Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Lajme Kosove

Shtytja e privatësisë: Ku e kufizojnë më shumë evropianët qasjen në të dhënat e tyre personale?

4 February 2026 at 23:53


Përdoruesit e internetit në BE po ndërmarrin më shumë veprime për të mbrojtur të dhënat e tyre personale në internet, shkruan euronews.

Ndërsa të dhënat e reja tregojnë rezistencë në rritje ndaj gjurmimit në internet, sa larg është e gatshme të shkojë BE për të rimarrë sovranitetin digjital?

Të dhënat e reja tregojnë se qytetarët e BE-së po marrin më shumë masa paraprake me të dhënat e tyre personale në internet, ndërsa Evropa përpiqet të rimarrë sovranitetin e saj digjital nga kompanitë e mëdha të teknologjisë amerikane, transmeton Telegrafi.

Në vitin 2025, shumica e përdoruesve të internetit në Bashkimin Evropian zgjodhën të mos lejonin që të dhënat e tyre personale të përdoren për reklama, ndërsa 56.2% kufizuan ose refuzuan qasjen në vendndodhjen e tyre gjeografike, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.

Kufizimi i qasjes në profilet e mediave sociale ose në ruajtjen e përbashkët në internet u bë gjithashtu më i zakonshëm, me 46% të përdoruesve të internetit që ndërmorën një hap të tillë.

Shifra përfaqëson një rritje prej pesë pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.

Përveç kësaj, 39% e njerëzve kontrolluan nëse faqja e internetit ku ata dhanë të dhëna personale ishte e sigurt, dhe 37.6% lexuan deklaratat e politikës së privatësisë përpara se të ndanin të dhënat e tyre personale.

Përqindja më e lartë e përdoruesve të internetit që morën masa për të mbrojtur të dhënat e tyre u regjistrua në Finlandë (92.6%), e ndjekur nga Holanda (91.2%) dhe Çekia (90.3%).

Në të kundërt, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Rumani (56%), Slloveni (57.4%) dhe Bullgari (62%).

Kërcënimet ndaj të dhënave personale

Në disa raste, organizatat dhe rregullatorët evropianë kanë çuar kompanitë e teknologjisë në gjykatë për keqpërdorimin e supozuar të informacionit personal të qytetarëve.

Në janar 2026, autoriteti austriak i mbrojtjes së të dhënave ngriti një padi kundër Microsoft, për vendosjen e paligjshme të cookie-ve të gjurmimit në pajisjet e një fëmije pa pëlqimin e tyre.

Padia, e bërë nga grupi i të drejtave të privatësisë noyb në qershor 2024, synonte softuerin arsimor të Microsoft, Microsoft 365 Education, i cili përdoret nga miliona studentë dhe mësues në shkollat evropiane.

Vitin e kaluar, nëntë organizata të shoqërisë civile ngritën një padi të përbashkët kundër X të Elon Musk për shkelje të supozuara të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të BE-së.

Padia synonte përdorimin nga platforma të informacionit personal të ndjeshëm, siç janë mendimet politike, orientimi seksual, besimet fetare dhe gjendjet shëndetësore, për reklama të synuara.

Ajo bazohej në një hulumtim nga AI Forensics, një organizatë jofitimprurëse evropiane që heton algoritmet me ndikim, e cila zbuloi, ndër të tjera, se Dell Technologies kishte synuar përdorues në X me interesa në medikamente specifike, orientim seksual dhe besim.

Si po reagojnë qeveritë e BE-së?

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duket se po shtojnë përpjekjet për të ndaluar shkeljen e rregullave të saj digjitale dhe për të fituar më shumë pavarësi digjitale.

Dhjetorin e kaluar, BE-ja e gjobiti X me një gjobë prej 120 milionë eurosh, dënimi i saj i parë ndonjëherë sipas DSA-së, për shkelje të detyrimeve të transparencës dhe rregullave të reklamimit.

BE-ja po punon gjithashtu për rritjen e sovranitetit të saj digjital nga kompanitë e mëdha teknologjike amerikane, pasi Amazon Web Services, Microsoft dhe Google aktualisht kontrollojnë rreth 70% të tregut të cloud-it në Evropë.

Në një nga masat, Komisioni Evropian është gati të miratojë Aktin e ri të Zhvillimit të Cloud-it dhe AI-së.

Synon të trefishojë të paktën kapacitetin e qendrës së të dhënave të BE-së brenda pesë deri në shtatë viteve të ardhshme.

Ndërkohë, në nivel kombëtar, Franca njoftoi se do të zëvendësojë platformat amerikane Microsoft Teams dhe Zoom me platformën e saj të videokonferencave të zhvilluar në vend.

Platforma Visio do të përdoret në të gjitha departamentet qeveritare deri në vitin 2027. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

BE-ja i miratoi Ukrainës një hua prej 90 miliardë eurosh për mbrojtje dhe buxhet

4 February 2026 at 23:48


Vendet e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për një hua prej 90 miliardë eurosh për të mbuluar nevojat financiare dhe ushtarake të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.

Brukseli planifikon të bëjë pagesën e parë në fillim të prillit për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës së huaj për Kievin, shkruan Euronews.

Ambasadorët e vendeve anëtare ranë dakord për tekstet ligjore të mërkurën pasdite, pasi Qiproja, që kryeson Këshillin, prezantoi një version të ri të propozimit.

“Marrëveshja e sotme tregon se BE-ja vazhdon të veprojë me vendosmëri në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj. Financimi i ri do të sigurojë një rezistencë të fortë të vendit ndaj agresionit rus”, deklaroi ministri i Financave i Qipros, Makis Keravnos.

“Në të njëjtën kohë, ne dërgojmë një mesazh të qartë se sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve duhet të respektohet plotësisht, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shtoi ai.

Hua prej 90 miliardë eurosh, për të cilën u arrit marrëveshje politike në samitin e Brukselit, do të financohet përmes emetimit të borxhit të përbashkët, ku buxheti i BE-së do të shërbejë si garanci për investitorët. Sipas marrëveshjes, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia do të jenë plotësisht të përjashtuara nga të gjitha detyrimet financiare, duke përfshirë pagesat vjetore të interesave.

Komisioni Evropian vlerëson se 24 shtetet e tjera anëtare do të duhet të kontribuojnë çdo vit midis dy dhe tre miliardë eurosh për të mbuluar kostot e lidhura.

Shuma prej 90 miliardë eurosh do të ndahet në dy pjesë kryesore: 30 miliardë euro për mbështetje buxhetore dhe 60 miliardë euro për ndihmë ushtarake për blerjen e armëve dhe municioneve. Ky raport mund të ndryshojë nëse lufta përfundon.

Blerja e armëve ishte pika e fundit e diskutueshme gjatë negociatave të ambasadorëve. Franca, si përkrahëse e politikës “Prodhim në Evropë”, insistoi që të kufizohej sa më shumë blerja jashtë kontinentit.

Në fund u vendos që fondet të përdoren sipas parimit të prioriteteve: armët do të blihen së pari brenda Ukrainës, pastaj në Bashkimin Evropian dhe në Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër. Vetëm nëse pajisjet nuk janë të disponueshme në këto tregje, Kievit do t’i lejohet të blejë nga furnizues të tjerë, si Shtetet e Bashkuara.

Vendet që kanë partneritete sigurie dhe mbrojtjeje me BE-në, si Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kanadaja, gjithashtu do të kenë prioritet për blerje nëse kontribuojnë “ndershëm dhe proporcionalisht” në kostot e huasë. Kjo marrëveshje përputhet me afrimin mes Brukselit dhe Londrës.

Paratë do të paguhen gradualisht dhe do të jenë subjekt i kushteve të rrepta. Për shembull, çdo hap prapa në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë mund të shkaktojë pezullimin e ndihmës.

Ukraina do të detyrohet të kthejë 90 miliardë euro vetëm nëse Rusia ndalon luftën dhe pranon të kompensojë dëmet Kievin. Duke qenë se Moska e ka përjashtuar qartë mundësinë e pagesës së reparacioneve, pritet që Brukseli të shtyjë kthimin e borxhit për kohë të pacaktuar.

Tekstet ligjore të dakorduara të mërkurën duhet të miratohen ende nga Parlamenti Evropian, i cili ka premtuar një procedurë të shpejtuar. Qëllimi është që pagesa e parë të bëhet në fillim të prillit, që është edhe afati që vet Kievi ka propozuar. /Telegrafi/

"Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur" - Nderohen viktimat e masakrës në Mitrovicë

4 February 2026 at 23:44


Familjarë të viktimave përkujtuan sot tmerrin që përjetuan në natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës.

Para 26 vitesh, nga një grup i armatosur i serbëve ishin vrarë dhjetë qytetarë shqiptarë si dhe ishin plagosur 25 të tjerë.

Pas natës së 4 shkurtit rreth 1,600 familje me rreth 11,500 banorë u shpërngulën nga pjesa veriore e Mitrovicës, pasi u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Të mërkurën e 4 shkurtit të vitit 2026 u vendos pllaka përkujtimore te ura për këmbësorë me emrat e të vrarëve nga bandat serbe.

“Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur” – ishte mbishkrimi me të kuqe, i bashkëngjitur te qindra fotografi të viktimave, dikush i shtrirë, tjetri me gjak e njëri me sytë e mbyllur, i vdekur.

Kësaj ekspozite të hapur në qendrën “Rexhep Mitrovica” i drejtoheshin qytetarë e familjarë të cilët plot mallëngjim vështronin të dashurit tyre.

Për ta përmbyllur ditën e sotme dhe duke i kujtuar përgjithmonë u ndezën pishtarët pranë pllakës përkujtimore.

I mbijeturi i masakrës së Mitrovicës, Luan Abrashi tregoi se e vrarë mbeti nëna e tij gjersa ai ishte në banesë bashkë me të dhe babanë gjatë bombardimeve.

“Ka qenë edhe nëna ime, Sebiha Abrashi. Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e serbëve për spastrim etnik të shqiptarëve. Ka qenë natë e tmerrshme, vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare”- tha ai.

Se tmerri i natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 ndodhi para syve të ndërkombëtarëve e tha Abrashi, duke potencuar se drejtësi nuk pati asnjëherë për ata që u vranë, plagosën e u dëbuan.

“Fatkeqësia është se ende nuk ka drejtësi sa u përket viktimave të asaj nate. Ka qenë natë e tmerrshme sepse është bërë në prezencë të KFOR-it dhe UNMIK-ut. Kur ata është dashur të na japin siguri, ne kemi gjetur vdekjen në banesat tona”- theksoi i mbijeturi i masakrës të vitit 2000.

“Këto kanë ndodhur brenda shtëpive të tyre e jo në rrugë”

Kritika për organet e drejtësisë kishte edhe ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Halit Barani, i cili tha se jeta e viktimave nuk u shua në rrugë por në shtëpitë e tyre.

“Përkujtohet si natë e kobshme për popullin shqiptar që kanë jetuar në pjesën e okupuar të Mitrovicës. Vrasjet, plagosjet dhe keqtrajtimet kanë ndodhur brenda shtëpive të veta, jo rrugëve por brenda në banesa e shtëpi”- theksoi Barani.

Edhe pse e kishte kujtimin e freskët dhe kishte mjaft për të folur, Barani me disa fjalë përmblodhi tmerrin e 3 dhe 4 shkurtit 2000.

“Bandat kriminale çetnike serbe pushkatuan dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre një fëmijë 13-vjeçar, plagosën me armë zjarri 25 të tjerë e keqtrajtuan shumë rëndë fizikisht në mënyrën më barbare 93 shqiptarë, ku dy prej tyre më 27, 28 shkurt të vitit 2000 vdesin në Spitalin e Prishtinës”- shpjegoi ai.

Se qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë e plagosur gjatë realizimit të planit famëkeq të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, e tha kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, raporton Kallxo.

“Institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë akterët të cilët kanë qenë organizatorët e këtyre krimeve sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”- potencoi Peci.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.

Për të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasin, ku 13-vjeç ishte më i riu e 65-vjeç më i moshuari, Kurti tha se do të duhet ende kohë që drejtësia për këtë rast të vihet në vend plotësisht.

Kurti shtoi se mbi 150 shtëpi janë ndërtuar dhe rindërtuar në katër komunat veriore të Kosovës vetëm gjatë katër viteve të fundit.

Ndërsa siç tha ai, mes qytetarëve që kanë përfituar nga investimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës në këtë drejtim është edhe Mustafë Behrami, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre.

E para e shtetit, Vjosa Osmani ka shkruar se ky përvjetor kujtohet me dhimbje dhe respekt të thellë si një nga plagët më të rënda të pasluftës.

Ajo ka shtuar se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit si dhe përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndërkaq kryekuvendari Dimal Basha ka shkruar se dhimbja e atyre ditëve mbetet ende e gjallë në kujtesën kolektive.

Vëllai i Madh gjobit banorët e BBVK 4 me minus 10 mijë euro nga çmimi i madh

4 February 2026 at 23:38


Pas alarmit që u dëgjua brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 4, Vëllai i Madh ka reaguar zyrtarisht me një vendim të fortë ndaj banorëve.

Përmes një njoftimi publik, u bë e ditur se banorët janë gjobitur me 10 mijë euro, shumë kjo që do të zbritet nga çmimi i madh i spektaklit.

Sipas sqarimit të dhënë nga produksioni, ky vendim erdhi si pasojë e shkeljeve të rënda të rregullave të lojës.

Konkretisht, banorët janë ndëshkuar për marrjen e informacioneve nga jashtë shtëpisë, si dhe për mosrespektimin e rregullave të përcaktuara nga formati i Big Brother.

Vëllai i Madh theksoi se rregullat janë të qarta dhe të barabarta për të gjithë, ndërsa çdo shkelje do të pasohet me ndëshkime konkrete.

Ky vendim shërben edhe si paralajmërim për banorët, se çdo tentativë për të cenuar integritetin e lojës nuk do të tolerohet. /Telegrafi/

Juventusi do të tentojë sërish për Kolo Muanin, por pa e përfshirë Khephren Thuramin

4 February 2026 at 23:35


Juventusi pritet të rikthehet në garë për nënshkrimin e Randal Kolo Muani gjatë merkatos së verës, kur sulmuesi francez të kthehet te Paris Saint-Germain pas huazimit te Tottenham.

Megjithatë, klubi bardhezi nuk është i gatshëm të përfshijë Khephren Thuram në asnjë marrëveshje të mundshme.

Bianconerët nuk e kanë fshehur asnjëherë dëshirën për ta rikthyer Kolo Muanin në Torino, interes që ka qenë i pranishëm si verën e kaluar ashtu edhe gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi kishte lënë përshtypje pozitive gjatë huazimit të tij nga janari deri në korrik të vitit 2025, përfshirë paraqitjet në Kupën e Botës për Klube FIFA, ku regjistroi 10 gola në 22 ndeshje zyrtare, së bashku me tri asistime.

Megjithatë, negociatat për një huazim të ri me opsion blerjeje në fund të sezonit nuk u finalizuan dhe lojtari u transferua përkohësisht te Tottenham.

Juventusi tentoi sërish ta siguronte shërbimet e tij edhe muajin e kaluar, por Spurs refuzuan të ndërpresin marrëveshjen e huazimit para kohe.

Sipas burimeve të shumta, përfshirë analistin e transferimeve Fabrizio Romano dhe Calciomercato.com, Juventusi po përgatit një tjetër ofensivë për sezonin e ardhshëm. Kontrata e 27-vjeçarit me PSG-në është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028, ndërsa klubi francez kishte paguar 95 milionë euro për ta transferuar atë nga Eintracht Frankfurt në vitin 2023.

Ndërkohë, çdo hipotezë për një shkëmbim që do të përfshinte Khephren Thuram në një marrëveshje për Kolo Muanin konsiderohet e pabazë. Raportohet se Juventusi është shumë i kënaqur me paraqitjet e mesfushorit francez dhe synon t’i ofrojë atij një kontratë të re me kushte financiare më të mira. /Telegrafi/

"Zgjedh fjalët"- hebrenjtë sulmojnë Guardiolën për deklaratën rreth Palestinës

4 February 2026 at 23:22


Trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, i është thënë nga udhëheqësit hebrenj të "përqendrohet në futboll" pasi ai ka bërë komente të përsëritura rreth konflikteve ndërkombëtare.

Këshilli Përfaqësues Hebraik i Manchesterit dhe Rajonit tha se Guardiola i kishte "zhgënjyer" dhe i kërkuan atij të "zgjidhte fjalët e tij më me kujdes" në një kohë të rritjes së antisemitizmit, raporton BBC Sport .

Këshilli lëshoi një deklaratë pasi Guardiola tha se donte të përdorte pozicionin e tij për të folur hapur, duke përmendur "dhimbjen" që ndjente për viktimat e konflikteve globale.

Ai gjithashtu mbajti një fjalim në mbështetje të fëmijëve palestinezë në një aktivitet bamirësie në qytetin e tij të lindjes, Barcelonë, javën e kaluar. Manchester City nuk pranoi të komentonte mbi situatën.

“Ne u kemi kërkuar vazhdimisht individëve të shquar të jenë të kujdesshëm me fjalët që përdorin, duke pasur parasysh se si hebrenjtë kanë qenë të detyruar të durojnë sulme në të gjithë botën”.

"Pep Guardiola është një trajner futbolli. Ndërsa reflektimet e tij humanitare mund të jenë me qëllime të mira, ai duhet të përqendrohet në futboll".

"Ai e ka zhgënjyer Manchester Cityn me ndërhyrjet e tij të përsëritura në çështjet ndërkombëtare", thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetin social X.

Deklarata përmend gjithashtu sulmin në Sinagogën e Parkut Heaton tetorin e kaluar, në të cilin u vranë dy persona.

"Kjo është veçanërisht irrituese duke pasur parasysh se ai nuk e ka përdorur fare popullaritetin e tij për të shprehur solidaritet me komunitetin hebre që pësoi një sulm terrorist vetëm pak kilometra larg stadiumit Etihad, ose me komunitetin në Barcelonë që po rikuperohet nga dhuna antisemite pranë vendit ku ai dikur bëri, sipas mendimit tonë, vërejtje provokuese".

"Ne i kërkojmë zotit Guardiola që t'i zgjedhë fjalët e tij me më shumë kujdes në të ardhmen, duke pasur parasysh rrezikun e konsiderueshëm me të cilin përballet komuniteti ynë", përfundon deklarata.

Guardiola: Gjithmonë do ta ngre zërin tim

Guardiola foli në një konferencë për shtyp të martën për "mijëra njerëz të pafajshëm" të vrarë dhe të plagosur në të gjithë botën, duke përmendur Palestinën, Ukrainën, Sudanin dhe të shtënat e fundit nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).

"Nëse do të ishte pala tjetër, do të ndieja të njëjtën dhimbje. T'i dëshirosh dëm një vendi? Kjo më dhemb. Të vrasësh mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, kjo më dhemb. Gjëja është e thjeshtë. Kaq është. Kur ke një ide dhe për ta mbrojtur atë duhet të vrasësh mijëra e mijëra njerëz - më vjen keq, do ta ngre zërin. Do të jem gjithmonë në atë anë. Gjithmonë", tha trajneri spanjoll. /Telegrafi/

Belsh, 65-vjeçarja humb jetën pasi u sulmua nga qeni i fqinjit

4 February 2026 at 23:12


Një ngjarje e rëndë me pasoja fatale është shënuar në zonën e Belshit, ku një grua e moshuar ka humbur jetën pasi është sulmuar nga një qen.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar si Emine Agolli, 65 vjeçe, nga fshati Çërragë.

Ajo është plagosur rëndë në gjymtyrët e poshtme si pasojë e kafshimit të një qeni që dyshohet se ishte në pronësi të fqinjëve.

Pas plagëve të marra, gjendja shëndetësore e 65-vjeçares është përkeqësuar, çka ka sjellë humbjen e jetës, pavarësisht ndihmës mjekësore.

Autoritetet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po merren masa ndaj personit përgjegjës për mbajtjen dhe kontrollin e kafshës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia pritet të dalë me informacione shtesë lidhur me këtë rast, ndërsa ngjarja ka tronditur banorët e zonës.

Mesazhe të reja të Epsteinit: Më pëlqeu videoja e torturës

4 February 2026 at 23:10


Në një zbulim të ri nga dosjet e fundit të Jeffrey Epstein, i ndjeri dhe i dënuari për shfrytëzim seksual, ka lënë një mesazh shqetësues.

Sipas një emaili të datës 24 prill 2009, Epstein shkruan se “i pëlqeu videoja e torturës”, shkruan skynews.

Emaili i dërguar një personi të panjohur nuk ka asnjë kontekst të mëtejshëm, por vjen si pjesë e një serie dokumentesh që po publikohen nga arkivat e Epstein, duke hedhur dritë aktiviteteve të tija të errëta dhe rrjetet e shfrytëzimit seksual që ai menaxhonte.

Ekspertët e ligjit dhe shoqëria civile e kanë cilësuar mesazhin “shqetësues dhe alarmant”, duke paralajmëruar se këto dokumente mund të ofrojnë prova të reja për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë, së fundi janë publikuar disa dokumente të reja rreth vdekjes së pedofilit.

Sipas raportit kryesor, Epstein u shpall i vdekur në orën 7:36 të mëngjesit më 10 gusht 2019, në spitalin New York Presbyterian Lower Manhattan, i njohur si Beekman. Ai ishte gjetur i pajetë në qelinë e tij të burgut. /Telegrafi/

Mercedes prezanton modelin e ri Marco Polo - kamper të ëndrrave për pushime

4 February 2026 at 23:02


Mercedes‑Benz ka zbuluar një gjeneratë të re të kamperit të njohur Marco Polo, i cili do të jetë në dispozicion nga viti 2026. Ky kamper luksoz sjell një sërë përmirësimesh që e bëjnë më komod dhe praktik për udhëtime të gjata pushimesh.

Versioni i bazuar në V‑Class është projektuar që të jetë i përshtatshëm për të gjithë pushimin tuaj veror.

Ndër risitë kryesore është një çati e re nga alumini që jep 10 cm lartësi shtesë, ndriçim ambjentik LED me skenarë të ndryshëm dritash, dhe një çati e lëvizshme që lejon më shumë dritë natyrale dhe pamje mbi qiellin e yjeve.

- YouTube www.youtube.com

Kamperit i janë shtuar edhe përmirësime praktike: tendë e re që mund të montohen dhe çmontohen lehtësisht, çarje magnetike për errësim në kabinë, si dhe një sistem zërimi me tetë altoparlantë dhe “subwoofer”.

Gjithashtu është përditësuar sistemi Mercedes‑Benz Advanced Control (MBAC), i cili e bën kamperin një “shtëpi inteligjente me rrota”.

Prodhimi i ri i Marco Polo do të bëhet në fabrikën e Mercedes‑Benz në Ludwigsfelde, Gjermani, duke siguruar standarde të larta cilësie dhe shpërndarje më të shpejtë.

Premiera e automjetit pritet të bëhet në Caravan Salon Düsseldorf nga 28 gushti deri më 6 shtator. Mercedes‑Benz gjithashtu ka njoftuar se deri në fund të dekadës, të gjithë kamperët e tyre do të bazohen në arkitekturën modulare Mercedes‑Benz Van Architecture, duke përfshirë edhe modele elektrike në të ardhmen. /Telegrafi/

Një eksperte pohon se një pyetje që i bëhet partnerit mund ta përmirësojë "menjëherë" një marrëdhënie

4 February 2026 at 22:55


Një psikiatre e Harvardit pohon se një pyetje e thjeshtë për t'i bërë partnerit tuaj mund ta përmirësojë ndjeshëm marrëdhënien tuaj. Një bisedë e hapur rreth asaj që na bën të dashur i ndihmon çiftet të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin dhe të lidhen emocionalisht.

Ashwini Nadkarni, një profesoreshë asistente e psikiatrisë në Harvard, pohon se një pyetje e shkurtër mund të hapë derën për një mirëkuptim më të thellë midis partnerëve dhe të përmirësojë marrëdhënien edhe nëse keni qenë bashkë për një kohë të gjatë.

Sipas saj, shumë çifte mendojnë se e njohin mirë njëri-tjetrin, por në të vërtetë nuk e dinë se çfarë e bën partnerin e tyre të ndihet i dashur dhe i veçantë. Prandaj ajo këshillon thjesht ta pyesni të dashurin tuaj se çfarë e bën të ndihet më i dashur.

Nadkarni shpjegon se kjo bisedë i ndihmon partnerët të zbulojnë të ashtuquajturën gjuhë dashurie - domethënë, mënyrat se si një individ merr dhe tregon dashuri, të tilla si favore të vogla, kohë cilësore ose vëmendje.

Në vend të hamendësimeve dhe frustrimit, biseda e hapur u lejon të dyja palëve të kuptojnë më mirë nevojat e njëri-tjetrit dhe të ndihen të parë dhe të vlerësuar.

Dr. Nadkarni thotë se është e rëndësishme që të dy partnerët t’i përgjigjen pyetjes dhe të flasin përsëri për të herë pas here, sepse përgjigjet mund të ndryshojnë ndërsa jeta dhe rrethanat ndryshojnë.

Ajo shton se kjo bisedë e sinqertë rreth ndjenjave dhe lidhjes mund t’i afrojë çiftet në një mënyrë që as pesë vjet takim nuk mund ta bëjnë, dhe një mirëkuptim më intim shpesh çon në një marrëdhënie më të fortë dhe më të sigurt.

Interi siguron gjysmëfinalen e Kupës së Italisë pas fitores ndaj Torinos

4 February 2026 at 22:54


Interi ka arritur të sigurojë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë pas një fitoreje të vështirë 2-1 në çerekfinale kundër Torinos.

Ndeshja, e zhvilluar në “Brainteo” të Monzas, ishte e mbushur me emocione dhe momente kyçe që vendosën fatin e skuadrës së Cristian Chivut.

Interi e nisi furishëm dhe gjeti avantazhin në minutën e 35-të, kur Ange-Yoan Bonny realizoi me kokë pas një krosimi të saktë brenda zonës, duke çuar Interin në epërsi 1-0.

Në pjesën e dytë, Interi shtoi presionin dhe në minutën e 48-të, Andy Diouf shënoi golin e dytë me një finalizim të shkëlqyer në qendër të portës pas një pasimi të mirë brenda zonës.

Torino reagoi dhe në minutën e 57-të Sandro Kulenovic shënoi me kokë për 2-1, duke rikthyer dramatizmin në ndeshje.

Pavarësisht përpjekjeve të Torinos për të barazuar, Interi arriti të ruajë avantazhin deri në fund dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale.

Me këtë fitore, Interi konfirmon ambiciet e tij për të luftuar për trofeun e Kupës së Italisë dhe tregon forcën e skuadrës edhe pa disa nga yjet e saj kryesorë që ishin të lodhur nga ritmi i ngjeshur i sezonit. /Telegrafi/

City pa telashe ndaj Newcastle, do të përballet me Arsenalin në finale

4 February 2026 at 22:54


Manchester City ka marrë një fitore ndaj Newcastle United, të dytën në gjysmëfinale të EFL Cup.

Citizens triumfuan në Etihad 3-1 dhe me rezultat të përgjithshëm 5-1 nga dy ndeshje kalojnë në finalen e madhe.

Skuadra e Pep Guardiolë kryjti punën brenda 30 minutave, duke shënuar tre gola.

Në minutën e shtatë ishte egjiptiani Omar Marmoush që realizoi për 1-0. 22 minuta më vonë, Marmoush doli sërish në skën duke ngritur epërsinë e Cityt në 2-0.

Ndërkohë goditjen finale Newcastlet ia dha mesfushori holandez Tijjani Reijnders duke shënuar për 3-0 në minutën e 32-të.

Back under way! ▶️

Follow live 🔗 https://t.co/3RMDGW4Jvn pic.twitter.com/aNBRXJCwRF
— Manchester City (@ManCity) February 4, 2026

Krejt çfarë arritën mysafirët në këtë takim ishte goli i nderit nga Anthony Elanga në minutën e 62-të, por që në asnjë moment nuk e rrezikuan fitoren e Cityt.

Në finalen e madhe City do të takohet me Arsenalin, dy skuadra që janë rivale edhe në Ligën Premier për titullin kampion. /Telegrafi/

"Flamuri u ngrit në Fushë-Krujë, gjeli bën vezë", Labinot Rexha dështon keq me përgjigjet në sfidën e Big Brother VIP Kosova 4

4 February 2026 at 22:51


Gjatë një sfide brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, edhe Labiot Rexha u përball me një moment jo fort të favorshëm, duke bërë disa huqje që nuk kaluan pa u vënë re nga publiku.

Këngëtari nga Rahoveci u pyet për një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, konkretisht se në cilin qytet Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ngriti flamurin shqiptar në vitin 1443.

Ndërkohë që historia e njeh qartë Krujën si vendin ku u ngrit flamuri, Labi dha disa përgjigje të pasakta, duke përmendur herë Lezhën e herë Fushë-Krujën.

- YouTube youtube.com

Situata u bë edhe më interesante kur atij iu drejtua një pyetje provokuese, më shumë në formë enigme: nëse një gjel bën një vezë mbi një mur, ku përfundon veza.

Labi u përpoq seriozisht të gjente një përgjigje, duke analizuar mundësitë, pa i shkuar në mendje se pyetja ishte një kurth logjik, pasi gjeli në fakt nuk bën vezë.

Ashtu si raste të ngjashme edhe me banorë të tjerë, huqjet e Labit u kthyen shpejt në temë diskutimi online, duke shtuar dozën e argëtimit që shoqëron sfidat brenda shtëpisë së BBVK. /Telegrafi/

Napoli shumë i dobët pa Amir Rrahmanin në fushë, kthimi i tij shpresë për Antonio Conte

4 February 2026 at 22:41


Amir Rrahmani pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës, kur Napoli do të luajë në udhëtim te Genoa në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A.

Në Itali, mediat kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e kapitenit të Kosovës për ekipin e udhëhequr nga trajneri Antonio Conte.

Të mërkurën, mediumi i afërt me klubin napolitan, “calcionapoli24”, publikoi statistika interesante për performancën e Napolit me dhe pa Rrahmanin në fushë.

Napoli duket si dy ekipe të ndryshme: me Rrahmanin dhe pa të. Ai mungoi në katër ndeshjet e fundit, ku skuadra regjistroi një barazim me Copenhagenin, një fitore ndaj Fiorentinës dhe humbje nga Juventusi dhe Chelsea, duke pranuar gjithsej tetë gola, shkruan ky medium.

Në total, pa Rrahmanin Napoli ka pësuar 26 gola në 15 ndeshje dhe ka regjistruar gjashtë humbje. Me Amirin në fushë, ekipi ka pranuar vetëm 11 gola në 19 ndeshje, shkruan “calcionapoli24”.

Rrahmani, dy herë kampion i Italisë me Napolin, ka pësuar këtë sezon lëndime muskulore që e kanë mbajtur larg fushës. Një lëndim i ngjashëm kishte ndodhur edhe në shtator, gjatë ndeshjes së Kosovës ndaj Zvicrës.

Pritet që kualiteti i tij dhe prezenca në mbrojtje të ndihmojnë Napolin të rifitojë stabilitetin dhe rezultatet pozitive në Serie A. /Telegrafi/

Eksperiment ekstrem në një dhomë - amerikani izolohet 365 ditë dhe transmeton çdo moment të jetës live

4 February 2026 at 22:39


Një burrë 49‑vjeçar ka vendosur të qëndrojë i mbyllur në dhomën e gjumit për një vit, duke shmangur çdo kontakt me botën e jashtme, në mënyrë që t’i ndryshojë zakonet e jetesës në të mirë.

Më 10 shkurt, Skip Boyce, një ish‑pronari i një kompanie ndërtimi nga Utah, u përshëndet me gruan dhe vajzën e tij, hyri në dhomën e gjumit dhe mbylli derën, duke filluar projektin e quajtur “Viti i Izolimit”. Ai planifikon të qëndrojë atje për 365 ditë dhe të transmetojë gjithë eksperiencën drejtpërdrejt në YouTube.

Rregullat janë të thjeshta: ai nuk del dot nga dhoma dhe transmetimi live është aktiv 24/7. Ai nuk sjell argëtim të jashtëm apo ndërveprime të paplanifikuara – gjithçka që ndodh është e dukshme për shikuesit. Gjatë ditës ai jeton, fle, stërvitet, lexon, shkruan dhe i kalon kohën brenda një dhome të vetme, raporton odditycentral.

@the.isolation.year Day -70. Preparing for The Isolation Year. Lock-in: Jan 10. One perfect pull-up.
♬ original sound - The Isolation Year

Skip thotë se dhoma është e ndarë fizikisht nga pjesa tjetër e shtëpisë dhe se ai ka gjithçka që i nevojitet për të mbijetuar, përfshirë banjo me dush dhe vaskë, një palestër të improvizuar dhe disa dollapë, si dhe një pajisje për transmetim.

Ai shpjegon se transmetimi live e bën gjithçka të sinqertë, sepse nuk ka mundësi të ndalojë apo të ndryshojë historinë më vonë. Arsyeja për këtë izolim është që të largohet nga stimujt e vazhdueshëm dhe të rindërtojë disiplinën, fokusin dhe zakonet e shëndetshme, duke eliminuar zakonet e këqija.

Për afër tre javë që nga fillimi i “Viti i Izolimit,” Skip thotë se ka parë ndryshime pozitive në stilin e tij të jetesës – ai stërvitet më shumë, ka një dietë më të shëndetshme dhe ndjen përmirësim të shëndetit mendor. Megjithatë, disa njerëz kanë shprehur shqetësime se izolimi për një vit mund të jetë i dëmshëm për shëndetin pa dritë natyrale, ajër të pastër dhe ndërveprime sociale.

Ai ende beson se mbyllja e vetes deri më 10 janar 2027 është mënyra më e mirë për të përmirësuar jetën e tij. /Telegrafi/

@the.isolation.year Day -70. Preparing for The Isolation Year. Lock-in: Jan 10. One perfect pull-up.
♬ original sound - The Isolation Year


Tërmet me magnitudë 4.1 ballë në zonën e Korçës

4 February 2026 at 22:35


Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Korçës, duke u ndier fuqishëm në disa lokalitete të juglindjes së vendit.

Sipas të dhënave sizmologjike, epiqendra e tërmetit ka qenë në territorin e Greqisë, pranë zonës së Kosturit, ndërsa lëkundjet janë ndier më fort në aksin Hoçisht – Bilisht – Korçë.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.

Pas lëkundjeve ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila ka bërë të ditur se tërmeti është regjistruar mbrëmjen e sotme, më 4 shkurt 2026, rreth orës 19:50.

“Gjatë mbrëmjes së sotme, 04.02.2026, ora 19:50, janë regjistruar disa lëkundje sizmike në qarkun Korçë, me epiqendër në zonën Hoçisht – Bilisht – Korçë, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave. Magnituda maksimale ishte 4.1 ballë, ndërsa thellësia varionte nga 5 deri në 15 kilometra. Deri në këto momente nuk raportohet për dëme. Situata po monitorohet dhe çdo informacion i ri do të përcillet në vijim”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Këto zakone të përditshme po shkaktojnë aroma të pakëndshme në shtëpinë tuaj

4 February 2026 at 22:34


Nëse po pyesni veten pse shtëpia juaj ka gjithmonë një lloj ere, kjo mund të jetë për shkak se keni ndjekur disa zakone të përditshme pa e kuptuar se sa të dëmshme mund të jenë ato në aspektin e krijimit të aromave të pakëndshme.

Prandaj, kushtojini vëmendje këtyre zakoneve dhe lexoni këshillat se çfarë të bëni për të zvogëluar aromat e pakëndshme që përhapen në shtëpinë tuaj.

Lënia e enëve në lavaman për një kohë shumë të gjatë

Mund të jetë joshëse ta shtysh larjen e enëve vetëm për një mbrëmje tjetër, veçanërisht nëse jeton vetëm dhe nuk ke askënd që të të shqetësojë me punët e shtëpisë.

Megjithatë, mund të jeni duke ftuar aroma të padëshiruara në shtëpinë tuaj, thjesht sepse keni pritur shumë gjatë për të pastruar ato enë dhe pjata.

"Mbetjet e ushqimit në enët e lagura bëhen një vend për shumimin e baktereve, duke lëshuar aroma të pakëndshme që mund ta përmbytin kuzhinën tuaj më shpejt nga sa mund të prisni", shpjegon Robin Murphy, drejtoreshë e Maid Brigade.

Gatim pa ventilim

Pavarësisht nëse gatuani ushqim në shtëpi tri herë në ditë apo thjesht e ndizni sobën disa herë në javë, e dini fuqinë që ka ushqimi në përhapjen e aromave në një dhomë.

Prandaj, sigurimi i ventilimit të duhur në shtëpinë tuaj është thelbësor për të parandaluar që aromat e ushqimit të vazhdojnë të qëndrojnë. Në fund të fundit, aromat e gatimit janë mjaft të forta dhe do të përhapen në të gjithë hapësirën tuaj.

"Pa ventilim të duhur, aromat e gatimit ngjiten në mure, dollapë dhe orendi", thotë ekspertja.

Mos lejoni që peshqirët e lagur të thahen

Ata që kanë nuhatur peshqirët e lagur e dinë sa të pakëndshëm mund të jenë. Murphy shpjegon se peshqirët e lagur jo vetëm që mbajnë erë të keqe, por mund të tërheqin edhe myk dhe baktere.

Para se t’i varni përsëri në banjo, sigurohuni që janë plotësisht të thata. Ky hap i vogël do ta përmirësojë ndjeshëm mjedisin tuaj.

Nuk keni qarkullimin e duhur të ajrit

Pronari i Memphis Maids, Steve Evans, thotë se kur një shtëpi nuk ka qarkullim të mjaftueshëm të ajrit, ajo do të fillojë të reflektojë aroma nga mjedisi përreth, duke përfshirë djersën, ushqimin dhe aroma të tjera.

Për fat të mirë, zgjidhja këtu është mjaft e thjeshtë. Evans sugjeron hapjen e dritareve në secilën dhomë për 30 minuta për të ndihmuar në shpërndarjen e aromave. Pak ajër i pastër mund të bëjë vërtet mrekulli për përmirësimin e gjendjes së shtëpisë suaj.

Bashkimi triumfon me rezultat të thellë ndaj Prishtinës

4 February 2026 at 22:29


Bashkimi ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka regjistruar fitore bindëse në gjysmëfinalen e parë.

Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra vendase triumfoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 83:67, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.

Takimi nisi më mirë për mysafirët nga kryeqyteti, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 20:14. Sigal Prishtina ruajti epërsinë edhe në periudhën e dytë, e cila përfundoi 19:18 në favor të saj, duke shkuar në pushim me epërsi 39:32.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 27:13, duke përmbysur rezultatin dhe marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në çerekun e fundit, prizrenasit vetëm sa e rritën diferencën për të vulosur fitoren.

Lejson Zeqiri ishte më i dalluari te Bashkimi me 17 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Isaiah Cousins kontribuoi me 19 pikë, tri asistime dhe dy kërcime, ndërsa Shannon Shorter shtoi 18 pikë dhe pesë kërcime. Dequon Lake e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe pesë kërcime.

Te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Elijah Clarence me 20 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Altin Morina realizoi 15 pikë dhe gjashtë kërcime.

Ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinale do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, por Bashkimi udhëton me një epërsi të madhe drejt duelit vendimtar. /Telegrafi/

Pija befasuese e mëngjesit që rrit përqendrimin më shumë se kafeja

4 February 2026 at 22:23


Dihet që kafeja ju zgjon dhe përmirëson përqendrimin dhe vëmendjen. Megjithatë, ajo nuk është gjithmonë ajo që mjekët dhe dietologët rekomandojnë si zgjedhjen më të mirë për të rritur fokusin në mëngjes.

“Kafeina nuk është gjithmonë mjeti më i pastër”, shpjegon Dr. Raj Dasgupta, këshilltar mjekësor kryesor i Sleepopolis. “Ajo mund të shkaktojë nervozizëm, rënie energjie dhe varësi.”

Askush nuk po ju kërkon të hiqni dorë nga filxhani juaj i kafesë në mëngjes. Megjithatë, ekspertët sugjerojnë që të konsumoni më shumë një pije të thjeshtë, por befasuese, e cila përmirëson fokusin më mirë se kafeja.

Pija e mëngjesit që rrit fokusin më mirë se kafeja

Uji. Po, kaq e thjeshtë. Është bazik, por jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjithë trupin — dhe sidomos për trurin.

“Uji është thelbësor për kujtesë më të mirë, humor më të qëndrueshëm dhe përqendrim më të lartë”, thotë Dr. Yoshua Quinones, mjek internist i certifikuar.

Edhe Dr. Brynna Connor pajtohet:

“Uji ndihmon fokusin sepse truri nuk funksionon siç duhet kur trupi nuk është mjaftueshëm i hidratuar. Rreth 75% e trurit përbëhet nga ujë dhe, për këtë arsye, edhe dehidratimi i lehtë mund të dëmtojë shpejt përqendrimin, kujtesën dhe humorin.”

Një studim i vitit 2020 sugjeron se edhe një sasi e vogël uji — rreth 200 ml — mjafton për të shuar etjen dhe për të ulur nervozizmin dhe lodhjen. Ndërkohë, 500 ml ujë përmirëson performancën mendore dhe humorin.

Si ndihmon uji në përqendrim

“Për të funksionuar në mënyrë optimale, truri ka nevojë si për energji ashtu edhe për lëngje,” shpjegon Dr. Connor. “Uji ndihmon në ruajtjen e qarkullimit të gjakut drejt trurit, përmirëson qarkullimin dhe sinjalizimin nervor. Këto janë baza e qartësisë mendore dhe fokusit afatgjatë.”

Dr. Connor shpjegon më tej se çfarë ndodh në trup kur pini ujë dhe pse kjo ndikon drejtpërdrejt në përqendrimin tuaj.

Keith Self ia dorëzon personalisht Kamberit projektligjin për diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

4 February 2026 at 22:22


Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se sot, në Uashington, Kongresisti amerikan Keith Self i ka dorëzuar personalisht projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt që për herë të parë e vendos zyrtarisht çështjen e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një instrument zyrtar të shtetit amerikan, i cili synon vlerësimin, dokumentimin dhe ekspozimin e formave të ndryshme të diskriminimit me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ky akt synon të adresojë pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka theksuar Kamberi.

Ai ka vlerësuar se, për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë ndërkombëtare, por futet drejtpërdrejt në qendër të politikës së Shteteve të Bashkuara, jo si çështje protokollare, por si detyrim moral dhe institucional.

Kamberi ka falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi në një kohë kur, sipas tij, shumë aktorë ndërkombëtarë zgjedhin të heshtin për shkak të interesave politike.

“Në një botë ku shumë heshtin nga interesi, Kongresisti Keith Self zgjodhi të flasë nga parimi,” ka përfunduar Kamberi.

Projektligji H.R. 6411 pritet të shërbejë si bazë për raportime zyrtare dhe vlerësime institucionale mbi trajtimin e shqiptarëve në Serbi, duke rritur vëmendjen dhe përgjegjësinë ndërkombëtare ndaj kësaj çështjeje.

❌
❌