më shumë njerëz, para se të telefonojnë mjekun ose të caktojnë një kontroll, fillimisht “bëjnë” një bisedë me inteligjencën artificiale. ChatGPT është bërë për shumëkënd bashkëbiseduesi i parë kur shfaqet një simptomë, mbërrin një rezultat analizash ose lind një dilemë lidhur me shëndetin. Kjo në vetvete nuk duhet të jetë problem. Problemi lind kur harrojmë dallimin mes informimit dhe trajtimit.
Kompania OpenAI ka paralajmëruar ChatGPT Health, i cili pritet të jetë një hapësirë e veçantë ku përdoruesit do të mund të bisedojnë me chatbot-in ChatGPT për shëndetin e tyre.
Prandaj është e rëndësishme të dimë se ku ChatGPT mund të jetë një aleat i dobishëm dhe ku roli i tij duhet të përfundojë.
Çfarë është në të vërtetë ChatGPT Health
ChatGPT Health është një përvojë e krijuar posaçërisht brenda ChatGPT-së, e dedikuar për biseda rreth shëndetit. Ideja e tij nuk është të zëvendësojë mjekun, por t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më të informuar, më të përgatitur dhe më të sigurt kur përpiqen të kuptojnë shëndetin e tyre.
Shëndeti tashmë është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit përdorin ChatGPT. Qindra miliona njerëz çdo javë bëjnë pyetje për simptoma, analiza, ushqim dhe mirëqenie të përgjithshme. ChatGPT Health është zhvilluar pikërisht nga kjo nevojë, por me shtresa shtesë privatësie dhe mbrojtjeje të të dhënave, të përshtatura posaçërisht për informacionet e ndjeshme shëndetësore.
Brenda kësaj përvoje është e mundur lidhja e sigurt me kartelat mjekësore elektronike dhe aplikacionet për ndjekjen e shëndetit dhe zakoneve të jetesës, në mënyrë që përgjigjet të bazohen në kontekstin personal shëndetësor, e jo vetëm në informacione të përgjithshme. Bisedat mbeten private dhe të ndara, me kufij të qartë të përcaktuar.
Është e rëndësishme të theksohet se ChatGPT Health nuk është i destinuar për vendosjen e diagnozave apo përshkrimin e terapive. Roli i tij është të ndihmojë njerëzit të kuptojnë termat mjekësorë, rezultatet dhe rekomandimet, si dhe të përgatiten më mirë për bisedën me mjekun. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me mjekë nga e gjithë bota dhe është menduar si mbështetje, e jo si zëvendësim i mjekut, transmeton Telegrafi.
Çfarë është në rregull të pyesësh ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
Inteligjenca artificiale mund të jetë një burim i dobishëm informacioni të përgjithshëm dhe edukativ, veçanërisht kur duam të kuptojmë atë që tashmë na është thënë ose shkruar.
Është në rregull të pyesësh:
çfarë do të thotë një term i caktuar mjekësor
si manifestohet zakonisht një sëmundje
cilat janë simptomat më të shpeshta të një gjendjeje të caktuar
çfarë tregojnë analizat laboratorike që kemi
si duket procedura diagnostikuese
cilat janë rekomandimet e përgjithshme për një stil jetese të shëndetshëm
Në këtë kuptim, ChatGPT mund të ndihmojë që të mos ndihemi “të humbur” përballë termave mjekësorë dhe të shkojmë te mjeku më të përgatitur, me pyetje më të qarta.
Çfarë është e rrezikshme të pyesësh, edhe pse shumëkush e bën
Problemi lind kur informacionin fillojmë ta përjetojmë si vlerësim personal.
Është e rrezikshme të pyesësh:
nëse simptomat që kemi nënkuptojnë një diagnozë konkrete
sa e rrezikshme është diçka pikërisht në rastin tonë
nëse duhet të shqetësohemi apo mund të presim
nëse na nevojitet terapi apo jo
ChatGPT nuk e sheh personin, nuk e njeh historinë e tij mjekësore, nuk e di çfarë barnash merr, çfarë sëmundjesh të tjera ka apo çfarë zakonesh jetese ndjek. Gjithçka që mjeku merr parasysh, inteligjenca artificiale nuk mund ta vlerësojë.
Prandaj përgjigjja mund të duket bindëse, por të jetë e gabuar ose e paplotë.
Pse terapitë, dozat dhe diagnozat nuk janë për inteligjencën artificiale
Hapi më i rrezikshëm është kërkimi i terapive konkrete, dozave apo këshillave për barna.
Terapia nuk është kurrë vetëm emri i një ilaçi. Ajo përfshin dozën e saktë, kohën e përdorimit, kombinimet me barna të tjera, kundërindikacionet dhe rreziqet individuale. Ajo që i ka ndihmuar dikujt, mund t’i shkaktojë dëm serioz dikujt tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për diagnozat. Diagnoza nuk është një listë simptomash, por një përfundim që nxirret mbi bazën e ekzaminimeve, analizave dhe përvojës klinike. Këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë algoritëm.
Pse njerëzit gjithsesi e pyesin AI-në për shëndetin
Arsyet janë të kuptueshme. Pritjet janë të gjata, frika është e pranishme dhe nevoja për përgjigje të shpejta është e madhe. Është më e lehtë të pyesësh sesa të presësh. Por përgjigjja e shpejtë nuk është e njëjtë me përgjigjen e saktë.
Si ta përdorim me mençuri ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
ChatGPT mund të jetë një aleat i mirë nëse e dimë vendin e tij. Si ndihmë për të kuptuar, e jo si verdikt. Si përgatitje për bisedën me mjekun, e jo si zëvendësim i kontrollit.
Nëse ajo që lexojmë na shqetëson ose na frikëson, kjo është shenjë se duhet t’i drejtohemi një profesionisti, e jo të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje vetë.
Teknologjia mund të na ndihmojë të jemi më të informuar, por nuk mund të marrë përgjegjësinë për shëndetin tonë. ChatGPT di shumë, por nuk na njeh.
Shëndeti vazhdon të ruhet në bisedën me mjekun, në kontrollet mjekësore dhe në besimin që ndërtojmë me ata që na trajtojnë. /Telegrafi/
Një vetaksident ka ndodhur sonte rreth orës 20:55, në fshatin Kramovik-Rahovec, saktësisht në rrugën Gjakovë-Klinë, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmaur, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj i cili bëri të ditur se ngasësi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është vet-aksidentuar.
Për pasojë përveç dëmeve materiale është raportuar edhe për dy persona të lënduar.
“Nga informatat fillestare të pranuara bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke trajtuar rastin.”, tha tutje ai.
Ajet Sylaj është personi që humbi jetën sonte në aksidentin e rëndë në rrugën Komoran–Carralevë.
Njoftimi për vdekjen e tij u bë i ditur nga Komuna e Drenasit përmes faqes zyrtare në Facebook.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit në këto çaste të vështira.
“Humbja e një jete në rrethana kaq të rënda përbën dhimbje të thellë jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për gjithë qytetarët tanë. Në këto çaste të rënda, Kryetari Lladrovci shpreh solidaritet të plotë me familjen Sylaj, duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e tyre. Qoftë i lehtë dheu për Ajet Sylajn, ndërsa familjes Sylaj i shprehim durim dhe kurajo për ta përballuar këtë humbje të madhe. Zoti e mëshiroftë!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Në këtë aksident mbetën të lënduar edhe katër persona të tjerë, ku nga QKUK-ja thanë se gjendja e tyre është stabile.