Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 February 2026Main stream

Vdekje e dyshimtë në Gjilan, trupi dërgohet për obduksion

8 February 2026 at 09:12


Një person mashkull është gjetur pa shenja jete rreth orës 12:00 në Gjilan. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.

Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe mbetet nën hetime nga organet kompetente./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Gjendet pa shenja jete një 50-vjeçar në Bilinicë të Gjilanit

7 February 2026 at 15:49


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur pa shenja jete një person në fshatin Bilinicë të komunës së Gjilanit.

Rastin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Personi pa shenja jete është gjetur nga familjarët e tij.

“Më datën 07.02.2026 rreth orës 12:20, kemi pranuar informacion se në fshatin Bilinicë të komunës së Gjilanit, nga familjarët është gjetur pa shenja jete një person mashkull, i vitit të lindjes 1976.

Njësitet relevante policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi është pa shenja jete”, tha Osmani.

Hetimet lidhur me ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rasti janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetime Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërgua r në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Telegrafi/

Aksident trafiku në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person i lënduar

6 February 2026 at 18:43


Një aksident trafiku ka ndodhur të premten pasdite në aksin rrugor Gjilan–Kamenicë, ku dyshohet se një vozitës ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00.

Sipas Osmanit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të trajtuar rastin. Si pasojë e aksidentit, vozitësi ka pësuar lëndime trupore dhe është duke pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan.

Policia ka bërë të ditur se rrethanat dhe shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar nga njësia e hetimeve të aksidenteve.

Aksident në Slivovë të Prishtinës, rrotullohet një veturë

6 February 2026 at 12:58


Një aksident ka ndodhur sot gjatë ditës në Slivovë të Prishtinës, ku një veturë është rrotulluar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ka vetëm dëme materiale.

Lajmi në përditësim...

Policia jep detaje nga gjuajta me armë mes dy grupeve në Gjilan ku u plagos një person

5 February 2026 at 13:28


Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e një shkëmbimi zjarri mes dy grupeve nga veturat, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më 4 shkurt, rreth orës 18:00 në Gjilan. I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka konfiskuar gëzhoja, karikatorë, fishekë, telefona mobilë dhe dy vetura.

“Njësitet e hetuesisë kanë arritur që të identifikojnë tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë, ku dy prej tyre janë arrestuar dhe nga ta janë konfiskuar; 7 gëzhoja të kalibrit 9mm, dy karikatorë me 18 fishekë të kalibrit 7.62 mm, celularë dhe dy vetura”, thuhet në njoftimin e organeve të rendit.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje, ndërsa rasti është nën hetime.

Të shtëna me armë zjarri në Gjilan, një i plagosur

By: Elva
4 February 2026 at 21:43

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në rrugën Gjilan – Kamenicë, pranë një karburanti. Si pasojë e të shtënave, një person ka mbetur i plagosur. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, bëri të ditur se dyshohet se në ngjarje kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. “Njësitet […]

The post Të shtëna me armë zjarri në Gjilan, një i plagosur appeared first on BoldNews.al.

Manipulimet me vota në rajonin e Gjilanit, prokuroria jep detaje rreth intervistimit të të dyshuarve

3 February 2026 at 15:21


Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, përfshirë falsifikimin apo ndryshimin e rezultateve në favor ose në dëm të subjekteve politike apo kandidatëve për deputet.

Sipas njoftimit për media, autorizimi është dhënë më 20 janar 2026, ndërsa provat konkrete lidhur me këto dyshime janë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.

“Më 3 shkurt 2026, Prokuroria ka autorizuar intervistimin e të dyshuarve, duke filluar nga Komuna e Vitisë, ku pas rinumërimit është vërejtur ndryshim më i madh i rezultateve krahasuar me komunat e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut dhe Parteshit. Intervistimet në këto komuna janë ende në proces”, thuhet në njoftim.

Prokuroria bën të ditur se në territorin e saj nuk ka dallime të theksuara mes rezultateve paraprake dhe atyre pas rinumërimit të votave, duke theksuar se vetëm një kandidat ka rezultuar me 145 vota më pak, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë kanë ndryshime më të vogla.

Hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë personave të dyshuar, përveç nëse paraqiten rrethana të reja.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të hetojë dhe të sjellë para drejtësisë çdo person që ka keqpërdorur qoftë edhe një votë, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/

Dyshime për manipulim të votave edhe në Gjilan, Prokuroria nis intervistimin e të dyshuarve

3 February 2026 at 10:54


Ka nisur intervistimi lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore edhe në rajonin e Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.

Ai ka bërë të ditur se organet e drejtësisë janë duke vepruar në kuadër të hetimeve dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë intervistimin e personave të dyshuar për këtë çështje.

“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha ai.

Kadriu nuk ka dhënë detaje shtesë rreth numrit të personave të intervistuar.

Rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me institucionet përkatëse.

Kujtojmë se deri më tani ka komisionerë dhe kryesues të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq./Telegrafi/

Zhduket një grua në Gjilan, rasti po hetohet

2 February 2026 at 08:50


Një grua ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “Avdulla Tahiri”, në Gjilan.

Tutje bëhet e ditur në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet.

“Rr. Avdulla Tahiri, Gjilan /01.02.2026 – NN. Është raportuar se viktima femër kosovare prej datës 29.01.2026 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Nis tenderimi i projekteve milionëshe në vazhdën e heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja

31 January 2026 at 22:50


Pas heqjes së grupit paraprak të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar në vlerë të përgjithshme rreth 216 milionë euro, por edhe atyre më herët, kanë nisur të vërehen efektet e para.

Derisa ka projekte që veçse kanë rinisur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja theksoi se synon që këtë fillimvit të zhbllokojë edhe 205 milionë euro të tjera në projekte.

Duke thënë se në këtë fazë nuk mund të publikojnë listën e plotë, BE-ja bëri një kategorizim sipas programeve, ku përfshihen investime që ishin nisur para pesë vjetësh në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim.

“Kjo do të bëhet në linjë me konkluzionet e Presidencës për zgjerimin të miratuara më 16 Dhjetor, që do të lejojë kontraktimin e mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të Fondit për Investime në Ballkanin Perëndimor (132 milionë euro)“, thuhet në përgjigjen nga Bashkimi Evropian.

Kjo pritet të shkaktojë një valë të re të vazhdimit të projekteve që u mbajtën pezull që nga Qershori 2023, si pasojë e masave që ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell i kishte quajtur sanksione.

Nga efektet e para të masave që veçse janë hequr vitin e kaluar është tenderi për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

Ky projekt në vlerë rreth 11 milionë euro ishte nënshkruar në Maj të vitit 2020 dhe ka për qëllim përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe uljen e ndotjes ujërave.

“Përshkrimi: furnizim me dhe instalimi i rreth 12.5 km tubacione të kanalizimit në zonën urbane dhe atë rurale, ndërtimi i dhomave të tejmbushjes, e po ashtu furnizimi dhe instalimi i rreth 3.5 km tubacione për furnizim me ujë të pijshëm në zonën e impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza”-Dosja e Tenderit.

Më 16 Dhjetor, BE-ja kishte njoftuar lirimin e katër projekteve në vlerë të përgjithshme 34.6 milionë euro.

Prej tyre projekti më i madh i zhbllokuar ishte ai në vlerë 17.6 milionë euro për dyfishimin e kapacitetit të ngrohjes në Prishtinë, që mundëson vazhdimin e zgjerimit të rrjetit të Termokosit dhe kyçjen e rreth 20 mijë konsumatorëve të rinj.

Pas tij, vjen projekti në vlerë 12 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza te Termocentrali “Kosova B”./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Mbyllet edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës “Talia e Flakës” në Gjilan

29 January 2026 at 08:37


Në Gjilan është përmbyllur edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2026”, me shfaqjen e natës së pestë “Gërdia”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Gërdia”, një dramë psikologjike intime, trajton krizën e brendshme të një burri, fajin, heshtjen dhe frikën nga ekspozimi emocional, duke hapur tema mbi burrërinë, ndjenjat e shtypura dhe rutinën e jetës pa kuptim. Konflikti dramatik lidhet me një ngjarje traumatike të fëmijërisë së kryepersonazhit, e cila shpaloset gradualisht deri në qartësimin final të veprës.

Produksioni, i cili më herët është vlerësuar si tekst fitues në Konkursin e Dramës Kombëtare “Katarina Josipi”, u prezantua në konkurrencën zyrtare të festivalit dhe u prit pozitivisht nga publiku gjilanas. Jehona e festivalit, i konsideruar unik për nga struktura organizative dhe përmbajtësore në dramaturgjinë kombëtare, si dhe fakti që shfaqja mban vulën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sollën në sallë artdashës nga qytete të ndryshme shqiptare.

Interesimi i publikut ishte i kënaqshëm edhe në natën përmbyllëse, duke pasur parasysh se “Gërdia”, me autorësi të dyfishtë të Asdrit Kabashit, është një realizim i ri dhe në Gjilan u prezantua në fazën e hershme të rrugëtimit të saj artistik. Në sallë ishin të pranishëm artdashës nga Prishtina, Gjilani, Podujeva, Ferizaji, Lipjani, Dibra dhe qytete të tjera.

Vlerësimet kritike për shfaqjen ishin të balancuara, ndërsa loja e aktorëve u veçua si një nga pikat më të forta të realizimit, me theks të veçantë në interpretimin e aktorit Bujar Ahmeti. Dramaturgu Agron Gërguri e cilësoi veprën si “një ndërtim mbi fotografinë e depresionit kolektiv, të personifikuar përmes një personazhi”, duke theksuar fuqinë e ansamblit aktorial. Ndërkohë, kritiku Shemsi Doda vlerësoi se shfaqja ndërtohet mbi një narracion të paqëndrueshëm, ku kufiri mes reales, ëndrrës dhe makthit shpesh mbetet i paqartë.

Me shfaqjen “Gërdia” është ulur perdja e edicionit të 35-të të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”. Vlerësimi i shfaqjeve pjesëmarrëse i mbetet jurisë profesionale në përbërje: Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi, të cilët do të ndajnë çmimet në gjashtë kategori, përfshirë shfaqjen më të mirë, regjinë, tekstin dhe interpretimet aktoriale.

Pas përmbylljes së festivalit të dramës, Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” vazhdon me aktivitete në fushën e arteve muzikore dhe letrare, deri më 31 janar, kur pritet të mbyllet zyrtarisht me ndarjen e çmimeve në katër shtyllat kryesore artistike. /Telegrafi/


Sulmohet seksualisht një grua në Gjilan, arrestohet i dyshuari

28 January 2026 at 09:44


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua është sulmuar seksualisht.

Rasti ka ndodhur të martën në Gjilan.

“Gjilan 27.01.2026-12:30. Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje. /Telegrafi/

Mbyllet për qarkullim magjistralja Ferizaj–Gjilan, vërshohet sërish segmenti në fshatin në Sojevë

27 January 2026 at 08:50


Magjistralja Ferizaj–Gjilan është mbyllur për qarkullim në segmentin e fshatit Sojevë, si pasojë e vërshimit të trasesë së rrugës pas reshjeve të mbrëmshme të shiut.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se grumbullimi i ujit në rrugë ka pamundësuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks.

“Aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, është i mbyllur për qarkullim”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka shtuar se për të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim janë përcaktuar rrugë alternative.

“Të gjitha automjetet udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën Ferizaj–Mirosal–Gjilan dhe anasjelltas”, ka theksuar Veseli.

Sipas Policisë, kjo nuk është hera e parë që ky segment rrugor vërshohet, pasi situata të ngjashme janë shënuar edhe gjatë reshjeve në fillim të këtij viti, si dhe vitin e kaluar, duke shkaktuar dëme në biznese dhe toka përreth.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe kushteve të vështirësuara atmosferike.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

Spitali i Gjilanit ofroi mbi 150 mijë shërbime specialistike gjatë vitit 2025

26 January 2026 at 14:59


Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka realizuar gjithsej 150 mijë e 68 shërbime specialistike gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të këtij institucioni shëndetësor.

Sipas të dhënave, në ambulancat specialistike të spitalit gjatë vitit 2025 kanë marrë shërbime shëndetësore 150 mijë e 68 pacientë, duke dëshmuar fluks të lartë dhe angazhim të vazhdueshëm të stafit mjekësor.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar në repartet spitalore gjithsej 14 mijë e 72 pacientë të shtrirë, në të gjitha shërbimet e spitalit.

Nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit theksohet se angazhimi për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta mbetet i pandërprerë, ndërsa shëndeti i pacientëve vazhdon të jetë prioritet kryesor.

Institucioni njofton se do të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet në dispozicion për t’u dalë në ndihmë pacientëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor, duke ofruar shërbime shëndetësore pa ndërprerje, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. /Telegrafi/


Komuna e Gjilanit vazhdon subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë

22 January 2026 at 12:30


Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikim, e cila do të jetë e hapur deri më 30 janar 2026. Të drejtë aplikimi kanë vetëm familjet rezidente në Komunën e Gjilanit që plotësojnë kriteret e nevojës ekonomike.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se subvencionimi i qirasë është njëra prej politikave që vazhdohet edhe në mandatin e dytë.

“Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se tash është mundësia për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim të aplikojnë dhe bëri thirrje që të mos vonohen, duke vënë në dukje se afati i aplikimit po afrohet.

Për më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit dhe kriteret e pranueshmërisë, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan me bilanc vjetor për vitin 2025, qindra inspektime, gjoba dhe rritje e kontrollit institucional

21 January 2026 at 08:45


Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka publikuar bilancin vjetor të punës për periudhën janar–dhjetor 2025, duke prezantuar të dhëna të detajuara mbi aktivitetet inspektuese në fushën e ndërtimit, veprimtarive afariste, komunikacionit, mjedisit dhe hapësirave publike.

Në sektorin e ndërtimit, gjatë vitit 2025 janë hartuar gjithsej 308 procesverbale, janë shqiptuar 15 gjoba dhe janë shqyrtuar 36 ankesa nga qytetarët.

Nga Drejtoria theksohet se është rritur ndjeshëm vetëdijesimi i qytetarëve për pajisje me leje ndërtimi, ndërsa ndërtimet e larta janë mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm përmes matjeve gjeodezike për çdo etazhitet.

Inspektorët kanë realizuar përcjellje të vazhdueshme të punimeve, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së ndërtimit.

Në fushën e veprimtarive afariste, gjatë vitit janë inspektuar 261 biznese, shumica prej tyre biznese të reja. Për këtë periudhë janë hartuar 261 procesverbale, janë realizuar 163 pranime të kushteve minimale teknike për subjekte afariste, si dhe është bërë kontrolli i dokumentacionit të konformitetit të mallrave sipas standardeve evropiane.

Po ashtu, është mbyllur një subjekt afarist dhe janë shqiptuar 10 gjoba mandatore, ndërsa të hyrat nga pranimet teknike kanë arritur vlerën prej 14,600 euro.

Drejtoria ka raportuar edhe për bashkëpunim me Policinë e Kosovës lidhur me organizimin e ahengjeve të maturantëve, ku gjatë inspektimeve janë ndaluar pijet alkoolike për persona nën moshën 18-vjeçare.

Në sektorin e komunikacionit janë hartuar 176 procesverbale, janë iniciuar 35 kundërvajtje dhe janë shqiptuar 10 gjoba. Inspektimet kanë përfshirë linjat komunale të autobusëve, taksitë legale dhe ilegale, si dhe aktivitete vetëdijesuese në shkolla fillore të mesme të ulëta, ku gjatë muajit shtator janë mbajtur ligjërata me temën “Fëmijët miq në trafikun rrugor” në tetë shkolla të zonës urbane të Gjilanit.

Në aspektin e mjedisit, Drejtoria ka monitoruar hapësirat urbane dhe rurale, duke trajtuar kërkesa dhe ankesa të qytetarëve për ndotje, hedhje të mbeturinave dhe pajisje me leje mjedisore komunale. Pas inspektimeve në terren janë lëshuar vendime, gjoba, afate ligjore dhe akte të tjera normative.

Po ashtu, është bërë monitorimi i zbatimit të lejeve mjedisore për subjektet afariste dhe është realizuar bashkëpunim me operatorë publikë për pastrimin e disa lokacioneve në qytet.

Gjatë vitit 2025, Drejtoria e Inspekcionit ka bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, MMPHI-në, KPMM-në, prokurorinë, ndërmarrjet publike lokale dhe kompani të shërbimeve publike, duke përfshirë “Hidromorava”, NPL “Tregu”, “Eco Higjiena” dhe KEDS-in.


Në kuadër të shqyrtimit të ankesave zyrtare, janë shqiptuar 13 gjoba mandatore, janë hartuar 109 procesverbale dhe janë pranuar 39 kërkesa zyrtare. Sipas Drejtorisë, masat e ndërmarra kanë përfshirë vërejtje verbale, ndërprerje punimesh, dhënie afatesh ligjore dhe shqiptim gjobash.

Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan vlerëson se puna gjatë vitit 2025 ka kontribuar në forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e rendit dhe përmirësimin e standardeve në fusha të ndryshme të jetës publike në komunë. /Telegrafi/



"Barna për shërimin e autizmit", nisin hetimet për Arianit Sllamnikun, flasin nga policia dhe prokuroria

20 January 2026 at 13:33


Kanë nisur hetimet rreth rastit të Arianit Sllamniku i cili dyshohet se ka përdorë te fëmijët me autizëm medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se hetimet kanë nisur me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërkaq edhe përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se: "Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘'Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’' nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘'Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave'’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku".

Ndërkaq, në këtë njoftim po ashtu thuhet se: "Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit".

Edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë bërë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do t'ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/

Vazhdon mësimi me orar të shkurtuar në disa shkolla në Gjilan, shkak ngrohja

19 January 2026 at 20:28


Temperaturat mëngjesin e së hënës u ulën në minus, e për këtë mësimi në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan vazhdoi me orar të shkurtuar 30 minuta.

Edhe ndërrimi i pasdites që janë nxënësit e mjekësisë e vazhdojnë mësimin me gjysmë orari.

Situatë e njëjtë për shkak të mungesës së furnizimit me dru është edhe në gjimnazin natyror.

Drejtori i shkollës thotë se presin që situata të stabilizohet.

“Javën e parë kemi pasur probleme për dru nuk kena mjaftueshëm por s'kemi mungese, shpresojmë që prap do të vijnë, sa i përket nxemjet edhe shkollës është hapësirë e madhe edhe problemin kryesor e kemi me dritaret që janë deformuar po kemi probleme”, ka thënë Bekim Mustafa – drejtor i shkollës.

Ai thotë se në këtë shkollë nga pasditja synohet të kthehen në orar të rregullt, për shkak se temperaturat janë më të larta.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Gjilan që janë opozitë thonë se partia në pushtet ka dështuar për të bërë furnizimin me dru me kohë.

“Gjithashtu edhe në objekte të administratës komunale është alarmante në secilën zyre ka katër 5 nxemse dhe është një çoroditje totale e pushtetit komunal rreth menaxhimit të kësaj situate. E gjithë kjo mendojmë se është si rezultat i harlisjes së kryetarit para zgjedhjeve që një vit bëri investime të paplanifikuara, shkeli kontratën kornizë”, ka thënë Fitim Guda- asamblist i LDK-së.

Dukagjini ka pyetur për këtë çështje në Komunën e Gjilanit, por ata nuk janë përgjigjur.

Pyetjeve dhe interesimit të televizionit nuk i është përgjigjur as ushtruesi i drejtorit të Arsimit në Gjilan, Luan Kastrati./Tv Dukgjini/

- YouTube youtu.be

Bashkëshortja e William Walkerit shtrihet në Emergjencën e Vitisë, Kurti: Lutemi për shëndetin e saj

17 January 2026 at 22:30


Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se bashkëshortja e ambasadorit William Walker, është shtrirë në emergjencën e Vitisë.

Këtë njoftim, Kurti e bëri gjatë fjalimit të tij në Akademinë e “Flakës së Janarit” mbrëmjen e sotme në Gjilan.

“I bashkëngjitem urimeve për shëndetin e gruas së William Walker, e cila për shkak të një problemi shëndetësor, ndoshta edhe arrest kardiak, është duke u trajtuar në emergjencë në komunën e Vitisë dhe shpresojmë në rikuperim të plotë dhe të shpejtë të saj”, tha Kurti në fjalën e tij, kur ishte duke folur për kontributin e Ambasadorit Walker në denoncimin e Masakrës së Reçkaut.

Kurti theksoi se duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker, si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit, e pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë./Telegrafi/

Ishte bllokuar për shkak të ujit, lirohet për qarkullim rruga Ferizaj-Gjilan

11 January 2026 at 15:50


Rruga rajonale Ferizaj-Gjilan, tek fshati Sojevë e cila më parë ishte e bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, është liruar për qarkullim nga ora 15:30.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka shtuar se sipas informatave nga njësitë në terren, të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt, përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë aktualisht të kalueshme dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.

Autoritetet rrugore dhe njësitë në terren apelojnë tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të udhëtojnë me kujdes, duke pasur parasysh kushtet e ndryshueshme atmosferike dhe mundësinë e grumbullimit të ujit në disa zona. /Telegrafi/

❌
❌