22:59 “Nuk e prisja kurrë nga ajo!” Mateo zemërthyer pas nominimit
Nominimi i Mateos nga Brikena gjatë Prime-it të mbrëmshëm në “Big Brother VIP Albania” ka sjellë një valë reagimesh dhe emocionesh brenda shtëpisë. Reagimi më i fortë erdhi vetë nga Mateo, i cili u shfaq dukshëm i prekur dhe i zhgënjyer në dhomën e rrëfimit.
“Nuk e prisja. Për mua ishte shumë zhgënjyese,” u shpreh ai, duke theksuar se nuk e kishte imagjinuar kurrë veten në këtë situatë, e aq më pak të nominuar pikërisht nga Brikena. Sipas tij, vendimi ishte i papritur dhe emocionalisht i rëndë.
Pas reagimit të Mateos, për herë të parë foli edhe Brikena në dhomën e rrëfimit gjatë pasdites së sotme, ku dha versionin e saj të ngjarjes. Ajo mohoi kategorikisht që nominimi të ketë qenë një akt hakmarrjeje. “Hakmarrje, asnjëherë! Më ka bërë të ndihem keq dhe në atë moment më erdhi emri i tij, kaq,” deklaroi ajo.
Brikena iu referua një situate të mëparshme që lidhej me Mateo dhe Kristin, ku sipas saj, Mateo kishte pohuar se mes tyre kishte ndodhur një puthje diçka që ajo e mohon. Ajo theksoi se nuk mban përgjegjësi për keqkuptimet dhe se për të, e vërteta është parimi kryesor.
“Nuk është çështja te puthja, sepse nuk ka asgjë të keqe të puthësh një person. Por kur diçka nuk ka ndodhur, unë dua që të thuhet e vërteta,” u shpreh Brikena.
Reagimi i saj lë të kuptohet se nominimi ishte më shumë rezultat i dinamikave të lojës dhe situatave të krijuara brenda shtëpisë, sesa një vendim i nxitur nga mllefi apo hakmarrja. Ndërkohë, tensionet mes banorëve pritet të ndikojnë edhe më tej në rrjedhën e lojës dhe marrëdhëniet mes tyre./mxh
