Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Orari dhe ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës - luhet në mesjavë

9 February 2026 at 12:24


Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar orarin e ndeshjeve të 1/8 së finales në Kupën e Kosovës, të cilat do të zhvillohen gjatë kësaj jave.

Kjo fazë premton përballje interesante, me disa nga skuadrat kryesore që përballen me rivale tradicionalë.

Dy sfida zhvillohen ditën e martë, dy të tjera të mërkurën, tre të enjten dhe një tjetër të mërkurën e ardhshme.

Drita dhe Llapi do të përballen të martën në Gjilan me fillim nga ora 13:00, derisa po këtë ditë duel tjetër interesant është edhe ai mes Drenicës dhe Ferizajt.

Kryendeshja e këtij rrethi është padyshim Prishtina - Ballkani që zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 18:00, derisa në mesditë nga ora 13:00 takohen Dukagjini dhe Prishtina e Re.

Gjilani të enjten pret Lirinë, Vushtrria takohet me Vëllaznimin, derisa Trepça '89 përballet me Malishevën.

Sfida e vetme që luhet javën e ardhshme është ajo mes Feronikelit dhe Dinamos. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Drita triumfon në udhëtim te Ferizaj

7 February 2026 at 15:00


Drita ka fituar në udhëtim te Ferizaj me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Zekirija Ramadanit e ka nisur me fitore sezonin pranveror, duke triumfuar në udhëtim te Ferizaj, duke treguar se do të jetë deri në fund aty në garën për titull.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur t’i tundin rrjetat, duke shkuar në pushim me rezultat të barabartë 0-0.


Në pjesën e dytë, mysafirët ishin skuadër më cinike dhe përkundër rasteve të pakta, arritën ta tundin rrjetën dhe të marrin tri pikë shumë të vlefshme.

Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 49-të me anë të Kristal Abazajt, i cili i vetëm para portierit nuk gaboi për 1-0, i cili doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.


Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e tretë me 32 pikë, apo një më pak se Prishtina dhe Ballkani në dy pozitat e para, ndërsa Ferizaj mbetet i nënti me 19 pikë.

Në takimin e javës tjetër, Drita është nikoqire e Drenicës, ndërsa Ferizaj udhëton te Prishtina e Re. /Telegrafi/

Formacionet zyrtare: Ferizaj dhe Drita duan ta nisin pranverën me rezultat pozitiv

7 February 2026 at 12:53


Ferizaj dhe Drita kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare për ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ferizajasit janë nikoqir të gjilanasve në ndeshjen e parë të sezonit pranveror, e cila pritet të luhet në stadiumin me bari artificial me fillim nga ora 13:00.

Ekipi i Nevil Dedes vjen në këtë me aromën e fitores në ndeshjen e fundit të vjeshtës dhe synon ta nis me rezultat pozitiv edhe edicionin pranveror.

Në anën tjetër, ekipi i Zekirija Ramadanit gjithashtu ka fituar pas tri barazimeve dhe do vetëm fitore për t’i qëndruar pranë Ballkanit në vendin e parë.

Trajnerët e të dyja skuadrave kanë vendosur të startojnë me formacionet më të mira të mundshme.

Ferizaj: Jovanovski, Neziri, Sadiku, Turkaj; Peposhi, Ramusa, Llabjani, Shabani, Avdulli; Richards, Sadriu

Drita: Maloku; Be.Krasniqi; Bejtullai, Pëllumbi, Sheji; Dabiqaj, Limaj; Ajzeraj, Abazaj, Balaj; Bl.Krasniqi;

/Telegrafi/

Sot nis sezoni pranveror në Superligën e Kosovës, tri përballje të forta

7 February 2026 at 08:37


Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sot (e shtunë) me xhiron e 19-të apo javën e parë të edicionit pranveror të garave, ku secila ndeshje vlen më shumë se tjetra.

Pas rreth një muaji i gjysmë pushim, futbolli i Kosovës rikthehet sot me tri ndeshje gjatë ditës së sotme, ndeshje të cilat fillojnë në të njëjtin orar, nga ora 13:00.

Në ndeshjen e parë, Dukagjini e pret Prishtinën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një takim ku vendasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin e tyre për ta nisur pranverën më fitore, ndërsa kryeqytetasit gjithashtu kërkojnë fitore për kreun e tabelës.

Po në të njëjtën orë, Drenica dhe Llapi në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, në një duel direkt mes skuadrave që kërkojnë pikë të mëdha për stabilitet në tabelë dhe largimin nga zona e rrezikut pas një sezoni vjeshtor me shumë probleme.

Në Ferizaj, ekipi me emrin e qytetit është nikoqir i kampionit në fuqi, Dritës, në stadiumin me bari artificial, ku mysafirët nga Gjilani hyjnë si favoritë në letër, por Ferizaj pritet të japë maksimumin për të befasuar një nga ekipet më konstante të sezonit. /Telegrafi/

Superliga e Kosovës nis në fundjavë sezonin pranveror, xhiroja e 19-të premton spektakël

4 February 2026 at 15:26


Fundjava sjell pesë përballje interesante në Albi Mall Superligën e Kosovës, me të gjitha ndeshjet që luhen në orarin e njëjtë dhe me peshë të madhe për nisjen e edicionit pranveror.

Xhiroja e 19-të e Superligës së Kosovës rikthehet këtë fundjavë me duele vendimtare, ku çdo pikë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.

Të shtunën, më 7 shkurt, Dukagjini pret Prishtinën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një takim ku vendasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin e tyre, ndërsa kryeqytetasit kërkojnë vazhdimësi dhe rikthim te rezultatet pozitive.

Po në të njëjtën orë, Drenica dhe Llapi përballen në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, në një duel direkt mes skuadrave që kërkojnë pikë të mëdha për stabilitet në tabelë dhe largimin nga zona e rrezikut.

Në Ferizaj, skuadra vendase do të matet me Dritën në stadiumin e qytetit, ku mysafirët nga Gjilani hyjnë si favoritë në letër, por Ferizaj pritet të japë maksimumin për të befasuar një nga ekipet më konstante të sezonit.


Të dielën, më 8 shkurt, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku Gjilani pret Ballkanin në stadiumin me bari artificial. Një përballje me aromë derbi, ku kampionët vjeshtor kërkojnë të mbajnë ritmin në krye, ndërsa vendasit synojnë të ndalin furinë e tyre dhe të hynë në garë për pozitat e para.

Xhiroja mbyllet në Malishevë, ku skuadra vendase përballet me Prishtinën e Re në stadiumin “Liman Gegaj”, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për objektivat sezonale të të dyja ekipeve.

Me të gjitha ndeshjet që zhvillohen në orën 13:00, Superliga premton një fundjavë të ngjeshur, emocionuese dhe plot tension, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë për vazhdën e edicionit. /Telegrafi/

Romak Zeqiri parashikon fituesin e titullit në Kosovë: Drita kampion, Gjilani përfundon mbi Prishtinën

1 February 2026 at 12:09


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Gazetari Romak Zeqiri ka dhënë një parashikim të qartë për garën e titullit në Superligën e Kosovës, duke vlerësuar situatën e skuadrave dhe faktorët që do të përcaktojnë kampionin e sezonit.

Sipas tij, kampioni në fuqi Drita mbetet favorit kryesor, veçanërisht kur diferenca në renditje nuk është shumë e madhe.

“Kampioni në fuqi gjithmonë është favoriti numër një për me fitu titullin, për më shumë kur është aty lart edhe diferenca nuk është shumë e madhe”.


“Unë e shoh Dritën kampion prapë. Normal jo lehtë, jo mu kry më herët siç u kry vitin e kaluar. Mendoj që deri në fund ka me pas garë”.

“I jap Dritës një përparësi se në rrethin e katërt gjithmonë nëse në rrethin e tretë performon mirë. Në rrethin e katërt është skuadër që e pret në Gjilan, Prishtinën, Ballkanin, Llapin, Gjilanin, Ferizajn, këto janë shumë terrene të vështira për të luajtur si mysafir”.

“Nëse performon mirë në rrethin e tretë, në rrethin e katërt krejt këto ekipe i pret. Prapë Dritën po e shoh kampion, me shumë vështirësi, po fundi fundit vetëm kampioni kujtohet, vështirësitë harrohen”.

“Në Europë, Gjilanin e shoh si skuadër që ka me dalë në Europë edhe Ballkanin sigurisht. Në vend të katërt e shoh Prishtinën”, ka thënë Zeqiri.

Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Shkumbin Pireva parashikon kush del kampion në Kosovë dhe kush shkon në Evropë

31 January 2026 at 22:03


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Gazetari Shkumbin Pireva ka dhënë një parashikim të qartë për garën e titullit në Superligën e Kosovës, duke identifikuar skuadrat që pritet të luftojnë deri në fund për trofeun dhe vendet evropiane.

Në një analizë, Pireva e ka vendosur në qendër të vëmendjes katërshen Ballkani, Prishtina, Drita dhe Gjilani, ndërsa ka bërë edhe një vlerësim të drejtëpërdrejtë për gjendjen e ekipeve.

“Ka me qenë mes tri këtyre skuadrave Ballkanit, Prishtinës edhe Dritës, por mundet me hy edhe Gjilani”.

“Domethënë si i katërt në garë për titull. Këto të katërta sigurt kanë me shku në Evropë. Njëra si fituese e titullit, njëra si fituese e Kupës edhe dy vendet e tjera”.

“Po domethënë katërshja e parë do të jetë kjo padyshim. E kush do bëhet kampion, jam mes Ballkanit dhe Prishtinës, por me shumë mundësi titulli ka me u kthy në Prishtinë”.

“Ka me u kthy në Prishtinë, për faktin se Afrim Tovërlani e ka një moment ku duhet me tregu edhe njëherë veten, pas disa aventurave jo të mira që i ka pasur në disa klube të Superligës”.

“Edhe të gjitha kushtet po besoj që janë plotësu. Prishtinën e kemi parë që ka qenë financiarisht shumë mirë, mos them më së miri, po ka qenë klubi që nuk ka pasur asnjëherë vonesa në gjysmësezonin e parë”, ka thënë Pireva.

Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

Pse kalimi i trajnerit Albert Riera te Eintracht Frankfurti është lajm i mirë për Dritën?

31 January 2026 at 11:01


Albert Riera do të jetë trajneri i ri i Eintracht Frankfurtit. Të dielën e ardhshme, spanjolli 43-vjeçar do të ulet në stol për herë të fundit si trajner i Celjes dhe do të marr pastaj drejtimin e klubit gjerman nga dita e hënë.

Riera ka nënshkruar kontratë me Frankfurtin deri në qershor të vitit 2028.

Por pse largimi i Rierës nga Celje është në fakt një lajm shumë i mirë për kampionin në fuqi të Kosovës, Dritën?

Tashmë siç dihet, Drita do ta ketë përballë Celjen në kuadër të fazës ‘play-off’ të Ligës së Konferencës.

Celje aktualisht udhëheq tabelën me 43 pikë në elitën e futbollit slloven, me një diferencë prej 12 pikës nga vendi i dytë që mbahet nga Koperi.

Albert Riera

E gjithë kjo për meritën kryesore të Rierës, i cili e ka shndërruar Celjen nga një ekip që synon vetëm garat evropiane në një skuadër që këtë sezon duket në rrugë të mbarë për ta fituar titullin.

Krejt kjo për shkak të etikës së tij të punës, gjë për të cilën dëshmitar ishte ylli kosovar Milot Avdyli, i cili luan në radhët e Celjes.

Avdyli në podcastin “Arena e Yjeve” që është prodhim i Telegrafit, kishte shpjeguar më shumë për mënyrën e punës së Rierës.

“E kam parë si e do punën, si punon, videot, stërvitjet, i jep shumë rëndësi si me u vendos në fushë, videot, bile ndonjëherë rrijmë duke shikuar video nga dy orë, gjë që nuk e kam parë as në Zvicër as në Ukrainë”.

“I sheh vetëm detajet shumë të vogla por që e vendosin lojën. Është shumë, shumë i përkushtuar pas punës”, kishte rrëfyer Avdyli në podcast.

43-vjeçari ka qenë në krye të Celjes në 91 ndeshje, ku ka arritur që të fitojë 49 prej tyre, ka 20 barazime dhe numëron 22 humbje.

Pra, një mesatare prej 1.84 pikësh për ndeshje dhe 53.85 për qind të ndeshjeve të fituara, një statistikë mjaft impresive.

Me që ra fjala, dueli i parë mes Dritës dhe Celjes do të zhvillohet më 19 shkurt me gjilanasit në cilësinë e vendasit, ndërsa ndeshja e kthimit një javë më vonë më 26 shkurt në Slloveni./Telegrafi/

Trajneri që do të përballej me Dritën do të marr drejtimin e klubit të njohur gjerman

28 January 2026 at 00:00


Eintracht Frankfurt ka gjetur një trajner të ri. Sipas informacioneve nga gazeta gjermane Bild, trajneri i ri i klubit duhet të jetë Albert Riera, i cili do të zëvendësojë Dino Toppmoller në atë pozicion.

Riera është aktualisht trajner i klubit slloven NK Celje, fituesit aktual të Kupës së Sllovenisë, dhe është trajneri më i kërkuar në rajonin tonë, duke marrë parasysh se si Dinamo Zagreb ashtu edhe Crvena Zvezda donin ta shihnin në stol.

Celje është kundërshtari I Dritës në play-offin e Ligës së Konferencës, më 19 dhe 26 shkurt, për një vend në çerekfinale të garës evropiane.

Drejtuesit e Eintrachtit janë në negociatat e fundit me klubin nga Celje dhe janë të bindur se një marrëveshje do të arrihet së shpejti.

🚨🦅 EXCLUSIVE | Albert #Riera (NK Celje) is currently the top candidate to become the new head coach of Eintracht Frankfurt.

Axel Hellmann confirmed yesterday: “We’re on the final stretch” - and it is expected to be Riera. Slovenian sources closely involved in the process… pic.twitter.com/xwGHb9T1hF
— Florian Plettenberg (@Plettigoal) January 27, 2026


"Së shpejti do të prezantojmë një trajner të ri, jemi në fund të procesit të marrëveshjes", tha drejtori i klubit Axel Hellmann të hënën në mbrëmje në takimin e anëtarëve në Jahrhunderthalle të Frankfurtit.

Vendimi për t’ia besuar stolin Rieras është një surprizë për shumë njerëz. Gjatë karrierës së tij si lojtar, ish-lojtari i kombëtares spanjolle luajti për klube të mëdha si Manchester City dhe Liverpool, por përvoja e tij si trajner aktualisht lidhet vetëm me Olimpija Ljubljana, Girondins Bordeaux dhe Celje.

Riera ka një kontratë të vlefshme me Celjen deri në vitin 2028, që do të thotë se Eintracht do të duhet të paguajë kompensim për ardhjen e tij.

Drejtori sportiv i Eintracht, Markus Krosche, e kishte tashmë Rierën në listën e trajnerëve të mundshëm dhe tani shpreson të jetë në gjendje ta prezantojë zyrtarisht spanjollin në ditët në vijim. /Telegrafi/

Drita e nis vitin me trofe, fiton Superkupën e Kosovës

25 January 2026 at 14:28


Drita e ka nisur me trofe vitin 2026, pasi ka mposhtur Prishtinën në Superkupën e Kosovës 2-1.

Të parët që kaluan në epërsi ishin kryeqytetasit, ku në minutën e tetë kapiteni Leotrim Kryeziu shënoi për 0-1.

E në minutën e 39-të, Besnik Krasniqi realizoi gol për Dritën nga penalltia duke barazuar shifrat në 1-1.

Prishtina mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi Harun Karic u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 45-të.

Pjesa e dytë nisi furishëm për Dritën që krijoi disa raste shënimi, teksa golin e gjetën në minutën e 50-të.

Kristal Abazaj u gjend bukur në zonë dhe realizoi me kokë për 2-1.

Deri në fund përkundër që kishin dy skuadrat raste shënimi, gola nuk pati dhe Drita arriti fitore duke fituar Superkupën e Kosovës për herë të tretë në histori të klubit. /Telegrafi/

Prishtina dhe Drita luajnë për trofeun e Superkupës: Formacionet zyrtare

25 January 2026 at 11:51


Prishtina dhe Drita duan ta nisin me trofe vitin 2026 dhe takohen në ndeshjen e parë zyrtare në Antalya të Turqisë.

Dy gjigantët kosovarë do të takohen në finalen e madhe të Superkupës së Kosovës, ku synohet trofeu.

Si kryeqytetasit ashtu edhe gjilanasit janë të uritur për fitore dhe një triumf eventual në këtë finale do të thotë një trofe plus në kabinetin e tyre të pasur.

Drita ka mungesa të mëdha në këtë takim, pasi nuk është në dispozicion kapiteni Rron Broja, por edhe lojtari i vitit në Kosovë, Arb Manaj shkaku i lëndimeve.

Tanimë dy trajnerët, Afrim Tovërlani dhe Zekirija Ramadani kanë publikuar emrat e futbollistëve që do të nisin këtë ndeshje nga minuta e parë.

Formacionet zyrtare:

Prishtina: Gjokaj, Bytyqi, Boueye, Mokono, Limani, Zeqiri, Baftiu, Karic, Veliu, Kryeziu, Ilievski.

Drita: Maloku, Be. Krasniqi, Bejtullai, Pëllumbi, Ovouka, Dabiqaj, Limaj, Abazaj, Balaj, Ajzeraj, Bl. Krasniqi. /Telegrafi/

Prishtina - Drita, sot luhet finalja e Superkupës së Kosovës

25 January 2026 at 08:08


Stinori pranveror në futbollin kosovar do të nisë me duelin e Superkupës së Kosovës, ku në finalen e madhe takohen Prishtina dhe Drita.

Fituesi i Kupës së Kosovës, Prishtina do të përballet me kampionin në fuqi Dritën në Antalya.

Kjo sfidë do të luhet sërish në Antalya, ku dy klubet kosovare po qëndrojnë për fazën përgatitore në qytetin bregdetar turk.

Dueli mes dy gjigantëve të futbollit kosovarë do të filloj nga ora 12:30 me kohën tonë lokale.

Sfida e sotme mes Prishtinës dhe Dritës është e treta këtë edicion, teksa dy skuadrat janë përballur dy herë në kampionat, ku sfida e parë në kryeqytet përfundoi baras 2-2 derisa në Gjilan triumfoi Drita me rezultat 2-0. /Telegrafi/

Presidenti i Dritës, Valon Murseli i lumtur me shortin e Ligës së Konferencës

16 January 2026 at 13:54


Presidenti i Dritës, Valon Murseli është shprehur i lumtur pas shortit për fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, i mbajtur në Nyon të Zvicrës.

Sot (e premte) është hedhur shorti për fazën ‘play-off’ në Ligën e Konferencës, ku fati ka zgjedhur që Drita si kundërshtar ta ketë ekipin slloven, Celje.

Ky short i ka pëlqyer klubit gjilanas dhe i lumtur është shprehur edhe presidenti i klubit, Murseli, i cili sheh gjasa reale të ekipit të tij për të kaluar tutje.

“Jemi shumë të lumtur fillimisht që jemi këtu. Kemi luajtur një herë ndaj AZ Alkmaar dhe jemi të kënaqur që do të kemi një përvojë të re ndaj një ekipi me të cilin nuk jemi përballur më herët si Celje”, ka thënë fillimisht Murseli pas shortit.

Murseli më vonë është përgjigjur edhe në pyetjet se sa larg mund të shkoj Drita në këtë edicion dhe si po e sheh përvojën në Ligën e Konferencë.

“Ne kemi punuar shumë që të jemi këtu dhe tani sa larg shkojmë, nuk varet nga lojtarët dhe as nga vizioni jonë. Ne duam të jemi në finale, por jemi ekip i vogël dhe gjasat nuk i kemi edhe aq të mira. Po fitojmë eksperiencë dhe pas diku shtatë viteve mund të më pyesësh përsëri, e atëherë mund të flasim nëse do mund ta arrijmë finalen apo jo”.

“Do investojmë shumë në infrastrukturë. Ne po mësojmë shumë nga kjo përvojë evropiane. Është diçka shume e madhe për ne, pasi në fillim nuk e kishim idenë se si do te na shkonin këta muaj, por ne do vazhdojmë të mësojmë nga kjo përvojë”, përfundoi presidenti i Dritës. /Telegrafi/

Drita mëson kundërshtarin e fazës ‘play-off’ në Ligën e Konferencës

16 January 2026 at 13:36



Kampioni i Kosovës, Drita ka mësuar gjatë ditës së sotme (e premte) kundërshtarin e radhës në Ligën e Konferencës.

Sot (e premte) është hedhur shorti në Shtëpinë e Futbollit Evropian në Nyon të Zvicrës për fazën eliminatore të Ligës së Konferencës për sezonin.

Pjesë e shortit për këtë fazë ishte edhe kampionia e Kosovës, Drita, e cila e mbylli fazën e ligës në pozitën e 20-të me tetë pikë.

Pas hedhjes së shortit, gjilanasit kanë mësuar kundërshtarin. Bëhet fjalë për klubin slloven, Celje, e cila përfundoi në pozitën e 13-të me fazën e ligës.

Ndeshje e parë e ‘play-off’-it do të zhvillohet më 19 shkurt 2026, ndërsa ndeshja kthyese më 26 shkurt 2026.

Përveç Dritës, pjesë e shortit ishte edhe Shkëndija e Tetovës, e cila në ‘play-off’ do të përballet me turqit e Samsunsporit. /Telegrafi/

FC Drita inauguron kampin stërvitor – investim strategjik për të rinjtë dhe të ardhmen e klubit

6 January 2026 at 20:57


Një ditë historike për FC Drita dhe futbollin gjilanas, u shënua me inaugurimin e kampit të ri stërvitor të klubit, një hap i madh drejt zhvillimit të të rinjve dhe forcimit të të ardhmes sportive të qytetit.

Ceremonia zyrtare u zhvillua me pjesëmarrjen e figurave kryesore të klubit, përfshirë presidentin Valon Murseli, drejtorin Feti Murseli, drejtorin dportiv Valon Zymberi, si dhe kryetarin e FFK-së Agim Ademi dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ngjarja mbështetej edhe nga drejtues të klubit, media, tifozë dhe dashamirë të shumtë të FC Dritës.


Kampi nuk përfaqëson vetëm një investim infrastrukturor, por një platformë zhvillimi për talentet e reja dhe një bazë të fortë për arritje sportive.

Ai dëshmon angazhimin e klubit për të ndërtuar të ardhmen me profesionalizëm, vizion dhe hapa të sigurt.

Me këtë projekt, FC Drita synon të rrisë kapacitetet e lojtarëve të rinj, të forcojë suksesin në nivel klubesh dhe të kontribuojë në zhvillimin e futbollit në Gjilan dhe më gjerë. /Telegrafi/

Reinaldo, Besnik Krasniqi dhe Achraf Hakimi - mbrojtësi i Dritës në listë me emra të njohur të futbollit

6 January 2026 at 20:10


Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka publikuar të martën listën e mbrojtësve me më shumë gola për vitin 2025.

Në krye të kësaj liste qëndron braziliani Reinaldo, mbrojtës i majtë i klubit brazilian Mirassol, me 14 gola të shënuar.

Pas tij, me nga 11 gola, janë Achraf Hakimi i Paris Saint-Germain dhe Besnik Krasniqi i Dritës. Tetë nga 11 golat e Krasniqit janë realizuar nga penalltia, duke treguar precizitetin dhe rolin vendimtar që ai ka te skuadra.

Krasniqi, 35-vjeçari i cili është shtyllë e ekipit të Dritës dhe kapiten i saj, ka kontribuar jo vetëm në kampionat, ku Drita u shpall kampion, por edhe në garat evropiane.

Ai luajti me Dritën në Ligën e Konferencës, ku ekipi arriti deri në play-off, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe në realizimin e golave vendimtarë.

Në këtë klasifikim janë marrë parasysh vetëm lojtarët nga 100 ligat më të mira të botës, ku Krasniqi ka lënë pas edhe mbrojtës të njohur si Nicolás Otamendi i Benficas dhe Argjentinës.

Formacioni i vitit 2025 në Superligën e Kosovës - Drita dominon me gjashtë futbollistë

29 December 2025 at 13:37


Futbolli për vitin 2025 në Kosovë ka marrë fund dhe tanimë skuadrat janë në pushim të merituar pas angazhimit 12 mujor.

Drita është kampione e Kosovës të shpallur në maj për sezonin 2024/25, derisa në stinorin e ri 2025/26, në pozitën e parë e ka mbyllur Ballkani dhe dimëron si lider.

Redaksia e Telegrafi Sport vazhdon të zgjedh formacionin e vitit si gjithmonë dhe këtë e ka bërë edhe për vitin 2025, duke përzgjedhur 11 futbollistë që kanë lënë gjurmë gjatë 12 muajve në futbollin kosovar.

Përkundër se ka pasur konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat, Telegrafi Sport ka zgjedhur 11 futbollistë që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrat e tyre, kanë pasur arritje personale dhe ato ekipore.

Portieri:

Faton Maloku ka qenë fantastik këtë vit me Dritën. Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.

34-vjeçari ishte disa herë edhe i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës.

Mbrojtja:

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Besnik Kransiqi, i cili vazhdon të shkëlqejë përkundër moshës. 35-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm gjatë vitit 2025 ku në 48 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.

Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Egzon Bejtullai i Dritës dhe Ardian Limani i Prishtinës. Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.

Partner i Bejtullait është Ardian Limani, që ka qenë lojtari që ka shkëlqyer te Prishtina gjatë gjithë vitit. Limani zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar 3 asistime, ku njëri nga ta ishte në finalen e Kupës së Kosovës, e ku Prishtina arriti të fitonte trofeun.

Mbrojtja kompletohet me anësorin kongolez të Dritës, Raddy Ovouka i cili ishte i pakalueshëm në mbrojtje e i pandalshëm në sulm. 26-vjeçari zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar tetë asistime.

Mesfusha:

Albert Dabiqaj është në qendër të mesfushës falë një viti fantastik ku shkëlqeu si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 53 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime.

Së bashku me Dabiqajn në mesfushë është Etnik Brruti, i cili ishte lojtari kryesor i Malishevës. 21-vjeçari ishte motor në mesfushën e Malishevës, derisa në 38 ndeshje gjatë vitit 2025 kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime.


telegrafi.com

Në krahun e djathtë të mesfushës është talenti i Llapit, Arianit Hasani që ishte edhe zbulimi i këtij sezoni. Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.


Ndërkohë në të majtë të mesfushës është Almir Kryeziu i Ballkanit, i cili mbajti ritmin gjatë gjithë sezonit. 27-vjeçari në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime.


Sulmi:

Në qendër të sulmit janë dyshja Arb Manaj i Dritës dhe Senad Jarovic i Gjilanit.

Duke zhvilluar plot 48 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.


“Ndeshje e vështirë, ritmi më i madh në Evropë se në Superligë”, Arb Manaj flet pas barazimit ndaj Omonoian telegrafi.com

Përkrah lojtarit më të mirë të viti 2025 në Kosovë, është Senad Jarovic i Gjilanit. Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.


Senad Jarovic 2024/05/Senad-Jarovic.jpg telegrafi.com

Trajneri i Vitit:

Trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë është padyshim Zekirija Ramadani i Dritës. Shkupjani u shpall kampion me Dritën, derisa arriti ta fus në grupe të Ligës së Konferencës, madje edhe kaloi në fazën 'Play-Off'. /Telegrafi/

"Nuk luajta 16 xhiro, kur u futa shkëlqeva", Albin Krasniqi flet për kohën te Drita

28 December 2025 at 12:09


I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur Albin Krasniqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.

Albin Krasniqi ka folur hapur edhe për periudhën më të vështirë të karrierës së tij, atë të mungesës së minutave nën drejtimin e trajnerit Adrian Nuhiu sa ishte pjesë e Dritës, duke zbuluar se për një kohë të gjatë ishte jashtë planeve të skuadrës.

Ai rrëfen se sezoni ishte i paqëndrueshëm dhe pa vazhdimësi, ku herë luante e herë mbetej jashtë.

“E luaja një ndeshje ndoshta nuk luaja mirë, tjetrën nuk luaja. Është një sezon para se të largohet Nuhiu nëse nuk gaboj, nuk luaj 16 xhiro rend, nuk e luaj asnjë minutë”.

“Xhiron e 16-të e kena kundër Dukagjinit në Gjilan, e bën formacionin dhe më fut në formacion dhe me thënë të drejtën nuk besoja që do të luajë dhe më thirr në zyre pas stërvitjes trajneri Nuhiu dhe ma bën në këtë ndeshje do të luash ja ku e ke pancirin, urdhëro luaj dhe nuk ka kush të largon”.



“Edhe okej në ndeshjen me Dukagjinin më fut dhe unë fitojë një penallti në pjesën e parë. Përfundon pjesa e parë 0-0 pasi Almiri e humb penalltinë”.

“Në pjesë të dytë, asistoj për Mujën dhe e bëjmë 1-0 dhe luajë tërë ndeshjen mirë dhe bile atë javë kam qenë te ju në formacionin e javës dhe pastaj e kisha një bindje që do të luajë”.

“Ishte ndeshja në fundjavë me Prishtinën, edhe nuk bën trajneri shumë në atë javë formacion, kur e bën formacionin nuk e shoh veten në formacion. Unë nuk kam bërë problem të kërkojë largim në gjysmë të sezonit, por çdo 6 muaj i kam kërkuar të largohem”, ka rrëfyer Krasniqi.

Episodin e plotë me Albin Krasniqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

“E kisha kontratën gati me Shkëndijën, por kalova te Drita”, Krasniqi zbulon prapaskenat

27 December 2025 at 22:16


I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur Albin Krasniqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.

Albin Krasniqi ka rrëfyer momentet vendimtare që e çuan drejt nënshkrimit me Dritën, duke përshkruar emocionet dhe dyshimet që kishte.

Ai tregon se gjithçka nisi pas përfundimit të sezonit, kur trajneri i dha mundësinë të luante menjëherë pas pushimit.

“Masi përfundoj sezona e barazhit, që luajmë edhe me Vëllaznimin, e kryejmë atë ndeshje, në minutën e 45-të më fut ‘Profa’ direkt, si përfundon pjesa e parë, më fut direkt”.

“Edhe i kam thënë Shkëndijës që gjatë rrugës kam me ardhë edhe ata janë domethënë. Ndoshta jam lojtari i vetëm me i pyet ata në administratë që e kam lënë kontratën në zyrë”.

“Krejt domethënë jemi marrë vesh me kontratë e të gjitha, veç nuk e di më erdh një ndjesi që nuk dua të shkojë në Tetovë, ashtu më erdhi”.

“E kjo koha kur Fisi e kontakton babin, edhe babi kur del me fol me Fisin i thotë: Unë për djalin tim, qejfi im më i madhi ka qenë me shku në Shkëndijë se ngjyrat kuq e zi, por ma ka prish aty dhe unë më për djalin tim nuk mund të them që Albini vjen sigurt”.

“Po u kry ka thënë do ta pyes, do të bisedojë dhe babit i duket Fisi në muhabet që është njeri serioz. Edhe më lajmëron Fisi në telefon mbas dy dite thotë ta kam gjetë shtëpinë, jam duke ardhur te shtëpia, dua të bisedojë”.

“Edhe tash kontrata qysh e kam nënshkruar në Dritë ka qenë veç që më ka ardhur keq me i kthy duarthatë prej shtëpisë. Domethënë, as nuk e kam shikuar rrogën, veç më vjen shumë keq, më erdhi te shtëpia, më respektoj shumë thashë me kthy duarthatë më erdhi keq dhe aty e nënshkrova kontratën”, ka rrëfyer Krasniqi.

Episodin e plotë me Albin Krasniqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Mbyllet stinori vjeshtor në Superligë: Ballkani dimëron si lider

24 December 2025 at 15:25


Është mbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës me ndeshjen Drita - Prishtina që përfundoi 2-0 në të mirë të vendasve.

E pas 18 xhirove të zhvilluara, Ballkani është kampion vjeshtor dhe dimëron si lider. Skuadra nga Suhareka ka përfunduar pjesën e parë të kampionatit me 33 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 6 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golaverazh mbresëlënës 38:18, sulmi më i mirë në ligë deri tani.

Pas tyre renditet Prishtina me 30 pikë, e cila megjithëse ka të njëjtin numër fitoreje sa Ballkani (9), ka pësuar më shumë humbje dhe ka një golaverazh dukshëm më modest (32:26). Forma e fundit e kryeqytetasve ka qenë luhatëse, çka i ka kushtuar me humbjen e kreut.

Në vendet pasuese, Dukagjini dhe Drita ndajnë nga 29 pikë secila, duke qëndruar shumë pranë zonës së kreut dhe duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.

Malisheva (27 pikë) dhe Gjilani (26 pikë) janë gjithashtu në garë për zonën e Evropës, falë një serie rezultatesh pozitive në javët e fundit.

Në pjesën e poshtme të tabelës, Llapi me 21 pikë ende nuk është i qetë, ndërsa presioni është shumë më i madh për Drenicën (20 pikë), Ferizajn (19 pikë) dhe Prishtinën e Re, e cila mbyll tabelën me vetëm 15 pikë dhe golaverazh -11.

Lufta për mbijetesë pritet të jetë tejet e ashpër në pranverë.

Skuadrat tani do të shfrytëzojnë pushimin dimëror për rikuperim dhe përforcime, por një gjë është e qartë: Ballkani e mbyll vjeshtën në maje dhe do të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit me epërsi, por edhe me presionin e madh për ta mbrojtur pozitën e parë. /Telegrafi/

❌
❌