Turqia ka thënë të hënën se çdo ndërhyrje e huaj në Iranin fqinj do të çonte në kriza më të mëdha në vend dhe në rajon, dhe ka bërë thirrje për negociata midis SHBA-së dhe Iranit për të zgjidhur problemet ekzistuese.
Irani po përballet me demonstratat e tij më të mëdha që nga viti 2022 dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të përfshihet nëse përdoret forcë kundër protestuesve.
Turqia, anëtare e NATO-s, nuk dëshiron të shohë kaos në Iran pavarësisht “problemeve të caktuara brenda shoqërisë dhe qeverisë iraniane”, ka thënë Omer Celik, zëdhënës i Partisë AK e cila është në pushtet në Turqi.
“Siç ka deklaruar presidenti iranian Pezeshkian, këto probleme duhet të zgjidhen përmes dinamikës së brendshme të shoqërisë iraniane dhe vullnetit kombëtar të Iranit”, ka thënë Celik në një konferencë për shtyp pas një takimi të partisë në pushtet.
“Ne besojmë se ndërhyrja e huaj do të çojë në pasoja edhe më të këqija, dhe se ndërhyrja e provokuar nga Izraeli në veçanti do të çojë në kriza edhe më të mëdha”, ka shtuar ai.
Komisioni Evropian shprehu mbështetjen e tij për popullin e Iranit, duke deklaruar se është gati të vazhdojë me sanksione të reja dhe më të rrepta pas shtypjes së dhunshme të protestave dhe ndërkohë që raportohet se rreth 500 kanë vdekur.
“Është absolutisht e papranueshme që njerëzit që demonstrojnë paqësisht për lirinë e tyre të arrestohen dhe të vriten ”, tha Sekretarja e Shtypit e Komisionit Evropian, Paola Pinault, kur u pyet për protestat në Iran, duke shprehur solidaritetin e saj me “qytetarët jashtëzakonisht të guximshëm të Iranit gra që po demonstrojnë për lirinë e tyre”.
Në të njëjtën kohë, Pinault iu referua deklaratave të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të burgosur dhe rivendosjen e aksesit të plotë në internet.
Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA (HRANA), janë verifikuar rreth 500 viktima mes protestuesve, si dhe 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Por burime për BBC thanë se numri real i të vrarëve mund të jetë më i lartë.
Kujtojmë që presidenti i SHBA, Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje nëse vriten protestuesit. Nga ana tjetër, udhëheqësit iranianë i kanë cilësuar protestuesit si “një grup vandalësh”.
Aktivistja e mirënjohur serbe, Natasha Kandiq, ka shkruar në “X” se me pranimin e marrëveshjes gjermano-francez, Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, Serbia ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur.
Realiteti i Kosovës së pavarur, Natsha Kandiq, ka shkruar se ka ardhur si pasojë krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Po, duke nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Ohrit dhe dokumentin gjermano-francez, AV (Aleksandar Vuçiq) ka pranuar realitetin – se Kosova është një shtet i pavarur. Do të shtoja se ky realitet është pasojë e krimeve të luftës nga MUP/J i Serbisë”, shkroi ajo.
Hisen Berisha e ka kritikuar Lumir Abdixhikun për deklaratën e tij të fundit.
Berisha ka thënë se ka pritur që të reagonte dikush nga LDK.
Ish-deputeti i PDK-së e ka quajtur kryetarin e LDK-së si njeri sorosian, të njëjtë me Kurtin e Osmanin.
Postimi i plotë pa ndërhyrje”
“Lumir Abdixhiku e paske kaluar vijën, rëndë dhe pa kthim Ke shkuar larg. Shumë larg. Dhe ke shkelur rëndë me atë deklaratë, Lumir Abdixhiku. Prita dy ditë pa reaguar. Jo nga hezitimi, por nga shpresa se do të flisnin vëllezërit e mi të armës, ata që ende janë brenda asaj shtëpie politike që dikur mishëronte vizionin për pavarësi dhe shtet të Kosovës. Prita që nga brenda LDK-së të vinte një reagim kundër një gjuhe që fyen luftën, përçmon sakrificën dhe godet themelet mbi të cilat u ndërtua ky shtet. Por heshtja që mbretëroi brenda asaj shtëpie, dikur rugoviane, tashmë nuk është më thjesht devijim filozofik. Ajo heshtje është rreshtim. Është bërë një me kundërshtarët e luftës, të lirisë, të pavarësisë dhe të vetë shtetit të Kosovës, një shtet që u ngrit mbi parimet rugoviane të lirisë, barazisë dhe demokracisë. Përdorimi i termit “mercenar”, në kuptimin e tij të pastër luftarak, person që lufton për para, pa ndjenjë detyre kombëtare, patriotike, atdhetare apo kushtetuese, nuk është lapsus gjuhësor. Është zgjedhje politike. Është akt i qëllimshëm. Është e shtënë me pushkë gjuetie, jo në thëllëza, por në shqiponjat e lirisë. Dhe këtu nuk ka rëndësi konteksti. Nuk ka asnjë dilemë se ti, Lumir Abdixhiku, bashkë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, përbëni të njëjtën strukturë ideologjike sorosiane, e cila ka për synim stërkeqjen e shtetit të Kosovës dhe zhvendosjen e tij drejt nostalgjisë jugosllave. Prandaj edhe rikthimi i luftës politike kundër figurave shtetformuese, si Ismailqemal Vlora kosovar, apo Hashim Thaçi, shqiptari i Kosovës, është dëshmi besnikërie para padronëve tuaj ideologjikë dhe një abuzim i hapur me vetëdije stokholmiane për t’u bërë krah politik dhe qeverisës në procesin e zhbërjes së shtetit. Ky mision mbi trinom tipik pravosllav, Kurti, Osmani, Abdixhiku, u dëshmua qartë edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur refuzuat bashkimin e së djathtes popullore dhe të djathtës konservatore për ta bërë qeverinë. Por për këtë, rugovistët e vërtetë, dishepujt e presidentit historik Ibrahim Rugova, dhanë verdiktin e tyre më 28 dhjetor 2025. Ajo që kam pritur nga vëllezërit e armës brenda subjektit historik të Presidentit Rugova, luftëtarë të lirisë në radhët e UÇK-së, ishte që ti të mos guxoje kurrë më të shkelje në zyrat e LDK-së, përveçse për të dhënë dorëheqje dhe për t’iu bashkuar hapur, kolaboracionisht, ekipit sorosian Kurti-Osmani & Co., që sot po e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës. Por historia nuk rishkruhet. Çdo epokë i ka heronjtë e vet. Ashtu siç i ka për nder e lavdi, i ka edhe për faqe të zezë dhe tradhti. Vitet ’90 filluan me heroin vizionar Ibrahim Rugova dhe kulmuan me Kryeheroin Hashim Thaçi, me Kryekomandantët Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe dhjetëra figura të tjera të lavdishme, të rëna dhe të gjalla, të luftës për liri. Prandaj, rifillimi i kësaj “lufte” kundër së djathtes konservatore dhe luftëtarëve, me automatizëm ju rreshton krah atyre që ditën e çlirimit e kanë 14 shkurtin dhe shtetin e Kosovës e shohin vetëm brenda ofertës së Millosheviçit për “Republikën e tretë”, ku nuk ka vend për Lëvizjen Rugoviane. Me këtë doktrinë politike, qarqe të caktuara brenda jush, bashkë me Vjosa Osmanin, po e çojnë me sukses LDK-në drejt zhbërjes. Nëse rifilloni me këtë propagandë, atëherë vazhdoni në misionin tuaj. Pritjet ishin që të reflektoni, që t’i bashkojmë forcat për ta shpëtuar shtetin nga zhbërësit që erdhën me revolucionin e “shamijave të kuqe”. Por mos harroni një gjë: ky vend i ka ende gjallë dalëzotësit e vet. Ndoshta në përqindje po aq sa në vitet 1998/99, kur ishim vetëm 0.28% e dy milionëve, por të mjaftueshëm për ta bërë sërish dallimin. (Sepse mjeti për mbrojtjen e vlerave themelore të shtetësisë, integriteti territorial dhe sovraniteti politik, është arma, e jo vota.) E pra jo, Lum. Ata nuk janë mercenarë. Ata janë themeli mbi të cilin qëndron ende ky shtet, pavarësisht jush”.
Tri familje në lagjen Kodra e Trimave, janë evakuuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, si pasojë e vërshimeve të fundit.
Sipas njoftimit, familjet janë sistemuar përkohësisht dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të mbulojë pagesën e qirasë deri në renovimin e plotë të shtëpive të tyre.
Në njoftimin e Kryeqytetit ndër të tjera bëhet e ditur se Kryqi i Kuq i Kosovës, në bashkëpunim me DSE, ka realizuar shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për këto familje.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se planifikon të flasë me miliarderin Elon Musk në lidhje me rivendosjen e internetit në Iran, ku autoritetet kanë ndërprerë shërbimet për katër ditë për shkak të protestave të vazhdueshme antiqeveritare.
“Ai është shumë i mirë në këtë lloj gjëje, ka një kompani shumë të mirë”, u tha Trump gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje nëse do të angazhohej me kompaninë SpaceX të Musk, e cila ofron një shërbim interneti satelitor të quajtur Starlink që është përdorur në Iran.
Musk dhe SpaceX nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Fluksi i informacionit nga Irani është penguar nga një ndërprerje e internetit që nga e enjtja, mes protestave kundër establishmentit klerikal të vendit që nga viti 2022.
Musk dhe Trump kanë mbajtur një marrëdhënie të vazhdueshme, pasi miliarderi ndihmoi në financimin e fushatës fituese presidenciale të Trump dhe më pas orkestroi shkurtime masive për qeverinë federale.
Dyshja pati një grindje publike vitin e kaluar, pasi Musk kundërshtoi projektligjin e taksave të Trump, por sipërmarrësi duket se e ka ringjallur marrëdhënien e tij me administratën Trump. Musk dhe Trump u panë duke darkuar së bashku në resortin Mar-a-Lago të Trump këtë muaj, dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ka planifikuar të vizitojë një strukturë të SpaceX në Teksas të hënën.
Musk ka mbështetur ofrimin e Starlink për iranianët për t’i ndihmuar ata të anashkalojnë kufizimet e qeverisë, përfshirë edhe protestat e mëparshme në vitin 2022. Atë vit, Shtëpia e Bardhë e Biden u angazhua me Musk për të ngritur Starlink në Iran pasi vendi u përfshi nga protestat pas vdekjes nën arrest policor të 22-vjeçares Mahsa Amini.
Shërbimi satelitor Starlink është përdorur në rajone të tjera të shënuara nga trazira ose konflikte, siç është Ukraina, ku Musk në vitin 2022 urdhëroi mbylljen e Starlink gjatë një ofensive të rëndësishme ukrainase, raportoi Reuters.
Aktivisti i njohur i LDK-së në diasporë, Qefser Hoxha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si “mercenar” dhe përgjegjës për rënien drastike të partisë, shkruan Insajderi.
Në reagimin e tij, Hoxha rendit atë që ai i quan “rekorde” që meritojnë librin Guinness, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit:
LDK ka shënuar 45,255 vota më pak në dhjetor 2025 krahasuar me shkurtin e po të njëjtit vit, duke rënë nga 18.27% në 13.26%.
Sipas tij, 30% e votuesve të LDK-së nuk e kanë votuar Abdixhikun si kandidat për kryeministër.
Në 8 komuna, Abdixhiku renditet i dyti për nga votat brenda listës së vetë LDK-së, një situatë që Hoxha e quan “precedent të papranueshëm”.
“Në 8 komuna të Kosovës, renditet i dyti për nga votat brenda vetë LDK-së, një precedent i papranueshëm: asnjëherë më parë një kandidat për kryeministër nuk ka dështuar të votohet nga partia e tij. Sigurisht kjo do të jetë rekord i ri botëror”.
Hoxha nuk është kursyer në cilësime personale, duke e quajtur Abdixhikun “peng politik” dhe “mercenar” që nga ardhja e tij në parti në vitin 2017.
“I vetmi mercenar në LDK je ti Lumir.Si mercenar erdhe dhe si mercenar po largohesh, pa as minimumin e dinjitetit për të dhënë dorëheqje. Mercenari nuk largohet pa miratimin e atyre që ia blenë votat e delegatëve në vitin 2021,” shkruan ai në letrën e tij.
Sipas aktivistit, Abdixhikun nuk e intereson e ardhmja e partisë së Ibrahim Rugovës, por vetëm kontrolli mbi të, qoftë edhe nëse partia bie në kuotën e 5%.
Përmes kësaj letre, Qefser Hoxha u bën thirrje anëtarëve të Kuvendit të LDK-Së që të kërkojnë zyrtarisht: Dorëheqjen e menjëhershme të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet e partisë për të nisur një proces ristrukturimi dhe ringritjeje.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar sot për gjendjen e ujit të pijshëm në të gjitha rajonet e vendit.
Sipas raportit të përditësuar:
Rajoni i Prishtinës:
Fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj, Badoc dhe Batllavë ofrojnë ujë brenda standardeve të lejuara.
Në Drenas/Bivolak, fabrika punon me kapacitet të zvogëluar, por cilësia e ujit mbetet e sigurt për konsum.
Lipjan dhe Kuzmin: uji brenda standardeve.
Vragoli dhe Miradi e Poshtme: uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Mitrovicës:
Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe komunat veriore: uji është brenda standardeve të lejuara.
Rajoni i Ferizajt:
Ferizaj: uji brenda standardeve.
Han i Elezit: niveli i turbullirës në ujësjellësin qendror me burim në Dimcë është i lartë; uji përdoret vetëm për nevoja teknike dhe nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Gjilanit:
Gjilan: uji brenda standardeve.
Rezervuarët Prilepnicë dhe Bajë: parametra fiziko-kimikë brenda normave.
Kamenicë dhe Viti: uji i sigurt për konsum.
Rajoni i Pejës:
Pejë dhe Istog, zona Vrellë/Istog: uji brenda standardeve.
Mbivada: turbullirë e lartë, uji përdoret vetëm për nevoja teknike.
Junik: uji i sigurt.
Deçan dhe Klinë: turbullirë e lartë, uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Gjakovës:
Furnizimi me ujë nga KRU Gjakova është i sigurt për konsum.
Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë: vlera të larta të turbullirës, uji nuk konsiderohet i pijshëm.
Rajoni i Prizrenit:
Burimi “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit: uji brenda standardeve.
Suharekë: problem furnizimi në fshatrat e përmbytura Semetisht, Studençan dhe Nëpërbisht.
Malishevë: turbullirë e rritur, uji përdoret vetëm për qëllime teknike.
Dragash: uji brenda standardeve.
IKSHPK apelon tek qytetarët që të respektojnë këshillat për përdorimin e ujit në zonat ku ai nuk rekomandohet për pije.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka refuzuar ta kritikojë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lidhur me komentet e tij për Grenlandën.
Rutte është pyetur lidhur me çështjen e Grenlandës gjatë vizitës së tij në Kroaci ku u takua me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.
“Besoj se Donald Trump po bën gjërat e duhura për NATO-n duke na inkurajuar gjithë ne në Evropë të shpenzojmë më tepër për mbrojtje”, tha Rutte, transmeton “The Guardian”.
Ai tha se “është absolutisht i bindur” se “pa Donald Trumpin ne kurrë nuk do të kishim atë rezultat në samitin në Hagë” vitin e kaluar, duke rritur pragun e shpenzimeve për mbrojtje në 5% të Bruto Produktit Vendor.
“Pra, kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, tha Rutte.
Ai nuk i është përgjigjur pyetjeve specifike mbi komentet e Trumpit për Grenlandën, dhe insistimin e tij që SHBA-ja ta marrë Grenlandën.
Rutte tha se mirëpret diskutimin e aleatëve të tjerë dhe përfshirjen më të madhe në Arktik dhe Veriun e epërm.
“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët sot, ne po punojmë së bashku tani për të parë se si mund të bashkohemi në thelb si një aleancë, duke përfshirë shtatë anëtarët tanë, aleatë që kufizohen me Veriun e epërm, me Arktikun, për të punuar së bashku për të ndërtuar atë hap tjetër, që është thelbësor”, tha Rutte.
Shefi i NATO-s po ashtu tha se Danimarka “po përshpejton investimet e saja kur bëhet fjalë për mbrojtjen”, duke përfshirë “aftësi unike për të mbrojtur territore si Grenlanda”.
“Pra, ne po punojmë vërtetë së bashku këtu. Dhe shqetësimi im i vetëm është, si të qëndrojmë të sigurt, kundër rusëve, kundër kundërshtarëve tjerë – shikoni Kinën sa shpejt po ndërton forcat e saja të armatosura, por edhe veri-koreanët dhe tjerët që mund të na dëshirojnë të keqen. Prandaj, ky është roli im, dhe mendoj se do të arrijmë atje”, tha Rutte.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për yllin e Barcelonës, Raphinha, dhe kjo konfirmon shijet e mira të të parit të mbretërve për futbollistët.
Në disa raste, Florentino Pérez u ka pranuar njerëzve të rrethit të ngushtë se braziliani 29-vjeçar është lojtari i tij i preferuar i FC Barcelonës, madje më shumë se Lamine Yamal apo Pedri.
Sulmuesi i Barçës e justifikoi edhe një herë këtë vlerësim në finalen e Superkupës së Spanjës të zhvilluar në Xhedah, ku realizoi dy gola vendimtarë dhe i siguroi Barcelonës një tjetër trofe, duke ia rrëmbyer titullin rivalit të përjetshëm, Real Madridit.
Raphinha, i cili u vlerësua edhe nga Diego Simeone gjatë këtij turneu, ka një bilanc mbresëlënës kundër Real Madridit, sidomos që nga ardhja e Hansi Flick në stolin e Barcelonës.
Ai ka luajtur në pesë “El Clásico” gjatë kësaj periudhe dhe i ka fituar të gjitha, duke qenë vendimtar në secilën prej tyre. Mungoi vetëm në ndeshjen e kampionatit në “Santiago Bernabéu” në tetorin e kaluar – pikërisht e vetmja që Barça e humbi.
Me Flick në krye, Raphinha është shndërruar në një figurë kyçe të ekipit: shtatë gola në pesë ndeshje kundër Real Madridit, duke mbetur pa shënuar vetëm në finalen e Kupës së Mbretit.
Trajneri gjerman nuk i kurseu lëvdatat për MVP-në e finales, një nga kapitenët dhe futbollistin më në formë të këtij sezoni. Pasi kishte mbrojtur kandidaturën e tij për çmimet “Ballon d’Or” dhe “The Best”, Flick e quajti Raphinhan një dorë të tij në fushë.
“Ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Është shumë dinamik dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te ekipi. E humbi rastin e parë, por shënoi të dytin dhe kjo i dha vetëbesim. Ai sjell intensitet dhe e transmeton atë te të gjithë”, u shpreh Flick.
Barcelona publikoi gjithashtu një imazh simbolik pas fishkëllimës së fundit: Raphinha i vetëm në fushë, përpara stolit, me grushtet e shtrënguar duke festuar një tjetër trofe. Momente më pas, Flick iu afrua për ta përqafuar dhe puthur.
Braziliani e festoi titullin me “syzet e fatit”, të njëjtat që kishte përdorur në çdo trofe sezonin e kaluar. “Më pëlqejnë, ka pak supersticion”, tha ai me buzëqeshje.
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku shënoi 34 gola dhe dhuroi 24 asistime në 57 ndeshje, Raphinha ka nisur fuqishëm edhe këtë edicion: 11 gola dhe 4 asistime në 17 paraqitje, tetë gola dhe dy asistime që nga rikthimi nga lëndimi në fund të nëntorit.
Edhe mesatarja e golave është përmirësuar ndjeshëm – nga një gol çdo 137 minuta sezonin e kaluar, në një gol çdo 100 minuta këtë sezon./Telegrafi/
Avokati Adrianit Ibrahimi ka folur lidhur me shfuqizimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nga ana e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ai ka deklaruar se shfuqizimi i këtij ligji ka qenë i pritshëm për të.
“Për mua ka qenë e pritshme, besoj se edhe për komunitetin e juristëve ka qenë e pritshme. Fakti që Gjykata nuk është lëshuar në shqyrtimin e meritave të ligjit apo të dispozitave përmbajtësore, besoj që do të shkaktojë pasoja në të ardhmen”, ka thënë Ibrahimi në RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Gjykata Kushtetuese e ka lënë procesin përgjysmë, pavarësisht se vendimi për shfuqizimin e projektligjit është marrë me të drejtë për shkak të shkeljeve procedurale.
“Pra, konsideroj që Gjykata Kushtetuese e ka lënë punën në gjysmë, pavarësisht se me të drejtë e ka shfuqizuar projektligjin për shkak të gabimeve procedurale”, ka deklaruar ai.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.
Gjatë mbledhjes janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur mbështetjen e saj tradicionale.
Po ashtu, Kryesia ka nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.
Si hap i parë drejt forcimit të mëtejmë të strukturave partiake, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme, të cilat do të mbahen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët deri te organet qendrore të partisë.
Sipas njoftimit, procesi pritet të nisë në javët e ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent.
Ky proces ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme politike.
Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, do të vazhdojë të forcojë rolin e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës.
Spektakli i natës së sotme (e hënë) i Big Brother VIP Kosova 4 pritet të jetë i zjarrtë.
Në shtëpinë më të famshme në vend do të hyjë bashkëshortja e Labinot Rexhës, e cila pritet të sqarojë publikisht thashethemet që qarkullojnë rreth artistit, përfshirë raportimet për një romancë të supozuar me një serbe, me të cilën thuhet se ka edhe një fëmijë.
Po ashtu Dolce do të japë rrëfimin e saj emocional.
Gruaja e Labinot Rexhës
Ndërkohë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë mes Albës dhe Limit, një tjetër moment që pritet me shumë interes.
Limi u bë pjesë e shtëpisë të premten, ku lirshëm mund të thuhet se ka trazuar ujërat.
Ai u bë 'mollë sherri' mes Albës dhe Bia Khalifës, gjë që bëri të prishet miqësia mes tyre.
Sidoqoftë, mbetet për t'u parë në vazhdim se si do të jetë kjo mbrëmje. /Telegrafi/
Virusi më dominues në vendin tonë është Influenza AX3 dhe H1 – njoftoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska. Ajo gjithashtu konfirmoi se Maqedonia është mbi mesataren evropiane në numrin e rasteve të hepatitit B, por shtoi se aktualisht nuk ka të dhëna të sakta se sa njerëz janë të infektuar. Sipas saj, rreziku është që ky virus të përhapet tek të rriturit që nuk janë të vaksinuar.
“Në vendin tonë ekziston një i ashtuquajtur rrezik rezidual i hepatitit B, veçanërisht tek grupmoshat e pavaksinuara, gjë që konfirmon nevojën për vaksinim të hershëm. Të dhënat që keni janë të sakta, aktualisht nuk kam shifra, por kjo është ajo që po thoni”, thotë Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Lidhur me përhapjen e virusit tek fëmijët, Andonovska tha se situata është nën kontroll. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim nëse do të jepen rekomandime për zgjatjen e pushimeve dimërore.
"Po i monitorojmë gjërat, ndoshta është ende herët për të thënë nëse do të rekomandojmë diçka apo jo. Gjëja më e rëndësishme është që situata të jetë nën kontroll dhe të monitorohet", tha Marija Andonovska./Telegrafi/
A e keni vënë re pse truri ynë arrin të rikujtojë me gjallëri momentet më të pakëndshme nga shumë vite më parë, ndërsa mezi mban mend një kompliment të bukur që e kemi marrë javën e kaluar?
Arsyeja lidhet me prirjen e trurit për t’u kapur më fort pas mendimeve negative sesa atyre pozitive, një fenomen që në psikologji quhet prirja ndaj negativitetit. Kjo prirje shpesh forcohet edhe nga një mekanizëm tjetër shoqërues, të cilin studiuesit e quajnë neutralizimi i ndjenjave negative.
Nëse edhe ju e përjetoni këtë, është lehtësuese të dini se nuk bëhet fjalë për një tipar të veçantë personaliteti, por për një fenomen të dokumentuar dhe studiuar prej dekadash në psikologjinë evolucionare. Kjo do të thotë se gabimi apo poshtërimi i dikurshëm që vazhdoni ta ripërjetoni në mendje, me shumë gjasë nuk është aq “i thellë” sa duket. Kjo prirje është pjesë e “instalimit” bazë të trurit njerëzor, e formësuar nga evolucioni dhe e përforcuar nga stresi modern.
Të kuptuarit pse ndodh kjo është hapi i parë për të ndërprerë ciklin dhe për të rimarrë kontrollin mbi rrëfimin tuaj të brendshëm mendor, shkruan Psychology Today, përcjell Telegrafi.
Më poshtë janë 3 arsyet kryesore pse truri anon nga negativiteti dhe çfarë mund të bëni për secilën prej tyre.
1. Truri është zhvilluar për t’i dhënë përparësi mendimeve negative
Shumë kohë para telefonave inteligjentë, afateve dhe rrjeteve sociale, njerëzit kishin një detyrë themelore: të mbijetonin. Kjo nënkuptonte vëmendje të shtuar ndaj çdo sinjali që mund të sillte rrezik. Një shushurimë në shkurre, ndryshime të papritura të motit apo gjurmë të çuditshme kafshësh të egra mund të nënkuptonin rrezik vdekjeprurës nëse injoroheshin.
Me fjalë të tjera, humbja e një kërcënimi të mundshëm mund të ishte fatale, ndërsa humbja e diçkaje pozitive si një pamje e bukur apo një tingull i këndshëm, rrallë kishte pasoja serioze.
Përgjatë mijëra viteve, kjo ka bërë që truri i njeriut t’u japë përparësi informacioneve negative ose kërcënuese. Edhe sot, truri përdor të njëjtin “sistem alarmi” të lashtë, duke e trajtuar refuzimin shoqëror, kritikat, frikën financiare apo pasigurinë si kërcënime për mbijetesën.
Studimet tregojnë se amigdala, struktura kyçe e trurit për përpunimin emocional, reagon veçanërisht fort ndaj stimujve kërcënues. Edhe pse aktivizohet si për emocionet pozitive ashtu edhe për ato negative, ajo tregon ndjeshmëri më të madhe kur perceptohet rrezik.
Prandaj, ju mund të rikujtoni vazhdimisht tonin e ashpër të një kolegu apo një gabim të vogël, edhe pse realisht jeni fizikisht të sigurt. Në ato momente, është e rëndësishme të kujtoni se truri juaj nuk po përpiqet t’ju torturojë, ai po përpiqet t’ju mbrojë, sipas mënyrës më të mirë që njeh.
2. Mendimet negative përpiqen të parandalojnë ngjarjet negative
Psikologjia prej kohësh e ka dokumentuar prirjen ndaj negativitetit: ne i mbajmë mend përvojat negative më gjallërisht sesa ato pozitive. Një studim me ndjekje të lëvizjes së syve, ku morën pjesë 130 studentë meshkuj, tregoi se njerëzit përqendrohen më shumë në detajet qendrore të ngjarjeve emocionale negative, duke i bërë këto kujtime më të thella dhe më të qëndrueshme.
Kjo ndodh sepse përvojat negative aktivizojnë më fort qendrat e përpunimit të informacionit në tru, veçanërisht amigdalën, e cila i jep përparësi kujtimeve emocionalisht të ngarkuara. Ky mekanizëm shpjegon pse:
Harroni pesë komplimente, por fiksoheni pas një kritike
Mbani mend një gabim pune prej vitesh, por mezi rikujtoni një arritje të vogël të përditshme
Ripërjetoni vazhdimisht momente të sikletshme, ndërsa rrallë riktheheni te momentet e krenarisë
Psikologët socialë kanë zbuluar gjithashtu se njerëzit u japin më shumë peshë emocionale humbjeve sesa fitimeve, fenomen i njohur si neveria ndaj humbjes. Ai ndikon në mënyrën se si reagojmë ndaj rënies së bilancit bankar apo ndaj kritikave të njerëzve të afërt.
Kjo prirje evolutive nuk ndikon vetëm në kujtesë, por edhe në vendimmarrje, motivim dhe vetëperceptim, me synimin për të shmangur humbjet dhe përvojat negative në të ardhmen. Problemi lind kur nuk punojmë në mënyrë aktive për të vënë re dhe përforcuar përvojat pozitive – atëherë truri, automatikisht, fokusohet te ajo që shkon keq, duke e kthyer jetën në një proces të vazhdueshëm frike.
Kur mendimet negative rrënjosen, ato nxisin reagimin ndaj stresit. Përqendrimi i vazhdueshëm në negativitet çon në çlirimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili e bën trurin edhe më të ndjeshëm ndaj sinjaleve negative.
Krijohet kështu një rreth vicioz: mendimi negativ aktivizon stresin, stresi e rrit ndjeshmërinë ndaj negativitetit, dhe kjo çon në edhe më shumë mendime shqetësuese. Një studim i vitit 2014, botuar në revistën Psychoneuroendocrinology, tregoi se ruminimi pas stresit (përsëritja e mendimeve negative pas një ngjarjeje stresuese) parashikon reagime më të forta të kortizolit ndaj stresorëve të ardhshëm.
Me kalimin e kohës, truri “mëson” të presë rrezik – edhe kur ai nuk ekziston – dhe reagon gjithnjë e më fort. Prandaj ruminimi konsiderohet një nga parashikuesit më të fuqishëm të ankthit dhe depresionit.
Në këtë fazë, shpesh e kapim veten duke pyetur:
“Pse nuk arrij ta lë këtë pas?”
“Pse më sillet vazhdimisht në mendje?”
“Pse më shqetëson kaq shumë?”
Por truri thjesht po bën atë që është mësuar të bëjë prej vitesh. Lajmi i mirë është se këto cikle mund të prishen. Me ushtrime të vetëdijshme mendore, vëmendje ndaj mendimeve dhe kultivim të përvojave pozitive, truri mund të “rirregullohet”.
Përfundim
Mendimet negative qëndrojnë fort në mendjen tuaj sepse truri është ndërtuar për mbrojtje, jo për lumturi. Por sapo të kuptoni mekanizmat e mbijetesës, paragjykimet psikologjike dhe ciklet emocionale që veprojnë në prapaskenë, mund të filloni t’i ndërprisni ato.
Duke ngadalësuar ritmin, duke vëzhguar mendimet tuaja dhe duke ushqyer me qëllim përvojat pozitive, ju mund ta stërvitni trurin që të mos mbahet më kaq fort pas negativitetit dhe ta lejoni të pranojë të mirën me më shumë lehtësi. /Telegrafi/
Sot në ka filluar gjysmëvjetori i dytë, por jo në të gjitha komunat e Kosovës.
Drenasi, Malisheva e Fushë Kosova kanë vendosur që ta shtyjnë fillimin e mësimit si pasojë e motit të pafavorshëm dhe vërshimeve.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në disa komuna mësimi nuk ka nisur edhe për shkak të problemeve me ngrohje.
Nagavci në një bisedë për Kosovpress, ka thënë se kjo është kompetencë dhe keqorganim i komunave. Ndër tjera, theksoi se çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet, për çka shtoi se do të bëhet plani dhe të ndahet me komunat.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat edhe mbrëmë deri në orët e vona edhe sot po ashtu. Dhe në bazë të informacioneve që kemi, në tre komuna është shtyrë fillimi i vitit shkollor, në Malishevë për shkak të reshjeve edhe situatës së krijuar me vështirësi në komunikacion në qarkullim, ndërkohë që në Fushë Kosovë dhe në Drenas ka pasur probleme edhe për shkak të ngrohjes. Pra në tri komuna, në Drenas, në Malishevë dhe në Fushë Kosovë, është shtyrë fillimi i procesit mësimor”, deklaroi ajo.
Ministrja në detyrë e Arsimit bëri të ditur se edhe në disa komuna të tjera ka pasur shkolla që janë përballur me probleme të ngrohjes.
“Në Prishtinë kanë njoftuar se e kanë filluar mësimin në të gjitha shkollat. Në Ferizaj është vetëm në një shkollë. Në fshatin Tërn nuk ka filluar mësimi, në shkollat e tjera po. Kjo për shkak të problemeve me ngrohje. Në Kaçanik, në Lipjan dhe në Shtime e kanë filluar shkollat mësimin, por janë riorganizuar nga ana e komunës. Prizren, Suharekë edhe Dragash, edhe në Mamushë ka filluar mësimi sot me vonesë në dy shkollat e Prizrenit për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore. Ndërkohë edhe në Vushtrri, mësimi nuk ka filluar në shkollën ‘Dëshmorët’ në Zhilivodë për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore”, shtoi Nagavci.
Për këtë ajo ka fajësuar komunat, për çka deklaroi se është keqorganizim.
“Po, kjo është shumë problem, por është përgjegjësi e komunës, kompetencë ligjore e komunës. Gjithsesi, ata duhet të raportojnë në detaje edhe çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet. Edhe natyrisht duhet të adresohet që probleme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, sepse është absurde që të mbeten pa lëndë të para ngrohëset në mes të periudhës së dimrit... Kjo është papërgjegjësi edhe keq organizim, nuk ka të bëjë me, si të them, sikurse te çështja e vërshimeve kur është diçka e paplanifikuar edhe në aspekt të faktorëve të jashtëm natyrorë në këtë rast”, u shpreh ajo.
E pyetur se si do të kompensohen orët e humbura, Nagavci tha shkurt se do të hartohet një plan.
Ambasadori i SHBA-së në Izrael thotë se Uashingtoni nuk ka plane për të ndërhyrë në Iran.
As Amerika dhe as Izraeli nuk po bëjnë plane për t'u angazhuar, i tha Mike Huckabee korrespondentit të Lindjes së Mesme për Sky News, Adam Parsons, transmeton Telegrafi.
I pyetur nëse SHBA-të po përpiqen të përshpejtojnë ndryshimin e regjimit, ai tha: "Nuk mendoj se është diçka që Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mënyrë aktive duke u përpjekur të përshpejtojnë diçka".
"Është çështje respekti, dhe kjo është ajo që presidenti Trump e ka formuluar si; ai dëshiron të ketë njohje se qeveria e Iranit nuk duhet të vrasë popullin e vet, nuk duhet t'i lëndojë ata dhe t'i lëndojë ata sepse po protestojnë", shtoi ai.
Iranianët kanë "të drejtën për të protestuar" dhe po e bëjnë këtë sepse "nuk mund t'i ushqejnë familjet e tyre", thotë Huckabee.
"Ekziston një nivel i lartë respekti për atë që thotë dhe çfarë po bën populli iranian”, theksoi ndër tjera ambasadori amerikan.
"Nuk mendoj se tani për tani SHBA-të ose Izraeli po bëjnë plane për t'u angazhuar. Nuk e di çfarë mund të ndodhë, thjesht nuk e di. Do të isha krejtësisht jashtë mundësive të mia nëse do të thosha 'ja çfarë do të ndodhë'", tha për fund Huckabee. /Telegrafi/
Një fustan i zi, një detaj i ëmbël dhe buzëqeshja që i la të gjithë pa fjalë
Një nga aktoret më të kërkuara të Hollivudit u rikthye në tapetin e kuq dhe tregoi se për të tërhequr vëmendjen nuk janë të domosdoshme veshjet provokuese. Mjafton një buzëqeshje e sinqertë – ajo që e ka bërë ikonë ndër breza.
Aktorja Julia Roberts u shfaq në ndarjen e Golden Globes 2026 dhe është e drejtë të thuhet se magjepsi të pranishmit me zgjedhjen e saj elegante. E njohur për dashurinë ndaj kostumeve të gjera dhe stilit maskulin-elegant, “gruaja me buzëqeshjen më të bukur në botë” këtë herë vendosi të surprizojë me një krijim krejt tjetër.
Për këtë mbrëmje solemne, ajo zgjodhi një fustan elegant të zi prej kadifeje mëndafshi, me firmën Giorgio Armani Privé. Krijimi glamuroz dallohej për rripat delikatë të shpatullave dhe një dekolte të thellë, i cili theksonte një detaj të veçantë që tërhoqi vëmendjen e fotografëve dhe mediave të modës, transmeton Telegrafi.
profimedia
Bëhet fjalë për një gjerdan në formë luleshtrydheje, i zbukuruar me diamante dhe një zinxhir ari. Edhe pse simbolika e këtij aksesori ende nuk është zbuluar, një gjë është e sigurt: ai i dha stilimit monokromatik një prekje ngjyre, finesë dhe “ëmbëlsi” të rafinuar, duke krijuar kontrastin perfekt me të zezën klasike të fustanit.
Julia e kompletoi pamjen me një grim minimal në nuanca tokësore, që theksonte tiparet e saj natyrale, si dhe me flokë të valëzuar lehtë, të lëshuara mbi supe, një rikthim i hijshëm te eleganca e përjetshme që e karakterizon.
Kjo paraqitje u komentua gjerësisht si dëshmi se stili i vërtetë nuk varet nga trendet kalimtare, por nga qëndrimi, finesa dhe karizma personale. Në një mbrëmje plot shkëlqim dhe ekstravagancë, Julia Roberts dëshmoi edhe një herë se thjeshtësia e zgjuar dhe buzëqeshja ikonike janë armët e saj më të forta.
Policia ka ndaluar një 39-vjeçar nga Bogdanci, i cili dyshohet për vrasjen e nënës së tij.
Sipas njoftimeve të MPB-së, sot në Zyrën e Policisë në Bogdanc, oficerët e Stacionit Policor Strumicë-Stacioni Policor Gjevgjeli ndaluan P.S. (39) nga Bogdanci.
"Më 11.01.2026 rreth orës 21:00, në apartamentin ku po qëndronin, ndodhi një grindje midis P.S. dhe nënës së tij M.S. (58) nga Bogdanci, e cila u përshkallëzua në një përleshje fizike, në të cilën P.S. e goditi M.S. me sende të mprehta në kokë.
M.S. ka ndërruar jetë nga plagët e marra, ndërsa vdekjen e saj e konfirmoi edhe një mjek nga Shërbimi i Mjekësisë Urgjente të Gjevgjelisë.
Më 12.01.2026, në orën 07:05, P.S. e denoncoi vetë krimin në Stacionin Policor të Bogdancit. Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë dhe një ekip nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të Gjevgjelisë kanë kryer ekspertizë në vendngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, trupi i të ndjerës është dorëzuar për autopsi, ndërsa kundër autorit do të ngrihet kallëzim penal gjatë ditës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "vrasje"", thuhet në njoftimin e MPB-së./Telegrafi/