Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Porto Cannone, bashkia që ruan gjallë identitetin arbëresh përmes kulturës dhe traditës

Në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” në ABC News, këshilltarja për kulturën e Bashkisë së Porto Cannone, Valentina Flocco, ka prezantuar nga afër angazhimin institucional dhe shpirtëror të kësaj bashkie për ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbëresh. Përmes një rrëfimi personal dhe institucional, ajo ka folur për aktivitetet kulturore të zhvilluara ndër vite, bashkëpunimet artistike me Shqipërinë, eventet muzikore e letrare, si dhe për vlerat historike e fetare që mbeten shtylla të komunitetit arbëresh. Në fokus të bisedës kanë qenë edhe muralet e reja artistike, traditat shekullore si gara e qerreve në nder të Zojës së Kostandinopojës, si dhe roli i kulturës dhe besimit në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës kolektive të arbëreshëve të Porto Cannone.

“Gjuha dhe tradita ruhet”/ Skënderbeu në muralet e Campomarinos, simbol i identitetit arbëresh

Një pasqyrë e gjallë e trashëgimisë arbëreshe dhe lidhjes së saj me identitetin shqiptar u soll në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC Neës, përmes një interviste me Marco Altobellon, president i Institucionit të Kulturës të Bashkisë së Campomarinos.

Gjatë bisedës me gazetarin Artur Nura, Altobello foli për misionin e institucionit në promovimin kulturor dhe turistik të qytetit, vlerësimin e rrënjëve arbëreshe, si edhe për pasurinë historiko-kulturore që përfaqësojnë Pallati Norante, Biblioteka “Kodra” dhe Borgo i Pikturuar i Campomarinos, me muralet kushtuar Valljes arbëreshe, Skënderbeut dhe Shën Kristinës, shenjta mbrojtëse e qytetit.

Artur Nura: Me çfarë merret institucioni juaj?

Marco Altobello: Institucioni ynë merret me promovimin kulturor dhe turistik të qytetit dhe, në veçanti, me vlerësimin e rrënjëve tona arbëreshe dhe shqiptare, pasi Campomarino është një nga komunat më të mëdha në Itali me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndodhemi në një sallë që ka një emër të veçantë, apo jo?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Pallatin Norante, që është selia e Bibliotekës “Kodra”. Biblioteka i është kushtuar Ibrahim Korrës dhe kjo sallë, e dedikuar atij, quhet Salla Kodra. Ajo është gjithashtu selia e sportelit gjuhësor arbëresh dhe strehon disa vepra origjinale të Korrës, të dhuruara nga vetë artisti në vitin 2002, gjatë vizitës së tij në Campomarino. Vepra të tjera janë dhuruar nga Liliana Corfioti, nxënëse e Korrës. Këto janë vepra që pasurojnë trashëgiminë tonë historiko-kulturore dhe, mbi të gjitha, forcojnë lidhjen e komunitetit tonë me rrënjët arbëreshe.

Artur Nura: A ka vepra origjinale këtu në sallë?

Marco Altobello: Po, kemi dy vepra origjinale: një skulpturë të Korrës dhe një pikturë, gjithashtu të Korrës. Të dyja veprat i referohen totemit. Korra zakonisht pikturonte ose skaliste këtë simbol, i cili sipas tij përfaqëson paqen dhe vëllazërimin mes popujve. Për ne kjo ka një domethënie të veçantë, sepse komuniteti ynë ka pritur shqiptarët dhe arbëreshët, dhe vlera si mikpritja, paqja dhe vëllazërimi janë thelbësore për Campomarino-n.

Artur Nura: E ndaj plotësisht këtë mendim. Faleminderit shumë.

Marco Altobello: Faleminderit juve. Punë të mbarë.

Artur Nura: Muralët e Borgos së Pikturuar të Campomarinos paraqesin traditën arbëreshe, ndër to Vallja, Skënderbeu dhe Shën Kristina.

Zëvendëskryetar bashkie, çfarë përfaqëson kjo shesh?

Marco Altobello: Ky është Sheshi Largo Santa Maria, nga ku fillojnë lagjet tona të pikturuara dhe afresket murale. Pas meje ndodhet Kisha Nënë, për të cilën folëm edhe më parë, dhe nën të gjendet kripta, të cilën do t’ju çojmë ta vizitoni. Prej këtu nisin të gjitha muralet që shoqërojnë hyrjen në borgun e vjetër të Campomarinos.

Artur Nura: Tani i japim fjalën presidentit të Institucionit të Kulturës.

Zoti Altobello, a mund t’u shpjegoni shikuesve të ABC Neës simbolikën e këtyre muraleve?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Borgon e Pikturuar të Campomarinos, ku janë realizuar rreth tridhjetë murale të kushtuara traditës arbëreshe. Ky mural në veçanti paraqet Valljen, një valle tipike arbëreshe, e njohur në italisht si “ballo tondo”. Është një valle me veshje tradicionale, ku gratë arbëreshe formojnë një lloj rrethi dhe ndërrohen gjatë kërcimit. Është një traditë që ne e ruajmë ende sot.

Artur Nura: Ndër muralet është edhe ai kushtuar Skënderbeut, apo jo?

Marco Altobello: Po, Skënderbeu është një figurë shumë e rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për arbëreshët. Ai udhëhoqi arbëreshët në ikjen nga osmanët, të cilët më pas mbërritën në brigjet tona, veçanërisht në shekullin XV. Në atë periudhë, Campomarino u godit nga një tërmet i fortë që e shpopulloi vendbanimin dhe më pas u ripopullua nga shqiptarët e udhëhequr nga Skënderbeu.

Artur Nura: Po murali që shohim në fund, çfarë paraqet?

Marco Altobello: Murali në fund paraqet Shën Kristinën, shenjtën mbrojtëse të Campomarinos. Të gjitha muralet e tjera të Borgos së Pikturuar kanë tematikë arbëreshe dhe rikujtojnë rrënjët dhe traditat tona.

 

“Pesë shekuj shqip, pa shtet dhe pa zë”/ Në Campomarino atje ku ruhet bashkëjetesa arbëreshe

Në Campomarino të Molises, një qytet me rrënjë të thella arbëreshe dhe identitet të fortë kulturor, gjuha, tradita dhe kujtesa historike shqiptare vijojnë të mbahen gjallë prej më shumë se pesë shekujsh.

I ftuar në emisionin “Të gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, nënkryetari i bashkisë Michele De Giglio rrëfen për bashkëjetesën harmonike mes komunitetit italian dhe atij arbëresh, rolin e institucioneve lokale në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjet për ta kthyer Campomarinon në një qendër turistike dhe kulturore të rëndësishme.

Nga biblioteka “Ibrahim Kodra” dhe enoteka e parë komunale e Molises, deri te Pallati Norante dhe “borgu i pikturuar”, Campomarino shfaqet si një shembull i gjallë i një identiteti që ka mbijetuar pa shtet, por jo pa zë.

Artur Nura: Pse keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë pikërisht në këtë vend?
Michele De Giglio: Sepse ky është qendra e kulturës së Campomarinos.

Artur Nura: Ndodhemi në bibliotekën e Campomarinos, e cila mban edhe emrin e Ibrahim Kodrës?
Michele De Giglio: Po, biblioteka e Campomarinos i është kushtuar edhe Ibrahim Kodrës dhe kemi një sallë të dedikuar posaçërisht për të.

Artur Nura: Pra, nuk është një vend i zgjedhur rastësisht.
Michele De Giglio: Jo, aspak. Është një vend i lidhur me kulturën, veçanërisht atë verë-bujqësore.

Artur Nura: Campomarino është një qytet i lidhur me verën?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet me rreth 8.000 banorë, me një thirrje të fortë turistike dhe tradita të rëndësishme në verë dhe vaj ulliri.

Artur Nura: Ideja për këtë laborator vere është e juaja?
Michele De Giglio: Po, kjo është enoteka e parë komunale në rajonin e Molises.

Artur Nura: Kur ka lindur ky projekt?
Michele De Giglio: Projekti ka lindur në vitin 2019.

Artur Nura: Si lindi ideja e enotekës?
Michele De Giglio: Patëm idenë e krijimit të një enoteke brenda bibliotekës komunale, duke shfrytëzuar ambientet ngjitur.

Artur Nura: A mund të na tregoni historinë e projektit?
Michele De Giglio: Projekti lindi disa vite më parë, me synimin për të krijuar një vitrinë të vogël të produkteve tipike të Campomarinos.

Artur Nura: Çfarë produktesh ekspozohen këtu?
Michele De Giglio: Vera e kantinave ekskluzivisht campomarinese dhe gjithashtu vaji i ullirit, sepse ne jemi qyteti i verës dhe i vajit.

Artur Nura: A prodhohen të gjitha këto vera këtu?
Michele De Giglio: Po, janë vetëm produkte të Campomarinos, pra produkte italiane.

Artur Nura: A ndihet prania arbëreshe në këto produkte?
Michele De Giglio: Po, në Campomarino ndihet gjithmonë prania arbëreshe. Jemi me origjinë shqiptare dhe ka shumë sipërmarrës me origjinë shqiptare këtu.

Artur Nura: A jeni arbëresh?
Michele De Giglio: Jo, unë jam italian.

Artur Nura: Si janë marrëdhëniet me komunitetin arbëresh?
Michele De Giglio: Janë shumë të mira, ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera.

Artur Nura: Sa për qind e punonjësve të bashkisë janë arbëreshë?
Michele De Giglio: Nuk di një përqindje të saktë, por ka ende disa punonjës me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Michele De Giglio: Po, vetëm një herë.

Artur Nura: Dhe pse nuk jeni kthyer më?
Michele De Giglio: Do të kthehemi së shpejti, në varësi të angazhimeve familjare, institucionale dhe të punës.

Artur Nura: A keni më shumë punë gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet turistik. Në dimër jemi rreth 8.000 banorë, ndërsa në verë arrijmë deri në 100.000 turistë.

Artur Nura: Sipas jush, a është e drejtë përvoja e sporteleve dygjuhëshe?
Michele De Giglio: Është shumë e drejtë, sepse ndihmon në ruajtjen e origjinës së qytetit tonë. Është e rëndësishme që të rinjtë të mos humbasin traditën arbëreshe të Campomarinos.

Artur Nura: Doja t’ju pyesja edhe për këtë pallat historik.
Michele De Giglio: Ky është Pallati Norante.

Artur Nura: A mund të bëjmë një xhiro?
Michele De Giglio: Sigurisht, do t’ju shpjegoj shkurtimisht.

Artur Nura: Çfarë gjejmë këtu?
Michele De Giglio: Këtu kemi një institucion turistik-kulturor që na ndihmon në promovimin e turizmit.

Artur Nura: Çfarë përfaqësojnë këto piktura?
Michele De Giglio: Janë piktura të dhuruara nga zonja Corfiati dhe artistë të tjerë, që paraqesin elemente të kulturës arbëreshe dhe të qytetit.

Artur Nura: Tani jemi në Sallën Kodra?
Michele De Giglio: Po, kjo është Salla Kodra, kushtuar Ibrahim Kodrës.

Artur Nura: A e keni njohur personalisht?
Michele De Giglio: Jo, për fat të keq nuk pata këtë nder.

Artur Nura: A janë këto vepra të tijat?
Michele De Giglio: Po, disa piktura janë dhuruar prej tij. Ka edhe flamurin shqiptar, të cilin e respektojmë shumë.

Artur Nura: A përdoret kjo sallë edhe gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, falë institucioneve turistiko-kulturore organizojmë vizita të udhëzuara.

Artur Nura: Çfarë u ofroni turistëve?
Michele De Giglio: Përveç plazheve dhe bregdetit të bukur, organizojmë vizita falas në “borgun e pikturuar”, me afreske dhe murale, të shoqëruara nga guidat tona.

Artur Nura: A ka edhe vende të tjera të rëndësishme për t’u vizituar?
Michele De Giglio: Sigurisht. Pak metra më tutje ndodhet kisha amë, e cila ka brenda një kriptë historike që do t’jua tregoj.

Artur Nura: Atëherë, të shkojmë ta shohim.
Michele De Giglio: Po, të shkojmë.

 

“E bëri gjak Shqipërinë”/ Beqiri: “21 Janari” nuk mbyllet pa marrë burgim përjetë Berisha

Sot shënohen 15 vjet nga tragjedia e 21 Janarit, një ngjarje e dhimbshme që la katër qytetarë të vrarë dhe të tjerë të plagosur në kryeqytet. Ndërkohë, debatet mbi drejtësinë për këtë ngjarje vazhdojnë.

Në “Real Story” në ABC News, avokati Idajet Beqiri kritikon ashpër SPAK-un, duke theksuar se institucioni ende nuk ka bërë drejtësi dhe është i ndikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

SPAK end nuk është në lartësinë e detyrës dhe po luan ndjenjat e një populli të tërë. Me atë që Shqipëria është në prag të integrimit në BE. Po e injorojnë këtë çështje jo se janë të paaftë, por se janë të kapur nga ish-kryeministri i vendit, sepse ka ende kontroll mbi SPAK. Berisha i mban të lidhur jo vetëm me dosje, por edhe me akte korruptive. Kemi të bëjmë me një krim që e pranon vetë autori i tij. Nuk mbyllet “21 Janari” dot është një krim i hapur. Duan ta mbyllin “21 Janarin”, por nuk e mbyllin dot është një krim i hapur që pa marrë ndëshkimin e duhur dhe pa marrë burgimin e përjetshëm siç e meriton Sali Berisha. Berisha e pranon vetë që ka bërë krim. I ka pranuar në një mënyrë apo në një tjetër në deklaratat e tij. Berisha e bëri gjak Shqipërinë”, tha Beqiri.

15 vite nga masakra e “21 Janarit”/ Beqiri: Berisha fshiu arkivin e televizioneve! Ku janë pamjet bruto?!

U mbajtën këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes tragjike të 21 janarit, ku katër qytetarë humbën jetën në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Avokati Idajet Beqiri ngriti akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe institucioneve të drejtësisë gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, duke deklaruar se janë fshirë arkivat e televizioneve dhe se mungojnë pamjet bruto të një ngjarjeje të rëndësishme.

Sipas Beqirit, SPAK nuk ka vepruar siç duhet për mbledhjen e provave, madje as pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ndërsa hapja e dosjes, sipas tij, është meritë e Kolegjit të Lartë. Ai theksoi se drejtësia në Shqipëri nuk është tërësisht e “kalbur”, duke vlerësuar integritetin e disa gjyqtarëve, mes tyre edhe Irena Gjoka, si dhe akuzoi Berishën për veprime politike në bashkëpunim me faktorë grekë për të goditur kundërshtarët.

“Sali Berisha fshiu të gjitha arkivat e televizioneve. Ku janë pamjet bruto të ngjarjes?! SPAK nuk po merrte, nuk e regjistroi edhe pas vendimit të Strasburgut. Meritën që u hap dosja e ka Kolegji i Lartë. Të mos harrojmë që ky vend nuk është i kalbur në drejtësi. Ka persona që nuk vendosin asgjë para integritetit edhe një heroinë e tillë është edhe Irena Gjoka. Berisha dhe Beleri e çfarë nuk po bën me grekët për ta mposhtur. Ka shumë elementë të tillë”, tha Beqiri.

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, u shpreh se ndërtimi i shtetit kërkon kohë dhe nuk mund të realizohet brenda pak vitesh, duke theksuar se sistemi i drejtësisë në të kaluarën ishte i varur nga politika. Klosi vlerësoi se, pavarësisht problemeve, reforma në drejtësi ka sjellë një hap të rëndësishëm përpara dhe se, pas gjashtë vitesh funksionim të sistemit të ri, ekziston ende shpresë për përmirësim.

“Shteti nuk bëhet as për 30 vjet, do kohën e vet. Kaluam nga një sistem dhe tani po përpiqemi që të krijojmë një shtet me parime të tjera. Që duhen disa njerëz, por këta që mund ta bënin këtë janë pak. Njerëzit që kanë shkuar te drejtësia janë shumë pak. Të gjithë që janë te drejtësia kanë interesat e tyre, si të gjithë. Ishte politika që emëronte sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë nuk ishte i pavarur. Kemi 6 vjet me këtë sistemin e ri, dhe mburremi që është bërë një hap i rëndësishëm, po nuk zgjidhet për 6 vjet kjo punë. Por, tani ka një shpresë”, tha Klosi.

“21 Janari i ka provat sheshit”/ Yzeiraj: Ka një marrëveshje të heshtur që nuk duan të merren me “shejtanin”

Ngjarja e 21 Janarit vijon të mbetet një nga çështjet më të debatuara në jetën politike dhe institucionale të vendit, 15 vite pas protestës ku humbën jetën katër qytetarë.

Këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë u zhvilluan homazhe përkujtimore. Ish-ministri i Brendshëm Bajram Yzeiraj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, deklaroi se e vërteta për atë që ndodhi është e qartë për opinionin publik, por sipas tij drejtësia dhe prokuroria kanë dështuar ta trajtojnë siç duhet çështjen.

Yzeiraj akuzoi institucionet për heshtje dhe mungesë vullneti, duke theksuar se ekziston një “marrëveshje e heshtur” për të mos u përballur me përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Nuk ka ndodhur asnjë shtet të botës. 21 Janari, populli e ka shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, është tjetër gjë se drejtësia dhe prokuroria e prishën procesin e  rregullt. Nëse ju shikoni heshtje të presidentit, apo kryeministrit, edhe prokuroria luan rolin e shurdhmemecit.

Ka dhe shumë profesorë në juridikë që nuk shprehen. Ka një marrëveshje të heshtur që nuk duan të merren me shejtanin. Nuk dua të humbas shpresat, por fakti që është zvarritur kjo çështje duan që ta humbasin. Është gjykuar çështja në mënyrë të pjesshme. Shteti bëri të pamundurën që ta prishte, tani a do kenë vullnetin këta prokurorë që ta dëgjojnë dhe ta riformatojnë?!”, tha Yzeiraj.

Kredia për banesat, bankat shtrëngojnë kushtet/ Radonshiqi: Vjen pas “kufizimeve” të Bankës së Shqipërisë. pritet që ky vit të…

TIRANË– Bankat po tregohen më konservatore në dhënien e kredive për banesa. Sipas vrojtimit të bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar shtrënguan kriteret e dhënies së huave për blerjen e shtëpive.

Ndërkohë, u treguan me dorëlëshuar për bizneset pasi standardet e kreditimit për këtë segmente ishin më të lehtësuara.

Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi e ftuar në “Money Report”, thotë se kufizimet kanë ardhur pas “kritikave” të bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, në lidhje me kreditë, që këto të fundit kanë lëvruar në sektorin e patundshmërisë.

Kjo masë e tyre shtoi ajo ka ardhur si domosdoshmëri për të ulur riskun e mundshëm në këtë sektor. Ajo theksoi se ndryshe nga patundshmëria, niveli i kreditimit është rritur për bizneset e vogla dhe të mesme pasi vetë bankat e kanë konsideruar sektorin më produktiv.

“Dhënia e huave për banesa ka qenë një kritikë edhe nga Banka e Shqipërisë, duke u kërkuar të menaxhojnë riskun, që kreditë të mos i çojnë vetëm në pasuri të patundshme, por t’i diversifikojnë ato. Bankat janë treguar më liberale me biznesin, pasi u kanë dhënë mundësi bizneseve të vogla dhe të mesme.

Kemi një rritje të kreditimit për individin për konsum. Banka e Shqipërisë ka bërë mirë që ka vënë disa kufizime dhe kjo është pozitive”, tha ajo.

E pyetur se cila është prirja e kreditimit për këtë vit, ekspertja thotë se më i privilegjuar është biznesi se sa sa kredi për banesa.

Mendoj se do këtë një tkurrje të kreditim në pasuri të patundshme, por nga ana tjetër pritet të ketë liberalizim për bizneset e vogla dhe të mesme. Bizneset kanë nevojë për likuiditet për t’u rritur. Në sektorin e turizmit  nevoja dhe kërkesa është e madhe. Për sa kohë banka është në krahun e biznesit për të financuar këtë sektor, situata mbetet pozitive”, tha ajo./abcnews.al

Trump një vit në pushtet/ Shala: Po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Kamberi: Lufta diplomatike është shpallur në…

Prof. Dr. Xhavit Shala, ekspert i Shkencave të Sigurisë, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka vënë në dukje se politika e administratës Trump po karakterizohet nga një qasje radikale për të arritur qëllimet e saj. “Trump po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Se çfarë reagimi do të jetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo mbetet për t’u parë,” tha Shala, duke theksuar se deri tani kemi parë vetëm reagimin e vendit, i cili ka qenë i vendosur dhe këmbëngulës për realizimin e premtimeve të tij.

Eksperti shtoi se politika e Trump ka tronditur Europën, duke rishikuar marrëdhëniet tradicionale me NATO-n dhe duke zgjeruar aleancën me dy shtete të reja anëtare. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë strategjike të Groenlandës për sigurinë amerikane dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në skenën globale.

“Trump po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Se çfarë reagimi do të jetë në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo mbetet për t’u parë. Deri tani kemi parë vetëm reagimin e Trump, i cili ka qenë tejet këmbëngulës për të arritur gjithçka nga ato që ka premtuar. Ai është duke fituar kohë dhe e di që kjo kohë nuk do të jetë gjithmonë e vlefshme. Kina po merren një rol nga politika globale. Politikat e Trump kanë tronditur Europës, sepse ishim mësuar që sigurinë dhe financimin e mbante SHBA. NATO ka qenë në nostalgji. Në raport me NATO e zgjoi nga gjumi dhe qëllimi për ta dobësuar e forcoi më shumë me dy shtete më shumë anëtare. Trump synon që të realizojë atë që Amerika është e para. Ai është tepër i qartë nga politika e Groenlandës. Që Groenlanda është shumë e rëndësishme për sigurinë e Amerikës, kjo as që diskutohet”, tha Xhavit Shala.

Nga ana tjetër, analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, e sheh këtë periudhë si një “luftë diplomatike” në tre fronte. Ai thekson se vendet kryesore të Bashkimit Europian, Franca dhe Gjermania, nuk janë shumë në linjë me vizionin e Trump për politikën globale, ndërsa figura të tilla si JD Vance po bëjnë diferencën në mënyrën se si administrata e re po ndryshon qasjen e saj ndaj botës.

“Lufta diplomatike është shpallur në tre elementë. JD Vance bëri diferencën e kësaj administrate me ato të mëparshme. Dy nga vendet kryesore që përbëjnë Bashkimin Europian, Franca dhe Gjermania janë dy vende që nuk janë shumë afër vizionit të Trump se si e shikon ai politikën globale”, u shpreh Geron Kamberi.

“Jam në krah të Irena Gjokës”/ Arben Meçe: Simbol i guximit! Ka dalë kundër agresionit grek, Berishës dhe Metës

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin ndaj gjytares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, në lidhje me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Sipas dokumentit zyrtar, rezulton se Gjoka është dënuar për tjetërsimin e një vize greke, duke i zgjatur asaj afatin e vlefshmërisë.

Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka dalë në mbrojtje të gjyqtares, duke theksuar rolin e saj në përballjen me presione të brendshme dhe të jashtme ndaj sistemit të drejtësisë.

“Nëse dështimin e sistemit të drejtësisë do e lidhim me Irena Gjokën unë them “jo”. Irena Gjoka është ai person i cili përballoi shtetin grek dhe agresionin e shtetit grek. Kur të gjithë u fshehën për dosjen e Belerit, kjo doli ballë për ballë. Irena Gjoka është personi i cili i tregoi vendin Ilir Metës. Doli ballë për ballë armatës së Sali Berishës dhe Irena Gjoka po bëhet viktimë pikërisht për këto arsye.

Irena Gjoka është simboli i njeriut të guximshëm në sistemin e drejtësisë prandaj dhe ne duhet që ta mbrojmë Irena Gjokën. Prandaj ne nuk duhet ta shesim kaq kollaj Irena Gjokën sepse ajo po ndeshet me të keqen më të madhe që ka Shqipëria, qoftë përtej kufirit, edhe brenda kufirit të lidhur me ata përtej kufirit. Prandaj edhe unë jam në krah të Irena Gjokës”, tha Meçe./abcnews.al

“Vettingu ka dështuar”, Karanxha: Irena Gjoka me tre mbiemra, të mos ishte fare në sistemin e drejtësisë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Sipas burimeve, megjithëse nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar, nga hetimet rezulton se është administruar një vendim autentik i autoriteteve greke, i cili vërteton dënimin e saj më 7 korrik 2005 nga Gjykata e Janinës.

Zhvillimi ka ngjallur reagime të forta mbi funksionimin e procesit të vettingut në drejtësi, ku ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi rastin si një dështim të vettingut, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një person me precedent penal ka arritur të kalojë verifikimet dhe të ushtrojë funksione në një institucion të ndjeshëm të drejtësisë.

“Në rastin konkret po konstatojmë se në procesin e Vettingut nga ngecur miu dhe ka kaluar ariu i madh. Në vetting një nga kolonat ishte pastërtia e figurës, që këtu ne kemi dështuar. Fakto që Irena Gjoka me tre mbiemra rezulton e dënuar kemi një rënie të sistemit të vettingut, por Irena Gjoka ka kaluar dhe një komision të posaçëm. Dosja që ka kaluar Irena Gjoka duhet që të shikohet. Një person që ka një problem të tillë nuk duhet të marrë kurrsesi në institucione të tilla që ka shumë filtra. Ajo është dënuar në vitin 2005-ën. Një gjyqtar nuk mund të falsifikojë vizën.

Që në këtë moment nuk duhet të ishte marrë fare. Ajo ka një rrezik tjetër, që dikush mund ta dijë këtë informacion dhe ta përdor si shantazh. Unë konstatoj edhe diçka tjetër, si ka mundësi hetime kaq të gjata me një kohë kaq të gjatë. Ja ku është Janina! Ky është një dështim. Duhet të kishim marrë masa më parë të mos e kishim lënë të shkonte deri këtu. Berisha ka qenë konsistent. Këtu kemi një virus. Kush e  ka futur këtë person aty?! Këtu na del Irena Gjoka e dënuar, e depërtuar, është me dosje shantazhesh”, tha ish-prokurori Karanxha.

Trump ashpërson luftën tregtare/ Nunaj: Vendosja e tarifave për arsye politike dhe gjeopolitike. Priten pasoja për tregjet BE-SHBA

TIRANË– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifë 200 për qind për verërat dhe shampanjat franceze.

Paralajmërimi erdhi pas lajmit se presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar t’i bashkohet iniciativës së tij për krijimin e “Bordi të Paqes”.

Më herët Trump vendosi tarifa të reja shtesë 10% ndaj 7 vendeve të Evropës, duke i paralajmëruar se mund te arrijnë në 25%.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” në ABC News, u shpreh se Donald Trump po tenton tëpërdorë tarifat, si instrument për të arritur disa qëllime politike dhe gjeopolitike, mes të cilave dhe marrja e Groernlandës.

Ajo theksoi se përballë një kërcënimi të tillë edhe Bashkimi Evropian nuk ka qëndruar pasiv, por krerët e unionit kanë paralajmëruar se do t’i kundërvihen përpjekjeve të presidenti amerikan.

Sipas saj, lufta tregtare mes dy tregjeve të mëdha do të sillte pasoja negative si për SHBA ashtu dhe për Bashkimin Evropian.

“Duke qenë se vendosja e tarifës ishte politikë, që i solli Donald Trump disa rezultate të prekshme, ai i referohet sërish tarifave duke synuar marrjen e Groenlandës. Ai po tenton të përdorë politikën e tarifave për të realizuar një benefit politik dhe gjeopolitik, për të zgjeruar territorin e SHBA.

BE ka menduar variantin e vet, që mos të jetë vetëm pjesa e negociatave, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur. Lufta tregtare do t’i dëmtonte të dyja tregjet , si atë të Bashkimit Evropian dhe atë të SHBA”, tha ajo.

Këto përpjekje të Trump shtoi Nunaj kanë hedhur bazat për krijimin e një rendi të ri ekonomik, por gjithsesi mbetet ende herët për të folur mbi rezultate konkrete dhe të prekshme.

“Kemi një rrugëtimi, drejt një ekonomie nacionale. Nëse do flasim për rendin e ri botëror, ka nisur një zhvillim, por kjo duhet parë në vijimësi”, tha ajo./abcnews.al

Sondazhi: PS rritet me 3 pikë brenda një jave, PD mbetet në vend

2026 nuk është një vit elektoral, por ka nisur thuajse si i tillë. PS nga njëra anë ecën drejt reformave dhe integrimit europian, nga ana tjetër Edi Rama ka marrë ftesën zyrtare nga Presidenti i SHBA, Donald Tramp për Bordin e Paqes.

Në fillim të këtij viti të gjatë, partia e cila qeveris vendin ka fituar brenda 1 jave mbështetje 3.2%, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, nga 43.9% në 47.1%.

Partia Demokratike, e cila e nisi vitin aty ku e la, me Foltore, protesta dhe revolucione, mbetet në vend, nga 25.6% në 25.3%.

Po ashtu dhe partitë e vogla, ato mes revolucioneve imagjinare kundër Ramës dhe refuzimit të ftesave të Berishës, po treten të vetmuar.

Sondazhi/ Çfarë duhet të hetojë më parë Drejtësia e Re? Ja si përgjigjen shqiptarët

21 janari 2011, për shumicën e shqiptarëve është ndër cështjet që duhet të hetojë më parë drejtësia e re.

Pyetjes së drejtuar nga sondazhisti Eduard Zaloshnja, se Çfarë duhet të hetojë më parë Drejtësia e Re? 40.1% janë shprehur për 21 janarin, 34.2% korrupsionin e të gjitha qeverive deri më sot, dhe 25.7% korrupsionin e qeverisë aktuale.

Kampioni në këtë sondazh është 1425 banorë të rritur të vendit, me një marzh gabimi prej +/- 2.6%. Si çdo herë linku   i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit./abcnews.al

“Nuk më dhatë Nobel, mos më flisni për paqe”/ Krisafi: Nobeli dhe Groenlanda janë çështje egoje të Trump

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka komentuar deklaratat dhe ambiciet e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, gjatë një interviste në emisionin “War Report” në ABC News.

Sipas Krisafit, gjuha e përdorur nga Trump tregon një qasje force dhe bindjen se SHBA mund të veprojë sipas dëshirës në Groenlandë, duke e kthyer këtë çështje më shumë në një objekt egoje personale dhe ambicie për t’u futur në histori, sesa në një proces real negociatash diplomatike. Ai theksoi se insistimi i Trump dhe siguria e tij për ta marrë Groenlandën “me çdo kusht” e vështirëson seriozitetin e dialogut dhe uljen në tryezë për një marrëveshje konkrete.

“Donald Trump e ka treguar letrën në vendin e gabuar. Gjuha e tij tregon që SHBA mund të bëjë çfarë të dojë në Groenlanda. Nobeli dhe Groenlanda janë çështjeje egoje të Trump. Sepse është një person që do të ngelet në histori. Megjithatë Groenldana është Çmimi Nobel më i madh. Duke qenë se është vend i NATO-s, SHBA mund të bëjmë çfarë të duan në Groenlandë. Trump nuk po kërkon një marrëveshje, Trump e di që nëse merr Groenlandën, do të ngelet në histori, prandaj dhe ai e synon.

Trump është shumë i sigurte që do e marrë Groenlandën me çdo kusht. Trump e di që nuk do të ketë një mandat të tretë dhe gjithçka do e bëjë në këto tre vitet që i kanë ngelur. Sa më shumë flet me këtë gjuhë, aq më shumë e bën të vështirë që ta marrin seriozisht dhe të ulen në tavolinë për të arritur një marrëveshje për Groenlandën”, tha eksperti

Bordi i Paqes, Beqa: Përpjekje për ta personalizuar sigurinë globale në duart e Trump

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me pretendime për ndikim ndërkombëtar. Lajmi u komentua në emisionin “Real Story” në ABC News nga Mentori Beqa, i cili theksoi se ende nuk është marrë një vendim nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e këtij bordi, pasi procesi parashikohet të jetë i gjatë dhe i ndërlikuar. Sipas tij, Bordi i Paqes për Gazën është një strukturë e re e mandatuar nga Kombet e Bashkuara, me SHBA-në dhe Presidentin Trump në krye, fillimisht me afat deri në vitin 2028, por me synime më të gjera për trajtimin e konflikteve në nivel global. Shqipëria renditet mes rreth 99–100 vendeve të ftuara për t’u përfshirë në këtë iniciativë.

” Nuk është vendosur akoma nëse Shqipëria do të jetë anëtare e bordit, është një procedurë e gjatë. Kemi një tjetër bord që quhet Bordi Ekzekutiv i Gazës, është një pjesë e Bordit të Paqes. Paskatësia e dytë është  që Kombet e Bashkuara kanë mandatuar SHBA dhe Presidentin Donald Trump për të ndërtuar Bordin e Paqes për Gazën me një mandat të përcaktuar kohor deri në vitin 2028. Në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë me një bord me afat kohor të përcaktuar, por kemi të bëjmë me një bord paqeje që synon të trajtojë konfliktet në nivel global. Pra është organizatë për paqen globale paralele me OKB-në, është vlerësim i OKB-së. Është një përpjekje për të personalizuar sigurinë globale në duart e Presidentit Trump. Kemi të bëjmë me një institucion i ri ndërkombëtar me një organizatë, e cila është tërësisht personale. Do të organizohet nga Trump edhe kur të mos jetë më president. Shqipëria është një prej 99-100 vende për të qenë pjesë e Bordit të Paqes”, tha Beqa.

❌