Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zgjedhjeve në Kosovë dhe fitores së Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, duke theksuar, se rriten shpresat për fundin e bllokadës disamujore politike në Kosovë.
Në një analizë të portalit gjerman, “tagesschau” me titullin “Kurti triumfon qartë” theksohet se partia e Albin Kurtit fiton para së gjithash falë të ardhurve nga diaspora. “Vërtet pati një rritje çuditërisht të madhe të votave për partinë e Kurtit: ajo arriti 42 përqind në zgjedhjet parlamentare në shkurt dhe tani qëndron në rreth 50 përqind. Kjo do të thotë që kriza qeveritare, e cila ka zgjatur për më shumë se dhjetë muaj, mund të jetë duke marrë fund. Me këtë rezultat, Kurti nuk varet më nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tre partitë kryesore opozitare nga spektri liberal deri te ai i qendrës së djathtë.” Por Kurti nuk qeveris dot i vetëm, por ka nevojë për votat e pakicave”, thekson tagesschau.
Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” shkruan se në Kosovë duket se tani mund të marrë fund bllokada politike. Në Prishtinë po festohet, shkruan “Der Spiegel”, dhe kryeministri Kurti e ka zgjeruar mazhorancën duket marrë 56 nga 120 deputetë. “Kurti po përpiqet të zvogëlojë ndikimin serb në Kosovë, gjë që pritet me miratim nga shumë shqiptarë të Kosovës, por në të njëjtën kohë përkeqëson tensionet me Beogradin.”
Edhe portali i televizionit ntv i kushton vëmendje zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar, se në Kosovë po shtohen shanset për t’i dhënë fund bllokimit politik. Kryeministri Kurti fitoi me një rritje të konsiderueshme të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe me distancimin e qartë nga Serbia. “Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, partia e Kryeministrit Albin Kurti ka arritur një rezultat prej gati 50 përqind pasi janë numëruar pothuajse të gjitha votat. Partia e tij e majtë nacionaliste Vetëvendosje (VV) parashikohet të marrë 49.8 përqind të votave në zgjedhjet e së dielës, sipas komisionit zgjedhor. Me këtë rezultat, shanset e Kurtit për t’i dhënë fund bllokimit politik në vend janë rritur ndjeshëm.”
“Süddeutsche Zeitung” në artikullin “Nacionalisti Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë” shkruhet se kryeministri reformist i majtë siguroi shumicën dhe me ndihmën e minoriteteve mund të krijojë qeverinë. Gazeta gjermane thekson, se “nëse formimi i një qeverie do të jetë i pamundur përsëri, kriza politike do të përshkallëzohet në një pikë kritike. Parlamenti duhet të zgjedhë një president të ri në prill dhe të ratifikojë marrëveshjet e kredisë me BE-në dhe Bankën Botërore me një vlerë totale prej një miliard eurosh, të cilat skadojnë në muajt në vijim. Partitë opozitare refuzojnë një koalicion me Kurtin, duke kritikuar marrëdhëniet e tij me aleatët perëndimorë dhe qasjen e tij ndaj pakicës serbe në veri të vendit.
Edhe “Frankfurter Rundschau” i kushton vëmendje zgjedhjeve në Kosovë. “Sipas disa komentuesve, rezultati i fortë i VV-së mund të shpjegohet, pjesërisht, nga potenciali i saj për mobilizimin e elektoratit. Edhe data e zgjedhjeve ka të ngjarë të ketë luajtur një rol: midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shumë kosovarë që jetojnë jashtë vendit vizitojnë atdheun e tyre, përfshirë njerëz nga Gjermania. VV është veçanërisht popullore në mesin e këtij grupi votuesish.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan, se siç pritej kryeministri Kurti i fitoi zgjedhjet në Kosovë. Por habi shkaktoi forcimi i rezultatit. Po merr fund bllokada politike në vendin e vogël ballkanik, pyet FAZ? “Ndërsa kritikët e akuzojnë VV-në për mungesë gatishmërie për kompromis, Kurti theksoi natën e zgjedhjeve se donte të bashkëpunonte më ngushtë me opozitën në të ardhmen, pasi disa vendime në parlament kërkonin një shumicë prej dy të tretash.” Me këtë shtohet shpresa, se vendi do të dalë nga situata e patit politik, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”./DW/
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë treguar profesionalizëm dhe integritet gjatë një patrullimi këmbësor në qytetin e Vushtrrisë, duke gjetur dhe kthyer një portofol të humbur tek pronarja e tij.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites të së hënës, më 29 dhjetor 2025, në rrugën “Wesley Clark”, ku një njësi policore gjatë patrullimit ka hasur në një portofol të humbur. Në portofol ndodheshin një shumë parash, kartela bankare si dhe dokumente të ndryshme personale.
Falë dokumenteve identifikuese, policia ka arritur të identifikojë pronaren e portofolit. Pas kryerjes së verifikimeve të nevojshme, portofoli i është kthyer asaj në gjendje të plotë.
Policia e Kosovës thekson se raste të tilla dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të zyrtarëve policorë për shërbim ndaj qytetarëve dhe ruajtjen e besimit publik.
Khaleda Zia, kryeministrja e parë femër në historinë e Bangladeshit dhe vetëm e dyta në botën myslimane pas Benazir Bhuttos, ka vdekur në moshën 80 vjeç, njoftoi Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP).
Sipas deklaratës së Partisë Nacionaliste të Bangladeshit, Khaleda Zia vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, pasi u përball me probleme serioze shëndetësore vitet e fundit. Sipas mjekëve të saj, ajo vuante nga cirroza e avancuar e mëlçisë, artriti, diabeti mellitus, si dhe probleme me zemrën, të cilat e kishin përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e saj.
Khaleda Zia ishte një figurë ikonike në politikën e Bangladeshit dhe udhëheqëse e BNP-së, partisë së themeluar nga bashkëshorti i saj, Zia Rahman. Zia Rahman ishte një figurë qendrore në luftën për pavarësi të ish-shefit të ushtrisë së Pakistanit Lindor dhe presidentit të gjashtë të vendit para vrasjes së tij në vitin 1981.
Karriera politike e Khaleda Zias ishte e lidhur ngushtë me historinë post-koloniale të Bangladeshit, pasi ajo shërbeu si kryeministre gjatë një periudhe konflikti të fortë politik dhe ndryshimesh të thella shoqërore dhe institucionale. Prania e saj në pushtet shënoi një pikë kthese historike për pozicionin e grave në politikë, jo vetëm në vendin e saj, por edhe në botën myslimane në përgjithësi.
Vdekja e saj shënon fundin e një epoke për Bangladeshin, me skenën politike të vendit që i jep lamtumirën një prej figurave më të njohura dhe më kontroverse në historinë e saj moderne.
Bota e filmit, muzikës dhe televizionit humbi një sërë emrash të njohur këtë vit.
Kaq të ngjeshura ishin njoftimet e trishta, sa ndjesia e krijuar ishte sikur këtë radhë, lajmet e kobshme qenë më të shumta se herë të tjera, dhe rrallimi i plejadës së vjetër të të famshmëve anekënd globit, edhe më i dukshëm se më parë.
E fundit në listë, Brigitte Bardot, ylli i padiskutueshëm i kinemasë franceze në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, simbol i sensualitetit femëror, por edhe i thyerjes së tabuve e cila ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare në Saint Tropez, ku jetonte prej vitesh e tërhequr nga publiku. Presidenti francez Emmanuel Macron e nderoi si “një legjendë të shekullit”. Ajo mishëroi një jetë të lirë, ishte mesazhi i tij në platformën X.
Përpara saj, bota u përball me lajmin e ndarjes nga jeta të një tjetër gruaje të rëndësishme të ekranit të madhe, që arriti të ngrihej në nivelet e legjendës në Hollivud, Diane Keaton, e famshme për rolet e saj ikonike në filma aq të dashur për publikun si Annie Hall, The First Wives Club, apo The Godfather, por edhe për faktin që falë shijeve personale, arriti të cimentonte statusin e vet edhe si një ikonë mode në majat e kësaj industrie. Keaton vdiq në 11 tetor në moshën 79 vjeç, larg shkëlqimit të Hollivudit që pati shënjuar vitet më të rëndësishme të jetës së saj. Në 2025-sën, publiku humbi edhe yllin italian, Claudia Cardinale, e cila la gjurmën e saj në disa prej filmave më të famshëm në historinë e kinemasë si krijimi i pavdekshëm i Sergio Leone-s, Once Upon a Time in the West.
“Djali i artë” i Hollivudit, Robert Redford, u shua dhe ai këtë vit. Redford, trashëgimia e të cilit mbetet e rrënjosur në historinë e kinematografisë, ishte edhe themeluesi i Festivalit të famshëm të Filmit Sundance.
Mbetet i paharruar për brezat interpretimi i tij në filma si Butch Cassidy, Three Days of the Condor apo All the President’s Men.
Michael Madsen nuk jetoi dot më shumë se 67 vjeç; ataku kardiak ia preu jetën në mes aktorit të njohur për bashkëpunimet me Quentin Tarantinon, e sidomos interpretimin brilant në Kill Bill me Uma Thurman.
Legjendari Ozzy Osbourne, vokalisti i Black Sabbath dhe ylli i reality show-t, u shua më 22 korrik. Ai ishte 76 vjeç dhe vetëm disa javë para vdekjes, së bashku me grupin e tij të famshëm të rokut performuan një shfaqje lamtumire para një turme prej 40,000 vetësh në qytetin e tij të lindjes.
Chris Rea, kantautori britanik me ndikim të patjetërsueshëm në muzikën rock dhe blues, ndërroi jetë vetëm 3 ditë përpara Krishtlindjes në moshën 74 vjeçare. Hitet e tij megjithatë, si “Auberge”, “On the Beach” dhe “Road to Hell”, do të vazhdojnë të jehojnë ndër vite.
Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi i njëjti është hasur duke hedhur mbeturina nga vetura në rrugë.
Pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dhënë disa këshilla se si të mbrohemi nga gripi sezonal duke e cilësuar atë si sëmundje akute infektive.
Disa prej këshillave janë: lani duart shpesh me ujë dhe sapun, mbuloni gojën dhe hundën kur kolliteni ose teshtini, shmangni kontaktin e ngushtë me persona të sëmurë, qëndroni në shtëpi nëse jeni të sëmurë, ushqehuni shëndetshëm dhe pini shumë lëngje si dhe vaksinohuni çdo vit kundër gripit sezozal.
Sipas tyre gripi sezonal te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, te të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Tutje thuhet se vaksina kundër gripit është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, paralajmëroi të martën se kuadri evropian i sigurisë është në rrezik, duke shtuar se Kievi duhet të ketë “garanci të forta sigurie”.
Albares tha se foli në telefon me homologun e tij ukrainas Andrii Sybiha dhe shprehu dëshirën e tij që viti 2026 të jetë më në fund një vit paqeje për popullin ukrainas.
“Është e papranueshme që ukrainasit të jetojnë Krishtlindjet nën bomba”, shkroi ai në platformën e mediave sociale X.
Javën e kaluar, sulmet ruse vranë tre persona dhe ndërprenë energjinë elektrike në disa rajone ukrainase, sipas zyrtarëve ukrainas.
Albares tha se e siguroi Sybihën për mbështetjen e Spanjës në negociatat për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Evropa duhet të mbetet e bashkuar dhe e vendosur sepse kuadri i ardhshëm evropian i sigurisë është në rrezik”, tha ai.
“Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie. Çdo vendim për të ardhmen e saj, veçanërisht në lidhje me territoret e saj, mund të merret vetëm nga populli ukrainas”, shtoi kryediplomati spanjoll.
Komentet e tij erdhën pas një takimi të dielën midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në shtetin amerikan të Floridës, ku ata diskutuan për luftën midis Ukrainës dhe Rusisë.
Pas bisedimeve, Trumpi u tha gazetarëve se me presidentin rus Vladimir Putin diskutoi për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
“Moska do të ndihmojë, përfshirë furnizimin me energji, elektricitet dhe gjëra të tjera me çmime shumë të ulëta”, tha presidenti amerikan.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u drejtohet liderëve botërorë para Vitit të Ri të inevstojnë kundër varfërisë dhe jo tek armët. Konfliktet në nivele që nuk i kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Merreni seriozisht! Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres thirrje liderëve botërorë para Vitit të Ri të inevstojnë kundër varfërisë dhe jo tek armët.
“Ndërsa kthejmë faqen e një viti të trazuar, një fakt flet më shumë se fjalët: Shpenzimet ushtarake globale janë rritur në 2.7 trilionë dollarë, duke u rritur me pothuajse 10 përqind. Kjo është trembëdhjetë herë më shumë se e gjithë ndihma për zhvillim, ekuivalente me të gjithë produktin e brendshëm bruto të Afrikës.”, tha Guterres në fjalimin para Vitit të ri, duke theksuar, se e gjitha kjo ndodh, ndërsa konfliktet vazhdojnë të rriten në nivele që nuk i kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Në këtë vit të ri, le të vendosim të sqarojmë prioritetet tona, kërkoi Guterres. Një botë më e sigurt fillon duke investuar më shumë në luftimin e varfërisë dhe më pak në luftëra. Paqja duhet të mbizotërojë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres u drejton thirrje udhëheqësve kudo në botë: Merreni seriozisht. Zgjidhni njerëzit dhe planetin mbi dhimbjen. Dhe i bëj thirrje të gjithë atyre që e dëgjojnë këtë mesazh: Luani rolin tuaj. E ardhmja jonë varet nga guximi ynë kolektiv për të vepruar.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, theksoi në mesazhin e tij për Vitin e Ri: “Këtë vit të ri, le të ngrihemi së bashku: Për drejtësi. Për njerëzimin. Për paqen.”
Gjatë një takimi në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të përmbahet nga masat provokuese në Bregun Perëndimor dhe të rishikojë politikën e tij në zonë
Sipas mediave të huaja, Trump dhe ndihmësit e tij shprehën shqetësim për dhunën e kolonëve kundër civilëve palestinezë, paqëndrueshmërinë financiare të Autoritetit Palestinez dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite.
Administrata amerikane theksoi se çdo përshkallëzim në Bregun Perëndimor mund të dëmtojë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjes së paqes në Gaza dhe marrëdhëniet e Izraelit me vendet evropiane.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka dhënë detaje rreth rastit tragjik që ka ndodhur sot në Prizren, ku si pasojë e zjarrit një fëmijë i moshës njëvjeçare ka humbur jetën.
Ai tha se në shtëpi kanë qenë nëna me katër fëmijët dhe që të gjithë ishin në gjumë.
Kryeziu tha se shkaqet e zjarrit nuk dihen akoma por nuk ka dyshime që bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
“Sot më 30 dhjetor rreth orës 10 të mëngjesit kemi marrë informatë për një zjarr ku po digjej një shtëpi e banimit në qendër të qytetit, saktësisht afër Shtëpisë së Kulturës. Për fat keq kemi edhe një humbje jete. Ajo që dihet deri tani është fakti se në shtëpi ka qenë nëna së bashku me katër fëmijët e saj, ku tre prej tyre kanë shpëtuar, përderisa një fëmijë i moshës rreth 1 vjeç ka humbur jetën. Me të marrë informacionin, policia, hetuesit, zjarrfikësit dhe ekspertët e zjarrit dhe prokurori i rastit janë në vendin e ngjarjes. Është shuar zjarri dhe janë duke u bërë hetime për shkakun e zjarrit…”.
“Ende nuk është fikur në tërësi zjarri për t’i kryer ekspertizat sepse dihet që provat mblidhen në vendin e ngjarjes dhe prokurori i rastit gjendet aty, janë hetuesit dhe po bëhen të gjitha veprimet e duhura për të ardhur te vërtetimi i asaj që ka ndodhur. Deri më tani nuk kemi ndonjë dyshim që kemi zjarrvënie të qëllimshme, mund të ketë arsye tjera por ende është herët të konfirmojmë diçka”, tha ai në T7.
Ai shtoi se fëmijët tjerë janë jashtë rrezikut për jetë.
Kryeziu shprehu ngushëllime familjes për vdekjen e fëmijës dhe tha se institucionet do të punojnë në vërtetimin e shkaqeve që çuan në rastin tragjik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë procesuar 1,039 vendvotime nga Qendrat Komunale të Numërimit, nga gjithsej 2,557, që përbën 40.63 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.
Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje prin me 47.37 për qind të votave të numëruara. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.90 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 12.25 për qind.
Në vendin e katërt është Srpska Lista me 8.29 për qind, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.15 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.33 për qind të votave të procesura deri tani.
Procesi i numërimit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi në Samitin Botëror të Sportit, që u mbajt këto ditë në Dubai, një ndryshim të mundshëm revolucionar të rregullave të pozicionit jashtë loje, të cilin e prezantoi ish-trajneri i famshëm i Arsenalit, Arsene Wenger.
Wenger prezantoi një ndryshim në rregullin e pozicionit jashtë loje dy vjet më parë, dhe IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit) është organi që duhet të njohë çdo rregull futbolli përpara se ai të miratohet.
Ligji i Wenger u krijua si një propozim për të përmirësuar rregullin e pozicionit jashtë loje, pasi shpesh është një burim polemikash kur ndryshimi midis një mbrojtësi dhe një sulmuesi është aq i vogël sa mezi shihet me sy.
Sipas propozimit të tij, pozicion jashtë loje nuk do të shpallej më nëse vetëm një pjesë e trupit të sulmuesit është përpara kundërshtarit, por vetëm nëse i gjithë trupi i sulmuesit është përpara mbrojtësit.
Për këtë ka folur edhe Infantino së fundmi, duke thënë se po shqyrtojnë diçka të tillë.
"Po shqyrtojmë ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje, i cili ka evoluar me kalimin e viteve dhe aktualisht kërkon që sulmuesi të jetë pas mbrojtësit. Ndoshta në të ardhmen sulmuesi do të duhet të jetë plotësisht përpara që të konsiderohet pozicion jashtë loje. Ne vazhdojmë të shqyrtojmë rregullat, duke pyetur veten se si mund ta bëjmë lojën më sulmuese, më tërheqëse", ka thënë Infantino.
IFAB do ta analizojë ligjin e Wenger në një takim më 20 janar në Londër, dhe propozimi do të diskutohet në asamblenë e përgjithshme në Uells në shkurt, dhe synohet të zbatohet sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/
IPKO Telecommunications po vazhdon transformimin e rrjetit të saj mobil, duke investuar fuqishëm në zgjerimin e teknologjisë 5G dhemodernizimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.
Ky hap strategjik synon të ofrojë shpejtësi më të lartë, kapacitet më të madh dhe një përvojë më të qëndrueshme përpërdoruesit, duke përgatitur rrjetin për nevojat e së ardhmes.
Si pjesë e këtij transformimi, IPKO ka përfunduar me sukses ndaljen e teknologjisë 3G në fund të vitit 2025. Kjo teknologji, e cila ka qenë në përdorim që nga viti 2013, i kashërbyer për më shumë se një dekadë përdoruesve, por sot i hap rrugë teknologjive më të avancuara. Mbyllja e 3G ka mundësuar përdorimin më efikas të frekuencave dhe orientimin e plotë të kapaciteteve drejt rrjetit 5G.
Gjatë vitit 2025, IPKO ka fokusuar investimet kryesore në rrjetin 5G në brezin 3.5 GHz,duke e shndërruar atë në shtyllën kryesore të zhvillimit të rrjetit mobil. Teknologjia 5Gështë aktivizuar edhe në 81 stacione bazë, ndërsa kapaciteti është rritur nga 80 MHz në 100 MHz në të gjitha pikat e këtij brezi. Përveç kësaj, janë ndërtuar edhe 20 stacione të reja të telefonisë mobile, duke siguruar mbulim më të gjerë, densitet më të lartë dhe performancë të përmirësuar të shërbimeve 5G.
Paralelisht me zgjerimin e 5G, IPKO ka vazhduar të përmirësojë edhe rrjetin 4G/4G+, duke e zgjeruar atë në 130 stacione bazë. Në zona të caktuara është rritur kapaciteti i4G për të garantuar stabilitet dhe vazhdimësi të shërbimeve gjatë tranzicionit drejt 5G,duke siguruar që përdoruesit të kenë gjithmonë lidhje të besueshme.
“5G është tashmë shtylla kryesore e zhvillimit të rrjetit të IPKO-së. Përmes mbylljes së teknologjive të vjetra dhe investimeve të vazhdueshme në rrjetin e së ardhmes, pondërtojmë një infrastrukturë moderne dhe fleksibël, të gatshme për kërkesat digjitale të viteve që vijnë. Kjo përkthehet në shpejtësi më të lartë, cilësi më të mirë dhe një përvojëmobile pa kompromis për përdoruesit tanë,” – u shpreh Andras Pali, Drejtor Ekzekutiv iIPKO Telecommunications.
Përmirësimet në rrjetet 5G dhe 4G kanë sjellë rritje të dukshme të shpejtësisë dhe performancës së internetit mobil. Sipas të dhënave të Speedtest Intelligence, IPKO renditet përpara operatorëve të tjerë për nga cilësia e shërbimit. Aktualisht, rreth 44% e përdoruesve të IPKO-së përdorin rrjetin 5G, ndërsa përdorimi i teknologjive më të vjetra është minimal.
Sipas të dhënave zyrtare të ARKEP, IPKO mban 55.08% të tregut të telefonisë mobile në Kosovë, përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Ky rezultat pasqyron investimet e vazhdueshme në rrjet dhe zgjerimin e mbulimit në të gjitha rajonet e vendit,përfshirë edhe pjesën veriore (me përjashtim të Zubin Potokut).
Me këtë qasje të orientuar drejt së ardhmes, IPKO po ndërton një ekosistem modern të rrjetit mobil, ku 5G udhëheq inovacionin, 4G siguron stabilitetin dhe 3G mbyllet si kapitull teknologjik. Kjo krijon një bazë të fortë për zhvillim digjital afatgjatë dhe për përmirësimin e përvojës së përdoruesve në gjithë Kosovën.
Si lider i tregut të telefonisë mobile, IPKO vazhdon të vendosë standarde të reja të performancës dhe shërbimit, duke sjellë teknologji inovative dhe lidhje më të shpejtë e më të besueshme për të gjithë përdoruesit.
Temperatura rekord prej gati 20°C u arritën në Islandë në prag të Krishtlindjeve, konfirmoi zyra lokale meteorologjike.
Seyðisfjörður, një qytet i vogël në lindje të Islandës, arriti 19.8°C më 24 dhjetor. Temperaturat mesatare të dhjetorit në Islandë janë midis -1°C dhe 4°C.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, atje, ishte një ditë e nxehtë në përgjithësi: një temperaturë prej 19.7°C u mat në Bakkagerði në Borgarfjörður lindor, në lindjen e largët të vendit.
Rekordi i mëparshëm u vendos më 2 dhjetor 2019, kur temperatura u mat në 19.7°C në Kvískerjar në Öræfi, në juglindje të Islandës.
Birgir Örn Höskuldsson, nga Zyra Meteorologjike Islandeze, i tha agjencisë së lajmeve RÚV se kushtet për rekordin e temperaturës ishin krijuar për shkak se ajri i ngrohtë me origjinë tropikale ishte mbi vend.
Një sistem i fortë me presion të lartë po tërhiqte ajër të ngrohtë dhe të lagësht në jug dhe po pengonte ajrin e ftohtë të hynte brenda.
Siç vlerësohet më tej, Islanda po ngrohet për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe çlirimi i gazrave serrë në atmosferë.
Në maj, pati valë të nxehta rekord në të gjithë vendin me zona 3-4 gradë Celsius më të nxehta se zakonisht.
Rekordet e temperaturës së majit u vendosën në 94% të të gjitha stacioneve automatike që kanë funksionuar për të paktën 20 vjet.
Temperatura më e lartë ishte 26.6 gradë Celsius në aeroportin Egilsstaðir në Islandën Lindore më 15 maj.
Në fillim të këtij viti, mushkonjat u gjetën në Islandë për herë të parë pasi ngrohja globale e bën atë më mikpritëse për insektet.
Vendi deri atëherë ishte një nga vetëm dy vendet që nuk kishin një “popullsi mushkonjash”, tjetri ishte Antarktida.
Studimet kanë treguar se rajoni i Arktikut po ngrohet me katër herë më shumë se pjesa tjetër e planetit, dhe Islanda ka përjetuar nxehtësi rekord këtë vit. /Telegrafi/
Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, gjatë ditës së sotme, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se operacioni policor ndërlidhet me një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur më 28.12.2025 në Prishtinë.
Personi i dyshuar, G.P., mashkull, 42 vjeç, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/
Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot njoftoi se është marrë vendim të blihen lokomotiva të reja elektrike në vlerë prej 21 milionë eurosh.
"Jemi veçanërisht të kënaqur të njoftojmë investimet në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të destinuara për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë.
Ky investim do të realizohet nëpërmjet një Marrëveshjeje Huaje midis HM Transport dhe BERZH-it, dhe u parapri nga një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport - një analizë që tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik.
Dhe duhet të themi sinqerisht se situata që trashëguam ishte katastrofike.
Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Më shumë se njëzet trena ndërkombëtarë mallrash u ndalën në Gjevgjeli, pa mundësinë e transportimit të ngarkesës në tregjet evropiane. Kjo do të thoshte humbje kontratash, humbje të ardhurash dhe humbje besimi.
Por gjërat filluan të ndryshojnë. Me punë të palodhur, të përkushtuar dhe të përgjegjshme, nga korriku deri në shtator 2024, pesë lokomotiva u vunë në funksion, dhe deri në shkurt 2025 - gjithsej dhjetë nga 46 lokomotiva ekzistuese. Ishte hapi i parë drejt stabilizimit, por edhe një sinjal i qartë se problemet nuk zgjidhen me deklarata, por me punë.
Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin, mosha mesatare e lokomotivave me naftë është mbi 60 vjet, dhe e lokomotivave elektrike mbi 40 vjet. Kjo nuk është e qëndrueshme, as ekonomikisht, as në mënyrë të sigurt dhe as mjedisore", tha kryeministri Hristijan Mickoski./Telegrafi/
Me theksin e tij të rremë anglez, drejtuesi misterioz i radios transmetonte për në Mbretërinë e Bashkuar nga një stacion gjerman, duke përhapur thashetheme dhe ekzagjerime në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore.
Nga: Greg McKevitt / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Tre ditë përpara dorëzimit pa kushte të Gjermanisë - në Ditën e Fitores në Evropë [VE Day], në maj të vitit 1945 - korrespondenti i luftës nga BBC-ja, Wynford Vaughan-Thomas, foli nga një studio radioje në Hamburg, në të njëjtin mikrofon dhe gjatësi valore në të cilat disa javë më parë ishte transmetuar propaganda naziste. “Sonte nuk do të dëgjoni mendimet mbi lajmet nga William Joycei. Sepse z. Joyce, Lordi Haw-Haw për shumicën prej nesh në Britani, ka qenë shumë i pafat për ta ndërprerë karrierën e tij të transmetimit ... Kjo është BBC-ja që thërret të gjithë dëgjuesit e përvuajtur në Britani, të cilët për gjashtë vjet janë detyruar të durojnë tonet helmuese të z. Joyce”. Duke kërkuar në tavolinën e Joyceit, Vaughan-Thomas gjeti orarin e tij për 10 prill 1945: “Në fund të tij ndodhet pika e lavdishme: ora 14:50 deri 15:10, ‘një pauzë për të mbledhur mendjen’”.
Joyce kishte ikur nga qyteti i shkatërruar nga lufta, disa javë më parë, me dokumente false - i dëshpëruar dhe me shpresën për t’i shpëtuar kapjes nga forcat aleate të cilat po përparonin. Në incizimin e tij të fundit, ai tingëllon i dehur dhe i mundur: “Gjithmonë kam shpresuar dhe besuar se, në fund të fundit, do të kishte një aleancë ... midis Anglisë dhe Gjermanisë. Epo, për momentin kjo duket e pamundur. Mirë. Nëse nuk mund të ketë, atëherë vetëm mund të them se e gjithë puna ime ka qenë e kotë”. Incizimi, i marrë nga një regjistrues i arrestuar nazist, mund të mos jetë transmetuar kurrë. Si nazist i përkushtuar deri në fund, ai e mbylli me fjalët: “Es lebe Deutschland [rroftë Gjermania], Heil Hitler dhe lamtumirë”.
William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte propagandist nazist në radio(Getty Images)
Ishte një fund i turpshëm për një njeri që ishte bërë emër i njohur në çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, pasi shpërtheu lufta në shtator 1939. Qytetarët britanikë prisnin që Hitleri të niste menjëherë një sulm shkatërrimtar, por kur kjo nuk ndodhi, qetësia e tensionuar u pagëzua si Lufta e Rreme. Në ato ditë të para, rreziku kryesor në frontin e brendshëm nuk ishin sulmet ajrore, por lëndimet e kyçeve. Për të penguar bombarduesit gjermanë, qeveria vendosi një errësirë të detyruar. Deri në Krishtlindje të vitit 1939, një sondazh i Gallup-it zbuloi se një e pesta e popullsisë së vendit kishte rënë nga shkallët, ishte përplasur në errësirë apo kishte pësuar dëmtime të tjera, kryesisht të lehta. Vdekjet në rrugë pothuajse u dyfishuan, derisa racionimi i karburantit uli qarkullimin. Vendet e argëtimit u mbyllën dhe tubimet u ndaluan, ndaj në mbrëmje njerëzit kishin pak zgjedhje përveçse të qëndronin në shtëpi dhe të dëgjonin radion.
Shumëkush nuk ishte i kënaqur me programin e mërzitshëm të BBC-së, me buletine të shkurtra ku kishte pak gjëra për të raportuar, njoftime të mërzitshme publike dhe gjëra shtesë si recitalet me organo të Sandy MacPhersonit. Më tutje, në valët e radios, dëgjuesit e shqetësuar gjenin diçka më të gjallë: një burrë misterioz që transmetonte përmes valëve të mesme në Reichs-Rundfunk-Gesellschaft (RRG) - e nacionalizuar nga nazistët. Me theks të ekzagjeruar, nazal dhe të klasës së lartë angleze, ai prezantohej me shprehjen e njohur: “Gjermania thërret, Gjermania thërret”.
Lord Haw Haw, transmetimi i fundit më 1945
Kritiku i radios në The Daily Express, Jonah Barrington, e quajti atë “Lord Haw-Haw”, dhe kjo nofkë mbeti. Qëllimi i Barringtonit ishte ta përqeshte propagandistin nga Gjermania, por rezultoi se shumë dëgjuesve u pëlqente efekti tronditës i aktit të ri të shëmtuar të Haw-Hawit. Stili i tij ishte të argëtonte, ndërkohë që minonte moralin e audiencës britanike duke përhapur dyshime përmes thashethemeve gjysmë të besueshme, ekzagjerimeve dhe talljes. Në një transmetim, ai fliste për “panikun dhe konfuzionun ... që po përhapeshin çdo orë” në Britani. “Çudia e vetme është se populli i këtij ishulli të dënuar vonoi kaq shumë për të kuptuar se në çfarë pozicionesh i kishin futur politikanët e tyre”, tha ai.
Në një tjetër, Haw-Hawi tallte frikën e njerëzve për rrezikun e bombave gjermane. Ai tha: “Ministria Britanike e Dezinformimit ka zhvilluar një fushatë sistematike për të frikësuar gratë dhe vajzat britanike për rrezikun e plagosjes nga copëzat e bombave gjermane. Gratë kanë reaguar ndaj këtyre sugjerimeve dhe alarmeve duke kërkuar nga kapelapunuesit e tyre që kapelat e pranverës dhe verës t’i bëjnë nga llamarina shumë e hollë”. Nuk duket shumë gazmore sot, por ndoshta duhej të ishe aty për ta kuptuar.
William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw (në të majtë), me Bashkimin Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Oswald Mosley(Getty Images)
Në kulmin e transmetimeve të tij, gjashtë milionë britanikë e ndiqnin çdo natë pas lajmeve të orës 21:00. Profesori Tom Harrisson, ish-këshilltar i Ministrisë Britanike të Informacionit, i tha BBC-së në vitin 1975 se, ndërsa shumë njerëz nuk i kuptonin ulërimat në gjermanisht të figurave naziste si Goering dhe Hitler, Haw-Hawi ishte “në disa mënyra ... disi qetësues, sepse nuk tingëllonte dhe aq keq. Ndoshta armiku nuk do të ishte aq i tmerrshëm”.
William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte zhvendosur në Gjermani një muaj para shpërthimit të luftës, bashkë me gruan e tij të dytë, Margaret, gjithashtu fashiste. Duke pasur frikë nga internimi në Angli, ai rinovoi pasaportën britanike duke pretenduar rrejshëm se ishte shtetas britanik nga lindja. Ky doli të jetë një gabim fatal.
Transmetimi i Lordit Haw-Haw ku tallet me kapelat e grave
Në fakt, Joyce kishte lindur në Bruklin në vitin 1906, ishte zhvendosur në Irlandë në moshën trevjeçare dhe ishte rritur në qarkun Goluei. Si adoleshent gjatë Luftës së Pavarësisë së Irlandës, ai veproi si korrier për inteligjencën ushtarake britanike. Kjo sjellje bëri të mos ketë shumë miq në Irlandë, dhe pas përfundimit të luftës, familja u shpërngul për një jetë të re në Angli.
Si i ri, ai u tërhoq nga ideologjitë ekstreme të djathta që po përhapeshin në Evropë, dhe në vitin 1932 iu bashkua Bashkimit Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Sir Oswald Mosley. Ai e fitoi reputacionin si orator i zjarrtë dhe u emërua drejtor i propagandës së partisë. Por, vala u kthye kundër partisë, duke kulmuar në Betejën e Kejbël-Stritit në vitin 1936, kur këmishëzinjtë e Mosleyt u sulmuan dhe u zmbrapsën nga hebrenjtë dhe punëtorët irlandezë në lindje të Londrës. Joyce, i dëbuar, krijoi Lidhjen e tij Nacionalsocialiste, por duke mos gjetur atdhe mikpritës për antisemitizmin e tij të egër, shpejt ndjeu se po e thërriste Gjermania.
Arrestimi i Lordit Haw-Haw
Nën luftën e fjalëve të Joseph Goebbelsit, programet në anglisht u transmetuan drejt Britanisë. Të përbërë nga fashistët britanikë dhe gjermanë që flisnin anglisht, RRG-ja transmetonte propagandë që promovonte mënyrën naziste të jetës dhe nxirrte në pah problemet shoqërore britanike. Mendohet se zëri i parë i Lord Haw-Hawit ishte në fakt ai i një gjermani, Wolf Mittler, por disa javë pas shpërthimit të luftës, fashisti llafazan Joyce e gjeti punën e ëndrrave të tij.
Transmetimet e Joyceit fituan njëfarë respekti edhe mes atyre që përçmonin mesazhin e tij. Kritiku dhe autori Harold Hobson i shkroi The Times-it më 29 dhjetor 1939, duke lavdëruar transmetimin e Haw-Hawit në prag të Krishtlindjes për ngritjen e “ngazëllimit festiv”, me talljen e tij se racionimi i kishte kufizuar britanikët në “çerek kile gjalpë në javë”. Hobsoni shtoi se BBC-ja mund ta kishte hedhur lehtësisht poshtë këtë pretendim duke përmendur se Haw-Hawi nuk kishte përfshirë atë që merrnin gjermanët - gjë që, me shumë gjasë, ishte edhe më pak.
Por, shpejt, shakaja e Lord Haw-Hawit nuk ishte më aq qesharake. Pushtimi i Danimarkës dhe Norvegjisë më 9 prill 1940 u pa si pika e kthesës, kur e ashtuquajtura Lufta e Rreme e Britanisë përfundoi dhe nisi lufta e vërtetë. Ndërkohë, perceptimi publik për BBC-në ndryshoi ndjeshëm, ndërsa kjo e fundit u rikrijua si një burim jetik informacioni për njerëzit në frontin e brendshëm dhe në forcat e armatosura. Haw-Hawi u bë gjithnjë e më i parëndësishëm dhe, në kohën e transmetimit të tij të fundit të dehur në prill 1945, loja kishte përfunduar si për të ashtu edhe për regjimin nazist.
Dokumentar për tradhtinë e Lordit Haw-Haw
Ndërsa forcat aleate përparonin në Gjermani, Joyce dhe gruaja e tij planifikuan të iknin drejt Suedisë për të kaluar më pas në Irlandën neutrale. Ata arritën vetëm deri në portin baltik të Flensburgut, pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën. Me identitete false, u vendosën në një fshat aty pranë dhe ndonjëherë bisedonin me ushtarët britanikë të cilët nuk kishin asnjë ide se kush ishin ata. Por, një ditë, fati i Joyceit mori fund kur hasi dy oficerë britanikë ndërsa po mblidhte dru.
Njëri prej tyre, Geoffrey Perry, i tregoi BBC-së se si nisën të flisnin me këtë “figurë shumë të çuditshme, që dukej si endacak”. Kolegu i tij vërejti se ai “tingëllonte tmerrësisht si William Joyce”. Pas një bisede të këndshme për drurët halorë dhe gjetherënës, Perry tha se ishte i sigurt për dy gjëra: ishte Joyce dhe kishte armë. Kur i panjohuri ngriti një trung me të dyja duart, Perry e shfrytëzoi momentin e tij. Para se burri të kishte mundësi të reagonte, ai e pyeti: “Nuk je ti vallë, rastësisht, William Joyce”? Perry i tha BBC-së se çfarë ndodhi më pas: “Dhe, dora e tij u shkoi drejt xhepit. Mendova se po kërkonte armën. Nxora pistoletën time, e drejtova poshtë dhe qëllova”. Plumbi i oficerit e qëlloi Joycein në të pasmet. Një ironi e bukur është se Perry ishte hebre dhe kishte lindur në Gjermani: vetëm pasi ishte zhvendosur në Britani në vitet 1930, ai kishte ndryshuar emrin nga Horst Pinschewer.
Joycei u soll në Angli i plagosur dhe u akuzua për tradhti të lartë. Por, si mund të akuzohej një irlandezo-amerikan për tradhti ndaj Britanisë? Fati i Joyceit u vulos nga aplikimi i nxituar për pasaportën të cilën e kishte bërë në prag të luftës.
I fotografuar në robëri, në maj 1945, Lordi Haw-Haw më vonë u var për tradhti të lartë(Getty Images)
Juristi më i lartë britanik i kohës, Sir Hartley Shawcross, i tha BBC-së në vitin 1975 se Joyce “e kishte veshur veten me flamurin britanik” dhe kishte qenë nën mbrojtjen e Kurorës Britanike, gjë që nënkuptonte se ishte akt tradhtie ndihma që ai ia kishte dhënë armikut të Britanisë gjatë luftës. Juristët e tjerë nuk u pajtuan, si Sir John Foster QC, i cili e përshkroi akuzën për tradhti të lartë si “gjueti gjaku”. Ai tha në të njëjtin dokumentar: “Ai u shpall fajtor mbi bazën e një pasaporte që kishte marrë në mënyrë të rreme, gjë që sipas mendimit tim nuk nënkuptonte ndonjë mbrojtje nga ana e Kurorës dhe për rrjedhojë as ndonjë besnikëri nga William Joyceit”.
Megjithatë, Joyce u dënua për tradhti të lartë për shkak se “kishte mbajtur anën e armiqve të Mbretit” duke transmetuar në emër të tyre ndërmjet 18 shtatorit 1939 dhe 2 korrikut 1940 - data kur skadoi pasaporta e tij britanike dhe ai u bë shtetas gjerman. Rasti kaloi në disa shkallë apelimi, por vendimi mbeti i njëjtë. Ai nuk u pendua deri në fund. Në mëngjesin e 3 janarit 1946, u ekzekutua me varje në burgun “Wandsworth” në Londër. U varros në një varr pa shenjë në territorin e burgut.
Tridhjetë vjet më vonë, pas një fushate të gjatë nga vajza e tij Heather, eshtrat e Joyceit u zhvarrosën dhe u rivarrosën në qarkun Goluei. Njeriu që lindi si amerikan, jetoi si gjerman dhe vdiq si tradhtar britanik, u varros më në fund si irlandez. /Telegrafi/
Pas publikimit të dokumentarit "Sean Combs: The Reckoning", P.Diddy filloi një konflikt me Netflix dhe 50 Cent dhe në përputhje me rrethanat, një padi e re mund të ngrihet së shpejti.
Konkretisht, në film, 50 Cent përdori incizime që Diddy i kishte mbledhur prej vitesh për projektin e tij.
Në film, ai ngriti akuza dhe sugjeroi që Diddy ishte i përfshirë në vrasjen e Tupac Shakur në vitin 1996, gjë që Diddy e mohoi.
“P Diddy dhe ekipi i tij po shqyrtojnë ende mundësitë ligjore në lidhje me dokumentarin e Netflix dhe pamjet e vjedhura”, tha zëdhënësi i tij për Deadline.
Pas publikimit të filmit, djali i Diddyt u përfshi në konfliktin midis Diddyt dhe 50 Cent.
Gjithashtu, ekipi ligjor i Diddyt e quajti më parë këtë dokumentar një sulm të turpshëm.
"Siç e dinë Netflix dhe CEO Ted Sarandos, Diddy ka mbledhur pamje që kur ishte 19 vjeç për të treguar historinë e tij në mënyrën e tij.
Është e padrejtë dhe e paligjshme që Netflix të përvetësojë atë punë", thanë ata. /Telegrafi/
Liverpooli e ka nisur keq sezonin në të cilin po mbrojnë titullin e kampionit të Anglisë dhe drejtuesit e Reds, duke gjykuar nga lëvizja e fundit që bënë, e kanë gjetur fajtorin.
Liverpooli ka njoftuar se Aaron Briggs, trajneri përgjegjës për ndërprerje në stafin stërvitor të Arne Slott, është shkarkuar nga puna.
Briggs u bashkua me klubin sezonin e kaluar si trajner për zhvillimin individual të lojtarëve, dhe para fillimit të këtij sezoni, Slot e riemëroi atë në pozicionin e trajnerit për ndërprerje.
Por, është e qartë se Briggs nuk bëri një punë të mirë në atë pozicion sepse Liverpooli pësoi 12 gola nga ndërprerjet këtë sezon, që është më shumë se çdo skuadër në “pesë ligat kryesore”.
Liverpooli nuk e ka emëruar pasardhësin e tij, kështu që Slot do të punojë pa një person përgjegjës për ndërprerjet deri në njoftim të mëtejshëm, dhe do të shohim nëse ky veprim i drejtuesve të Liverpoolit do të ketë efekt në pjesën tjetër të sezonit. /Telegrafi/